Saturday 21 July 2018

NJË DITË KORRIKU NË MUSKOKA

KRISTAQ TURTULLI 
NJË DITË KORRIKU NË MUSKOKA
novelë 
        1
Rruga dytësore ‘Fishkëllima e shigjetës’ dredhon hareshëm nëpërmjet një pylli të dendur me pemë të larta dhe të nxjerr në skajin e majtë të liqenit Muskoka. Përnjëmend të bëhet sikur udhëton në një  tunel të gjelbëruar dhe mahnitesh me shkëlqimin dhe transparencën e ngjyrave. Rezet fosforeshente të diellit mëngjesor thyhen nëpër degë dhe gjethe, lodrojnë të shpenguara dhe krijuar hieroglifë të lashta sa vete bota. Xhamat e makinës janë të hapura, ëmbëlsisht të përkëdhel fytyrën, trupin, ajri i freskët mëngjesor dhe era e lagësht e ujit. Nga radioja dëgjohet muzikë e ëmbël qyteti. Në dy anët e rrugës shfaqen dhe lihen pas rrugina të ngushta si të fshehura, të cilat dredhojnë nëpër pyll dhe të çojnë në shtëpitë e drunjta të rrethuara me jeshillëk, me plot freski dhe dritë.
Tutje, në fund të labirintit gjelbëror dallohet kaltërsia ujore e liqenit, si një unazë qiellore e flladitur prej gjetheve dhe degëve. Zemra rreh me vrull dhe makina ngadalëson shpejtësinë. Liqeni fillon dhe shfaqet i tëri me joshjen dhe magjinë ujore. Makina frenon në krahun e majtë të sheshit të vogël të parkimit ‘ Dielli lind’. Në të djathtë të liqenit të Muskokës. Disa metra larg rrotës së madhe metalike, të ndryshkur prej kohës që qëndron si simbol i ardhësve të parë. Në pllakën metalike përkujtimore, shkruhet:
 Në këtë vend në vitin 1825 ndërtoi mullirin dhe ka jetuar ardhësi i parë i kësaj zone Xhoni i rrepti me të bijtë. Në vitin 1895 mulliri u dogj nga një zjarr i befasishëm dhe nuk u rindërtua më prej të bijve.
Ndanë rrugës, në të djathtë, gjendet një urë e drunjtë e ngrënë nga reshjet dhe koha e cila të çon disa metra më poshtë në lëndinën e butë, me bar posa të kositur. Dehesh prej erës së freskët të blerimit. Në të dy anët e bregut ka pak rërë të imët, të verdhë. Në këtë kënd të dashur të mbrojtur prej erës, marrin rreze dielli dhe lahen në liqenin Muskoka banorët e qytetit Engjëlli i bardhë.
 Shumë familje nga qyteti Engjëlli i bardhë’, nuk kanë prona dhe dalje buzë liqenit të kulluar me ujë të pastër dhe të ngrohtë. Shtëpitë e tyre gjenden në anën e kundërt të rrugës, të rrethuara prej pemëve të larta ose në qendër të qytetit. Ata të kënaqur e preferojnë dhe e frekuentojnë gjithnjë këtë cep të këndshëm, vend me bukuri natyrore. Edhe këtu, disa metra larg bregut gjendet një pllakë përkujtimore ku shkruhet:
Ky vend publik për çlodhjen e argëtimin e banoreve u krijua në vitin 1876 me dëshirën e mirë dhe ndihmesën e vetë banoreve të qytetit Engjëlli i bardhë
Makinat e pushuesve frenojnë buzë rrugës, shpijnë këmbët, soditin një copë herë natyrën. Marrin frymë thellë, mbushen me ajër të freskët, pastaj i parkojnë makinat në parkingun: ’Dielli lind,’ të shtruar me zhavorr të imët. Ata përshëndesin me zë të ulët njeri-tjetrin. Tërheqin nga bagazhet e makinave sendet e nevojshme dhe drejtohen me hapa të matura drejt stolave dhe tavolinave të drunjta. Qëndrojnë një copë herë dhe kundrojnë me kënaqësi kaltërsinë dhe magjinë ujore të liqenit. Shtrojnë mbi bar ose në rërë çarçafët dhe peshqirët. Ndihmojnë shoqi-shoqin të lyhen me vaj plazhi dhe më pas prehen të shpenguar pa shkëputur vështrim e ngulët nga liqeni.
 Disa pushues të tjerë hapin stolat portative fare pranë ujit, buzë bordurës së betontë. Hanë me të shpejtë hamburger. Ata janë si gjithnjë të paduruar, duan të lahen për të shpirë trupin dhe të gjuajnë peshq. Përflitet se në liqenin Muskoka gjendet një peshk i madh, i bukur, por askush nuk ka mundur ta hedhë në rrjetë ose ta kapë me grep. Peshqit e kapur me grep, kryesisht salmon ose tuna, nuk i hanë, i gjuajnë vetëm për të kaluar kokën, për kënaqësi. Vështrojnë të ngazëlluar një copë herë përdredhjen e peshqve, të kapur nga grepi e që rrëzëllejnë të ujësuar nën shkëlqimin diellor. Pastaj me dhembshuri dhe kujdes u heqin grepat dhe i lëshojnë sërish në liqen. Ndjekin sy picërruar duke përtypur çamçakëzë notimin e plogët të ujorëve të cilët marrin veten me vështirësi prej grepit të metaltë e më pas zhduken nën ujë. Ka nga ata peshq budallenj që nuk kuptojnë mirë ç’është pësimi. Bihen dy herë në grep dhe peshkatarët amatorë tundin kokat të mërzitur. Edhe ata vetë nuk e kanë për mbarë një peshk kaqol të kapur prej grepit dy herë. 
Më i dalluari prej tyre është Stive topalli me profesion postier. Çalimi i këmbës së majtë i është shkaktuar prej kafshimit të gjarprit, kur po shpërndante postën nëpër rrethina, shumë vite më parë. Për shkak të këmbës i afruan punë në postën qendrore, në seleksionimin e letrave. Stive i fyer nuk e pranoi, nuk mund të bëhej Stive Foks mi i vogël zyre. Stive Foks ishte dre i lirë, i lidhur me pyllin, me erën e liqenit dhe drerët ngandonjëherë i dëmtojnë këmbët por kurrë nuk e ndërpresin vrapin.
Gjatë natës Stive topalli sillej dhe vërtitej nëpër shtrat aq sa zgjoi të shoqen nga gjumi.
– Stive, – iu gërmuq Sara dhe e qëlloi me shkelm në vithe. Kur ajo plasej në shtrat e bënte dyshekun petë dhe Stive i dukej sikur lëkundej dhe fundosej në liqenin me dallgë. 
Stive u zgjua i trembur.
– Hë, – ia bëri dhe fërkoi të ndenjurat. 
– Mjaft m’u përdrodhe si peshk i kapur nga grepi.
– Sara, për herë të parë në jetën time pashë ëndërr sikur zura peshkun e madh, – mërmëriti ai.
– Peshkun e madh! – ia pat Sara dhe ndezi dritën e komodinës. Këqyri me kujdes fytyrën e mbufatur të shoqit, nënqeshi me të keq dhe shtoi: – Stive im i gjorë! Nuk e shkul dot prej trurit këtë marrëzi. S’ma merr mendja të dalë burrë nëne të kapë atë peshk magjik. 
– Nuk ka, – psherëtiu Stive. Ai kish parë ëndërr sikur peshkoi peshkun e madh dhe bridhte kryelartë, duke u tundur dhe shkundur nëpër rrugët e qytetit. Dikush i thirri nga larg: “Stive mos kërce si kangur, çdo gjë që shfaqet është gënjeshtër.” Ai nuk i ktheu përgjigje. Të ishin vallë bashkëqytetarët kaq të verbër. Apo xhelozë se Stive Foks do të mbahej mend sa të jetë jeta në Muskokë.
– Ëndrrat në ditë me diell bëhen qiqra në hell, – foli Sara dhe mbylli dritën. U rrotullua disa herë në shtrat dhe mbuloi kokën me jorgan.
Stive topalli u kthye në krah dhe hungëriti i nervozuar: 
– Për dreq nuk ka burrë nëne të mbërthejë atë kukudh peshk. 
Peshku i madh vërtitet si fantazmë në qindra e qindra vjet në mendjet e brezave. Nativët  qenë lundërtarë dhe peshkatarë shumë të zotë e kërkuan me ngulm dhe e gjuajtën pa ndërprerje atë peshk. Peshku i madh u shkiste ndër duarsh dhe nuk mundën ta kapnin dot. 
Stive topalli u ndje i mjerë që kish peshkuar në ëndërr peshkun e madh.

2
Zëra të gëzuar vijnë nga larg, në anën e kundërt të liqenit, prej jahteve të vogla pëlhurëbardha. Grupe të rinjsh bëjnë lëvizje të shkathëta, hapin krahët, kërcejnë, qeshin, ngacmojnë njeri tjetrin dhe kridhen me shpejtësi në ujë. Motoskafët  e shpejtë tërheqin lundërtarët amatore, të cilët bëjnë fluturime akrobatike në ajër, të mbajtur mbas litarëve të tendosur. Motoskafët zhurmëmëdha çajnë ujin me shpejtësi. U bien përqark ishujve të pyllëzuar, në brendësi të tyre janë ndërtuar shtëpi të bardha pushimi me verandë druri.
 Banorët e qytetit Engjëlli i bardhë, janë të lidhur shumë ngushtë me liqenin jetëdhënës Muskoka. Ata nuk shkëputen prej tij në çdo stinë të vitit edhe në dimrin e egër ku fryn era e fortë, bën ngricë dhe rëndon dëbora e madhe e bardhë. Liqeni ngrin në gjithë hapësirën e tij. Dhe ngjan si një hapësirë e bardhë e pamatë, rënduar shpesh herë prej mjegullës. Akulli është i trashë dhe ta bëjnë gara vrapimi, luajnë me patina. Peshkatarët të mbrojtur prej barakave portative çajnë akullin, hapin vrima dhe gjuajnë peshq. Ndonjë kokëkrisur zhvishet me ngut, flak teshat përdhe, futet me kokë brenda dhe noton në ujë e ftohtë brisk.
Këtu në këtë vend piktoresk vijnë dhe ndalen familje të pasionuara të ardhura prej qindra kilometra larg, nga qyteti i Torontos e të rrethinave përreth. Ata janë kureshtarë, dëshirojnë të zbulojnë rajonin e bukur dhe turistik të Muskokës.
Ardhësit zbresin nga makinat. Ndalen. Shpijnë këmbët prej rrugëtimit të gjatë. Soditin natyrën, mrekullohen dhe ngrohen nën diellin shkëlqimtar të kthinës së zbuluar në buzë të rrugës. Mezi gjejnë ndonjë stol bosh. Vendosin me shkujdesje, përdhe sendet e tyre. Ndezin stufat e vogla portative me bombola gazi për të pjekur mishin e derrit, të qengjit ose këmbët e pulave. Tymi dhe era e mishit të pjekur përhapet përreth. Vendasit të bezdisur lëvizin kryet. Vështrojnë drejt tyre me bisht të syrit, nuk u pëlqen të ndotet ajri i pastër i Muskokës me tymra, paçka se mban erë të mirë mishi të pjekur. Ka plot ushqime të çastit, shumë të shijshme si hamburger, hot dog, krahë pule, patate të fërguara, të përgatitura prej kuzhinierë të zotë dhe që gjenden kudo nëpër dyqane.
 Përse është kjo mani e ardhësve prej metropoleve, që parapëlqejnë të harxhojnë kohën e vyer dhe të tymosin mjediset e pastra, gati të virgjëra në veri të vendit? Prite kur të flakin me indiferencë lyrën e mishrave në barin e gjelbër e porsa korrur dhe ta përlyejnë mjedisin me vajra dhe lyrë mish derri. Por jo. Ardhësit janë të disiplinuar dhe të kujdesshëm. Përfundojnë së ngrëni, pastrojnë stufat portative, pa lënë në bar ndonjë gjurmë ndotjeje. Mbeturinat i mbledhin në qese plastike dhe i flakin në koshat e plehrave të vendosura në qoshet e lëndinës. 
Vendasit i përgjojnë ardhësit me kujdes, në çdo lëvizje pa rënë në sy. Në fund marrin frymë të lehtësuar dhe vështrimet e tyre zbuten.

3
Sipas legjendës së lashtë vendase thuhet se tek kjo lëndinë e vogël, këtu, ku të përkëdhel puhiza e lehtë dhe të ngroh baba Dielli me rrezet bujare, ka qenë pikë e rëndësishme takimi, tregtie dhe bisedimi mes peshkatarëve të hershëm të fiseve kryelartë: Thika e verdhë dhe Kali fluturues. Ata ishin lundërtarë të dëgjuar, peshkatarë të mrekullueshëm, shpesh here e zinin peshkun me duar dhe me gojë brenda në thellësi të ujit. Gjithashtu ishin dhe kalorës të zotë. Por një peng u mbeti. Nuk mundën kurrë të kapnin peshkun e madh, me hala të argjende dhe kokë të artë.
 Vendasit e hershëm e respektonin nga brezi në brez këtë vend takimi. Përshkonin me kano të shpejta lumin e rrëmbyeshëm Muskoka, qëndronin derisa dielli përkëdhelte kreshtat e vogla të ishujve, debatonin, vallëzonin, dashuroheshin, këmbenin dhurata. Më pas u hipnim kanove, lundronin dy nga dy, tre nga tre, katër nga katër, ose grupe-grupe. Shpërndaheshin në skaje të ndryshme të liqenit deri lart në rrjedhjen e lumit duke u mëshuar lopatave dhe shkathtësi. Me premtimin se do të takoheshin përsëri në krye të javës së ardhshme. 
Nuk dihej mirëfilli pikënisja dhe nuk është saktësuar burimi i kësaj tradite të lashtë. Gojëdhëna përcjell se në këtë vend  u zhvillua takimi i detyrueshëm. I mbijetesës për ndërprerjen e armiqësisë së egër, luftërave shkatërrimtare, prerjes së kokave, marrjes së skapeve midis dy fiseve më të mëdha. Shkaku takimit ish shumimi marramendës i minjve dhe i zvarranikëve, kafshimi në gjumë, helmimi. Përhapjes së sëmundjeve infektive, kositja e luftëtarëve jo në fushë të betejës siç u takonte nderi dhe dinjiteti, por tretja e stërmundimshme në shtrat. Vrerosja, përçudnimi,  zvarritja e grave dhe nënave. Vdekja e dhimbshme e fëmijëve dhe kuajve.
Nën përfaqësimin e dy prijësve më të mëdhenj: Pete që qëndron i vetëm, i fisit të madh Syri i shqiponjës dhe Kainai, Hijerëndi i fjalës, i fisit të madh Vallëzimi i luanit. Nën mbikëqyrjen e kryeplakut të pleqësisë: Urtësia e gjakut të vërtetë. Ai i vizatoi me bojë, me ngjyra të çelura, të paqes fytyrat e dy prijësve të plotfuqishëm, të dy fiseve më të mëdha të verilindjes. Këndoi me zë të ngjirur dhe  trup përkulur u soll katër herë rreth zjarrit. Temjanisi vendin, bisedën e rëndësishme, prijësat hijerëndë dhe zjarrin që bubulonte.
Prijësat e mëdhenj u përkulën me respekt, kokulur dhe krahëndehur drejt kryeplakut të pleqësisë Urtësia e gjakut të vërtetë. Vendosën armët e luftës përpara këmbëve të tij, kur morën miratimin e kryeplakut për fillimin e bisedimeve. Ata parashtruan kushtet e paqes afatgjatë. Këmbyen dhurata dhe kërcyen vallen e miqësisë nën tamtamin e daulleve.
Thuhet se mund të ketë qenë pikë e fshehtë takimi i dy të rinjve të dashuruar, por që nuk mund të bashkoheshin mbasi u përkisnin dy fiseve armike. Gjithnjë tragjedia „Romeo dhe Zhuljeta“ ka simotra të dhimbshme në çdo cep të globit. Qysh atëherë kur filloi të regëtinte zemra dhe të flatronin krahët e ndjenjave rinore. Dy të rinjtë udhëtonin me kano, natën, vetëm, duke mbajtur vesh zërat e largëta nëpërmjet lumit të rrjedhshëm për të shprehur ndjenjat më të zjarrta. Çfarë u bë më vonë me ta u vranë, lanë veten të rrëmbeheshin nga rrjedha, u mbytën, apo u bashkuan, jetuan të lumtur dhe fiset e tyre jetuan në paqe?
 Mos ndoshta ujërat e Muskokës nën zhaurimën e përjetshme fshehin sekrete të tjera edhe më të mëdha?
Shumë vite më vonë, vendasit e hershëm të pakësuar, me zemër të lënduar prej humbjeve të mëdha në njerëz dhe kafshë, ngarkuan pajisjet, çadrat dhe ushqimet dhe lëvizën ngutshëm për në veri. Aty ku kishte më shumë dëborë, cikna dhe erëra, por më shumë liri dhe qetësi. Lanë pas tokën, por morën me vete shumë gjëra që u përkisnin vetëm atyre dhe askujt tjetër së bashku me legjendat. Gjithçka u thërrmua, u bë pluhur nëpër brigjet e thikta të shekujve.

4
Liqeni Muskoka nuk është liqen i madh si Superior, Ontario, Huron, Miçigan etj. të cilët nuk janë shumë të përshtatshëm për tu larë. Janë të ftohtë, gjigantë, të shtrirë midis dy shteteve dhe nuk mund të ngrohen aq lehtë prej diellit. Por dhe jo shumë të pastër. 
Muskoka është liqen me bukuri karakteristike, krijuar në një mjedis të mrekullueshëm. Siç janë me qindra liqene të mëdhenj dhe të vegjël në Kanada. Por liqeni Muskoka është më i veçantë se të tjerët, me ishuj të vegjël, të pyllëzuar dhe me shtëpi të bardha në breg të cilat më së shumti lëshohen me qira. Të josh liqeni me butësinë e njëtrajtshme të tokës, nën nivelin e ujit. Nuk është i thiktë dhe me gropa por miqësor dhe ngrohës. Mund të ecësh shumë në brendësi të liqenit dhe uji të vjen pothuajse deri në brez. Noton i shpenguar, ndalesh, pushon qetësisht dhe gjithë kënaqësi. Noton përsëri. Si ajo nëna e re, Daniela e cila ka vendosur fëmijën topolake, motake në një kamerdare plastike të improvizuar si shtëpizë kukulle, të gjelbër, me palmë përsipër. Daniela ndalon, shtrydh flokët e verdhë, lëviz trupin hijshëm si një amazonë, përgjon fëmijën e gicilis, i qesh dhe e shtyn me kujdes në ujin e qetë.
– Danielë të lutem, mos e mbaj gjatë fëmijën në ujë, – i thirri Skotti prej bregut. Burrë shtatlartë, zë trashë, me një nishan të madh në faqen e majtë, me theks skocez. Ai punon agjent i shitjeve dhe blerjeve të shtëpive. Biznesi i shitjeve dhe blerjeve të shtëpive kohët e fundit i kish ecur mbarë. Burrë e grua kishin vendosur të blinin një shtëpi dy katesh me dalje në liqen dhe një jaht të bardhë, të madh.
– Oh i dashur, ti e di, fëmija e do ujin, – ia pat Daniela, bardhoshe e bukur, trupderdhur, gjokspredhë, punonjëse e bankës. Ajo qeshi me zë të lartë. Disa ditë më parë menaxheri e thirri në zyrë dhe i komunikoi emërimin, përgjegjëse e një dege të bankës në veriperëndim të qytetit. Gëzimin e ngritjes në detyrë dhe rritjes së rrogës, donte ta festonte me familjen. Ngriti fëmijën hopa në krahë dhe u zhyt me të në ujë.
Kristina dhe Brandi, çift i ri, merren me shitjen e blerjen e antikuarëve. Ata ishin puthitur bërë një trup. Putheshin dhe përkëdheleshin plot afsh. I futnin kokën njëri-tjetrit në ujë, vraponin, ndiqeshin, pastaj argaliseshin me të madhe. Shandani i florinjtë me vlerë i plakës së verbër Qeti, të lagjes Fija e barit, u ble shumë lirë. Mund të bënin një dorë me dollarë. Ata kishin marrë një hyrje me qira në hotelin ‘Patkoi’.
Nxënësit e klasës sportive të bejsbollit, bënin garë stërvitore. Drejtoheshin prej veteranit Brajën i cili kish marrë me vete mbesën e vogël, një vajzë topolake, dhjetë vjeçe, me gërsheta të verdha. Çifte pleqsh të shkuar në moshë të kapur dorë për dore ecin në ujë ngadalë, ulen në gjunjë lagin trupin dhe ecin përsëri. Tufa fëmijësh si zogj nën kujdesin e prindërve luajnë me top dhe lahen pranë bregut. Disa prindër të tjerë mbajnë fëmijët kaliqafë dhe prej andej i lënë të kërcejnë dhe zhyten në ujë.
Ditë e paqme korriku me diell dhe lirshmëri.

5
Po afronte mesdita kur ndanë rrugës, pranë rrotës së vjetër metalike Xhon i rrepti, mullisi ndaluan katër makina bojë hiri. Prej andej zbritën me nxitim ardhësit e vonuar, të fundit. Katër burra ezmerë, tetë gra të mbuluara fund e krye me rroba dhe një tufë e madhe me fëmijë. Burrat mbajtën një copë herë duart mbi ballë si strehë, pa vendosur se çfarë duhej të bënin. Biseduan, debatuan, heshtën. Gratë qëndronin grumbull më tej me duart në pëqi, së bashku me fëmijët e zhurmshëm. Lëndina ishte mbushur plot me pushues dhe nuk kish vend për ta. Fëmijët lëviznin të paduruar, ngacmonin njeri-tjetrin dhe tërhiqnin nënat prej fustaneve të gjata, luteshin të qëndronin, të argëtoheshin dhe ata si gjithë fëmijët e tjerë. Burrat qëndronin të vrenjtur të menduar dhe këqyrnin pafolur pushuesit që thekeshin të zhveshur. Liqeni i kaltër, motoskafët e zhurmshëm, jahtet shkisnin butë si pulëbardha të mëdha dhe vilat e bukura përqark i joshnin. Gratë u flisnin me zë të ulët fëmijëve të mbanin qetësi, në pritje të vendimit të burrave. 
Burrat më në fund lëvizën si një trup lart në cep të rrugës, ku gjendej një copës lëndinë. Pranë gardhit prej dërrase të pronës private dhe ku lartësoheshin dy pemë të larta. Kokat e grave ishin drejtuar nga burrat. Ata hijerëndë, me përtaci u bënë grave me kokë se u vendos të qëndronin. Ato me gjallëri hapën bagazhet e makinave, nxorën kuverta shumëngjyrëshe prej pambuku dhe i shtruan mbi bar. Dy fëmijë u rrokullisën të shpenguar mbi kuverta. Gratë u folën të largoheshin, shtruan celofan mbi kuverta. Ato u ulën më bisht dhe nisën të shpërndanin për fëmijët pita të holla, të bëra rolle, të mbushura me perime. Çamarrokët e vegjël lëviznin mbi kokat e prindërve të tyre gjithë zhurmë si trumcakë të paduruar dhe kafshonin pitat me shpejtësi, me dhëmbët e përparmë si ketra. Ushqimi i shpërndarë u përrla sa hap e mbyll sytë. U ndanë pitet e dyta të mbushura me perime.
Fëmijët fshinë duart ku mundën të paduruar kthyen kokat nga prindërit. Ata e mbushën barkun, prisnin të jepej prej tyre urdhri për t'u afruar drejt ujit. Njëri prej burrave foli me zë të rëndë:
– Fëmijë, mund të thekeni në diell. 
Fëmijët sa hap e mbyll sytë flakën teshat dhe qëndruan në të mbathura. Ata filluan të gilicisnin njëri tjetrin dhe qeshnin me zë të lartë. Burrat dhe gratë vështronin fëmijët. Ata nuk u zhveshën për të bërë plazh.
Një fëmijë i dobët në cep të grupit, vështroi majtas dhe djathtas. Ai ishte ndër më të vegjlit dhe nuk u vu re kur u shkëput me kujdes prej vëmendjes së prindërve dhe theri poshtë, në breg të liqenit. Tinës filloi t'u bënte shenja fëmijëve të tjerë të ndiqnin dhe ata shembullin e tij. Njëra prej grave u kthye me vërtik dhe i thirri të birit zë grindur, në gjuhën e tyre të kthehej. Por kjo u tërhoqi vëmendjen fëmijëve të tjerë të cilët u turrën poshtë me zhurmë dhe rrëmet aty ku veronin pushuesit të shpenguar. U dëgjuan bërtitjet e trembura të grave të mbështjella fund e krye me rroba, me ferexhe dhe fustane të gjata. Burrat automatikisht kthyen kryet të zymtuar dhe vrapuan mbas fëmijëve. Vendasit u ngritën në bërryla dhe lëvizën të shqetësuar prej poteres së pazakonshme. Vështruan me bezdi, gati me mëri fëmijët e zhurmshëm, të shkujdesur, të grumbulluar në shkallinat e bregut të liqenit në pritje për t'u futur në ujë.
– Duken ardhës të rinj, emigrantë nga Lindja e Mesme, ndoshta nga Arabia Saudite, – foli nëpër dhembë dhe me përtesë plaku thatin Harri, ish banakieri i klubit të vjetër ‘Gota’, dalë në pension vite me parë, frekuentues i përhershëm i plazhit. Ai rrëzoi mbi sy, me mërzi kapelën e bardhë strehëgjerë. 
– Mendoj se janë nga Afganistani, – i foli me bindje Ruana e shoqja me syze të mëdha dielli.
– Mendon se ato gra të mbuluara fund e krye duhet të zhvishen dhe të shijojnë freskinë e ujit, – foli Harri me zë të ulët të mos e dëgjonin të tjerët.
– Plako nuk të arrin më gjuha tek hunda dhe mos llomotit kot, – foli nëpër dhembë Ruana. – Ato nuk zbulojnë fytyrën në praninë e një të treti dhe jo më të zhvishen.
– Ruana të lutem lëri broçkullat. Gjuha ime tani është mbledhur bërë shuk, – tha Harri dhe kroi me nervozizëm gjoksin si dërrasë të vjetër: – Ja shiko: është me të vërtetë paradoks. Njerëzit vijnë këtu në plazh të zhvishen, të lahen në liqen dhe t’ia ekspozojnë trupin diellit. Ndërsa këto krijesa që aksidentalisht janë gra vijnë të mbuluara me një vandak me rroba?! Më thuaj moj grua, ç’dreqin duan ato këtu?
– Plako, lëri të bëjnë çfarë të duan, nuk është puna jonë. Këtu tani po vjen ç'mbledh treni, – foli Ruana me zë të lodhur dhe vendosi parakrahun mbi sytë.
– Të lutem mos më thirr plako, – u grind Harri.
– Po ti plak je, – nuk u tërhoq Ruana.
– E di, plak jam, por të lutem mos më thirr me vend e pa vend. Sepse kur më thua plako ma bën koka bam, – u ankua Harri. 
Ai donte të shtonte se dhe ti je një plakë e shpifur, gërdallë më keq se unë. Një brumë i qullur, lëngëtyrë, e tjera e të tjera. Por nuk ia mbajti. Ajo do ta bënte pestil.
– Mirë, nuk të thërras, – i tha gruaja e bezdisur.
– Më premton?
– Të premtoj.
– Faleminderit e mira ime Ruana. U prish bota, për atë Zot u prish, – murmuriti Harri dhe shtoi me bindje: – Ato gra nuk mund dhe nuk duhet të futen në ujë me gjithë rroba. Gjithsesi liqeni ynë Muskoka ka kodin dhe shenjtërinë e vet.
– Mos e lodh kokën pla.., me kode, shenjtëri dhe ku di unë çfarë.., – ia bëri e bezdisur Ruana dhe i ktheu shpinën.
Harri u përtyp por nuk foli. E shkeli si zakonisht premtimin dosa, brumi i ardhur, përsëri ia këputi një: pla... 

6
Tufa e madhe e fëmijëve, si një grumbull patash dhe rosash të vogla vrapuan drejt ujit të shoqëruar me britma të papërmbajtura gëzimi. Klithnin, fshikullonin ujin, ngrinin stërkala, lagnin njeri-tjetrin, drithëroheshin, fërkonin trupin, të ngroheshin prej ujit të ftohtë dhe më pas argaliseshin me të madhe. Mbas tyre lëvizte në ujë me ngathtësi njeri prej prindërve, fytyrë ezmere, rrumbullake, me pak mustaqe. Ai mbante veshur bluzë të lehtë pambuku, me vija të gjelbra dhe blu të errët, të qullur dhe të ngjitur pas trupit. 
Gratë me ferexhe si në një film pa zë ecën ngadalë, zbritën në njësh kolonë. Pushuesit ndoqën me sy baritjen e tyre të plogët. Ato qëndruan të druajtura në pragun e shkallinës së parë që çonte në liqen. Në plazh dielli digjte dhe të gjithë pushuesit ishin të zhveshur. Ato gra dukeshin tmerrësisht të çuditshme. Vajzat e reja laheshin, shtriqeshin dhe bënin banja dielli, mbanin veshje plazhi me dy gisht mbathje dhe sutjena.
Gratë e mbuluara me rroba të rënda dhe ferexhe lëvizën, u bënë rreth dhe diç folën mes tyre. Dy vajza tre hapa larg tyre ishin shtrirë përmbys dhe kishin zbërthyer rikat e holla të sutjenave. Dalloheshin shkoqur një pjesë e gjokseve turbulluese, të bardha dhe të mbushura. Gruaja me ferexhe, ajo më e gjata, shtatlarta vështroi me bisht të syrit lakuriqësinë e shpallur dhe ndehu krahun drejt liqenit.  Dy gra të tjera, ato më të mbushurat dhe më të shkurtat hodhën një hap prapa dhe u kthyen shpinën me nervozizëm lakuriqësisë tunduese të vajzave vendase. Krahu i shtatlartës qëndronte i ndehur.
– Allah! – mërmëritëm ato dhe u bashkuan përsëri me grupin.
 Gratë mbajtën këmbët dhe qëndruan në një vijë. Të pavendosura, frika e ujit apo furtuna e burrit. Uji shushuriste. Ato nuk zhvisheshin, të nxirrnin në mexhlis  lakuriqësinë mëkatare të femrës. Nisën të zbrisnin shkallinat një nga një me plogështi, gati me frikë. 
Dikush prej pushuesve u kollit me qëllim. Një tjetër teshtiu. Lart në kupë të qiellit dielli i korrikut përvëlonte. Në ujë reflektoheshin me miliona kristale shumëngjyrëshe. Njëra prej grave futi dorën në ujë. Ajo është shtatlarta, Shehrazadja, vetullharkuara, qerpik gjilpëra, gruaja e dytë e Hamidit. Shehrazadja lëvizi gishtat në ujë, e llokoçiti.
– Oh! – ia bëri, me psherëtimë të thellë, të heshtur. 
Ajo zbërtheu kopsat dhe lidhëset e shumta. Fërkoi gjoksin e vogël, barkun, deri poshtë, por me kujdes të mos e shikonin gratë e tjera dhe pëshpëriti symbyllur:
– Allah! Allah! Pse vallë i ke dhenë ujit kaq hijeshi?
 Kur ishte fëmijë ajo kishte ëndërruar të bëhej balerinë. Vallëzonte shumë bukur, por përgjohej prej syve të errëta, lakmitare. Pesë herë u thyen xhamat e dritareve. Nëna pëshpëriste zëulët se xhamat i thyen era e marrëzisë. Babai duke shkrofëtirë rrëmbente pushkën dhe turrej nëpër natë. Qëllonte në ajër, shante dhe pështynte gjithë inat. Kur një plumb i erdhi prej errësirës dhe i zhvoshki llapën e veshit, ai e martoi me Hamidin e kamur i cili ia kish kërkuar vite më parë. Hamidi e zhveshi lakuriq qysh natën e parë, pa i vënë veshin lotëve të saj. Ata bënë seks nën dritën e qirinjve. Hamidi ishte i kënaqur. Vështronte trupin e derdhur të gruas së dytë, njollën e gjakut në çarçaf dhe pinte nargjile.
 Ëndrra iu bë njëherë e përgjithmonë pluhur dhe hi. Ajo u bë një grua që do të jetonte e mbuluar dhe brenda katër mureve të shtëpisë së madhe të Hamidit. Në mbrëmje hynin karvanë me gamile dhe në mëngjes dilnin kolona me makina.
Trupi i Shehrazades u drithërua prej freskisë së ujit. Iu duk sikur do t’i binte zali prej kënaqësisë. Ajo dëshironte t’i mblidhte në grushte reflektimet diellore dhe kristalet ujore. Ajo ishte shumë e re, trupderdhur, gjoksvogël, si dy portokaj.  Donte të ishte e zhveshur, të admirohej prej meshkujve dhe të thekej prej rrezeve diellore si gjithë pushueset e tjera vendase. Pa vështruar nga gratë e tjera, hodhi në ujë këmbën e majtë, të mbuluar dhunshëm prej fustanit të gjatë.
– Shëet Shahrazade! Mos po bëjmë një të paqenë? Allah! Allah! Se si më vjen!’ – i pëshpëriti Sahara, gruaja e parë e Hamidit. 
Hamidi më të shumtën e kohës flinte me Shahrazaden. E verbonte bardhësia marramendëse e trupit të kolmë të gruas së re. Sahara nuk ankohej për braktisjen e heshtur e të shoqit, por sytë e saj qëndronin gjithnjë të trishtuar. Ajo përgjonte Shahrazaden kur lahej në vaskë në dhomën e mënjanuar të grave dhe me sy ziliqarë sodiste trupin e derdhur, këmbët e drejta dhe gjoksin e vogël. Sahara vuante prej sëmundjes së sheqerit. Hamidit i pëlqenin sheqernat dhe ajo i përmbyste pa kursyer me shurup.
– Allah! Allah! – pëshpëriti një tjetër. – Mos është gjynah!
Shehrazadja nuk u ktheu përgjigje. Pse është gjynah të lahesh në ujë! Asaj i vinte të çirrte me thonj këto tesha të rënda, të zhvishej lakuriq dhe të kridhej në ujë. Edhe pse ishte nusja më e re, kish qenë ajo që i kishte nxitur për të lëvizur, vizituar liqenet dhe mjediset e Kanadasë. Përderisa pranuan dhe u larguan prej atdheut, ndryshuan vend dhe mjedis, duhet të përshtateshin me ambientin. Ishte koha për ndryshim. Kur ia tha këto mendime Saharasë, ajo kafshoi buzën dhe e vështroi me dyshim.
Burrat e pranuan në heshtje për të argëtuar fëmijët. Po të qe për Shehrazaden, do t’i kish flakur me kohë ato tesha të tmerrshme që i mundonin shpirtin dhe trupin. Feja dhe ligjet e saj ishin jashtëzakonisht të ngurta.
Shehrazadja qëndroi një copë herë e ngurosur. Mbajti vesh zërat e largëta dhe zërat e afërta, të fshehta të ujit. Sa e madhe dhe zemërgjerë është bota dhe sa të ngurta janë dëshirat e njeriut. Përkuli  trupin me shkujdesje dhe lëvizi përpara. Uji i hyri nxitimthi në trup, u rrëqeth. Më pas hodhi këmbën tjetër. Freskia e ujit e joshi, hyri deri në mes. Oh! Se si i vinte! U zhyt e tëra.
‘Oh!’ ia bëri përsëri dhe teshat e saj u frynë menjëherë. Iu bë sikur era ia shkuli rrobat e rënda dhe i flaku tutje. Ajo ishte lakuriq si një sirenë uji. I dukej sikur vallëzonte në ujin e kthjellët. Mbas saj u ngutën të futeshin në ujë dhe gratë e tjera. Me frikë se mos ndërronin mendje nën forcën e zakonit. Dhe qëndronin pranë bregut të liqenit nën urdhrat e ashpra të burrave.
 Gratë të hutuara rrotulloheshin në ujë krahëhapur, me ngathtësi. Ngjanin si shpendë të çuditshëm, pendë qullur të zbritur rastësisht në liqenin e largët, verior Muskoka. Uji rreth tyre shushuriste. Sa të bezdisshme janë rrobat kur rëndohen prej ujit.

7
 U lëkund qetësia e një dite të zakonshme plazhi. Pushuesit vendas lëvizën në stola, shilarës dhe mbi peshqirë, por pa u ndryshuar shprehja e ngrirë e fytyrës. Rrëmeti i fëmijëve, ardhësve të vegjël, prej vendeve të largëta dhe të paftuar, arriti kulmin. Ndërsa zhytja në ujë e grave të mbuluara fund e krye me tesha të rënda u la shije të pakëndshme, të athët, të dalë jashtë kohe, gati jashtëtokësore.
Sigurisht vendasve nuk u erdhi mirë, sidomos prej tetë masave të mbuluara fund e krye me rroba. Brenda tyre aksidentalisht fshiheshin gratë ardhëse të cilat i gëzoheshin padrejtësisht ujit dhe lëviznin si palombarë të çuditshëm. Skotti mërmëriti nëpër dhembë: 
– Do ishte mrekullisht bukur, sikur ato gra si lëmshe, të sodisnin reflekset ujore prej bregut të liqenit tonë të dashur Muskoka.
Stive mblodhi supet, por nuk i foli.
 Daniela doli me ngutje prej ujit, duke lëvizur shpullat e hijshme dhe vithet e kolme. Ajo qëndronte e vrenjtur në fytyrë, ndërsa trupi i saj i derdhur dukej tejet seksual. Daniela vendosi në cep të stolit kamerdaren e improvizuar si shtëpi kukulle me palmë përsipër. Hapi përdhe mbi bar një kuvertë me lule dhe nisi të ndërronte fëmijën që argalisej prej kënaqësisë.
– Daniela mendon të futesh përsëri në ujë? – e pyeti Skotti.
– Nuk e di, – u përgjigj thatë ajo. – Po ti?
Skotti flaku tutje një fije bari dhe mërmëriti:
– As unë nuk e di.
Harri ishte ngritur në bërryla syzgurdulluar dhe me qafë të ndehur nga liqeni.
– Ruana! Shiko, shiko atje në liqen! Ato me gjithë mend u futën në ujë, – foli zëdridhur Harri.
Gruaja u kthye me përtesë dhe mblodhi buzët.
– Pëf! – ia bëri.
– Një hop besova se ishte lojë e syve. Nuk gjetën ato gra vend tjetër, të lajnë rrobat, po pikërisht në liqenin tonë, – shtoi Harri me zë të holluar prej ankimit.
– Të pëlqente t’i shikoje ato gra të zhveshura, – ia pat me ironi Ruana.
– Jo, – hungëriti Harri.
– Sa do rrojmë do mësojmë Harri, – ia priti Stive topalli dhe vazhdoi: – me sa kam dëgjuar Harri, ato gra të janë thëngjij të mbuluar, po t’i prekësh pak, të përvëlojnë, ta bëjnë trupin me fulltaka.
– Si të gjitha gratë, – mërmëriti Ruana dhe lëvizi në krah. Hodhi një vështrim të vrenjtur drejt grave të mbuluara me ferexhe, pastaj mbuloi kokën me peshqir.
Vendasit nuk donin të ngatërroheshin. Ata u tërhoqën me kujdes, pa shumë dëshirë, duke ju lënë ardhësve të zhurmshëm dhe çamarrokë hapësirë më të madhe në brezin e parë të liqenit të kthjellët Muskoka.
Dielli kish qëndruar në kupë të qiellit dhe përvëlonte. Uji i liqenit ishte i qetë si një pëlhurë e nderë.
Gratë e mbështjella me ferexhe dhe fustane të gjata gjithë pala, lundronin si kërpudha të mëdha. Befas si me komandë ato dolën një nga një nga prej liqenit. Barisnin ngadalë, me vështirësi, si të ishin të lidhura me vargonj. Rrobat e tyre kullonin rrëke uji. Në ecje e sipër, me nervozizëm shtrydhnin teshat e rënduara. Njëra prej tyre, ajo më shtatlarta, Shehrazadja, largoi me padurim cepin e ferexhesë dhe e shtrydhi. Syri i saj ishte i madh dhe lëkura fytyrës i ndriste.
– Ia pashë syrin njërës prej tyre. Për atë zot që ia pashë. Oh! Të zi dhe sa të madh e kish, sa një filxhan. Shikimi i saj ish si një shigjetë e flakëruar,- murmuriti Stive topalli dhe shtoi me zë përdëllestar: – Këtu në plazh i ke fermat si t’i duash. Të bardha, ezmere, të kolme, elegante, me dy gisht brekë, me një ripkë të hollë sa mbulojnë thithat dhe nuk u shtije sytë. Sa më shumë mbulohet femra, aq më tepër zhuritet mashkulli, bëhet verem.
Fëmijët ardhës po josheshin dhe mrekulloheshin prej ujit të liqenit dhe nivelit të tij. Ish pa gropa, i sheshtë, ndryshe nga sa i kishin këshilluar prindërit e trembur. Filluan të ngrinin stërkala të madha dhe të luanin me një top të vogël. Ia hidhnin topin njëri-tjetrit, shtyheshin, ngatërroheshin dhe qeshnin. 
Sahara u ndje e shqetësuar, ndërpreu shtrydhjen e teshave, lëvizi kryet me vërtik dhe u foli grave. Ato si një trup i vetëm lanë shtrydhjen e teshave, ngritën kokat. Me zë të holluar, si klithma shpendësh nisën tu bërtisnin fëmijëve të mos shkonin thellë  në liqen. Një tjetër prind, Sadiu, me mjekrën korb të zezë dhe me bluzë të hirtë u fut me nxitim në ujë. Fëmijët nuk dëgjonin, i kish përfshitë loja. Ata ishin të mbërthyer prej loja dhe shpengimi  bukur.

8
Filloi të frynte erë e lehtë. Pushuesit vendas po bezdiseshin gjithnjë e më tepër. Ata ishin mësuar me qetësi dhe maturi, nuk e bënin veten. Me indiferencë të sipërfaqshme merreshin me njeri tjetrin, luanin me letra.
Gruaja me shtat të lartë e mbante kryet vazhdimisht të drejtuar nga liqeni. Shehrazadja me padurim të hapur, tërhoqi pas vetes gratë e tjera të mbuluara me ferexhe. Ato e kishin fshirë përfundimisht hezitimin, me shumë dëshirë hynë përsëri në ujë. U zhytën deri tek shpatullat, dikush futi dhe kokën. Ato ngjanin si kërpudha të mëdha. Shehrazadja fërkoi me përkëdheli  këmbët, krahët, gjoksin. Uji i liqenit ia gjallëroi ndjenjat. Ajo u nervozua me veten dhe me hallkat e tepërta që mbanin emrin tesha. Sahara iu fërkua në shpinë, por u mërzit shpejt. Vështroi me frikë nga i shoqi. Fytyra e Hamidit i ngjau si mot i vrenjtur. Hamidi ishte burrë i ashpër me rregulla të forta në familje dhe ajo i trembej. Hëm, burrë i ashpër! Por me këtë Shehrazade gjithë naze bënte një sy qorr dhe një vesh të shurdhër. S'do mend, ajo ishte e re, e freskët dhe e shkrinte në krevat.
Sahara më kot nguli këmbë të dilnin prej ujit. Kur e pa që askush nuk e dëgjoi, u zhyt disa herë në ujë duke hapur këmbët dhe shtrirë krahët dhe murmuriti:
– Për Allah, mos po bëjmë gjynah!
 Gratë e tjera nuk i kthyen përgjigje, por kontrolluan me gishta, nën ujë teshat, mbërthyen kopsat, karficat, shtrënguan rripat. Fërkuan edhe njëherë vendet delikate, duke i llokoçitur. U çuan dhe dolën pa qejf.
Dhe nëse ardhëset e vonuara nuk u zhveshën. Të flaknin tutje fustanet e gjata, të brendshmet çitjane, përsëri të brendshmet e tjera me pala, deri tek të linjtat e holla, nëse mund të kishin të tilla. Ato sigurisht do hiqnin me dëshirë shamitë trekëndore me xhufka dhe më në fund hallkat shtrënguese ferexhe, të cilat mbulonin dhunshëm fytyrat. Sidoqoftë të gjitha këto hollësi delikate, që të ndiznin kureshtjen ishin çështje intime të zhveshjes së grave të ardhësve prej vendeve së Lindjes së Mesme. Nuk u përkiste vendasve. Ata janë tolerantë, të mësuar me zhveshje dhe lakuriqësi, jo vetëm në plazh por në rrugë, mitingje dhe kudo. Deri tek nxjerrja e kofshëve, barqeve dhe kërthizave ku janë mbërthyer dhe varen zilka të vogla.
Vendi i tyre i lejon  të gjitha modat, veshjet, mendësitë dhe zakonet. Kostumet e rënda dopiopet. Xhins të ronitura, të prera kryq e tërthor. Xhingla mingla. Me tre palë brekë të veshura njëra mbi tjetrën dhe me dhjetë palë bluza. Me turbanë shumëngjyrësh sa dy koka bashkë. Me fustane të gjata dhe të shkurtëra. Me çitjane dhe tallaganë. Me ferexhe si perde, ku të mbahet fryma dhe nuk lë të hyjë drita dhe dielli. Deri tek lakuriqësia dypalëshe e lakmuar biseksuale, shpesh herë e shpërdoruar, banalizuar. Ronitja e seksit kish kaluar në ekstrem, ish zhbërë. Dikush pëshpëriste me maraz se: prej mbingopjes, lakuriqësia njerëzore ish zhvleftësuar, bastarduar me tatuazhe të pështira, ogurzeza, vampirë që të kallnin datën.
Së paku ardhësit e vonuar të mos i lejonin fëmijët të bënin gjithë këtë poterë të panevojshme sa t'u shkaktonin të tjerëve dhembje koke. Liqeni është i madh dhe ka hapësirë për të gjithë. Le të lodrojnë. Njeriu shkon në plazh të çlodhet, të largojë nga mendja stresin e ditës dhe të marrë rreze dielli. Kur dihet mirë që në këtë vend, ka dimër të gjatë me ngrica dhe dëborë të madhe. Vetëm disa muaj të kushtueshëm me diell të ngrohtë.

Plaku thatim Harri, ish banakieri i klubit të vjetër ‘Gota', me borsalinë të rrasur deri tek veshët lapucere dhe lëkurë të përskuqur prej diellit, lëvizi me ngathtësi qafën dhe me zë të shuar iu lut Ruanës të lajmëronte ambulancën.
– Çfarë, – ia bëri e shoqja pa hequr peshqirin nga koka.
– Nuk po ndjehem mirë. 
– Ke gjithë ditën shtrirë, të ka rënë dielli në kokë, ngrehu lëviz, – foli Ruana.
– Si të lëviz, kur kam një gërç këtu në gjoks dhe nuk po mundem të mbushem me frymë, – u ankua ai.
Ruana largoi peshqirin dhe ngriti kokën me përtesë. 
– Po të mos ndjehesh mirë, ikim. E lëmë këtë ditë të bukur dhe shkojmë në shtëpi, – i tha ajo dhe mbështeti bërrylin në stol.
 Harri nuk i ktheu përgjigje, krahët e dobët të tij u varën në stol.
– Harri dëgjon?
 Ai heshte. 
– Plako! Harri!
Në rrugë kaloi një grua police me biçikletë. Ruana e shqetësuar i kërkoi ndihmë. Policja një grua energjike, me trup mesatar, la biçikletën buzë rrugës dhe zbriti me nxitim. I mati pulsin plakut. Ruana ndukte gishtat me dhëmbë dhe vazhdoi të mërmëriste me vete se qysh mbrëmë i shoqi e kish pasur tensionin të ulët. Është kokë mushkë plaku, nuk dëgjoi të qëndronte në shtëpi, nuk donte te braktiste zakonin për të dalë në bregun e liqenit.
Menjëherë vëmendja e pushuesve u shkëput nga fëmijët ardhës që zhurmëtinin në liqen dhe u përqendrua tek Harri thatim të cilit i kish rënë të fikët. Policja foli në radio me urgjencën e spitalit të qytetit: Engjëlli i bardhë, të dërgonte menjëherë ambulancën. Ajo iu lut dy djelmoshave ta ndihmonin ta mbartin plakun nën pemë, larg rrezeve të nxehta të diellit. Policja hoqi me nxitim kapelën dhe xhaketën. Largoi kureshtarët e shumtë që vështronin të shqetësuar trupin e lëshuar të plakut Harri dhe nisi t’i bënte frymëmarrje artificiale. Ruana pak më tej përlotej në heshtje dhe nuk pushonte së mërmëritur. Ngjante si një masë e qullur mishi e lënë në harresë.
Këmisha e kaltër e polices u qull nga djersa. Mbas disa minutash Harri përpëliti sytë, i hapi dhe vështroi përqark i hutuar. Ruana qeshi e lehtësuar.
– Dreq Harri! Na bëre me zemër, – ia bëri Skoti buzagaz dhe shtoi: – Sëmuret burri prej një fashe dielli!
Plaku Harri lëvizi qafën ngadalë dhe buzëqeshi me vështirësi.
– Nuk vdes lehtë Harri jo, pa provuar dhe shijen e gruas së gjashtë, – ia pat me shaka Brajën, pa lëshuar mbesën nga dora e cila donte të përzihej me fëmijët e tjerë.
Ruana lëvizi kokën me vrull, vështroi nga Brajën me inat dhe i shfryu:
– Qërohu tutje Brajën! Shkoi vapa me gushtin për Harrin. Tani atij duhet t’ia mbash veglën të ngritur me spango. Apo ta ka qejfi ty të futesh e të kullosësh në luadhin tim.
– He,he, he, – hungëriti Brajën. E cimbisi gruan lehtë në krahun e trashë dhe i pëshpëriti  pranë veshit: – Bëra shaka moj Ruana. Luadhin tënd unë e kam kositur kur bari ishte shumë i freskët dhe mbante erë trëndelinë. Apo harrove moj Ruana?
– Hy djall me brirë, shko gremisu! Gojëfarmak! – u gërmush ajo: –  Gjete kohën të grisesh me ne. Gjithnjë karagjoz ke qenë.
 Brajën luajti kokën ngadalë pa i vënë veshin sharjeve të saj dhe pëshpëriti:
– Lëre tani Ruana, mos e nga, të lutem. Siç e sheh po më bëhet mbesa për t'u martuar. Të shkuara të harruara. Hë de, ngriji vetullat. Më fal. Të jem i sinqertë me ty. Ti ishe me të vërtetë llokum me ara Ruana. Sheqer e mjaltë. Sixhade Persie. Njëshi me nam i qytetit dhe i tërë zonës së Muskokës.
Ruana u shkri nga kënaqësia e pickoi në ije dhe iu përkëdhel si kone.
– Eh more Brajën, eh! Atëherë pse më le të shkoja tek Harri, – i foli ajo gjithë përdëllim.
– Po gruan që kisha ç’ta bëja, – i foli ai nëpër dhëmbë.
– Ç’ta bëje?! Ja shiko këta ardhësit, mbajnë nga dy gra, – murmuriti ajo me zë të grindur.
– Në ato vite ti, Ruana, nuk mund të përmbaheshe, jo, – rënkoi Brajën.
Ruana u prish në fytyrë dhe hapi gojën të fliste. Në rrugë u ndal sirenëlëshuar makina e ambulancës dhe zbritën me nxitim dy veta të veshur me uniformën e ndihmës së shpejtë dhe me barelë në duar. Ata i vendosën në gojë Harrit maskën plastike të oksigjenit.
– Harri është kockë e fortë, nuk do pranojë të shkojë në spital. Ai gjithnjë ka thënë se do të vdesë në këmbë, – tha Stive topalli.
– Djall me brirë, – iu gërmush Ruana Brajënit: – Me burrë të sëmurë, ma prishe mendjen.
Brajën picërroi sytë dhe nënqeshi.
– Eh Ruana, eh! – mërmëriti: – Lumi Muskoka rrjedh fërkohet nëpër brigje dhe gërxhe njëlloj si brengat e njerëzve.
Harri nuk kundërshtoi kur punonjësit e ndihmës së shpejtë e mbartën në barelë. Ai mbylli sytë i lodhur. Ruana ecte si patë, e ndiqte barelën kokulur me fytyrë të zbehtë.

10
Pushuesit me buzëqeshje zemërgjerësie u shpërndanë të lehtësuar nëpër stolat, shilarësit dhe peshqirët e tyre. Ata u sheshuan duke psherëtirë lehtë me zemërgjerësi dhe përhumbën shikimet. Plaku Harri u mori pak kohë me sëmundjen e tij të papritur. Paçka. Ngandonjëherë plazhi i ka këto të  papritura. Hëm, nevojiten intermexo të tilla për të shkundur monotoninë dhe rutinën e përditshme. Harri do të marrë serum në spital dhe do flejë një natë si shqerrë. Të nesërmen do ta gjejnë si zakonisht në vendin e tij, i këndellur në shilarës së bashku me gruan, besniken Ruana. Eh, more Harri, Harri për pak sa na bëre merak!
Ndodh shpesh që diellin e ngrohtë e zë reja, moti ftohet sakaq. Pushuesit pa u mërzitur mbledhin teshat, u hipin makinave dhe shpërndahen nëpër shtëpi, në pritje të ditës tjetër.
Ndërkaq pushuesit i qenë kthyer sërish çasteve të tyre çlodhës dhe argëtues. Skotti me Danielën hynë në liqen së bashku me fëmijën e tyre të futur në kamerdaren e gjelbër, lodër, me palmë përsipër. Kristina me Brandin kishin peshkuar një plakë tepër të moshuar, me flokë të ngjyera në të kuqe. Me vetulla vizatuar me kopjativ, nga lagja e vjetër e Të Humburit. Ata e kishin marrë plakën në mes dhe flisnin për antikuarët e papërdorshëm që mbante nënoja në shtëpi, kur mund të fitonte dhjetra dollarë. Plaka thatime i dëgjonte e përhumbur. Ajo vërtet kishte nevojë për ca dollarë më shumë. Në dimër kur binte dëborë, shtëpia e drunjtë tek Cepi i Kërcurit  niste avazin e rënkimeve dhe kërcitjeve, njëlloj si eshtrat e saj. Shtëpia mund t’i shembej në vitet e ardhshme dhe mund ta merrte nën vete. Djemtë i ishin martuar dhe kishin marrë udhët vite më parë, një në Manitoba, tjetri në Vankuver. Ajo mendonte me ata dollarë të fituar ta meremetonte shtëpinë. Sa të dashur dhe të sinqertë janë të rinjtë e porsa martuar!
Stive topallit iu lëkund grepi me tërsëllëm dhe atij i rrahu zemra me vrull për peshkun e madh që kish parë në ëndërr. Filli i tendosur dridhej. Le t’ia bënte puf Sara. Fati i madh po i trokiste në derë. Përderisa flitet në qindra vjet për një peshk të florinjtë dhe të argjend i cili jeton i shpenguar në ujërat e liqenit të Muskokës. Nuk do ish çudi që ky peshk të binte një ditë në grepin e të thjeshtit, postierit të papërtuar Stive topallit dhe kjo ditë mund të ishte e sotmja.
Brajën nisi t'u bënte stërvitje pjesëtareve të skuadrës së bejsbollit. I fërshëllente bilbilit me furi, vraponte së bashkë me skuadrën nga një skaj në tjetrin. Jahtet dhe motoskafët lëviznin të shpenguar në liqen dhe të rinjtë kridheshin në ujë shoqëruar me klithma gëzimi. Lart mbi rrugë, punonjësit e ndihmës së shpejtë përshëndetën policen e shërbimit dhe i hipën makinës për t'u larguar.

11
Në mes të kësaj harmonie të mrekullueshme u ngrit një klithmë e llahtarshme. Shungullimë, që u mpiu pushuesve pështymën në gojë. Tetë gratë si lëmshe rrobash, vraponin si të çakërdisura në rrugë. Shehrazadja i doli përpara ambulancës së emergjencës dhe i bllokoi rrugën. Sa e mundimshme ish ajo ferexhe që i mbante frymën e djersinte dhe nuk e linte të fliste, i vinte ta shkulte dhe ta flakte tutje. Sytë i ishin veshur prej lotëve të nxehtë. Zemra i rrihte me vrull prej ankthit dhe përgjegjësisë. Sepse ish ajo e para që ngulmoi të linin fëmijët të luanin në liqen. Sytë e Saharasë villnin zjarr. Shoferi frenoi me shpejtësi, duke devijuar majtas. Shehrazadja kërceu mënjanë.
 Gratë e tjera ulërinin, nduknin rrobat, ferexhetë, qanin.
– Ju lutem... na ndihmoni...Një fëmijë i yni... aty në liqen.., – mezi mundi të fliste Shehrazadja. Ajo dridhej. Toka lëvizte dhe asaj i bëhej sikur do gremisej.
Punonjësit e emergjencës vështruan të hutuar gruan që u preu rrugën dhe te veshur fund e krye me tesha të rënda. Ata shanë me zë të ulet. Mend e shtypën këtë farë gruaje. Trupi i saj i gjatë dridhej si purtekë. Ferexheja e qullur prej djersës dhe frymës lëkundej. Shikimi i tyre brodhi drejt ujërave të qeta të liqenit dhe mbajtën vesh zhurmërimën e pushuesve të shpenguar.
Mos qe kjo grua ndonjë plakaruqe e çmendur, që i ishte mërzitur jeta dhe iu derdh makinës përpara fare pa mend!
– Ju lutem..! – mezi dëgjuan zërin e përgjëruar të gruas. – Fëmija... atje... në liqen..!
 Ata të ngrehur vështruan njëri-tjetrin. Nuk po gjendej njëri prej fëmijëve?! Si ishte e mundur! Mos fëmija ishte i prapë, siç janë fëmijët, kish dredhuar, rendur dhe fshehur nëpër pyll. Dreq o punë! U lajmëruan për një plak thatim. Tani u doli problemi i një fëmije. 
– Ju lutem! – dëgjuan përsëri: – Vini dorën në zemër!
Ata pa e bërë gjatë, së bashku me policen e shërbimit, zbritën me nxitim shkallët e drunjta dhe me gjithë rroba u futën në ujë.
Tre burrat, baballarët e fëmijëve çamarrokë, bërë dyllë në fytyra vërtiteshin të hutuar dhe vështronin gjuhëtharë memecërinë e ujit. Burri i katërt bariste i pështjelluar, syskuqur dhe mundohej të mbante grumbull fëmijët në cepin e lëndinës. 
– Kush? Përse? Si? Qysh?Çfarë? Nuk ka mundësi. Ju thoni njëri prej fëmijëve ardhës?
– Me gjithë mend e kini? Nuk po gjendet një prej atyre fëmijëve zhurmëtarë? – pyeti Brajëni.
– Po.
– Ndoshta njëri prej atyre fëmijëve kërkon të vazhdojë lojën dhe është fshehur diku, – bëri i shkujdesur Brandi.
 – Oh i dashur, të lutem hesht! – foli Kristina.
 – Të hesht, e dini ju sa djallëzorë janë sot fëmijët, – ia pat Brandi, fërkoi qafën dhe shtoi: – Mos ndoshta është ndonjë humor i rëndomtë?! Lojë. Në Muskokë qarkullojnë ngandonjëherë shaka të tilla, – vazhdoi në të tijën Brandi.
– Mjaft! Ju nuk keni të drejtë. Muskoka gjithnjë është dalluar për seriozitet dhe përgjegjshmëri të lartë qytetarie. Ne jemi mikpritës dhe dashamirës për cilido. Ata fëmijë dukeshin aq të mirë, të dashur dhe të shpenguar si në përrallë, – mërmëriti Daniela. 
 – Ti Brandi sikur i do fëmijët? – e pyeti me dyshim Kristina.
 – Kristina, mjalti im! E dini fort mirë sa shumë i dua unë fëmijët, – foli me seriozitet të shtirur Brandi.
– Prindërit e tyre janë tmerrësisht të shqetësuar. Njëri po shkul flokët. Gruaja shtatlartë vërtitet si e çmendur. Ajo kërkoi të futej në ujë. Gruaja e shkurtër pranë saj u kërrus, u tendos dhe i nguli shtatlartës si panterë thonjtë në krah. Mos ishte ndonjë mbytje e kërkuar e paralajmëruar? Gratë e tjera të llahtarisura e mbajtën nga krahët, – foli Sara me keqardhje.
– Si është e mundur?! Këtu tek ne, në Muskokë?! – psherëtiu Stive. Hoqi me kujdes grepin metalik prej buzës së një peshku të vogël që përdridhej dhe e hodhi në ujë.
 Pyetjet e ethshme vazhduan vetëtimthi në gojët e pushuesve. Ata braktisën shilarësit, stolat portative, peshqirët dhe ecën drejt bregut të liqenit. Disa prej tyre u zverdhën dhe shtrënguan zemrat, të tjerët u turrën drejt ujit. U thirrën fëmijëve me emra dhe i urdhëruan të dilnin menjëherë prej ujit.
Diellin e zuri një re e madhe. Qielli u vrenjt. 
– Phu, nga u gjend kjo dreq re! Moti menjëherë u ftoh. Gjer dje qielli ishte i kthjellët pa re dhe dielli ndriste, – u grind Stive topalli. Ai qe i zhgënjyer. Grepi iu tendos dhe u tund gjatë, ai besoi...si rezultat i kapi një salmon të vogël.
Uji i liqenit nisi të valëzohet. Pushuesit u ngutën të vishnin këmishat dhe bluzat e holla. 
– Kaq e ka ngrohtësia verore këtu tek ne. Se nga shkulet dhe vjen një re nursëze dhe moti ftohet, – mërmëriti Brajën.
– Lëreni motin, ju lutem interesohuni për fëmijën, – iu shkreh plaka thatime Mona. Ajo nuk kish rënë dakord me shitjen e antikuarëve. Ata donin t’ia blinin shumë lirë, vetëm me disa dollarë të qelbur.
– Ah po, më falni, – mërmëriti Stive dhe shtoi: – Ju sikur thatë fëmija e ardhësve të vonuar?
 – Po. Fëmijë ezmer, me të brendshmet të kaltra, – ndërhyri Kristina.
– Ajo e imta, flokëzeza të prera shkurt, që qëndronte në fund të grupit?! – pyeti Skotti.
– Ju lutem, mos më lodhni, ka shumë mundësi që ajo të jetë, – foli plaka thatime Mona. Ajo vështroi me bisht të syrit nga Kristina. Ajo besoi më kot se të rinjtë e dashuruar janë shumë të çiltër.
– Oh! O Zot! Ç’po bëhet, nuk duhet të qëndrojmë duarkryq, ta kërkojmë ngado. O burra të hymë në ujë, – tha Skotti.
– Nuk e sheh diellin e zuri reja dhe moti menjëherë u ftoh, – u ankua plaka thatime Mona.
– Punë e madhe. Muskotarët janë mësuar me të ftohtin, – ia ktheu Stive me zë të grindur. Ëndrra e kapjes së peshkut të madh iu kthye përmbys dhe ai ndjehej i trishtuar.
– Donit të thoshit musketarët? – ia bëri Brajën.
Stive topalli përdrodhi buzët, por nuk i ktheu përgjigje.
– Ju lutem Brajën nuk është koha për shaka tani, – ndërhyri ashpër Daniela dhe thirri me sa zë që kish në kokë: – Muskotarë, ejani të kapemi dorë përdore dhe ta kontrollojmë liqenin me pëllëmbë.
Nisi kërkimi i ethshëm, pushuesit e kapur dorë për dore lëviznin me ngadalë përgjatë bregut të liqenit deri aty ku fillonte thellësia dhe ku ishin bërë pritë prej skafeve dhe jahteve të vendosur për së gjati. Era e hidhët e frikës dhe e vdekjes i kish përfshirë të gjithë pushuesit.
Fëmijët ardhës dridheshin të mbledhur grumbull në cep të lëndinës. U kish ikur ngjyra e fytyrës dhe trupat e tyre të brishta qenë mbushur me mornica të mëdha. Ata erdhën për t’iu gëzuar ditës së re që shpalosej përpara syve të tyre. Diellit që shkëlqente. Ajrit të freskët. Lodrës së magjishme të ujit. Ditëve të nesërme, me vështrim e ngulur lart, në fluturim, shaluar në ëndrrën e bardhë. Ç’ka lanë pas në atdhe, shpesh herë kish erëra të thata, hungërima të mbytura dhe ulërima të afërta dhe të largëta dhe ato nuk donin t’i kujtonin më. 
Gazmendi i flatruar dhe i shkujdesur i fëmijëve u trondit. U qull. U rëndua. U qëllua. U gremis sa hap e mbyll sytë. U zhyt me rrapëllimë në brendësi të ujit të ftohtë të liqenit Muskoka. Çuditërisht pa ngritur asnjë stërkalë dhe krijuar rrathë të dridhshëm uji. Zhdukja e papritur e njërit prej fëmijëve të pjesëtareve të familjes së tyre, u vuri në fyt lakun e hutimit dhe të tmerrit. Ndërsa burrat e murrëtyer, me gratë e tyre të mbuluar fund e krye qëndronin të ngurtësuar. Teshat e qullura, të akulluara, u rëndonin në trup sikur mbartnin mbi shpinë kodrinat e rrumbullakëta, të zhveshura, me tek-tuk disa gëmusha të hirta të vendlindjes. U dukej sikur gjendeshin të flakur aksidentalisht në tjetër botë dhe në tjetër jetë. E parëndësishmja, paralajmërimi dhe zhbërja qëndronin të kërleshura në rrugën me pluhur të rrugëtimit të gjatë.
Një shpresë e vakët, si tringëllimë zileje të shurdhuar vërtitej në mendjet e turbulluara të afërme të vogëlushes së dashur. Fatmës delikate gjithnjë i pëlqenin lodrat, përkëdhelitë dhe befasitë. Ajo ishte gazi dhe çiltërsia. Si kotele e vogël, me dy gërsheta të shkurtëza të lidhura me fjongo të bardhë, vraponte me hapa të shpejta dhe strukej nëpër kthinat e shtëpisë së madhe, në skutat e oborrit. Mblidhej kutullaç nën gëmushat e ulëta pas shtëpisë. Priste me kuturisje të heshtur, kur të tjerët i thërrisnin emrin dhe e kërkonin.
 ‘Fatma!’ 
Ajo kukuriste nën zë.  
‘Fatma, ku je?
Veshëngrehur dëgjonte hapat që afroheshin dhe strukej më thellë. Më pas shkrihej prej gazit dhe lumturisë kur gjendej në krahët e prindërve dhe të Shehrazades mbas një fshehjeje të bukur.

12
Vendi i pushimit në kthinën e bukur të liqenit Muskoka e humbi përfundimisht qetësinë e zakonshme të një dite plazhi. Më të moshuarit qëndronin në breg të verdhë dyllë në fytyrë. Ata e kishin braktisur shkujdesjen dhe shpengimin, u ishte thare lukthi i fytit. Banorët e ardhur nga qyteti: Engjëlli i bardhë, lëviznin shumë kujdesshëm në liqen. Të preokupuar, të kapur dorë për dore, kishin krijuar një zinxhir i gjatë. Me nervat e tendosura dhe përqendrimin maksimal ecnin si një trup i vetëm. Çdo sekondë që ikte u godiste në koka si tokmak. Fytyrat e tyre qenë  ngurosur, sytë i mbanin të përqendruar tek uji, që tanimë u dukej i huaj, i dallgëzuar dhe tinëzar. Gjithsecili pëshpëriste i ankthuar pyetjen drithëruese:
– Ku duhet të jetë vallë, ku duhet të jetë vallë, ku duhet të jetë vallë kjo fëmijë?
– Nga e solli kokën edhe kjo dreq re, – u ankua përsëri Stive topalli.
Këmba e dëmtuar i therte në zemër prej ftohtësisë dhe qëndrimit të gjatë në ujë. Kafshimi i gjarprit dhe uji i ftohtë e paskan njëlloj hidhësinë. Por Stive topalli nuk mund të shkëputej prej dorës së butë e topolake të Danielës.
 Kërkuesit lëviznin hap pas hapi, në një varg të ngjeshur, të shtrënguar fort. Të mos ngelej pa kontrolluar as dhe një pëllëmbë vend. Banorët e qytetit Engjëlli i bardhë, me mendjelehtësi pandehnin se e njihnin me pëllëmbë tabanin e liqenit Muskoka, por nuk ishte kështu. Fshehtësitë e liqenit qenkan të pafundme. Ne këtë çast ata dukeshin foshnjarakë në njohuri. Si të gjithë ardhësit e të ikurit e tjerë. Kjo gjë i trishtonte thellë, sepse nuk mund të realizonin kurrë ëndrrën e mrekullueshme, të kapnin peshkun e madh.
Uji i liqenit Muskoka u fërkohej kërkuesve nëpër këmbë, në trup dhe i ftohte. Ai nuk donte të lëshonte prej duarsh atë që merrte. Pse vallë duhej, gjithnjë kish dhënë me bujari. Jo më kot kish ushqyer, përkëdhelur dhe përkundur në qindra dhe qindra vite me miliona e miliona peshkatarë, lundërtarë dhe pushues të shpenguar, të nervozuar e të lodhur prej jetës. Liqeni Musoka me ishujt e vegjël dhe të pyllëzuar, ishte i përhershëm. Dhe këta pushues, apo ardhës të rinj që ndërtonin, prishnin, që bënin potere, janë tmerrësisht të përkohshëm. 
Vargu zinxhir i pushuesve çante ujin në heshtje, me sytë e ngulur në brendësi. Uji i rëndë ulej dhe ngrihej, sikur merrte frymë. Vendasit nga padurimi i mos gjetjes së fëmijës po bëheshin nervozë me pabesinë, indiferentizmin, dhe memecërinë e liqenit të tyre. Liqeni i  dashur Muskoka u dukej i huaj, i akullt, tmerrësisht tekanjoz. Hakmarrës i verbër, kish bërë marrëveshje të heshtur me kohën dhe renë e madhe të zezë, lart në qiell e cila qe shtrirë tej mase, mbërthyer dhe nuk lëvizte. Vendasit përsëri kishin besim të vakët për humbjen e fëmijës në liqen. Pse pikërisht në liqen? Nuk mund të ishte fshehur diku rrotull, me enigmën naive dhe fëmijërore në sy?
Heshtje e nderë. Zemrat rrihnin me potere. Duart vazhdonin të qëndronin të shtrënguara dhe sytë të mbërthyera. Uji lëvizje, fërkohej nëpër këmbë sikur të mos kish ndodhur asgjë. Ankth. Përgjim i tensionuar. Një rënkim i thellë drithërues, i tejzgjatur, dëgjohej lart në cepin e lëndinës ku ishin grumbulluar ardhësit e rinj. Gratë dhe burrat ishin ulur në gjunjë, faleshin. Fëmijët dridheshin të mbërthyer prej thonjve të tmerrit. Ngjyra blu e errët ishte ndehur në atë cep të lëndinës.
Gjendja e nderë kish arritur kulmin. Kërkimin i ngrehur, i verbër për  një fëmijë fatkeqe të humbur, që mund të ishte nën ujë. Këtë fakt të mundimshëm, sfilitës askush nuk dëshironte ta besonte. Vogëlushja e njomë së cilës posa i kishin filluar t’i çelnin petalet, ishte në shkallinën e parë të jetës. Kish braktisur vatrën e lashtë familjare, ardhur së bashku me prindërit prej mijëra kilometra larg. Për ëndrra të purpurta, një jetë më të mirë. Pa trusninë e zakoneve dhe varfërisë. Të gëzohej dhe të lumturohej si gjithë fëmijët e botës me lodra dhe shkujdesje të bukura në liqenin erëmirë Muskoka. Fëmija nuk di se ç’është trishtimi dhe vuajtja, sepse është shkujdesja vetë, gazmendi dhe çiltërsia.
Shehrazadja u shkëput me vrull prej thonjve të shtrënguar të Saharasë. Trupi i saj ishte rënduar prej djersëve të ftohta të mundimit. Sytë i përvëlonin prej lotëve djegës të trishtimit dhe ferexheja qe rënduar tej mase prej lagështirës. Gruas i dukej sikur po mbytej në të. Ajo u derdh si shqiponjë drejt bregut të liqenit. Vërtet Fatma ishte fara e Hamidit, mbirë në arën e Saharës, por vocërrakja Fatma qe fëmijë shumë e ëmbël, sa ajo e donte si fëmijën e  saj.
E çakërdisur rrahu ujin me inat dhe u bashkua me zinxhirin e shtrënguar të pushuesve. Shehrazadja ishte e ndërgjegjshme se nuk mund të realizohej gjetja e fëmijës së dashur, lules së mrekullueshme vetëm me lutje. Në pëllëmbë ndjeu një ledhatim të lehtë. Përmes perdes së lotëve dalloi një fytyrë të rrudhosur, të një gruaje të vjetër.
 Saharaja rënkoi zëngjirur për ikjen e Shehrazades dhe mblodhi duart nën vete. Ndjehej tmerrësisht e pafuqishme. Gojën e kishte farmak dhe zemrën e dobët. Frika e burrit e mbante por si nënë do ishte turrur me kohë në liqen në kërkim të lules të saj. Kjo zdërre i dilte gjithnjë përpara.
 Hamidi vari kokën në gjoks dhe shkrofëtiu i pikëlluar. Ai e donte shumë Fatmën, vogëlushen e ëmbël, por nuk mund të shkëputej prej grupit të përgjunjur të lutjes së madhe. Shehrazadja ishte grua e dytë, shurup dhe këna dhe ai e kish llastuar ca si tepër. Ndaj femra thyen rregullat dhe sillet e pabindur. Lutja e madhe, bashkërisht ndaj zotit ka forcë dhe fuqi më tepër se një ndjenjë. Duhej të linte kohën të mendonte për të.
Një erë e ftohtë vinte prej verilindjes dhe liqeni dukej sikur merrte frymë ashpër. Zinxhiri i shtrënguar i pushuesve në liqen nisi të lëkundet. Ata filluan të ndjenin një kallkanosje të brendshme. Përse duhej që liqeni i tyre të bënte këtë mbarsje të ndyrë pikërisht me një fëmijë? Përse?! Ardhësit e rinj gjithnjë janë të padjallëzuar deri në naivitet. Ndoshta me shumë të hutuar. Mos vallë liqeni Muskoka kërkonte të bënte shakara të poshtra me të çiltërsinë dhe hutimin fëmijëror?
Në krahun  e majtë të liqenit, shumë larg bregut oshtiu zëri i ngjirur prej të ftohtit të ujit i polices së shërbimit:
– E gjeta! O Zot e gjeta fëmijën! 
Zëri i saj shkundi me shungullimë të thellë mjedisin përreth. Ajo humbi nën ujë. Shehrazadja u ngreh, më pas u drodh si gjeth. Gruaja që kish pranë e mbajti për krahu. Pushuesit dhe qytetarët e tjerë të qytetit: Engjëlli i bardhë, një çast qëndruan të ngrirë. 
– U gjend?! – folën të gjithë një zë.
– Oh, më në fund u gjend fëmija! – përsëritën.
Ujërat e liqenit u lëkundën. Zemrat e të gjithëve rrahën me forcë. Sikur po u shkrinte gjaku. Saharaja shtrëngoi krahun e Hamidit dhe dorën tjetër e vuri në zemër.
Policja shpërtheu prej ujit me fëmijën në krahë. Ajo mezi mbushej me frymë nga qëndrimi i gjatë nën ujë. Kullonte e gjitha dhe çante ujin me hapa të mëdhenj si e shkrehur. Zinxhiri i shtrënguar i pushuesve u shthur. Kaq larg pat shkuar ajo fëmijë? Apo mos vallë liqeni plakaruq djallëzisht e tërhoqi vogëlushen, ardhësen e re, në brendësi të vet për ta joshur me të fshehtat e patreguara të peshkut të madh?
 Kërkuesit e lodhur dhe të mërdhirë u derdhën drejt polices të ngazëlluar, por të mbërthyer prej makthit. Me pyetjen e pritshme qe i torturonte aq shume:
– Gjallë është vogëlushja?
Policja nuk mund të fliste, buza e poshtme i dridhej. Ajo ishte tmerrësisht e zbehtë, syskuqur dhe mezi mbushej me frymë. Trupi delikat i vogëlushes, koka, krahët, këmbët vareshin si pa jetë në krahët e saj. Mbas shumë zhytje në ujë me këmbëngulje dhe pandërprerë e gjeti fëmijën përmbys mes dy gurëve. Policja duke mbajtur vajzën të shtrënguar fort në krahë, ngjiti me vrap shkallët e drunjta drejt ambulancës, në rrugë. Turma e madhe i binte pas duke përsëritur vazhdimisht:
– Ju lutem tregoni, a është gjallë fëmija?
– Fatma! – klithte Shehrazadja: – Fatma!
Liqeni Muskoka u bë i bronzet dhe pas pak filloi të bjerë shi i vrullshëm. Askush prej pushuesve s’u kujtua të mbulojë kryet dhe të mbledhë teshat...
     KRISTAQ TURTULLI                           

No comments: