Tuesday 28 October 2008

“Wrong number”, … një 'çelës' për fjalën dhe gatesën e saj




Fatmir Terziu

Këtu ka shumë arsye që te kuptojmë se tregimi i Myrtajt, ka prekur atë që ne shpesh synojmë ta arrijmë, shtegtojmë ta gjejmë hypur penave dhe tastierave duke ngarkuar e shkarkuar tonelata mendimesh nën një ide, apo mbi disa gërma…
Kjo formë e tregimit të Myrtajt është një e vërtetë që duhet thënë qartë, një ëmbëlsirë e shtrenjtë për atë që e njeh botën vizuale, skriptin, dhe më tej synon të ndërtojë ‘storybordin’ që është një kompleks visual dhe ngashërim shpjegues fjalësh. Forma që sjell Myrtaj nuk është një natyrë e tregimit të pleksur me një fillim, mes dhe fund, por një strukturim që pasqyron në heshtje anë të ndryshme të realitetit. Trajta e shkurtër e tij dhe gjuha tregimtare, sidomos fjala e thellë filozofike bëjnë që “Wrong numbër” të jetë një pasaportë e tregimit shqiptar në botën e gjerë letrare-krijuese që me kohë pret tregime të këtij tipi, ndoshta pa ndonjë ekzagjerim me ‘tru’, filozofi, argument dhe vlera. Përmes tregimit të Myrtajt ndiqet dinamika e jetës, në strofkën e saj, edhe mes zbrazëtisë ‘tradicionale’ edhe mes dilemës moshore, edhe mes kompleksit vend-hapësirë-kohë. Aktualiteti dhe tema e ditës së një risie familiarenuk është shkak aspak pretekst, por një arsye më shumë për të lënë një mesazh të kthjellët.
Ngjarja zhvillohet brenda një kohe relativisht të shkurtër dhe ku mjeshtërisht Myrtaj gjen dhe përzgjedh detaje nga çasti kulmor i saj. Personazhi kryesor është dukës, dhe rrethrotullimi i tij është sa intim, familiar aq edhe bashkëshortor, por ai nuk është në një kornizë të prerë s ii tillë, ai lexohet në një hapësirë dhe nënkuptim më të gjerë.
Myrtaj nuk preferon të përshkruajë procesin e zhvillimit të karaktereve, as nuk synon që të japë hollësi për për psikologjinë e personazheve. Ai nxjerr në pah me fjalën e tij tipike, anët më të rëndësishme të tyre. Këtu fjalë-filozofia e Myrtajt është ajo që duhet admiruar. Ka subject të thjeshtë, por me konflikt të ngjeshur. Por edhe pse do të mundohesha të gjeja ngjasime apo paralelizma me tregime të të tjerëve, qoftë edhe me përmasa botërore, do të mjaftohesha me kaq për të thënë se ‘kostumi i Myrtajt’ në prozën e fundit, “Wrong number”, nuk ka nevojë as për firmën më të shtrenjtë. Ai është vetë i gatuar i tillë, pa patur nevojë të vishet me moda apo marka të dizenjuara, sa për të thënë se tani unë gjeta ‘fjalën që do tu pëlqejë atyre’.
Procesi i purifikimit të gjuhës ka tërhequr logjikën e fjalës shpeshherë jashtë kufijve të përdorimit të saj dhe ka eleminuar fjalët e krijuara enkas pa respekt për përdorimin e tyre të dobishëm si në pasurimin e gjuhës, po aq edhe në një rregullsi fjalëformuese të domosdoshme. Në tregimin e fundit të Myrtajt fjalët ‘shtizëthurjen’, ‘ngjyros-ç’ngjyrosja’, ‘divorcuar’, ‘boyfriendin’ etj nuk duhen parë si një eleminim apo shthurje gjuhësore, por si një domosdoshmëri efikase për jetën e vrullshme të tregimit, ku me anë të tyre përcaktohet qartë ai purifikim gjuhe, me pak fjalë përcakton dhe qartëson vendin, hapësirën dhe kohën. Dhe këtë e bën edhe letërsia e sotme amerikane, angleze duke përdorur fjalë me shumë kuptime apo me afërsi nga frëngjishtja apo gjermanishtja e spanjishtja. Në këtë rast asnjë fjalë e tillë nuk qëllon në ajër, por sjell në mesin letrar një domosdoshmëri për tu lexuar ashtu ‘i huaj’ në shqipen e bukur. Kështu “Wrong numbër”, mbetet një çelës për fjalën dhe gatesën e saj. Por kur them këtë mendoj se mirëkuptohemi, të paktën tek ‘fjala’. Meqenëse jemi këtu le të them edhe diçka që them se ka ardhur koha të sqarohet.
E kam thënë edhe herë të tjera, kësaj rradhe ndoshta duhet thënë pak më shqip, më hapur, më shqeto. Se fjala e thënë më parë, si ‘panoptikon’, që është një fjalë e thjeshtë akademike dhe jo internetike na e nduku dikë andej nga ka orrigjinën e letrave anonime, që ‘panoptikon’ është fjala më e gjetur për tregimin “Njerëz prej buke”, pasi lidhet me tërë fatin dhe kuptimin e saj në jetën e një të burgosuri nga diktatura (panoptikon është përdorur nga Stuart Hall, Barthes e Judith Butler në analizat e tyre mediatike) (The Panopticon is a type of prison building designed by English philosopher and social theorist Jeremy Bentham in 1785); apo më tej atë ‘anonimatin’ na e shqetësoi ‘plasticiteti poetik’ që është një nocion në shpjegimin e një poetike apo proze poetike dhe që me esenë e kushtuar këtij plasticiteti Jesika Smith fitoi çmimin që mund ta lexoni në anglisht (This essay won the 2005 Literature Compass Graduate Essay Prize, Twentieth Century Section). Kur shkruaj dhe analizoj një prozë apo një poezi, krijim apo gjithshka parimi im është që të shoh të veçantën, të dallueshmen, dhe të sjellë paksa nga ajo që na duhet të thyejmë rutinën e thënkave përkëdhelëse, apo asaj që na duket se jemi ne dhe ata s’janë si ne.


No comments: