Wednesday 29 October 2008

Vlerat që u ikin dhe u vijnë ngjyrave



Fatmir Terziu


Ndoshta s’do të ishte me vend të nisnim nga ngjyrat. Por ngjyrat janë ato që në heshtje flasin dhe tregojnë më shumë. Tregojnë për situatën. ‘Flasin’ për ngjarjen, ndodhinë dhe pretencën nga ku autori merr sinjalin e parë. Tek të tre tregimet e autorëve, Lifschin, Gjoza, Lekaj, përkatësisht “Megi”, “Falja” dhe “Një mbrëmje brilante”, ngjyrat janë një ndjesi e elementit përbërës, të përfshirë në detaje. Tek tregimi i Lifschin është “ngjyrë vishnje” (fustani i Megit), tek tregimi i Gjozajt është e zeza “një dem i zi” dhe tek tregimi i Lekajt shihet së pari “në blunë e syve të Silvës…”. Por të tre këto ngjyra urdhërojnë kuptimin e tyre në të tre tregimet në veçanti. Ata analizohen sipas vlerave që ata marrin nën këtë kompleks kuptimesh. Pa marr përsipër që të analizojë të tre në një kohë rekord në këtë koment unë mjaftohem vetëm me përcaktimin e tyre. Një analizë e detajuar kushton kohë gjithsesi. Si parantesë unë do të lehtësoja këtë duke lexuar Sacian Bercovitch në librin e tij “Historia e Kembrixhit për Letërsinë Amerikane: Vëllimin e tretë, shkrimi i prozës 1860-1920”.

***
Kësaj rradhe tregimi i Gjozajt vjen më ‘ngacmues’. I tillë që në titull. Që në titull me një nënkuptim tejet të qartë. “Falja” mbijeton me një lloj emocioni që në hyrje. “Falja” krijon atë harmoni detajesh që nën paralelizmin figurativ zbritës, ngjeshen ngadalë në mendjen e lexuesit si një ritëm poetik. Kjo është proza që lirshëm konfigurohet dhe rëshqet qetë e qetë për tu kuptuar e admiruar. Zbulimi mjeshtëror i protagonistit, përshkrimi i tij, situatimi i qenies, gjendjes, prezenca e një kufome që “mbante të varur në qafë një lahutë që pikonte gjak” dhe shkallëzimi ‘një dem i zi, një cjap, një lopë larushe dhe një grigjë rude” janë një arsye më tepër për të fuqizuar këtë ngacmim. Më tej është arma dhe e shtëna e saj, po aq edhe piskama e një tjetri. Në gjithë këtë ‘ngacmim’ figuracionesh të dendura prania e zërave tipike, zhurmave që shënojnë nëkuptime, bëhet ekuivalente me detajet që shoqërojnë në hyrje tregimin. Duke kuptuar se e shtëna e pushkës shënon një arsye për tu përqëndruar, që sipas zakonit të vjetër të zonës për të cilën shkruan autori, kryen lajmëtarin e zi dhe po aq edhe piskama është një lloj kuje për të vdekurin që ai ‘burrë shpatullan me mjekërr gjer në brez” e mban “të hedhur mbi kurriz”. Piskama nuk është i vetmi motiv që sjell ndriçimin e plotë të situatës, pasi atë autori e realizon me mjeshtëri që në hyrje, por kjo piskamë është një arsye më shumë për të siguruar identitetin e protagonistit, Cup Lin Delia dhe viktimës Kin Kro Karmen dhe po aq për të shënuar se falja vjen në lugje si një oshëtimë për ‘të nëntë bjeshkët e grykës së Mugut”. Dhe natyrshëm përcaktimi i së dielës dhe përkimit të saj me festën e ‘Shën Antonit” nuk përjashton atë që duhet sqaruar, por rishtaz intrigon më shumë ‘ngacmim’ për të mos u mjaftuar me aq sa di dhe kuptuar nga hyrja.
Dalëngadalë ky lloj ‘ngacmimi’ letraro-artistik vjen në tregim si një dramë, që në plot rrjedhën e saj trajton problemet e protagonistit, konfliktin e tij me situatën në të cilën gjendet, pa iu frikësuar elementëve përbërës të saj dhe pa kursyer këtë protagonist nga fshikullimet e rastit në emër të lidhjeve situatë-argument për të ndërtuar mesazhin. Pa zbuluar ngjarjen tragjike të ndodhisë, protagonisti i Gjozajt është në skenë dhe mbetet i tillë me gjithë eskorcionet e tij:
“Cup Lin Delia e la të vdekurin nën hijen e rrapit të Kryeziut dhe u fut në kafenë. Piu verë me poçe dhe hëngri mish shqerre. Nuk tha asnjë fjalë. Të gjithe sa ishin aty nuk e pyetën për të vdekurin. Cup Lin Delia ishte gjaksi, Kin Kron Karma ishte viktima. Po majëkrahu thoshte se Cup Lin Delia kishte falë gjakun. Jo, kjo s'ishte e vërtetë, ai e kishte vrarë Kin Kron Karmen. Po pse e kishte hedhur në kurriz dhe shtegtonte bashkë me të? Ku po shkonte? Majëkrahu thoshte se po e çonte ne varreze. Kjo as ishte parë, as ishte dëgjuar kurrkurrë më. Sipas zakonit ai duhet ta kthente mbarë kufomën, t'i vinte pushkën në brinjë me drejtim nga poshtë, të lëshonte dënamën me një zë gjëme; ehej, e vrava Kin Kron Karmen! Pastaj gjindja e kullës të shkonte e të merrte të vdekurin.Po s'ishte dëgjuar të shkrepte ndonjë pushkë. Viktima kishte patur me vete vetëm një lahutë.”

Duke udhëtuar mes ‘Faljes” jashtë kësaj situate bien në sy tre detaje kryesore. Detaji i parë që edhe autori e zbulon është ‘zakoni’, i dyti lidhet me vetë faljen dhe i treti është një detaj që lidhet e kryqëzohet artistikisht me lahutën e festën dhe prezencën e ndjekësve të protagonistit. Tek detaji i parë qartësohet arsyeja e asaj që ka ndodhur, tek i dyti falja që nënshkruan korektesën e një gjendjeje disi dramatike që fshikullohet nën grykë pushke dhe e fundit është ajo që zbulohet se protagonisti s’ka asgjë tjetër në këtë botë veç një miniushtrie frymorësh që e ndjekin dhe parathonë njësoj si fjalët e këngës nën ritmin e lahutës që nxirren nga goja e vrasësit dhe sqarohen vendet ku janë vrarë, emrat dhe sekset e tyre. Por mbi të gjitha këto detaje është arsyeja që lidhet me femrën dhe foshnjën, arsyeja që përjashtohet nga kanuni, arsyeja që plekset në një mori arsyesh të tjera që sjedhin fatin e tyre në tregim:
“…Me kanun gjakmarrja mund të merrej mbi cilindo mashkull, përveç gruas dhe priftit. Në këtë rast foshnja duhet të kishte moshën kur pushka e mbajtur në sup t'i prekte tokën. Kjo e drejtë e foshnjës nuk ishte respektuar kështu që gjaksi duhet të paguante borxh.”
Pas kësaj vjen pyetja e Gjozajt: “A do ta falte Cup Lin Delia?” Në këtë retorikë asgjë nuk paralajmërohet, asgjë nuk parashikohet, madje asgjë nuk paramendohet. Dhe këtë autori e di, ndaj mjeshtërisht dramën e konvergon në një ëndërr, duke lënë qëllimisht fuqinë e fjalës të ndjekë ritmin jetik, ritmin e një jetë që mer jetë njërëzish për fate që lahen me hesapin e shpagimit, marjes së gajkut. Arsyeja që lidhet me këtë fuqi fjale është se autori përveç mjeshtër i saj është edhe një njohës i mrekullueshëm i asaj jete që përfundon nën grykën e pushkës, të asaj pushke që metaforikisht lajmëroi nëntë grykat e cituara më lart. Themi se autori është një njohës i mirë i kësaj rrethnaje gjakësore se ai njeh dhe sjedh me artin dhe fuqinë e fjalës artistike të gjitha grimat e jetës, të gjitha shqetësimet, problemet, situatat, madje edhe minidetajet që lidhen me çdo pjesë apo send. A nuk ndodh kështu kur përshkruhet protagonisti, kur kërkohet falje me këngë, kur lahuta është me ‘dru panje të fërkuar me mjaltë bletësh trumzë’, kur pushka nxirret në frëngji, kur viktima bën kryqin, kur jepet druri i ngrënë i pragut, kur përshkruhet stina dhe situata e korrjes së misrit, dhe më tej kur vetë kënga sjedh këtë varg:

“…S'bluhet me mulli kafe
Merrma jetën me një plumb
Jetën falma me një fjalë”?

Në tërë këtë njohje është e domosdoshme të thuhet edhe më kryesorja. Gjoza vjen me këtë tregim si një mjeshtër i vërtetë ku fjala e tij dizenjon me dramacitet tendosës. Ky dramacitet tendosës të bën të lexosh e të rilexosh këtë tregim që të kuptosh mirë atë që autori ka synuar. Tek e qara e Cup Lin Delisë, tek e qara e tij me psheretima dhe klithma, dhe po aq tek mbështetja e kokës së tij mbi qytën e pushkës kur ai mbyll sytë kuptohet ai dramacitet që linçohet nën ajrinë që djeg e kundërmon gjak: “Kin Kron Karma e mbaroi këngën, ngriti pakëz kokën, po pushka nxinte në të njëjtin pozicion. Ia filloi sërish nga e para me një zë të lodhur, të zvargur, si psherëtimë.
Në gjunjë të kam ra
E kryq po baj pa pra
Mbi drunin ku shkel miku
Dru i ngranë prej pritjes.”

Trilli artistik i gjozajt është mjaft i arritur. Ai mjeshtërisht udhëton në imagjinatën e një shtyse zakonore. Në këtë shtysë zakonore ka edhe të pathëna, ka edhe shtysa metafizike, që shpesh herë e detyrojnë qenien njerëzore të shfytyrohet. Por më tej fakti i kryer nuk mposhtet nga fjalët në vazhdim, është ëndërr: “Kishin rene kaq here kambanat, ai kishte ndjere si neper jerm kundermimin e temjanit dhe dyllit te qirinjve. Me ne fund i plasi gjaku, qe i rrodhi mbi mjeker e gjoks, i sterpiku lahuten me pllanga te kuqe. Po i merreshin mendte, e kishin lene kret fuqite. Me gojen plot me gjak kendonte;
Merrma jeten me nje plumb
Jeten falma me nje fjale...
Dikush thirri;Vdiq!...
…Po pat qene enderr. Ai kishte nje kohe te gjate qe flinte me faqen e mbeshtetur mbi qyten e pushkes dhe me ne fund e kishte falur. Po ishte vone. Dyndeshin muzgjet.
Cup Lin Delia mberriti te kulla e Kin Kron Karmes. Prapa e ndiqnin nje dem i zi, nje cjap, nje lope larushe dhe nje grigje rude. Qendronte para saj me trupin e pa jete te viktimes mbi kurriz.”
Tregimi është tejet domethënës dhe emocionues. Një aritje tjetër e autorit Gjozaj.

No comments: