Thursday 20 February 2014

STRUKTURA SIMBOLISTE MË E PËRPARUAR NË POEZI



STRUKTURA SIMBOLISTE MË E PËRPARUAR NË POEZI
Nga Fatmir Terziu

1-Abstrakt

Askush nuk ka, ma mer mendja plotësisht këtë fakt, ta vërë në diskutim influencën e poezisë. Çfarëdolloj praktike apo iniciative të jetë ndërmarë, roli i poezisë është i padiskutueshëm. Kështu është edhe roli i poezisë së poetes Iliriana Sulkuqi, përpos qindra e qindra vlerësimeve që kjo poezi ka marrë nga kritika dhe kolegë me emër. Pra askush që ushqehet me simpati dhe njohuri të vlerës së të bukurës për bukurinë dhe përmbajtjen e poezisë së Sulkuqit, nuk mund të mohojë se arritja e saj brenda gjithë periudhave ka qenë e konsiderueshme dhe e veçantë. Kështu mendojnë Klara Kodra, Anton Çefaj, Nase Jani, Fatime Kulli, Kolec Traboini, Pellumb Kulla, Faruk Myrtaj, Fation Pajo, Aleko Likaj, Lindita Agolli, Demir Reshiti, Astrit Bishqemi, Petraq Risto, Pandeli Koçi e qindra të tjerë. Kështu mendojnë edhe disa studiues të huaj, siç mendon edhe John Hodgson, përkthyesi më imirë i veprave të Kadaresë nga gjuha shqipe. Por jashtë këtyre vlerësimeve, është pyetja: Përse ne duhet të lexojmë poezinë e Sulkuqit? Pse duhet të lexoni ju të gjithë këtë poezi? Kjo mua më duket një marrëveshje e mirë dhe është njësoj si të pyesësh: Përse duhet një ushqim, përse duhet buka? E hamë ushqimin, e hamë bukën, sepse trupi ynë ka nevojë për të, për të mbështetur jetën tonë, por çdonjëri sa herë që ulet në tryezë për darkë padyshim që nuk thotë: “Unë duhet të ha këtë vakt..., dhe kështu që unë nuk mund të vdesë. " Në të kundërtën, ne hamë për shkak se ne jemi të uritur, dhe kështu kur hahet na duket si një gjë e këndshme dhe e dëshirueshme për të bërë një detyrim normal e jetik për trupin tonë.
Domosdoshmëria, pra për poezinë në tërësi, duket e përafërt, pra është një nga tiparet më themelore të racës njerëzore. Por, natyrisht ne nuk do të marrim parasysh se, çdo gjë lidhet në mënyrë ritinë me të ngrënit, asnjë mendim më shumë se sa ajo që na krijohet po të kemi parasysh atë darkë, dhe po të mendojmë se ditën tjetër përsëri, kemi sërrish darkë, dhe kjo është gjendja e mbetur në rutinë, është ajo që na mban gjallë qenien tonë. Pa poezi shpirti dhe zemra e njeriut ka uri dhe vdes. I vetmi ndryshim midis këtyre raporteve është se të gjithë njerëzit e dinë, në qoftë se ata i kthejnë mendjet e tyre për të lënduar poezinë me ndjenjën e harresës së ushqimit, kuptohet qartë se pa ushqim ata do të vdesin, dhe relativisht pak njerëz e dinë se pa poezi ata nuk do të vdesin.
Kjo në mënyrë figurative, edhe pse nuk vdesin pa poezi, nëse ata mbesin të ushqyer gjithë jetën nga poezia, ashtu siç edhe poetja brilante Iliriana Sulkuqi është ushqyer, natyrshëm edhe vdekja është jo më pragmatike, është disi e ngjashme me ushqimin shpirtëror. Kjo na bën më shumë të ndjejmë poezinë e Sulkuqit, të dashurohemi me të, të ndjejmë urinë e saj...
Kur u përpoqa që të shpjegojë çdo gjë në lidhje me këtë raport të poezisë me ndjenjën dhe ekzistencën tonë, unë kryesisht kisha parasysh atë që edhe ju mund ta gjeni tek Bibla, ku një koleksion i madh me poezi të mrekullueshme dhe të ndryshme, ka thënë më parë se gjithkush, në mënyrën më të mirë e të mundshme, ato që unë po trajtoj. Kur mësojmë atë që Bibla thotë se "njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë." Natyrshëm kuptojmë po sot mes kritikës dhe studimeve akademike, me fjalë moderne, ajo që do të thotë: “Njeriu nuk mund të jetojë thjesht me gjërat materiale...”. Është e vërtetë, ai nuk mund të jetëojë i izoluar, jashtë artit të fjalës, edhe atëherë kur ai kurrë nuk e bën dhe e zotëron artin e fjalës.
Në qoftë se ai, pra njeriu i thjeshtë e bën vetëizolimin, çdo librari do të mbyllet, çdo teatër do të mbyllë dyert e tij, çdo luleshitës dhe tregtar fotosh do të dalë nga jeta e biznesit, ... madje edhe arti i fjalës do të prodhojë vetëm linçime të vdekjes. Mendoni se nëse dikush harron jetën dhe përkushtimin e poetëve, nëse dikush mohon fjalën e filozofinë e tyre, nëse shumica u largohen poetëve, ç’katastrofë kulturore do të ndodhte. Mendoni artin e fjalës poetike!
E këtë na e jep në të gjitha mënyrat poezia e Sulkuqit, poezia që në një farë mënyre, sipa Anton Çefës është ‘poezia erotike’, poezia e së bukurës, poezia e vlerave. Unë nuk mendoj se sot do të kishte nxënës dhe studentë shqiptarë, a më gjerë, që të mos dëshironin të njiheshin e lexonin duke studiuar poezinë e tillë, poezinë e poetes Iliriana Sulkuqi.
Kështu mendojnë Klara Kodra, Anton Çefaj, Nase Jani, Fatime Kulli, Kolec Traboini, Pellumb Kulla, Faruk Myrtaj, Fation Pajo, Aleko Likaj, Lindita Agolli, Demir Reshiti, Petraq Risto, Pandeli Koçi e qindra të tjerë. Kështu mendojnë edhe disa studiues të huaj, siç mendon edhe John Hodgson, përkthyesi më imirë i veprave të Kadaresë nga gjuha shqipe. Por jashtë këtyre vlerësimeve, është pyetja: Përse ne duhet të lexojmë poezinë e Sulkuqit?

Lot Ilirianë...” një piedestal për Nënën

Pak kohë më parë doli nga shtypi një antologji me shumë vlera, por me shumë lotë në fletët e saj. Lotë që vijnë si një mishërim poetik, mes një udhëtese shpirti, mendjesh dhe zemrash të prushta. Janë lotë, dashurish, brengash, dertesh, gëzimesh e hidhërimesh. Janë lotë të tejdukshme kriposjesh jetike. Janë lotë poetësh për nënat dhe pavdekësinë e tyre. Janë lotë, të cilat i mblodhi poetja mbarëkombëtare, mjeshtrja e poezisë dhe shpirtit human e mrekullueshmja dhe e papërsëritshmja Iliriana Sulkuqi. Këto lotë, të cilat prej kohësh ‘Lot Ilirianë...” (Sulkuqi, vëllimi Poezi, faqe 49) na i kishte dhënë mes poezisë si margaritarë të radhë, kësaj radhe na i vuri në Muzeun e Pavdekësisë Poetike, dukë shënuar kështu një sfidë, mësim dhe leksion për të tërë ne që ndjehemi sadopak njerëzorë. Një sfidë për tërë ato struktura shtetërore që nisin me zyra, kolltuqe e rafte pambarim ‘projektesh’ me shije gjethesh vjeshte. Një sfidë për tërë ata pena që rrjeshtojnë e numërojnë aritmetika të ngushta mes një gozhde në murin e ndërgjegjes dhe një vide në aortën e zemrës, për të nënshkruar me hir a me pahir ‘vlerën’. Një promovim fillues, jo thjesht projekt, se ai ka kaluar caqet e tij, që nis, por që u lihet brezave për ta mishëruar më tej në sënduqe severgjeni...

Lot Ilirianë...” nuk është në këtë antologji

Nuk është pikërisht se asaj i është tharë muajsh më parë. Një lot i fundit i ka rënë atje tej në Atlantik. Një lot që i pikëlloi dhe ende i pikëllon shpirtin. Dhe ne miqtë njerëzore të poetes shqiptare, anembanë Globit e ndjejmë tharmin e këtij loti. Është Lot Nëne.... Por, ajo diti dhe e parapërgatit këtë lot. Edhe kur shkroi ‘Lot Ilirianë...” ajo na paralajmëroi të gjithëve: “më bëhet loti drithërimë.../nga gjuha ime në shqipërim.../herë pikon buzë Shkumbinit,/herë më shkruhet tej durimit.../herë te maja e Tomorit,/pak më afër, mes Devollit.../Loti im më ka ca teka:/nis buron ku i pëlqe-ka!”. Dhe nuk ndodhi kështu kur ajo e mblodhi këtë lot anës brigjeve të Atlantikut, për t’ia bërë buqetë nënave?
Dhe këtë e bëri me siguri, pikërisht se ajo na kishte parathënë edhe për “Këshillat e nënës sime” (faqe 97), që s’ishin pak, por pesë të tilla dhe tejet filozofike me shumë lidhje me këtë ide tonën, në të cilën vetëm se dekodojmë një mesazh me të cilin ajo bashkoi e çimentoi mjaft zemra. Në këtë pikë mjafton të citojmë këshillën e pestë të saj: “tri fjalë,/thënë njëra pas tjetrës,/ose me të shkruar,/ose vesh më vesh,/janë magji e zezë, bija ime/të vrasin/pa të thënë mirëmëngjes...”
Dhe kështu me këtë ndjesi ajo harroi të gjitha ndrydhjet, kurseu nga shpirti i saj i mbushur dhe i mbytur me lotë dhe vuri në dritë të gjithë prazmin e saj në shërbim të murojës së padukshme të shpirtdhimbjes. Dhe këtë e bën vetëm një njeri me shpirt Ilirianë, me zemër poeti të përmasave gjigande. Pse jo! Poezia e saj duhet urgjentuar dhe vënë në emergjencën e përkthimin të autorizuar Mbarëkombëtar. Është një poezi që krejt ndjeshëm dhe fuqishëm paraqet jo vetëm vlerat femërore shqiptare, por tërë vlerat që vijnë nga një gjini që lëvron poezinë sot në Botë. E ndjejmë këtë, jo thjesht për faktin se ajo erdhi me poezinë e saj të fuqishme, por se fuqia e poezisë së saj është akoma më e fortë se një femër me frymë të tillë, se aty Fryma ka veç një lidhje hyjnore që vjen me tërë fuqinë dhe strukturën më të goditur e të përkryer të vargut. E tillë është Ilirina dhe poezia e saj.
Dhe më tej duke rilexuar poezinë më të fuqishme të të gjitha kohërave, kushtuar nënës, nga i Madhi Esenin, shqipëruar nga Jorgo Bllaci, ajo na dha një tjetër brilante poetike me “Letër nënës me internet...(!)” (faqe 100) ku 24 maji i vitit 2007, pra katër vite më parë e gjente frymën e saj në një komunikim virtual me nënën e saj. Sot ky komunikim shpirtëror vetëm sa ka ndërruar kahët internetikë të shpirtrave, pasi ende duket komunikues dhe i pavdekshëm: “E dashura nëna ime,/e dhembshura pa fjalë/ëndërr përtej dritares/mall më shumë se mall./nënë e shtrenjta ime,/kërrusur pas një shalli,/ tjerrur e përtjerrur/si dhuratë prej malli.../mos ma merr me vete/shallin e lotuar.../të vij vetë moj zemër,/mbi ujëra notuar...”.
Por ndërsa Ilriana, poetja mbarëshqiptare, na la një diamant poetik në një udhë të bukur, duke mbledhur mushtin letrar në vite për nënën, natyrshëm ka hapur edhe një rrugë për të cilën ne të gjithë, miq e të panjohur të poetes duhet të flasim me tonin e duhur, për t’i dhënë asaj vendin në piedestalin poetik shqiptar. Iliriana e meriton këtë dhe më shumë se kaq. Ajo ka udhëtuar dhe ka kontribuar pa zë, fare qetë, pa mburje në antologji poetike në Kosovë, në evenimente në Maqedoni, në Mal të Zi, kudo ku ka dhe flitet shqip, por edhe kudo ku ka yndyrë të mirëfilltë krijuese dhe poetike. Ajo është veç kësaj edhe redaktore dhe kryeredaktore e shquar e mjaft letrave shqipe për të gjitha moshat.
E tillë është ‘Lot Ilirianë...”

Poezia në kohë-botën që jetojmë

“Në kohë-botën që jetojmë
Një gjë të dy fort mirë e dijmë:
Njeri mbi tokë, tjetri mbi qiell-
S’e trashëgojmë dot Dashurinë…”
Kështu shkruan poetja elbasanase, Iliriana Sulkuqi, në një nga poezitë e saj për të krijuar modelin e qartë të poezisë si një ‘haraç’ apo ‘medalje’ tjetër për kohërat. Në fakt është vargu i saj që të rrëmben, të përhumb në figuracionin e tij, të bën të shtosh ‘kreshendon’ tipike të saj që e saktëson në një nga poezitë e saj dhe t’u dhurosh brezave një rrugëtim të mbarë poetik. Aty ka një filozofi dhe një figuracion kuptimplot. Aty natyrshëm kuptohet pse dashuria s’mund të trashëgohet. Aty është mesazhi. Është elementi poetik, që rreket të gjejë vetveten në kapërcimin kohor dhe rutinën kohore.

Telajo poetike

Kapërcimi kohor dhe rutina kohore, janë dy gjëra të kundërta me njëra-tjetrën. Edhe pse në plan të parë ato duken sikur kanë të njëjtin kuptim, në fakt janë tamam dy ‘ndryshesa’ artistike që ndërvaren nga pozita ku krijuesi ndodhet dhe nga niveli ku krijimtaria e tij gjendet me kohën. Në një kapërcim të tillë, poezia është më e ndjeshme, dhe jo se krijimtaria tjetër letrare, proza e shkurtër apo novela e romani janë përjashtuar nga ky rregull meta-sintaksor, por se poezia ka më shumë elementë detajues dhe figurativ. Këta veçori i japin asaj telajon e një pikture që flet me gjuhën e vet tipike. Duke patur një gjuhë të veçantë, poezia ka këtë ndjeshmëri më të theksuar dhe natyrshëm karakterizohet si një filozofi më vete, si një gjuhëshprehëse dhe tingëlluese. Poezia është delikate. Ajo është një model i çmuar dhe i shtrenjtë që me pak përkëdheli mund të quhet e ledhatuar, ose e llastuar, por me një përkujdesje tipike letrare ajo merr jetëgjatësi dhe mbahet rëndë në llojin e vet. Kështu duket poezia e poetes Iliriana Sulkuqi, që flet me një gjuhë filozofike dhe që mbart filozofinë e saj në hapësirë dhe kohë të ndryshme. Diku pata anashkaluar një kritikë ‘dashamirëse’ për modelin kohë dhe ‘tematikë’ të autores, të poezisë së saj në fakt, që padyshim kishte ‘apotezën’ e shkundjes së pemës me kokra nga dikush që pret të piqen kokrat e një peme pa kokra apo edhe nga metafora e pemës si pemë pa kokra. Të huazosh e të kritikosh është ndryshe. Të marrësh shembull, apo busull orientuese frutat e një peme të begatë në ‘Pranverë’ me frutat e një peme nga “Dimri” përvëlues, që gënjen pemën ‘budallaqe’ të çelë, lulëzojë e të bëjë fruta para kohe, duket si një model shterp, ose si një fëmijë shtatanik që për hir të fatit mund të jetojë e mbahet shëndoshë e mirë mes të tjerëve të lindur normal, të lindur e pjekur në barkun e nënës. Edhe ajo ombrelle që duket pas medalionit ‘argument’ duke rrëkëllyer inatin në gotën e urrejtjes e duke shpaguar me fjalën e vargut të kahershëm poetik duket si një hapësirë e stisur ku kapërcimi kohor dhe rutina kohore krijohen si dy binjake dhe me një kuptim. Sipas kritikëve me emër të Perëndimit, modeli i “Colin Jones dhe Poemat e shënimeve”, mesazhi duket i qartë në tërë këtë ndasi mendimesh. Aty në mënyrë figurative thuhet: “Ju gjithmonë vini mbrapa dhë rrëmoni në kohën e poezisë sime, që lindi ashtu si lindi, ose siç lind poezia, ju vini për të goditur kohën time, që s’është kohë ndryshe nga e juaja, që s’është kohë ‘minierash’ nëntoke pa mineral, teksa unë ju lë poezinë time si një model para syve tuaj të shikoni se si krihen aty kohërat dhe horizontet e kritikës flejnë e gjenë rehat. Ironia s’është me ju, as me mua, ajo është me poezinë time” (Jones, 2006:146).
E ndërsa kjo tingëllon kuptimplote, ndjej kënaqësi të shpreh këto fjalë për poeteshën ‘pa moshë’ të të gjitha moshave, Iliriana Sulkuqi. Jashtë kuadratit të ndërthurur metafizik, ajo është një burim ndjenjash, frymëzim tejskaj dhe një busull orientuese brezash, gati-gati në tërë rrugën jetike dhe krijimtarinë e saj. Për së shumti në një vizion poetik, ku larmia ideore tingëllon qetësuese dhe tërheqëse vargu tipik i Ilirianës ka kostumin real, personal dhe mbart vlera reale. Le të shtoj këtu edhe timbrin e rezonancën sintaksore që mbart vargu i saj për ne kolegët e saj dhe për të gjithë të tjerët jashtë kësaj vorbull-pene në këtë shekull të numëruar 21. Dikur poeti Elbasanas Milianov Kallupi do të shprehej poetikisht për vargun e Ilirianës që “troket e troket derisa të të zgjojë”. Ajo vetë e shpreh këtë dhe natyrshëm në “Trokit e Zgjo”, ku natyrshëm do të ishte mirë të ishin zgjuar realisht edhe ‘fikësit’ e kahershëm të ëndrrave dhe trokitjeve letrare…

Blloku poetik

Brezi im si dëshmitar i disa ndryshimeve historike mbahet mend edhe për të ashtuquajturat “Blloqe Kujtimesh”. Në fakt unë nuk e di se kur nisën të lulëzonin këto ‘kujtime’ bashkëmoshatarësh, dhe as që në fakt kam ndërmend të gërmoj për historinë dhe zanafillën e tyre, por dua të theksoj se aty nga mesi i viteve 80-të ata, pra “Blloqet e Kujtimeve” ishin si një modë më vete. Krijuesit e tyre, bashkëmoshatarë shkolle, linin nga një foto dhe nga një mesazh, aty mbi faqet e “Bllokut të Shënimeve”. Diku edhe ndonjë tregim, poezi, apo edhe ndonjë skicë modeste. Më tutje dikush edhe me një fillimtrokitje në portat letrare, disa edhe të botuar më pas në shtyp, e pse jo edhe të pëlqyer e vlerësuar nga redaksi e redaktorë dhe të publikuar në libra. Ata janë disa! Sot mjafton vetëm me kaq, se diçka tjetër më ngacmoi kujtesën time. Një “Bllok Shënimesh” i tillë ka mbetur pjesë e memorjes sime. Aty ka jo pak emra dhe pena të mirënjohura sot. Por unë nuk dua t’i bëj publike, se qëllimi i këtij shkrimi është tjetër pra. Teksa e shfletoja një ditë m’u kujtua një detaj. Një kujtim i lënë në formën e një skice, dhe të një poezie më preku në fakt. Poezia më duket e lidhur me çfarë dua të shpreh, ndaj po riprodhoj nga origjinali i saj këtë varg:
“Jam mirë në trikon time,
jam e lirë
ndjehem vetja ime
jam mirë…!”
Unë që e dija historinë e asaj skice dhe asaj poezie nisa të qesh por edhe të thellohem më tepër në kujtesë, në fakt diç thoja, psherëtija në heshtje me veten time. Ishte një triko që shëtiste midis vajzave. Dikujt i kishte ardhur peshqesh nga jashtë shtetit. Dhe gati të gjitha vajzat donin të bënin nga një foto me të. “Pronari” i asaj fotoje kishte debatuar me autoren e poezisë dhe e kishte përjashtuar nga modeli i fotografive me trikon e ardhur nga jashtë, që po t’i shihje ato foto, vajzat që kishin pozuar bardhë e zi, dukeshin gati si të ndonjë jetimoreje, ku në atë kohë u prenin dhe u blenin rroba të një uniforme, të një ngjyre. Dhe autorja e prekur nga ky ‘incident’ i asaj kohe, me inate ‘bashkëmoshatarësh’, foli dhe u shpreh me ‘revoltë tek poezia e lënë në atë “Bllok Kujtimesh”. Në fakt ajo, pra poezia, e atij blloku sot tingëllon ndryshe. Tingëllon mesazhlënëse. Kjo është edhe një lidhje në kohë dhe hapësirë të nevojshme për përcaktimin e asajt që mbart popullorja “Kostumi i tjetrit të lë pamartuar” ose “xhaketa e tjetrit të lë në rrugë”, që natyrshëm në njëfarë mënyre ajo mund të konvertohet edhe në fushën e krijimeve sot, dhe më së shumti në poezi, ku lumi i poetëve ka ardhur me prurje të madhe dhe tepër domethënëse. Një model ndryshe por tejet domëthënës rroket tek krijimtaria e Sulkuqit. Aty shija e provuar gjetkë, padyshim amortizohet, dhe tejçimi i vlerave gjejnë rrënjë motake, të mbira nga një moshë foshnjore të krijimtarisë së saj poetike. Në një nga poezitë e saj gjendet qartë ky lejtmotiv tipik e domethënës. Është poezia “Për inat të natës sime…” që sqaron:
“Për inat të natës
sime
Natën tënde e
mbërthej . . .
E mbërthej me ca
trazime
që veç Zotit ia
rrëfej . . .

Prej një ëndrre
drithërime,
drithërimat qaj e
laj…
Për inat të natës
sime -
Natën tënde zgjuar
mbaj.”
Dhe duke dalë nga nata metaforike e Sulkuqit një ditë e bardhë agon për dashamirësit e sinqertë të poezisë shqiptare, një bardhësi prodhon vargu që rreket mes urimit, dashurisë, dhimbjes dhe shpirtpërmallimit njërëzor. Aty ka vend kënga, natyra dhe ëmbëlsia e një stine që prodhon vetëm talenti i një pene, i një zemre dashamirëse. Aty është kostumi real, rrobja e shtrenjtë që vesh poezia e Sulkuqit. Aty ligjërimi ka fjalën e përzgjedhur dhe mesazhin e drejtuar saktë dhe qartë, aty prehet malli:
“Më ka marrë malli për ty,
që fëmijë, ardhur nga gjyshër…
që kur lojëza Nuse – dhëndër
ishte lojëz e
gënjeshtërt.”
Si një piktore karakteresh realë që historia i ka marrë në gjirin e saj ajo detajon dhe përjetëson Myzyrin e Madh, qytetin e shtrenjtë të vendlindjes së saj, Elbasanin dhe i përçon lehtazi në motivin tradicional, me këmbë të forta e të mbështetura mirë aty ku burron edhe përshtatja me modernen, bashkëkohoren e fshikëlluar me artin e shpirtit.

Struktura simboliste

Mjaftojnë dy poezi të poetes tipike shqiptare, Iliriana Sulkuqi, të gjejmë thelbin e asaj që ka mbetur një derivat i pakundërshtueshëm në strukturën simboliste. Poezia simboliste e Sulkuqit, një nga më të arrirat në fushën poetike femërore shqiptare, natyrshëm ka një rrugë origjinale. Poezi të tilla si “Nuk dashuronim as unë as ti, por...”, kushtuar Lasgush Poradecit, apo poezia kushtuar Eseninit me titullin e njëjtë, “Eseninit”, janë një prekje e qartë, janë një praktikë që ia vlen të ndalësh hulumtimin. “Në prekjen e tillë, ku simbolizohet dashuria, gjithkush bëhet një poet,” ka deklaruar Platoni. Por, kjo prekje simbolike e Sulkuqit është një metaforë dyfish sublime. Ajo e krijon këtë prekje duke kontaktuar simbolikisht në tërë udhërrëfimin e saj filozofik në kohë, (në kohën tonë pa fëmijëri)- vargu i parë, në vend (në udhën tonë të mërguar)-vargu i dytë dhe në hapësirë (në kohë-botën që jetojmë)- vargu i parë i strofës së dytë. Në poezinë “Nuk dashuronim as unë as ti, por...”, shihet qartë kjo preambulë filozofike tek lidhja e teorisë së Heidegger, që vjen nga përvoja e natyrës në fjalë dhe që është e lidhur me një përvojë të caktuar të origjinës. Në këtë teori, Heidegger na tregon se puna e artit poetik, sidomos atij me strukturë simboliste, ku spikat dashuria "është gjithmonë origjinale dhe në të gjitha momentet ka një fillim”, me sa duket, para së gjithash, për të qenë “gjithnjë poezitë të prekshme, vegimi i së vërtetës është i paarritshëm për të ristrukturuar të ardhmen pa simbolizmin” (Heidegger; 1971: 42). Në anën tjetër kjo paraqet para nesh, një premtim për të vërtetën që kurrë nuk arrin më në fund të shprehet pa këtë mjeshtëri poetike (Hapësira e Letërsisë; faqe: 229). Nëse jemi më tej në këtë kërkim për të parë funksionin simbolik në tërë dimensionin e tij filozofik në kohë, hapësirë dhe vend natyrshëm duhet të mos harrojmë atë që pruri në poezinë e këtij lloji, poeti simbolist francez, Charles Baudelaire, i cili ishte edhe një ndikim i madh në punën e Eliot.
Kur lexojmë poezinë e Iliriana SulkuqitNuk dashuronim as unë as ti, por...”: “Në kohën tonë pa fëmijëri,/në udhën tonë të mërguar,/nuk munda (oh), të t’bëj ty,/dhe s’ka se si ti t’më duash...” në një afrimitet semantik dhe po aq edhe simbolik lexojmë edhe poezinë e një nga emrave më të spikatur të poezisë contemporane të ditëve tona, Britanikes Helen Dunmore (1952) fituese e çmimit të veçantë “Signal Poetry Aëard”, “Të gjitha gjërat që ende nuk janë”: “Sonte ka një turmë në kokën time:/të gjitha gjërat që nuk janë ende. /Ju jeni fjalë pa letër, faqe /hijesh në pyje, verë, kopshte /ku zhbrishen faqe cung nga rrënojat e tyre / Të gjitha gjërat që ju jeni, ju nuk jeni ende...”.  të dyja kanë një simbolikë të njëjtë përkushtimi. Të dyja ia kushtojnë poezinë dikujt, Sulkuqi ia kushton poeti lirik shqiptar, simbolit të lirikës së dashurisë, Lasgush Poradecit, dhe Dunmore ia kushton Tess, një frymëzimi të hershëm të saj në rrugën poetike. Nëse shohim në detaj poezinë e Sulkuqit, “Eseninit”, deri në detajin më të ngjashëm diktojmë edhe simbolikën e poezisë “Dielli ka plas në qiell” nga Jenny Joseph, një nga poetet më të lexuara angleze, poezinë e së cilës një sondazh i BBC-së e ka gjetur atë të jetë më popullorja poemë e shekullit të 20-të. Në poezinë “Eseninit”, Ilriana tërë strkturën simbolike e qetëson mes fjalëve më të spikatura: “Ku më gjete,/ që më zhveshe,/ gjer në palcë të trupit tim?/Me ty puthem,/ qaj me vete/ unë jetime, ti jetim...”, ndërsa Joseph me një simbolikë tipike e sjell Diellin në një simbolikë me një dimension logjik: “Dielli ka përflakë qiellin/Sepse unë të dua/Lumi i brigjeve të tij...”
Por jo vetëm poezia edhe jeta e këtyre tre dimensioneve poetike, duket se ka një tallaz kohor e jetik të prekshëm. Poetja shqiptare, Iliriana Sulkuqi, edhe pse jetoi e krijoi në një sistem totalitar, e ka nisur jetën në qytetin e Elbasanit në vitin 1951, Mbasi mbaroi gjimnazin “Dhaskal Todhri” në qytetin e lindjes, vazhdoi studimet e larta në Akademinë Ushtarake të Forcave Tokësore në Tiranë. Ajo ka punuar gazetare neë shtypin shqiptar dhe gjatë asaj kohe ka mbaruar studimet për gjuhë-letërsi dhe filozofi. Poetja britanike Helen Dunmore, ka studiuar anglisht në Universitetin e York-ut dhe më tej studioi në Finlandë për dy vjet para se të nxirte botimin e librit të saj të parë. Ajo ka punuar si një shkrimtare, interpretuese dhe mësuese. Ajo ka mësuar edhe në Universitetin Glamorgan, për Kolegjin e Hapur e Arteve. Ajo gjithashtu ka punuar si gazetare për ‘The Times’ dhe ‘The Observer’. Jenny Joseph (lindi më 7 maj 1932) është një nga poetet më kryesore e Britanisë së Madhe që jetojnë. Ajo ka lindur në Birmingham, dhe studioi literaturë angleze në Kolegjin St Hilda's, Oksford, para se të bëhet një gazetare. Ajo ka punuar për ‘Times Bedfordshire’, ‘Mail Oksford’ dhe ‘Drum Publikime’ (Johanesburg, Afrika e Jugut). Ajo që bie në sy është se të treja poetet, si Sulkuqi, ashtu edhe Dunmore dhe Joseph janë poete që kanë vitalizuar penat e tyre edhe në gazetari. Por, kjo është ndoshta një rastësi që bën faktin të ketë një ngjashmëri, për nga përkitja. Ajo që mbetet domosdoshmëri është analogjike që të shpie tek vlerësimi dhe suksesi. Sulkuqi vitin e kaluar u nderua me një nga çmimet e veçanta të Bashkisë së Elbasanit në lidhje me artin dhe kulturën, ndërsa dy poetet e tjera mbajnë çmime të tilla si “Çmimi Poezi Signal”; “Novel Ëhitbread” dhe çmimin “Orange” për Dunmore dhe çmimi më e lexuara poete për Joseph.
Dhe mbi të gjitha është derivati poetik që dikton anën më të domosdoshme të studimit të kësaj poezie të krijuar nga Sulkuqi, parë në një paralele studimore edhe me zërrat më të ndjeshme të poezisë britanike në ditët e sotme. Kjo lloj poezie është një urë lidhjeje mes vetë filozofisë dhe kuptimit të poezisë si art më vete, si art i fjalës. Filozofia, si ‘hetim intelektual’, ndjek të vërtetat përtej sensit të përbashkët, nëpërmjet analizave të rrepta logjike, duke u paraqitur si një proces arsyetimi abstrakt. Poezia, si një formë letrare, është përdorur për të përshkruar ndjenjat apo rrëfimet e brendshme, të paraqitura nëpërmjet imazheve dhe gjuhës së përfytyruar. Është mbajtur në përgjithësi një traktat mirëkuptimi, që të dy këto forma nuk mund të shkojnë së bashku, sepse gjuha poetike nuk ka ashpërsi logjike që është me rëndësi jetike për studimet filozofike, kurse abstraksioni i arsyetimit do t’i kushtonte poezisë elasticitetin simbolik të saj. Këtë e shohim edhe në krijimtarinë në vite të poetes Sulkuqi. Si një shembull adekuat mund të sillen poezitë e një ngrehine të tillë filozofike të kushtuar poetëve si, “Shën Poeti”; “Poetëve”; “Thonë për poetët”; “Kredo poetike”; “Lasgushi” etj
Analiza përtej këtyre poezisë të shpie tek qëndrueshmëria e faktit se simbolika e poezisë së Sulkuqit është një didakt i prekshëm në këtë lidhje teorike. Ana poetike e poezisë së Sulkuqit, brenda  kësaj natyre në mënyrë të pashmangshme do të thotë se imazhet janë ekstrakti dhe jo abstrakti i filozofisë, ata që përcaktojnë simbolikën. E kundërta do të sillte atë që imazhet të debatohen në retorikën Derridiane, a janë pra një shtesë më e vlefshme? ‘Sigurisht që janë’, - përgjigjet Derrida. Përgjigjja, unë besoj, është kjo e fundit. Shumë teori filozofike janë të ngurtëzuara në vlerat e tyre por që kujtojnë se me imazhet e tyre të gjalla, poezitë janë një simbolikë e bukur nusërimi. Për këtë le të sjellim në plan përkujtues dhe ndihmës, teorinë e Platonit për të vërtetën e ideve, duke kujtuar imazhin e “njeriut shpellor”, shikimin hijesor në mur, ndërsa për teorinë e tij të motivimit dhe arsyes le të ndalemi tek triniteti që mbjell, sjell dhe përcjell dëshirën në mendjen tonë për të gatuar imazhin e një objekti që shërben për vargun simbolik të poezisë.
Pra rëndësia e një imazhi të përshtatshëm për një teori abstrakte nuk mund të mbivlerësohet. Dhe këtë poezia e Sulkuqit e kryem me mjeshtërinë më të madhe. Ashtu si imazhet, edhe gjuha e përfytyruar e poezisë së kësaj poete, tashmë të mirënjohur dhe me emër në poetikën shqiptare, është gjithashtu jo vetëm e pranueshme, por e domosdoshme për të menduarit filozofik. Tradita dhe shembujt ku referohet një poezi e tillë janë plot. Kujtoni Gëten (Goethe) që u paraqit si një poet i madh me të menduarit filozofik dhe simbolikën e tij, më pas Nietzsche ishte një 'poet-filozof', poezia e tij formon një pjesë të rëndësishme me kontributin e tij kryesor tek “Kështu foli Zarathustra”, apo më tej në shekullin e 20, TS Eliot, si një poet filozofik..
Ajo është sofra e përjetshme e atyre shprehjeve të mirërafinuara dhe bukurpërfytyruara, që janë dhe mbesin më të paharrueshmet në filozofi, si të gjitha gjërat që zbuloi Pitagora e që mbetën kur deklaroi se ‘Të gjitha gjërat janë numra”; Protagoras kur theksoi se “Njeriu është matësi i të gjithë gjrave”; Dekarti kur shpalli se “Unë mendoj, parasëgjithash unë jam”, Kanti me postulatin e tij se “Njeriu është një fund” dhe Niçja (Nietzsche) kur shpalosi fuqishëm se “Zoti ka vdekur”.
Poezia e Sulkuqit kësisoj është një formë e fuqishme letrare, që është gatuar në simbolikën më të goditur, për të shprehur dashurinë.

Silogizmi dhe simbolika

Në logjikën e vargut të poezisë së Sulkuqit, forma e arsyetimit deduktiv (veçues-sqarues-logjik) në poezitë “Sikur të isha loti im”: “Sikur të isha loti im,/nuk do të qaja kurrë./Loti kthehet në kripë,/kripa në gurë...”; “Nga syri im te syri yt”: “Nga syri im te syri yt/në udhë-shpirti/u tret loti.../Nga syri yt te syri im/një pikë lot rëndon/sa globi...”; “Duke pirë verë”: “Nga mushti i shpirtit/ngjyrë shpirti mbeti/fundi i gotës.../Gjithmonë diç mbetet/nga fundi i botës...” nuk kërkon metafora që janë karakterizuar nga mungesa e perceptimit, por krijime poetike model që flasin me gjuhën filozofike të logjikës. Në mënyrë të veçantë, gjuha e filozofëve kërkon metafora të cilat janë karakterizuar nga mungesa e qartësisë. Perelman (1982) vë në dukje se format logjike janë njohje të shkyçura nga natyra, e cila është e paqartë dhe kontradiktore. Njerëzit janë, me njohjet dhe temperamentet e tyre të lindura, komplekse e rit-komplekse hyjnore dhe të fituara gjatë jetës, dhe këto karakteristika në kundërshtim me shpjegimet logjike (f. 43) apo me mendjet shkencore mund të përpiqen ta shpëtojnë paqartësinë e fenomeve përmes gjuhës logjike të poezisë, të cilën Sulkuqi e realizon qetë dhe pa sforcim. Në poezitë e lartpërmendura, kjo gjuhë logjike është një urë mes silogizmit dhe simbolikës. Është e tillë se nga vetë kuptimi mbi silogizmin, që është vetë forma deduktive e logjikës, që premton një konkluzion mes zbulimit të lidhjeve të një kuptimi, siç vetë Enciklopedia “Nelson” e shpjegon me këtë fakt: “1. Të gjithë burrat janë të vdekshëm; 2. Sokrati ishte një burrë; 3. Sokrati është i vdekshëm”.
Poezi të kësaj strukture, jashtë ndërtimeve dhe logjikës perceptuese kufizojnë kuptimin e tyre dhe po aq edhe fenomenet nën shqyrtimin e hollësishëm të tyre. Por, dhe krijimet që janë në logjikën e tyre të shkëputura nga natyra dhe të paaftë për të kapur atë në ecurinë e logjikën e aktualitetit, natyrshëm përbëjnë problem. Kështu, poezia dhe filozofia mbeten përpjekje të fuqishme për të kapur siç është thelbin dhe konceptin metaforik të natyrës nërmjet urave të reja që ndërtohen, si në këtë fakt të marrë në konsideratë nga krijimtari e poetes shqiptare, Sulkuqi. Kjo shton rëndësinë e logjikës apo racionalitetin për zhvillimin njerëzor, por të jemi të vetëdijshëm, se edhe këto poezi mund të rindërtohen në dritën e informatave të reja dhe perspektivave që afron vetë progresi, ndryshimi analitik dhe situator i mënyrave perceptuese rreth natyrës dhe funksionit të saj.
Barthes (1982) e përshkruan poezinë nga një perspektivë semiotike në këtë rast, që përmban signifiers për atë që është e pashprehur dhe multi-shqisore, të cilat përbëjnë një klasifikim përshtypjesh që në fakt janë të paklasifikueshme. Ai e përshkruan më tej këtë me poezi si “emocion të koncentruar,” dhe të sinqertë kur vjen nga një ‘simbol i një momenti të privilegjuar” (fq. 71). Ky moment i privilegjuar në poezinë e Sulkuqit është: “Stacioni i fundit”; ku sipas Horoskopit të poetes “çdo molekulë e trupit.../është stacion dashurie,/ku përpëlitet një thellim,/ku djeg një diell xhelozie...”; është “Ku po fle?” që ndjehet si një varg mbi një muzë, apo: “...përmbi ethe djalërie,/a mbi shkrepje vetëtimash?!”; duke mos nakursye edhe retorikën logjike siç ndodh edhe në mjaft poezi të tjera të saj të vëllimit “Poezi” (Sulkuqi; “Snaj”:2009).
Në këtë këndvështrim Barthes (1982) ofron një përshtypje ose një interpretim kur ai vë në dukje se në këto poezi, "Ne e perceptojnë imazhin e kohës rrufeshëm" (fq. 71). Ai më tej propozon se çdo simbolikë e tillë funksion si një model poetik që mund të interpretohet nga perëndimorët “si një dizajn silogjistik në tre kohet e (të rritjes, pezullimit, përfundimit)” (Ibid.). Për të ilustruar këtë që cituam më lart e përdor këtë burim nga poezitë e Sulkuqit: “Këtu/këtu,/këtu do pres.../tek fjalë e parë që më dha fjalë/tek vargy yt që m’u bë flirt,/tek ëndrra jote e përmalltë...” (Sulkuqi; “Këtu të pres”)

Gjithëushqim poetik

–poetja imortale-
Sulkuqi, “poetja e hekurt” e trevave shqiptare, vulosi para ca ditësh me vargun e saj përtej modestisë, pa bujë e në heshtje nëpërmjet “Fjalës së Lirë”, hymnin poetik të nektarizuar në vite, duke parathënë qetësisht se poezia e saj, versioni i saj e ka bërë atë të pavdekshme në hapësirën poetike mbarëshqiptare, por edhe më tej:
“...ndaj syhapur...
malli qenka dhe i bukur..
edhe pse të than si eshkë…
Jeta vetë na qenka –mall
Ndaj syhapur çdokush vdes.”

Barazpesha e ditënetëve

Kjo poezi e qëndisur me fjalën e përzgjedhur nikoqire, me stigmën protagoniste dhe me sqimën tradicionale shqiptare, natyrshëm ushqehet me nektarin poetik të Sulkuqit. Sa gratitude është të shpaloset në këtë shekull poetik! Në këtë rrjedhë të poezisë së Sulkuqit, që më shumë se 50 vjet sfilaton mrekullisht, me modën e duhur dhe me një surprizë tejet rinovuese. Më shumë se 50 vjet është në të fjala, gjuha dhe shprehja, figura artistike dhe jetikja, mirëdashësia dhe ndjesia qetësiprurëse. Në cdo qelizë të këtij motivi, Sulkuqian, ndjejnë qetësi burra e gra, të rinj e të reja, gjithëmoshorë dhe gjithëseksorë. Natyrshëm aty ndjehen mirë dhe shijues deri në detaje të poezi-perlës së saj. Ajo nuk njihet si poete e shtresave, as poezia e saj nuk njihet si e varfërve apo sidromë e të pasurve. Poezia e saj që nga ditëlindja e deri tek kjo e fundit i jep shpirt-ushqim të gjithëve, edhe pse del si dielli i agimit mes dy cukave gjelbëroshe, që ngrihet në dy anë të kundërta të globit, si për të barazpeshuar ditënetët poetike:
“i thashë lotit…”
Një ditë pa dritë, një natë pa hënë,
Lotin intim ma shanë e vranë…

I pata thënë lotit tim-
përballë botës mos i dil…
Është kohë e keqe, një Zot e di,
do të të thajnë pa dalë mirë…

Nuk më dëgjoi, nuk më dëgjoi…
Si djal’ plangprishës
pa mua shkoi…
Një ditë , ah, ditë, pa mbushur ditën,
kthehet sërish lodhur e tretur…
Lutet e lutet mardhur e ngrirë
përmbi qerpik nga pritja djegur…

I kisha thënë, i pata thanë:-
S’i duhet botës një lot që qan…”

Poetja imortale

Poetja e vargut gjithëushqyes, mund të marë edhe sinonime të tjera, vec atyre që rubrika dhe ndjekësit ia përkëdhelin, si ‘lulekuqe’, por ajo mbetet tek ajo që poezia e saj tashmë ka vulosur: është pavdekësia, ‘poetja imortale”. E gjithë krijimtaria e saj në fakt mund të quhet e tillë. Edhe pse në këtë majë moshore vargu i saj siglon një pjekuri me timbër e rezonancë poetike, natyrshëm deficit ii takon kohërave dhe tematikës. Në përzgjedhjen e fundit, Iliriana Sulkuqi, solli aromën e një itinerari-human, që aty nga mesi i katërmujorit të këtij viti u ushqye në flladin Ballkanas: "Pa pyetje –pa përgjigje" e Ilirianes eshte ne kete udhe dhe natyrshem ka gjuhen e vet:

" Po plas!...
Po plas, po plas,
përse nuk shpika
rrota gjigande sa Dashuria...

Si një bujkrobe do e tërhiqja
gjithë Amerikën tek Vendlindja...
Po plas, plas që askund s'jam-

as ku kam lindur,
as ku do vdes...
Që s'bëra dot një varg të malltë
dhe pse me rrokjen fjeta jashtë.
Po plas, po plas,
kujt t'i rrëfehem
që m'troket ikja n’ rrëz' të veshit,
as bardh, as zi s’më mbeti vargu,
një oqean m’ ndau nga Deti...
Po plas...po plas…

Që dhe një dorë-
shtatë breza nerv,
shtatë malle varg,
një firmë s’e hedh as për shkronjë,
një firmë s’e hedh as për një varr…

Po plas….Po plas
si në legjendë:
« ...Plasnë si poçe me verë... »


E njohur si një aktiviste dashamirëse, në meshën poetike dhe dimensionin e saj human dhe si një tejcuese e stilit poetik të saj në ambiencën dhe poezi-sofrën kosovare, Sulkuqi gatoi me këto poezi, një emër tjetër, ndoshta po aq sa Isuf Myzyri i Madh që këndohet me shpirt e me zemër anembanë, ku shqipja flitet me ëmbëlsi. Por jo vetëm kaq, ajo shuguroi një shkollë, gatoi një poezi model, një projekt-prozë poetike për të tjerët, që synojnë të arijnë frutet e saj.

Shkundja

Poetja në këtë prurje, nuk rilindi, as nuk ndryshoi diçka, veçse na shkundi ne krijuesve, na kujtoi në fakt oreksin e madh të kritikës, për të thënë paksa më shumë, kur dihet se çdo gjë që ajo ka shkruar është një ushqim për të gjithë e meze për të rinjtë e fushave krijuese në lëmin e poezisë.
Ajo riskon si një poete e natyrës, e kënaqur me udhëtimin e saj përgjatë Jonit, apo Egjeut dhe mëtej mes Rivierës dhe sofrës atdhetare, duke sfiduar admirimin dhe parasjellë çdo të mirë në tryezën e saj poetike. Për çdo mirësi, për çdo mirëpritje, për çdo anështrim idesh. Në këtë udhëtim real dhe imagjinar, Sulkuqi gjeti vetveten dhe ne zbuluam e rizbuluam poeten…
Sulkuqi solli me devocion trëndafilat e dhuruar, çmimin e merituar, dhe atë që ka adhuruar, për të themelosur në vargun e saj dashurinë e munguar dhe paksa të harruar nga thinjat dhe rrudhat.
Në varg ajo është më shumë se kaq

Me shpejtësinë fluturuese

Klara Kodra diku në analizën e poezisë së poetes Iliriana Sulkuqi pyetjes së saj në ‘është femërore poezia e Ilirianës’ në shkrimin e saj i flirton shpejtësinë, si një derivat që bashkëudhëton me krijimtarinë e poetes. Është fjala për shpejtësinë të cilën Gerald Manley Hopkins, një nga poetët e mëdhenj të shekullit të 19-të, i mirënjohur si një poet i natyrës dhe i shpirtit njërëzor, e vuri për herë të parë si një urdhëresë ndjesore për të kontrolluar ‘mbi shpejtësinë e linjave dhe efekteve të tyre dramatike’. Ndërsa në poezinë e Iliriana Sulkuqit kjo shpejtësi vjen në dy forma. E para është ajo e cila Hopkins përdori në sonetet e tij dhe e dyta është shpejtësia me të cilën ecën dhe lëvrohet kjo ‘luleshtrydhe’ e ushqyer artistikisht në vite. A nuk është një model Hopkinian kjo perlë poetike:
“Po t’i mbledh
ditët e dashurisë,
më dalin shumë më pak se një pikë loti…

Po të mbledh
Hapësirat e dhimbjes,
Kam frikë mos më mbytet Globi…”
Këtu shpejtësia në kuptimin e saj të parë, në kuptimin e shpejtësisë së Hopkin, natyrshëm udhëton fuqimisht në linjën e figuracionit që prodhohet nga fuqia e fjalës metaforike. Tjetra është poezia vetë. Këtu ndjehesh i pa fuqishëm të arrish atë. Është vështirë të gjesh shpejtësinë reale, shpejtësinë e poezisë së poetes Iliriana Sulkuqi. Është një shpejtësi maratonë që nis herët hapin e saj ushtarak dhe thellon vrapin e saj pa moshë në një hapësirë tjetër, ku liria së cilës i kushtohet kjo poezi fle e qetë dhe e sigurtë. Pasi merr uratën e gazetarit dhe publicistit të mirrënjohur Dalip Greca në mesin e kësaj lirie, në Amerikë, ku ai e sheh poeten si ‘magjistare të fjalës poetike’, një tjetër stacion i saj është nën penën e Odise Goros në Greqi, që nxitohet nëpër faqet e gazetës “Tribuna” dhe valëve të BBC-së të arrijë poezinë e Sulkuqit, pët të kumtuar ndjenjën dhe cilësimin për poezitë e Ilirianës si një “portret-poezi, që plotësojnë njëra-tjetrën…” Dhe në këtë vrapim poetik është fjala që nxiton të gjej fjalën. Dhe në këtë garë fjalësh poetike, e madhja Tinka Kurti pyet me gjithë shpirt: “Cila është më e bukur”? E ku pra të ndalësh vrapin, vrapin për të arritur një poezi që ngjitet edhe majave me vrapin e rinisë? Mes fjalës së Vasil Qesarit, në këtë ‘rritje’ të shpejtësisë në poezinë e Sulkuqit, shihet ‘shpirti i madh e një botë drithërimash, një zemër që troket sic trokasin pak të tilla.një ndjenjë e mrekullueshme e cila edhe pse plot brenga e vuajtje, është tepër humane, fisnike e madhështore”. Le të kthehemi sërrish tek fjala e Grecës. Greca thotë se “motivet e shpirtit Iliriana i këndon në poezinë e saj”. Dhe natyrshëm ky shpirt poetik gjen pikëtakimin krijues artistik, gjen edhe shpejtësinë fluturuese të ‘lejlekëve’ edhe kur “Lejlekët nuk vijnë më…” për të kuptuar ‘shpirtin e delirit’:
“O shpend i bukur,
me flatra e shpirt deliri…
hapësirë më hapësirë,
mbi ikje zjarr-ore…”
Këtu konsonanca poetike flet me gjuhen e vet.

Konsonantja poetike

Në këtë vrap të poezisë së Sulkuqit bie në sy poezia e quajtur konsonante, ose në shqip poezia bashkëtingëllore, që si rregull është një përdorim i njëzet bashkëtingëlloreve (bcdfghjklmnpqrstvxzsh) vetëm një herë në fjali. Është një rregull i kësaj poezie që tenton të mos përsërisë bashkëtingëlloren e njëjtë për të mos lejuar fragmentimin. Edhe pse duket në këtë formë, këtu struktura metrike e poezisë së Ilirianës parathotë formën e saj tradicionale duke u alternuar në një formë specifike, duke sjell prosodinë si një formë kryesore linguistike në një aspekt dyfish, formal dhe informal. Brenda këtyre dy formave është ‘skanson’ i poezisë së Sulkuqit që është një pjesë sintetizuese e analizës metrike. Tek poezia “Mjelma me krahë të prerë…” retorika e poezisë vjen në ndihmë të strukturës. Ndërsa tek vargjet poetike “Shote Galica”, “Adem Jasharit” fjalët e kursyera të poetes sjellin vihen nën komandën e njëzet bashkëtingëlloreve dhe tetëmbëdhjetë zanoreve në rastin e parë dhe njëzet e dy bashkëtingëlloreve në rastin e poezisë së dytë që paralelizohet me ndihmën e gjashtëmbëdhjetë zanoreve. Autorja shprehet për Shote Galicën:
“të kam zili, Shote Galica!
Mbete e bukur,
Si LIRIA…”
Vënia e reticencës mbas fjalës ‘liria’ duket jo vetëm si një shprehi e faktit të kursimit të fjalëve por edhe si një dëshmi e fshehtë e rregullit konsonant të poezisë. Po kështu edhe tek poezia “Largësi”, ku reticensa luan thuajse të njëjtin funksion. Ndryshe është konteksti konsonant i poezisë “me aromë gruaje” ku ajo është thjesht një poezi që ecën në tërësinë e saj të njohur tek tradicionalja. Këtu thënia e poetit Grek Kristo Tumanidhi, duket se gjen vend kur ai shprehet ‘për një poete të vërtetë’ apo fjala e Perikli Jorgonit që gjen ‘ngarkesë ndjesore dhe filozofike’ në poezinë e autores. Fjala e Dritëro Agollit, që gjen ‘poeten e vecantë’ është domethënësja e këtij nënteksti. Por nënteksti i reticencës dhe konsonantes tek fjala e Kullës për poeten Sulkuqi qëndron tek figuracioni ‘një femër që drithëron telat e harpës në barkun e një tanku … me atë petk celiku të krahasoj me një lajthi të ëmbël dhe erëmirë brenda guaskës”.

Ku ndodh të festohet në një ditë...

Dy ditëlindje përkojnë në një ditë. Kjo nuk është rastësi. As çudi. Por kur këto ditëlindje janë për njerëzit e letrave, diçka na mundëson të ftillojmë memorjen. Dy ditëlindje penash shqiptare! Është ditëlindja e shkrimtarit Vlash Fili dhe ditëlindja e poetes Iliriana Sulkuqi.  Vlash Fili ka lindur në Kuçovë më 10 shtator 1941, ndërsa Iliriana Sulkuqi ka lindur po më 10 Shtator, por dhjetë vjet më vonë se i nderuari Fili. Kështu viti 1951, është kalendari-aritmetik që shënoi numërimin e jetëvargjeve poetike të Sulkuqit, që më vonë do t’i shtrydhte mes memorjes dhe dijes për të na dhënë perlat poetike. Ndërsa dhjetë vjet më parë mes erës së gazit kuçovar, gërmat shqip, do t’i trendoheshin hapësirës së ngjeshur krijuese në mjaft fusha profesorit Fili.
Sakaq vitet janë vite. Aritmetika e tyre i ka ndërtuar mes një ‘piramide’ jetike dhe aritmetike. Nisin nga bëlbëzimet e para, që maten me sekondat e para të jetës, dhe ... ngjeshen diku fort në majën e piramidës jetike mes vlerave e veprave që maten me muaj, stinë e vite..., madje edhe me shekuj, se ata, pra njerëzit e vlerave kurrë nuk vdesin...
Një vit më parë, poeti i mirënjohur dhe i nderuar shqiptar, Ndue Lazri, shprehej: “...ti e meriton këtë, sepse shumë poezi e ngrohtësi u ke dhuruar njerëzve në vitet e krijimtarisë tënde të pasur”. Më tej për zotin Vlashi, poeti Lazri shton: “nëpërmjet gjestit fisnik të Ilirianës që në ditëlindjen e saj i drejton urime mikut e kolegut, Vlash Fili, ditëlindja e të cilit përkon pikërisht në një ditë me atë të Ilirianës, 10 Shtatori bëhet një datë për tu shënuar...”. Ndërsa në të njëjtën kohë ‘urimi’ edhe shkrimtari Faruk Myrtaj do të uronte “edhe njëqind, Vash!,” duke theksuar: “Ilirianën, shyqyr Zotit, që është Një dhe i vetëm, për të gjithë, e kemi shëndoshë e mirë dhe do na kanarinëzojë edhe nja 100 vjet të tjerë...”.
Sakaq duke gërmuar në vite gjejmë vëllimin poetik të Betim Muços, “Ditëlindja e këngës” (1984) ku në poezinë me të njëjtin titull shprehet qartë:
“ne, poetët, kemi diçka të veçantë:
Të gjitha ditët që rrojmë
Ditëlindje të këngës janë...” (Muço, 1984).
Dhe ndërsa, të dy ‘protagonistët’ e 10 Shtatorit, janë pena që jetëojnë jashtë vendlindjes, sërrish iu afroj një poezi tjetër të Betim Muços:
“Në qytetin e vogël s’njihja njeri.
Në rrugët e tij
I ngeshëm, i qetë
U enda
Befas, i ndodhur përballë librarisë
Dhjetra shokë nga librat
Më qeshën e thanë:
“Njatjeta!” (Muço, 1984).

A nuk ndoh edhe sot kështu pas udhëtimeve disavjeçare të munguara në Atdhe? A nuk ndodh që në dhjetë vjet a më shumë të kenë dalë breza të ndryshëm poetësh... dhe nëse nuk do të ishin librat, pra këto pena që i shtuan ato në librari, natyrshëm do të dukej panjohësi, zbrazëti. Me këtë rast i urojmë të dy krijuesit, Fili dhe Sulkuqi, Gëzuar dhe jetë të gjatë, ... Sa më shumë libra të bukur!

No comments: