Monday 15 June 2015

Ankthi serb i ngritjes së Shqipërisë

IZET DURAKU
 
 
Ankthi serb i ngritjes së Shqipërisë
 
(Në vend të parathënies për ribotimin e librit Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha të Vladan Gjorgjeviqit)
 
 
Librat e zinj të mbushura me rrena, sharje e shpifje poshtëruese për të tjerët, deri në prag të shekullit XXI, qarqet shkencore në Beograd e morën për zakon t’i quajnë libra të bardhë.  “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha” i autorit serb Vladan Gjorgjeviq, i shkruar më 28 janar 1913  mbahet si një ndër librat më të zi kundër shqiptarëve. Sigurisht nuk është një bombë që mund të të plasë ndër duar. Ngjan më shumë me armët- lodra mësimore ku baruti dhe mekanizmat shkrepës janë hequr me kohë. Por ndonëse lodër, ajo duhet mbajtur gjithnjë afër, duhen zbërthyer e vëzhguar me imtësi pjesët e saj. Sepse ashtu e largët dhe e mistershme, mund të bëhet më e rrezikshme. Të joshur prej saj, siç edhe ka ndodhur, shumë konstruktorë të rinj armësh i janë afruar dhe e kanë studjuar në fshehtësi “maliherin” e vjetër gjorgjeviqjan për të ndërtuar në ngjasim me të armë më shfarosëse.
Vladan Gjorgjeviqit ndoshta i është dukur vetja si Circja homerike, që, me një prekje të shkopit të tij, t’i shndërrojë shqiptarët në derra, që zhgrryhen në flligshti plehu e gjaku, t’i shohë të zhytur në sëmundjet më të rënda të tokës dhe të mbërthyer nga zjarrmia e vrasjes, vetvrasjes dhe epsheve kanibaleske. Të harruar nga zoti e robi, këto krijesa të përçudnuara, sipas tij, na vikan drejtpërdrejt nga prehistoria njerëzore, deri para do kohësh, madje i kishin parë tek mbaheshin me bishtin e tyre nëpër pemë. Egërsirat, doemos, nuk mund të kishin gjuhë, as histori, as figura historike. Artin dhe ndjenjat njerëzore nuk i njihnin. As lirikën, as epikën.Të ndarë më dysh atje ku ndaheshin së lashti ilirët dhe epirotët, gegët dhe toskët kishin shkuar aq larg në ndarje sa ngordhnin nga dëshira për të vrarë e zhdukur njëri- tjetrin. 
Duke ua vjedhur e përçudnuar të kaluarën, shpresohej që shqiptarëve tu errësohej dhe e ardhmja. 
Pa pikën e turpit, magjia e zezë e autorit e shndërron përrallën në histori dhe ngjarjet historike në përrallë. Mbase kurrë nuk do të merrej me shqiptarët, nëse nuk do të ishte brenga e formimit të shtetit shqiptar, rreziku i ngritjes së këtij shteti, për tmerrin e tij, mu në zemrën e mbretërisë mesjetare serbe, që pati vdekur me kohë, por që ishte ringjallur si me magji ndër tempuj të trashëguar urrejtje plot myk. Pas ritualeve magjike dhe fabrikimit të miteve, kjo mbretëri e ringjallur do të ushqehej me tehun e bajonetave dhe të krimit që ra mbi trupin e kombit shqiptar
 
***
A do të bëhet Shqipëria?
Kjo pyetje e rëndë tek shqiptarët, e përsëritur nga koha në kohë në 100 vjetët e fundit dhe që ndihet sot e gjithë ditën, është ngritur dëshpërimisht më shumë pas shpalljes së Pavarësisë. Pas ngritjes së saj, bërjes, që ngjante kaq shumë edhe me zhbërjen e Shqipërisë, profecia naimjane “Lum kush të rrojë, ta shoh zonjë…” është lexuar gjithashtu në mënyra të ndryshme. Përmendej, rilexohej, deklamohej ky varg për të dhënë zemër, për të ngjallur shpresë dhe u mbrujt si i tillë, por në përqasje me realitetin, ndillte më tepër trishtim e dhimbje.
Shqipëria ka një sipërfaqe prej 80 mijë kilometra të katërçipta, kishte shkruar apostulli tjetër, Sami Frashëri, po brenda kufijve të saj mbetën 28 748 kmose afërsisht sa e një e treta e hapësirës së banuar me shqiptarë. Vetëm Shkodra si qendër Vilajeti mbeti me luftë brenda territorit shqiptar, ndërsa Shkupi, Manastiri e Janina u përfshinë në kthetrat e mbretërive serbe e greke. Si u rrudh kjo Shqipëri kështu? Mallkimet homerike të Fishtës për Europën si “kurva motit”, lidheshin pikërisht me një faktë të tillë dhe jo me një qëndrim antieuropian të autorit.
A do të bëhet Shqipëria? Kjo pyetje në rrethana të caktuara gradualisht filloi t’i bishtnojë thelbit të saj. Cungimi i kryer me një kirurgji të menduar politike do të sillte pashmangshëm varfërinë, grindjet e brendshme, deri konfliktet e përgjakshme për pushtet. Politika e vendeve fqinjë, shkaktare e cungimit të saj, mbeti gjithnjë e interesuar që armiqësitë e hershme midis shqiptarëve të përtëriheshin, konflikti i brendshëm të mos shuhej kurrë dhe që shtetasit e këtij vendi të mbeteshin gjithnjë të varfër dhe në armiqësi me shtetin e tyre. Shërbimet e fshehta të fqinjve arritën të depërtojnë deri në nivelet më të larta të politikës dhe t’i mbajnë të lidhura strukturat e shtetit shqiptar në një luftë të përhershme me armikun e jashtëm dhe të brendshëm. Një luftë sa imagjinare dhe reale luante me nervat e njerëzve që filluan të bëhen me hije, ta shohin armikun në çdo pikë të horizontit. (Hapja e dosjeve të kësaj agjenture të rekrutuar nga sllavët nuk mund të shpresohet.)
A do të bëhet Shqipëria?  Midis viteve 20-40 të shekullit të kaluar në vend të ankthit a do të bëhet dhe kur do të bëhet Shqipëria, pyetja filloi të ndryshojë rrjedhë në si do të bëhet kjo copë Shqipërie? Edhe shprehja që i atribuohet Konicës “U bë Shqipëria për të plasur shqiptarët”, lidhet më fort jo me tërësinë tokësore të saj se sa me rrjedhat e padëshiruara të zhvillimeve politike, demokratike dhe sociale në Shqipërinë e asaj kohe.
E mbërthyer nga prambetja e theksuar otomane, nga një varfëri që rrezikonte çdo çast mbijetesën fizike të banorëve të saj, fati i Shqipërisë, si anija pa busull mbeti rob i dallgëve politike të kohës. Si midis Shillës dhe Haribdës rremtarët politikë grahnin të mos binin pre e kthetrave jugosllave në këtë anë të detit dhe robërisë italiane në anën tjetër.
 Varfëria dhe agjenturat e huaja do të kujdeseshin që ushtria shqiptare të ishte gjithnjë e vogël në numër, e pa armatosur, e pa aftë për të siguruar mbrojtjen e vendit apo, qoftë larg (!), në situata eventuale për të sulmuar dhe rimarrë tokat që i takonin. Është e vërtetë që në himnin e ushtrisë mbretërore përmendej zotimi se do të vinte koha, kur edhe në Kosovë e Çamëri do të valëvitej flamuri kombëtar, por kapardisja marciale në kushtet e dukshme të pamundësisë së njëmendët, nuk i prishte kujt punë. Edhe emërtimi bezdisës i kryeshtetasit si “Mbreti i Shqiptarëve” ishte më shumë një kërcënim butaforik. Para Luftës I Botërore dhe pas saj deri në pushtimin nazist, Mbretëria jugosllave ushtroi një shfarosje sistematike të shqiptarëve, por në vitet e Mbretërisë, ndonëse Shqipëria ishte anëtare e Lidhjes së Kombeve, nuk pati asnjë protestë ndaj krimeve genocidale. Mbretëria nuk do ta hapte gojën kur qindra mijë shqiptarë të viseve matanë kufirit shtetëror u vranë apo u përzunë me dhunë për në Turqi.
Ndërsa pas Luftës II Botërore regjimi komunist që u instalua e përforcoi idenë se Shqipëria nuk do të luftonte kurrë për ndryshimin e kufijve. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë ishte dhe do të mbetej 28 748 km2. Asnjë milimetër më pak, asnjë më shumë. 28 mijë dëshmorë, 28 mijë lapidarë.
Në vitet 1945 -1948 vetëm fati e shpëtoi Shqipërinë të mos gëlltitej plotësisht nga Jugosllavia e Titos. “ Me rrugën që morën ngjarjet menjëherë pas Plenumit të 8-të, - shkruan Enver Hoxha te “ Titistët, - kishte mundësi që Shqipëria jonë, ende e pashëruar nga plagët e luftës, të binte në kthetrat e një robërie të re. Veç tani kjo robëri nuk do të vinte me agresion, po me “lutje”, me “kërkesa zyrtare.” Dhe këtë akt të turpshëm, që s’do na e falnin kurrë as bashkëkohësit, as brezat që do të vinin, nuk do ta kryente e nuk do ta firmoste ndonjë parlament kukull si ai i Zogut, por kishte rrezik ta kryente, vetë Kuvendi ynë Popullor, duke “aprovuar” propozimin e Komitetit Qendror të Partisë. …Prej Xoxes me shokë po përgatitej tu jepej si dhuratë “shokëve” jugosllavë jo një copë Vermosh apo një Shën - Naum, po 28 000 kilometrat katrorë të Shqipërisë.”   
 
***
Në ditët e ngutshme të krijimit të librit “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”, kur siç pohon Vladan Gjorgjeviqi rrjedhën e ngjarjeve edhe me një lloj zhgënjimi “mu në këtë ças, kur na po shkruejmë këto rreshta, gjaku i njeriut po shkon lumë prej Shkodre deri në Çatallxhe dhe prej Janine deri në Gallipol”, atij mbase nuk do t’i shkonte fort ndër mend për jetëgjatësinë e argumenteve të veta. Qëllimi imediat i tij ishte realizimi i interesave shtetërore serbe, ruajtja e territoreve të sapopushtuara, pengimi i krijimit të një shteti shqiptar ose në pamundësi të pengimit të tij, cungimi sa më shumë i hapësirës jetike që do t’ jepej. Shqipëria nuk duhet të kishte det dhe porte, nuk  kishte nevojë për qytete, fusha pranë tyre e lugina të begata. Asaj nuk i duhej të mëkëmbej ekonomikisht, të shtohej dhe të forcohej.
E qethur nga të gjitha anët, shteti i shqiptarëve duhej të mbetej gjithnjë në mëshirën e fqinjve. Hapësirë jetike duhej të kishte vetëm Serbia!
Si në qarkullimet folklorike, disa nga klishetë e librit “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha” kanë hyrë në kujtesën e serbit, më saktë jugosllavit të thjeshtë edhe përmes rimarrjeve të shpeshta në libra të tjerë nga autorë pasardhës, për të cilët brerja e ndërgjegjes për krimet e kombit të vet nuk ekzistonte. Çeta të pandërprera shkruesish që nga koha në kohë vijimisht vetëm villnin: “Pse lëshojnë ende hije mbi tokë, si dreqin nuk zhduken shqiptarët”?!
Urrejtja e ushqyer nga brezi në brez u ka dhënë zemër krimeve të reja në kurriz të shqiptarëve. Nuk mund të thuhet me siguri nëse në 100 vjetët e jetës së këtij libri është pakësuar sadopak soji i shovinistëve ndër fqinjët tanë. Duket madje se disa specie politikanësh riprodhohen në zinxhir, sikur uji i kohës për ta nuk shkon përpara, por vorbullohet në të njejtin vend.
Sa herë del në dritë ndonjë përplasje me shqiptarët, sidomos politikanë të tillë si presidenti i fundit serb Nikoliq apo edhe më të parëndësishëm si ministrja e brendshme maqedonase u rikthehen sharjeve të Gjorgjeviqit. Ministrja e përgjuar nga opozita e vet qante kështu hallin me burrin e saj:  “Ah bee, shiftarët, lëkurkuq be, indianë të egër… Sa budallenj janë! Po fis janë be, për një orë do t’i zhdukja!...”
 Është pikërisht ky mentalitet që kurdis në mënyrë ciklike spektakle të përgjakshme, si në rastin e Kumanovës, kur një grusht shqiptarësh, sipas qeverisë, të armatosur, u sulmuan pa paralajmërim nga qielli e toka në një lagje të banuar ku, përmes gjakut e shkrumbit të gërmadhave, duhej të krijohej pikërisht ideja e shfarosjes. 
 
***
Libri i Vladan Gjorgjeviqit “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha” erdhi në gjuhën shqipe në vitin 1928, 87 vjet më parë, i përkthyer në mërgim nga Mustafa Kruja, njëri prej atdhetarëve që ngritën flamurin e pavarësisë shqiptare në Vlorë. Libri i tmerrshëm, që edhe në kohën e botimit në shqip nuk bëri bujën që mund të pritej, në vitet e mëvonshme u dënua me heshtje. As u fol, as u ribotua. Ndërsa për përkthyesin e tij, Mustafa Krujën, dënimi me heshtje u konsiderua i butë. Pas Luftës II Botërore ai do të sulmohej gjithnjë si bashkëpunëtor i fashizmit nga kreu më i lartë i Partisë dhe i shtetit.
Sidomos njëri nga “krimet” e Krujës nuk ishte i papërfillshëm. Kishte guxuar si Kryeministër të pranonte ndryshimin e kufijve të Shqipërisë, të zmadhohej Shqipëria, jo aq sa duhej të ishte në fakt, po me mijra km2 më e madhe nga sa u përcaktua në Konferencën e Londrës. Me administratën e qeverisë së Tiranës u bashkua pjesa më e madhe e Kosovës dhe e viseve shqiptare në Maqedoni. U bashkua gjithashtu Uqini që kishte rezistuar aq shumë të mbetej i pandarë nga trungu kombëtar, duke prapsur me sukses turq e malazez së bashku, por që u dorëzua në vitin 1878 vetëm me ndihmën e Flotës ushtarake të Fuqive të Mëdha.
Demagogji fashiste, thanë komunistët. Çështja e Kosovës do të zgjidhej me plebishit pas luftës, mjafton që shqiptarët e viseve të robëruara të përfshihen në luftën antifashiste. “Naivitetin” e premtimit të zbrazët për vetvendosje e aspiratë të popullit shqiptar të Kosovës “për me u bashkue me Shqipninë” që u sanksionua në rezolucionin e Konferencës së Bujanit (31 dhjetor 1943 - 2 janar 1944) e kishin zhvlerësuar paraprakisht vendimet e Mbledhjes së Dytë të AVNOJIT (nëntor 1943), mbi bazën e të cilave Jugosllavia do të ndërtohej në mbështetje të parimeve federative, që do të sillnin barazi të plotë midis popujve të saj sllavë, rrjedhimisht të Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Bosnjë Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe ku përjashtohej çdo mundësi për autonomi e shqiptarëve të Kosovës. 
Përkundrazi, gjatë luftës siç dëshmohet përmes projektit të Vaso Çubrilloviqit “Problemi i pakicave kombëtare në Jugosllavinë e re” që iu dorëzua Mareshalit Tito më 3 nëntor 1944 synohej të  zhdukeshen krejt shqiptarët matanë kufirit. Sepse, sipas autorit të projektit, spastrimi që mund të kryhej në luftë për 2-3 ditë, në kohë paqeje do të zgjaste me dhjetra vite
Çështja e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare që iu bashkangjiten aso kohe Shqipërisë, siç dihet u shndërrua në mollë sherri midis komunistëve shqiptarë e jugosllavë. Pala jugosllave e kishte bërë të qartë që nuk do ta njihte kurrë një bashkim të trojeve shqiptare. Në themel të Marrëveshjes së Mukjes midis komunistëve e ballistëve qëndronte zotimi i dy palëve që do të luftonin për realizimin e “Shqipërisë etnike”. Pikërisht ky togfjalësh i tërboi Miladin Popoviqin dhe Dushan Mugoshën, dy të dërguarit serb të Titos pranë Shtabit të Përgjithshëm të Luftës Nacional çlirimtare shqiptare. Marrëveshja midis shqiptarëve përfundoi në kosh dhe fillimi i  luftës civile në Shqipëri, më shumë se këdo tjetër do t’i gëzonte serbët.
 Edhe në raste të tjera gjatë luftës është i kuptueshëm nervozizmi jugosllav i shprehur me tone alarmuese me gojë e me shkrim për “shokët shqiptarë që manifestonin qëndrime nacionaliste, shoviniste e shqiptaromëdha” që sipas logjikës sllave po fusnin hundët gjatë luftës edhe pëtej kufirit të tyre në Dibër, Gostivar e Kërçovë e gjetkë. Shqiptarët, sipas “vëllezërve të rinj internacionalistë”, në mos duhej të treteshin a të zhdukeshin nga faqja e dheut, së paku duhet të mbeteshin të vegjël aq sa ishin para Luftës.
I pakuptueshëm është nervozizmi i djeshëm i atyre shqiptarëve që në bashkëzanim me serbët, dolën haptas kundër bashkimit shqiptar. Akoma më i pakuptueshëm mbetet nervozizmi i sotëm që ende hungëron sa herë i jepet rasti.
Afërmendësh caktimi i kufijve të Shqipërisë më 23 korrik 1913 në Konferencën e Londrës nuk u bë me vullnetin e saj. Në rrethanat historike të njohura shqiptarët në vjeshtën e vitit 1912 u gjendën krejt të papërgatitur për të përballuar agresionin e fqinjve ndaj tokave të tyre. Madje duhet pohuar me mirënjohje ndërhyrja e faktorëve europianë që ndaloi masakrat e mënxyrshme greke në Jug të vendit dhe masakrat serbe e malazeze në Veri. Që të mos harrohen këto masakra çdo shqiptar duhet të freskojë kujtesën, ndërsa shoqëria civile, së bashku me strukturat e shtetit të sotëm duhet të bëjnë të mundur ngritjen e monumenteve të kujtesës.
Duke i quajtur viktima, ende gjallon një koncept nënvlerësues për njerëzit e përpirë nga barbaria e atyre masakrave. Mijra gra, burra, pleq e fëmijë të grirë nga plumbat e bajonetat apo të shkrumbuar së gjalli bashkë me shtëpitë e tyre nuk kanë një emër në varrin e tyre. Kur në respekt të historisë u ngrihen memoriale ushtrive të huaja, asnjë memorial i tillë nuk është ngritur për të martirizuarit shqiptarë nga ushtritë që deshën ta zhbëjnë Shqipërinë akoma pa lindur. Dhjetra fshatra të shkrumbuar aso kohe, po asnjë prej tyre nuk nderohet e kujtohet ashtu si duhet. Shpallja martire e Borovës që ra pre e egërsisë naziste gjatë Luftës II Botërore, u pasua pas vitit 1997 edhe me nderimin e disa fshatrave të tjerë me të njejtin motivacion.  Glorifikimi i një segmenti kohor për çfarëdo shkaqesh politike a ideologjike (?!) nuk mund të errësojë periudhat e tjera të historisë sonë. Shqiptarët nuk kanë lindur gjatë Luftës II Botërore dhe nuk janë gjallë vetëm pse morën pjesë në luftën antifashiste.
 
***
Prirja për shkenca natyrore e humane do të duhej t’i jepte Vladan Gjorgjeviqit një ndjeshmëri më të madhe ndaj të vërtetave shkencore. Së paku një qëndrim më paqësor ndaj njerëzve me gjuhë e besim të ndryshëm nga vetja e vet. Madje nisur nga disa të dhëna e burime lidhur me prejardhjen e tij edhe shqiptaro-vllehe, urrejtja ndaj rrënjëve të veta ngjan si absurde.
 Vladan Gjorgjeviqi lindi në Beograd më 21 nëntor 1844 dhe vdiq pranë Vienës më 31 gusht 1930. Ai ishte kirurg, politikan, diplomat dhe romancier. Për babain e tij, një farmacist, shkruhet sevinte nga një familje që “kishte kohë të gjatë në Serbi.”Ai u rrit në Sarajevë, ku babai i tij hapi farmacinë e parë. Pas diplomimit si kirurg, Vladani u kthye në Beograd, ku bëri emër si mjeku megradën e oficerit kryesor në ushtrinë serbe dhe si reformator i shërbimit shëndetësor në Serbi.
 1880 u martua me të dashurën e tij vjeneze Paulina.
 Ai ishte themeluesi kryesor i Kryqit të Kuq serb e Kolegjit Mbretëror të Mjekëve dhe udhëhoqi Partinë Progresiste me Milutin Garashaninin, birin e Ilia Garashaninit, ish-Kryeministër i Serbisë dhe autor i programit të parë kombëtar serb, “Naçertania”. I përkrahur politikisht, ai arriti të drejtojë me dorë të hekurt Bashkinë e Beogradit, u bë ministër i arsimit, mandej i ekonomisë. Si kryediplomat i Serbisë në Greqi dhe në Stamboll u njoh edhe me përpjekjet e shqiptarëve për tu çliruar nga zgjedha osmane. Kulmi i fuqisë së tij politike shfaqet në vitet 1897-1900, kur bëhet kryeministër dhe ministër i jashtëm i Serbisë. Qeveria e tij aso kohe u përcaktua si një regjim i "rendit dhe i punës."
Gjorgjeviqi më pas ra në kundërshtim me autoritetet  dhe u akuzua në 1906 duke u dënuar me gjashtë muaj në burg. Ai vuajti dënimin në mënyrë stoike në burgun e mbipopulluar të Beogradit. Ai shkroi një libër që lidhet pikërisht më këtë episod të jetës së tij.
Gjorgjeviqi mbajti lart interesin e tij në çështjet letrare dhe historike nga një korrespondencë e gjerë dhe shtëpia e tij në Beograd ishte qendra e një rrethi letrar të shquar.
Ndër librat e tij përmendim: “Atdheu” ,1890; “Serbia në Kongresin e Berlinit”, 1890; “Greqia dhe arsimi serb”, 1896;   “Historija e shëndetësisë në ushtrinë serbe”, I-IV; “Fundi i një dinastije”, I-III (1905-1906); “Lufta serbo-turke”, I-II, 1907;  “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”; “Car Dushani”, roman historik, 1919-1920; “Mali i Zi dhe Austria”, 1924; “Kujtime”, 1927; “Golgota: zbritja nga froni”, 1933.
 
***
Si në raste të rralla, titulli i librit “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”, i Vladan Gjorgjeviqit shpreh kaq qartë përmbajtjen e tij, vetë thelbin e synimeve të autorit. I ndarë në dy pjesë, ai ka një strukturë të thjeshtë. Në pjesën e parë “Shqiptarët”, (origjinali në serbisht “arnautët”, siç na quanin turqit) përpiqet të trembë dynjanë me sëmundjet, shëmtinë dhe veset tona dhe në pjesën e dytë “Fuqitë e Mëdha” analizon sipas optikës së tij interesat e shteteve më të fuqishme europiane për çështjen shqiptare dhe implikimet e tyre me interesat e Serbisë.
Në këtë libër shqiptarët si emër kolektiv vihen përballë organizimeve politike shtetërore të fuqishme, të cilësuara si “Fuqi të mëdha”, që mund të vendosin ashtu siç e gjykojnë ata edhe për fatet e popujve jashtë bashkësive të tyre. Pra, meqë dashkeni t’i vini re, sikur skërmitet autori, edhe unë po e pranoj se ka shqiptarë dhe po ua tregoj ashtu siç nuk i dini. Shqiptarë, thjesht si njerëz, si individë anarkistë me nam, por edhe si shtëpi të shpërndara larg njëra –tjetrës një të shtënë pushke, si katunde të ndara, qoftë edhe si fise fundja, por aspak më tepër. Kurrsesi si vend, si popull a qoftë larg si shtet. Kurrën e kurrës. Shteti i tyre i mëvetësishëm kurrë s’paskësh qenë dëshirë e këtyre njerëzve. As ëndërr, as zhgjëndërr. As në historinë e largët, as në të sotmen. Ashtu si deviza serbe “Ballkani për ballkanasit”, sipas autorit, po rimerrej djallëzisht nga Austro-Hungaria thjesht për qëllime përçarëse, ndërsa thirrja italiane “Shqipëria për shqiptarët”, fshihte nën gunë qëllime krejt të tjera.
Pa hyrë thellë në arsyetimet e shkaqeve, mund të thuhet se në shekujt e rëndë të robërisë otomane shorti i shqiptarëve brenda perandorisë shumëkombëshe qe pak më ndryshe se i popujve të tjerë në përgjithësi, veçanërisht i ndryshëm nga pozitat e fqinjëve grekë, serbë, bullgarë etj. Ndonëse njiheshin për mrekulli, madje dhe pushtuesi i quante arnautë, politikisht shqiptarët trajtoheshin sipas besimit fetar. Myslimanët do të quheshin turq, ortodoksët si grekë, a sllavë, ndërsa katolikët si latinë. Etikimi i stërpërsëritur në qindra vjet duket se kishte zënë vend edhe në  një pjesë shqiptarësh, aq sa përbënte një shqetësim për tu shprehur në poemën e njohur të Pashko Vasës “O moj Shqypni". Sipas kësaj optike, shqiptarëve u mohohej shkollimi në gjuhën shqipe. Ata do të duhej të mjaftoheshin me shkollat në gjuhën greke, sllave a turke.
Megjithatë prania e shqiptarëve qe e vështirë të mbahej e fshehtë nga europianët e shumtë, që, në prag të zgjimit të popujve, duke vërshuar në Ballkan erdhën edhe në territoret shqiptare nën petkun e antropologut, të gjeografit, të diplomatit, politikanit, udhëpërshkruesit, ushtarakut të shërbimeve të hapura apo të fshehta, etj. Sidomos kërkuesit e vërtetë shkencor donin të dinin më tepër rreth këtij populli që i përkiste Europës e që kërkonte t’i ribashkohej familjes. Të shumtët e tyre me profesionalizëm e dashamirësi i treguan me ekzaltim përshtypjet e tyre pozitive.
Vladani e dinte se historia nuk mund grabitej lehtë si gjëja e gjallë apo plaçkat e tezgave në pazaret ballkanase. Qëndresa kundërosmane e shqiptarëve nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit ishte bërë kaq e njohur në të gjithë Europën. Edhe pasardhësit e heroit, shqiptarët vazhdonin të ishin gjallë si në përfytyrimet e hershme: të shpejtë, luftarakë, miqësorë me mikun dhe ndonëse të varfër dhe me një prapambetje të theksuar kulturore, ruanin një vetëdije të kthjelltë kombëtare.
Ç’mund të bëhej për ta dëmtuar sa më thellë këtë njohje kaq të pafavorshme për synimet e politikës serbe, e cila që prej “Naçertanias” synonte që kufijtë e principatës autonome të Beogradit t’i shtrinte në përmasat e shtetit mesjetar të Dushanit?
Autori zgjodhi shpifjen, poshtërimin. Megjithëse ngutej, ai pati kujdesin e dukjes objektive, që njollat e zeza të shpifjeve, të mos i vinte drejtpërdrejt nga vetja e vet, por tu referohej të tjerëve. Mund të thuhet se ai përpiloi një bibliografi të parë mbi autorët e shekullit XIX që u morën me temën shqiptare. Ai dëshiron të tregojë se për shqiptarët është mbështetur në veprat e miqve të tyre dhe vërtetë përzgjedhë të citojë, kur i pëlqen Georg von Hahn-in, baronin Chlumecky, dr. Liebert, baronin Franz Nopcsa, ing. Karl Steinmetz  e ndonjë tjetër. Sigurisht u ndal më tepër te autorët sllavë, që nuk i patën kursyer kurrë shpifjet e sharjet.
“Nji katalog mâ komplet të mungesavet tona kombtare si edhe të gjithë sa shpifjeve qi mund t’ i bâhen nji populli, s' ka mundun bir nâne tjetër me na e vûe përpara kurrë në fytyrë të kësaj toke”, shkruan përkthyesi i këtij libri Mustafa Kruja në parathënien e botimit të parë në gjuhën shqipe në vitin 1928.
 Autori punoi shpejt, i ngutur prej rrethanave të ngjarjeve, duke e shkruar librin  fillimisht në gjuhën gjermane për ta botuar në Vjenë. Fill më pas, si një mision i mirëfilltë shtetëror, ky libër u botua në Paris, përkthyer në frëngjisht nga lartësia mbretërore Princ Aleksi Karagjorgjeviq. Libri u shkrua në kapërcyell të viteve 1912 - 1913, kur në dimrin e egër, mizoria brutale e bajonetave  serbe e përgjaku ngritjen e Flamurit të Pavarësisë.
Asnjë tekst historie në gjuhën shqipe nuk sqaron kaq qartë rrethanat dhe shkaqet që bënë bashkë serbët, malazezët, grekët e bullgarët në një Aleancë që do t’i shpallte luftë Turqisë. Ishte frika e ngritjes së shtetit shqiptar që, sipas Gjorgjeviçit, si çështje u shtrua në vitin 1880 prej Lordit Fitzmaurice, një Shqipëri që do të përfshinte një pjesë të madhe të vilajeteve të Kosovës dhe Manastirit. Ndërsa pas 32 vjetësh, Austro-Hungaria përmes kontit Berchtold me notën e tij qarkore të 14 gushtit 1912 kërkonte autonominë e një Shqipërie akoma më të madhe “se ajo qi kishte ândrrue Lordi Fitzmaurice… Ajo qarkore e kontit Berchtold u tregoi sërbvet, bullgarvet e grekvet se ç' rrezik po u kërcnohej bashkëkombtarëvet të tyne në Sërbí të vjetër e në Maqedoní, e Gaston Gravier-i mendon se vetëm ka vlejtun me shpejtue Lidhjen Ballkanike”.
Autorit i duhet njohur merita e njohjes së zhvillimeve aktuale kur e shkruante librin e tij në ditët e para të vitit 1913. Ai ka ndjekur me interesim të veçantë Konferencën e Londrës, ku për kufijtë e Shqipërisë, krahas variantit austriak që merrte më shumë parasysh kërkesat shqiptare, u paraqit një variant rus që kufijtë e vendit tonë i mblidhte në hapësirën midis Matit e Vjosës dhe varianti italian që përputhet më shumë me kufijtë e sotëm. Midis këtyre varianteve autori zgjedh për librin e tij të shënojë  me një saktësi të çuditshme për kohën sipërfaqen e Shqipërisë, që ndryshon kaq pak me sipërfaqen aktuale të saj.
“Ç'âsht me të vërtetë Shqipnía? - pyet Vladan Gjorgjeviqi. Ndên këtë emën duhet me kuptue nji vend qi, mbas specialistëvet ma t'autorizuem, si  A. Baldaçi dhe A. Supan-i, përbahej prej dy vilajeteve të Turqísë, Shkodër e Janinë. Sipërfaqja e këtij vendi arrin, në 28.680 kilometra katrore e popullata e tij në 721.706 shpirtë.”
 
 ***
Dr. Vladan Gjorgjeviqi ka dashur  t’i japë veprës së tij “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha” një ton më tepër se ngazëllyes. Ka synuar të shfaqet  triumfues e ngadhnjimtar. Sikur tharmi i lavdisë serbe, i ruajtur me shekuj, për mjerim të përçmuesve e mosbesuesve, ia kishte dalë me forcën e armëve të shfaqej zotërues në brigjet e detit Adriatik duke rimarrë hapësirat ku kishte mbretëruar lavdia e Stefan Dushanit dhe një luzmë emrash të tjerë para tij, gjithashtu sundimtarë serbë të lavdishëm.
Por nën velin bombastik të frazave rreh një zemër që përpëlitet në ankth për fatin e brishtë të Serbisë së ëndërruar. Lajmet që i vijnë nga fronti i luftës nuk janë edhe aq optimiste. Për fatin e zi  të autorit, duken shenjat e kobshme se aleatët besëlidhur kundër Turqisë: Greqia, Bullgaria dhe Serbia, së shpejti do të kacafyteshin mes veti për prenë e grabitur. As rrena se shqiptarët mezi kishin pritur të “çliroheshin” prej serbëve dhe kinse po luteshin që të merrnin fenë ortodokse serbe, nuk e mbante ngrohtë autorin.
Lajmet që vinin nga frontet e luftës qenë tronditëse dhe  gjaku i njeriut që po shkonte lumë, siç thotë dhe vetë, “prej Shkodre deri në Çatallxhe…” nuk mund të fshihej. Për Luftën e Lumës e ka kyçur gojën, por flet për shqiptarë të plagosur në spitalin e Prizrenit, si për egërsira që në shtrat të vdekjes rrezikonin me akte barbare bamirësinë e “mëshirës” kristiane serbe. Duhej heshtur edhe për aftësinë e shqiptarëve, që edhe në mungesë të shtetit ia dolën të siguronin lidhje ndërkrahinore kundër ushtrisë serbe. Krahas lumjanëve përballë serbëve në Qafën e Kolesianit u vunë edhe dibranë, hasjanë e luras.
 Edhe Kosta Novakoviqi socialdemokrati serb  ka qenë pjesë e Repartit të Lumës dhe si pjestar në këto luftime nuk dëshiron të kujtojë detyrën e parë të këtij reparti që ishte çarmatosja e saj, por nuk mund  të heshtë për këtë përpjekje të dështuar, që,  siç shkruan ai “u pagua me jetën e disa qindra njerëzve, duke humbur edhe shumë municion, ushqime dhe kafshë... Pas disfatës së plotë në Lumë, pas katër netëve të pandërprera pa gjumë, pas tërheqjes nga pozita afër fshatit Bicaj dhe pas kalimit në ujë deri në brez- Reparti i Lumës, i forcuar edhe me një batalion, u detyrua të tërhiqet i shpartalluar, i raskapitur deri në pikë të fundit”.
Ankthi i ngritjes së Shqipërisë shfaqet më qartë në analizën që autori përpiqet tu bëjë interesave të shteteve europiane në lidhje me të ardhmen e Shqipërisë dhe Serbisë. Ndërkohë që për fatin e Shqipërisë në Londër kishin nisur bisedimet e ambasadorëve të vendeve europiane, në trojet shqiptare vazhdonin masakrat mbi popullsinë e pambrojtur. Serbia po përpiqej të merrte maksimumin. Ajo do të donte që kufiri serbo grek të bëhej lumi Shkumbin.  Që sipas të drejtës së pushtuesit t’i përjetësonte fitoret e ushtrisë së saj.
Toni i analizës ndryshon në varësi të temës së shqyrtuar. Ai është gjithnjë poshtërues kur flitet për shqiptarët, që në variantin më të mirë do të ishin të detyruar  t’i nënshtroheshin vullnetit qytetërues serb. Ndërron regjistri kur u afrohet të mëdhenjve fatpërcaktues dhe nuk e ka për gjë të lutet, të përgjërohet për kërkesat serbe.
“Sërbia kërkon vetëm nji pjesë të vocërr të Shqipnís, nji copëz të vogël nga bregu i detit, prej Leshit e deri në Durrës.”
Po të mos realizohej kjo kërkesë, Adriatiku do të shndërrohej në liqen italian. Në zotrimin e grekëve dhe serbëve, garanton autori, një gjë e tillë nuk do të ndodhte. Toni  lutës e dëshpërues i autorit, arrin të buçasë e shkrepëtijë kërcënime kundër perandorisë Austro-Hungareze në rast se ajo ia delte të kufizonte dëshirat serbe:
Në qoftë se Austria ngul kâmbë qi vetëm me nji Shqipní autonome mund t'i sigurojë interesat e saj në këtê vênd, e në qoftë se, tue u mbështetun në fuqín e armëvet, edhe i a mbërrin këtij qëllimi, atëhere Sërbís do t'i pritej ç'do udhë për me dalë në det dhe sërbët do t'ishin të shtrënguem me qênë anmiq për vdekje t'Austrís”…
 Krahas të drejtës së pushtimit, për jetësimin e synimeve pushtuese serbe ai i referohet të drejtës “historike”, “etnografike”, madje dhe të drejtës “kulturore”, sipas së cilës shqiptarët duke qenë inferior duhej që dikush në jetën e tyre politike “t'i edukojë dhe po të jetë nevoja edhe t’i ndëshkojë… Pra, si popull mâ i kulturuem, na kemi mâ shumë të drejtë me sundue mbi shqiptarët e me u pri atyne.”
 
***
Kanë kaluar më se 100 vjet nga botimi i librit “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha” dhe ribotimi i tij bëhet në rrethana të reja. Kanë ndryshuar për mbarë rrethanat edhe me kohën kur ai u botua së pari në shqip në vitin 1928 nën përkthimin e patriotit Mustafa Kruja, për të cilin para do kohësh në vlerësim të figurës dhe veprës së tij u mbajt edhe një simpozium përkujtimor. Edhe shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë, falë qëndresës së tyre dhe mbështetjes që morën u mbijetuan shtrëngatave vrastare të shekullit XX.  Në Kosovë ata kanë ngritur shtetin e tyre të njohur nga 108 vende, midis të cilave dhe shtetet më të fuqishme dhe demokratike të botës. Ndërsa në Maqedoni pozita e tyre kulturore dhe politike është përmirësuar në krahasim me të kaluarën. Edhe një herë u provua se një popull me rrënjë të hershme si i yni, është vështirë të shfaroset nga dhuna.
Përtej 100 vjeçarit duket se nuk shtrihet më as etja e Vladan Gjorgjeviqit për t’i sunduar shqiptarët, sepse pas 100 vjetësh “edukim e ndëshkim” serb, sipas parashikimit të tij, ata do të emancipoheshin e aftësoheshin për të marrë fatin politik e kulturor në duart e veta.
Po a kanë ndryshuar marrëdhëniet me Serbinë, a kanë filluar të fryjnë tash erëra të reja?! Në vitin 1928 Mustafa Kruja, ashtu si shën Thomai, paraqitej mosbesues. Pavarësisht dëshirës dhe çarjes së akujve të komunikimit, bezdia e kësaj ndjesie nuk është larguar as sot e kësaj dite. Midis Serbisë dhe Shqipërisë janë fantazmat e së kaluarës, qindra mijë shpirtra të zhdukur pa nam e nishan për të cilët heshtet si në varre. Krimi i pandëshkuar serb tremb e largon të dy palët, si viktimën dhe xhelatin e djeshëm. Një ndjesë nga ana e Serbisë nuk do t’i ngjallte qindra mijra fëmijë e pleq të pushkatuar, nuk do t’i ringrinte fshatrat e qytetet e shkrumbuara, por mund të merrej si një gjest njohjeje, si një përshpirtje për të shpëtuar shëndetin e së ardhmes.
Duke lexuar librin e Vladanit do të kuptohen më mirë edhe tezat e tij të amplifikuara dhe të shpërndara shqip për gjatë gjithë shekullit. Së paku manisë për tu vjedhë heronj e virtyte shqiptarëve do t’i dalë autorësia e vërtetë. Edhe tezës se gjoja Europa trembet nga një Shqipëri myslimane, edhe urrejtjes për Vatikanin, paragjykimeve fobike për jezuitët dhe katolikët në përgjithësi gjithashtu do t’u dalë boja. Ky libër do të lexohet si një dëshmi historike e mentalitetit politik serb. Mos u habisni kur të hasni në mina të hedhura në vitin 1913 për të shpërthyer më vonë, kur t’i duhej pushtetit politik në Serbi. Qe një minë me shpërthim të vonuar:
“Shqiptarët që rrojnë përjashta kufîjvet të kësaj Shqipnie të vërtetë janë të shpërdamë nëpër Sërbí të vjetër (Kosovë- shën. im) e Maqedoní , si ishuj mbrênda ndër grumbuj sërbësh e bullgarësh, pa ndonji lidhje me vêndin e tyne. Në Shqipnín e poshtme ka në mes të shqiptarëvet 110.000 grekë dhe aq kuco-vllehë, e në Shqipní të veriut nja 6-10.000 sërbë të shfaqun e të mëshehun.”
Ky falsifikim i hershëm gjorgjeviqjan do t’i shërbente në vitin 1937 Vaso Çubrilloviqit që në elaboratin e tij “Shpërngulja e shqiptarëve” të planifikonte që “Peja, Gjakova, Podrimja, Gora, Podgora, Sharri, Istogu e Drenica në veri të maleve të Sharrit, pastaj Dibra e Epërme e të dy Pollogët në jug të këtyre maleve, si qarqe kufitare me Shqipërinë duhen boshatisur me çdo kusht”.
Libri “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha” do t’i shërbejë historianit, studentit dhe çdo lexuesi tjetër për të kuptuar më mirë ngjarjet dhe rrjedhat historike. Nëse do të ngrihet ndonjëherë një tribunal për gjykimin e krimeve, ky libër do të merret si dëshmi dhe provë krimi. Mbase do të ngjasë si me dënimin e genocidit turk ndaj armenëve. Një dënim i vonuar, por një ngushëllim për drejtësinë. Le t’i thartojnë turinjtë mohuesit e krimeve, ata që nuk kanë pranuar ende as holokaustin e hebrejve.
Duke besuar që çdo krim do të ndëshkohet qoftë dhe moralisht, atëherë mund të shpresohet se barku që polli Gjorgjeviqin dhe pasuesit e tij të këtë filluar të shterpëzohet. Pas kësaj Ballkani dhe Europa mund të bien në paqe.        

No comments: