Tuesday 13 June 2017

GARDE APO REPART I SHTABIT TE PERGJITHSHEM?!!

SAFET N. RAMOLLI
(Studim i pjeshëm)
GARDE APO REPART I SHTABIT TE PERGJITHSHEM?!!
Në vend të hyrjes
   Në veprimtarinë ditë pas dite, por edhe vit pas viti, të Organizmave dhe Personaliteteve të Larta Ushtarake, por dhe atyre Shtetërore, ndeshim thuajse shpesh herë, ndoshta edhe nga pakujdesia e mjaftueshme, frazeologjizma të ndryshëm për të njëjtin qëllim shprehjeje. Më i pranishëm ky fenomen sidomos gjatë Lëvizjes Nacional-Ҫlirimtare të vendit dhe deri aty nga viti 1947. Po përse ka ndodhur kështu dhe cili do të ishte përdorimi më i drejtë i këtyre togfjalëshave?
Shërbimi i sigurimit të institucioneve ushtarake dhe drejtuesve të tyre edhe në Shqipëri është me histori të herëshme.
   Përgjatë rrugës së përshkuar në mbijetesën e tij, mjaft aktive dhe mbresëlënëse, populli shqiptar ka patur të organizuar në forma e madhësi të ndryshme forca të armatosura. Krejt natyrshëm në përbërje por, edhe në interes të sigurimit, të ruajtjes dhe të krijimit të kushteve të përshtatëshme për punë dhe veprimtari të frutëshme e dobiprurëse të institucioneve, organeve, por edhe të drejtuesve ushtarakë, ka qënë prezente, si domosdoshmëri imperative dhe objektive, edhe një bërthamë speciale ushtarake e epitetuar “Njësit”, “Skuadër”, “Kompani”, apo “Batalion”, por gjithësesi e bashkëshoqëruar me epitetin domethënës “Sigurimi”.
   Një bërthamë të tillë e hasim përgjatë gjithë rrugëkalimit të Forcave të Armatosura (FA-ve). Prandaj do të ishte me interes të veçantë që, në morinë e strukturave të tjera të FA-ve, të evidentohej dhe sistemohej, historia e lindjes, e organizimit, e ngritjes, e konsolidimit dhe e veprimtarisë të kësaj strukture krejt të veçantë dhe specifike.
   Në mos më herët, të paktën duhet t’i referohemi periudhës së Luftës Antifashiste Nacional-Ҫlirimtare të Shqipërisë në vitet 1939-1944 (L.A.N.Ҫ-it). Më 7 prill 1939, Shqipëria u pushtua, duke u zhytur herët dhe krejt pa dëshirë, në vorbullën e zhvillimeve të vrullëshme dhe të dhembëshme të Luftës II Botërore. Por politikës së italianizimit, shqiptarët, si rrallëkush në Evropë, do t’i përgjigjeshin me fillimin e rezistencës së armatosur që në ditën e parë. Në vazhdim, mrekullisht por jo edhe rastësisht, L.A.N.Ç.-i e popullit shqiptar, përgjithësisht përbën një fenomen mbarëkombëtar, heroik dhe dinjitoz. Ajo ishte një qëndresë e organizuar dhe fitimtare mbi dy nga armiqtë më të egër të njerëzimit deri më tash: fashizmi dhe nazizmi.
Dy konncepte: sa të ngjajshëm po aqë edhe të ndryshëm.
   Meqënëse në këtë punim do të hasim shpesh herë togfjalëshat: “Kompania e Sigurimit” apo “Kompania e Gardës”, “Batalioni i Sigurimit” apo “Batalioni i Gardës”, e të tjera, e gjykoj të arësyeshme të sqarohet marrëdhënia dhe ndërvartësia midis tyre. Binomet e togfjalëshave “Njësit Sigurimi” - “Grup Gardist”; “Kompani Sigurimi” - “Kompani Gardiste”, “Batalioni i Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm” - “Batalioni i Gardës”, dhe të tjerë të ngjajshëm si këto, të cilët jo vetëm kanë bashkëjetuar por edhe janë artikuluar në kohë të ndryshme me përmbajtje sa të ngjajshme po aqë edhe të ndryshme në misionin juridik, moral, human e shoqëror, që ato ngërthejnë e përmbushin, na grishin të japim edhe ndonjë mendim apo sugjerim.
   Gjykuar për misionin e ngarkuar, i cili duhet pranuar se është sa juridik po aqë edhe moral, fisnik dhe human, pa dashur të konfliktuojmë grupe të veçanta të komunitetit, nisur nga dëshira e mirë për të qartësuar përmbajtjen e këtyre nocioneve (togfjalëshave), po shpreh disa mendime.
   Këto e të tjera grupime togfjalëshash të ngjjajshëm me ‘to, i hasim krahas disa të tjerëve, përgjatë gjithë rrugëkalimit që kanë përshkuar Forcat e Armatosura të Shqipërisë në historinë e tyre. Për fat jo aqë të mirë, këto, krejt jo qëllimisht, ndoshta pa kujdesin dhe vëmendjen që meritojnë, janë epitetuar me artikulime të ndryshme. Prej këtej shpesh herë rrjedh edhe interpretimi i përmbajtjes së tyre jo në sensin dhe përmbajtjen e duhur. Mund të jetë edhe kjo një ndër arësyet që ata shpesh herë, sidomos prej njerëzve jo plotësisht të mirinformuar, të ngatërrohen me njëri-tjetrin jo vetëm në formë por edhe në përmbajtje. Kjo përplasje mund të arrijë deri në “mëkatin”e vendosjes, krejt padrejtësisht, të shenjës së barazimit midis tyre si në pikpamje të misionit ashtu dhe të zbatimit praktikisht në veprimtarinë e përditëshme.
Në këtë çështje ka disa gjëra, të cilat duhet të sqarohen jo vetëm për lexuesin e zakonshëm, por edhe për atë të kualifikuar apo të mirinformuar.
   Së pari, është e domosdoshme të interpretojmë kuptimin e këtyre nocioneve bazë sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, Fjalorit Enciklopedik Shqiptar dhe Ligjeve për Gardën e Republikës së Shqipërisë. Në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, botim i vitit 2006, në faqen 306-307, krejt qartë është interpretuar kuptimi i nocionit “Gardë”, çka do të thotë: “Repart i posaçëm për të mbrojtur udhëheqësit dhe drejtuesit e lartë të një vendi, për të ruajtur objekte të rëndësisë së veçantë, për të kryer shërbimet e nderit”, etj. Ndërkohë Fjalori Enciklopedik Shqiptar në faqen 304 për këtë problem shprehet krejt qartazi: “Njësi ushtarake me detyrë të posaçme për të siguruar udhëhjeqjen e Partisë dhe të Shtetit...”. Por edhe në dy ligjet, që njihen deri tani, për Gardën e Republikës së Shqipërisë, nocioni “Gardë” përcaktohet sa më poshtë: “Garda e Republikës së Shqipërisë është njësi ushtarake e specializuar për ruajtjen e Personaliteteve të Larta Shtetërore dhe të Selive e Rezidencave të përcaktuara në këtë ligj. Ajo bën pjesë në strukturën e Ministrisë së Rendit Publik dhe varet nga Ministri”. Kështu shprehet Ligji Nr. 7602, dt. 09.09.1992, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, Neni 1. Ndërsa Ligji Nr. 8869, dt. 22.05.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë” jep përcaktimin që vijon: “Garda e Republikës së Shqipërisë është strukturë me status të veçantë në Ministrinë e Rendit Publik; ajo varet nga ministri i rendit publik si dhe është person juridik... Ajo ruan e mbron drejtpërsëdrejti Presidentin e Republikës, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin  dhe personalitetet e tjera që përcaktohen në ligj... Ajo ruan edhe institucionet e Shtetit Shqiptar të përcaktuara në këtë ligj.
   Ndërkohë nocionet “Kompani”, “Batalion” si struktura ushtarake, duke u ngjizur epitetin ”Sigurimi”, marrin kuptimin e krijimit të një strukture ushtarake në përmasa të përcaktuara organikisht, me qëllim që të garantojnë një gjendje pa ndonjë  rrezik a të keqe të papritur për misionin që kanë, p.sh. të sigurojnë e mbrojnë personalitetet e larta të shtetit apo ato ushtarake si dhe mjediset ku ata kryejnë veprimtari. Apo, për më tej, të merren masat për të mbrojtur dikë a diçka nga rreziqet dhe të papriturat. Nocioni “kompani” do të ketë kuptimin e një njësie (më mirë të shprehemi, të një strukture ushtarake S.R) të përbërë prej disa togash të së njëjtës armë. Të paktën për më shumë se gjysëm shekulli (1945 – 1990 S.R) kompania ka qënë e përbërë prej tri togash, në secilën prej tyre zakonisht janë tri skuadra, secila me efektiv prej dhjetë vetash. Kështu efektivi i një kompanie zakonisht është i përbërë prej gati 100 (njëqind) vetash. (Fjalori i Gjuhës Shqipe, botim i vitit 2006, Fq. 478). Për nocionin “batalion” po në këtë fjalor, në faqen 80, jepet spjegimi si vijon: “njësi ushtarake e regjimentit, që ka disa kompani”. Unë do të spjegoja nga eksperianca prej mëse 40-vjeçare si ushtarak i mirëfilli (1967-2004 S.R) se, batalioni është repart ushtarak këmbësorie, në përbërje të një brigade, dhe jo regjimenti, apo si strukturë autonome e një njësie ushtarake si Divizioni, Korpusi a Grupimi, por edhe si rezervë apo njësi ndihmëse e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, i përbërë zakonisht prej tre kompanish. Madhësia e një kompanie është zakonisht ajo e shpjeguara më sipër.
   Mandej duhet bërë dallimi midis institucioneve në pikëpamje të funksionit organizativ, vartësisë, detyrave që përmbushin etj., etj. Prandaj s’mund të vihet shenja e barazimit midis institucioneve ushtarake dhe atyre civile. Por fatkeqësisht, pas pushtimit ushtarak më 7 prill 1939, u shkërmoqën të gjitha institucionet e Shtetit Shqiptar, ashtu sikurse pushoi së ekzistuari e vepruari edhe Ushtria Kombëtare. Bashkë me këto pushuan së ekzistuari edhe strukturat, që ishin në shërbim të ruajtjes e të sigurimit të Personaliteteve të Larta Shtetërore dhe të Institucioneve Shtetërore, sikurse ishte Garda Mbretërore, por edhe struktura speciale, e cila ruante e siguronte Shtabin Madhor të Fuqive Armate dhe Personalietet e Larta Ushtarake. Në vijim, në vitet e zhvilllimit të Luftës Nacional-Ҫlirimtare 1939-1944, nuk pati asnjë dallim midis strukturave ushtarake, të cilat u krijuan, u fuqizuan dhe funksionuan, me ato të cilat pretendonin se kryenin edhe funksionet e shtetit, por që nuk patën as organizim të qartë, e për më tepër nuk vepruan si të tilla, sepse nuk u arrit të formohej ndonjë organizëm kombëtar, që të përfaqësonte interesat e gjithë popullit shqiptar. Gjatë kësaj periudhe problemi komplikohet edhe më tepër, sepse nuk ka asnjë dallim esencial (në përmbajtje së pari, e pastaj në formë S.R) midis forcave të armatosura dhe organizmave që u krijuan, dhe që pretendonin se kryenin funksionet e shtetit. Në të kundërtën, drejtuesit e formacioneve dhe institucioneve ushtarake quheshin edhe drejtuesë të shtetit, por gjithësesi të një shteti pa shtet, pa kabinet qeveritar dhe pa institucionet përkatëse. Ndoshta duhet të pranojmë se, pas Konferencës së Dytë të Këshillit Antifashist mbajtur në Berat në fundtetori 1944, kur edhe u shpall krijimi i Qeverisë Demokratike Shqiptare, kjo strukturë ushtarake siguron njëherësh drejtuesit e lartë ushtarakë të Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë Nacional-Ҫlirimtare dhe ata të hallkave më poshtë, por edhe personat e zgjedhur (më mirë të themi të caktuar S.R), si drejtuesë të Shtetit Shqiptar.
   Në të pastajmen, për shkak të ideologjizimit të gjithëçkaje për gati 50-të vjet pas përfundimit të Luftës II Botërore, në Shqipëri edhe institucionet a organizmat ushtarake drejtoheshin dhe ishin në funksion të partisë-shtet. Për këtë arësye institucionet ushtarake ishin thjesht vegla, instrumenta, leva të partisë në pushtet, apo sikurse thirreshin e quheshin “armë të diktaturës së proletariatit”, ndërsa drejtuesit e saj ishin “monopol i partisë”.
   Afruar më afër në kohë, duhet bërë qartë dallimi mes strukturave që ruajnë e sigurojnë institucionet ushtarake dhe drejtuesit e tyre, dhe atyre që ruajnë e sigurojnë institucionet shtetërore dhe personalitetet e larta që drejtojnë shtetin. Ato, për shkak të organizimit, pra të formës më pak, e sidomos të misionit apo të funksionimit, pra të përmbajtjes më shumë, janë cilësisht të dallueshme, prandaj edhe duhet të trajtohen si të tilla. Kjo çështje duhet të sqarohet sidomos për periudhën e Luftës Antifashiste Nacional-Ҫlirimtare dhe disa vite pas çlirimit të vendit, kur strukturat e ruajtjes e të sigurimit të institucioneve ushtarake, quhen edhe struktura për ruajtjen dhe sigurimin e institucioneve shtetërore dhe të personalieteve të larta të shtetit. Prej këtij keqinterpretimi, natyrisht jo dashakeq, marrin jetë dhe bashkëjetojnë për të njëjtën strukturë ushtarake emërtime të ndryshme si p.sh “Njësiti për sigurimin e Shtabit të Përgjithëshëm” i barazvlerëshëm me “Grupi gardist për sigurimin e anëtarëve të Shtabit të Përgjithëshëm dhe anëtarëve të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Shqiptare”; më vonë “Kompania e Sigurimit” e barazvlerëshme me “Kompania Gardiste”; akoma më vonë “Batalioni i Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm” i barazvlerëshëm me “Batalioni i Gardës”, etj, etj.
   Më në të pastajmen, mbetet ende e nevojshme të zhvishemi nga politizimet duke i dhënë profesionalizmit hapësirën e domosdoshme në çështjet që i përkasin historisë. Shqiptarët e dinë fare mirë se, pas Shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912, u krijua një Qeveri e Përkohëshme nën drejtimin e I. Qemalit, e cila mori përsipër të administronte territorin shqiptar dhe banorët e tij të mbetur pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, duke krijuar të gjitha institucionet civile dhe ushtarake, të cilat i ka të nevojëshme një qeverisje. Në këtë qeverisje funksionoi edhe Institucioni i Luftës, i cili përveç drejtuesit kryesor, kishte edhe një Shtab Madhor të përbërë nga ushtarakë të mirëfilltë, por edhe me detyrë krejt të qartë për të përgatitur, drejtuar dhe komanduar forcat e armatosura shqiptare, pavarësisht nga madhësia dhe gjëndja luftarake e tyre. Por, qoftë edhe për arësyen e vetme që, si drejtuesi i Ministrisë Mbrojtes ashtu edhe ai i Shtabit Madhor vinin nga një shtet me tradita në të dyja fushat, nuk ka asnjë arësye që, Shtabi Madhor të mos kishte një strukturë të armatosur për ruajtjen dhe sigurimin e Tij në këto situata aqë të vështira.
   Më vonë, në vitin 1920, është pranuar që në Shqipëri krijohet Shteti i Ri Shqiptar, (i njohur ky edhe nga Lidhja e Kombeve S.R) me drejtuesë të formuar si statistë, por edhe mjaft të talentuar dhe atdhedashës. Edhe qeveria e drejtuar nga Sulejman Delvina krijoi të gjitha ministritë përkatëse, përshi edhe atë të Mbrojtjes, e cila nga ana e vet kishte Shtabin Madhor, që drejtonte F.A-të. Ky shtet erdhi duke u fuqizuar, edhe pse pati probleme të marrëdhënieve midis forcave politike dhe klaneve qeveritare. Edhe në këtë qeverisje FA-të drejtoheshin nga ushtarakë profesionistë, të cilët medoemos që vlerësonin edhe rolin e forcave të ruajtjes e të sigurisë të shtabeve ushtarake, prandaj edhe i krijuan dhe fuqizuan ato.
   Më vonë, më 1925-1939, Shteti Shqiptar organizohet, përpos përvojës së administrimit shqiptar, thuajse tërësisht sipas modelit perëndimor. Mbetet një realitet, që duhet pranuar pa keqdashje, se F.A-të bënë mjaft përparime. Në strukturat e saj, përpos Gardës së Shtetit, e cila në vitin 1928 emërtohet “Garda Mbretnore”, funksiononte edhe struktura speciale për ruajtjen, sigurimin dhe krijimin e kushteve të nevojëshme për punë e veprimtari të Shtabit Madhor të Ushtrisë. Kjo strukturë speciale, jo vetëm vlerësohej me seriozitetin që meritonte, por edhe përgatitej e vepronte sipas instruksioneve të integruara nga specialistë ushtarakë anglezë, austriakë, italianë e të tjerë.
   Për më afër akoma, duhet t’i referohemi pa pasione politike historisë. Historia e popullit tonë është e mbushur me shembuj të heroizmit dhe sakrificave për të mbrojtur trojet e të parëve si rrallë popuj të tjerë në rajon dhe më gjerë. Ajo ka qënë e mbetet e denjë për t’u pohuar dhe jetuar. Por dihet që sa më e lashtë të jetë historia e një populli aqë më e pasur do të jetë ajo. Në këtë kuptim nuk ka asnjë arësye që edhe lindjen, krijimin, konsolidimin dhe veprimtarinë e Batalionit të Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë të mos e kërkojmë sa të jetë e mundur më herët. Natyrisht, në këtë çështje nuk mund të merren gjërat apriori, por deri sa Historia e Ushtrisë Shqiptare është e shkruar dhe e argumentuar qartë, edhe komponentët përbërës strukturorë të saj duhet të evidentohen sa të jetë e mundur, që në origjinën dhe krijimin e tyre. Prandaj edhe krijimi i strukturës së sigurimit të institucioneve ushtarake dhe të drejtuesve të saj duhet kërkuar, në mos me shpalljen e pavarësisë më 28 nëntor 1912, me doemos ajo duhet t’i përkasë fillimvitit 1920, pikërisht atëhere kur u krijua Qeveria e dalë pas Kongresit të Lushnjës. Por edhe nëse nuk  mund të ndihemi të argumentuar plotësisht për këtë periudhë, data 12 shkurt i vitit 1944, e mbajtur për gati 50-të vite si data e krijimit të Gardës së Republikës, duhet të shërbejë si datë e rikrijimit të strukturës ushtarake speciale, të themi edhe e Batalionit të Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë Shqiptare.
Përfundimisht, mendimi im personal (S.R) është se, gjatë Luftës Nacional-Ҫlirimtare dhe deri në vitin 1947, kur gjejmë mirëfilli termin “Gardë”, jo vetëm që duhet të mbetemi në termin “Kompani Sigurimi” apo “Batalion Sigurimi”, por edhe ta respektojmë këtë nocion, dhe jo “Kompani Gardiste” apo “Batalion Gardist”.
Rilindja e strukturave të sigurimit dhe të ruajtjes së Institucioneve Ushtarake.
   Ndryshimet dhe zhvillimet, që provonte e përjetonte vendi ynë në fushën e politikës, ekonomisë, në atë sociale dhe të tjera, krejt natyrshëm edhe strukturat ushtarake do t’i ndiqnin e pasqyronin krejt qartë. Pushtimi fashist i vendit do të bashkëshoqërohej me shkoqitjen dhe shpërbërjen e të gjitha strukturave shtetërore, ushtarake, ekonomike, e të tjera. Nëse Ushtria Kombëtare nuk mundi të përmbushte misionin e saj në pragprilli 1939, duhet pohuar se, u trashëgua një kontigjent ushtarakësh me shkolla e akademi ushtarake, të cilët vunë në dobi të luftës për çlirim jo vetëm atdhedashurinë, trimërinë, qëndrueshmërinë, sakrificat, etj., por edhe përvojën dhe profesionalizmin e mirëfilltë ushtarak. Midis atyre spikatin Spiro Moisiu, Mehmet Shehu, Dali Ndreu, Shefqet Peçi, Islam Radovicka, Tahir Kadare, Et’hem Barhami, Mustafa Matohiti, Memo Meto, Qazim Kapisyzi, Rrahman Parllaku, Todi Naço, e disa dhjetra të tjerë, të cilët me përgjegjësinë e profesionit si ushtarakë atdhetarë, muarën në duartë e tyre organizimin, drejtimin dhe komandimin praktik të njësive të mëdha të Ushtrisë N.Ç. Tashmë mbetet fakt gati i gjitëpranuar se, kontigjenti patriotik dhe luftarak i LNÇ-it u drejtua dhe komandua nga mjaft ish-oficerë të Ushtrisë Kombëtare të para vitit 1939. Ata krijuan çetat apo formacionet e para të rezistencës antifashiste, ashtu si mjaft prej atyre u vunë me meritë të padiskutueshme në komandim dhe drejtim të tyre. Ndër ata u shquan: Abaz Shehu, Asim Zeneli, Spiro Shalësi, Zylyftar Veleshnja, Agush Gjergjevica, Dino Kalenja, Ernest Jakova, Hamit Keçi, Esat Ndreu, Xhemal Punavija, e mjaft të tjerë, pa përmendur ata që i veçuam më lart. Gjithësesi ata janë me dhjetra, me shkëlqim dhe kontribute të veçanta, por të përbashkët patën idealin si dhe vullnetin e admirueshëm deri në gatishmërinë për të sakrifikuar edhe jetën e tyre, për ta çliruar truallin e të parëve dhe popullin e tyre.
   Organizimi i Lëvizjes Nacional-Ҫlirimtare përmes formës së saj më të lartë, Luftës së Armatosur Nacional-Ҫlirimtare, do të bënte domosdoshmëri imperative ngritjen dhe funksionimin normal të organizmave dhe organeve të drejtimit dhe të komandimit të formacioneve të ndryshme luftarake. Organi më i lartë, me kompetenca të mjaftueshme komandimi, drejtimi, dhe bashkëveprimi e bashkëpunimi brenda vendit dhe me homologët e tjerë të Koalicionit Antifashsit jashtë vendit, rezulton Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Ҫlirimtare (SH.P. U.N.Ҫl), i krijuar më 10 korrik 1943 në fshatin Labinot Mal të rrethit Elbasan. Ky organ i mirëfilltë ushtarak, i konceptuar dhe ngritur jo vetëm mbi bazën e trashëgimisë kombëtare por edhe të përvojës së ushtrive të vendeve fqinjë apo edhe më larg, krejt natyrshëm do të kishte në strukturën e Tij, krahas mjaft të tjerave, edhe një bërthamë, qoftë edhe të vogël, e cila do të kishte si detyrë thelbësore e parësore: Ruajtjen dhe sigurimin e Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë Nacional-Ҫlirimtare, por edhe do të kujdesej për krijimin e kushteve për punë, veprimtari e jetesë normale, sa të ishte e mundur më shumë. Në dokumentet arkivore kjo strukturë gjendet e emërtuar: “Njësiti i Sigurimit”, rreshtohet krahas strukturave të tjera të Shtabit të Përgjithëshëm, kompletohet me efektiva nga më të përkushtuarit dhe profesionistë, ashtu si detyrat i merr nga SH.P dhe vepron drejtpërdrejt në interes të tij.   
   Meqënëse L.N.Çl-i u zgjerua, formacionet e saj u bënë më të shumtë dhe më të mëdha në numër, por edhe veprimet u bënë më dinamike dhe me shtrirje në të gjithë territorin, lindi si domosdoshmëri zgjerimi i kësaj strukture të posaçme. Situatat krijoheshin dhe zhvilloheshin me mjaft shpejtësi e intensitet, prandaj SH.P.U duhej të drejtonte nga vend-qëndrime e vend-drejtime të ndryshme, por edhe me grupe të përbërë prej anëtarëve të tij. Prandaj, për të garantuar një veprimtari drejtuese e komanduese të Tij në kushte sa më të sigurta që të ishte e mundur, duhej të krijohej një forcë e armatosur e posaçme, e paangazhuar me detyra të tjera luftarake dhe shërbimi.
   Gjatë Operacionit armik të dimrit 1943-1944, SH.P.U drejtonte në fshatin Panarit të rrethit Korçë. Me që veprimtaria e Tij dhe e Këshillit të Përgjithëshëm Nacional-Ҫlirimtar faktikisht dhe praktikisht bëheshin gjithnjë e më operativë, nga njëra anë, por edhe sepse duhej të garantohej një shërbim ruajtjeje më i specializuar, më funksional dhe më i kudondodhur, nga ana tjetër, shtronte detyrën e ngutëshme për organizimin e një strukture ushtarake të posaçme, me detyrë e mision: ruajtjen dhe sigurimin e Drejtuesve të Luftës Nacional-Ҫlirimtare, të vend-drejtimeve dhe të vend-dislokimeve të organeve dhe organizmave drejtuesë e komanduesë të luftës; sigurimin e rrugëkalimeve të drejtuesve ushtarakë etj. Kjo detyrë duhej realizuar me sukses, me çdo kusht dhe me çdo sakrificë.
   Prandaj për të realizuar këtë SH.P. i U.N.Ҫl, duke vlerësuar misionin specifik, por që njëherësh kërkonte edhe përkushtim atdhetar dhe trimëri e guxim të spikatur, porosiste që të vinin partizanë nga formacionet ekzistuesë nga i gjithë vendi pa bërë asnjë dallim tjetër krahinor, fetar, moshe, e të tjera. Më 12 shkurt 1944, u mblodhën partizanët, e sapoardhur nga territoret e tjera dhe, pasi iu sqaruan domosdoshmërinë e krijimit të një Strukture Speciale, u komunikua urdhëri për formimin e Formacionit të Posaçëm të përbërë prej 34 partizanë e partizane, por njëkohësisht u shpall edhe komandanti e komisari i kësaj strukture specifike, përkatësisht Axhem Abazi (Sinani S.R) dhe Maqo Zoto, dy nga partizanët më trima e më të vendosur, të cilët kishin dhënë prova të mjaftueshme edhe për besnikëri, fisnikëri e humanizëm. Njëherësh u sqarua edhe detyra thelbësore kryesore dhe me përgjegjësi të veçantë e këtij formacioni, e cila ishte: “Të sigurojë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Ҫlirimtare dhe të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Shqiptare. Pjesëmarrësit e këtij formacioni, gjithësesi dhe në unison janë të një mendimi se, në shkurt 1944 u krijua Kompania e Ruajtjes dhe e Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë Nacional-Ҫlirimtare, e cila i merrte detyrat nga Kryetari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacinal-Ҫlirimtare, që në këtë kohë ishte major Spiro Moisiu, një ushtarak i karrierës i kompletuar, mjaft i njohur dhe i respektuar i kohës, por edhe në të pastajmen.
   Kjo datë për gati 50-të vjet do të kujtohej si Data e Krijimit të Gardës së Republikës, duke e patur zanafillën tek një propozim që bënë disa prej efektivit të kësaj kompanie në vitin 1961, propozim i mbështetur tërësisht edhe nga gjenerali Spiro Moisiu. Ky urdhër u dekretua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, si i vetmi organ shtetëror i ngarkuar, krahas të tjerash edhe, me këtë përgjegjësi dhe detyrim. Por grupi nismëtar për grumbullimin e argumenteve, të cilat na çojnë në datën e Krijimit të Gardës së Republikës, mendoj me dashamirësi, se, në këtë përfundim ka arritur duke gjykuar me dëshirën e mirë, se kemi të bëjmë me një bërthamë të armatosur, e cila për nga misioni që përmbush, i përqaset mjaft misionit që ka përmbushur ndërvite por, edhe që plotëson aktualisht Garda e Republikës. Por më së shumti mendojmë se, kemi të bëjmë me një strukturë të armatosur, jo vetëm të emërtuar krejt qartë “Kompania e Sigurimit”, por edhe me përmbajtje mjaft konkrete në përqasje edhe me misionin në ditët e sotme. Kjo strukturë e posaçme, pra “Kompania e Sigurimit të SH.P.U-së”, mbetet struktura e parë e këtij lloji me mision të mirëfilltë për ruajtjen dhe sigurimin e Tij, mision i cili do të vijojë edhe në ditët e sotme, natyrisht me plotësime dhe perfeksionime në formë, dhe sidomos në përmbajtje.    Ndoshta, organizmat përkatës kompetentë, mund të prononcohen dhe të vendosin që, kjo të jetë edhe si datë e Rikrijimit të Batalionit të Sigurimit të SH.P.U-së, në mos po, si e tillë, të konsiderohet ajo, e cila rrjedh nga organizimi i Shtabit të Përgjithëshëm më 10 korrik 1943, i cili ka në strukturë edhe “Njësitin e Sigurimit”. Mendimi im personal (S.R) mbetet se, ky debatim dhe vendim për caktimin e datës së Krijimit të Gardës, përbën një argument bindës, pasi mbi këtë bazë në vitin 1964, Gardës së Republikës do t’i dorëzohej edhe Flamuri Luftarak. Njëherësh edhe në të pastajmen, vit pas viti deri në vitin 1993, në çdo 12 shkurt do të përkujtohej me masa të plota organizative Data e Krijimit të Gardës së Republikës.
   Por nga studime mjaft serioze rezulton se, elementë mirfilli të misionit të Gardës i gjejmë shumë më përpara nga kjo datë, pra nga 12 shkurti i vitit 1944, ashtu sikurse është krejt e qartë se si Datë Krijimi për Gardën e Republikës është përzgjedhur dhe caktuar 24 qershori i vitit 1928. Nuk ka asnjë arësye që të konsiderohet si datë krijimi e Gardës 12 shkurti 1944, përveçse ajo mund dhe duhet të konsiderohet, si data e Rikrijimit të Kompanisë së Sigurimit, për rrjedhojë logjike edhe e Batalionit të Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë.  
   Ky efektiv do të ndiqte me përgjegjësi të gjitha veprimet e SH.P.U deri në çlirimin e plotë të vendit duke u riorganizuar dhe perfeksionuar në vijimësi. Në fillim të muajit prill 1944, qëndra e SH.P. U.-së vendoset në Helmës të Skraparit. Është një zonë në skajet kufizuesë të rretheve Korçë e Skrapar. Ky vend u gjykua se SH.P.U do të kishte kushtet më të përshtatëshme për të punuar e drejtuar në siguri më të lartë natyrore dhe të përbërjes së popullsisë. Këtu u instaluan edhe mjetet e ndërlidhjes (komunikimit) me shtabet e formacioneve ushtarake, duke shërbyer për mjaft vite edhe si Data e Krijimit të Shërbimit të Ndërlidhjes, pikërisht më 22 qershor 1944.
   Në këtë kohë, numri i efektivit të Kompanisë së Sigurimit të SH.P të U.N.Çl-së u rrit në 50 partizanë e partizane, prandaj Kompania e Sigurimit tashmë do të organizohej me katër skuadra. Nuk mund të lihet jashtë trajtimit edhe fakti që, efektivi i kësaj Kompanie, kishte detyrë parësore edhe ruajtjen dhe sigurimin e Misioneve të Huaja Ushtarake, të cilët ndodheshin të strehuar në banesa të veçanta në fshatrat Staraveckë, Helmës, por edhe në fshatra të tjerë përqark. Këtë fakt e gjejmë të pohuar dhe të pranuar në të gjitha botimet e ish-misionarëve ushtarakë anglezë në vendin tonë gjatë zhvillimit të Luftës N.Ç, të cilat nuk janë as të pakta por as edhe të pasakta.
   Meqënëse në Helmës u rrit numri i personave, të cilëve u duhej shërbyer me masa për ruajtje e sigurim, u gjykua të shtohej përsëri numri i efektivit të Kompanisë së Sigurimit. Kështu në fund të muajit prill 1944 ky numër arriti në 100 partizanë e partizane. Kompania në këtë periudhë u organizua në tri toga, ndërsa çdo togë kishte tri skuadra. Me interes mbtetet të nënvizohet që, Instruksioni Nr. 154 i Shtabit të Përgjithëshëm të U.N.Ç-së me titull: “Për shërbimin e rojes”, së pari do të gjente zbatim nga efektivi i Kompanisë së Sigurimit, mandej edhe nga formacionet e tjera partizane.
   Më 24-28 maj 1944, në Përmet, në Kongresin me emrin e këtij qyteti, u shpall njësimi i Komandës së U.N.Ç-së në një dorë të vetme, duke u krijuar kështu Komanda e Përgjithëshme e kësaj ushtrie nën urdhërat e Komandantit të Përgjithëshëm të saj. Shtabi i Përgjithëshëm, pra Shtatmadhoria, tashmë i merrte urdhërat prej Komandës së Përgjithëshme.
   Pak muaj më pas, në fundgushtin e vitit 1944, Lëvizja N.Ç, jo vetëm që ishte zgjeruar duke u shtrirë në terren mjaft të gjerë, por edhe ishte shtuar me mjaft formacione të armatosura, njëherësh edhe veprimet luftarake të saj ishin bërë mjaft intensive, pra për rrjedhojë edhe me më shumë efektivitet. Ka trokitur edhe vjeshta e vitit 1944, dhe thuajse gati tre të katërtat e territorit shqiptar ishte çliruar. Veprimtaria e SH.P.U-së do të shtrihej në tërë zonat e çliruara, por edhe në ato që ndodhen të përfshira në veprimtari të drejtpërdrejtë luftarake. Prandaj lypsej që efektivi i Kompanisë së Sigurimit të shtohej në numër. Për këtë qëllim u lëshua një urdhër, që të thirreshin 80 partizanë e partizane nga Korparmata e Parë e U.N.Ç-së, e krijuar pak kohë më parë, me idenë që efektivi për ruajtjen dhe sigurimin e Shtabit të Përgjithëshëm, deri në këtë kohë i organizuar në Kompani, të organizohej në një hallkë më të madhe dhe më të lartë hierarkike, pra në Batalion.
   Kemi ardhur kështu në muajin tetor 1944. Në qytetin e çliruar të Beratit do të zhvillonte punimet Konferenca e Dytë e Këshillit Antifashist. Në këtë kohë, në pikpamje organizative të Kompanisë së Sigurimit, evidentohet një ngjarje mjaft e rëndësishme. Me 100 partizanët e partizanet e Kompanisë së Sigurimit, dhe me 30 të tjerë të sapoardhur nga Korparmata e Parë e Ushtrisë Nacional-Ҫlirimtare, më 25 tetor u krijua Batalioni i Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë N.Ç. Në komandën e këtij formacioni të sapokrijuar, për drejtim e komandim u caktuan përkatësisht, në funksionin e komandantit dhe të komisarit, partizanët Hajdar Aranitasi dhe Rita Marko. Në këtë mënyrë, nga dokumentacioni që kemi në dispozicion, për herë të parë përballemi me togfjalëshin “Batalioni i Sigurimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë N.Ç”, një emërtim i cili me formulime të pjesëshme në formë por jo në përmbajtje, të cilat kanë evoluar në përshtatje me ndryshimet strukturore që ka pësuar Ushtria Shqiptare, i kanë rezistuar kohës. Kjo datë mund të shërbejë si datë për rikrijimin e Batalionit të Sigurimit, strukturë e rëndësishme kjo përgjatë gjithë rrugëkalimit të Ushtrinë Shqiptare. Emri i ri që mori kjo strukturë, natyrshëm lypte edhe një përcaktim serioz e dinjitoz të misionit juridik e moral. Kjo detyrë konkretizohet si vijon: “Të sigurojë Personalitetet e Qeverisë Demokratike të Shqipërisë të dalë nga Konferenca e Dytë e Këshillit Antifashist Nacional-Ҫlirimtar në Berat, si dhe Shtabin e Përgjithëshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare”. Por duhet nënvizuar edhe fakti se, ndodhemi në kohën dhe kushtet kur bashkëjetojnë të dyja emërtimet. Krahas emërtimit të mësipërm, gjithnjë e më shpesh artikulohet edhe termi “Gardë”. Edhe pse ka ndodhur kështu, nuk ka asnjë arësye që të vihet në dyshim emërtimi “Batalion i Sigurimit të SH.P-së”, dhe as misioni i tij juridik por edhe moral e human, i nënvizuar më lart.
   Për organizimin strukturor të këtij Reparti Special, jo vetëm dokumentat arkivore dhe disa nga drejtuesit e Batalionit të Sigurimit të SH.P-së, por edhe disa nga pjesëmarrësit në këtë formacion specifik, japin spjegime krejt të qarta. Ata pohojnë, thuajse pa diferenca të konsiderueshme se, Batalioni ishte i organizuar në tri kompani, çdo kompani kishte tri toga, dhe çdo togë kishte tri skuadra. Nga ky pohim mund të arrijmë në përfundimin se, ky Repart Special, për të cilin shprehemi, përbëhej nga 3 kompani, 9 toga dhe, 27 skuadra. Ndërkohë në drejtim të kompanisë nuk është vetëm komandanti e komisari, por ata kanë respektivisht edhe nga një zëvendës të tyre, çka na bën të arsyetojmë se, ndodhemi në kushte mjaft komode për komandim e drejtim meqënëse kemi një numër të mjaftueshëm kuadro në funksion të përgjegjësisë dhe autoritetit të oficerit. Në batalion komandonin e drejtonin më shumë se 45 kuadro të niveleve të ndryshme. Njëherësh vijonte detyra për sigurimin edhe në të ardhmen e Misioneve të Huaja Ushtarake si në vendbanimet, në vendet e punës, ashtu edhe në rrugëkalime gjatë lëvizjeve të ndryshme.
   Detyrat e shërbimit intensifikoheshin në mënyrë të dukëshme sepse veprimtaria e Qeverisë Demokratike, ajo e Shtabit të Përgjithëshëm të U.N.Ç-së dhe e disa kuadrove të tjerë kryesorë, bëhej gjithnjë e më dinamike. Delnin mjaft probleme, disa prej tyre, për të mos pohuar shumica e tyre, lypnin zgjidhje emergjente, çka edhe impononte më shumë lëvizje, për rrjedhojë edhe më shumë masa sigurimi e ruajtjeje për Batalionin e Sigurimit të SH.P të U.N.Ç-së. Njëherësh duhet pranuar se edhe përvoja për të përmbushur këtë misionin me mjaft përgjegjësi, si ajo e trashëguar por edhe ajo e huajtur nga homologët, thuajse nuk njihej, për rrjedhojë edhe nuk ndihej pozitivisht efekti i saj. Mënyra se si organizohej kjo strukturë specifike, por edhe misioni i saj për ruajtjen dhe sigurimin e drejtuesve të Ushtrisë por edhe të Shtetit, i jep asaj karakterin e një Trupe Bodigardë, pra edhe të një Garde në kuptimin e mirëfilltë të këtij nocioni. Është kjo arësyeja, që kjo strukturë është konsideruar si Gardë deri aty nga viti 1945, kohë kur ka një farë ndarjeje më të qartë midis këtyre dy nocioneve: “Garda e Republikës” dhe “Batalioni i Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm”, ndarje e cila në të pastajmen rezulton krejt e qartë si në formë ashtu edhe në përmbajtje, pra si në strukturë edhe në mision. Kjo formë organizimi e efektivit të Batalionit të Sigurimit, misioni dhe veprimtaria e tij, vijuan deri në ditën e çlirimit.

 Shërbimi: detyrë parësore e Batalionit të Sigurimit.
   Gjatë Luftës Nacional-Ҫlirimtare (1939-1944 S.R) detyrë parësore e kësaj strukture speciale ka qënë kryerja e shërbimit të ruajtjes dhe sigurimit të personaliteteve drejtuesë jo vetëm të Shtabit të Përgjithëshëm të U.N.Ç-së por edhe të strukturave, të cilat përmbushnin detyrimet e Shtetit Shqiptar. Përvoja flet, se veprimet luftarake e kanë nevojë për drejtim e komandim, ashtu sikurse organet drejtuese e komanduese janë ndër objektivat parësorë që synohen të mënjanohen, të neutralizohen, ose të shkatërrohen. Edhe në ditët e sotme, vend-komandat, vend-drejtimet, shtabet dhe drejtuesit kryesorë ushtarakë apo shtetarë, mbeten objekte parësore që synohen të nxirren jashtë detyrës luftarake apo asaj të drejtimit.
Këtë fakt e njihnin mirë drejtuesit e Shtabit të Përgjithëshëm të U.N.Ç-së, por edhe mjaft kuadro në njësi e reparte luftarake në varësi të tij. Kjo sepse, sikurse e kemi nënvizuar disa herë më sipër, mjaft prej tyre vinin pas studimeve të larta ushtarake bashkëkohore në vendet perëndimore me rezultate të shkëlqyera, apo edhe kishin drejtuar me sukses struktura të ndryshme në ushtritë e këtyre vendeve.
   Kjo njëherësh do të shtronte edhe detyrën thelbësore dhe të përherëshme që, këto organizma e organe, si dhe titullarët civilë e ushtarakë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurimit kombëtar, të jenë në çdo situatë e rrethanë, të garantuara dhe të siguruara kundër synimeve asgjësuese. Prandaj shërbimi i ruajtjes të këtyre objekteve të rëndësisë së veçantë, mbeti kudoherë dhe sistematikisht një detyrim kombëtar, një detyrë parësore në veprimet luftarake, si dhe një përkushtim ligjor e moral në çdo kohë. Është edhe kjo arësyeja që drejtuesit e kësaj strukture specifike, pavarësisht nga niveli i organizimit, i gjendjes konkrete të tij dhe i zhvillimit të situatave, krejt natyrshëm kanë planëzuar e zbatuar masa të hollësishme për sigurimin dhe ruajtjen e Personaliteteve të Larta Ushtarake apo Civile në çdo periudhë historike. Edhe Kompania e Sigurimit në fillim, dhe Batalioni i Sigurimit më vonë, gjatë Luftës Nacional-Ҫlirimtare, që në momentet e para dhe në vijimësi, do të zbatonte mjaft masa për kryerjen e detyrave të shërbimit, të ruajtjes e të sigurimit, si dhe për aftësimin profesional e fizik të saj. Shërbimi i rojes organizohej me ndërresa dhe në vartësi të kushteve të terrenit e të motit. Shërbimi i rojes dhe i sigurimit të këtij nënreparti special, organizohej dhe kryhej sipas përvojës së reparteve të tjera partizane por edhe të strukturave të së njëjtës natyrë të homologeve të huaja, të cilët ishin të ngjajshëm në pikpamje të kushteve si dhe të situatave në të cilat vepronin. Hyrja në mjediset e banimit dhe të punës të drejtuesve të lartë ushtarakë e civilë, bëhej vetëm me pëlqimin e tyre, por gjithësesi rreptësisht të kontrolluar.
   Ky nënrepart special detyrat i përmbushte në bashkëpunim mjaft të preçizuar me formacionet partizane të zonës apo forcat territoriale ku vendosej dhe kryente detyra SH.P.U. Në kohën e pazënë me shërbim roje, efektivi i Kompanisë së Sigurimit zhvillonte stërvitje të programuar për aftësimin profesional ushtarak. Pak kohë përpara lëvizjes së anëtarëve të SH.P të U.N.Ç-së nga një rajon në tjetrin, duhej të bëhej rregullisht dhe me përgjegjësi përnjohja e rrugëkalimit, e mjediseve ku do të kryhej veprimtaria; të merrej kontakt, sipas mundësive reale, me personat më të besuar të zonës apo të vendbanimit; të hyhej në lidhje me personat që kishin më shumë influencë në zonën ku do të zhvillohej veprimtaria; të kontrolloheshin dhe të përcaktoheshin qartë rrugëkalimet; të bëhej “krehja”, (kontrolli fizik i territorit), ashtu sikurse titullari duhej të shoqërohej dhe të ruhej përgjatë rrugëkalimit me forca në pararojë e praparojë, por edhe në anashrojë, si dhe të tjerë elementë të ruajtjes e sigurisë. Në një farë mënyre dhe kuptimi, kemi të bëjmë me një ruajtje rrethore, ashtu si edhe vendet e banimit e të punës ruheshin po me masa më të plota.
   Koha e pushimit i shërbente rigjenerimit të energjive të konsumuara. Efektivi në përmbushjen e detyrës motivohej nga mendësia se, shërbimi i rojes dhe i sigurimit që ata kryenin, ishte në të mirë të drejtpërdrejtë të misionit që kishte vetë Lëvizja Nacional-Ҫlirimtare. Efektivi i kësaj strukture speciale ishte krenar që kryente shërbim ruajtjeje e sigurimi në interes të drejtpërdrejtë të garantimit të drejtuesve të formacioneve ushtarake dhe të U.N Ç-së në tërësi, sepse ata ishin pjesë e domosdoshme dhe më se e nevojshme e kësaj lufte me aspirata atdhedashurie dhe prosperiteti.
   Më pas, pra muaj pas muaji, në vijimësi masat për ruajtjen dhe garantimin e anëtarëve të Shtabit të Përgjithëshëm të U.N Ç, do të bëheshin gjithnjë e më të plota, në të gjithë hapsirën e detyrës. Efektivi mbante lidhje të vazhdueshme me popullsinë, ashtu sikurse detyrat përmbusheshin me gadishmëri të plotë në çdo hapsirë dhe sekuencë kohore.
   Por ngjarjet do të jenë të rëndësishme gati muaj pas muaji. Kështu mbajtja e Kongresit të Përmetit, më 24-28 maj 1944; operacioni armik i qershoritt 1944, i cili në historinë e Luftës Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, ka hyrë dhe njihet me emrin “Geimsbck” (Cjapi i Gurtë); zhvendosja e SH.P. të U.N.Ҫ. në korrik nga Odriçani në Helmës, pasi armiku e kishte zbuluar vendrejtimin e Tij; në dhjetëditëshin e parë të muajit gusht, në Helmës do të zhvillonte punimet Kongresi i Rinisë Antifashiste Shqiptare, ku do të merrnin pjesë kuadrot kryesorë të Luftës Nacional-Ҫlirimtare dhe të Partisë Komuniste Shqiptare; në fund të muajit gusht 1944 qëndra e drejtimit e Shtabit të Përgjithëshëm të U.N.Ç-së do të zhvendosej përsëri në Odriçan; më 22 tetor 1944, në Berat, do të zhvillonte punimet Konferenca e Dytë e Këshillit Antifashist, e cila do të shpallte edhe krijimin e Qeverisë Demokratike Provizore;  etj. etj.; të cilat natyrshëm bënin si domosdoshmëri marrjen e masave suplementare për ruajtje e sigurim.
   Fundtetori do të përbënte një eveniment krejt të veçantë për t’u shënuar në historikun e strukturës së ruajtjes dhe sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm. Më datën 25 të këtij muaji është marrë vendimi që kjo strukturë të organizohej në formën dhe përmbajtjen e batalionit, dhe të emërtohej: “Batalioni i Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm”, një emërtim që do të ekzistojë edhe për mjaft kohë në të pastajmen, por gjithësesi me ndryshime të pjesëshme në emërtim por jo në përmbajtje.
   Më 17 nëntor 1944, pas 19 ditë-net luftimesh të ashpra, kryeqyteti i vendit, Tirana, u çlirua. Fusha e betejës tashmë do të jetë zhvendosur në veri të vendit. Qeveria Demokratike Provizore dhe Shtabi i Përgjithëshëm i U.N.Ç-së, për të drejtuar formacionet e armatosura partizane më nga pranë dhe më me efektivitet, gjykuan e vendosën që vend-drejtimi të zhvendosej për në Tiranë. Batalionit të Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm të U.N.Ç-së do t’i vihej edhe një detyrë mjaft e vështirë, sepse rruga që do të përshkohej ishte e gjatë, e panjohur, ashtu sikurse gjatë rrugëkalimit mund të binin në kontakt luftarak të drejtpërdrejtë me veprime terroriste. Më 25 nëntor 1944 Batalioni i Sigurimit mori detyrën konkrete, përfshi edhe shoqërim direkt të personaliteteve, çka edhe na sjell në kujtesë se si gërshetohet detyra e strukturës së sigurimit dhe të ruajtjes, e cila i përket Batalionit të Sigurimit, me atë të shoqërimit direkt dhe ruajtjes së afërt, e cila i përket Gardës.
   Më 27 nëntor 1944 Qeveria Demokratike Provizore dhe Shtabi i Përgjithëshëm i U.N.Ç, arritën në Tiranë. Sipas një përnjohjeje të hollësishme u muarën në ruajtje mjediset e punës, ato të banimit, dhe të veprimtarive të tjera të përditëshme. Në këtë kohë, mjediset e punës do të merrnin pamjen e Selive Qeveritare, pra të Institucioneve Shtetërore. Për çdo objekt u organizua shërbim ruajtjeje e sigurimi. Natyrisht që kishte mjaft vështirësi, sa teknike aqë edhe profesionale, por mund të nënvizojmë se, nuk mungonte në asnjë rast gatishmëria dhe vullneti i efektivit për të përmbushur detyrat e ruajtjes e të sigurimit me çdo kusht e sakrificë. Po ashtu përvoja e organizimit dhe e kryerjes së shërbimit në kushtet e ushtrimit të pushtetit shtetëror, ishte krejt e pamjaftueshme. Megjithatë, vendosmëria dhe këmbëngulja e efektivit të Batalionit të Sigurimit për të kryer çdo detyrë dhe për të përballuar çdo vështirësi, do të rezultonte në nivelet më të larta të mundëshme. Besimi ishte i madh, por ai buronte edhe nga emocionet që do të sillte arritja e çlirimit të vendit gati në të gjithë territorin shtetëror.
   Pjesëmarrës në këto ditë historike tregojnë, natyrisht jo pa emocione, për mënyrën e kryerjes së detyrave nga efektivi i Batalionit të Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm për sigurimin e punimeve të Konferencës së Beratit, por sidomos për shoqërimin e Kabinetit  të Qeverisë Demokratike Provizore përgjatë rrugëkalimit Berat-Tiranë. Ata shprehen se, pasi janë urdhëruar të jenë në detyrat e oficerëve, pra pasi ishin titulluar oficerë pas vendosjes së Qeverisë Demokratike Provizore në Tiranë, janë emërtuar edhe “Oficerë Shoqëruesë”. Memorja e tyre për këtë çështje rezulton edhe më e qartë, më konkrete dhe më bindëse.
   Tashmë çlirimi i vendit pothuajse ishte një realitet i kapshëm. Qeveria Demokratike Provizore kishte marrë trajtë të plotë organizimi, ashtu sikurse kishte përvijuar edhe detyrat që do të përmbushte hap pas hapi. Disa nga dëshmitarët okularë në këto ditë gëzimi të motivuar plotësisht, duke qënë edhe efektiv i Batalionit të Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm të U.N.Ç, pohojnë qartë se, u ngarkuan edhe me detyra për ruajtjen dhe sigurimin e Institucioneve Shtetërore, krahas ruajtjes dhe sigurimit të Drejtuesve të Lartë të Ushtrisë e të Qeverisë Shqiptare. Sërish na shfaqet ideja e nënvizuar edhe më sipër se, kemi të bëjmë me një farë gërshetimi të detyrave që duhet të përmbushë struktura speciale e sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm, pra Batalioni i Sigurimit, dhe ajo e ruajtjes së Personaliteteve të Larta Shtetërore, pra Garda e Shtetit.
   Dita e 28 nëntorit do të ishte e veçantë edhe për banorët e kryeqytetit shqiptar, Tiranës, por edhe për efektivin e Batalionit të Sigurimit. Ishte urdhëruar që, në Tiranën e çliruar, të bëhej një parakalim madhështor, për atë kohë. Kur shprehemi kështu duhet domosdoshmërisht të sjellim në kujtesën e çdo shqiptari gëzimin e ligjshëm të këtyre bijve e bijave shqiptare, të cilët kishin bërë aqë shumë sakrifica, kishin përballuar jo pa mundim mjaft vështirësi, kishin lënë në fushëbeteja mjaft nga shokët e shoqet e tyre, kishin në trup plagë të vjetra por edhe të freskëta, e mjaft të tjera të kësaj natyre, ashtu sikurse secili prej tyre kishte ushqyer ëndërrën e bukur, të shenjtë: të shihte popullin në liri, në prosperitet dhe demokraci. Efektivat ushtarakë do të parakalonin përpara Qeverisë Demokratike Provizore. Njoftimet nga frontet e luftimeve në vend ishin krejt optimiste. Në skajet më veriore të vendit po largoheshin edhe forcat e fundit të pushtuesve, gjë që çoi në çlirimin e krejt territorit shtetëror shqiptar nga pushtuesit fashisto-nazistë.
   Pas kësaj dite e në të ardhmen, për efektivin e sigurimit të Qeverisë Shqiptare dhe të Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë, do të dilnin detyra të reja shërbimi. Qeveria Demokratike Provizore dhe Komanda e Shtabi i Përgjithëshëm i Ushtrisë Shqiptare, tani do të kryenin edhe detyrat në kushtet e ushtrimit të pushtetit shtetëror, garantimit të sovranitetit dhe të tërësisë territoriale të vendit, por edhe të garantimit të të drejtave, të lirive të individit dhe të qetësisë dhe të rendit publik. Tashmë masat e ruajtjes e të sigurimit do të zgjeroheshin edhe më shumë. Duheshin siguruar vendet e punës (selitë qeveritare), ato të banimit, dhe ato që kishin të bënin me kryerjen e veprimtarive të ndryshme, të tilla si: zhvillimi i mitingjeve, i mbledhjeve, kryerja e vizitave të ndryshme, zhvillimi i stërvitjeve ushtarake të niveleve të ndryshme, takimeve ndërshtetërore të nivelit dypalësh e shumëpalësh, e mjaft të tjera. Natyrisht që, planifikimi i tyre në këto rrethana të reja mund të realizohej më me lehtësi, pasi çlirimi i vendit kishte krijuar më shumë hapsira për një punë a veprim jo në kushte lufte, të menduar më mirë, më të organizuar, më të kulturuar, më etike dhe më efektive.
   31 dhjetorin e vitit 1944 mund ta konsiderojmë të përfunduar misionin e Batalionit të Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë. Pas këtej ndahet krejt qartë misioni i kësaj strukture speciale me atë të Gardës së Shtetit, prandaj edhe veprimtaria e tyre duhet të studjohet dhe përgjithësohet e veçuar. Pas kësaj date ai edhe emërtohet “Batalioni Special i Shtabit të Përgjithëshëm”.

Cili ishte efektivi i Kompanisë së Sigurimit?
   Më 12 shkurt 1944, kur u krijua kjo strukturë përbëhej nga 34 partizanë e partizane, por vetëm dy ishin partizane, pikërisht Thomaidha Çubeta dhe Viktori Titani. Kryesisht vinin nga rrethet Vlorë e Korçë, përkatësisht me nga 12 e 10 veta, 4 prej atyre ishin nga Mallakastra, ndërsa Kolonja, Devolli e Përmeti përfaqësoheshin nga 2 vetë, ashtu si Pogradeci e Tepelena kishin vetëm nga 1 partizan.
   Gjatë veprimtarisë time në karrierën ushtarake sidomos, por edhe në atë civile, kam patur jo vetëm nderin por edhe kënaqësinë e krenarinë, të njoh disa nga këta shqiptarë të ndershëm, që vunë interesat e Atdheut mbi gjithëçka, duke dhënë kontribute të çmuara për organizimin dhe fuqizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë si dhe të strukturave të veçanta speciale.
  Kështu, në kushtet e një klime jo aqë të favorëshme politike gjatë tranzicionit shqiptar nga totalitarizmi në demokraci, gjithësesi jo aqë të natyrshëm, kam sugjeruar që të përcillet në banesën e fundit me nderimet që i takonin ish-komandantin e Kompanisë së Sigurimit, të ndjerin Axhem Abazi (Sinani S.R).
Kam dëgjuar në bisedë aty nga viti 1988 z. Kadri Meta (Kiçaj), i cili pa asnjë përpunim ideologjik tregonte për ato ditë-muaj-vite historike të Luftës Antifashiste Nacional-Ҫlirimtare për çlirimin e vendit, por edhe për sakrificat e mëdha të efektivit të sigurimit e të ruajtjes të Personaliteteve të Larta dhe të Institucioneve të Shtetit Shqiptar në të pastajmen.
E gjej dhe gjykoj nder të veçantë, që si kuadër ushtarak kam patur komandant të Korpusit të Tiranës (ish Reparti 9001 në afërsi të Vaqarrit) z. Moisi Elezi, i cili edhe në këtë detyrë ka dhënë kontribut me vlerë për aftësimin e efektivit të kësaj njësie, më e madhja e vendit për atë kohë.
   Jam ndjerë mjaft mirë kur kolegët e mi shprehen se, kanë dëgjuar leksione në Akademinë Ushtarake nga z. Niko Dulaku, i cili i vlerësuar si një ndër kuadrot më kompetentë dhe më të kompletuar profesionalisht, ka kontribuar vlerëshëm për përgatitjen dhe aftësimin e mjaft kuadrove të lartë të FA-ve. Mbetet një ndër kuadrot mësimdhënës me afat kohor më të gjatë në institucionin më të lartë arsimor ushtarak shqiptar. Veterani Naxhi Zhupa, i vitlindjes 1930, pohon se në vitin 1945 kur me disa partizanë-pionierë (adoleashentë 14-16 vjeçarë kryesisht) u kthyen nga luftimet në Ish-Jugosllavi për të vazhduar studimet në shkollën ushtarake në Tiranë, gjeti aty mes të tjerëve edhe Niko Dulakun, i cili i inkurajoi që të kishin besim se përmes shkollimit do të bëheshin kuadro me vlerë pë Ushtrinë Shqiptare. Naxhiu e kishte njohur Nikon në Përmet kur zhvillonte punimet Kongresi i Përmetit (24-28 maj 1944). E kishte takuar edhe në Tetor 1944 në Berat, por edhe në rrugëkalimin e Qeverisë Demokratike Provizore të dalë nga Konferenca e Dytë e Këshillit Antifashist Nacional-Ҫlirimtar nga Berati drejt Tiranës së çliruar më 17 nëntor 1944. Ai ruan mendimin se N. Dulaku, si kuadër me integritet të plotë, ka shërbyer si një ndër kuadrot kryesorë në strukturat e përgatitjes masive të popullsisë për mbrojtje.
   Kam qënë optimist si dhe kam rigjeneruar vullnetin tim si efektiv i Gardës së Republikës në vitet 1992-2004, në pozicionin e shefit të seksionit të përgatitjes moralo-psikologjike, nga disa takime që kam patur me z Isamil Pinci, ish komandant i Gardës së Republikës në vitet e para pas çlirimit 1948-1949. Edhe pse në moshë të thyer ndihej i  gatshëm dhe “i detyruar” së brëndëshmi të ndodhej midis efektivave të Gardës në përvjetorët e krijimit të saj apo në evente të tjera. Jam ndier fare mirë mes njerëzve të familjes së Avdyl Bizhgës, ish komandant i Gardës së Republikës në vitet 1950-1953. Rezulton të jetë më i riu në moshë në këtë detyrë të rëndësishme dhe me mjaft përgjegjësi. Kam kontaktuar me kënaqësi me familjarët e Ҫelo Arrzës dhe Feti Smokthinës, komandantë të nderuar dhe me emër të mirë në Gardën e Republikës në vitet 1953-1962 dhe 1962-1967. Ruaj si të shtrenjta takimet dhe bashkëpunimin me zotërinjtë Xhafer Paçi e Dane Binaj, me të cilët kam bashkëpunuar frytshëm duke përfituar nga përvoja e tyre si drejtues të Gardës në vitet 1972-1982 dhe 1982-1992, por edhe me z. Skënder Alikaj, i cili për shumë vite ka qënë kuadër i lartë i Gardës së Republikës.
   Jam ndjerë krenar si efektiv i Gardës së Republikës kur kam kontaktuar me z. Gjergj Titani, një ndër ushtarakët e lartë të Ushtrisë Shqiptare, teoricien i mirëfilltë ushtarak, një ndër disidentët e rrallë të FA-ve, i cili ngazëllehej kur i artikuluam se, Viktori Titanin e kemi evidentuar në Muzeumin e Gardës së Republikës.
Rezervoj simpati të veçantë por edhe obligim për ata dhjetra e qindra partizanë si ish-efektiv i Kompanisë së Sigurimit në fillim, dhe të Batalionit të Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë Shqiptare më vonë, për sakrificat e shumta që kanë bërë dhe kontributin e çmuar që kanë dhënë.

Komanduesit e strukturës së Sigurimit të SH.P të Ushtrisë.
(12 shkurt - 31 dhjetor 1944)
A.- Në Kompaninë e Sigurimit (Panarit-Helmës 12 shkurt-25 tetor 1944)
Komandant e komisar:  Axhem Abazi (Sinani); Maqo Zoto
Zv/komandant :  Rrapo Halili; përfaqësues i Partisë Komuniste:  Argjir Lipivari
Komandantë toge: Laze Baraj, Hajredin Meço, Kalo Bilali

B.- Në Batalionin e Sigurimit (Berat-Tiranë, 25 tetor-31 dhjetor 1944)
Komandant e komisar : Hajdar Aranitasi; Rita Marko
Zv/komisar e Përgjegjës i Rinisë komuniste :  Argjir Lipivari;  Pavlina Grabocka
Komandantë dhe Komisarë Kompanie : Axhem Abazi (Sinani ), __________, __________; Maqo Zoto, Xhezmi Barçi, Spiro Bituri; Zv/komandantë Kompanie : Murat Agaraj, __________, ___________

Dëshmorë të strukturës së Sigurimit të SH.P të Ushtrisë.
A.- Dëshmorë të Efektiv i Kompanisë së Sigurimit: Musa Kura; Nazif      Qerimi

B.- Dëshmorë si ish-efektiv i Kompanisë së Sigurimit: Dullë Keta; rënë në Tiranë; Murat Muçalla, rënë në Pezë të rrethit Tiranë; Xhavit    Goskova, rënë në fshatin Kucakë, zona e Moglicës, rrethi Korçë; Veledin  Kuqo dhe Bedri Rrapaj, rënë në Helmës të rrethit Skrapar; Gafur Devolli, rënë gjatë operacionit të dimrit dhjetor1943-janar 1944

Disa evente të rëndësishme
për strukturën e Sigurimit të SH.P të Ushtrisë Shqiptare

= Korrik-Gusht 1943: në Labinot-Mal të rrethit Elbasan, krijohet “Njësiti i Sigurimit”.
= 12 Shkurt 1944: në fshatin Panarit, pranë Vithkuqit të rrethit Korçë, krijohet Kompania e Sigurimit, efektivi 34 partizanë. Organizohet në 3 skuadra.
= Fillimprilli 1944: në Helmës të Skraparit, Kompania e Sigurimit me efektiv prej 50 vetash, organizohet në 4 skuadra.
= Fundprilli 1944: në Helmës të Skraparit, Kompania e Sigurimit me efektiv prej 100 vetash, organizohet në 3 toga; çdo togë me tri skuadra.

= 25 Tetor 1944: në qytetin e çliruar të Beratit, krijohet Batalioni i Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm, efektivi 130 partizanë. Organizohet në 3 kompani; çdo kompani në tri toga; çdo togë në tri skuadra.
= 25-27 nëntor 1944: organizohet zhvendosja e Qeverisë së Përkohëshme Demokratike nga Berati në Tiranë.
= Më 28 nëntor 1944: parakalimi i Ushtrisë Nacional-Ҫlirimtare në Tiranën e çliruar. Parakalon edhe Batalioni i Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm të Ushtrisë.
= Deri më 31 dhjetor 1944, ruhet emërtimi “Batalioni i Sigurimit të Shtabit të Përgjithëshëm”. Pas kësaj date emërtohet “Batalioni Special i Shtabit të Përgjithëshëm”.


Safet N. Ramolli

No comments: