Monday 27 October 2008

Dhe te mendosh se ndonjehere i kemi zili...


Suzana Kuqi

- Ka qenë aq e bukur gruaja ime, sa kur shkuam për muajin e mjaltit në udhëtim, marinarët e anijes , u vunë në rresht e thirrën tri herë hip-hip - urra për nder të saj .
Muhabete koti, mendova e më erdhi për të qeshur, por kur pashë se po fliste seriozisht e sytë e tij shndrisnin me krenari tek ecte përgjatë korridorit në krah të gruas ... Ishte vërtet e bukur gruaja e tij , edhe pse e moshuar, nuk kisha parë kurrë grua të moshuar aq të bukur. Koha sikur kish bërë dëm vetëm tek flokët e saj që i kish zbardhur, ndërsa tiparet nuk ishin deformuar, një tis fisnikërie ish stisur mbi ta e ajo dukej si ato mbretëreshat e filmave, të konservuara mire. Them të filmave sepse nuk kam parë asnjë portret mbretëreshe aq të bukur sa nëpër filma.
- Keni vërtet një grua te bukur - i them.
- Ka qenë edhe kurajoze - shtoi ai.
Pohova me kokë dhe u largova duke i lënë përpara derës së dhomës së gruas.
- Si t'u duk mysafirja e re ? - më pyeti një kolege.
- Nuk di ç'të të them, në fillim duken të gjithë të mirë, pastaj fillojnë, e din ti.
E në fakt funksionon kështu. Të moshuarit, kur hyjnë në një azil, në fillim janë të hutuar, duken sikur nuk duan t'a kuptojnë atë realitet tragjik . Plazhi i fundit i thonë këtu, stacioni i fundit them unë,në fakt është një zonë neutrale që i ndan nga jeta e mëparëshme e banesës së fundit. Pas pak kohe , hutimi kalon, zhyten në atë realitet aq thellë ,dhe e përjetojnë shumë keq.
- Janë nga më të pasurit e qytetit, vajza e tyre është nusja e pianistes.
Pianistja i ka kaluar me kohë të nëntëdhjetat , edhe ajo mbahet mirë ani se nuk është fare e bukur. Duket si burrë. Dikur ka qenë e famshme, jepte koncerte në teatrin e Genovës , edhe sot mënyra e veshjes ruan frymën e asaj kohe. Ndërsa duart i ka të shtrembëruara nga artriti. Duar që dikur mbi tastierën e pianos magjepsnin qindra vetë. Eh, jeta...
- Nuk din tjetrën, - vazhdoi kolegja ime ,- nesër vjen edhe e motra. Do të kemi një nga familjet më të pasura të qytetit këtu.






Dhe kështu kishim pjesën femërore të një nga familjeve më të pasura të qytetit. Gra të edukuara,por të ftohta. Helbete , kishin bërë jetë . Por nuk ishte kjo që krijoi ftohtësinë time për to.Në fillim, gjithshka shkoi mirë ,derisa një mëngjes e motra e gruas së bukur më pyeti se nga ç'vend vija dhe unë u përgjigja. Pashë vetëm një muskul që lëvizi jo hijshëm në fytyrën e saj, e që u pasua nga fjalët:
- Ballkani, asgjë të bukur e të mirë nuk ka.
Desha t'i përgjigjesha se Ballkani, e për më tepër atdheu im... atdheu im , ka aq gjëra të mira e të bukura sa mendja e saj nuk mund t'i rrokte sepse kurrë nuk e kish njohur ,e po t'a kishte njohur do të ishte më keq, nuk do t'a pranonte me ndërgjegje.
- Eshtë normale, gjithkujt i pëlqen vendi i tij,- ju përgjigja e ajo nuk më ngau më. Vendosa të isha sa më e sjellshme dhe e kujdesëshme me to, të shihnin ato se ç'do të thoshte të ishe nga Ballkani e nga vendi im.Nga ana tjetër ,kurioziteti për këtë familje erdhi duke u rritur.




Pa u lodhur shumë, gjërat duken shpejt kur nuk funksionojne siç duhet. Gruaja e bukur kish vetëm një vajzë. Ajo vinte ç'do ditë, nuk është më e re , ka edhe ajo një vajzë që i ka kaluar të tridhjetat. Autoritare, me një hap që bën të kërcasin më shumë se zakonisht takat mbi mermerin e dyshemesë, asnjë rrudhë në rroba dhe asnjë fije floku që të mos jetë në vendin e saj. Vizita e parë tek vjehrra.
- Si je mama ?- e përshëndet ndërsa i jep një të puthur në faqe.Pianistja shkëlqen nga kënaqësia. Nuse e vjehrrë, ndoshta shkojne mirë, fundja nuk është e detyruar t'a mbajë në shtëpi, paguan paratë aty e çfarë i kushton një e puthur në faqe.Rrin një copë herë me të. Pastaj shkon tek tezja. Eshtë më e dashur me të. Atje sikur i çelet pak ajo fytyrë e ngrirë, e nganjëherë sheh edhe ndonjë buzëqeshje. Ngrihet prej andej , e unë jam kurioze, mamanë e ka lënë për në fund, ëmbëlsira lihet për në fund, themi ne. I afrohet , ja tek është përpara saj ,edhe katër hapa, edhe tre edhe... jo mbetet aty. Asnjë muskul nuk i lëviz në fytyrë.
- Ciao mama - e pa pritur që tjetra t'i përgjigjet ka kthyer majat nga thembrat dhe është zhdukur.Babait i kalon pranë dhe as nuk ja hedh sytë, tek ai afrohet pranë gruas dhe ulet në një karrike pranë saj.
E bukur familje, mendoj, e të mendosh se nuk u pëlqen vendi im, le të vinë e të njohin familjet tona.
Megjithëse nuk më pëlqejnë thashethemet, nuk mund të bësh pa i dëgjuar. E në këtë rast , me kënaqësi , edhe gojët e liga. Burri , kish qenë nënadmiral i flotës ushtarake , të paktën kështu thanë. Shqetësimet që na solli në punë me vizitat e tij një orëshe nuk ishin të pakta. Nuk kish ditë që nuk shkonte tek drejtori e të ankohej për disiplinën tonë. Ne flisnim shumë , e me zë të lartë. Në anijen e tij nuk kish guxuar asnjë të fliste kështu. Po ec e pëshpëriti të moshuarve e foli me zë të ulët, veshët e tyre nuk janë ato të një kohe më parë, nuk të dëgjojnë dot me gjithë dëshirën e mirë që mund të kenë. Ec e bëj ndonjë shaka... Një kolegja ime ja bëri benë dhe ju përgjigj ashpër një ditë, si pasojë humbi vendin e punës ... E bija , përkëdhelte tezen që nuk kish fëmijë , me shpresë se do t'i linte asaj pasurinë, kështu thonin. Të ëmën nuk e shihte me sy. Tezja nga ana e saj bënte çmos të tërhiqte mbesën pas vetes, duke shpërfillur trishtimin në sytë e motrës. E mbesa u martua, gjyshe pjanistja krenohej me albumin e fotografive të dasmës, na e tregoi të gjithëve, veç të ëmës jo, ajo tashmë nuk fliste fare. E drejtë, ulur mbi një karrike, shikimi i saj ishte i humbur. Alzeimer, sëmundje që nuk fal njeri sado inteligjent qoftë. Ish vetëm një orë që sytë e saj merrnin shkëlqim, atë të vizitës të shoqit. Nuk ja shqiste sytë, si ato të një vajze të re të dashuruar. I trishtueshëm njëkohësisht , nuk i pëlqente që ai ikte në shtëpi dhe e linte atë aty gjithnjë në pritje. Mbrëmë ai e puthi në ballë, e pashë ndërkohë që sytë ju mbushën me lotë. Vuri re praninë time aty, e duke buzëqeshur si i zënë në faj tha :
- Ka qenë aq e bukur gruaja ime , sa kur kthehesha nga udhëtime të gjata ,befasohesha kur e shihja, edhe pse e dija që ishte e bukur.
- Ke vërtetë një grua të bukur- i them unë.
E ndoqa një copë here tek largohej e pastaj pashë gruan e tij. Për herë të parë nuk arrita t'i gjykoj keq. Të pasur vërtet, por jeta e tyre nuk kish qenë për t'u dëshëruar. Një burrë që edhe pse ishte i pasur ,kish preferuar karrierën dhe e kish lënë gruan vetëm në shtëpi. Nuk besova ato gojë të liga se ajo në një farë mënyre e kish mbushur mungesën e tij . Një vajzë që nuk ishte pajtuar me karakterin e të atit që në adoleshencën e saj e për këtë kish gjykuar të ëmën e ish larguar prej saj.Një motër që në vend që t'i lehtësonte dhimbjet ,ja kish shtuar. Ndërsa ajo ... një grua me zemër të përkushtuar vetëm dashurisë së saj që për fat të keq sa ishte e re nuk e kish gëzuar. Kish qenë thjesht një grua e bukur ose më mirë gruaja e tij e bukur ,ndërsa ai për atë kish qenë gjithshka. E ajo në pritje të tij gjithë jetën. Pritja kish bërë që stinët e vitet të kalonin pa lënë gjurmë në bukurinë e asaj gruaje...
Po mendoj gjëra koti , them me vete, e mundohem t'a heq nga mendja, fundja ç'më duhet mua me ta ? Në mendje nuk e di se si më erdhën fjalët që i kisha lexuar diku :

."Stinët pështeten mbi lëkurën time si një cohë e hollë dhe e lehtë pambuku duke ngulitur në flegrat e mia aromat e tyre të fuqishme, shijet e tyre mbi gjuhën time , ngjyrat e tyre në sytë e mij. E mijëra e akoma mijëra thesare që më zbulohen mua... në shtegun e jetës , në shtegun e dashurisë"




Imperia 2 Tetor 2008

No comments: