Sunday 30 December 2012

Vepër unikale në llojin e vet




Fatmir Minguli

KOJRILLAT  FLUTUROJNË  LARG   DHE  AFËR
(Një  vështrim  studjues  për  romanin  Kojrillat” të shkrimtarit Fatmir Terziu)
Mund të shkëputësh  një njeri nga vendi i tij, por  nuk mund të shkëputësh vendet nga zemra e njeriut. (John  Dos  Passos) 

Një roman që të befason që në kapitujt e parë. Një  roman që e zgjeron botën shqiptare në hapësirë dhe në  kohë. Një libër policesk dhe njëkohësisht  një romancë dashurie që nuk e kemi  as parë e as dëgjuar të ndodhë me një femër të bukur shqiptare në Londër dhe jo vetëm aty. Një roman i shkrimtarit Fatmir Terziu, ku dokumentat sekrete dhe gruaja misterioze  Madam Zeinep Vlora vetëm sa  janë maja e ajzbergut të vërtetë. Një roman,  që për nga radha  e romaneve të shkruara nga ky shkrimtar është i treti e që pason romanet “Grykësit” dhe “Bunari”.
Ndonëse nuk jam superticioz i thekur, mendoj që  për romanin “Kojrillat”, të përshtas  shprehjen  I treti i vërteti”.  E mendoj se nuk kam gabuar! Një  punë kolosale  e autorit, jo më shumë për të ndërtuar strukturën arkitektonike të subjektit, se sa  për të gjetur, kontrolluar e sistemuar dokumentat e arshivave angleze. Janë dokumenta  sa misterioze aq dhe të frikshme për vitin 1933,  për vrasjen  misterioze në prag të Krishtlindjeve të  vitit 1932 të heroinës  së bukur  shqiptare  e që  gjendet e helmuar në këmbët e Monumentit Cenotaph në   Whitehall. E për të shkuar më tej, kemi përpara një roman që na jep botën shqiptare në vitet e monizmit në një narracion artistik ndryshe.

Narracion pikant

Eshtë më se e qartë se Famir Terziu duke u ndodhur midis subjektit “fiction” dhe subjektit  me dokumenta  reale do të pranonte manipulimin  herë me tentativë e herë me intuitë. E  thënë ndryshe do përdorte ose trillin  e plotë në roman ose subjekti i tij  do  të “robërohej” nga dokumentat!  Por nuk ndodh kështu, aspak kështu! Se po  të ndodhte kështu  do kishim përngjasime me romanet bestseller  të “dokumentuara” të Dan Braunit, apo me skenaret e filmave  “007” me James Bondin në mbrojtje të fakteve sekrete qe kanë të bëjnë me Zonjën “M”, dhe “Kojrrillat” shqiptare të  Fatmir Terziut nuk do mundeshin të dalloheshin në fluturimin e tyre sa elegantë, aq dhe të guximshëm  dhe origjinalë.
Romani i  shkrimtarit dhe studjuesit  Fatmir Terziu, veç se është një  vepër  unikale në llojin e vet, nuk mëton kurrsesi    jetë një roman  historik. Nëpërmjet personazheve shumë pikantë, autori e trajton historinë 100 vjeçare të shtetit shqiptar në tërësi, duke e sjellë atë në roman si një pelerinë madhështore transparente, por herë-herë dhe të errësuar. Narracioni i autorit tenton pikërisht bërjen transparente  të atyre ngjarjeve që janë fshehur nga armiqtë e lirisë së shqiptarëve, armiq ‘kësulkuq’, apo të tjerë të kuq në vitet e monizmit.
Fatmir Terziu mbështetet në dokumenta të shumta tek krijon subjektin e këtij romani. Me dhjetra e dhjetra gazeta angleze, franceze etj., shkruajnë për këtë vrasje duke e shoqëruar dhe me mbytjen në lumin Tamiz të një burri të panjohur.
Nga kapitulli në kapitull njihemi me këtë grua në mënyrë jo direkte, por nga personazhet e tjerë si Granit Jetoni, hetuesi  anglez  Smith, nga artikujt e gazetave  të kohës dhe nga personazhi i veçantë, intelektuali  Lutfi Çela. Por jo vetëm këta personazhe “dëshmojnë” për shqiptaren e bukur Zeinep Vlora, e cila mbante në vetvete misterin e disa letrave me karakter diplomatik ndërkombëtar, të lidhura pa dyshim me fatin e Shqipërisë.

Roman simbolesh filozofike

Romani “Kojrillat” është libër simbolesh. E simbolet janë të shumta, me madhësi e forma të ndryshme por   të ndërlidhur me një njëri  tjetrin, që formojnë një rrjet komunikimi  midis tyre. Para se ti shkojnë lexuesit  ata krijojnë komplekse të rafinuar, inteligjentë, ringjallës, ndjellës e gati-gati magjikë. Fatmir Terziu na i sjell simbolet e romanit të besueshëm, të plotësuar deri sa duken si personazhe të tjerë, po aq të rëndësishëm, sa dhe  personazhet njerëzorë. Simbolet e “Kojrillave”  janë vendosur si yjet në qiell ku prin e ndriçon më shumë Kojrilla Zeinep Vlora, shtegëtarja e madhe e viteve të stuhishme, që e rrethuan pavarësinë e Shqipërisë, edhe pasi  ajo u lind.
Kojrilla, kthehet në Të Ujtën, të tejdukshmen e legjendës, në të qelqtën e pastër e në forma xhamllëku,  në Zonjën shqiptare të ujrave, që rrjedhin  paralel me  kohën e me jetën. Me mjeshtrinë  artistike, në këtë roman, Fatmir Terziu, pothuaj çdo kapitull e fillon me uverturën e simbolit të Së Ujtës, figurë magjike, unikale që mban “Vulën e Autorit”: Fatmir Terziu. E Ujta, një figurë e jashtëzakonshme që do të mbetet në letrat e  shqipe, falë imazheve që unë i klasifikoj në modernitetin e pikturave të Salvador Dalisë. Fatmir Terziu e kryen detyrën madhore si autor për zbulimin e sekreteve që realiteti  fsheh, por duke i deshifruar simbolet që shfaqen në gjërat e kësaj bote, të shkuar e të tanishme.

Subjekti i intersektuar

Falë  këtyre zgjidhjeve artistike, autori Fatmir Terziu krijon narracionin paralel që  shoqërohet nga subjektet e intersektuara brënda stilit narrativ. Thyhen kështu regullat e gjeometrisë, por fitohet  forma e re  narrative,  komplekse, me të kundërta në kohë e hapësirë, por e rrjedhshme dhe e këndshme, intriguese dhe kurioze. Dhe çdo kapitull i përmban këto të kundërat, me ngjarje që paraqiten sa në Elbasan, sa në Londër, sa në Shkodër e sa në Paris e Itali, e gjithmonë me intervale  kohe, që i kalojnë  dekadat. Kështu thurret ky roman i bukur i cili fillon me një ditëlindje të djalit gjashtëvjeçar, Granit Jetoni, djalë që rritet nëpër faqet e romanit e që shndërrohet në protagonistin e romanit, që në vetvete përmbledh, jo vetëm të fshehtat e dokumentave, gazetave dhe librit për ngjarjen në krishtlindjet e 1932-it në Londër , por mbart dhe  personin e vetë autorit të romanit.
Eshtë  ky Granit, që me babën e persekutuar nga regjimi  komunist, edukohet me dashuri  dhe  kuptimin e vërtetë të demokracisë perëndimore nga miku i babait të tij Lutfi  Çela; është ai Granit, që përjeton të fshehtat e letrave  dhe po ai Granit që na përcjell  bukurinë e shtegtimit të kojrillave duke i transpalantuar pamjet e tyre nga vendet e bukura të Elbasanit në kopshtet e hetuesit Smith në Hamersmith të Anglisë. Nëpërmjet  Granitit, autori fokuson jetën e Elbasanit ne kohën e komunizmit me të gjitha skenat jetësore, me detaje të spikatura deri  te “akaparimi” i fuçive të birrës në birraritë me nam të Elbasanit.

Stil i patjetërsueshëm

Merita e autorit Fatmir Terziu në këtë roman është stili i tij i patjetërsueshëm, ku fragmentarja plotëson fshehurazi të plotën, ku fluturimet e kojrillave të bukura transplantojnë  ngjarjet e Shqipërisë në botën londineze, ku afshet e dashurisë mesdhetare fluturojnë e zenë fole te zemra e hetuesit Smith…
Tek ky stil pikaset dhe një mjeshtri  narrative, e pavarur nga përvojat e ndryshme të letërsisë  të së  kaluarës dhe madje edhe bashkëkohores. Ai, autori i “Kojrillave”, ka  gatishmërinë për të gjetur zgjidhje për çdo “pengesë” në enigmat e misterit të vrasjes së Zeinep Vlorës dhe zhdukjes së letrave të çmuara, duke përdorur aftësinë  e Sherlok Holmesit në vëzhgimin e fakteve pa paragjykime fillestare. Kështu sfondet e Elbasanit dhe ato të Londrës janë të familjarizuara njësoj, pa kurrfarë ndjenje inferioriteti  dhe pikërisht kjo e bën romanin të rrjedhshëm, tërheqës dhe misterndjellës.
Në gojën e hetuesit anglez Smith, një personazh psikologjikisht i transformuar  gjatë romanit, autori vendos këto fjalë: “ Sa qejf që kisha të ishim si ato kojrillat, si ato shpendë”, duke na sjellë një botë sa reale aq dhe të fantastike. Dhe autori Fatmir Terziu, nëpërmjet  personazheve kryesorë të romanit na sjell stinën e kojrillave, stinën e e arsyes ndërkombëtarizuese të çështjes shqiptare, duke  përdorur trinitetin Tokë-Ajër-Ujë, shpalos skena të bukura në shtete të ndryshme të Europës, pjesë të pashlyeshme nga mendja e lexuesit. Unikale janë kapitujt e fundit ku bëjnë sy  zgjidhjet e misterit të letrave dhe mistere të tjera, por  dhe takimi me të papriturën e hetuesit Smith!
 “Ku janë letrat, letrat” – kjo thirrje plot pathos e përkushtim nuk ndodhet vetëm në faqet e romanit, po bëhet një obsesion pozitiv te vetë lexuesi. E  kështu ndjejmë  forcën e dialogut në roman, dialog që shkrihet me monologjet e Granit Jetonit dhe uverturat e së Ujtës.

Një  ekuacion linear

Në kapitullin “Drita” ndjejmë triumfin  psikologjik të arsyes mbi absurdin, që historia i diktoi shtetit të kthjellët të shqiptarëve. Fatmir Terziu me të drejtë shkruan se “drita duhet parë në këndin e vet”. Ngjarje të ndryshme të diplomacive shqiptare dhe të huaja  për të kapur “të fshehtën e letrave”,  mbuluar me emrin e Madam Zeinep Vlora, kojrilla që fluturojnë qiejve të Shqipërisë dhe Londrës, peisazhe dhe mistere, emra të shqiptarëve të mëdhej si Myfit Libohova, tituj gazetash londineze me emra shqiptarësh, fakte reale të mbledhura me përkushtim gjatë gjashtë viteve në arshivat e Londrës, ankthi i kërkimit  të atyre dokumentave  që kthehet në plazmën e romanit “Kojrillat”, janë shtigje të bukura ku autori gjen  të vërtetën  e Letrave. Gjen dhe kthen pasqyrën e verbuar drejt qoshkave ku ‘myket’ arroganca ndaj vullnetit të një populli, aty ku janë shenjat e firmëtarëve...
Ky roman   është  një  ekuacion i filozofisë së gjithë shtrirjes së tij lineare, por çdo kapitull është kontribues në zgjidhjen përfundimtare. Heroi Granit, mbartës i ankthit të letrave, që nga kapitulli i parë e deri kur vjen në Londrën e ditëve  tona  për të mësuar deri në  fund  historinë e Kojrillës Zeinep Vlora, por dhe për tu ritakuar  rastësisht me mikun, inteligjentin Lutfi Çela, kupton se ka dhe mistere të tjera.

Romani përmbyll fjalën

Jeta zhvillohet brenga globit që e ka emrin Tokë, ngjarjet e “Kojrillave” shqiptare qarkullojnë rreth këtij globi deri sa vijnë në kapitullin e fundit që titullohet “Glob”. Lexuesi ndjehet i qetë dhe i inspiruar . Kojrillat fluturojnë të qeta në drejtime e horizonte të reja. Romani “Kojrillat” e fillon jetën në fillimin e 100 vjetorit të dytë të Pavarësisë  së shqiptarëve. Fillon jetën me  kërkime  të tjera, duke filluar fluturimin e tij mbi qiej të vjetër  e të rinj,  hapësira të bukura të botës mbarëshqiptare. Të tjerat i ka nën sqetullën e artë dhe filozofike romani unikal në llojin e vet “Kojrillat”. Koha e solli në skenë të bëjë prozën, prozën që jo më kot kohë më parë shkrimtari Lazër Stani, teksa shkruante për “Krokamat” e Terziut, do të shprehej, ‘kështu duhet të jetë sot proza shqiptare, dhe këtë nuk e befason por e realizon Terziu!”
Udhë  të mbarë “Kojrillave”! Udhë që me dinjitetin më të lartë konkurron ballëhapur në sfondin shqiptar e më gjerë.
Habent  sua  fata  libelli. Librat kanë fatin e vet.

No comments: