Sunday 19 July 2015

Pasqyrat reflektive

Bardhyl Maliqi

PASQYRAT  REFLEKTIVE
                     Poemë,   shkruar për 60 vjetorin lindjes

është çdo ditëlindje një vështrim në pasqyrë,
një kthim në kohënjë përmallje, nostalgji,
një udhëtim, një refleksion apo një mot i ri?
Duket se brenda nesh ka një balancë
ku moshat, pesha të ndryshme kanë,
por ne s’e dimë çfarë ka më tepër rëndësi:
ai vargan vjetësh, që shkuan 
apo ai grusht vitesh që vijnë?

Tani lermëni ta kqyr veten në pasqyrë,
të mbyllem në guackën timelermëni të qetë,
më jepni mundësinë për reflektim,
ju edhe pa mua mund t’ia kaloni bukur,
në udhët me plepa, ku era fëshfërin;
në Plazhin e Pasqyrave apo në Kestrinë,
në kafenerat plot ekrane, 
ku kamarjeret venë e vijnë

Unë të katër stinët përherë i mbaj me vete,
si katër dashuritë e mia të mëdha,
pikturat e tyre të përhershme
lodrojnë mes lotësh në sytë e mi,
janë lotë gëzimi për dhuratat e tyre bujare,
për diellin, ku zgjat duart të ngrohem 
në mangallin e tij të artë, ku lodrojnë zjarre,
për pemët në rrugë, që s’harruan të çelin sërish,
të lidhin frutat, që aq shumë më pëlqejnë,
pavarësisht nga stina, nga madhësia apo shija,
ato janë mrekullitë e mëdha të universit,
kjo është arsyja pse janë të rrumbullakta, 
shpesh skuqen si muzgu, përndizen si agzholi,
herë zverdhen si hëna, si dielli flakërijnë,
aty në majë të degës, ku dora s’i arrin,
veç Safos dhe meje, si hymn për dashurinë....

Dhe në se ndodh, që sonte t’i mbyll sytë
bashkë me mua do të vdesin me qindra gjallesa,
bashkë me mua gjethet sërish do t’i kthehen tokës,
abetaren e evolucionit të nisin nga e para;
pra vdekja s’është harrim, por rruga për ringjallje,
udha e bukur e universit për në përjetësi,
ndaj kridhem nëpër ujra, si në dashuri...

Kridhem nëpër ujar të shplahem nga mëkatet,
nga papastërtitë e mjedist që ngado më rrethon;
nga pisllëku i politikës që na qarkon ngado,
por si t’i shpëlaj dot ndotjet, që nga ju mora,
më thoni , ku të kridhem e të shpëtoj, o Zot?

Shumë emra ndërkohë kam dashur t’i harroj, 
për shqmbull emra që kanë lirinë në emër, 
por robër janë në mendje, skllevër thellë në shpirt,
emra që agimin shembëllejnë, por si nata nxijnë,
emra që tregojnë drejtim, por timoni u ka humbur,
emra që flasin për fitim, por janë bjerje kohe,
emra që që kanë fatkeqësinë të mos jenë fatmirë,
emra si guacka boshe e të pavlerë,
që më vrasin këmbët kur ngarend në hapsirë.

Çjanë këto guacka emrash që më detyrojnë
të vesh këpucë gome e të shkel mbi to si përmbi harrim?
Por mua më dhemb në shpirt kur çahen e kërcasin
dhe më bëjnë që shpesh të dialogoj me veten,
pse duhet që brenda vetes të ligun ta modeloj,
mua që më dhmbset edhe një zog në pyll!?
Pse ishte e nevojshme gjithë kjo mëri,
pse na duhej, vallë, gjithë ky zezim?!

Tani në të gjashtëdhjetat shpesh kërkoj qetësi,
U
nuk e shikoj zogun fshehur në gëmushë,
por cicërima e tij e ëmbël më mjafon.
Jo më kot dikur në të gjashtëdhjetat,
njerëzit i lironin nga ca rropatje kohe,
i respektonin si etër, i nxirrnin në pension.
Tani duan që t’iu shkoj me bastun në punë
të tallen me kapelen time në institucion,
me këmishën e hekurosur me siklet,
me një komçë të hapur a të mbërthyer keq?

Ndajnë mbremje më duket se jam arë e pluguar
dhe brenda meje po mbijnë farat e reja
dhe unë i gëzohem harlisjes së gjelbër,
s’jam në gjumë, por në vete zgjuar,
as në ëndërr s’jam; por thjesht i përmalluar.
Nuk e di prej nga më vjen angushtia,
mbase ngaqë mbesa, që unë dua shumë
nuk i lexon dot shqip vjershat e mia;
mbase se detyrat s’ i kam pa përfunduar.
Është koha kur muzgu e vesh perëndimin
me rreze kuqaloshe si rrjeta merimange
dhe zë rob zemrën e një burri,
që shpirti ja do të bëhet dhe një herë
fëmijë, adoleshent, aty në Vasilikua,
në Konispol, në një fillim vere
dhe krojet e Lumbardhës t’i pij të tërë,
jo si Muji me pika gjinjtë e një zane,
të shihnit ç’kreshnik do të isha bërë,
të çuditej bota me një mijë bajraqe!

Viset e mia qaj tani në perëndim 
të moshës kur burri më vete bën ca llogari,
më thuaj ti, ç’të bëj të zë kohën e humbur,
ç’të bëj për ty, nënë Çamëri?!
Nga do që shkova, në vise e vende,
në të gjitha vjershat a poemat e mia,
ka ca fjalë si gurë xhevahiri,
janë emra lumenjsh, kodrash, malesh,
fshatrash e gjiresh që ka Paramithia,
Filati, Koska, Arta e gjithë Ambrakia!

Ato kanë mbirë kudo, nuk i mbolla unë,
isha veç toka ku u rritën, rrezja e diellit isha,
uji në korije, në pyjet me pisha,
kfshihen kumbritë, këndojnë kanarina,
ku turtulleshave në gëmusha u griset këmisha
dhe unë rend pas tyre sikur i ri të isha...

Ndërsa të rinjtë e sotëm kanë të tjera përparësi,
për shembull, ju vjen keq se s’kanë shumë para, 
të bredhin me makina, në lokale të shtrenjta,
ku me abc-në e hip-hopit sot shijohet jeta, 
aty ku përrallat ju duken të vërteta.
Ndaj nuk më besojnë se libri i madh i jetës
lexohet me punë dhe çelës i artë, e vërteta 
që çel portat e gëzimit është vetëm dija,
dija dhe vullneti - binjake që universin
hapin, e bëjnë të rrotullohen planetet
ku koha dhe lëvizja të rendin në hapsirë
me shpejtësi më tej, më tej se drita...

No comments: