Sunday 4 January 2009

E papritura e fundvitit në “Kalamari”



Fatmir Terziu

E papritura e festimeve në komunitetin shqiptar në Londër i përket festës së ndërrimit të viteve. E papritur entuziaste dhe surprizë nga shoqata “Dituria” dhe “Sfida” në Londër. Një festim me të gjithë aktivistët dhe kontribuesit e këtyre shoqatave. Të ftuar edhe miqtë e saj nga shoqata të tjera, si “Ardhmëria” me drejtuesit e saj, “Peja” me aktivistët dhe drejtuesit e saj, “Faik Konica” me stafin e saj të devotshëm dhe mjaft gra e aktiviste femra. Një natë festive që zgjoi edhe një traditë. Një natë festive që gjëmoi nën ritmin e valleve dhe këngëve shqiptare. Një natë festive me tradicionalen e rakisë shqiptare, gjizës dhe prodhimeve të tjera. E gjitha një traditë në veprim. E gjitha bukur dhe këndshëm në Restorantin “Kalamari” të pronarit shqiptar tepër dashamirës, Abdylit. E gjitha një festë argëtuese me protagonistë fëmijë, burra e gra, të moshuar e të ftuar. Protagoniste kënga shqiptare, vallja gjithëkrahinore dhe ajo moderne nën ritmin e beli-dance të një valltareje rumune, ekskluzive për këtë festë shqiptarësh.

E papritura tjetër

Por e papritura tjetër ishin rikthimi i dhuratave tipike shqiptare për fëmijët aktivistë, kartolinat dhe pakot për aktivistët dhe mjaft urime të veçanta. E papritura ishte fjala e dashur, solemniteti dhe gëzimi i përbashkët, buzëqeshja dhe dashuria për njëri-tjetrin. E mbi të gjitha atmosfera e fituar nga prania e mjaft vendësve që darkuan nën ritmin shqiptar. Selmani, Maliqi, Naimi, Lutfiu, Sherifi, Gazmendi, Besniku e mjaft të tjerë festuan ndjeshëm. Ritmi i valleve përfshiu midis tyre burra e gra, fëmijë e breza, për të çuar më tej edhe këtë traditë aq të domosdoshme për të ardhmen.

Ajo që binte në sy

Diku në një cep të restorantit ishte një flamur i qëndisur shqiptar, në krah të flamujve britanikë dhe të Kosovës. Një rutinë fotografish që prishej nga vizitorët, një muroramë e mbushur me detaje festive takimesh dhe mjaft dosje të tjera që sillnin faktet e mëparshme. Të gjitha të dokumentuara bukur dhe qartë. Që nga koha kur “Dituria” dhe “Sfida” hapën zemrat dhe u përkushtuan në shërbim të komunitetit e deri në traditat e shumta, kopshtet dhe perimet e prodhuara tradicionalisht. Një varg me hudhra, qepë, e produkte të tjera nga kopshtet e këtyre dy shoqatave ishin e dhe surpriza dhuratë e rradhës për miqtë e ftuar.

Organizatorët

Aparati i shqiptarit të talentuar, Besnikut vazhdonte punën e tij, ndërsa edhe vetë anglezët e “Kalamarit” ngriheshin e përjetoheshin në kujtimet digjitale të festës së ndërrimit të viteve. Ruzhdiu dhe Kadimja, dy intelektualë modelë të komunitetit natyrshëm si të zotët e shtëpisë, në këtë organizim të bukur gjendeshin san ë një tryezë në tjetrën. Shqipja ndihej krenare aty në murin kryesor të restorantit atë natë. Edhe ajo shijonte dykrenore gëzimin dhe surprizën e veçantë.

No comments: