Friday 20 October 2017

HASAN PRISHTINA- TRURI I LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE

Me shkas: me rastin e kthimit të Hasan Prishtinës (Shtatores) në Vendlindje, në Vushtrri

Bedri TAHIRI
           


 HASAN PRISHTINA- TRURI I LËVIZJES KOMBËTARE  SHQIPTARE
           
Mue n’idenë teme patriotike nuk ka mujtë as nuk do të
 mujë me më shtrue ari i të tanë botës, por as mënia e të
        tanë armiqve! Ka me më shtrue vetëm vdekja!                                                                                                      
                                                                              Hasan Prishtina

            Ndër vendbanimet më të mëdha të Drenicës heroike është edhe Polaci, i cili është  një vendbanim autokton shqiptar. Nga ky truall, dolën njerëz të penës e të pushkës. Në mos për asgjë tjetër, Polaci ka ngelur në histori me atdhetarin më të madh të gjithë historisë sonë, me ideologun, me diplomatin, me arsimdashësin, me prijësin, me luftëtarin, me trurin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, me Hasan Prishtinën (1873- 1933).

            Rrënjët në Drenicë

            Hasan Prishtina u lind në Vushtrri, më 27 shtator 1873. Deri më 1908 është quajtur Hasan Berisha-Polaci, gjegjësisht Hasan Vuçitërna, kurse prej kësaj date, kur zgjidhet deputet i Prishtinës, nënshkruhet Hasan Prishtina. Fëmijëria e tij dallonte nga ajo e moshatarëve të vet. Familja e tij qëndronte mirë ekonomikisht. Axha i Hasanit e babai i Zejnullahut, Mahmuti, u angazhua në ngritjen e hekurudhës Mitrovicë- Shkup- Selanik, ndërsa i ati, Ahmeti punonte si furnizues i ushtrisë në garnizonin e Selanikut.
            Djaloshi kureshtar dhe inteligjent, mësimet e para i mbaroi në Vushtrri, me sukses të shkëlqyeshëm. Ai pati fat që mësues letërsie ta kishte profesorin e Prekazit, Hafëz Arifin (1834- 1902), nga i cili edhe u frymëzua me idenë e atdhetarizmës shqiptare. Meqë mësonte mirë dhe kishte mundësi materiale, ai do të vazhdonte shkollimin në Selanik dhe në Stamboll, ku u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë, përkatësisht në Fakultetin e Shkencave Politike- Juridike.

            Deputet në Parlamentin turk

            Ky veprimtar i palodhur u bë edhe më i njohur pas vitit 1908, kur u zgjodh deputet i Prishtinës për në Parlamentin turk. Ai që nga ky moment ndërroi edhe mbiemrin Vuçitërna dhe do të quhet Hasan Prishtina. Kontributi i tij në Revolucionin Xhonturk (Turqve të Rinj), qe shumë i madh. “Qëllimi i tyre ishte reformimi i Perandorisë osmane dhe rivendosja e Kushtetutës së vitit 1876. Për ta pasur përkrahjen e shqiptarëve, xhonturqit iu premtuan atyre se kur të arrijnë në pushtet, do t’ju njohin autonominë. Duke u bazuar në këto premtime, shqiptarët iu bashkëngjitën Lëvizjes Xhonturke dhe luajtën rolin vendimtar në rrëzimin e tiranisë së sulltan Abdyl Hasmitit II (1876- 1909). Në këtë rrjedhë, një rol të rëndësishëm, kishte edhe kazaja e Vushtrrisë, me në krye Zejnullah Begun dhe Hasan Prishtinën.  
Pra, trojet e tij, Kosova dhe Shqipëria, ishin ndër vatrat kryesore të këtij shpërthimi, që do të rezultonte me kthimin e Kushtetutës (Hyrjetit) dhe me disa premtime boshe. ”Kjo Lëvizje, e ndikuar nga revolucionet borgjeze evropiane, sidomos nga ai francez i vitit 1789, huazoi prej tyre devizën e njohur: Liri, Barazi, Vëllazëri, e cila u përdor si mjet propagandistik për arritjen e qëllimeve politike.
Megjithatë, mundja e sulltan Abdyl Hamitit II, të cilin shqiptarët e quanin demon shpirtzi, u dha shanse të merrnin frymë më lirshëm edhe popujve të robëruar.
            Mirëpo, as turqit e rinj nuk e patën të gjatë, sepse nuk i realizuan premtimet e dhëna. Përkundrazi. Ata shkuan edhe më larg, nisen asimilimin e të robëruarve, duke i quajtur të gjithë shtetasit e Perandorisë Osmanlinj. Të zhgënjyer thellë, shqiptarët  organizuan rezistencë edhe kundër tyre. Kështu, në përmbysjen e xhonturqve, shqiptarët dhe deputetët e tyre në Parlament luajtën rolin kryesor. “Është me rëndësi të vihet në pah se në kohën e përmbysjes së xhonturqve në Stamboll ushtarët e Turqisë në Shkup, ndonëse ishin kryesisht aziatikë, i hoqën fesat dhe i vunë në kokë plisat e bardhë shqiptarë”..
Edhe pse ministër i punëve të brendshme në Stamboll u vendos shqiptari Ferid pashë Vlora, përplasjet midis shqiptarëve të Kosovës dhe qeverisë turke veçse thelloheshin. Ekspeditat ndëshkuese të Xhavit Pashës kundër kryengritësve shqiptarë, në fillim të vitit 1909, e acaruan gjendjen edhe më.
            Deputetët shqiptarë ngritën zërin kundër këtyre gjakderdhjeve e shkatërrimeve barbare. Më i zëshmi, si zakonisht, qe Hasan Prishtina, i cili me diskutimet e tij të zjarrta trazoi gjithë Parlamentin.
            Dhe, të gjitha këta, nuk qenë pa rezultate. Në fillim të vitit 1910, ra kabineti i Hilmi Pashës. Në vend të tij u formua kabineti i ri i Haki Pashës, në të cilin nuk mori pjesë asnjë shqiptar i dalluar. Kryeministri i ri, që në fjalimin e parë, u tregua antishqiptari i madh: ”Më parë nga të gjitha do t’u flas për një gjë fort të nevojshme. Rreziku më i madh i Turqisë, nga të gjitha kombet që jetojnë në perandorinë tonë, janë shqiptarët. Është frikë e madhe nga ky komb të mos zgjohet nga gjumi i rëndë dhe të mos mëkëmbet, të mos marrë diturinë me gjuhën e vet dhe atëherë e mori lumi Turqinë e Evropës”.
            Shpirti çlirimtar i Hasan Prishtinës nuk dorëzohej dot. Ai shpërthente si vullkan i pashuar, mu në gjirin e kësaj gërmadhe që, dita- ditës, po përmbysej nga brendësia e kalbur. Largpamësinë e tij, për rrezikun që vinte nga Aleanca Ballkanike, si për perandorinë, si për shqiptarët, nuk donin ta kuptonin fare. As kërkesat e tij për ta ndalur dhunën në Kosovë nuk i morën parasysh, andaj deputetët shqiptarë reagonin në mënyra të ndryshme.
            Kryengritja e Madhe në Kosovë, në prill të vitit 1910, ku morën pjesë mbi tridhjetëmijë luftëtarë, u shua me gjak nga pesëdhjetë e pesëmijë forca turke, të udhëhequra nga Hilmi Pasha.
            Kjo e tmerroi fare Hasan Prishtinën. Ai u ngrit në seancën parlamentare dhe kërkoi që të shpërndahej menjëherë kabineti i Haki Pashës, i cili mbante përgjegjësinë për ngjarjet tragjike. Kjo trimëri e pashoqe i la pa gojë parlamentarët turq. Shtypi shqiptar e quajti oratorin Luani i Prishtnës. Nga fjalët e tij mbrojtëse për kryengritësit u kuptua se ai ishte ideologu i tyre, andaj gjyqësia turke e dënoi me vdekje. Mirëpo, sulltan Mehmeti V Reshati, përdori diplomaci, duke e amnistuar.
            Kjo nuk e frikësoi aspak deputetin kryengritës, siç kishin zënë ta quanin Hasan Prishtinën. Përkundrazi, ai përherë e më i ashpër. Kështu, më 3 mars 1911, prapë i parashtroi kërkesat kombëtare të kryengritësve shqiptarë, por ato u refuzuan nga Turqit e Rinj. Në mbrojte i doli plaku Ismail Qemali. Ministrat u zemëruan keq. Një deputet, Dervish beu nga Maqedonia, i doli prapa shpine dhe tinëz i ra shpullë plakut vlonjat. Hasan Prishtinës i erdhi aq rëndë, saqë  i kërkoi  dyluftim të pabesit. Sërish ndërhyn Ismail Qemali: ”Biro! Ti i duhesh Shqipërisë!” Trimi e dëgjoi, por u tha troç: “Zotërinj, ta dini se kjo ngjarje do të sjellë gjëra shumë të liga!”.

                         Vendimet e Kuvendit të Junikut

                        Tubimi në Kuvend të Junikut, që i zhvilloi punimet prej 21-25 maj 1912, ishte vendimtar për fillimin e kryengritjes se përgjithshme. Aty u hartua Programi prej 14 pikash dhe u caktuan udhëheqësit për rajonet e Kosovës: Bajram Curri për Gjakovë me rrethinë, Hasan Prishtina për anët e Pejës, Sadik Rama për Llapushë, Anadrini e deri në Opojë, Xhemail Berisha me Isa Boletinin për Mitrovicë e Fushë të Kosovës dhe Idriz Seferi me Hasan Hysenin për anët e Gjilanit. 
                        Forcat shqiptare arrinin në mbi 10 mijë luftëtarë. Të gjithë nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës. Memorandumi e tij, dërguar fuqive të mëdha, përbëhej nga 14 kërkesa, që më vonë do të  njihen si “14 pikat e Hasan Prishtinës”. Ato ngërthenin këto kërkesa:
Me përdorue në Shqypni nëpunës të praktikuem qi dijnë gjuhën e zakonet e vendit:
Me ba shërbimin ushtarak vetëm në Shqypni e Maqedoni, për jashta kohës së luftës:
Me ba e me vu në zbatim ligje tue u bazue në ligjen e maleve për disa krahina në të cilat asht forcue me fakte se nuk mund të nxirret kurrnjë fryt prej organizimit të drejtësisë;
Me i dhanë shqyptarëve armët e nevojshme e moderne, mënyra e të damit të cilave do t’i përkitte Qeverisë;
Me themelue e me hapë shkolla reale në të gjitha Prefekturat e qendrave të Kosovës, të Manastirit, të Shkodrës e të Janinës, që numrojnë ka një popullsi ma se 300.000 frymësh, me hap edhe shkolla bujqësije si të Selanikut, mbasi vendi  me krejt kuptimin asht  nje vend bujqësie si dhe me shti në program të mësimeve gjuhën e vendit;
Me hape shkolla teologjike moderne nder vende ku asht nevoja;
Me kenë i lirshëm në Shqypni të hapunit e të themeluesit e shkollave private;
Me u mësue gjuha e vendit në shkollat fillestare, qytetse e në gjimnaze;
Me i dhanë randsi të posaçme tregtisë, bujqësisë e punëve botore si edhe me plotsue e me përhapë udhët e hekurit;
Me u vu në veprim organizimin e krahinave;
Me u kujdesue me ruejtë ma fort se përpara zakonet e tradicionet kombëtare;
Me e çpallë amnistinë, pa vështrue klasë e racë, për të gjithë othomanët që kanë marrë pjesë në kryengritje, për komandantët, oficeret, nëpunësit e ushatrët që kanë lanë ushtrit e vendet e veta si dhe për të liruaimit e t’ikunit prej burgut në kohën e kryengritjes;
 Me u dhanë çdamin, mbas çmimit të vërtetë, prej Qeverisë Turke për të gjitha ato shpija që u prishen ma para e nuk u kje  dhanë të zotve çdamimi si dhe për ata që u prishen e u rrenue kësaj here;
 Me i marrë në gjyq të naltë pjesëtarët e kabineteve të Haki e të Sait Pashës.        
                        Kryengritjet u zgjeruan dhe  morën përpjesëtime edhe më të mëdha. Kudo: luftëra, përleshje e beteja të njëpasnjëshme.  Kosova e tëra u la në gjak.

   Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë (1912)

                        Shumë shpejt flaka e kryengritjeve përfshiu tërë Kosovën. Një vit më parë e kishte munduar veten kot sulltani plak, Mehmet Reshati V. Kishte ardhur në Kosovë, tek varri i Muratit I, të cilin, më 15 qershor 1389, e kishte therur me thikë trimi drenicas, Milosh Nikollë Kopiliqi. Erdhi për ta qetësuar gjendjen, por i shkoi mundi huq. Disa krerë, në mesin e tyre edhe Isa Boletini, nuk e pritën fare. Mosparaqitjen e tij e shfrytëzoi Hasan Prishtina për t’iu hakërruar sulltanit plak. “Pasha ekselencë, t’ju themi të drejtën as ne nuk na ka pasë hije me ardhë! E Isa Begu asht nga ana që nuk e gëlltit e as që harron nderin që me dajak i asht marrë popullit. Shqiptari çdo gja fal, po nderin kurrë, pa e marrë hakun. Qe, pra, Isa Boletini asht nji nga të parët e atyne, i vendosun e me karakter të papërkulshëm, si i ka hije shqiptarit. Ftesave që i kemi ba kështu na u ka përgjigj”.
                        As dorëheqja e xhonturqve s’dha rezultate. Shqiptarët ishin të vendosur në kërkesat e tyre që u takonin. Ata e çliruan Prishtinën, Ferizajn dhe u nisën drejt Shkupit…
                        Më 12 korrik 1912, Bajram Curri, Isa Boletini,  Ahmet Delia e shumë luftëtarë të tjerë u gjenden në Shkup si çlirimtarë. Kjo e tronditi në themel Perandorinë e kalbur osmane, saqë, më 5 gusht 1912, do të shpërndahet edhe Parlamenti i Stambollit.
            Shtetet fqinje sodisnin dhe bënin plane djallëzore për copëtimin e tokave shqiptare. E formuan Aleancën Ballkanike dhe, atëherë kur bisha euro-aziatike po jepte shpirt, në njërën anë, dhe shqiptarët ishin molisur nga betejat e pareshtura, në anën tjetër, u inkuadruan në luftë. Kështu, mbi tokat e porsaçliruara shqiptare, u vërsulen si një lukuni ujqish grabitqarë ushtritë serbo-malazeze. Secila mundohej ta kafshonte një copë më të madhe nga trupi i gjakosur i Shqipërisë Etnike.
                        Nëse luftërat ballkanike për disa popuj ishin fatlume, se ua sollën lirinë, për shqiptarët e Kosovës ishin të kobshme, sepse u sollën robëri të re. Fitorja e 28 Nëntorit 1912, ishte e brishtë dhe fare gjysmake. Pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga plaku i urtë, Ismail Qemali, Kosova u pushtua nga Serbia dhe Mali i Zi. Ato, pamëshirshëm, filluan zullumin dhe terrorizmin mbi popullsinë shqiptare. Shumica e udhëheqësve dhe krerëve të Lëvizjes ishin burgosur. Në mesin e tyre edhe truri saj, Hasan Prishtina. Ai, bashkë më disa shokë (Shaban Pashë Gjinolli, Xhemajl bej Sylejman pashë Berisha, Nuredin beu, Rushit beu, Muharrem Efendiu, Ibrahim be Kokolari nga Prishtina; Hasan Prishtina nga Vushtrria; Nexhip Draga nga Mitrovica; Seit Hoxha nga Shkupi; Qemail beu, nga Jashar Pasha Peja;  Idriz Seferi me djalin Kasumin nga Gjilani dhe Mustafë Mysini, profesor nga Shkupi”, mbaheshin në burgun e Kalemegadanit në Beograd.
                        Pra, ata ishin kapur në Shkup nga forcat serbe. “Hasan Prishtina me shokë shteti serb e izoloi sepse nuk guxoi ta likuidonte publikisht ngase kishte drojë nga opinioni evropian. Prandaj, derisa Hasan Prishtina me shokë ishte burgosur në Shkup dhe depërtohet në kështjellën e Beogradit (4 nëntor 1912- 1 prill 1913) Serbia në Kosovë kishte vendosur pushtetin okupues të juntës ushtarake me dirigjime ruse dhe do të ushtronte gjenocid të paparë deri atëherë në botë.
                        Për çudi, ndaj tyre, veçan ndaj Hasanit, mbanin qëndrim të butë. Silleshin mirë, se u duhej për ta qetësuar Drenicën e tij kryengritëse. Dhe, mashtroheshin keq. Nuk e hante ai atë karrem, nuk komprometohej kurrë.
                        Megjithatë, më 4 dhjetor 1912, formohet Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe Hasan Prishtina emërohet ministër i Bujqësisë.
                 
            Hapja e shkollës shqipe në Vushtrri (1915)

                         Hasan Prishtina është unikat edhe në fushën e arsimit kombëtar. “Kontributi i Hasan Prishtinës për zhvillimin e arsimit kombëtar është i madh dhe nuk mund t’i gjendet krahasim jo vetëm në historinë e popullit shqiptar, por edhe në historinë e popujve të tjerë. Përpjekjet e tij për shkollën shqipe përbënin një krah të luftës së tij të përgjithshme për lirinë kombëtare shqiptare,- konstaton historiani i njohur, dr. Muhamet Pirraku.
                         Ky arsimdashës i flaktë, fitoren mbi regjimin e tiranit sulltan Abdyl Hamitit, e shfrytëzoi në të mirë të gjuhës dhe shkollës shqipe. Me nismën e tij, pa humbur kohë, u organizua Kongresi i Alfabetit në Manastir, i cili i zhvilloi punimet prej 14- 22 nëntor 1908.
                        Në këtë vazhdë shkon edhe Kongresi i Elbasanit, i njohur edhe si Kongresi i Shkollës Shqipe, i mbajtur më 2- 9 shtator 1909. Ëndrra e Hasan Prishtinës që të dominojë alfabeti latin në shkollat shqipe, po bëhej realitet. Atë vit do të nisë punën edhe Shkolla Normale me në krye Luigj Gurakuqin. Në atë vatër diturie do të mësojnë edhe shumë nxënës nga Kosova, shumica me harxhimet e Hasan Prishtinës. Ky atdhetar kishte vendosur që gjithë pasurinë e vet ta shkrinte për shkollën shqipe.
                        Dhe, kjo pati sukses. Përhapja e arsimit shqip mori rrugë të mbarë gjithandej trojeve shqiptare. Drejtori i Normales së Elbasanit, atdhetari Luigj Gurakuqi, i priste përzemërsisht djemtë e Hasanit, siç i quante ai nxënësit kosovarë dhe gjithmonë i entuziazmuar brohoriste: Rroftë Hasan Prishtina!
                        Peripecitë e shkollës shqipe gjatë asaj periudhe janë të shumta, herë lejoheshin, herë ndaloheshin, dhe, gjithmonë në kacafytje me ngfulfatësit e saj anadollakë, qëndronte i madhi, i dituri dhe sypatremburi, Hasan Prishtina.
                         Edhe austro-hungarezët nuk u treguan aq të ashpër ndaj shkollave shqipe në Kosovë. Ky pushtues lejoi hapjen e shkollave në gjuhën amtare. Vjena lejoi dhe ndihmoi jo vetëm hapjen e shkollave laike e shtetërore shqipe, por njëkohësisht bëri të mundur që pjesërisht edhe administrata të realizohej në gjuhën shqipe.
Pra, shqiptarët, edhe pse të vetëdijshëm për qëllimet imperialiste të Vjenës, i shfrytëzuan rrethanat e krijuara dhe brenda një kohe të shkurtër u hapën shumë shkolla në gjuhën shqipe dhe u vendosën shqiptarë nëpër administratat lokale (nëpër komuna dhe rrethe).
Atdhetari, Hasan Prishtina, në këto kushte deri diku të volitshme, themeloi edhe organizatën politike me emrin “Komiteti i Kosovës”. ”Rëndësia historike e kësaj organizate ilegale shqiptare me qendër në Mitrovicë ishte se në shkallë brilante e ndaloi përpjekjen e Austro-Hungarisë, që në bashkëveprim me Turqinë t’i depërtojë shqiptarët e religjionit mysliman në Turqi. Depërtimi  duhej të fillonte më 1917.
             Ndër qytetet që i shfrytëzuan këto rrethana ishte edhe vendlindja e Hasanit, Vushtrria. Aty, që në fund të vitit 1915 e gjejmë shkollën shqipe, e cila është ndër të parat në Kosovë. Nxënësit e parë të saj kanë qenë:  Emin Badivuku,  Musai i Ibrahim Agës,  Aliu i Latif Agës,  Fevziu i Mustafë Agës,  Ferat Ahmet Pika,  Sylejman Popova (djali i Hysit),  Maksut Xhafer Muharremi,  Isaji i Ibrahim Agës,  Hyzejr Hoti, Naim Jahja Bylykemini,  Abdullah Begu,  Besim Zejnullah Begu (Berisha), Përtej Izet Badivuku, Jakup Hafuz Maxhuni, Alushi i Mahmut Begut,  Bahtijar Begu,  Ilijaz Badivuku,   Hamdi Zajmi,  Rizai i Latif Agës,  Qazim Ali Riza, Haki Guxha,  Sherif Isuf Gara dhe Ibush Fanda.

Pas tre- katër muajsh, po me këta nxënës u formua edhe trupa muzikore-frymore (orkestra frymore) e shkollës, e cila u pagëzua me emrin e Hasan Prishtinës, i cili ishte nismëtar i saj dhe me mjetet e veta bleu veglat muzikore.
Të mos harrojmë se ky apostull i arsimit shqip, në të njëjtën kohë, e kishte hapur edhe një shkollë shqipe në Polac të Drenicës, në vatrën e të parëve të vet.
Takimi me Azem Galicën

Patriotët shqiptarë, krahas çeljes së shkollave në gjuhën shqipe, u angazhuan edhe për organizimin e kryengritjeve për çlirim dhe pavarësi kombëtare. Kështu, në verë e vitit 1916, Hasan Prishtina dhe Azem Bejta, u takuan në Vushtrri dhe për tri ditë rresht, biseduan dhe trajtuan shumë probleme madhore kombëtare. Siç dihet, Azem Galica, prijës ideor e shpirtëror e kishte Hasan Prishtinën. Edhe Hasani, çdo aksion luftarak e realizonte përmes trimit të paepur, Azem Bejtë Galica.
Nga ky moment u punua paralelisht në dy fronte:
            1) Në hapjen e sa më shumë shkollave shqipe, të cilat do të punojnë deri në vitin 1918 dhe
            2) Në përgatitjen e një kryengritjeje të armatosur me karakter gjithëkombëtar.       
        “Qeveria borgjeze e Jugosllavisë pati problem në fillim (1918 e deri më 1928) me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare me armë, e cila ishte shkolla më e avancuar për atë kohë për fitoren e lirisë e udhëhequr nga Bajram Curri, Hasan Prishtina,. Azem Bejta e shumë të tjerë”.
Se tash e tutje punohej me Program të qartë shihet edhe në takimin e Azem Galicës me inspektorin e përgjithshëm të Beogradit, Mihajlo Ceroviqin, në tetor të vitit 1919, në Fushë të Zhabarit, ku, në mesin e  kërkesave të tij ishin edhe këto: ” lejohet hapja e shkollave shqipe; gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare, dhe nëpunësit e huaj të zëvendësohen me nëpunës shqiptarë...


            Themelimi i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”

Të nxitur nga momentet historike, një grup intelektualësh e patriotësh, vendosën të krijonin një organizatë politike, e cila do ta organizonte popullin në luftë për çlirim kombëtar. Kështu, më 1 maj 1918, intelektualë e patriotë të shquar, nën udhëheqjen e Hoxhë Kadriut (Kadri Lutfulla Prishtina 1978 - 1925), ilegalisht u grumbulluan në Shkodër dhe formuan Komitetin me emrin “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS”. Në të vërtetë ky ishte vazhdim i “KOMITETIT TË FSHEHTË”, krijuar gjithashtu në Shkodër nga Hoxhë Kadriu, më 1915.
            Komiteti, edhe pse selinë e kishte në Shkodër, kudo, që nga jugu e deri në veri, i kishte degët dhe nëndegët e veta. Ai kishte edhe organin e vet, gazetën “POPULLI”, të cilën e udhëhiqte Sali Nivica, e cila botohej në Shkodër. “Gazeta kreu një mision të shenjtë, detyrën e mbrojtjes së idealeve kombëtare”.
      
Në kohë të ndryshme, si anëtarë të Komitetit punuan me vetëmohim luftëtarët e Lëvizjes Kombëtare Demokratike si: Hasan Prishtina, Bajram Curri, Sali Nivica, Hysni Curri, Bedri Peja (Pejani), Beshir (Beqir) Vokshi, Azem Galica, Avni Rrustemi, Elez Isufi, Aqif Pasha, Sotir Peci, Ragip e Qerim Begolli, Sotir Kolea, Kel Marubi, etj.        
            Më 24 prill 1919, filluan të shpërndahen thirrjet për kryengritje. Në ato, pos tjerash, shkruhej “Vëllazen koha âsht tepër me rândësi.. S’kemi asnji minutë për të kapërcye në gjumë”. Dita e fillimit të kryengritjes u caktua dita e Shëngjergjit, më 6 maj 1919.
Sinjalin për fillimin e kryengritjes së përgjithshme në Kosovë, që më shumë do të njihet si Kryengritja e Llapushës, e dhanë Azem dhe Shotë Galica në Radishevën legjendare. Edhe në qendrat e tjera të Kosovës kishte filluar kryengritja në të njëjtën kohë. Në Llapushë lufta kishte shpërthyer shumë ashpër. Atje udhëheqnin trimat e njohur Sadik Rama i Gjurgjevikut, Ramadan Shabani i Kijevës dhe Beqir Rexha i Kërnicës.            
Kryengritja përfshiu tërë Kosovën. Numri i kryengritësve arriti në rreth 10.000 veta.
Në dhjetor të vitit 1919 dhe janar të vitit 1920, Hasan Prishtina, kryesoi delegacionin, që Komiteti “Mbrojtja Kombëtare Shqiptare” dërgoi në Konferencën e Paqes në Versajë- Paris, për të kërkuar bashkimin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare të mbetura jashtë kufijve londinezë me shtetin kombëtar shqiptar.
           
            Ideologu kryesor i Lëvizjes Kaçake

            Hasan Prishtina për asnjë çast nuk pushoi së punuari për çështjen kombëtare. Tashmë, ai ishte truri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Përkrah dy burrave të mëdhenj të kombit, dy drenicasve të pandarë, Hasan Prishtinës dhe Azem Galicës, qëndronin edhe dy burrëresha sypatrembura, Igballe Prishtina dhe Shotë Galica. Këto bashkëshorte e bashkëluftëtare besnike, pos aksioneve luftarake, nëpër fronte e beteja, ndihmonin edhe në organizimin e përhapjes së diturisë e të gjuhës amtare në masat e gjera popullore. Sa e sa libra e abetare arritën t’i shpërndajnë anë e kënd trojeve tona të mbuluara nga terri i natës pesëshekullore aziatike.
            Lufta e Parë Botërore, në të cilën morën pjesë 74 milionë ushtarë, mori fund në nëntor të vitit 1918. Ajo u kushtoi popujve 10 milionë të vrarë, 21 milionë të plagosur, afër 8 milionë të zënë robër dhe 3.5 milionë invalidë të rëndë të luftës.
        Secilën dramë politike të Evropës gjatë historisë (Luftën ruso-turke, dy luftërat ballkanike dhe Luftën e Parë Botërore) Serbia e ekspansioniste i ka shfrytëzuar për zgjerimin e kufijve të vet nga të gjitha anët. Kështu, edhe krijimin e shtetit të parë të sllavëve të jugut ajo e konsideronte si rast për të shtrirë përfundimisht pushtetin e saj mbi Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe mbi territoret e tjera joserbe. Çetat e lirisë, të udhëhequra nga Azem Bejtë Galica, e kuptuan se armët nuk duhet hequr nga supi. Përkundrazi, ato duhej shtrënguar edhe më fuqishëm, duhej organizuar edhe më mirë në luftë kundër një pushtuesi barbar e të pamëshirshëm. Kështu, në Drenicë ende valonte shqipja e lirë. Organet e pushtetit të ri e kishin të vështirë të depërtonin në këto vise sepse: “Atje ekziston një çetë (Çeta e Azem Bejtë Galicës - vërejtja e autorit, B.T.) me 50 - 60 shqiptarë të armatosur, e cila qysh në fund të tetorit (1918) shetiste dhe kontrollonte nëpër terren duke i dëbuar kryetarët e komunave që i kishte vendosur pushteti serb, nën moton: “Qysh ju mund të vendosni pushtetin serb kur këtu do të jetë Shqipëri...”. Sipas mendimit të naçallnikut të Zveçanit, derisa kjo çetë nuk çarmatoset, pushteti nuk mund të hyjë në Drenicë, respektivisht nuk mund të ketë autoritet”.
         .  
Kryeministri largpamës që  donte bashkim kombëtar e
jo gjakderdhje vëllazërore

Që nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912, Hasan Prishtina ishte i brengosur për copëtimin e Trojeve Etnike Shqiptare. Lëri Kosovën dhe trojet e tjera, që përherë ishin të gjakosura me pushtuesit grabitqar, por edhe kjo gjysmë Shqipëri ishte katandisur keq. Ruaje Zot Shqipërinë nga shqiptarët!- do të lutej me plot të drejtë mendjendrituri ynë, Faik Konica.
Në këto rrethana shqetësuese, Hasan Prishtina, përpiqej të bëjë ç’është e mundur për të shpëtuar nga Shqipëria gjysmake. Më 8 dhjetor 1921, Këshilli i Lartë ia besoi formimin e Qeverisë. Kryeministri i ri, me vizione të qarta të bashkimit kombëtar e formoi kabinetin e tij me këtë përbërje:

 1.Luigj Gurakuqi- ministër i brendshëm,
 2. Fan S Noli-  ministër i jashtëm,
3. Zija Dibra- ministër i luftës,
 4. Hoxhë Kadriu- ministër i drejtësisë,
5. Koço Tasi- ministër i financave,
 6. Kristo Dako- ministër i punëve botore dhe
 7. Haki Tefiku- ministër i Arsimit Publik.

Mirëpo, kabineti i tij nuk u pëlqye nga Ahmet Zogu dhe esadistët, andaj që të mos vinte deri te gjakderdhja vëllazërore, ai tërhiqet, duke dhënë dorëheqje pas katër ditësh. Zogu nuk u kënaq me kaq. “Armiqësia e Zogut ndaj grupit prokosovar në Shqipëri vazhdoi edhe pas periudhës së marrjes së pushtetit, në dhjetorin e vitit 1924. Ai i kishte premtuar Beogradit se do ta ndalonte Komitetin e Kosovës; disa nga udhëheqësit kryesorë të këtij Komiteti, si për shembull, Hasan Prishtina, ikën në Vjenë. Zogu arganizoi një atentat për ta vrarë atë në Vjenë më 1828, por pa sukses. Edhe Hasan Prishtina përgatiti një kundëratentat për të vrarë Zogun, por edhe ai dështoi; pastaj po atë vit Hasan Prishtina u dënua nga Zogu me vdekje, në mungesë”. Pra, Ahmet Zogu vazhdoi ndjekjet dhe  dënimet e atdhetarëve shqiptarë, duke i shpallur si antikomëtarë. Kështu, për vrasjen e Hasan Prishtinës, u premtuan 2000 franga ari si shpërblim. Të njëjtën gjë e kishte bërë edhe me Azem Galicën, të cilin e kishte dënuar me vdekje, në mungesë.

Në Zonën Neutrale të Junikut (1921- 1923)

Nën presionin e Fuqive të Mëdha, dhe të luftërave të pandërprera në Kosovë, në muajin dhjetor 1921, u formua e ashtuquajtura “Zona  Neutrale e Junikut”.
Kryengritësit, herë- herë, dilnin edhe jashtë territorit të vet. Kështu ngjau edhe në fund të vitit 1922, kur u vendos të sulmoheshin forcat qeveritare zogiste. “Mbledhja u mbajt nën udhëheqjen e Hasan Prishtinës e të Azem Galicës. Para se të niseshin për këtë sulm, Hasan Prishtina para më se 1200 kryengritësve te Kroni i Gjocës, në Junik, mbajti një fjalim të zjarrtë. Pas fjalimit kryengritësit menjëherë u hodhën në sulm, dhe qysh në ditët e para të janarit 1923, ata morën Tropojën, mandej krejt Hasin, rrethuan qendrën e prefekturës-Krumën, sulmuan  forcat e xhandarmërisë në Krahinën e Nikaj- Mërturit dhe arritën deri në breg të Drinit. Luftimet më të rrepta që u zhvilluan ato ditë, ishte sulmi rreth Krumës që u zhvillua nga dy drejtime. Njërën anë e drejtoi Azem Galica, ndërsa anën tjetër Sadik Rama”.
            Në “Zonën Neutrale të Junikut”(1921- 1923), me iniciativën e Hasan Prishtinës, Bajram Currit dhe Azem Galicës u hap shkolla për të rritur. “Shkolla e katundit Golaj në Has qe kthyer në një “shkollë komitash”. Atje, me pushkën në njërën dorë e në tjetrën librin, shquhej midis luftëtarëve të lirisë së Kosovës sokolesha dhe komita e vjetër kombëtare, Shota, e cila për gjashtë muaj mori dëftesë për klasën e tretë. Ajo u thoshte shokëve: “Jeta pa dije është si lufta pa armë”.  Është për të shënuar se për mbarëvajtjen e Çetës në mësime vazhdimisht interesoheshin vetë Hasan Prishtina e Azem Galica.
Se Hasan Prishtina arsimin e kishte në qendër të vëmendjes tregon edhe Apeli i tij i fundit, i vitit 1931, dërguar sekretarit të përgjithshëm të Shoqatës së Kombeve, Enrik Drumandit në Romë, i shkruan në Vjenë, në gjuhën frënge, ku pika e parë u kushtohet shkollave shqipe: Afër një milion shqiptarë të banuar në Kosovë dhe Maqedoni nuk kanë asnjë shkollë në gjuhën e tyre amtare. Ju është ndaluar të themelojnë shkolla me mjete private”.
Pasi e bëri edhe një vit e ca nëpër Malësi, Hasan Prishtina dhe disa atdhetarë të taborit të tij, largohen fare nga Shqipëria...Edhe aktiviteti i tij në ilegalitet, pati efekte pozitive. “Së bashku me Bajram Currin punoi aktivisht në përgatitjen e revolucionit të 1924-ës. Njëkohësisht mbante lidhje me çetat kryengritëse  kosovare nga të cilat s’e shkëputi kurrë vëmendjen, sepse i konsideronte të domosdoshme për ekzistencën e lëvizjes kombëtare shqiptare në Kosovë. Hasan Prishtina mendonte se ndryshimi i regjimit në Tiranë do të ndikonte për realizimin më me me siguri të kushteve për çlirimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të mbetura nën zgjedhën serbe”.

Atentati kobtar në rrugën Çimisku në Selanik

Paralajmërimi i Hasan Prishtinës se Ahmet Zogu është i dëmshëm për kombin dhe vendin, andaj duhet qëruar nga faqja e dheut, doli i saktë. Matjani i tërbuar, nuk zgjodhi mjete e metoda për të ardhur në pushtet. Me përkrahjen e serbëve e mundi Qeverinë e brishtë të Nolit dhe u vërsul mbi atdhetarët e vërtetë. Hasan Prishtinës po i thaheshin krahët. Më nuk i kishte Azem Galicën, trimin që, për të gjallë e kishte paralajmëruar e kërcënuar Ahmet Zogun dhe përkrahësit e tij se, “nji kime floku të kresë me m’ja luajt  Hasan Prishtinës e Bajram Currit, qe besa tanë bejlerët, bashkë me princin e tyne Zogun kam me i varë nëpër rrugë!”. Atij tashmë i mungonin: Avni Rustemi (1895 - 1924), Luigj Gurakuqi (1879- 1925),  Bajram Curri (1862- 1924)...
Jeta e atdhetarit të madh shqiptar në mërgim po vështirësohej dita- ditës. Në gjurmë të tij ishin lëshuar shumë shpirtshitur, të cilët e ndiqnin këmba- këmbës. “Kështu, vetëm në Vjenë, për vrasjen e Hasan Prishtinës, dërgohen, së paku pesë atentatorë që dihen: Pjetër Kallmeti (nëntor 1927), Ibrahim Lika- Lisi, Kruja (janar 1928), Hasan Sedi (shkurt 1928), Ibrahim Tabaku (prill 1928) e ndoshta, diku në atë kohë, edhe Hasan Kosova”. Kjo edhe e detyronte që shpesh t’i ndërronte vendbanimet, por jo edhe bindjet dhe qëndrimet. Kudo që shkonte, në Gjermani, në Francë etj. punonte dhe vepronte  në të mirë të çështjes kombëtare. Zëri i tij, përmes Memorandumeve e peticioneve të ndryshme, depërtoi edhe në Lidhjen e Kombeve. Sa ishte në Paris fati e goditi pamëshirshëm. Atje i vdiq bashkëshortja dhe bashkëveprimtarja, Igballe Prishtina. Ky qe grushti më i rëndë i jetës për këtë vigan të papërkulur.
Së fundi, i lodhur, i mërzitur, i vetmuar, i demoralizuar  dhe i thyer shpirtërisht, u dëbua nga Vjena dhe u vendos në Selanik, në banesën ku jetonin e ëma dhe i vëllai, Ymeri. Ishte mesi i vitit 1933. Pas po e ndiqte edhe hija e tradhtisë. Spiuni i regjur, Ibrahim Çelo nga Resnja e Maqedonisë, i cili kishte mbi gjashtë muaj që po e përcillte, e nuhati dhe e gjeti edhe këtu. Siç duket ai kishte informacione të sakta dhe erdhi pikërisht ato ditë kur Hasani ishte larguar nga banesa e të vëllait dhe ishte vendosur në një banesë..
Më 14 gusht 1933, në rrugën Çimisku të Selanikut, derisa po shëtiste, Ibrahim Çelo i doli Hasan Prishtinës pas shpine dhe  e qëlloi me katër plumba. Trimi e kishte parë, por i kishte besuar. E pagoi me kokë sinqeritetin e tij prej atdhetari besnik.
Krismat e këtij atentati jehuan larg e larg. Reagimet qenë të ndryshme. Tirana dhe Beogradi vrasjen e festuan si fitore të madhe. Kjo tregon se sa i rëndësishëm ishte Hasan Prishtina.
“Hasan Prishtina pati një jetë me shumë peripeci. Armiqtë politikë i bënë katër herë atentate, dy herë e burgosën pushtuesit serbë e bullgarë dhe gjashtë herë u dënua me vdekje (xhonturqit një herë, Esat Toptani një herë, serbët një herë, qeveria e Ahmet Zogut tri herë”.
Për një kohë, emri dhe vepra e të madhit Hasan Prishtina, i cili, përveç veprimtarisë së bujshme politike, njihet edhe si autor i shumë artikujsh dhe i një përmbledhjeje kujtimesh për Kryengritjen antiosmane të vitit 1912, sikur mbetën nën tisin e harresës. Madje- madje, deri në vitet e 6o-ta  vetë shteti shqiptar dhe historiografia e politizuar e konsideronte si një reaksionar dhe  tradhtar të atdheut.
Në vitin 1977, me një ceremoni zyrtare, eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri. Ata u varrosën në Varrezat e Dëshmorëve, në Kukës, në qytetin e Heroinës Shotë Galica. Me dekret presidencial nr. 435, datë 26.01.1993, atdhetari dhe luftëtari Hasan Prishtina është dekoruar me Urdhrin e Lirisë të Klasit të Parë, me këtë motivacion:”Udhëheqës dhe organizator i shquar i kryengritjeve gjithëkombëtare për pavarësinë që sollën krijimin e shtetit shqiptar në vitin 1912”.
Në Kosovë puna qëndroi më ndryshe. Patriotin demokrat, Hasan Prishtina, populli e mbajti në mendje e në zemër, sado që pushteti antipopullor sllavo-komunist e anatemoi dhe e ndaloi dhunshëm. Emri dhe bustet e tij nëpër shkolla e institucione të tjera ishin caqe të vandalëve mesjetarë të stepave karpatiane.
 Sot është koha që kjo figurë e shquar dhe e nderuar kombëtare, të vlerësohet drejt dhe t’i jepet vendi i merituar në histori e në Altarin e Pavdekësisë.


Vushtrri, 19 tetor 2017

No comments: