Tuesday 4 June 2013

Hakmarrja e mizës



-tregim-





Në foto Viron Kona





Shkruar nga Viron KONA



Nuk e kam fjalën për atë pyetjen për mizën që i ra në tezën e provimit një studenti, i cili ngaqë nuk dinte të përgjigjej, përfitoj nga rasti që mësuesi nuk e kishte mendjen dhe vijoi:

-Një ditë, një mizë pickoi një elefant…

Dhe, pas këtij kalimi nga pyetja për mizën te pyetja për elefantin, ai nisi të flasë për elefantin, tezë të cilin e kishte studiuar mjaft mirë.

Sigurisht, nuk bëhet fjalë, as edhe për atë mizën që, siç thotë një filozofi i madh, “- Ajo (miza), duke qëndruar në kokë të kalit, i duket se e tërheq ajo karrocën…”

Jo ! E kam fjalën për një tjetër mizë, e cila u bë shkak edhe i këtij tregimi. Për një mizë të zakonshme, nga ato fluturaket, që vërtiten në ajër apo rreth e qark llambës elektrike, mureve dhe tavaneve të shtëpisë, kur harrojmë dritaren hapur…

x x x

Atëherë ishim studentë në Fakultetin e Mjekësisë dhe punonim në aksion, në tarracimin e kodrave të bregdetit jugor të vendit. Me ne ishin edhe pedagogët, dekanati, pra i tërë fakulteti. Puna ishte me lopatë dhe me kazmë. E lodhshme, por, me rininë kalohet gjithçka. Aq më tepër që, çadrat e kampingut tonë ishin ngritur buzë detit dhe ne kënaqeshim teksa ndjenim të na flladisnin erërat e freskëta të Jonit dhe era e malit, e përzierë me aromën e portokajve, mandarinave dhe limonëve.

Por, telashet, ose, më saktë, allet e një të riu ose të reje, nuk janë aq të vogla sa duken në pamje të jashtme. Të rinjtë duhet të dëgjojnë këshillat e të rriturve dhe moralin që nis me “mos bëjë këtë !”, “mos bëj atë !”, “mos këtu !”, “mos atje !...”... Ata kanë detyrë të studiojnë në shkolla, të gjejnë rrugën e jetës, ndërkohë që dëshirojnë edhe të argëtohen. Por, kanë edhe hallin e madh të dashurisë. Për dashurinë është shkruar e është folur shumë, sepse dihet se ç`forcë e pasoja sjellë ajo në jetën e dy njerëzve, e, ndonjëherë, të disa popujve, prandaj po mjaftohem vetëm duke cituar tri vargje të “Iliadës”:

“nuk duhen sharë për besë, trojanë e akej,

që për këtë grua hoqën aq mundime,

vite me radhë...”

x x x



Më ishte bërë fiksim Vanda, një studente e vitit të parë, e cila ishte e bukur si yll dhe, me siguri, u shfaqej në ëndërr shumë studentëve. Edhe për mua ajo ishte gjithçka. Vanda, Vanda dhe s`kishte vajzë tjetër në këtë botë veç Vandës! “Ajo ka rënë nga qielli për mua”, - thosha me vete, i përfshirë në tallazet e ndjenjave të dashurisë. Ajo ishte trupgjatë, si një zanë, me sy bojë qielli, ku një dritëz e vogël, që lodronte mes tyre, u jepte një ëmbëlsi dhe një forcë të tillë tërheqëse që të luante mendsh...Pastaj, fytyra e saj e butë dhe e lëmuar, e përkuqur si një pjeshkë e pjekur; zëri i saj melodik, flokët e verdhë, që ia lëkundte era e lehtë dhe ato i përhapeshin shkujdesur e përkëdhelës mbi ballë e faqe, eh !

Sa herë që e shihja, ndalja këmbët, qëndroja në vend i shastisur, gjuhën sikur ma lidhte një forcë e padukshme dhe, përgjithësisht mbetesha i stepur dhe i harruar si përpara një mrekullie...

Por, puna ishte se Vanda as që donte t`ia dinte për mua: isha apo nuk isha, ekzistoja apo nuk ekzistoja. Ajo, as që m`i kishte hedhur ndonjë herë sytë me interesim, sikurse, shikonte Bardhylin, njërin prej studentëve të kursit të katërt. Me atë, edhe qëndronte, buzëqeshte, shtrëngonin duart, shiheshin gjatë në sy, këmbenin vështrime vjedhurazi ose drejtpërdrejtë… Kurse mua, thjesht më përshëndeste kalimthi dhe pa kurrfarë interesi, njëlloj si edhe shumë vajza të tjera. Sa më shumë që përpiqesha t`i afrohesha, aq më shumë më largohej. Unë mbetesha vazhdimisht në orbitë. I vija rreth e përqark si një satelit dhe, vetëm kaq...

x x x

Por, rastësitë e jetës janë të çuditshme. Se, ja se ç`ndodhi? Atë mbrëmje, si edhe herë të tjera, po vija tutje – t`hu në bregun e detit, pranë kampingut të Fakultetit, kur, befas, nga çadra e ndihmës së shpejtë erdhën ca britma dhe thirrma vajtuese që ta këpusnin shpirtin. Te hyrja e çadrës, grumbulli i studentëve dhe pedagogëve ishte shumë i madh. Kureshtar, si edhe shumë të tjerë, u drejtova edhe unë me nxitim për atje. Ndërkohë, ia mbërriti një ambulancë dhe, prej saj zbritën një mjek dhe një infermiere, të cilët me shpejtësi depërtuan midis grumbullit që kishte zënë hyrjen dhe u futën brenda.

-Çfarë ka ndodhur? - pyeta një djalë pranë meje.

-Nuk e di saktësisht. Thonë se, një vajze të fakultetit tonë diçka i ka ndodhur, por, ende nuk po e marrim dot vesh. Ja, tani erdhi urgjenca, një mjek dhe një infermiere, - tha ai.

-I pashë, - iu përgjigja dhe u afrova edhe më pranë derës.

Aty, u trondita. Të gjithë përmendnin emrin e Vandës, vajzës që më shkaktonte drithërima dhe më prishte gjumin çdo natë. Zemra sa s`më ndali. Si student i vitit të tretë të mjekësisë, mendja më shkoi tek më të këqijat: një infarkt, një hemorragji e brendshme, një bllokim veshkash ose... ndonjë aksident.

Arrita në hyrje të çadrës dhe u futa brenda.

-Hej djalosh, ku shkon? Jemi ne këtu! - më tha mjeku.

-Çfarë ka Vanda? - pyeta me një zë që më dridhej.

-Atë po shohim, - m`u përgjigj prerë mjeku dhe kësaj here më tregoi derën.

-I ka hyrë një mizë e madhe në vesh dhe nuk po ia nxjerrim dot, - më sqaroi infermierja. Ndjeva se zëri i saj ishte edhe si kërkesë ndihme. Tek e fundit, ne, studentë të mjekësisë ishim.

Ndërkaq, Vanda ulërinte dhe, një çast, vështrimin e mbërtheu tek unë. Ishin sy lutës, që kërkonin ndihmë. Dhembja po e torturonte dhe po ia shkatërronte veshin.

-Çfarë do të bëni doktor? - pyeta mjekun.

-Do ta marrim në klinikë. Mbase, mbase edhe e operojmë...

Fjala operacion më ra si bombë. Një operacion në vesh për shkak të një mize. Dhe hajde e nënvleftësoji mizat !

Hodha vështrimin rreth e qark në tavolinën e infermierisë dhe sytë më shkuan te një palë gërshërë të gjata dhe të holla. Nuk u mendova më, por i rrëmbeva gërshërët dhe, ndërkohë që mjeku po plotësonte diagnozën, me gërshërët në dorë, iu afrova Vandës dhe i thashë.

-Të lutem, vetëm mos lëviz pak çaste. Shpresoj se do të shpëtosh nga kjo dhembje dhe nga kjo mizë e mallkuar.

-Hej djalosh, çfarë po bënë? - më bërtiti mjeku, - Do t`i çash timpanin dhe do ta lësh shurdhe për të gjithë jetën. -Heshti pak dhe vazhdoi: -Çfarë e pandehni veten ju, se u bëtë mjekë me dy - tri vjet! Largohu prej aty sepse përndryshe do të mbash përgjegjësi. Merr vesh apo jo?Hej shurdh, ty po të flasë!

Për habinë time infermierja, nuk di pse, por nuk ia vari mjekut. U duk se pati besim tek unë dhe u afrua të bashkëpunonte.

Mjeku u tërhoq në një karrige aty pranë.

-Unë s`mbaj përgjegjësi, - tha ai duke na hedhur një vështrim prej hetuesi të rreptë mua dhe infermieres.

I thashë infermieres dhe dy shoqeve të saj që ta mbanin vajzën të mos lëvizte. Hapa pakëz të dy majat e gërshërëve dhe nisa t`i fut ngadalë në veshin e Vandës. Shumë ngadalë, duke shpresuar e uruar që ajo mizë e mallkuar të mos ishte futur shumë thellë, sepse, ndryshe do të dështoja për dreq.

Vazhdova të manovroj me gërshërët, ndërkohë që Vanda lëshonte psherëtima dhimbjeje, teksa ata në çadër kishin ngulur sytë tërë ankth te veprimet e mia.

Befas ndjeva se, majat e gërshërëve prekën diçka. I hapa edhe pakëz dhe, pasi i zhyta edhe fare pak, bëra një mbyllje të lehtë të tyre, por jo të plotë, sepse kishte rrezik që ta prisja mizën dhe, atëherë, ajo do të mbetej brenda në vesh. Por, rasti nuk po paraqitej aq tragjik sa dukej. Sepse, teksa zura ta tërhiqja “objektin” mizë që kisha kapur me majat e gërshërëve, po ndjeja se isha në rolin e një peshkatari, që ishte i bindur se gjahun e porsa kapur e kishte në grep dhe, se, ai nuk do t`i shpëtonte grepit. Vazhdoja t`i ngrija lart gërshërët. Edhe pakë. Edhe pak dhe…

-E nxori ! - thërriti infermierja

-E nxori, e nxori! - thërritën me gëzim edhe shoqet e Vandës, sikur unë të kisha arritur të z`montoja ndonjë bombë me sahat.

Vajza, në çast, u ndje e lehtësuar. Nuk po i besohej se kishte shpëtuar nga ajo dhimbje që kishte formën e asaj mize fluturake. Pse, mua më besohej? Ama, fakti ishte kokëfortë: Me duart e mia, unë ia kisha hequr dhimbjen vajzës. Dhe kujt? Vajzës që doja, që ëndërroja çdo natë...Vajzës që kishte rënë nga qielli për mua...!

Vanda u ngrit në këmbë dhe m`u hodh në qafë. S`dinte se si të më falënderonte. Edhe shoqet e saj, edhe infermierja bën të njëjtin veprim. Edhe të tjerët që hynin në çadër më shihnin me respekt dhe më shtrëngonin duart ose më përqafonin.

-Me siguri i ke dëmtuar timpanin, - tha mjeku.

-Jo doktor, - tha infermierja, - gjithçka shkoi mirë.

-Atë do të shohim në klinikë, - tha ai me ton nervoz dhe urdhëroi ta merrnin vajzën në ambulancë. Vanda s`donte, por mjeku këmbënguli.

Ndërsa ambulanca largohej, unë ndihesha më i lumturi i botës. Kisha shpëtuar nga një siklet e dhimbje e madhe Vandën, vajzën që doja. Kisha treguar një provë të pakundërshtueshme të dashurisë dhe të ndjenjave të mia për të.

-Eh, sesi vërtiten gjërat në këtë jetë! - thosha me vete i përfshirë në stuhinë e ndjenjave dashurore.

x x x

Atë mbrëmje dhe ditën më pas u fol shumë dhe në mënyra të ndryshme për ndërhyrjen time me gërshërë në veshin e Vandës. Disa e vlerësuan si një ndërhyrje të drejtë, duke sjellë shembuj sesi disa mjekë, në kushte të vështira dhe me mjete rrethanore kishin arritur të shpëtonin jetë njerëzish. Ky grup përbënte shumicën. Por, kishte dhe të tjerë që mendonin se, unë, si tip i nxituar që isha, (madje aventurier, - ishte shprehur Bardhyli), kisha kryer një veprim absurd, një aventurë të rrezikshme, të palejueshme, madje të fajshme, penale dhe se duhej … të përgjigjesha përpara dekanatit, apo edhe më tej, përpara ligjit.

I përfshirë në ngazëllimin e fitores, as që më interesonin fjalët akuzuese. Për mua kishte rëndësi që Vanda e kishte kaluar mrekullisht atë aksident me mizën dhe, shpëtimtari, isha unë dhe, vetëm unë.

x x x



Ditën e nesërme, kur ne ishim kthyer nga puna, Vanda u kthye në sektor, shëndosh e mirë, e qeshur dhe e lulëzuar, si molla e kuqe në majë të degës.

Sapo zbriti nga makina që e solli, shoqet iu sulën ta përqafonin kush e kush më parë, ndërsa ajo dikë po kërkonte me sy. Ia mbërriti edhe Bardhyli dhe të dy u përqafuan. Por ajo, me kokën mbi supin e tij vazhdonte të shihte andej-këndej. U afrova më shumë dhe, më në fund ajo më pa. U shkëput nga Bardhyli dhe u derdh drejt meje. Më përqafoi fort, duke më falënderuar për ndërhyrjen time të saktë dhe të pagabueshme. Kuptohet, u mallëngjeva së tepërmi, ndërkohë, shoqe e shokë të tjerë, më uronin e më përgëzonin në sy të Vandës.

Përgjigjet e mia, sigurisht që ishin modeste dhe të zakonshme siç ndodh në të tilla raste: “Gjithkush do të vepronte kështu”. “Ishte çasti dhe aty u ndodha unë”. “Përballë situatave të vështira, çdo njeri mobilizohet”, etj. etj., si këto.

Në mbrëmjen e asaj dite, Vanda kërkoi të takoheshim. Më tha se donte të më qeraste me një kafe ose çaj, dhe se, këtë, e kishte porosi nga prindërit e saj, të cilët kishin qëndruar me të gjatë tërë natës dhe tërë ditës që ajo ishte në spital.

Duke pirë çaj dhe duke ndjerë erën e freskët të detit, folëm për kohën e qëndrimit në klinikë. Vanda më tregoi se mjeku i urgjencës u kishte rekomanduar prindërve ta merrnin vajzën tre-katër ditë në shtëpi dhe kishte përgatitur edhe raportin, por ajo kishte ngulmuar për të ardhur në sektor.

-Mos e bëni kaq të madhe, fundja një mizë ishte, - u kishte thënë prindërve Vanda me humor.

-Një mizë, por mori përmasat e një aeroplani reaktiv, - i ishte përgjigjur babai i Vandës.

-Mirë e ka vajza, të mos e zmadhojmë kaq shumë atë mizë të mallkuar se, nuk ishte dragua ! - kishte shtuar me humor edhe nëna e Vandës.

Pastaj, babai e kishte porositur:

-Falënderoje nga ana jonë atë djalin....Glaukian. Me siguri që do të bëhet një kirurg i zoti ( në të vërtetë unë u bëra mjek neurolog dhe nuk e pata asnjëherë rastin që të tregoja se sa i aftë do të isha si kirurg).

-Kurse, mamaja, - tha Vanda, - më pyeti: - Si është ai djali moj vajzë, i mirë? I mirë?

-I mirë është derisa na e shpëtoi vajzën nga ajo mizë e mallkuar! - kishte ndërhyrë përsëri babai.

Me mendje, i falënderova me gjithë zemër babanë dhe nënën e Vandës dhe e shihja vajzën që doja me sy adhurues. Ajo më fliste më zë të ëmbël, të dashur. Më shihte në sy, më buzëqeshte, pastaj befas shqetësohej se ishte bërë gaz i sektorit ku punonim, se më kishte vënë mua në vështirësi, se…

-Ç`janë këto ! - i thashë, - Kur njeriu kalon një aksident, të tërë urojnë që kaloi mirë ose që kaloi me aq se, mund të kishte ndodhur edhe më keq…

-Ke të drejtë. Nuk duhet të shqetësohem kaq shumë, - tha ajo dhe, ndërkohë kërkoi lejë të ngriheshim.

-Shpresoj se do të shihemi përsëri, - i thashë, duke e parë me sy të ndezur nga dashuria.

-Sigurisht, këtu jemi, - tha vajza dhe u largua si një flutur.



x x x



Të papriturat janë si lumi. Ai kthen shpesh drejtimin, sepse ashtu vijnë reliefi, format e luginave mes maleve e kodrave…Madje, ndonjëherë del edhe nga shtrati i tij duke shkaktuar përmbytje...Po ndodhte diçka që, mua, as që më kishte shkuar në mendje. Njerëzit vërtetë kanë fantazi të habitshme, e cila kur gjen terren nis e lulëzon dhe mbulon gjithë mjedisin. Le të themi si lulëkuqet, si luleverdhat e lule bardhat në fusha, por ndonjëherë, edhe si krisjet, barërat e këqija, hithrat, gjembaçët... Sepse mua, mbase, ngaqë jo të gjithë ma dinin emrin, po më identifikonin me objektin që më kishte bërë të njohur, pra me… mizën. Emri im i famshëm ilir Glaukia, po niste të humbiste përmasat, po zvogëlohej e thërrmohej, po katandisej në emrin Mizë, me një fjalë në një çikërrimë. Këtë emër të tjetërsuar, mund ta dëgjoje gjithandej nëpër kampingun tonë, madje edhe të lakuar në të gjitha rasat. Për shembull:

-Hej, plako, shiko, mor shiko sesi ngrefoset ai !

-Kush?

-Ai, pra, Miza.

-Aha ! Aha! - qeshte tjetri.

-Ua goca ! Shih moj, shih kush po kalon?

-Kush moj?

-Ajo moj, ajo e vluara e Mizës.

-Hi-hi! Hi-hi! Hi-hi..!

-E more vesh? - thoshte dikush tjetrit: -U bë gallatë sot. Plasi grushti në mencë për Vandën, midis Bardhylit dhe atij…Mizës.

-Dëgjova mbrëmë se, njërin nga studentët e fakultetit tonë do ta falënderojnë në fillim, pastaj do ta përjashtojnë, sepse bëri një veprim të kundra ligjshëm.

-Mos e ke fjalën për Mizën?

-Po, - i përgjigjej tjetri, -për atë e kam fjalën, për Mizën.

-Ej, goca, shikoni Vandën sesi ecën, si të ushtrohet në traun e ekuilibrit, e krekosur dhe me kokën përpjetë!

-Cilën Vandë, moj?

-Ua, qenka prapa botës kjo ! Atë moj, atë studenten e vitit të parë që shpëtoi prej Mizës. Takohen herë pas herë bashkë dhe me sa duken shenjat, kanë gjetur njëri – tjetrin…Duhet të shikojmë më shpesh horoskopin këto ditë...

-Jo moj e ke gabim. Vanda ka Bradhylin, atë me emër mbreti. Ai djalë, vërtetë si mbretë e ka pamjen.

-Edhe ai tjetri, Miza, emër mbreti ka. E quajnë Glaukia.

-Hi-hi-hi ! Mbret me emër Mizë! Mbreti, Glaukia Miza! Edhe këtë nuk e kisha dëgjuar !

-Si moj nuk e paske dëgjuar ! Ama, e paske studiuar mirë historinë kur ke qenë në gjimnaz. Glaukia, ka qenë ndër mbretërit e famshëm ilir. Ai ishte mbreti i vetëm i botës së atëhershme, i cili, në një betejë ushtarake arriti të mundte ushtrinë që udhëhiqte Aleksandri i Madh. Veç kësaj, mbreti Glaukia, mori në mbrojtje Pirron e vogël. Kur Pirroja u rrit, Glaukia e vendosi atë në fronin mbretëror të Epirit...Apo, as për Pirron e Epirit nuk paske dëgjuar!

-Si moj nuk paskam dëgjuar! Është ai, mbreti ilir, i cili në betejat me romakët, përdori elefantët?

-E po, atëherë, lumë Vanda, - hidhej tjetra, - sepse, për të, ndeshen dy “mbretër”. Çfarë fati, që kanë ca ! U bë heroinë tjetra, vetëm e vetëm sepse i hyri rastësisht një mizë në vesh! Eh, o botë, sa e padrejtë që tregohesh me ne të tjerat!

Ose, ndonjëherë, dëgjoja ndonjë zë që më thërriste nga larg:

-O Mizë ! O Glaukia ! O Glaukia Miza !

Ktheja kokën, por nuk shihja njëri, veçse vazhdoja të dëgjoja valë të qeshurash të zhurmshme dhe keqdashëse mes rrugicave dhe prapa çadrave të kampingut.

Pas çdo dite që kalonte, ndihesha përherë e më i pezmatuar. E para sepse Vanda, më takonte rrallë e më rrallë. Po më zbehej krenaria dhe ajo ndjenja e triumfit që më kishte pushtuar ditët e para të ndodhisë. Personaliteti im ishte katandisur mos më keq. Por, po ndodhnin edhe të tjera shaka me zarar, që i bënin disa, të cilët kërkonin jo vetëm të më përgojonin, por edhe ta më lëndonin, të më fyenin, duke më lënë të mjerë…



x x x



Ditën e tretë pas ndodhisë, Vanda erdhi drejt meje me një letër në dorë dhe pa e kuptuar unë se si e çfarë, ajo më zgjati letrën dhe më tha:

-Të lutem Glaukia, të respektoj shumë, por mos më dërgo më letra të tilla!

-Unë, letër... letra ! Më vjen keq, nuk të kuptoj ! - i thashë.

-Hape dhe lexoje, - tha ajo dhe, duke ma lënë letrën në dorë, u largua me vrap nga unë, e tmerruar, me një fytyrë të tronditur si atë ditë që thërriste dhe lëshonte britma dhimbje për shkak të mizës që i kishte hyrë në vesh.

E hapa letrën dhe m`u duk se mbaja një thëngjill të ndezur në dorë. Dikush, me siguri një keqdashës, kishte kopjuar stilin e shkrimit tim dhe, në një letër të bardhë, kishte pikturuar dy buzë të kuqe, një zemër të goditur nga një shigjetë dhe, në një cep të letrës, një mizë. Në tekstin e letrës, unë gjoja i shprehja dashurinë e zjarrtë Vandës dhe kërkoja të takoja çdo natë, në të njëjtën orë, në dritën e Hënës dhe të yjeve, kur ajo ndriste e vezullonte si hyjneshë, por, edhe, gjoja, duke e siguruar se, atje ku do të takoheshim fshehtazi, nuk do të kishte asnjë lloj ...mize që të na bezdiste.

Kishin sajuar sikur, gjoja, letra më kishte rënë padashur dhe, kështu, kishte kaluar dorë më dorë. E kishin lexuar shumë studentë që gajaseshin së qeshuri…Më bëhej se, ata llafazanë, egoistë e ziliqarë, ishin shndërruar në miza dhe, se, ishin futur në veshët tanë, zukasnin zëëë – zëëë – zëëë, na thumbonin dhe na shkaktonin dhembje të mprehta.

Sa s`më ra pika nga kjo e keqe dhe qëndroja i hutuar. Së pari duhej të sqaroja Vandën se, ajo letër, nuk ishte shkruar nga unë. Nga ana tjetër, po mendoja se, ajo Mizë e keqe, që i kishte shkaktuar aq shumë dhimbje vajzës që doja, tashmë po më shkaktonte dhembje edhe mua. Miza po hakmerrej.

Erdha tutje – t`hu një copë herë ta takoja Vandën dhe ta sqaroja, por ajo nuk më dilte. U druhej shikimeve të shoqeve dhe shokëve dhe ndihej keq për përmbajtjen e asaj letre. Takova një shoqe të saj, që ishte edhe mikesha ime dhe iu luta që t`i shpjegonte Vandës se, atë letër nuk e kisha shkruar unë, por dikush që donte të na bënte keq.

Mikesha ashtu veproi dhe me sa u duk, ia mbushi mendjen. Vanda doli nga çadra dhe erdhi e më takoi aty buzë detit, ku edhe shumë studentë të tjerë luanin ose kalonin kohën e lirë.

-Shpresoj që do të më besosh. Atë letër, nuk e kam shkruar unë, - i thashë me vendosmëri e përgjërim, duke shtuar se, në kësi rastesh, mes njerëzve ngrehin kokat xhelozitë...

-Shkrimi ishte i ngjashëm me shkrimin tënd, - më ndërpreu ajo, pa dashur t`i dëgjonte deri në fund shpjegimet e mia. - E krahasova me shkrimin në kartolinën që më ke dërguar me rastin e ditëlindjes sime.

-Po, është e vërtetë që shkrimi është i ngjashëm si dy pika uji, por ai që është marrë me këtë punë ka gjetur dhe kaligrafistin. Kam dëgjuar se, është një disenjator i qytetit, që vjen shpesh në sektorin tonë. Ai, për një qerasje me raki e konjak, është i gatshëm të bëj punë të tilla të liga.

-Domethënë jam bërë objekt talljeje edhe nëpër pijetore pijanecësh ! - shpërtheu Vanda.

-Më vjen keq, që puna erdhi gjer këtu, - i thashë, - po nuk jemi, as ti dhe as unë ata që duhet të goditemi kaq rëndë.

-Po, por fakti është që, ty të gjithë po të thërresin Mizë, kurse mua, ajo, “e dashura e Mizës”. - Në zërin e saj kishte dëshpërim dhe zemërim.

-Kjo të shqetëson më shumë?- e pyeta duke e parë drejt e në sy.

Ajo e largoi shikimin diku mes çadrave dhe më tha prerë:

-Fakti që më thërresin e “dashura e ...Mizës”, më shqetëson, më vë në siklet, më duket vetja qesharake. Nuk dëshiroj nofka të tilla, as për vete dhe… sigurisht, as për ty.

Disa çaste heshtëm, pastaj Vanda më tha ftohtë:

-Për ndihmën që më dhe, do të kesh vazhdimisht falënderimet e mia dhe të familjes sime. Por, mendoj që miqësisë t`i vëmë një kufi, ta mbyllim me kaq.

-Miqësisë?! –pyeta unë i habitur dhe i tronditur njëherazi.

Ajo nuk foli. Më zgjati dorën dhe u largua.



x x x



Goditje pas goditjesh. Ato vinin si predha lufte njëra pas tjetrës. Unë isha bërë objekt i tyre. Ndonëse disa nga shokët, kur shihnin dëshpërimin tim më qëndronin pranë dhe përpiqeshin të më qetësonin, përsëri ndjehesha mos më keq. Ajo mizë, që u bë shkak të afrohesha te Vanda, po ajo mizë, më saktë, emri mizë, po më largonte nga Vanda. Vërtitesha në këto mendime të turbullta dhe të pakuptimta dhe nuk i jepja dot rrugë hallit që më kishte zënë. Herë-herë, më dukej sikur ecja në një pyll të dendur, pa ditur se ku shkoja, kisha humbur edhe rrugën, edhe arsyen...

-Po qe se Vanda do të më donte, - thosha me vete, - nuk do të pyeste as për thumbat, ngacmimet e romuzet, as për nofkën “Mizë”, as për letrën anonime të atyre dashakeqëve... Por, vetëm pak çaste më vonë, ndryshoja përsëri mendje: -Eh, ajo, ngaqë është e ndjeshme, u prek shumë, nuk i duroi dot talljet dhe fyerjet që i bëheshin, prandaj u largua nga unë…

Vazhdoja të qëndroja i zhytur në këto vorbulla dhe ndihesha i zemëruar thuajse me të gjithë studentët e fakultetit..

Befas, ndryshe nga ç`ndjente zemra ime, mendimi që më përshkoi, më drithëroi të tërë trupin, teksa balli po më mbulohej nga djersë të ftohta:

“-Nuk ta kanë fajin, as shoqet e shokët dhe, askush tjetër, - sikur po më thoshte zëri im i brendshëm. -Arsyeja e largimit të Vandës, nuk qëndronte tek talljet dhe fyerjet që i bëheshin. Shkaku i vërtetë qëndronte tek ti: Po kërkon dashurinë e Vandës, si shpërblim të një mirësie të rastit. Djalosh, po tregohesh naiv dhe po ngatërron ndjenjën e mirënjohjes së Vandës ndaj teje, me ndjenjën e dashurisë”.

E, teksa isha mbuluar nga djersët dhe isha bërë për të ardhur keq, në kujtesë më trokisnin vargjet e poeteshës së antikitetit, Safos:

Seç kuqëlon molla e ëmbël majë degës,

Në majë të majës vjelësit e harruan,

Jo s`e harruan, por s`e arritën dot...!

No comments: