Friday 3 October 2008

VAZHDIMI I ANALIZES ...


...Miti i kohës


Romani i Pëllumb Kullës duket se ka dalë në kohë. Themi kështu, pasi ekranet televizive kanë filluar të mbushen, nga ‘ata’ që duket se po ringjallen nga strofkat e tyre. Ajo që shkruan akademiku dhe njeriu i letrave, Agron Tufa duket se plotëson arsyen: “Ata rrëfejnë për punët e tyre të zeza me një profanizëm të kripur në proverba popullore dhe ne jemi mësuar t'i dëgjojmë me një pasivitet derdimen, pa ua vënë në dyshim lloqet folklorike dhe kështu, me sot e me nesër, revokojmë pandalshëm një të kaluar të turpshme, të pashoqe në historinë e njerëzimit. Askujt nuk i vjen turp, askush nuk ndjen pendesë. Xhelati krenohet s'e ia vuri litarin në fyt viktimës, censori se ia kalli shpirtin në kënetë poetit, spiuni se ia shkatërroi familjen dhe jetën mikut të ngushtë, ish-udhëheqësit – se paskan mbrojtur dinjitetin e shtetit shqiptar.” Në një kohë që duket ‘krizë’ pra ‘ata’, personazhet e romanit, prodhojnë atë krizën tjetër, krizën e harresës, romani rigëlltit vlera.

Themi kështu, pasi ai i ka të mjaftueshme ato që ka në brendësinë e tij. Po aq edhe që në titull, po aq që në kopertinë! Gjuha e këtyre dy të fundit plotëson tërësinë artistike të kësaj “Kulle” letrare, duke na kujtuar mençurinë në faqet e tij. Romani vjen i mençur. I duhur dhe në mënyrë të qetë për të rikujtuar e qeshur duke lexuar. Vjen për të dhënë mitin e stërthënë për të. Vjen si një arritje në fushën e letrave, në një kohë që bashkëkohorja e kërkonte këtë firmë prej kohësh. Tashmë në këtë risk mitesh ky mit i prurë me kalibrin e Kullës, duket se edhe ata që kanë heshtur do të rizgjohen për të vënë Kullën në vendin e takuar prej vitesh. Ky roman është ajo që në thelb vetë krijimtaria letrare e quan mrekulli për të treguar. Është një roman që tregon. Tregon nëpërmjet të gjitha mënyrave të të treguarit. Në fillim është fjala, pastaj me radhë vijnë të gjitha strukturat që plotësojnë diskursin e saj. Në tërësinë e vet diskursi i fjalës arin të realizojë të gjithë atë përmbajtje që gatuhet në hapësirat sintaksore. Është dialogu ai që të mban gjallë në këtë hapësirë dhe të shpie nëpër roman hap pas hapi, si në një ndodhi që shihet nga të gjitha anët. Në këtë dialog është si në një diamant, kur tenton të provosh njërën faqe të tij dhe fap të vjen tjetra përpos shkëlqimit rrezatues. Edhe këtu kjo vlerë rritet teksa këndvështrimi sugjeron qetësi deri në detaje të kuptosh tërë forcën filozofike të fjalës së Kullës. Në këtë pikë sërish do të thoja është e rëndësishme ti referohemi shkrimtarit Myrtaj që piketon me vend: “...është vepër voluminoze, më i madh se "Dimri i Vetmisë së Madhe" të shkrimtarit më të famshëm shqiptar Ismail Kadare. Kanë të përbashkët edhe diçka tjetër, personazhin kryesor, Enver Hoxhën, por kjo nuk ka lidhje me vlerën e romanit. Kadare e shkroi librin në gjallje të Personazhit, kurse Kulla 23 vjet pas vdekjes. Në të parin e qeshura vjen prej seriozitetit, kurse tek romani i Kullës pritet që serioziteti të vijë prej së qeshurës...”

Kështu prej kohësh fjala e Myrtajt rrok të veçantën. Dhe këtu në këtë ‘mit’ të kohës ky seriozitet që vjen prej së qeshurës kupton e nënkupton shëndetin e veprës, produktin cilësor të saj. Dhe kur zia e pasvdekjes të bën nam, madje një qytet të tërë të panjohur për asgjë deri në nivel turistësh, natyrshëm që serioziteti I gatuar nga Kulla qartëson pikasjen e Myrtajt. A nuk është pikërisht ky seriozitet që vjen mes të qeshurës në tërësinë e këtij paragrafi të shkëputur nga romani? Ja se si e gatuan autori këtë: “Namiku, drejtori i Pallatit, i mbrojti ata me pallë zhveshur. Këngëtarët tanë e respektojnë zinë mbarëpopullore të qytetit të tyre, shoku Ligoraq. – tha ai. - Edhe këtu ata shkojnë nëpër dasma, por vetëm si dasmorë të thjeshtë. Urojnë, hanë darkën, fshijnë buzët dhe kaq! Zia e zgjatur e bëri qytetin me emër. Ky qytet nuk ish dalluar kurrë më parë, në asnjë fushë tjetër. Në shkallë vendi ky qytet nuk mbahej, as për prodhime bujqësore, as për blegtorale, as për muzera të veçantë dhe as për pamje piktoreske. Është e çuditshme se si zia për vdekjen e Hoxhës, befas e bëri qytetin të famshëm. Fluksi i turistëve të huaj edhe këtu nisi të rritej. Gazetarë të Radios dhe Televizionit zbrisnin në këtë qytet javë për javë dhe ata theksonin tiparet e kësaj zie që, me siguri, do të hynte në historinë e kombit. Ata filmonin kurorat e freskëta dhe të thara nën piedestalet e pesë monumenteve të udhëheqësit të vdekur, futnin në kuadër vitrinat e dyqaneve, ku mbizotëronin ngjyrat bardhë e zi dhe pasi e drejtonin objektivin në flamurët e vendosur në ballë të institucioneve, nisnin me entuziazëm retorikën mbi veçorinë që jepte ky qytet në vitin e pestë të vdekjes së Komandantit legjendar.

No comments: