Friday 11 August 2017

"Gremina e dashunis" dhe gremisjet e një shkrimtari të talentuar

Bedri ALIMEHMETI
"Gremina e dashunis" dhe gremisjet e një  shkrimtari të talentuar
            Sapo isha ndarë me heronjtë e letërsisë policeske, pra i kisha thënë lamtumirë romaneve të "kolanës së verdhë", që në ato vite ishte rreptësisht e ndaluar për t'u lexuar e aq më tepër për të qarkulluar (nën dorë siç bënim ne) dhe kur  them kështu bëhet fjalë për serinë e romaneve të shkrimtarit Edgar Ëallace si, "Rrethi I kuq", "Kompania e bretkosave", "Ndënshkrimi i spiunit", apo romanet "Joana e katër katrorve", "Misteret e Luvrit", " Dy të vdekur në një qivur", "Aventurat e Allen Pinkertonit" etj, të autorëve të ndryshëm apo "Sherlock Holmesi" i Kenon Dojlls etj, dhe isha dhënë i tëri pas leximit të romaneve rozë sentimentalo - dramatikë të "kolanës rozë" si: "Bija e mallkuar", "Lypsja e urës", "Dashuri fatale", "Foleja tragjike e dashurisë", "Manon Lesko", "Ura e psherëtimave" etj, derisa një natë tek rrëmoja në morinë e librave, në atë raftin e futur në mur, në fund të "odës së madhe", siç i thonim ne dhomës së zjarrit, ku rrinim më ra në dorë romani "Gremina e dashunis" i Mustafa Greblleshit. E shfletova me kujdes dhe sapo përpiva rrjeshtin e parë nuk e lëshova më nga dora, madje nuk lëviza as nga vendi. Aty ku isha në atë qoshe, lexo e lexo, derisa e mbarova, ndërkohë që faqen e fundit e kisha qullur të tërën si pakuptuar me lotët, që më kishin rrjedhur nga dhimbja për fatin tragjik të Memlit e të Margeritës. Kur ngrita kokën në dritare pashë se nga Dajti po feksinin rrezet e para të agimit.
        Po cili ishte Mustafa Greblleshi? Autori i këtij romani të mrekullueshëm, që më kishte magjepsur e më kishte lënë kaq shumë mbresa dhe përshtypje? Për mua deri në atë kohë ishte krejtësisht i panjohur. Emrin e tij nuk gjeja në asnjë titull në vitrinat e librarive të Tiranës. Vetëm një gjë më gëzonte së tepërmi, fakti që nga gjuha e të shkruajturit dhe nga ambientet që përshkruante në roman, më qe krijuar bindja, që ai duhet të ishte tiranas. Po kë të pyesja unë trembëdhjetë vjeçari i atëhershëm, im atë kishte vite që dergjej në burg, nëna po ditë natë mbi makinën qepëse, për të na siguruar bukën e gojës! Atëherë pyeta gjyshin.
- E njof, - tha - posi, Liun e Cakut, e njof mirë fort bile.
- Jo Liun e Cakut more gjysh, - këmbëngula unë - po Mustafa Greblleshin.
        Ai vuri buzën në gaz dhe tundi lehtë kokën, që ia hijeshonte aq bukur qeleshja tironce, e gjatë dhe e bardhë si bora në majën e malit të Dajtit.
 - Nigjo lalën ktuna, - shtoi ai gjithnjë në dialektin tiranas ëmbëlsinë në akcentin e të cilit im gjysh e kishte të veçantë - Liu i Cakut osht pseudonimi i Mustafa Greblleshit, çunit të Hamidit, që e vranë kto (në gjuhën e tim gjyshi pushtetarët komunistë ishin përjetësisht të përemëzuar) sa vunë komën m'Tironë. Me kët emën shkrujte disa gjona t'bukra fort Mustafaj me gjith Himën e Hasnojt (Ibrahim Hasnaj), që përdorte emnin Cen Qytyku. Na knoqshin fort ke gazeta "Bashkimi i Kombit" ene ke revista "Njeriu", për kët revistë biles që ishte me sens fetar, kom dhonë ene una lala jot pare me u shtyp. Po nishti si lojn kto. Të dy i futën në burg kot fare. Mustafan e majtën nja dy vjet ene e lirun, kurse për Himën nuk di gjo, a ka dalë apo s'ka dalë hala i shkreti Himë, ka qenë shoku i Xhemolit tonë, kon luftu të dy m'Kosovë".
        Dhimbjes që ndieja për Memlin dhe Margaritën iu shtua edhe dhimbja për krijuesin e tyre të talentuar, që nuk e linin më të botonte. Po ku ishte ai tani, ç'punë bënte, me se merresh? Këto pyetje ia bëja shpesh vetes në ato ditë, ndërkohë që romanin e lexova për së dyti dhe për së treti. Ua dhash edhe mjaft shokëve e shoqeve të klasës për ta lexuar dhe e ruaja si gjënë time më të shtrenjtë.......
Intermexo
Në shpirtin e në zemrat e tiransve
        Dy shkrimtarët e shquar tiranas, Hafiz Ibrahim Dalliu dhe Mustafa Greblleshi në mënyrë të padiskutueshme janë autorët më të dashur e më të lexuar nga banorët autoktonë të kësaj treve. Edhe pse të persekutuar, burgosur e nëpërkëmbur nga regjimi diktatorial ata kanë qenë dhe kanë mbetur tashmë përjetësisht në shpirtin e në zemrat e tiransave, të cilët asnjë herë e madje kurrën e kurrës nuk i kanë harruar, krijuesit e palodhur, që në themel të veprave të tyre kanë trajtuar gjithnjë, e madje si askush duke ngjitur në vendin që meriton të jetë,Tiranën qytetin e tyre të shtrenjtë. Madje, pikërisht për këtë dy librat e tyre vërtet kryevepra "Patriotizma më Tiranë" e Hafiz Ibrahim Dalliut dhe romani "Gremina e dashunis" e Mustafa Greblleshit, anatemuar keqas e ndaluar gjatë gjithë ekzistencës së pushtetit komunist, jo vetëm i kanë lexuar, por edhe i kanë ruajtur ndër vite me shumë dashuri e kujdes të ve[antë. Ndër vite nonat, momat apo më saktë ijet e dhembshura shpirtbardha, si[ i thonë tironcit, sipas porosive të [unave i ruanin ato ndry me [elës në arkat e tyre personale. Mbështjellë me pëlhura mëndafshi, i mbanin aty bashkë me gjërat më të shtrenjta të familjes, relike të vërteta.
.....derisa një ditë krejt papritmas u ballafaqova dhe me një fakt tjetër, që e lëndoi edhe më shumë zemrën time ende të njomë.
        Po kthehesha nga shkolla, kur gjyshi që rrinte çdo ditë te furra e Tut Huqit mikut të tij, aty përballë shkollës "Lidhja e Prizrenit" afër teqes së Dervishe Hatixhes ma bëri me shenjë që t'i shkoja pranë. Furra po lyhej atë ditë, gjyshi shtjeu kokën në derë dhe thirri njërin nga bojaxhinjtë.
- Nji ky osht nipi im o Mustafa, - i tha - atë rromancin tat se lësho pri dore, kush di sa herë e ka kënu!
        O Zot përpara meje ndodhej Mustafa Greblleshi! Autori i romanit "Gremina e dashunisë", i ndotur me gëlqere, me furçë në dorë dhe me kapele prej letre në kokë. Më vinte të qaja, të ulërija kur befas në sup ndjeva të më mbështetej dora e tij dhe dëgjova një zë të ëmbël e tepër njerëzor të më fliste:
- Të pëlqen letërsia?
- Po, - i thashë.
- Po për të shkruar, ke dëshirë?
        Unë pohova me kokë.
- Atëherë duhet të lexosh sa më shumë, - më tha - mos harro lexo sa më shumë, sepse vetëm paskësaj do të arrish të shkruash bukur.
        Dhe për herë të parë u pamë sy ndër sy. Vallë sa halle e brenga fshiheshin në thellësi të atyre syve, që kishin aq dritë, aq dritë sa nuk di se si t'ua them. Ky qe takimi im i parë dhe i fundit me Mustafa Greblleshin.
        Më vonë kur unë hyra në gjimnaz dhe nisa të frekuentoja "Broduejin", Mustafa Greblleshin, nuk them shpesh por më rastiste jo rrallë ta shihja tek kalonte nëpër "Broduej"- in tonë mbi biçikletën e llangosur me gëlqere, me dy kovat e bojës në timon dhe me shkallën dyshe mbërthyer fort në supin e kominosheve prej doku.
        Më ndrydhej zemra sa herë që e shikoja dhe më vinte të thërrisja: O tempora! O mores! (latinisht: O kohëra! O zakone!) siç shprehej ai në një moment dramatik, në faqet e romanit të famshëm. Kur i tregova Nezit, shoqes time të klasës, një bojaxhi me biçikletë tek merrte kthesën në rrugicën e kinema "17 nëntorit" dhe i thashë që ai është autori i romanit "Gremina e dashunis", ajo u ndal si e ngrirë në vend.
- Si është e mundur! - më tha - Autori i "Greminës së dashunisë" të jetë gremisur në këtë mënyrë!
        Dhe në gjithë purpurimin e fytyrës i hasa gjurmët e një pezmatimi të thellë për atë tronditje të çastit, teksa mbi pendëzat e qerpikëve i shndritën dy pikëza loti. Shumë saktë e kishte thënë Nezi, Mustafa Greblleshi pas atij suksesi të bujshëm të romanit, vërtet qe gremisur keqas. Imagjinoni 22 vjeç djalë të bëhesh i famshëm, duke pushtuar zemrat e mijra lexuesve, më 1945 të shoqërosh nëpër Shqipëri shkrimtarin e madh rus Ilia Erenburg, ta lësh atë gojëhapur për frëngjishten e kulluar, që e flet aq bukur dhe pas një viti në kulmin e krijmitarisë, pra as 25 vjeç të arrestohesh, të të vënë pranga pikërisht në duar, ato me të cilat shkruan(!) bashkë me miq të tillë: shkrimtarët e njohur Petro Marko e Andrea Varfi me të cilët punon në redaksinë e gazetës "Bashkimi". (Arrestimi e burgosja e një redaksie të tërë. Rast unikal në median e shkruar botërore, që për fat të keq nuk është evidentuar aq sa duhet.) Vetëm një karakter njerëzor i fuqishëm mund të përballojë theqafje të tilla monstruoze.
Si u shkrua romani "Gremina e dashunisë"
        "Me Mustafa Greblleshin, - më tregonte Ibrahim Hasnaj, miku i tij më i ngushtë, pak kohë para se të ndahej nga kjo jetë - ishim njohur që fëmij, thuajse ishim rritur bashkë, sepse edhe shtëpitë i kishim afër. Unë punoja në revistën "Njeriu" bashkë me profesorin e njohur Fiqiri Llagami. Drejtor i revistës ishte Sherif Putra. Mustafai punonte tek gazeta "Bashkimi i Kombit" por shkruante shpesh edhe në revistën tonë. Prej kohësh më kishte folur për një subjekt interesant që ishte duke shkruar madje disa fragmente nga ai, me sa mbaj mend edhe i kishte botuar tek "Bashkimi i Kombit". Konkretisht bëhej fjalë për një roman, por siç shprehej ai, nuk po arrinte të gjente kohën për ta çuar punën deri në fund. Ma kishte thënë disa herë këtë gjë dhe unë një ditë ia tregoj këtë fakt profesor Llagamit. Ishim duke pirë kafe tek "London", bar-restorant në bulevardin "Zog I". Ai u mendua pak. Me sa kuptova i erdhi keq, ngaqë ia njihte aftësinë e talentin Mustafait. Gjithsesi, pasi e shoshitëm një copë herë muhabetin, kusdisëm një plan, nëpërmjet të cilit do ta shtynim për ta realizuar projektin, që po e mundonte prej shumë kohësh".
        Madje, sipas tregimit të Ibrahim Hasnajt, zbatimi i planit kishte nisur që atë ditë. Kështu sapo kishte mbërritur Mustafai në redaksi, profesor Llagami kishte ngacmuar Hasnajn kinse duke iu drejtuar Greblleshit, që e kishte lënë mbas dore krijimtarinë letrare kohët e fundit. Dhe Greblleshi kishte aprovuar vërejtjen e profesorit. "Ti, - i ishte drejtuar Hasnaj, Greblleshit, - mos u merr me krijimet e mija, shkruaj atë roman që më ke thonë prej kaq kohësh, do e shkruaj sot e do e shkruaj nesër dhe deri më sot nuk ke bër asgjë". Kaq kishte mjaftuar për t'u ndezur debati. Dhe puna kishte mbërritur deri aty, sa për zgjidhjen atij "konflikti" profesor Llagami, kishte shpallur një "duel" letrar midis dy shkrimtarëve të rinj tiranas, Ibrahim Hasnaj e Mustafa Greblleshi, duke filluar nga ajo ditë, brënda harkut kohor të dy javëve, duhej të dorzonin në redaksi secili nga një roman. Për të cilët se, kush përmbante më shumë vlera do të ipesh vlerësimi nga një komision, që do të ngrinte revista "Njeriu".
        Dhe kështu kishte nisur ky "duel" midis krijuesish të talentuar, ndoshta unikal në llojin e tij. Gjithsesi,  gjithnjë sipas tregimit të Hasnajt, i cili personalisht as kishte patur ndër mend edhe as e kishte marrë mundimin ato ditë për të shkruar një roman. Gjithçka ishte bërë kinse për të nxitur Mustafain, që po atë ditë e kishte nisur punën me shumë vrull.          
        Ditët në vazhdim profesor Llagami, mëngjezeve sapo shkelte në redaksi sidomos ku gjente aty Mustafan pyeste Ibrahimin, si po i shkonte puna me romanin. "Bukuri, i përgjigjesha unë, - vijon tregimi i Hasnajt, - po më rrëshket pena vetvetiu". Kurse Mustafaj thoshte vetëm kaq: "Po punoj, të shohim se çdo të bëj". Ndërkohë ato ditë maji të vitit 1944 në Athinë të Greqisë do të shkonte një delegacion për të rënë në kontakt me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar, ku do të kërkohej ndihmë për të mjeruarit e luftës në Shqipëri. Në përbërje të delegacionit bashkë me kryetarin e Kryqit të Kuq Shqiptar doktor Sadedinin dhe kryetarin e Komitetit të mjeruarve nga lufta doktor Vasfi Samimin, kurse përfaqsues i shtypit nga Ministria e Kulturës ishte caktuar Mustafa Greblleshi. Madje, dita e nisjes së tij për në Greqi, përkonte me atë të afatit për dorëzimin e romanit. Dhe pikërisht atë mëngjez para se të nisej për në Athinë, Mustafa Greblleshi erdhi në redaksi, dorëzoi dorëshkrimin e romanit. "E kam gdhirë mbrëmë, deri sa i dhashë fund", - vetëm kaq tha dhe u largua ngaqë koha nuk i premtonte. Bashkë me profesor Llagamin e morëm dorëshkrimin e lënë, dhe u pamë sy më sy kur lexuam faqen e parë "Gremina e dashunis" roman nga Mustafa Greblleshi. Profesori pasi e lexoi faqen e parë ma kaloi mua. Dhe kështu fletë pas flete e dorë pas dore e lexuam me një frymë. "Paska bërë vërtet një mrekulli, - tha profesor Llagami, - bëmë mirë që e nxitëm për këtë duel".
        Kur u kthye Mustafaj nga Greqia, atë mbrëmje kur kalonte rrugës së Elbasanit për në shtëpi në vitrinën e librarisë "August", të cilën ai e frekuentonte rregullisht jo vetëm për libra, por sidomos për të shfletuar shtypin e huaj, pa romanin e tij "Gremina e dashunis", vënë në qarkullim nga shtëpia botuese "Ismail Mal Osmani". Ishte romani i parë sentimental në letërsinë shqipe, që u përpi brënda pak ditëve nga të rinjt e asaj kohe dhe u shit habitshëm në kohë rekord......
----------------------------
        Po siç ndodh rëndom pas ditësh të vrejtura, me rrebesh e shi, qielli hapet dhe rrezet e shndritshme diellore ndriçojnë e ngrohin në paqe e qetësi edhe shpirtrat e trazuar. Në revistën "Nëntori" Nr. 2 të vitit 1962 u befasova kur në faqet e saj lexova tregimet "Kukulla" dhe "Tut Huqi dhe hygjena", që mbanin firmën e Mustafa Greblleshit. Ndjehesha kaq i lumturuar atë ditë sa gati nuk mbushesha me frymë nga emocionet. Më në fund autorit të "Greminës së dashunis" i qe dhënë "visto" për të shkruar. Interesant qe, madje fakti që tregimi "Tut Huqi dhe hygjena" ishte shkruar mbi motive reale të përjetuar nga autori, si edhe unë atë ditë tek u takova për herë të parë me të, përpos personazhit kryesor të cilit ai i kishte qëndruar besnik, jo vetëm në portretizimin fizik, por edhe në atë shpirtëror, çka e vërtetonte më shumë këtë gjë qe pikërisht emri i tij i vërtetë në jetë: Tut Huqi furrxhi i njohur me nam shumë të mirë edhe sot e kësaj dite në Tiranë. Dhe mbi të gjitha ky fakt, qe një mësim tejet i vlefshëm për krijimtarinë time të mëvonshme, që më obligonte për të mos e marrë kurrë penën për të shkruar, nëse në thelb të ngjarjes nuk do të qe të paktën një bazë reale sado e vogël nga jeta.
        Pas kësaj emrin e Mustafa Greblleshit e ndeshja dy apo tre herë në muaj nëpër faqet e "Dritës", si autor tregimesh interesantë apo reportazhesh shumë tërheqës, gjë që më bënte të ndjehesha i lumturuar. Kulmi qe, kur nëpër vitrinat e librarive tona u ekspozua kopertina e vëllimit të tij me tregime "Albumi i një bojaxhiu". Ashtu si edhe në rastin e romanit, u përsërit po e njëjta gjë për orë të tëra u zhyta nëpër faqet e librit derisa i dhash fund. Dhe s'kishte se si të ndodhte ndryshe, përderisa për mua ai tashmë ishte i deklaruar: shkrimtari më i dashur shqiptar dhe aq më tepër që mjeshtërisht ndër ato faqe përshkruante jetën e qytetit tim të shtrenjtë, me njerëzit e thjeshtë në ato ambiente të magjishëm të ngrohtësisë tiranse. Kur i tregova Nezit të nesërmen në klasë, i meritova me të drejtë kritikat për pavëmendshmërinë që kisha treguar duke mos ia sjellë atë libër, çka më detyroi në mbrëmje të shkëputesha nga trotuaret e Broduejit dhe t'ia çoja, aty ku e kishim lënë tek rrugica përballë poliklinikës qëndrore. I pashlyeshëm ka mbetur në kujtesën time imazhi i asaj mbrëmjeje të largët tiranse, ndriçuar nga argjendimi i rrezeve të hënës, teksa Nezi e mbante librin shtrënguar në kraharor, aty ngjeshur pas copës prej fanellate me kuadrata, të atij fustani të thjeshtë, ku brishtësinë e supeve ia mbulonte xhaketa e vjetër e babait, mbi të cilën i dallgëzonin flokët. Pas këtij takimi kur u ktheva në shtëpi hodha në letër poezinë: "Buzëqeshjet e tulipanëve nordikë".
BUZEQESHJET E TULIPANEVE NORDIKE 1)

Hapi yt, pendë i lehtë
shket mbi gurët e lagur të rrugicës.
Flokët e tu, mëndafsh i verdhë
dallgëzojnë mbi xhaketën e vjetër të babait
hedhur supeve të brishtë,
ravijëzuar nga dritë e hënës.
Në "Broduej" sonte e dashur
pashë të buzëqeshnin tulipanët nordikë!
Vështrimi yt i hutuar:
"Mos vallë flet për[art?"
Nuk të gënjej unë i pashë
dhe desh harrova fjalët e tua:
"...Eja se, a e di se sa mërzitem mbasdite",
që më erdhën si tufë harabelash të trembur.
Desh i harrova e dashur.
U hutova i tëri pas tulipanëve nordikë,
që cuditërisht buzëqeshnin edhe shetisnin
këtë mbrëmje nëpër "Broduejn" tonë.
Teksa hutimi në sytë e tu,
ende s'ka të shuar.
Ngulmas tulipanët kërkojnë të gjejnë në sytë e mi,
por ndërkohë
zjarri im mbi buzët e tua shuhet i përmalluar.
E ke kot e dashur,
në iriset e këtyre syve je vetëm ti.

-----------
1963

1) Më 31 dhjetor 1963 në Tiranë për një vizitë zyrtare kryeministri i R. P. të Kinës {u En Lai.  Me që Kina në atë kohë nuk ishte bërë ende anëtare e OKB dhe nuk lejohej të fluturonte me avionët e saj, delegacioni kinez udhëtoi me avion [arter marrë me qera nga Danimarka. Kështu atë mbrëmje të largët fundviti stuardesat daneze (kuptohet si të gjitha nordiket padyshim ishin bjonde, ndaj figurativisht i kam identifikuar ato me tulipanët nordikë, me që kjo lule është më karakteristikja që rritet në këto vende)shoqëruar nga pilotët e avionit teksa shetisnin nëpër kryeqytet, kaluan edhe në "Broduejn e Tiranës".

        Fill pas botimit të vëllimit me tregime Mustafa Greblleshi korri një sukses të dukshëm në shfaqjen "Ditari i një bojaxhiu" me bashkautor në libret mikun e tij shkrimtarin e njohur Dionis Bubani, vënë në skenë nga trupa e estradës së Tiranës, ku interpretonin artistë si Ramazan Zyberi, Skënder Sallaku, Melpomeni Cobani, Myftar Armiri, Enver Dauti, Meaxhide Pici etj. Shfaqja në fjalë ishte mbështetur në motivet e disa prej tregimeve të vëllimit "Albumi i një bojaxhiu". Premiera e saj jo vetëm u prit shumë ngrohtë, por edhe u ndoq për javë të tëra me interes të jashtzakonshëm nga artdashësit kryeqytetas. Më pas ai botoi një libër të vogël me skica e skece për fëmij, titulluar "Shalli i kuq".
        Entuziasmi im në atë kohë nuk kishte të përmbajtur, më dukej punë ditësh që nëpër vitrinat e librarive do të dukej edhe kopertina e romanit "Gremina e dashuris". Madje, arrita deri atje që në mbrëmjet e vitit të ri që organizonim në gjimnaz, kur bënim të ashtëquajturën kadrile, krahas Hamletit e Ofelisë, Romeos e Zhulietës, Otellos e Desdemonës, Onieginit e Tatjanës në bashkpunim me shokët do të vija patjetër edhe heronjtë e "Greminës së dashunisë", Memlin e Margaritën. Do të zgjidhja vajzën më të bukur të shkollës ashtu siç e kishte përshkruar edhe shkrimtari, kurse për Memlin shokun tim më simpatik, nga sytë e të cilit buronte më tepër dritë.
Intermexo për Nasho Jorgaqin
          Shkrimtari e eseisti ynë i njohur profesor Nasho Jorgaqi, i suksesshëm në vitet 60-të që me botimin e novelës "Dashuria e Mimozës" (të cilën tashmë pas një ripunimi të thellë e ka shndërruar në roman), në ato vite kishte lajmëruar bojaxhinjtë në ndërmarrjen komunale banesa për të lyer apartamentin. "Qëndrova vetë në shtëpi, - ka treguar shkrimtari më vonë, në një mbrëmje përkujtimore organizuar enkas in memmoriam nga shoqata "Tirana" në vitin 1994 për Mustafa Greblleshin, në ambjentet e “Piramidës”- bojaxhinjtë erdhën shpejt. Ishin dy vetë, një më i moshuar kuptohej qe "ustai" dhe ndihmësi një më i ri në moshë. Filluan punën dhe më vonë në një çast pushimi pasi u bëra nga një kafe në bisedë e sipër kur mësuan se ç'punë bëja, "ustai" e "çiraku" u panë sy më sy. Por, unë nuk i dhash rëndësi këtij detaji. Gjithsesi, disa çaste më vonë "çiraku" gjeti rastin si mënjanë, më tregoi se cili ishte "ustai" i tij. Të them të drejtën u befasova dhe njëherësh, më erdhi keq por e pata edhe për kënaqësi që po më jepej mundësia të njihesha me të. Romanin "Gremina e dashunis" të Mustafa Greblleshit e kisha lexuar fshehurazi me një frymë që në gjimnaz. Pas kësaj u ulëm e folëm gjatë, Greblleshi më tregoi që gjatë gjithë kësaj pauze, ku i ishte privuar botimi, kishte shkruar edhe vijonte të shkruante. Kur u ndamë i kërkova të më sillte disa nga krijimet e fundit. Dhe vërtet pas disa ditësh u takuam sërish. Më kishte sjellë vëllimin me tregime "Albumi i një bojaxhiu", dy nga të cilët "Kuklla" dhe "Tut Huqi dhe hygjena" ia botova në revistën "Nëntori". 
****
          Nga mesi i viteve 60 - të Mustafa Greblleshi na solli në shqip të përkthyera përsosmërisht nga origjinali novelat e nobelistit italian Luixhi Pirandelo në përmbledhjen "Jeta lakuriq" dramat e Eduardo de Filipos në përmbledhjen që mbante për titull kryeveprën e tij "Filumena Marturano", pa thënë për poezit e Alfred De Vinji e Pjer Kornejt dhe të Alfred de Myses, që nuk dihet se ku kanë përfunduar. Dhe vetëm kaq. Ndërkohë thuhej se janë botuar edhe përkthime të tjera të tij, por pa emrin e shqipëruesit. Gjithsesi mbi të ranë përsëri represionet dhe persekutimet diktatoriale, që arritën kulmin më 1967 me vendosjen e një fletë-rrufeje në qendër të Tiranës, që e detyruan shkrimtarin të zhdukë më duart e tij, me qindra tregime e novela dhe bashkë më ta edhe njëmbëdhjetë romane në mes të të cilëve: "Shefi me sy të kuq" roman biografik, që kishte në qëndër persekutorët e tij, romanin erotik "Azylka" etj. Por, për fatin tonë të mirë bashkëshortja zonja e nderuar Rushi, arriti të shpëtonte jo plotsisht romanin "Muzgu i bregut tjetër", si dhe "Gremina e dashunisë", të cilën kishte shumë kohë, që e kishte shkrojtur edhe njëherë nga e para. Vetëm kaq arriti të shpëtonte nga gremisja tjetër e këtij shkrimtari të talentuar.
        I çuditshëm vërtet fati dhe tejet i pamëshirshëm si për krijuesin ashtu edhe për romanin "Gremina e dashunisë", që në harkun kohor as prej dy dekadash ka parë dritën e botimit disa herë rradhazi në Kosovë, me sukses të plotë, ndërkohë që në Shqipëri ndalohej qarkullimi i tij. Edhe kjo padyshim bënte pjesë në paradokset e panumurta absurde të sistemit të dështuar komunist, pre e të cilëve u bë disa herë shkrimtari Mustafa Greblleshi, më i madhi në trevën e Tiranës e ndër më të mëdhenjtë e Shqipërisë, nivelin, vlerat dhe kapacitetin e të cilit, dinin ta çmonin e vlerësonin, gjigandë të tillë të pendës në letrat shqipe: Eqerem Çabej, Lasgush Poradeci, Petro Marko, Mitrush Kuteli, Nonda Bulka e Sterjo Spase, të cilët jo më kot e mbanin aq pranë, e donin aq shumë dhe e kishin aq mik.
        Ndërkohë, i madhi Ismail Kadare, e çmon jashtzakonisht tek angazhohet e shkruan parathënien në kryeveprën e letërsisë botërore përrallat "Njëmijë e një net" përkthyer mjeshtrisht prej tij, po që Mustafa Greblleshi nuk pati fatin ta shihte. Një ditë të bukur maji, data 16 e vitit 1986, në moshë ende të re, ndërkohë që kishte edhe shumë e shumë për të na thënë edhe për të na dhënë, tek qëndronte në ballkonin e shtëpisë ulur në kolltuk, me shkrime ndër duar, vdekja e pamëshirëshme e ndau prej nesh. Aty rrahu për herë të fundit zemra e Mustafa Greblleshit shkrimtarit më të talentuar tirans, me vështrimin e ngulitur në malin e Dajtit, aq të admirueshëm prej tij.
        Në vitet 90-të shtëpia botuese "Çabej", botoi përmbledhjen me tregime humoristike në dialektin tiranas "Muhabete tironce me Liun e Cakut", të Mustafa Greblleshit, për të cilin mendojmë që ishte dhurata më e këndshme e simbolike që familja e profesorit të nderuar, të madhit gjuhëtar, Eqerem Çabej, bëri për mikun më të ngushtë e më të dashur të babait të tyre të paharruar, që profesor Çabej e mbajti pranë deri në çastet e fundit të jetës. Falë kujdesit e interesimit të shoqatës "Tirana", tashmë një rrugë e një shkollë 9-vje[are e kryeqytetit mbajnë emrin Mustafa Greblleshi. Madje, herë pas here janë organizuar edhe veprimtari përkujtimore ku janë interpretuar pjesë nga krijimtaria e tij. Para pak kohësh kryesia e shoqatës "Tirana" e ka nderuar Mustafa Greblleshin me titullin e lartë "Fisnikëria Tiranase". Por, edhe një herë është për të ardhur keq, që botohen e botohen gati pambarimisht plot vepra mediokre, teksa "Gremina e dashunis" e ripunuar nga autori, madje nga e para, ende nuk po e sheh dritën e ribotimit. Ndërkohë në Kosovë ky roman deri tani, në mos qofsha i gabuar është ribotuar mbi gjashtë herë. Një dhuratë tjetër nga shtëpia botuese "Çabej", sigurisht me shumë vlera është edhe botimi i librit "Kujtime 1939-44" nga Mustafa Greblleshi me parathënie nga Ismail Kadare.
=======

Marr nga "Broduej i Tiranes"

No comments: