Wednesday 3 April 2013

XHA MUSAI*



Resmi Osmani                                                                               Tregim


                           



                                                                   Kujtimit të   patrotit  çam Musa Demi
                                                                                     “Nderi  i Kombit”


Oficeri i zyrës së pritjes të kryeministrisë zuri vend pas tryezës, mori një formular dhe ngjyeu penen ne kallamar, pastaj i vëmendshëm, serioz, me maskën e autoritetit në fytyrë, ngriti kokën dhe iu drejtua pritësit, që qëndronte më këmbë përballë tij.
     -Ju lutem,  përgjigjuni pyetjeve që do t’u bëhen.
     -Mirë. A mund të ulem?
     -Si jo, lutem më falni për harresën.
     Ai që do të pyetej, rënkoi lehtë, mosha i rëndonte mbi supe dhe u ul ngadalë përballë, pasi la bastunin në një cep të zyrës.
      -Emëri?
      -Musa.
      -Atësia?
      -Hamit.
      -Mbiemëri?
      -Demi.
      -Viti I lindjes?
      -Njëmijë e  tetëqind e shtatëdhjetë e gjashtë.
     Oficeri pushoi së pyeturi dhe i hodhi një vështrim të habitur bashkëfolësit. Në zyrën e tij, në vitin 1961 në shekullin e njëzetë, kishte trokitur një personazh që vinte nga  shekulli i nëntëmbëdhjetë, me personin e këtij plaku, që mosha ende nuk e kishte kthyer në gërmadhë. Flokë e mustaqe bardhë, me sytë e lodhur por vështrimdashur e të mençur, me shtatin e drejtë si fidan, i veshur me sqimë, qëndrim të qetë, prej tij shpërndahej mirësi e fisnikëri. Plakun siç duket e kishte harruar vdekja, ishte si rilindas i gjallë dhe  s’po dinte ç’të bënte më me jetën e tij, veç të trokiste zyrave! Këto mendoi oficeri dhe vazhdoi pyetjet:
      -Vendlindja?
       -Filat, në Shqipërinë e Poshtëme.
       Oficeri shkroi vetëm Filat dhe, pyeti disi me habi: Ç’është kjo Shqipëri e Poshtëme, hera e parë që e dëgjoj.
       -Eh mor bir, nuk ke faj. Këto gjëra tani nuk ua mësojnë më në shkollë. Kështu quhej Shqipëria e Jugut që përfshihej në Vilajetin e Janinës,në kohë të turkut. Aty bënte pjesë edhe Çamëria.
         -Profesioni?
          -Politikan
           Oficeri mbeti ndërdyshas:
          -E si ta shkruaj këtë?      
           Musai e rroku kuptimin e pyetjes dhe ngurrimin , por bëri të paditurin.
        -Thjesht: Po-li-ti-kan- e rrokëzoi ai shkoqur e me zë të qartë.
        -Ju lutem, nuk dua mësime drejtshkrimore. Besoj se nuk ekziston një profesion i tillë. Politika është një lloj veprimtarie.
         -Është më shumë se aq. Shkruaje ashtu si ta thashë.
         -Arësyeja e takimit me kryeministrin?- vijoi oficeri pyetjet e ndërprera.
         -Kërkesë për pension   patriotik.
         Oficeri vuri penen në vend, i dha formularin e plotësuar sekretares për ta ngjitur në kabinet dhe i tha xha Musait:
        -Bashkë mbaruam. Mund të uleni në kolltukun e sallonit dhe të prisni. Do të vijë t’u shoqërojë për te kryeministri oficeri i shërbimit. Paç fat!
                                                             *     *      *
        Zotëronte një qetësi e një lloj shurdhërie ndrydhëse në atë hapësirë të lartë. Nga perdet e rënda ngjyrë alle, pak të hapura, depërtonte drita si e përflakur, por nuk arrinte ta ndriçonte bollshëm tërë hapësirën e sallonit të madh. Rrallë lëviznin nëpunësit, por megjithëse me çape të shpejta, ecnin me kujdes e si mbi vezë që hapat e tyre të mos dëgjoheshin. Musai u fundos në kolltukun e madh, të rëndë  e të rehatshëm, të veshur me lëkurë të zezë. “Kushedi se kujt ja kanë sekuestruar,”-  i shkoi në mendje vetiu. Në pritje që ta thërrisnin, i përsilleshin në mendje një mori  pandehmash dhe pyetjesh.
     “Paç fat,” i tha oficeri. Musait nuk i shpëtoi toni ironik i urimit.  Para se t’a merrte këtë rrugë, i kërkoi mëndje një miku, se a do ta priste dhe nëse do t’ia pranonte kërkesën kryeministri.”Varet se me ç’damar do të jetë, por ti provoje, s’ke çtë humbasësh.” Miku gabohej. Kishte se çfarë të humbiste.Nderin dhe krenarinë që mund t’ia nëpërkëmbnin. Mendimet dhe kujtesa e shpunë larg, në burgun e Janinës, kur e kishte burgosur hyqymeti i turkut pas kontrollit të shtëpisë në Filat, ku kishin gjetur librat e shqipes që i kishin Sjellë Themistokli Gërmenji dhe Spiro Bellkameni për shkollën shqipe të Filatit. Në kaush, ishte bashkë me një çifut disi të çuditshëm, e quanin Ben David. Mbante në kokë një takie të vogël dhe flokët gërshet. Gjith kohës atij i kullonin sytë mbi bibël.Atje e kërkonte shpëtimin. Ai bëri shaka, i tha se e kishte emrin si Moisiu biblik, që nxori popullin e zgjedhur të Zotit nga skllavëria në Egjipt. Edhe ti përpiqesh ta nxjerrish popullin tënd nga errësia dhe skllavëria. Pastaj ai për ti dhënë zemër, i kishte lexuar një verset nga bibla që thoshte:” Lypni dhe do tju jepet, kërkoni dhe do të gjeni, trokitni dhe do t’ju çelet; sepse kush lyp-merr, kush kërkon – gjen dhe do t’i çelet dera atij që troket”. Ai tashmë kishte trokitur, dera ishte çelur, do të kërkonte, por a do ti jepej? “Varet se me ç’damar do të jetë,”- i kishte thënë miku. Brenda tij janë edhe ujku edhe qengji!
                                                 *     *     *
      Me çap të lehtë, si të ishte hije , me kartelë në dorë, në tryezën e kryeministrit u afrua  oficeri i paradhomës dhe  në heshtje, priti të kishte vëmëndjen  e shefit.
       -Folë,- i tha ai, - i bezdisur që po e ndërprisnin nga shqyrtimi i dokumentave. Përgatitej për mbledhjen e qeverisë.
       - Në ora dymbëdhjetë i keni lënë takim qytetarit Musa Demi. Prura formularin me të dhënat,- tha, - dhe ia uli mbi tryezë dhe doli ashtu si kishte hyrë, si hije.
        Kryeministri pa orën e madhe të murit, donte dhjetë minuta të shkonte dymbëdhjetë. Mori  formularin dhe e përsolli nëpër duar. Nënqeshi përbuzshëm kur lexoi profesionin politikan. Emëri i kërkuesit ishte i njohur për të dhe vetë familja e madhe e Dematëve të Filatit në Çamëri, ishte disi e ndërlikuar: kishte nxjerë pashallarë turkoshakë, por edhe patriotë, heronj e dëshmorë, por edhe tradhëtarë. I fundit ishte Tahiri, i sapo dënuar me grupin tradhëtar të Teme Sejkos. Eh, këta çamët, i ishin bërë si ferrat nëpër këmbë! Të çuditshëm, krenarë e fodullë, kishte vënë re se nuk e pëlqenin punën, por u pëlqente të komandonin. Nuk e kuptonin se hpësira për ta ishte e ngushtë si vrima e gjilpërës.  Ja, edhe ky “Politikani” që vinte të kërkonte pension patriotik, pikërisht në këtë kohë, kur ky komunitet kishte ngrënë shkelma bythës dhe shuplaka fytyrës në gjyqin që ishte zhvilluar. Dhelpëra plakë me këtë kërkesë synonte larg. Me siguri ishte provokim, për të nuhatur sjelljen e qeverisë ndaj popullatës së kësaj krahine, por do të merrte një përgjigje që të mos kujtohej më për të shkelur pragun e kësaj ndërtese.
   I ra ziles.
  -Silleni Musa Demin!
                                                             *     *    *
-Xha Musa, kryeministri po ju pret. Ejani me mua.
Musai u shkëput nga kujtimet dhe e ndoqi pas. Kishte shumë shkallare, të mbuluara me tapet të kuq. Oficeri ecte shpejt.
-Ngadalë o bir,se nuk të ndjek dot,- i tha. Oficeri u ndal dhe e priti .
Kur doli në krye të shkallëve gjunjët e rënduar nga pleqëria i dhembnin, zemra kishte shtuar rrahjet, frymëmarrja i ishte shpeshtuar. Qëndroi një çast, duhet të qetësohej. Koridori ishte i gjatë, llapste nga dritat dhe pastërtia, nën këmbë ndjehej butësia e tapetit. Hynë në fund, djathtas. Oficeri i paradhomës u ngrit, e përshëndeti ftohtë, sa për të bërë zakonin, mendoi xha Musai- dhe i priu për në zyrën e madhe të kryeministrit.
     Mehmet Shehu ishte ulur dhe as e ngriti kokën të shihte vizitorin. Mbi tryezën e gjatë e të rëndë, kishte disa telefona dhe dosje të hapura, një pirg me gazeta ku shquheshin rreshta të nënvizuar me laps të kuq.  Në fund të tavolinës ishte një sekretare me një regjistër të hapur, e gatshme të regjistronte takimin. Në një kënd, ishte një tryezë e ulët e rrumbullakët dhe disa kolltukë. Në krye të murit, dukej portreti i madh i komandantit.
    Xha Musai, instiktivisht e kuptoi se kishte ardhur kot. Në atë zyrë nuk ishte i mirëpritur. Dukej sheshit. Gjithsesi i tha vetes: Mbahu e mos u ligështo, Musa!
     Pa i dhënë dorën dhe pa e përshëndetur, i pa mirësjellshëm, pa i thënë ulu, e pyeti me arrogancë :
     -Thuamë shpejt e shpejt dhe shkurt përse ke ardhur, se nuk kam kohë për të humbur. - I tha këto pa e parë në sy.
      Musai e kuptoi që kryeministrin e kishte gjetur në damar të keq, në atë të marrëzisë. Sido qoftë , e meritonte t’i jepte një mësim:
      -Biri im! Të them bir, se babai yt është moshatar me mua. Para se të të them pse kam ardhur, e ç’nevojë më ka sjellë në këtë moshë të thyer, pres të më thuash: “Ulu se të kanë lodhur këto shkallë!”
    Që kur kishte hyrë Musai, ishte e para herë që ai e pa në sy. Dukej i nxehur e tërë mllef, në fytyrë i ra një hije e rëndë, e frikshme, hakërruese. Por xha musai kishte parë në jetën e tij të gjatë, në vende dhe raste të tjerë,  edhe burra të pushtetshëm e të frikshëm dhe nuk ishte trembur. Nuk u tremb as prej këtij. Frikë duhet patur vetëm nga Zoti. Burrat një here lindin dhe një here vdesin. Frikacakët vdesin e ngjallen përditë!
     -Pa shih! Paske ardhur të na mësosh si të sillemi! Lëri fjalët e tepërta dhe folë shpejt, s’kemi nevojë për mendtë e tua! Na mjaftojnë e teprojnë tonat!
     Nga t’ia niste? Ai ishte pjesmarrës i historisë, kishte bërë histori dhe kishte hyrë në histori. Kishte punuar, jetuar e luftuar me burra të shquar të këtij kombi që bënë Shqipërinë. Por tjetëri, nuk donte,ose më keq: s’kishte veshë të dëgjonte, sy që të shikonte dhe mënt që të arsyetonte. I donte gjërat me dy fjalë.  I tha se që në të ritë e tij e kishte vënë jetën dhe punën në dobi të atdheut, kishte luftuar kundër turqve, kundër shovinistëve grekë. Ishte burgosur, kish luftuar e marrë plagë, ishte bërë zëdhënës i halleve, vuajtjeve dhe padrejtësive që i bëheshin popullit dhe krahinës së tij. luftës Nacional  Çlirimtare i kishte dhënë djalin dhe vajzën. E bija kishte rënë dëshmore për Atdheun, por ai, i përfshirë në agazhimet patriotike, dhe për shkak të moshës, çlirimi i vendit e kishte zënë 68 vjeç, nuk kishte plotësuar vite pune për të përfituar sipas ligjit pension pleqërie. Meqënse qëlloi jetëgjatë, se edhe mund të kishte vdekur, që të jetonte si njeri, këta vite që i kishin mbetur, mendonte se i takonte dhe, kërkonte që t’i jepej një pension patriotik. Besonte,përsëriti ai, se i takonte. Kaq.
      Kryeministri u nxi më keq nga fytyra, sytë i lëshonin një dritë të keqe si të verdhëreme dhe ju drejtua Musait me hakërrim:
       -Zotrote dashke pension patriotik! Pension  patriotik! Ç‘e pandeh ti more, pushtetin  popullor, një kazan të mbushur plot,  që t’u japë pension edhe tradhëtarëve, atyre që u kanë shërbyer shtatë mbretërive dhe kush e di se ç’farë flamur tjetër mbajnë të fshehur në sepete?!
       Mos! Kjo ligjëratë ishte si e shtënë pushke, çdo fjalë një plumb, edhe fjala vret si plumbi, në mos më keq. Ishte si një goditje rrufeje që e përshkoi të tërin. Askush deri sot nuk kishte guxuar t’ia kishte thënë ato fjalë, por ruajti qetësinë dhe dinjitetin. Nuk kishte pse të binte në gropën e batakut të harbutërisë që kishte hapur tjetëri. Ishte Musa Demi dhe ai e kishte nderuar këtë emër në çdo vend e rast të vështirë. I  erdhi   ndihmë mençuria e politikanit dhe takti i diplomatit.
-Të kërkoj falje,- i tha,-  se të harxhova kohën e çmuar dhe të prisha gjakun! Por, të lutem,- shtoi ai, - Më thuaj disa nga ato mbretërira, që unë u paskam shërbyer në dëm të Shqipërisë.
  - Ç’të të them, ti i di më mirë se unë. Ja, le të fillojmë nga turku, pastaj greku, më pas italiani, më tutje gjermani. Nuk të mjaftojnë këto?   
    -Këto më mjaftojnë e teprojnë,- i tha,- Faleminderit që mi rrëfeve se unë plaku i kisha harruar. Sapo e kuptova se kam trokitur gabim në këtë derë. Do të dal këtej dhe do të vete të trokas në  Ambasadën Turke, në atë italiane, pastaj te ajo gjermane, për fat të keq nuk kemi ende ambasadë greke,  dhe do të kërkoj të më  japin pension patriotik. O zot,sa budalla jam treguar! Pse nuk vajta  që sefte atje, se do të kasha marrë jo një, por tre  pensione!                
        Kryeministri mbeti i hutuar dhe i habitur e nuk po ia shqiste sytë.
       Xha Musai doli menjëherë, pa pritur tjetër fjalë. Nuk e përcolli njeri. Po ecte me çap të ngadaltë por me trupin drejt dhe pamje krenare nëpër koridorin e gjatë dhe në mendje i buisnin mendimet: ”Ky ishte kryeministri, burri i shtetit, që i ishin besuar fatet e shqiptarëve!  Burri ishte i shtetit, por shteti nuk ishte i burrit, se këta lloj burrash, vinin e shkonin, qëllonte që më së shumti i hanin kokën njeri-tjetrit. Edhe shteti nuk ishte i atyre burrave, se edhe shteti binte, rrëzohej, merrte rrokullimën. Ishin rrënuar perandoria Romake,ajo Bizantine e sa e sa të tjera. Ai kishte jetuar dhe kishte parë sesi ishin rrënuar Perandoria Turke, ajo Austro-Hungareze, Ruse etj. Kishte vetëm një vlerë që nuk zhbëhej kurrë dhe s’të tradhëtonte: ishte Atdheu. Ishte ai pragu i dashur i shtëpisë në Filat, vendi ku hidhen hapat e parë, ku i thuhet nënës nënë e babës babë, atje ku janë varret e të parëve, si rrënjë të future thellë në tokë, ku flitet shqipja e bukur. Për këtë Atdhe, për Shqipërinë, që të ishte një dhe e pandarë, për flamurin, për gjuhën dhe shkronjat shqipe , ai kishte shkrirë jetën. Mëmëdheu asnjëherë nuk të bëhet njerkë edhe kur një kryeministër tregon dhëmbët, sikur do të të shqyejë, apo zgjat kthetrat e bishës që të të çjerrë zemrën. Ata janë si ferrat e djerrinave, pjella dështake, që  kanë në zemër vrer dhe jo mirësi e dashuri. Jeta është e shkurtër, por atdheu s’ka vdekje. Brezi përcjell brezin dhe nuk i harron ata që luftuan e punuan për Atdheun. Puna, mendja, dituria, djersa dhe gjaku i tyre, janë në themelet e kombit. Prandaj nuk duhet menduar se çfarë bëri Atdheu për mua, por çfarë kam bërë dhe do të bëj unë për Atdheun, që i jemi borxhli, qoftë edhe me jettën tonë. Varfëria durohet, por turpi dhe tradhëtia as falen as durohen. Ai ”Burri i shtetit”, i papërgjegjshëm, e kishte vënë në radhën e tradhëtarëve!
       Kishte arritur pranë derës. Aty ja behën dy oficerë:
       -Zotëri! Ti ishe te kryeministri?
       - Po,-u tha.
       -Kryeministri të kërkon sërish të vesh në zyrë.
       - Nuk mundem,- u tha,- nuk i ngjit për herë të dytë ato shkallë dhe atë zyrë që më damkosën me turp.
       Oficerët ishin djem të rinj dhe gazmorë:
     -Mos u mërzit, xhaxho, se të marrim ne hopa. Po s’të shpum në zyrën e tij, t’i bëjmë derman kokës se na tha: “Ma sillni atë plakun flokëbardhë patjetër në zyrë!”
        U kthye, i ngjiti ato shkallë si të kishte një gur mbi shpinë.
        Por çfarë kishte ndodhur?
        Kryeministri, pasi kishte dalë plaku, u habit nga përgjgigjia e tij e mençur dhe qëndrimi burrëror. Atëhere u bë politikan. Musa Demi do të shkonte te njerëzit e vet dhe do tu tregonte, duke u thënë se shteti dhe Partia nuk i duan çamët. Me siguri që do ta bënte se ishte trim dhe i hapur. Lajmi do të përhapej gojë më gojë. Ishte me dëm, bile me shumë dëm të krijohej kjo psikozë në popullatën e një krahine të tërë. Në dreq të shkonte një pension varfanjaku! Me të do t’i mbyllej goja, atij dhe llapaqenve të tjerë. Pastaj plaku ishte me një këmbë në varr, një gërmadhë dhe s’kishte për ta ngrënë për shumë kohë atë pension.
      E priti xha Musain i buzëqeshur. I ofroi cigare. Maska ishte ndërruar. E ftoi të ulej. U kollit lehtë dhe i foli me të butë:
      -Dëgjo, xha Musa. Mos na e vërë re, ne nxehemi se na bën puna dhe hallet tona, që janë më të mëdha  nga sa e mendon ti. Qëpar nuk u solla mirë. Mos ma vërë re. Tani shko në shtëpi. Do të jap urdhër që të vijë vetë Komiteti Ekzekutiv në shtëpinë tënde me makinën time, që të lidhë pensionin dhe thuaj falë me shëndet plakës .
    Xha Musai doli. Nuk shfaqi  kënaqësi, asnjë gëzim, asnjë falnderim. Nuk po i jepnin lëmoshë, por atë që i takonte, bile më pak ngasa i takonte! Kryeministri, mendoi ai, me atë ndjesë, kishte dashur ta lante m….. me shurrë. Burri i shtetit kishte hequr maskën e arrogantit dhe kishte vënë atë të komedianit.Ujku ishte strukur,kishte dale qengji.  Ashtu ja donte mendja, apo ndofta puna.
                                                       *   *     *

       Ndryshe nga sa e mendonte kryeministri, Xha Musai, plaku i Çamërisë, jetoi gjatë , i nderuar dhe i respektuar dhe ndërroi jetë më 1971, në moshën nëntëdhjetë e tre vjeç. la prapa një emër dhe një vepër të paharruar.
     
     Tiranë,mars 2013.
     *Motivi i këtij tregimi është marrë nga monografia “Musa Demi” e historianit Hajredin Isufi.

No comments: