Monday 17 December 2018

Shteti me njerëz si ne të dy



Shteti me njerëz si ne të dy
Novruz Abilekaj
Jam qytetari. Sqaroj se nuk është fjala për të lindurin apo banuesin në qytet, por për frymorin e një shteti. Në fakt, të dy apo më shumë shteteve.
Sa shumë do dëshiroja të isha sociologu! Nuk jam, veçse kjo nuk më ndalon të nxjerr jashtë meje qytetarin.
I ka dale boja shtetit. Sidomos në vendin tim. E shihni se si dalin të rinjtë (ata më të mësuarit) në rrugë pa besuar në shtetin që kanë, pa kërkuar tjetër shtet.
Personalisht, e kam humbur besimin prej nëntorit 1994. Endem nëpër botë I kontrolluar, I pavlerësuar. 24 vjet pa shtet për mua. Ndoshta kanë të tjerët. Uroj të kenë.
Ku vemi? Kush ka nevojë për shtetin? Pyetje që nuk ka përgjigje. Ata që kanë nevojë për shtetin nuk e gjejnë dot ku është.
Në mundsha të shtjelloj më poshtë, brengën time. Në qoftë kjoedhe brenga e dikujt tjetër.
Po nisem:
Shteti me njerëz si ne të dy
...........................................
Jam qytetari. Sqaroj se nuk është fjala për të lindurin apo banuesin në qytet, por për frymorin e një shteti. Në fakt, të dy apo më shumë shteteve.
Sa shumë do dëshiroja të isha sociologu! Nuk jam, veçse kjo nuk më ndalon të nxjerr jashtë meje qytetarin.
I ka dale boja shtetit. Sidomos në vendin tim. E shihni se si dalin të rinjtë (ata më të mësuarit) në rrugë pa besuar në shtetin që kanë, pa kërkuar tjetër shtet.
Personalisht, e kam humbur besimin prej nëntorit 1994. Endem nëpër botë I kontrolluar, I pavlerësuar. 24 vjet pa shtet për mua. Ndoshta kanë të tjerët. Uroj të kenë.
Ku vemi? Kush ka nevojë për shtetin? Pyetje që nuk ka përgjigje. Ata që kanë nevojë për shtetin nuk e gjejnë dot ku është.
Në mundsha të shtjelloj më poshtë, brengën time. Në qoftë kjoedhe brenga e dikujt tjetër.
Po nisem:
***
Sa shumë njerëz të tillë, si unë dhe ti, ka mbi tokën ku jetojmë! Për ta e mbi ta ndërtohet shteti. Në qoftë se vërtetë ndërtohet ...
Shteti me njerëz si ne të dy
...........................................
Jetoj me njeriun grek. I kam shërbyer, kam bashkëpunuar, e kam admiruar, e kam përçmuar. Nuk besoj që njeriu shqiptar është më i mirë. As nuk them se është më i keq. E njoha si njeri të së shkuarës, si “njeri të ri” (me brendi absolutisht të lashtë), si demokrat të shpërfytyruar dhe, prapë, si grykës parahistorik. Nuk kam kontakt pune dhe fqinjësie me të prej 20 vitesh.
Pra, jetoj me njeriun grek. Me të sotmin: Demagogët (politikanët), hipokritët (aktorët) dhe qytetari i thjeshtë i Athinës së Perikliut e Sokratit, i Athinës së filozofëve, historianëve, dramaturgëve dhe tragjedianëve të famshëm nuk janë pjesë e kësaj bote. Megjithëse, në një trajtë tjetër, çuditërisht dhe perëndisht të përçudnuar, përcjellës të fjalës së bukur dhe mbartës të veprës së keqe, nuk mungojnë.
Pashë dhe shoh njerëz të rinj (njerëz të rinj, sipas modës së vet, krijon çdo regjim); veshur me petkun e kohës, imunizuar me moralin e pushtetit, qaramanë si në çastin e lindjes, lakmitarë njëqindfish më tepër se çdo gjallesë tjetër mbi rruzull.
Po e nis bisedën me ty, duke zgjedhur pozicionin më të përfolur për veten time.
Shteti të duhet ty
............................
"Nga druri i shtrembër, siç është shndërruar njeriu, nuk mund të ndërtohet asgjë absolutisht e drejtë" (Immanuel Kant)
*
Unë jam ndihmëse e mjekut kardiolog. E drejta dhe detyra ime është të bëj disa analiza paraprake në përgatitje të konsultës me mjekun. Ti troket në portë, sheh që nuk ka pacientë të tjerë dhe më thua:
-Mirëdita! Ju shqetësoj?
-Urdhëroni, shfaq mirësjelljen e nevojshme unë, duke të lustruar fytyrën me buzëqeshjen e vendit të punës.
-Kam nevojë për një elektrokardiogram. Ndoshta ...
-Çfarë kërkon prej meje, të ndërpres.
-Ngaqë sot po bëj kontrollin e veshkave në klinikën tuaj, a mund të më ndihmoni për një kontroll të zemrës?
-Ke takim? Ke rekomandim nga mjeku?
-Jo. Mendova se mund të më ndihmoni.
-Zotëri, kjo nuk bëhet ...
-Por ... -përpiqesh të thuash diçka më shumë ti.
-Nuk bëhet, zotëri, nuk bëhet ...
-Të lutem, meqenëse jeni e lirë dhe nuk i zëmë radhën ndonjë pacienti tjetër.
-Oh, qenke i ngjitur shumë. Ka rregulla, zotëri. Ka rregulla... Fundi i fundit është në dorën e mjekut dhe jo në timen. Ka rregulla shteti.
-E jap një kafe –nxjerr thonjtë e korrupsionit ti, sepse rregullat e lojës t’i ka mësuar dita e djeshme apo e pardjeshme, sepse e ke parë edhe gjetkë sa të tretshëm janë rregulli, ligji, shteti në ujërat e bakshishit.
Unë gëlltitem. Vështroj muret e korridorit, përsëris formulën e përvojës sime: “Eh, rregulli, shteti! Shteti është atje tej. Në këtë çast është i tepërt. He-he-he, shteti”. Pas këtej, i hap rrugë mirëkuptimit.
-Mirë, zotëri, mirë. Derisa e ke kaq të ngutshme do bëjmë një përjashtim. Eja brenda.
Duke hyrë brenda, ti më fut kartëmonedhën në xhepin e përparëses. Ngaqë ke ankth të dridhet dora prandaj edhe më prek në pikat e ndjeshmërisë së lartë, por vëmendja ime është tek lloji i kartëmonedhës dhe jo te ndjeshmëria seksuale ndaj një pacienti të thyer në mes. Verifikoj dhe, pasi e quaj të arsyeshme mirënjohjen tënde, të shërbej pa harruar të të kujtoj se e ke rrugën të hapur edhe për herë të tjera.
Shteti ekziston diku, ama, në këtë kthinë, unë kam pushtetin tim.
Tjetër shteti, tjetër pushteti, o mjeran
.........................................................
“Kur je i varfër nuk mund të zgjedhësh armiqtë e tu.
As miqtë ..."
**
Jam i kamur. Duke qenë i kamur bëhem edhe punëdhënës. Ti ke kërkuar andej-këtej për ndonjë orë punë dhe përfundon në derën time. Në fakt, e dija që do trokisje sepse më pati bërë rekomandim e shoqja e avokatit H. Megjithatë, bëj të paditurën.
-Mirëdita, më falni, mërmërit me droje ti.
-Mirë se erdhe, kthej unë. Si është puna?
-Ju shqetësova se mos keni nevojë për një punëtor; kopshtar, pastrues, mirëmbajtës ...
-Ah, po. Pa eja!
Ti heq këpucët dhe mua më bënë përshtypje të mirë përkujdesja jote për të mos shkelur me këpucë mbi parketet dhe qilimat e mi, edhe pse ky nuk është zakoni i vendit tim.
-Eja, eja! Ulu aty!
Ti ulesh dhe vështron diku, pa përqendrim.
-Ja më thuaj!
-Punë kërkoj. Punë për shumë kohë, për një muaj, për një ditë. Edhe për një orë punë kam nevojë.
Prapë më përcolle një mesazh pozitiv. Ti ke shumë nevojë. Madje, ti je në hall të madh. Unë mund të bëj zhonglerin me ty. Edhe po të jesh kryeneç, nuk shqetësohem se të kthej majat nga thembrat dhe do trokasin në portë dhjetëra të tjerë. Prandaj filloj e ligjëroj:
-Ti je me fat. Pikërisht tani ne na duhet një njeri që të mirëmbajë kopshtin, të pastrojë xhamat, të bëjë meremetime të ndryshme. Ne e kemi njeriun që na i bën të gjitha mirë por ja që kaluan vite dhe tani është ca i madh në moshë, të presoj unë. Ti, çfarë di të bësh nga këto?
-Thashë, jam kopshtar. Pastrimin e kam bërë disa vjet rresht. Di të bëjë meremetime suvaje, hidraulike dhe elektrike.
Të them, duke të buzëqeshur tërthorazi:
-Dakord, Dakord. Sa do për ditë pune?
-Atje ku kam punuar më paguanin ...
-Aaaaa, nuk mundemi aq. Janë kohë të vështira. Po të merremi vesh, mund të të japim ... (60% të kërkesës) por meqë janë shumë nuk do kesh ndihma për festat dhe as leje vjetore.
Ti më shikon, këtë herë, drejt e në sy. Ndoshta më fton për mëshirë por unë dalloj në sytë e tu trembjen e mëshqerrës para ujkut dhe shtoj:
-Siguracion nuk paguajmë dot.
Ti hesht. Mediton për të drejtat, ligjin, shtetin. Sidoqoftë, përveç dhimbjes, nuk dalloj ndonjë shenjë refuzimi në mimikën tënde. Domethënë se ti je i mençur dhe e di mirë se ku është pushteti.
-Si thua? Dakord?
-Ëhë. Dakord. Dakord, përforcon veten tënde ti.
E sheh? Nuk na duhet shteti midis nesh. Mjafton pushteti i monedhave që janë grumbulluar në xhepin tim. Mjafton shtrëngesa që të ka lakuar jeta për fyti. Atëherë, të jap goditjen e fundit:
-Këtë muaj do vazhdojë punën tjetri. Ti e kupton se nuk mund ta largoj brenda ditës, shpalos virtytin tim, është njeri dhe duhet të planifikojë hallet e tij edhe ai.
Ti tund kokën mendueshëm. E di që nuk ma ke besën, ama, gjej rrugë tjetër në mundesh! Në se të vjen mbarë, ankohu te shteti. Ankohu, pra, pastaj hajde se të nis unë në një portë tjetër. He-he-he! Je vërtet i mençur. Nuk ankohesh. Më falenderon dy-tri herë, para se të kthesh shpinën.
Tjetër shteti, tjetër pushteti, o mjeran, shkruaj unë mbi shpinën tënde në ikje.
***
Shteti në sirtar
...................
(Shteti është mjegulla që shpërndajnë ata që kanë pushtet)
Ti hyn në dyqanin tim sepse të nevojitet këmisha që pe pas xhamit.
-Atë këmishën gri me vija vertikale të bardha do doja, më thua.
Unë të sjell këmishën dhe theksoj:
-20 euro.
-Njëzet?! Çmim tjetër?
–Çmim më të ulët nuk ka. Shiko, është 22 euro por të bëra ulje, shpjegoj sikur ti të jesh klienti im i preferuar.
-Jo, jo, kaq shtrenjtë nuk mundem. Pesëmbëdhjetë në qoftë se bëhet, propozon ti.
Më pëlqen oferta jote, por nuk mund të lëshoj aq shumë.
–Tetëmbëdhjetë. Hajde, tetëmbëdhjetë.
-Nuk mundem. Dua reston për të paguar ujin. E marrë pesëmbëdhjetë pa faturë, zgjedh korrupsionin ti. E prisja këtë propozim. Dakord. Merre shtatëmbëdhjetë dhe në faturë do shënoj pesë. Asnjë kundërshtim.
Ti merr këmishën dhe ikën. Shikon i ndrojtur majtas-djathtas se mos shfaqet kontrolli, shteti yt dhe imi.
-O-ho-ho! Kërkoje në qiell shtetin tënd se unë e kam në sirtar. Kërkoje se do ta gjesh. O-ho-ho, ngërdheshem dhe fërkoj duart që ta hodha ty edhe shtetit. Shtetit që e kam futur në sirtar.
Kështu me xhaketën, me kostumin. Kështu në dyqanet elektrike, hidraulike. Kudo.
Ti ke shpresë se do ketë shtet për ty!!!!
-O-ho-ho! Pa fute dorën në xhep! Pa qëmto në sirtarët e shtëpisë! A gjete shtet?
****
Humanizmi shemb karrierën
...................................................
Ligji është si rrjeta e merimangës, mund të kapë miza dhe insekte të vogla por nuk mund të bëhet pengesë për të fuqishmit (Antre Marlo)
Aaa, erdhe te unë?
-Urdhëro, urdhëro, urdhëro! Ulu!
Ti ulesh përballë meje, në një kolltuk që të duket shumë komod. Mbështet prapanicën në anë, sikur do të jesh gati për ikje. Nuk ndjehesh mirë, siç të ofron kolltuku, sepse jo gjithmonë ulesh në kolltuk të tillë, për më tepër, sepse je përballë meje si fajtor i kapur në faj. Tamam, i kapur në faj, ngaqë ka mijëra e miliona të cilët fajojnë duke fituar dinjitet nëpërmjet fajit. Ti je kali që do shish lëmin. Ndjej një hare të brendshme. Mund të kishe trokitur edhe në një portë tjetër, por trokite pikërisht këtu. Shansit i duhet buzëqeshur që ta ketë udhën të hapur.
-Urdhëro, urdhëro! Shpjegohu po merak!
-Zoti avokat, problemi im është i thjeshtë për t’u shpjeguar. Është fare i thjeshtë. Më padisin për vjedhje sepse isha në stacionin e autobusit pranë lokalit ku u bë vjedhja.
-Nuk ka gjëra kaq të thjeshta. Më qartë, mundesh?
-Po. Në supermarketin pranë stacionit u kap një grua që mbushi çantën dhe u përpoq të dilte pa paguar. Siç duket, e njihnin dhe e lanë të dilte për ta vërtetur vjedhjen sa më sakt. Ajo u drejtua për në stacion dhe diçka pëshpëriti me një zonjë tjetër e cila sapo më kishte pyetur për shpeshtinë e urbanit. Punonjësit e suprmarketit e ndoqën pas, fantazuan një lidje treshe, dhe na ftuan të gjithëve që të shkonim me ta. Ndërsa zonja përbri meje kundërshtoi ca çaste, unë u shkova pas pa asnjë mëdyshje. Kërkuan të kontrollonin çantën-portofol që kisha në dorë. Jam i huaj dhe nuk bëra asnjë qëndresë ndaj këtij kontrolli që më dukej i paligjshëm. Në çantë kisha 100 euro. Zotërinjtë ngritën zërin duke më akuzuar për bashkëpunëtor.
–Përse i ke kaq para në çantë? Përse je në këtë stacion autobusi? Çfarë bisedove me zonjën?
Habia ime ishte e madhe. Edhe revolta. Edhe frika. Kundërshtova. Ishte e kot.
-Po më tej?
-Mora një avokat. Ai më kërkoi dëshmitar. Dëshmitari i vetëm ishte miku me të cilin pimë një kafe dhe u ndamë disa minuta para episodit. Trupi gjykues nuk e dëgjoi fare dhe më dënoi.
-Sa të dënuan?
-Dhjetë muaj me kusht. Dënimi nuk ka aq rëndësi po të mos isha i huaj dhe të më hiqet mundësia e lejes së qëndrimit.
Shansi ishte real. Personi para meje nuk kishte as faj të vogël por kishte hall të madh. Mbrojtësi rastisi të jem unë. Ky klient ka vlerë. Nuk duhet ta largoj. I thashë:
-Kuptova. E ke dëshmitarin?
-Po, kur të jetë e nevojshme.
-Çështja, meqë ekziston një vendim gjyqi, nuk duket aq e thjeshtë. Kostoja është 2500 euro.
Ti u përhumbe. Me siguri kaloje nëpër mend këtë histori pa ngjarje. Me siguri po llogarisje shpenzimet e gjyqit të parë dhe të këtij që pason. Puna jote. Nuk e zhgënjejmë thënien e popullit. Ti je kali që u kape dhe tani do të lidhim për huri të na shish drithin.
-2500 euro janë fare pak, por më duhet të mendoj edhe për hallet e tua, justifikoj kërkesën time.
Prapë, ti nuk u ndahesh mendimeve. Ndoshta të shkon mendja te e drejta, te barazia para ligjit, tek raporti i drejtë në shpërndarje, tek ujku dhe qengji. Ujkun e ke në anën tjetër të tavolinës, o njeri, o bir, o viktimë, o qengj pa kope. Nuk është detyra dhe as dëshira ime të të shndërroj në ujk. Më duhesh qengj. Hidhu, mirato dhe nxirr të hollat nga xhepi apo nga ajo çanta-portofol që të çoi në bankën e të pandehurit.
-Sot, në se duhet të fillojmë çështjen, mjaftojnë 1000, të kumtoj dhe të vështroj pjerrtas. U zverdhe. Të dridhen duart tek zhurmon zinxhiri i çantës. Më thua:
-500 kam.
-Mirë, mirë. Fillojmë se nuk të pret koha. Në datën, orën, dëshmitarin ...., plotësoj radhën e gjërave unë, tek tërheq 500-shen drejt vetes. Njëherazi, përpiqem të saktësoj për sa kohë i ke fituar këto Euro dhe sa herë më shumë janë nga 100-shja që të pruri në këtë pikë të hallit. Befas, ndjej një zgjim të dhimbjes prej humani. Jo, bërtas pastaj. Humanizmi shemb karrierën. Këtë rol kam zgjedhur dhe nuk ka kthim prapa. Ndoshta ti pret ndonjë faturë a copë letër që të vërtetojë parapagesën. As këtë nuk do ta kesh. Ai dokument ka vlerë për ty dhe për shtetin. Nuk ka vlerë për pushtetin e karriges sime.
-Të zotohem se do të fitojmë, shtoj dhe, ndërkaq, projektoj gjyqtarin e përshtatshëm i cili gëzon një pushtet tjetër më të qëndrueshëm se imi, më vendimtar se imi.
-Mund të shkosh. Kur të sjellësh dëshmitarin, mendo dhe për 500 të tjerat. Ditën e vendimit mbyllim llogaritë.
-Faleminderit, nuk harron të artikulosh ti dhe përparon drejt derës pa më kthyer shpinën.
Tamam, nuk e meritoj shpinën tënde. Apo duhet të më ktheje prapanicën?! Bëje, në patsh zgjidhje tjetër!
Oooo-oh! Sa më pihet një kafe ...
*****
Me fytyrë Hipokrati
...............................
“Njeriu, kur përsoset, është gjallesa më e mirë veçse, kur shmanget nga ligji dhe drejtësia, është më i keq nga të gjitha gjallesat” ( Daniel Dru)


Solle gruan për lindje. Unë, veshur me petkun e mjekut, të pres me buzëqeshje. Pasi bëj pyetjet formale dhe hidhen shënimet e domosdoshme në regjistër, të them:
-600 euro
-Sa?!
-600 euro.
Doktor, ju lutem, mbaroni punë me lindjen dhe pastaj ...
-600 euro.
-Erdhëm urgjent dhe nuk kemi me vete, do t’i sjellim.
-Sillni paratë më parë sepse shtatzëna ka probleme. Mund të shkojë në operim.
-Nuk ka pasur asnjë shqetësim gjatë shtatzanisë. Edhe sot duket se situata është normale.
-Më lini të qetë. Mos lozni rolin e mjekut! Paratë ose shkoni gjetkë.
-Profesor!
Paske shumë fjalë. Jam doktor-profesor Katerini ... Mund të isha edhe Abedini. Nuk di në mund të isha Benitto a Xhorxh por Katerini jam. Nuk më ndjen zemra, nuk më trembet syri, nuk më skuqet, as zverdhet faqja nga shikimi dhe fjala jote. Të them:
-Nuk kam përgjigje tjetër. Sillni paratë dhe të shohim ç’do bëjmë më tej.
Ti ikën. I jep kurajë gruas që po lufton me dhimbjet e padurueshme dhe nisesh teposhtë shkallëve. Harron të marrësh ashensorin sepse janë shtatë kate por, nuk më del zëri të të ndihmoj.
U ktheve me zarfin në dorë. Vonove ca. Ama. e dija që do ktheheshe. Kishe për të blerë një jetë fëmije dhe një jetë gruaje. Patjetër do vije me zarfin në dorë. Më jep zarfin dhe shikon tinëzisht. Mendon se kjo është e paligjshme, është grabitje, është vjedhje. Ama, unë jam doktor-profesor Katerini, jam përgjegjës i pavijonit gjinekologjik, do të të nxjerrë në jetë një fëmijë që ti e pret me padurim. Paguaj! Paguaj dhe mendo çfarë të duash për mua. Po vjen muaji i pushimeve. Ime shoqe e do gati jahtin. Dy fëmijët e mi më kanë kërkuar pajisje për në det, për tenis. Secili preferon makinën e vet. Paguaji! Paguaji dhe drejtoju shtetit të të mbrojë. Ec e thuaj: Doktor Katerini që merr rrogën e shtetit, që ka klinikë private, që ka vila, makina dhe jaht, më kërkoi para në pavjonin e spitalit shtetëror. Ec e thuaj. E gjen dot ku është shteti? Më përpara mund të takohesh me Zotin se sa me shtetin. Ja, këtu, në këtë xhepin e xhaketës mbi kraharorin tim është shteti. Lutju! Lutju të plotfuqishmit të të hedhë para dhe hajde përsëri. Përsëri do vish se ti e do jetën, i do fëmijët.
Dhe në se nuk vjen tek unë, do gjesh një Katerin tjetër, doktor-profesor do jetë edhe ai, të jesh i sigurt!
Urdhri i Hipokratit???!!! Hipokrati ka mijëra vjet që është në botë tjetër. Dy fytyra të ndryshme kanë botët tona. Urdhri i Hipokratit vlen për të rritur besimin tënd, jo për të qiellsuar ndërgjegjen time. Madje, edhe unë e ti jetojmë në dy botë fare të pangjashme. Veç ta dish se kjo e imja është e vërteta, unë jam njeriu i vërtetë i Zotit. Prodhues drithi je. Si ti ka miliarda mbi tokë. Vuaje fatin tënd, dobësinë tënde!
******
Beso, sikur unë ngjitem lart për të të shërbyer ty
............................................................................
“Çdo njeri është mëkatar deri sa të vërtetojë të kundërtën” (Aristoteli)


Në fakt ndjehem mirë se sheshi është mbushur plot. Fshat i vogël ka zbritur i tëri në këtë tubim elektoral. Ti je ulur në qendër të radhës së parë dhe më shikon drejt e në sy. Shikon mua që do të jem deputeti yt, ligji, shteti e pushteti për ty.
-Partia jonë ka mbështetjen e fuqive të mëdha demokratike, deklaroj. Çek të bardhë na ka premtuar Amerika. (Duartrokitje).
Sidoqoftë, sa mbarojnë duartrokitjet:
-Ç’është ky çeku i bardhë, pyet ai kokëverdhi fytyrërreshkur në mes të turmës.
-Çeku i bardhë është çek i bardhë, ndërhyn i nervozuar një djalë që mban syze dielli, ndonëse dielli ka ikur pas kodrave.
-Ore, mirë ti që e ditke, po unë nuk e di, prapë kokëverdhi.
Të hidhet fleta jote në kuti, të jetë për mua pa do t’i rrëfejmë të gjitha pastaj, i drejtohem me mendje asaj koke që urdhëron gojën të nxjerrë ato fjalë.
Më ndihmon djaloshi me syze.
-Lëre deputetin (akoma nuk jam “deputeti” por më pëlqen që e thotë) të shpallë platformën e tij sot. Mos flisni kodra pas bregut.
Këtë djalë duhet ta afroj në stafin tim. Do ia gjej një vend të mirë në administratë. Do ia gjej patjetër.
-Mos u largo kur të mbarojmë, i them. Dua të bisedojmë.
Ai krekoset më tepër.
-Mos flisni kodra pas bregut, ju thonë, ashtu si thotë deputeti është, përsërit me zë të lartë ai.
Ngrihesh ti dhe, sikur nuk ke dëgjuar gjë nga ato që tha mbështetësi im, pyet:
-Zoti kandidat (kandidat, më quan, ë?). Faleminderit për haberet e mira që na bie. Të kam pasur dhe dua të të kem mik por pyetjen do ta bëj. Çekun e bardhë unë kuptoj si autorizim që të shkoj në bankë dhe të tërheq lekë sa të dua. E patsha gabim pyetjen: Vërtet do punoj Xhimi në Amerikë që të hajë Gimi im në korije të Lisave?
Mirë, mirë. Mos ardhtë dita e hënë! Edhe pa ty do bëhem deputet veçse ti të gjesh vrimë ku do futesh. Do të t’i hedh përsipër këta tipat si ky me syze dielli. Me zë:
-Amerika e thotë dhe e bën. Partia jonë ka mirëkuptim dhe miqësi të ngushtë me Amerikën. Të gjitha të mirat andej do na vijnë.
Ti kruan kokën. Shumica e kuptojnë atë kruajtje të kokës por nuk ndihen. Një grusht pjesëmarrësish, pranë djalit me syze, ngrihen me brohoritje. Ata nuk pushojnë. Ca të tjerë i pasojnë të menduar deri sa bëhen shumicë. Unë e ndjej veten deputet. Sa kohë vazhdojnë britmat dhe duartrokitjet, unë ndaj postet e ditës së hënë. Sapo të mbarojmë do t’u komunikoj karriget e së hënës. Po, tani duhet bërë që ata të jenë të motivuar kur duartrokasin, kur brohorasin, kur të luftojnë me thonj e me dhëmbë për votën time.
Pse, ç’do ti? Të të them që as unë nuk e di si do jetë dita tjetër? Atëherë, përse mora rrugën dhe u futa në korridoret e errëta të politikës? Të arrij atë që dua premtoj atë që ti do. Ky mësim i artë zbret nga sipër. Ti më pyet. Ha-ha-ha! Këtë pyetje doja t’i bëja edhe unë kryetarit tim. Nuk e bëra. E duartrokita dhe ja tek jam kandidat për deputet. Do më shohësh kur të jem edhe më lart, më lart, më lart. Bindja, jo kokëfortësia, bëhet shkallë për ngjitje. Të miratosh dhe të shumëfishosh fjalën e eprorit, bëhesh pjesë e egoizmit të tij, bëhesh shkallë për të mbështetur këmbën yt zot. Kjo do të thotë se sa më lart të ngjitet miratuesi, duartrokitësi, brohoritësi (nuk thashë, servili) aq më lartë do ta mbështesë shputën e këmbës ai kështu dhe bashkëjetohet mrekullisht.
Ti vazhdo, vazhdo e pyet, vazhdo e beso se të dëgjojnë, vazhdo e beso se unë ngjitem lart për të të shërbyer ty. Dhe, kujt, ty që më vë në vështirësi mua. Ç’më quan? Jezu Krisht më quan?! Jam njeriu që dua të komandoj ty, që të shkelë mbi ty (në fakt direkt mbi ty do të shkelin ata duartrokitësit pranë teje), që të fitoj besimin tënd pikërisht atëherë kur e meritoj më pak. Janë ndarë rolet. Unë politikan, ti njeri.
*******
Mos mendo sikur po shpërndahen keq të ardhurat
..............................................................................
Fansat e mi janë ngjeshur në shkallët e stadiumit. Edhe sheshi para shkallëve, edhe muret mbi shkallë plot e përplot janë. Ti je, diku, në mesin e kësaj turme që nuk ka vetvete. Ekziston vetëm për mua. Imiton mua. Turma zhvishet nga mendimi dhe marroset pas zërit tim, pas kërcimit tim, pas lakuriqësisë sime. E di që dëshiron të më arrish, të më prekësh, të më kesh tënden. E di, megjithëse nuk të shoh qartë. Kjo dëshirë rrezaton në klithmat e të gjithëve. Lakuriqësia ju çan në mes, ju stërkalon shpirtin, ju çmendon. Unë ju nis këngën, ju postoj imitime seksi, ju puth nga larg. Juve: Britma, klithma, lëvizje të çrregullta (rrethore, vertikale, të lakuara, horizontale). Prapë britma dhe klithma.
Kur largohem, marrë me vete atë shpërthim mbiatomik të instiktit njerëzor, i gëzohem suksesit, njoftohem për produktin e koncertit dhe projektoj të nesërmen.
Një ishull në kontinentin tjetër, një jaht, një vilë, dy fjalë mirënjohëse për bujqit, ndërtuesit, zjarrfikësit, pastruesit e rrugëve e të vilave, për fansat e mi të dashur (ndonëse pa identitet). Midis të cilëve je patjetër edhe ti. Nuk harroj të heq mënjanë 10 cent për lypësin e mjerë që buzëqeshte me dorë të shtrirë para hyrjes speciale të stadiumit. Këta 10 cent më japin yllësi, më bëjnë perëndi. E shikon bota që nuk jam vetëm statujë lakuriqësie dhe tingujsh, kam edhe brendi, di të mendoj për hapin tjetër.
Ndërkohë, ti po grindesh me familjarët e tu ngaqë shpenzove të fundit monedha të planifikuara për furnizimet e ditës së nesërme. Mos bjerë në kurthin e pendimit! Mos mendo sikur po shpërndahen keq të ardhurat në këtë botë! Respektoje jetën tënde të thjeshtë! Mos ji ziliqar për komoditetin tim! Këtë porosi e ke nga Jezui. Lakuriqësia ime është vlerë mbinjerëzore.
Ke dëgjuar që nuk mbaj lidhje financiare me shtetin. Pse, nga unë pret shteti? Puna jote, e asaj, e atij, e atyre nuk i mjafton?! Më fal, erdhi menaxheri.
Mirë u pafshim!

No comments: