Saturday, 29 November 2008

DY ESSE NGA RUSTEM GECI

Antologjia poetike, „Poetë të mëdhenj europianë“ dhe“Tre mjeshtër“

ARTI, ÇELËSI I SHPIRTIT NJERËZOR
( Me dhëmbjet e mia të mëdhaja, unë bëj këngë të vogëla … )
H. Hajne
Libri „ poetë të mëdhenj europianë“ përgatitur,përzgjedhur dhe përkthyer për mrekulli nga piktori dhe shkrimtari Islam Spahiu, është një vepër më shumë, që i bën nder letërsisë sonë. Me këtë rast lexuesi ynë ka mundësi të njihet me peisazhin e bukur të poezisë europiane.Në këtë përzgjedhje të 18 autorëve të mëdhenj të letërsisë europiane dhe botërore,si Gëte, Hajne,Leopardi,Bodleri,Hygo e Verlen, shkrimtari dhe përkthyesi,Islam Spahiu,bën që të flas shqip, „Përshëndetja e luleve“ e Gëtes, „Mbrëmja „ e Ungaretit, „Kroi i gjakut“ i Bodlerit, “Hëna“ e Leopardit,dhe „ Pelikani „ i Desnos.Antologjia, „Poetë të mëdhenj europinë“,ka një brendi të pasur poetike. /Me dhëmbjet e mia të mëdhaja/unë bëj këngë të vogla/ këngë me flatra/ janë vetëm disa nga vargjet e gjeniut Hajne, që prezentohen denjësisht në këtë antologji .Ardhja në shqip e Gëtes nga Islam Spahiu me „Pëshëndetjen e luleve“ është vërtet një përshendetje për atë që e ndien poezinë,mesazhin dhe të magjishmen e saj. Intelegjenca e poezisë është e pathyer, ajo nuk thërmohet e copëtohet nëpër forma kot e pa domethënie.E bukura në poezi pushton. Në përkthimin e eseve tëCvajgut “Tre Mjeshtër“, Balzak,Dikens, dhe Dostojevski, Islam Spahiu, me një gjuhë të pasur, dhe me një shqipe të rrjedhshme, si të regëtimave të zemrës, lexuesin e bën ,që libri „Tre Mjeshtër“,të lexohet me pasion.Jeta e Islam Spahiut është një roman në vete.Shpirtin poetik të Islamit e mbërthejnë trazira të forta.Stuhitë që i ranë në shpirt artistit, bën që Islami ta njoh burgun,divorcin,grushtin e ashpër të shtetit.Kam vuajtur shumë rrëfen Islami.Komunizmi i Enverit ishte tamam ferr.Ai më burgosi sikur unë të isha armiku.Pushteti i tij me kërbaç nuk lejonte të njiheshe me botën.Në betejat e mia me brushë tregon Islami, edhe ngjyrat qanin, trazoheshin,kërkonin mbështetjen time.Diktatura nuk falte asnjeri.Ngjyrat qanin që t´i përfaqësoja,po ku! Humnera ishte e paanë,dhe unë isha i rethuar me“vigjilent“ të sigurimit. Për të mbijetuar atë rrethim vrasës, përktheva Gëten, Verlenin, dhe motive me diej e gjysmë-diej. Cili më plagosi më shumë në atë rrethim, unë nuk kam një përgjigje të saktë, po burgu ishte I pafund. Jeta nën diktaturë ishte e rëndë. Fjalët tona ishin të vogla, sepse, duhej një shpërthim i madh, ndryshe ata nuk dorëzoheshin.Unë njoha burgun, kur njoha poetët e mëdhenj, sepse, diktatura përpiqej ta mbyllte qiellin, ëndrrën, botën që na rrethonte.
Rrustem Geci – Dortmund




Ese letrar për librin e Shaban Cakollit, „Krisma e fjalës“

KRISMA E FJALËS󟩼

( Një krismë në këngë, është fjala, gjaku i të rënëve, dhimbja e së bukurës, jetët e mia në kryengritje! )
Libri më i ri i Shaban Cakollit, „Krisma e fjalës“ është një prurje e re në komunitetin letrar në diasporë. Shpirti i trazuar i poetit lexuar përmes vargjeve të tij na e afron një shpërthim poetik të kohës sonë. Në këtë vetësi shpërthimesh, Cakolli guximshëm hyn thëllimave të turbullta të jetës , për të kap të thellën, të gjerën, të largëten. Udha e ylbereve shkruan Cakolli përherë më ka pëlqyer. Nga ajo udhë nuk kam të shkëputur. Përplasjet e jetës për poetët jo rrallë e godasin, e gërvishtin, dhe shenjëzojnë. Burra, shkruan Cakolli, / Nata është shumë poshtë / për ta ndjerë diellin / për të bërë më shumë/. Asnjë dehje s´më ndihmon. Të gjitha dehjet i kam braktisur. Më kot futem në pijetore, dhimbja nuk më del, nuk më ik as zemërimi. Këto dhe vargje të tjera të Cakollit tregojnë se kemi të bëjmë me një poet të mirëfilltë.Shaban Cakolli u lind më 22 korrik 1958 në Krilevë të Dardanës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen dhe studimet në Prishtinë. Në jetën e ashpër me Kosovë, përballja me armikun ishte e domosdoshme. Çdo fjalë e imja në shqip në veshin e fqiut serb ishte një krismë pushke . Cakolli deri më tash ka botuar 4 libra; 1) Tokë dardane, 2) Deti i qiellit, 3) Loti i atdheut, 4) Krisma e fjalës. Peisazhi poetik i Cakollit është i gjerë dhe i thellë. Është e çuditshme por e vërtetë. Nën krisma fjalësh nisi poemën time ,sa herë të kam në varg o Kosovë, vargje të pathëna prej shpirtit ngrihen . Dallendyshe, shko tek kopshti im, dhe këputë një mollë, dy mollë,.. tri mollë…dhe na i sjell në tryezë t´i hamë , se janë të kopshtit tim. Pamjet e fiksuara poetik, togfjalshi I pasur, metonimia dhe ylberet e tjera të semantikës, përshkojnë në tërësi librin. Jo vetëm në këtë vepër, por edhe në librat e tjerë Cakolli ka një linjë të pandërprerë të penjëve të gjakut, që poezisë së tij i japin jetë. Veprimtaria poetike dhe politike e Shabanit është e gjerë. Përveç pasionit të poezisë, Cakolli shquhet edhe për aktivitetin e tij nëpër forume në internet, në shpërndarjen e krijimeve të autorëve të ndryshëm nga të gjitha trevat shqiptare. Trazirat në mua thotë Cakolli janë të perëndishme. I gjithë ky gjelbërimi ynë rrënjët i ka në kozmosin e shpirtit , në mendjen tonë të pafjetur. Andaj, dora është pjesë e këtij krijimi që bënë vetëm detyrën. Të krijosh nuk është lehtë. Poezia për Cakollin është vasha e ëndrrave, ku sa më shumë njihesh, aq më shumë dashurohesh.Kujtoj se botimi I “Krismës” I liron vendin një libri që memzi prêt të botohet. Sukses autorit!..

Rrustem Geci - Dortmund

Tuesday, 25 November 2008

Fabula një aspekt i krijimtarisë shqiptare


Fatmir Terziu

Hyrje

Qindra fabula u kompozuan në Indinë e lashtë gjatë mijëvjeçarit të parë para Krishtit, më shumë si tregime me korniza treguese. Por ajo që tashmë është zbuluar është ajo që Ben E. Perry ka zbuluar se shumica e këtyre fabulave kanë patur ndikim të hapur nga fabulat greke dhe ato që krijoheshin në lindje. Fabulat më famoze kanë ardhur nga Lindja e Mesme ku më e njohura është ajo që njihet në dy mënyra si “Njëmijë e një netët” apo “Netët Arabe”. Fabula ka patur një traditë të gjatë lëvrimi në Mesjetë dhe në atë kohë u bë edhe pjesë e Letërsisë Evropiane. Gjatë shekullit të 17-të, fabulisti francez Jean de La Fontaine e pa shpirtin e fabulës në moral, një ligj i sjedhjes. Duke vazhduar më pas me krijimtarinë e Ezopit, që përbën një skenë të plotë të jetës së tij, fabula arriti edhe më lart. Dhe kështu stili i La Fontenit u puth lehtë nga polaku Ignacy Krasicki dhe rusi Ivan Krylov. Duke ardhur tek fabulistët e kohës moderne Leo Tolstoy, Nico Maniquis, Ambrose Bierce, Sholem Aleichem, George Ade, Fables in Slang, Władysław Reymont, Franz Kafka, Italo Kalvino etj.
Në kohët moderne, fabula është shndërruar edhe në libra fëmijësh. Pra ajo është plotësisht e adoptuar në një letërsi moderne. Për shembull, James Thurber, përdori stilin e hershëm në librat e tij. George Orwell satirizoi sistemin stalinist në veçanti tek “Ferma e Kafshëve” dhe në përgjithësi totalitarizmin duke sjellë fabulën e kafshëve.

Historia e fabulës shqiptare dhe lëvrimi sot

Duke iu kthyer historisë së fabulës shqiptare, natyrshëm kemi parasysh edhe ndikimin e hershëm në të nga fabulistët më me emër të kohërave. Ajo që bie ndesh është një arsye kohore e privuar nga fabula e lëvruar në Perëndim. Por gjithësesi ajo ka hapësirë të nevojshme për tu komentuar në këtë pikë, që kërkon një studim më të gjerë. Por, në fakt duket paksa e largët ajo kohë kur në letërsinë tonë lëvrohej ngeshëm edhe fabula. Fabula që vinte e krijuar ose e përshtatur nga Naimi, Çajupi, Ndre Mjeda etj, fabula që në traditën e të cilëve u zhvillua nga Nonda Bulka, Spiro Çomora e ndonjë tjetër. Por ndikimi i fabulistëve shqiptarë vinte edhe nga fabulistë të shquar në letërsinë botërore si Ezopi, Fedra, La Fonteni, Krasiçki, Krylov, Bierce etj. Dhe fabula, ajo vjershë e shkurtër epiko-lirike (më rradhë edhe përrallë e shkruar në prozë), me karakter alegorik e satirik tashmë duket disi e rradhë në krahasim me lëvrimin e poezisë në përgjithësi. Ajo shpesh kur lëvrohet nga disa autorë në Shqipëri, ose kur mori një zhvillim nën siglën e disa fabulistëve të pas viteve 90-të, u duk sikur mori tërësisht një pushtet politik, pra u kthye në një lloj arme në shërbim të politikës. Mjeshtëria e Dritëro Agollit në këtë pikë është një fushë më vete. Ai është një fabulist tipik në fjalën e tij dhe shumë orrigjinal në ndërtimin e fabulës. I tillë si në poezi, i tillë edhe në gjuhën e fabulës. Agolli ka një stil të veçantë dhe është padyshim pena që godet më fortë në këtë zhanër. Mjafton të sjellësh nëpër mend “Dijetari dhe gomari” të kuptosh qartë forcën e fabulës së tij.
Përshembull tek krijimtaria e Ferit Lamaj ajo duket shumë e qartë në këtë pikë. Ferit Lamaj tek “Ariu dhe Dhelpra” fikson këto kafshë, ariun, dhelprën, kërriçin, gomarin, ariun për të realizuar qëllimin e tij goditës poltik të sistemit të drejtësisë, një sistem që në tëresinë e fabulës së autorit është një dilemë mosbesuese. Të njëjtën gjë mund ta shohim edhe tek krijimtaria e mirëfilltë e aktorit elbasanas Astrit Çerma, që ka lëvruar ngeshëm në këtë fushë. Astrit Çerma, aktori dhe regjisori i mirënjohur shqiptar ka sjellë shpeshherë modele tërheqëse dhe shumë shpotitëse. Fabula e tij “Gabimi i qukapikut” është një model. Fabula kanë krijuar edhe emra të tjerë si Miço Kallamata, Pëllumb Kulla, Odhise Grillo, Pandeli Koçi, Astrit Bishqemi, Skënder Rusi, Muharem Xhaxho, Themi Bello, Selman Biza, Adelina Mamaqi, Ferhat Çakërri, Niko Tita, Beatriçe Balliçi, Agim Bajrami, Miltiadh Davidhi, Ilir Borodani, Jorgo S. Telo, Jani Duri, Ejup Cerraja, Luan Myftiu etj. Por në fakt një mjeshtëri të rradhë në këtë fushë ka treguar fabulisti i mirënjohur shqiptar Ferit Lamaj. Ja se si shkruan Jorgo S. Telo për fabulat e Ferit LAMAJ: “Prej vitesh kam lexuar në vijueshmëri botimet e këtij autori të mirënjohur veçanërisht në gjininë e fabulës. Së pari kam konstatuar dhe vijoj ta kem këtë mendim se fabulisti famoz është bërë pikë referimi e frymëzimi për të tjerë fabulistë tepelenas, duke nisur me Izet Çulin, Kastriot Hadërin e me radhë... Është kuptimplotë fakti i kësaj pëlqese e pikërisht stili i zhdërvjelltë e kumbues i vargut, larushia e temave, që rrjedhin nga njohja e realitetit shqiptar dhe e shpirtit njerëzor gjer në honestrat më të padukshme... Gjithashtu në nivelin e lartë artistik e tematikën e pasur të krejt fabulave te Feritit ndikon thellësia e fantazisë dhe njohja e mirë e artit të fjalës. Padyshim ndikon (sipas mendimit tim) përvoja shumëvjeçare e angazhimit të tij në shtypin e dikurshëm e bashkëkohës deri te entet botuese...”
Ferit Lamaj është njëkohësisht edhe i adhuruari i Pëllumb Velos. Ai vetë është një fabulist i spikatur. Velo ka folur për herë të parë për krijimtarinë e tij kohët e fundit. Në një intervistë dhënë publicistit dhe poetit, Gëzim Llojdia, fabulisti Pëllumb Velo shprehet qartë se “fabula është pjesa ime shpirtërore”. Më tej ai duke iu përgjigjur Llojdisë shton edhe faktin e ngjizjes së tij me fabulën: “Frymëzimin ma dha nëna ime. Së bashku me qumështin e gjirit ajo më mëkoi edhe muzën. Edhe pse pa shkolle, ajo krijonte shumë vjersha të bukura,të cilat unë‘ i recitoja me pasion.Kam adhu­ruar si prozën dhe poezinë, por në veçanti poezinë satirike. Krijimi i parë i parë është i vitit 1962,fa­bula “Dhia dhe keci’”, shkas u bë shpyllëzimi në ato vite. Në vitin 1964 shkrova (gjithmonë me vargje të kursyera) fabulën “Shkurta dhe qukapiku”, ku kritiko­het hipokrizia. Në vitin 1965 shkrova “Kërriçi dhe gici”, ku i padituri thotë vetëm gafa etj. Muze kjo që s’m’u nda kurrë.
Duke e ngacmuar më pas Llojdia zbulon edhe faktin që fibula ka ndikim shpotitës, po aq edhe ndëshkues të politikës, pra ajo në gjuhën e fabulistit ka ndëshkuar një sistem poltik me fjalën e zgjedhur: “Falë kujtesës sime. Pasi i shkruaja, fabulat, që unë i quaja vjersha satirike, i mësoja përmendësh dhe letrat i hidhja në zjarr. Babai im, që tek romani “Rrethi i kuq” përfaqësohet nga personazhi kryesor, nga i cili trashëgoj satirën,me kontrollonte çdo shkrim dhe, duke më puthur,me inkurajonte për të va­zhduar në rrugën e nisur, por gjithmonë nën kujdesin e tij. Njëra nga fabulat te binte ne duart e Siguri­mit të Shtetit dhe pasojat diheshin. Im atë, që kish­te kulturë perëndimore( ai fliste e shkruante italisht i njihte mjaft mire bëmat.”

"Personazhet" më të ndjeshëm

Por, personazhet e fabulës, të cilët janë kafshë ose shpendë, të cilëve u vishen tipare të njerëzve, tashmë janë më të ndjeshëm në krijimtarinë e saj. Një lëvrim të tillë e gjejmë edhe tek Bardhyl Mezini, një fabulist me zë në këtë fushë. Bardhyl Mezini është autor i vëllimit “Kohë dhelpërish”, botuar nga “FotjonArt”, Tiranë, 2008 dhe i redaktuar e korrektuar nga Roland Musta dhe Nexhip Ejupi, idenë e ballinës e ka realizuar Elton Shyti dhe arti grafik dhe realizimi i kopertinës nga Orsin Thanasi. Mezini ka në botim një vëllim tjetër me fabula dhe një sërë fabulash të tjera në dorëshkrim. Në vëllimmin e tij “Kohë dhelpërish” ai ka përzgjedhur jo më kot këtë kuotë të rëndësishme të Fedrit: “…Çdo njeri-përfaqëson një kafshë dhe çdo kafshë një njeri…”, gjë e cila mund të thuhet se është edhe një postulat udhërrëfyes i tërë enigmës së tij shprehëse në fabul.
E parë nga afër fabula e Mezinit është një krijimtari e rëndësishme e letërsisë shqiptare. Ajo përbëhet në tërë lëvrimin e tij nga dy pjesë: rrëfimi për një ngjarje të caktuar, dhe morali që del në fund prej saj. Në këtë analizë ne do të shohim pikërisht anën më tipike të fabulës së Mezinit, duke sjellë në sytë e lexuesit kuptimin e saj ndryshe. Së pari do të shënojmë aspektin fabulistik dhe ndikimin e tij dhe së dyti do të analizojmë në detaj ndërtimin e saj.

Krijimtaria e fabulistit Mezini

meziniNë vëllimin e Mezinit “Kohë dhelpërish” janë 120 fabula që flasin në formën klasike të fabulës. Ata sjedhin për lexuesin formën që i bën të jenë më jetëgjatat në lëminë e vet, ashtu si edhe vetë krijimtaria e tillë është më e mbijetuara në literaturën folklorike. Është kjo formë e letërsisë që sipas shkencëtarëve të cilët besojnë se ato kanë ekzistuar më shumë në formën e gojëdhënave se sa në formën e shkruar. Në ktë pikë krijimtaria e Mezinit forcon jetëgjatësinë e saj, duke marë shkas jetik nga të dy anët e lartcituara. Ajo është e lexueshme dhe e lehtë për tu mbajtur mend dhe transmetuar lehtësisht. Këto fabula mund të thuhet që në fillim janë një pasuri e mirëfilltë letrare dhe ata pasojnë traditën e lëvruar më parë në këtë fushë. Fabula si “Kohë Dhelpërish”, “Macja dhe Korbi”, “Peshku dhe Rosa”, “Profecia e Gomarit”, “Breshka Trimëreshë”, “Alo, Alo”, “Ministri i ri” etj janë fabula që mbahen në mend gjatë pasi lexohen. Kështu është edhe me krijimtarinë e tij të re. fabulat “Kryqëzim”, “Konkursi i bukurisë”, “Viçi në kular”, “Etika”, “Çmimi i jetës”, “Cjapi kasap”, “Modernizëm”, “Çudia”, “Tjetrsim” etj janë një arsye më shumë në ndalesën e kësaj analize.
libri-meziniTek fabula “Kali në lëmë”, Mezini sjedh një proverbialitet sa mesazhdhënës aq edhe edukativ. Ai kapërcen të zakonshmen me intuitë dhe sjedh forcën e fjalës për të argumentuar se fjalët janë një kotësi kur nuk ekziston ndihma e plotë dhe e sinqertë: “I tha kali:-O veshgjatë/Shiko rrugën, më lër rehat./Fjalët e bukura janë kot,/Gjersa s’më ndihmon dot.” Tek “Gomari me shalë” autori pasqyron bukur në pjesën e parë të fabulës me një përshkrim tipik e tërheqës të situatës së gomarit me shalë dhe në pjesën e dytë forcon kuptimin e fabulës duke sqaruar “S’mund të mbaj gomari shalë…”, pra gomari nuk mund të luaj rolin e kalit në asnjë rast. “Peticion” është disi ndryshe. Në këtë fabulë forca e autorit zbulon se në një shoqëri ka vlerë kryesorja dhe personalja, ose vetvetja është një përfundim si ai që autori shpreh: “Jo moj jo, ne pa atë,/Do shuhemi, një nga një.” Duke ndërtuar fabulën “Riqna” autori sjedh idenë e një lloj paraziti që fiksohet në pjesët e buta të lëkurës së kafshëve, kryesisht nën bisht dhe thith gjakun për të formuar vlerën e kuptimin e mesazhit që përcjedh tek lexuesi.

Duke përfunduar

Pra, shihet qartë se fabula e Mezinit është një vazhdim tradite dhe një lëvrim në aspektin e mit-krijimit letrar që shkon në nivelet e arta të saj në kuptimin e mirëfilltë, deri në në atë masë ku kuptimi i saj qëmton në taban të shëndoshë. Në fakt, fabula e Mezinit është një pjesë e kulturës bashkëkohore që e rendit atë në stadin e pëlqyeshëm të fushës së saj, jo vetëm për ne si një mit jetik por edhe si një krijim letrar. Po ku qëndron sekreti i kësaj mi-jetike? Ai është një analizë më vete dhe kështu do të duhet që të plotësohet në një përkushtim më të detajuar. Ajo që u tha në veçanti për disa fabula të Mezinit është arsyeja kryesore. Por unë do të theksoja se një stad i tillë i pëlqyeshëm kërkon më shumë përkushtim ideor dhe një larmi më jetëdhënëse në situatimin e simboleve. Më tej është fjala e lexuesit të thjeshtë që duhet të thotë fjalën e tij në heshtje, se rruga duket e mbarë.


Monday, 24 November 2008

Poezia e dhimbshme e Bllaces

Sherif Bllaca u lind më 30/ I /1942 në fshatin Bllacë të komunës së Therandës (ishë Suhareka). Rrjedh nga një familje patriotike, sepse është i biri i Hasanit djalit të patriotit Ramë Bllaca. Shkollën fillore e filloi në Bllacë, në një shtëpi shkollë, kurse e vazhdoi në fshatin Dulë, ku edhe kreu. Për mësuese kishte Neire Saraqi nga Prizreni në fillim, dhe pastaj kishte motrën e vet Shemsije Bllaca tani e ndjerë. Shemsija ishte tejet e kënaqur me suksesin e të vëllait. Pasi që i lirohet babai i Sherifit nga burgu i Mitrovicës s’Sremitnë vitet e pesëdhjeta, prapë nga presioni i madh i U.D.B-ës, të cilëncnë atë kohë e udhëhiqte ultranacionalisti dhe gjakpirësi më i madh i shqiptarëve Aleksandër Rankoviqi, e tërë familja atëherë detyrohen të shpërngulen në Maqedoni në qytetin e Shkupit, ku Sherifi i vogël u detyrua t’i vazhdoj mësimet në gjuhën Maqedone, edhe pse nuk e njihte gjuhën e këtyre sllavëve të jugut, ai kori sukses, duke kryer shkollën e mesme dhe zejen e këpucarit. Duke mos u shkëputur nga puna ai e kreu edhe shkollën për kualifikim të lartë në tregëti. Pas disa viteve që i kaloi në Shkup kthehet përsëri në Kosovë në qytetin e Pejës, ku edhe martohet. Sherifi u punësua në tregëti në një shitore të këpucëve dhe punoi dymbëdhjetë vite dhe më vonë kaloi në shitoren “Peko” pronë e shtetit Slloven e hapur në Pejë. Pas grevës së sindikatave të Kosovës në vitet nëndëdhjetë u dënua më gjobën prej 20 ditë burg të cilën e paguajti me të holla gjashtë milionë të asaj kohe.
Pasi bëri vepër penale duke mos e përfillë urdhnin e regjimit të atëhershëm të Serbisë, Sherifi u pushua nga puna, pastaj punoi vullnetarisht në shoqatën “Nëna Terezë” për tju ndihmuar të varfërve që krijonte regjimi famëkeq i Milloshëviqit. Në mungesë të kryetarit të shoqatës “Riatëdhesimi” dega në Pejë ushtronte detyrën e Kryetarit në mungesë. Nga presionet e mëdha dhe nga dhuna permanente e Serbisë që bënte në këtë familje që ishte në shënjestër për veprimtarinë e tyre në të mirë të popullit të vet dhe nuk ishte pajtuar kurrë me robërimin e popullit shqiptar të Kosovës, Sherifi bashkë me familjen e ngushtë të tij detyrohet që të marë rrugën e mërgimit, rrugën e pikëllimit, rrugën e lotëve, rrugë e brengave të pa shlyeshme, rrugën e mendimit, mallit për Kosovën martire, për të cilën ra martir gjyshi i tijë Ramë Bllaca. Sherifi shkoi në Londër. Në ketë qytet jeton prej vitit 1998 dhe mori pjesë në demostratat për lirinë e Kosovës nga kthetrat e piratit Millosheviq.
Nga malli për Kosovën dhe njerëzit e saj u frymëzua të shkruaj këto vargje që burojnë nga zemra nga përjetime të tij të dhimbshme, vargje që janë prototip i të gjithë mërgimtarëve, të cilët rrugët e perëndimit i lajnë me lot, vargje me të cilat po del para lexuesve shqiptarë për t’ua bërë të njohura vuajtjet.

Disa poezi nga vellimi i tij ne botim...


Bukurija tradhtare

Hyra në kopsht me lule
bukurinë t’ua shikoj
të bukurën e zgjodha
por zemra më qortoi.

Bukurnë që e kanë!
ajo gjithnjë t’mashtronë
të thotë ty të dua
tjetrin dashuron.

Zemrës i thashë e dua
ajo prapë më qortoi
me ty ajo do të vijë
tjetrin do të dashurojë.

N’kopshte me bukuroshe
nuk do të shkojë fare
bukurija e tyre
qenka tradhëtare.


98



Pleqërija në mërgim

Ditë pa diel dhe plot errësirë
por si syri i verbuar.

Zemër vuajtur i pa shpresë
për të ardhmen i vetmuar.

Tinguj shumë të çakorduar
veshët e shurdhuar për të dëgjuar.

Trupi i lodhur për të lëvizur
duart të gjymta për t’u kapur.

Pleqëri ti qofshë e mallkuar
Në mërgim s’më duhet për t’jetuar.




90


Pakujdesia

T’mjera shqiponjat n’shkëmbë pa ujë
e mjerë rrita në vend të huaj

Kur rriten fëmijët jashtë atdheut
pa ditur fare për Skenderbeun.

T’bukura rriten foshnjat shqiptare
për atdhe ato s’mësojnë fare.

Kur shtrëngojnë lapsin me gisht
nuk shkruajnë shqip por Anglisht.

Ç’është e keqja në mërgim
po shkojnë drejtë në asimilim.

Fatkeqësi për mërgimtarë
kush s’delë t’keqen më me ndalë.

91


Foshnja

Kur qan foshnja n’shtëpi të vet
zëri i sajë është i lehtë.

Zëri foshnjës n’shtëpi të huajë
është si lumi i thatë pa ujë.

N’shtëpi të vet foshnja kur qan
është e dashur për gjithmonë.

Foshnjën e vetë atdheu e don
zëri i vogëlushëve gëzimin e shton.

Më mirë të qajë foshnja n’atdhe t’vet
se t’buzëqeshet në gurbet.

Letërsia shqiptare është e aftë sot që të konkuroj kudo




Shkruan nga Franca; Aleko Likaj


Kur me mikun tim Vasil Qesari, mbritëm në ambjentet e jashtëme të bibliotekës së Begles, lagje periferike në jug lindje të Bordosë, për të marrë pjesë në takimin me shkrimtarët shqiptarë, mbrëmja dukej se nuk e fshihte tisin e errët që posa kishte hedhur në atë çast. Njerëzit në atë obor dukeshin tashmë fluid , si një masë që zor se i a dalloje portretin, edhe pse mund që ti kishe vetëm tre a katër metro pranë. Në një makinë që na parakaloi, sapo në kaluam portën hyrëse në ambjentet e parkut të brendshëm të institucionit, dhe që qëndroi vetëm pak metro pranë nesh, dallova që nga dyert e posa hapura të saj të zbrisnin menjëherë, pesë figura njerëzish. Vasili që po manovronte ende në timon për të parkuar diku , më tha se, « kemi mbritur në kohë. Më duket se edhe ata sapo erdhën»
Njeriun e parë që dallova në atë mugëtire ishte Fatos Kongoli. Me një pallto të zezë, të shkurtër e me një kapele beretë që e mbante në dorë, të cilës i dallohej rrumbullaksia deri tek unë, që ende nuk e kisha mbyllur derën e opelit të Vasilit, shkrimtari dukej se, ende nuk kishte vendosur që të lëvizte për t’i u bashkuar shokëve të tij, që kishin lëvizur dy a tre hapa larg mjetit që i solli
I thirra në emër, dhe ai në çast u kthye nga ne. Zgjati koken përparta, sikur kërkonte të shquante më mirë në atë gjysëm errësirë, e nxorri dorën e majtë për ta vënë si strehë mbi vetulla në ballë.
- Eshtë e pabesueshme –i thashë që andej ku isha, me të cilin më ndante një tis mbrëmje nëntori, pothuajse e padukshme. – Por , ja që edhe mund të takohemi mbi tre mijë kilometra larg Atdheut tonë të shtrejtë.
- C’farë suprize, Aleko-o-o
U gjendëm në krahët e njeri tjetrit, gjithë mall
- Eshtë miku im shqiptar. Gazetar dhe shkrimtar, që po e takoj krejt rrastësisht pas shumë vitesh këtu, në Francën tuaj.
- Quelle suprise – tha gruaja që e shoqëronte nga Parisi, dhe që ishte një përfasuese e «Les Belles Entragierées»
Pasi kishte përfunduar ai takim prekës e mbresëlënës, dhe lexuesit e shumtë që kishin marrë pjesë aty, ishin larguar tashmë, gjeta rastin që të bëj këtë bisedë posaçërisht për lexuesin e «Albania e-mail» dhe miqtë e mij krijues me të cilët komunikoj në internet.


Fatos, edhe pse duket si suprizë takimi ynë në këtë jug-perëndim të Francës, pas 7 vitesh që nga biseda jonë e fundit midis miqsh të hershëm në Tiranë, ky aktivitet i "Les Belles Etrangierées», është një befasi e këndëshme", në Bordo, në mes të lexuesit francez që të do dhe të rrespekton shumë. A kishte më shumë emocion se sa e ke menduar ndonjëhërë?


Vërtete Aleko që ndjehem i emocionuar. Franca me lexuesin e saj të mrekullueshëm është disi e veçantë. Do të thoja, ndoshta e vetme, në një farë mënyrë në llojin e vet. Eshtë bërë e behet një letërsi e madhe në këto troje, dhe s'ka se si te mos spjegohet, që ky vënd ka nxjerrë kolose në fushën e mendimit estetik por edhe në atë të letrave. Nuk mund që të mos kuptohet një letërsi pa Hygoin, Balzakun Duman, Floberin, Mopasanin, Zhyl Vernin, Zolanë, Mopasanin, Anatol Franc, Kamy e deri më të vonët, pa i hequr asnjë presje edhe shkrimtareve konteporanë. Nuk është rastësi që nobeli i letërsisë se sivjetshëm preku sërrish Francën. Me këtë do të thoja, se, letërsia e madhe bëhet atje ku ka lexues po të këtyre dimensioneve. Eshtë një popull që lexon në çdo kohë, në çdo vënd, ku të jenë. Ka një traditë të mrekullueshme. Unë kam kohë tashmë që jam i pranishëm përpara këtij lexuesi të mrekullueshëm me romanet e mija. Gjithmonë kur vij në Francë e ndjej këtë fakt, dhe e përjetoj si një detyrim të madh përpara tij.
Ndërsa takimi me ju, ka qenë një nga momentet më të veçantë të këtij udhëtimi në tokën franceze. Kjo për faktin se më ka dhënë një sadisfaksion duke patur përpara një mik, me të cilin kemi një njohje të vjetër, që nga fillimi i viteve 70 të. Kujtoj metalurgjikun dhe atë kohë kur kalonim mes kantjeresh që hidhnin shtat, pastaj kam qenë edhe botuesi yt, kur shkruaje për fëmijë. Apo jo i dashur Aleko? Kemi kohë që nuk jemi parë, sepse nuk kam patur asnjë informacion për ju, që mund të të gjëja këtu. Qënkeni mirë.Kjo mjafton. Paska edhe shqiptarë të tjerë. Ndjehem i lumtur.


Ne 20 vjetorin e "Les Belles Entragierées" ; janë zgjedhur edhe dy shkrimtarë shqiptarë për tu pronovuar në këtë përvjetor, krahas 44 autorëve nga 18 vënde të tjera, ndërkohë që gjatë kësaj peridhe në Francë ; janë botuar rreth 600 krijues nga e gjithë bota, shifra këto, qx janë publikuar në një botim special me këtë rast. Do ta konsideronit privilegj këtë përzgjedhje?


Eshtë privilegj padyshim, që unë me poetin Agron Tufa vijmë e pronovojmë letersinë shqiptarë, por edhe krijimet tona në këtë eveniment, që gjithësesi konsiderohet jubilar. "Les Belles Entagierées" ka mundur që të nxjerrë përpara lexuesit francez mbi 14 autorë shqiptare si Dritëroi, Vath Koreshi, Besnik Mustafai, Neshat Tozaj, Mimoza Ahmeti, Preç Zoga, Ilir Bezhani e të tjerë, të cilët e kanë përfaqsuar denjësisht letërsinë shqiptare në këtë vënd.. E rëndësishme është se, Franca ka mundur që të bëjë zbulimin në këtë rast, dhe e ka përcjellë tek lexuesi i saj. Me sa dij, autorët tanë janë pritur mirë. Këtu nuk egziston sindromi se, një vënd i vogël si Shqipëria, nuk mund që të ketë e të bëjë letërsi.


A mund që ta konsiderojmë se Kadareja e la portën hapur për të tjerët, kur u bë i njohur në fillim me "Gjeneralin e ushtrisë së vdekur", e pastaj me veprat e tjera të cilat e çanë terrin komunist?


Natyrisht që ka qenë një dritare, ku francezët zgjatën kokën, për të parë se ç'kishte përtej mureve të ftohta të saj. Bënë zbulimin.Këto vite realisht, letërsia jonë është ballafaquar. Unë do ta konsideroja të sukseshme, sepse ajo ka qenë përballë letërsive të vëndeve të tjera, si atë të Ballkanit, dhe më gjërë. Pa asnjë dyshim më të vogël, do të pohoja se, ka qenë dinjitoze në shumë konkurse apo në pronovime , qoftë edhe si ky i kësaj mbrëmje. Ju e patë se sa interes kishin poezitë e Agron Tufës ku u deklamuan, dhe se si i priti lexuesi francez që ishte i pranishëm në sallë. I shijoi dhe i duartrokiti.Kjo të gëzon, se para së gjithash vlerësohet letërsia e arti i vëndit tënd. Letërsia shqiptare është sot e aftë që të konkuroj kudo.


Fatos, thuhet se në këtë periudhë në Shqipëri nuk lexohet, edhe pse ka një lloj "bumi" botimesh që mund të konsiderohet rekord. Ka shumë tituj që dalin nga shtëpitë botuese, për t ‘mos folur pastaj për nivelin, pasi , kush ka para boton diçka. Në qoftëse do ta quaja artistikisht "xhungël", a mund që të themi se letërsia e vërtetë ka mbetur në një grusht autorësh, apo rreth, si mund ta quajmë?


Unë mendoj ndryshe këtu. Ky nuk është fenomeni shqiptar. Në një shoqëri të hapur ka edhe shumë botime, pavarsisht nga cilësia që ti e paske shqetësim. Diferencat i bën vetë lexuesi. Kështu ndodh përherë e kudo. Ja bie fjala, këto kohët e fundit kanë ardhur në tregun e librit edhe autorë të rrinj, në se do ti quaja kështu, si Bushi e ndonjë tjetër, që pëlqehen. Natyrisht që do të vinë të tjerë. Francezi, thotë; "c'est la vie"


Për tu shkëputur nga kjo atmosfere e letërsisë sonë, të cilen ti ke ardhur për ta promovuar së bashku me veprën tënde, le të kthehemi sërrish tek Franca. Konkretisht tek aktiviteti që u solli këtu në Francë.


Po , së bashku me mikun tim poet Agron Tufa, kemi qenë të ftuar në disa aktivitete të planifikuara në jubeleun e "Les Belles Entragierées" E filluam më Parisin dhe në dy qytete të tjera në periferi, si dhe në një burg, ku na thanë se lexohej shumë. Zbritëm në vëndin e baskëve, Bajonë, qytet shumë i bukur përballë oqeanit Atlantik. Sonte ishim këtu, dhe nesër na duhet që të udhëtojmë me tren për në veri të Francës. Jemi pritur mirë, dhe e kuptoj se letërsia jonë njihet. Ky nuk është konstatimi i parë që bëj në këtë vënd. Jemi vënë përballë interesimit të vazhdueshëm të lexuesit francez . Eshtë një aktivitet dy javor ditët e të cilit po mbarojnë, dhe do të na duhet që të kthehemi shpej në Tiranë, ku pritet që të çelë portën panairi i librit.


Kur mbrita para 7 vitesh këtu në këtë qytet, menjëherë më dërguan në një formacion gjuhe, pasi unë nuk e njihja gjuhën frënge më parë, dhe për çudi, mësuesi im i parë i kësaj gjuhe, Franku,një tridhjetepasëvjeçar, më tha në gjysëm frëngjisht dhe gjysëm shqip, se u njihte ju,. njihte veprën tuaj të botuar këtu në France.U lexonte. Unë u ndjeva mirë kur të përmëndi ty, jo vetëm pse në njiheshim e ishim miq prej shumë kohësh, por se ai si lexue,s njihte dhe lexonte letërsinë e vëndit tim. Romanin tuaj, "Lëkura e qenit " që ma sollën nga Shqipëria ja fala Frankut, të cilin ai po e shijon edhe shqip, pas variantit frëngjisht që e ka gjetur në librari, sepse ai ka mundur që të mësoj edhe gjuhën tonë, për shkak se ka qenë mesues i gjithë shqiptarëve ,për disa vite me rradhë, këtu në Bordo.


Kjo më kënaq tani, por edhe verifikon konstatimin tim që përmënda pak më parë. Faleminderit.


Kritika shqiptare sot, krijimtarinë e Kongolit e ka futur tashmë në elitën e letrave shqipe, si një nga shkrimtarët e sotëm jo vetëm më produktivë, ndër më të suksesshmit brenda dhe jashtë vendit, por njëherazi, më përfaqësuesi i periudhës së tranzicionit, duke i konsideruar romanet tuaja, si romane "që kanë përjetuar iteres të pazakontë në rradhët e lexuesve. Madje, ajo ka gjetur jehonë në disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha europiane si Le Monde, Le Figaro, La Stampa, Le Temps, Le Soir, L'Express, Magazine Littéraire, Der Tagesspiegel, etj. Jeni tri herë fitues i çmimit vjetor për librin më të mirë në prozë dhënë nga Ministria e Kulturës (1995, 2000, 2002), si dhe i çmimit Velia (2000). Fitues i çmimit ndërkombëtar "Balkanika"-2002. Jeni fitues, gjithashtu, i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri "Penda e Artë" (2004). Shoqata e Botuesve Shqiptarë u ka vlerësuar me çmimin "Shkrimtari i vitit" për 2006-ën, ndërsa romani "Lëkura e qenit", përkthyer në gjermanisht, u shpall libri i muajit qershor 2006 në Gjermani.A ndjeheni mire nga e gjithe kjo biografi letrare dhe vleresime që është për tu pasur zili nga autorë të tjerë shqiptarë?


Ju falenderoj edhe një herë që po mi përmëndni gjithë këto.Nuk më vjen mirë që të flas për veten time. Mund që të kalojmë më tej.

Fatos, vlerësoj modestinë tënde, cilat janë veprat që ka në dorë lexuesi Francez?

Do të veçoja romanet, "I humburi", "Kufoma", "Dragoi i fildishte"," Endëra e Damokleut", "Lëkura e qenit", "Jetë në kuti shkrepse" dhe "Tirana blu" që sapo e promovova edhe këtu,. përkthyer nga Edmond Tupia. Në Francë fillova që të botohem pas vitit 90 të, ndërsa kisha shkruar dhe botuar disa romane, novela dhe tregime në Shqipëri, që nga fillimi i viteve 70 të. Në atë kohë kur jemi njohur bashkë, Leko, atje në metalurgji.

Paske nostalgji për metalurgjikun.

Jo. Po kjo lidhet me një periudhë të vështirë të jetës sime, të cilën e kam përjetuar atje. Ti e di mirë, kur me dënuan babain...

Mbase kapërceva pak, le të kthehemi atje ku e lamë bisedën përgjysem. Pra, tek botimet tuaja këtu në Francë. Në ç'vënde te tjera kanë gjetur përkthime ato?.

Pas Francës, kanë qenë Italia, Zvicëra, Greqia, Gjermania, Polonia, Sllovakia, Bullgaria e Serbia.

Për lexuesin shqiptar të Londres e Britaninë e Madhe, të gazetës " Albania e-mail", kush është Fatos Kongoli?

Kam lindur në Elbasan. Kam studiuar për matematikë, pjesërisht në Pekin, pjesërisht në Tiranë, ku jam diplomuar në vitin 1967. Kam punuar për një kohë të gjatë si gazetar letrar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese "Naim Frashëri".Tani në pension. Krijoj.


Në se nuk është sekret, cili është krijimi juaj i fundit që ende nuk e ka parë dhe pret dritën e botimi,t apo është në procesin e tavolinës?


Mund që ta bëj publik; At'here, një roman që merr një temë nga periudha e tranformimit dhe tranzicionit, të cilin paraprakisht e kam quajtur, "Enigma e madhe". Eshtë një titull provizor që edhe mund të ndryshohet. Ky roman shpresoj se mund që të vejë tek lexuesi brenda vitit 2009.


Dhe së fundi, për emigrantët që do të lexojnë në këtë bisedë miqësore, në gazetën që të përmenda pak më sipër, por edhe në listat internetike, ku ka edhe krijues që i mungojnë Shqipërisë, të paktën fizikisht.


Dua që ti përshëndes dhe ti uroj përzëmërsisht që të gjithë; jetë të lumtur, dhe paçin sa më shumë fat në përballjen me një realitet krejt të ri, që është plot sakrifica dhe privacione të panumërta.


Faleminderit


Sunday, 23 November 2008

Disa nga analizat dhe kritikat letrare të Fatmir Terziut në vite

1. Regëtimat e një shqirti poetik: Shënime për vëllimin poetik "Ringjallja" të Manol Bashës / Fatmir Terziu
2. Në kufirin që ndan tehu jetën më dysh :Rreth romanit të ri të Dhimitër Xhuvanit: "Kryqëzimi i dytë i Krishtit" / Fatmir Terziu
3. Qyteti "përmblidhet" në një enciklopedi: [Për botimin e veprës: "Elbasani -Enciklopedi"] / Fatmir Terziu
4. Kadare rizbulon të fshehtat :Shënime për librin e ri të Kadaresë "Dialog me Alain Bosquet", botuar nga shtëpia Botuese "Onufri" / Fatmir Terziu
5. Përtej mureve të vetmisë :Mbi poezinë e Flutura Açkës në vëllimin e dytë "Mure vetmie" / Fatmir Terziu
6. Ibrahim Kodra në Elbasan :Së shpejti çmimi "Kodra" për piktorët / Fatmir Terziu
7. Rikthim prej territ dhe asgjësë: Mbi ditarin e Drita Çomos: "Dritë që vjen nga humnera" / Fatmir Terziu
8. Ndocaj: Mesazhi më i mirë i urtësisë / Fatmir Terziu
9. Enigma e madhështisë :Për librin "Lasgushi në Pogradec", nga Meri Lalaj / Fatmir Terziu
10. Retorika nën melodinë e harpës :Vëllimi "Harpa" i Beatriçe Balliçit / Fatmir Terziu
11. Në Bolonjë, mes aparencës konfuze, tipike për fundshekullin XX / Fatmir Terziu
12. Një fjalë për poezinë në Ditën e Luleve: Festa e luleve, gëzim dhe shpresë... / Fatmir Terziu


Disa nga analizat dhe kritikat letrare të Fatmir Terziut në vite që ndodhen në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe mund të shihen online në katalogun e saj të arkivës.

Poezi ku elementët e saj janë shkrirë në mënyrë harmonike



(Mbi krijimtarinë poetike të Ndue Lazrit)

Fatmir Terziu

Poezia vazhdon të mbetet gjinia kryesore e letërsisë. Kjo shihet në faktin e lëvrimit të saj. Shpeshherë kjo varet nga cilësia dhe ndeshet në rrokadën e saj me sasinë. Në këtë mes Ndue Lazri ka ditur të fiksojë midis sasisë dhe cilësisë në krijimtarinë e tij. Gazetar i hershëm i viteve 70-të, një penë me një bagazh njohurish, filozofik në mendime, i qartë dhe komunikues në dhënien e mendimit dhe komentit të tij. Në poezi më racioanal, më poetik. E thënë me plot gojën, Lazri është një poet tipik. Përse e themi këtë? Le të shohim me rradhë e në detaj këtë veçori të tij. Poezia “Apokalips” me thjeshtësinë e fjalës së saj ka prurë vlerat e mëdha për të sfiduar rrjedhën historike e të ndryshimit të shijes letrare që nga koha kur ajo mbetet prezente si e tillë në historinë e krijimtarisë së tij. Sot poezi të tilla lexohen me lehtësi dhe quhen të arrira. Lazri gjen fjalën e duhur, gatuan kuptimin e saj filozofik, dhe trajton me një kursim prodhimtar atë që mijëra fjalë s’do ta bënin dot. Ai e quan këtë fillimshekulli të trazuar ‘e gërvisht botën si me thikë”, duke dhënë kështu një hapësirë të gjerë e të madhe, duke e kthyer dhe shndërruar atë në një poet tipik të fjalës së zgjedhur. Në këtë fjalëmesazhierë tipike janë edhe poezi të tjera të Lazrit, por poezitë e tij “Bregu dhe vala”, “Pritje”, “Dehje”, “Kolovajza”, “20 vjeçe”, “Të duash ty”, “Prehje”, “Mall”, “Në krahët e erosit”, “Në Luvër”, “Pranverë vieneze”, “Piramida”, “Kur ti je larg”, “Rastësi”, “Smeraldet”, “Lutje” etj janë të lidhura ngushtë me të veçantën e mbrusur hershëm prej tij në mendjen e tij të kthjellët e të pasur në mendime. Në këto poezi vishen elemente lirike, pra kemi një përzierje të llojeve tradicionale dhe moderne ku në mes është e fuqishme fabula.
Poezia e Lazrit ka marë nga tradicionalja mënyrën fabulative të krijimit (paraqitjen dhe lidhjen e ngjarjeve mes tyre) por të trajtuar me nota lirike, siç është poezia “Kolovajza” ose poezia “Smeraldet”. Në këto poezi elementët e saj janë shkrirë në mënyrë harmonike, kështu që ato mund të përfshihen lirshëm në kategorinë e poezive bashkëkokohore.

Poezi e plotësuar

Kur analizojmë poezinë “Apokalips”, natyrshëm shohim gjithë modulet e saj poetike. Në tërë kompozimin e saj kjo poezi është e plotësuar. Lexohet në mënyrë origjinale tek vargjet: “Ky fillim shekulli i trazuar/e gërvisht botën si me thikë,/dikush tulatet i frikësuar/dikush mbi qiejt mbjell panik./Por ja, me shfaqesh ti papritur,/dy buzë të njoma si elips,/edhe pse dukesh kaq e mitur/botës i sjell apokalips.”, pra tek dy vargjet e para dhe tek vazhdimi i saj ka një ndjesi harmonike të ndjeshme: “Globi humbet drejtpeshimin,/paralelet bëhen meridianë,/në hartë s'e gjej më orientimin,/asgjëkund tokë, veç oqeanë./Ti më afrohesh si kometë,/përmes hutimit tim kozmik,/me duart e vogla i largon retë/dhe diellin sjell me atë zë lirik:/-Jam çupkë e rritur, s'më shikon?/të vogël s'do më quash një ditë,/thjeshtë, si një fllad që ledhaton/për ty kam zbritur nga yllësitë./I çmendur je për çmendurira,/mua çmenduria me tundon,/le të fluturojmë nëpër hapësira,/ecë, vëri duart mbi timon.../...Që të na fshehë nga botë e marrë/i kërkoj diellit një eklips/dhe etjen shuaj në atë nektar/të buzëve të tua si elips.” Autori lexohet në këtë poezi origjinal dhe mund të quhet një autor mjeshtër i përdorimit të rimës së kryqëzuar, ku me të njëjtën rimë janë vargu i parë dhe i tretë, dhe më tej i dyti me të katërtin në çdo strofë të poezisë së Lazrit. Skema AB-AB e përdorur nga Lazri nuk është thjesht një tradicionalizëm i lëvruar prej tij, as edhe një mishërim ndikues nga krijimtaria paraardhëse, por një intuitë dhe logjikë poetike, që vjen në stilin e duhur, në veçorinë e saj. Duke lexuar Lazrin në këtë poezi natyrshëm gjej edhe pikëlidhjen me krijimtarinë e tij. Ai është sa i traditës, aq edhe i bashkëkohores. Poezia e tij është një modë me mjaft poezi të M. Emineskut, por edhe me krijimtarinë e vlerësuar të D. Agollit, S. Hamitit etj. E themi këtë se poezia e tij nuk është një ngjashmëri rimore, as edhe në sitën e fjalëve të përdorura, por edhe një krijimtari me sistem silabik (rrokjesor) që ka në përbërjen e saj vargje me numër të barabartë rrokjesh dhe theksash ritmikë. Në këtë mënyrë kjo poezi dhe mjaft krijime të tjera të Lazrit janë një veçori më vete për tu lexuar këndshëm. Krijimet e tjera të Lazrit mbartin larmi rrokjesh në vargun e tyre. Më i spikaturi është lëvrimi i vargut nëntërrokësh prej këtij autori, gjë të cilën e ndeshim tek Noli, Kadare, Poradeci dhe mjaft krijues të sotëm që lëvrojnë poezinë. Por nëse autori do të kishte më shumë kujdes në rrjedhën e ndërtimit të vargut, kjo poezi nuk do të ndihej disi e paplotë në vargun e saj të fundit, ku qënia e tij tetërrokësh (dikush mbi qiejt mbjell panik.) duket paksa problematike.


Tek dy poezitë e Lazrit, “Pritje” dhe “Dehje” bien në sy vargjet e matura duke mbetur në një mesudhë poetike midis vargjeve të bardha dhe atyre me rimë. Tek pritje poeti ka një ndikim më të theksuar nga gazetaria e tij e hershme dhe ideja e këtyre poezive është pikërisht e përafërt me profesionin e hershëm të poetit, por jo e palëvruar në stilin e duhur. Si e tillë ajo ka çuditërisht një aspekt tjetër tërheqës. Në këtë aspekt tjetër, poezia e Lazrit është shumë e fuqishme në mesazhdhënien e saj. Po të lexosh poezinë “Pritje” natyrshëm ndjehet qartë edhe mesazhi: “Tik-taku i ores/pret kadencën e hapave te tu/te zbresin zhurmshëm neper shkalle,/ndërsa tik-taku i zemrës/me thotë qe ti s'do bëhesh e gjallë./Dhjete, njëzet, tridhjetë.../minutat përtace/zvarriten e s'e besojnë kokëfortësinë/tek shohin kalkolatriçen e ftohtë/të verë serish në provë dashurinë./Tej dritares ti zbavitesh/tek lot rrezikshëm me veten dhe me mua./Unë makinën nis e them: "Te vejë ku të vejë"/i bindur qe s'e humbet luftën/ai qe ka humbur thjeshtë një beteje...”. Po kështu edhe tek poezia “Dehje”: “Une e ti/balleperballe ulur ne tavoline/dy gota alkooli/dhe cigarja jote thyejne monotonine./Rrathet e tymit/penetrojne lehte neper floket e tu,/ndersa avujt e alkolit/t'i mjegullojne syte e bukur blu./Une te veshtroj/e goten e çukas here pas here me ty,/format e tua/me format e gotes me nderthuren ne sy./Gjinjte e bardhe,/si dy kupa shampanje godasin trurin tim,/e zeri yt/me gurgullon thelle si nje gote me xhin./Une dehem/tek goten e perplas me tenden perseri,/s'me deh alkoli,/ajo qe ma mjegullon trurin sigurisht je ti.”

Licencë për mjekër?!



Fatmir Terziu

Tani flasim për modë, për mustaqe, madje edhe për mjekëra. Mjekëra të ndryshme, të gjata të shkurtra, të lyera të ngjyera! Mjekra edhe si të Leninit, … mjekra si të Marksit. Bukur mjekra. Sikur këto mjekra të ishin në Shqipërinë e viteve 1944-1990, dihet se si do të kishin përfunduar. Do të ishin …, shkulur, më kujtohet të ketë thënë dikush në Parlamentin shqiptar, duke bërë debat-inat me një ish – lider partie me mjekër. Pra për punë njekre. Kur ne normalisht pastrojmë fytyrën me brisk, një lloj mode tenton të nakthjë në vitin 1894, një vit që në gjuhën e ‘mjekrave’ ka mbetur një lloj e shkuare që lidhet me atë që quhet “clean-shaving mania”.
Vërtet shumë komentatorë kanë kohë që kanë përfaqësuar këtë të shkuar të quajtur “clean-shaving mania”. Jo vetëm në pamje, por edhe në një lloj mode tjetër që vjen nga media. Po ti referohemi një gazete lokale britanike dhe pikërisht “The West Cumberland Times” gjejmë se në atë vit, pra në vitin 1894 një kuotim i shkruar gjendet në arkivën e saj ku thuhet: “Fytyra të zhubravitura – dhe sat ë till ana rrethojnë ne! – e bën prezencën tonë në mesin e tyre të njëjtë dhe më shumë të vështirë, kjo pamje sfumon moshat, shpërfill të qënit njeri”.
“Mbajtja e një mjekre të parruar është një lloj prerogativiteti të seksit mashkullor dhe e bën kësisoj cdo mashkull që të jetë krenar, por kur kjo mjekër vjen si një mjekër për arsye të tjera të cilat i fokuson media, mashkulli s’ka arsye të mbetet vetëm një mashkull me mjekër të paruar…”, shkruan kjo gazetë.
Prapa në vitin 1894 këto sentimente kanë skarcuar dhe krijuar shumë komente. Mjafton të skanojmë disa grupe fotografish të asaj periudhe dhe shihet qartë cfarë gjendet. Mjekra të ndryshme, forma të ndryshme dhe me madhësi të ndryshme. Dhe rradhë për ndonjë të ri që s’e ka atë, ndjeshëm mund të dallosh mustaqet, edhe këto në forma të tjera. Qenia i rruar në atë kohë, natyrshëm thuhet se ishte një normë e papëlqyer. Kolumnisti i atij viti në gazetë thotë: “Gratë admironin maskulinizmin dhe interferonin në pamjen e burrave të paruar. Kjo jepte forcë, dinjitet, karakter tek cdo fytyrë. Ajo pamje na mban ne burrave me dy ‘rr’, dhe na jep më shumë largim nga fytyrat si tepsi e lyer me vaj, nën krem. Ajo pamje nën mjekër jep variacione mode dhe kulture”.
Mjekrat variojnë. Në Britaninë e Madhe Sir Wilfrid Lawson, në vitet e tij të fundit të jetës id ha mjekrës së tij një pamje të një testamenti profetik, ashtu sic bënë Darvini dhe Karl Marksi. Ashtu sic bënë më parë edhe shumë fetarë, shumica jokonformistë. Arsyetimi i tyre është edhe teologjik edhe praktik. Disa kanë perifrazuar Tertulianin, një mendimtar kristian i hershë, që mbajti mjekrën e tij të gjatë dhe tha: “mjekra është një ngjizje me fytyrën”.
Ata gjithashtu kanë deklaruar se shumë predikues kanë vuajtur nga bronshiti (bronchial disorders) sepse ishin pa mjekër dhe kur ata janë me të rastet për tu sëmurë me problemet e fytit janë të pakta. Kjo ndoshta është një pikë ku shumë kërkues duhet të referohen.
Unë nuk jam një njeri me mjekër dhe nuk mendoj të kem një të tillë ndonjëherë.
Por ajo që kam lexuar dhe njoh është se të qënit i pastër ishte një e dëshiruar e viteve të shekullit të njëzetë. Gjatë 1926-tës ishte një lëvizje e disa Aspatrianëve që u krijuan në Ëar Memorial Garden, por më vonë ata u ndaluan me ligj nga veprimtaria e tyre. Dhe kështu shumë pak mbetën me modën e mjekrave…
Po sot si është puna e mjekrave? A janë ata një e favorizuar? Si ndodh kjo? A dini ndonjë politikan apo të përafërt me mjekër? E rëndësishme është se ka pak të tillë, edhe ata që ishin me një të tillë, apo ende janë, duket se janë jashtë modës…, më mirë jashtë kohës. Jo se ata kanë frikë nga ajo që ndodhi në Rusinë e vitit 1698 kur Pjetri i Mad hi Rusisë vuri taksë për mjekërmbajtjen. Atëherë s’kishte shpëtim. Atëherë ishte e pamundur të hyje në qytete pa u qethur nga taksambledhësit. Nëse ju kishit mjekër, ju duhet të paguanit për mbajtjen e saj, dhe duhej të kishit licencë për mjekër, dhe kjo të paktën për një vit. Licencë për mjekër?!

Saturday, 22 November 2008

JETE PA DINJITET ? ! ? ! ? !

Suzana Kuqi



Që e vogël, e në vazhdim duke u rritur, si gjithë njerëzit kam patur frikë vdekjen.Normale. Duke njohur këtë sëmundje, mendoj se vdekja është kapak floriri,përpara një jete pa dinjitet .
A është vallë vërtet pa dinjitet dhe a kam të drejtë unë të gjykoj jetën e njeritu në çfarëdo forme që të marrë ajo, apo jemi menduar t'a shohim e t'a gjykojme sipas atyre që ne u themi mendime , sipas atyre që dëgjojmë me veshë , që shohim me sy e komunikojmë vetëm me fjalë ... derisa pa filluar të ulet ende ajo perde e skenës së jetës së përditëshme , ku jetojmë e luftojmë me të gjitha shqisat që kemi, fillon e ngrihet dinakërisht një tjetër e na fut në një tjetër fushë betejë të luftës për ekzistencë . Mirëserdhët në botën e :



Alzheimer ( Alzajmer)



Ishte një skenë, nga ato provizoret , në të cilën trupat endacake të romëve, ngrenë nganjëherë nëpër fshatra. Por në atë skenë nuk luanin aktorë , ishin kukulla. Eliza u afrua e shtyrë nga kurreshtja për të parë më mirë . Përse po luanin aty, nuk kishte as edhe një spektator , vetëm fushë me bar të djegur që shtrihej deri sa të hante syri e bashkohej me qiellin.Eshtë sikur të ndodhesh në shkretëtirë ... ndoshta bari në ate të verdhë rëre ... nuk kam qënë asnjëherë në shkretëtirë, mendoi . Kish dëgjuar një herë njerin, kush ishte ai që kish dëgjuar ? Lëre fare , mendoi, kohët e fundit e kish gjithnjë të vështirë të kujtonte emra, por kish një fytyrë të mirë e simpatike ai djalë . Vërtet, kjo i kujtohej edhe se nuk mund të sillte qartë ndër mend tiparet e tij. Kish thënë se nuk ka gjë më impresionuese se sa kur ndodhesh vetëm në shkretëtirë... shkretëtira dhe qielli në atë qetësi e vetmi , në mund të quhet kështu ajo që nuk të thotë që je vetëm për vetëm me veten ... je vetëm për vetëm me Zotin dhe me destinin. Por aty ishte ajo skenë me ato kukulla lëvizëse që i dukeshin shumë familjare. Eliza u afrua edhe më . Nuk po u besonte syve, ishte ajo me gjithë familjen e saj, kushërinj të afërt e të larget , miq e kolegë pune. Një hap përpara, e kukullat kolege e miq u zhdukën, një tjetër e kushërinjtë sa hap mbyll sytë nuk i pa më.Kish mbetur vetëm familja e saj.E ngrirë , nuk po vendoste të hidhte më as edhe një hap. E pushtoi një parandjenjë e keqe. Fundja kukulla janë , mendoi ,dhe tërhoqi zvarrë hapin... Në skenë mbeti vetëm kukulla Elizë që shikonte përreth me sy të çakërritur e të tmerruar. I erdhi keq për të, edhe një hap...
- Mos!- ju duk sikur dëgjoi një zë të brishtë, një klithmë e dobët që ju ngrit nga shpirti . Shputa e këmbës mbeti pezull në ajër në pritje se ku do të vendosej , përpara apo të kthehej mbrapsht.
-Vazhdo !- tingulli ishte një bubullimë .Eshtë Zoti apo destini, mendoi ajo ndërsa vendosi të bënte përpara.Befas ,shkretëtira dhe qielli u zhduk, një shkulm ere e rrëmbeu dhe me tmerr pa se po gllabërohej nga goja e kukullës . Perdet e skenës filluan të ulen ngadalë. Nuk ishin prej pëlhure, ishte një masë gri e rrudhur si lënda e trurit . Shihte e pafuqishme se si neuronet vinin duke u tharë e duke u ndarë prej njeri tjetrit nga një lëndë e shpifur si kole ngjitëse derisa morën formën e perdeve të holla të zeza që erdhën duke u ngushtuar derisa e mbuluan të tërën duke i bllokuar gjymtyrët e duke i marrë frymën , pa përfillur përpjekjet e saj për t'u çliruar.Diku arriti të krijojë një të çarë të vogël, aq sa të mbështeste buzët e të mbushej me frymë...Tani e kishte më të lehtë të shpëtonte, vetëm të mbushej edhe një herë me frymë...
Brofi nga shtrati e vrapoi në banjë. Qëndroi përpara pasqyres duke parë me ankth fytyrën e saj. I kish kaluar të pesëdhjetat , por fytyra ishte ende e freskët dhe e bukur . Dhe unë që kisha frikë nga rrudhat , rënkoi duke u parë në pasqyrë. Jam e bukur si dielli, i kish thënë vetes me mijëra herë, mjaftonte kjo që sytë e saj të merrnin shkëlqim e këndet e buzëve të mos ishin të varura. E kush më mirë se dielli ..? Këtë ja kish mësuar ajo gruaja e moshuar ... nuk i kujtohej emri. E dua këtë fytyrë , më vonë nuk do t'a njoh më, nuk do t'i njoh as ato të fëmijëve . Sytë ju përlotën e dielli u zhduk në to, fundja ç'i duhej dielli aty jashtë kur brenda po ulej perdja e errësirës...Jam ende e re, pak muaj përpara kisha ende dëshirë të shijoja jetën , ndërsa tani nuk më bëhet të bëj asgjë... “Ajo tjetra ishte vetëm pesedhjetenjë vjeç në fillim te shekullit, kur në autopsi u gjet shkaku dhe ju vu emri kësaj sëmundje, paçka se për atë kohë ajo konsiderohej grua e vjetër”, zëri brenda vetes kishte tingull tallës.Eliza nuk ja zgjati atij zëri, në majë të gishtave hapi me rradhë dyert e dhomave të të bijve e i kundroi në dritën e hënës. Donte t'i skaliste në memorje , në mos në thellësi të shpirtit . Me hap zvarritës shkoi në dhomën e gjumit e u shtri përbri të shoqit . Fli, tha me vete, fli i qetë tani, nuk e di se ç'të pret o i shkretë,do ta mësosh së shpejti ...kur do të të duhet të ndjekësh një shpirt nate të shqetësuar... Nuk e zuri gjumi. Endrra ja kish bërë të qartë, destini i saj ishte të mbytej në atë degjenerim neuronesh . Mendoi dosjen e analizave, testeve, takut, asnjë nuk kish guxuar të hapte, do t'i hapte doktori nesër e do t'i jepte një përgjigje e ajo do të dinte ... Cfarë ? Ishte e sigurtë, e dinte se ç'e priste ashtu si ...
Liljana, emri i erdhi menjëherë e qëndroi pranë fytyrës së qeshur e të mirë të asaj gruaje, atë pasdite të largët me diell. Bënte praktikën në atë azil e kish dëshëruar të punonte aty. Mos vallë edhe destini kish qenë po aq dinak sa kjo sëmundje...? Që pas tri vjetësh e kish sjellë aty ku kish njohur Liljanën...
-Ti më sheh tani, më dëgjon tani që unë kam mundësi ende të arësyetoj, dukem pothuaj normale, vetëm harresa të vogla, shqetësime të vogla, frikëra të vogla që nuk mund t'i spjegoj...hutohem e humbas rrugën për në shtëpi kur dal vetëm...U mundova t'ua mbaj fshehur njerëzve të familjes”,- kish shpërthyer në të qeshura e Eliza kish vënë buzën në gaz. Shpejt Liljana ishte bërë serioze.
- Nuk po vjen akoma im bir, e unë dua të më vijë shpesh tani , tani...Edhe im shoq duhet të vijë më shpesh, më vonë nuk do të më bëjë dobi. E të mendosh se im bir është mjek e nuk kuptoi gjë. Sapo kisha dalë në pension, një jetë të tërë mësuese,- befas e kish kapur Elizën nga krahu.
-Më ço në shtëpi, të paguaj , sa të duash, hap gojën, vetëm më ço në shtëpi, t'a shoh edhe një herë !
- Kur të vijë yt bir, thuaji të të marrë me vete ,- ja kish prerë Eliza .
- Nuk do të më marrë, më ka mbyllur këtu, të gjithë më kanë braktisur, të gjithë duan të më vjedhin . Komshija përballë më përgjonte, priste që unë të dilja nga shtëpia dhe...edhe ti që nuk më ndahesh, ku e ke hallin ? Don të më vjedhësh , ke tërë pasditen që më rri ngjitur, ik ose do të iki unë,- gruaja ishte çuar e kish vrapuar drejt portës. E kish hapur me vrull , por sirena e alarmit kish shperthyer e fortë dhe e frikëshme dhe ajo ishte shtangur.
- Dil po t'a mbajti,- Eliza kish përfituar nga hutimi i gruas,- aty jashte do të të rrëmbejnë , atë presin.
Gruaja ishte tërhequr drejt karriges dhe Eliza e ndoqi me brerje të ndërgjegjes që e kish frikësuar ashtu.Por nuk kish patur mundësi tjetër t'a ndalonte . Në rrugë makinat kalonin si pikat e shiut.Gruaja , tashmë dukej e qetësuar e kish marrë pamjen më normale që mund të ketë njeriu.
- Më fal, nuk duhet t'a kisha bërë,- i tha qetë ajo,- mundohem t'a kontrolloj veten. E njoh sëmundjen time, e kam studjuar, nuk jam injorante. Fillimi është kështu , më pas ...- befas gruaja kish rendur e i ish hedhur në qafë një burri të ri e nuk i shqitej.
- Mama, qetësohu të lutem !- kish dëgjuar Eliza dhe e kish ndjere veten të lehtësuar, tashmë detyra e saj karshi asaj gruaje kish mbaruar, si edhe praktika, kish qenë dita e funditNuk kish pyetur nga ç'sëmundje vuante ajo gruaja simpatike e ndoshta nuk do ta merrte vesh kurrë ,ndoshta nuk do të shkelte më në atë azil...
Ulur, me dosjen e analizave që e shtërngonte pas krahërorit, priste rradhën e vizitës. Liljana nuk i ishte shqitur gjithë ditën nga mendimet. Nuk e kish njohur kur e kish parë pas tri vjetësh e kish filluar punë aty. Tek mundohej t'i vishte një triko një të moshuare me gjymtyrë të ngrira , kish ndjerë dhëmbët e saj që i mbylleshin me forcë e zemërim në parakrah . Eliza kish britur nga dhëmbja e hidhur e kafshimit ndërkohë që gruaja ishte qetësuar e po i buzëqeshte. E njihte atë buzëqeshje, e kish parë dikur ...
- Mos quhet Liljana ?- kish pyetur kolegen, këtu i thirrnin me mbiemër.
-Po – kish qenë përgjigja. Eliza ish kthyer dhe e kish thirrur në emër.E moshuara i kish kthyer një shikim pa shprehje, por ajo i njohu ata sy. Ja fali atë të kafshuar, papritur nuk ishte më monstër, ishte ajo grua e qeshur e plot jetë së cilës i kish bërë shoqëri një pasdite , e mbërthyer në kthetrat e sëmundjes... ishte marrëzia e pleqërisë, më e përhapura,më e pamëshirshme që quhej alzheimer (alzajmer). Liljana tashmë nuk fliste fare, shikonte të birin me sy indiferentë si një të panjohur, e vetëm kur ai e puthte në ballë , sytë i merrnin shkëlqim një çast . Një çast lumturie që shuhej shpejt, sa hap e mbyll sytë. Ajo shkëndijë mendimi i sapondezur që ja shkaktonte, endej në labirintin e neuroneve të djegura për të gjetur rrugë , e sa më shumë mundohej, aq më shumë ngatërrohej derisa shuhej plotësisht...
Dera e doktorit u hap e doli një pacient. Pacienti i rradhës hyri brenda dhe Eliza me zemër të dridhur numëroi personat që kish në rradhë para saj . Kur kish ardhur , dhoma e pritjes kish qenë pothuaj plot, tani kishin mbetur vetëm tre vetë . Momenti i përballjes me të vërtetën po afrohej e ajo ndjente zemrën t'i rrihte fuqishëm në krahëror.Sa e fortë do të ish zemra e saj ? Për herë të parë dëshëroi të kish zemër të dobët, që ta linte në mes të rrugës, të mos duronte se si do të torturoheshin burri dhe fëmijët nga sëmundja e saj. Kjo dreq sëmundje ishte mallëkim jo vetëm për atë që e kishte, ishte një mallëkim për tërë familjen. Ata nuk e dinin akoma, ajo nuk jua kish thënë dyshimin e saj,nuk u kish thënë se ndoshta... do të fillonte të bëhej e padurueshme, se do të jetonin me ankthin se asaj do t'i ndodhte ndonjë e keqe, se do të dilte në rruge e do të humbiste, se do të përfundonte poshtë rrotave të ndonjë makine, se do të hipte në autobus e nuk do të mbante mend se ku duhej të zbriste...Se mund të hapte gazin apo ujin e t'i harronte hapur, se do të ishte një rrezik ambulant, si një minë me sahat ...por me sahat të çakërdisur... derisa të vendosnin ta mbyllnin në ndonjë azil sepse do të kishte nevojë për asistencë në çdo moment të ditës e të natës, e do të vinin t'a shihnin duke u habitur gjithnjë e më shumë me veprimet e saj...Duke gjetur gjithnjë e më pak personin e dashur në të...
-Më shau, më goditi, më përzuri, – i kish të përlotur sytë gruaja e re që kish ardhur të takonte të ëmën.
- Mos ja vër re,- kish thënë një nga koleget e Elizës, - është semundja.
- Sëmundja !? Edhe kur isha fëmijë, nuk e kish zakon të më rrihte.Më fliste gjithnjë, tani flet kaq pak. Edhe ato që thotë nuk kanë lidhje.
Kolegja e Elizës vuri buzën në gaz për të maskuar gazin që e zuri pa dashur. Eliza ishte larguar, nuk mund ta shikonte në sy as kolegen dhe as të bijën e të sëmurës. T'a dinte ajo se ç'qyfyre kish këputur sot e ëma ...fjalë pa lidhje, pa kuptim...Por nuk mund të flitej për këto... as nuk do t'i besonin , e kush mund t'i besonte...
Dera u hap , doli një pacient dhe hyri tjetri. Eliza vuri dosjen mbi gjunjë, kish filluar t'i digjte krahërorin. Do të bënte mirë të dilte e të pinte një cigare ,por kish frikë se do t'i kalonte rradha e do të bëhej vonë për punë.Edhe duhanin do t'a linte. Befas i erdhi per te qeshur. Ish përpjekur disa herë. Më kot. Ja të bëj një llogari, mendoi, mund të rroj edhe tetë , ose dhjetë vjet me këtë sëmundje, ka tri faza... E para , qelizat e trurit fillojnë të vdesin nga pak, e ato që vdesin nuk rigjenerohen.Kontaktet e tyre... gjithashtu, fillon kështu në heshtje, fillon e harron nga pak , emrat, i ngatërron, nuk mendon dot në mënyrë të rrjedhshme , mendimet kalërojnë njëri tjetrin derisa fillojnë e bëhen mullar e nuk u gjen dot fillin e humbet fjalën... fillon e ndryshon karakter, personalitet... Kam filluar t'u përgjigjem keq atyre pleqve,jam bërë e keqe, unë që më quanin gëzimin e tyre...Nuk fle, edhe kur fle, veç ëndërra të këqia që më mbërthejnë prej fyti... Ah , një cigare tani, nuk ka të paguar. Po dal ta ndez nje ,mendoi ,edhe se ishte e ndërgjegjëshme se rradha do t'i ikte.Zbriti shkallët në mëdyshje, ishte dëshira për të tymosur, apo ajo dëshirë e mjegullt që t'a linte rradhën t'i ikte .C'rëndësi kish, rëndësi kish të pinte e qetë aty në trotuar atë cigare. Do t'a pinte derisa t'a harronte, edhe cigaren e harronte ajo sëmundje.Harronte t'a pinte një herë e nuk kujtohej më për të...
- Vajza, e di që nuk lejohet duhani, por kësaj mysafires së re do t'i jepni një pas buke ,– kish thënë doktoresha .
Duhanpirëset kishin dalë në kopësht me mysafiren e re e kishin ndezur një cigare bashkë me të. Ana Maria, një grua jo shumë e moshuar ,plot humor tek thithte cigaren e u tregonte barcaleta duke i bërë të gajaseshin. Ishte shumë simpatike ajo grua , edhe se kundërshtonte të ngrihej në mengjes, e kujt i pëlqen të të zgjojnë para orës shtatë ?Ja dhe një zhgënjim , ja dhe një fakt se si të mashtron jeta. Kur mendon se i ke mbaruar detyrimet e tua, ke rritur fëmijë, nipër e mbesa ,e mendon se do të kesh kohë të shplodhësh gjymtyrët e lodhura, të hedhin në një azil ku të çojnë nga shtrati pa shkuar ora shtatë .E... ai shtrat i ngrohtë që t'a ka bërë me sy gjithë jetën duke të joshur... Duhet të kesh nerva të forta në mëngjes, sikur vetëm në mëngjes... Ana Maria i quante buzëqeshjet e vajzave fallco , derisa u shkëpuste premtimin se do t'i ofronin një cigare . Pastaj një ditë harroi ta kërkonte , e pas kësaj të gjitha ditët e tjera. Një mbrëmje u kujtua por kur ja dhanë nuk dinte ç'të bënte me të,e rrotulloi nëpër duar derisa e shkërmoqi. E nuk kërkoi më.Kish harruar të kërkonte. Pas disa ditësh , në tryezën e bukës rrotullonte gotën e ujit.E shikonte me kërshëri si një send që e shihte për herë të parë e nuk dinte ç'të bënte me të. Eliza mendoi se kish etje dhe e ndihmoi duke shoqëruar dorën e saj për ta shpënë në buze e të pinte. Piu, pastaj e vendosi mbi tryezë dhe e harroi aty. Nuk e panë më të pinte vetë, ai send ishte aty, ajo nuk e dinte se pse, truri i saj nuk e njihte as atë dhe as funksionin që kryente. Sëmundja e kish katandisur të mos ishte më e zonja të ushqehej e të shuante etjen edhe kur kishte pjatën përpara e gotën e mbushur .Një tjetër për t'u ushqyer, për t'u tërhequr për dore , një tjetër që nuk dinte të bënte asgjë veç të zemërohej kur zgjohej nga gjumi e të buzëqeshte kur shikonte që i buzëqeshnin. Dhe... buzëqeshnin aq ëmbël , jo vetëm me buzë, në sytë e tyre ku mungonte mendimi ,kish bërë fole shpirti i etur për një xhest dashurie e mirësie të cilin dinte t'a kthente dhjetëfish...Ah, ky shpirt i shkretë...A mendon shpirti vallë ? Së shpejti do t'a marr vesh, mendoi Eliza duke hedhur bishtin e cigares përtokë, aq i bënte se ç'mendonin njerëzit që kalonin rrugës, më vonë as që do t'a kishte më këtë problem...
Siç e kish parashikuar, rradha i kishte kaluar. Mendoi t'ja mbathte por ndërkohë doktori doli për të kontrolluar se sa pacientë kishin mbetur . Sapo e pa , ju afrua.
- I mbarove të gjitha ?
- Po, janë të gjitha këtu .- Eliza i zgjati dosjen.
- I ke parë ?
- Jo, i solla t'i shihnit ju. Por unë nuk kam kohë tani. Po jua lë ... Më bëni një favor, shikojini e ... e dini , në kësi rastesh duhet që pacienti t'a dijë sëmundjen ... më telefononi...
- Do ta shoh pasdite kur të mos kem kaq shumë punë. Vetëm më premtoni se çfarëdo që të them ,nuk do të ndërmerrni asnjë veprim pa u këshilluar me mua
- Ju premtoj !- Eliza i ktheu krahët e iku .
Asnjë veprim ! Vallë i kishte lexuar në mendje ? Kish disa javë që nuk bënte veç se mblidhte ato pilulat e vogla për gjumë, duke ju ankuar infermiereve se nuk e zinte gjumi. Kish aty sa për të vënë në gjumë e për të mos u zgjuar një kalë .Nuk do të priste derisa t'i harronte si Antonieta . Kish dëgjuar se para se t'a binin në azil kishin gjetur në komonë e saj një arsenal të tërë ilaçesh të tilla që i kish grumbulluar dhe pastaj i kish harruar. Antonieta, ajo grua që dy muaj përpara se t'a binin aty, udhëtonte me makinë Genova Rimini . Edhe asaj ja kishin thënë sëmundjen, duhej të veprohej kështu, të paktën në fazën e parë, atëhere kur truri është në gjendje të krijojë mendimin ende . Duhet të planifikojë se ç'duhet të bëjë me atë pjesë kohe që do të jetë akoma i pavarur, duhet të sistemojë punët e veta. Antonieta , së cilës i kish vdekur i shoqi dhe i kish lënë goxha pasuri e para në bankë , ishte kujdesur t'i ndante e t'i vente në emër të bijve , kish nënshkruar edhe kërkesën për të ardhur në azil. Ishte optimiste, mbante një bllok ku kish shkruar numrat e telefonit të të afërmve e miqve dhe e përdorte edhe si ditar. Por nuk kish zgjatur shumë. Ndryshimi i menjëhershëm i ambjentit , shkëputja nga jeta që bënte sikur ja shpejtoi rëndesën e sëmundjes. Dhe një ditë të bukur kur e zgjuam në mengjes :
- Ku jam ?Përse ndodhem këtu ?E dinë fëmijët e mij ?
Pas disa ditësh në mëngjes :
- Përbindësha, më keni rrëmbyer e më mbani mbyllur?
E ato që mundoheshim t'i spjegonin . E qeshnin kur këmbëngulte t'i telefononte të shoqit. Vallë kështu do të qeshin edhe me mua ? Do të tallen si me Antonietën tek i thonim njëra tjetrës se po i telefononim parajsës ? O zot...Do të shoh fantazma, do të kem aluçinacione, si ajo që kërkon të ëmën e që këmbëngul se pak minuta më parë e kish lënë të ulur aty në qoshe të dhomës ?Apo kur ka frike se mos e vrasin se të gjithë komplotojnë kundër saj ? Apo kur ulërasin se dikush i sheh me sy të pamëshirshëm e don t'i vrasë ?Do të kem dhe unë ferrin në kokë ? Derisa ferri të më lerë rehat e do të harroj se kush jam, nuk do të kem më personalitet, dinjitet , kur nuk do të jem në gjendje të njoh e te di se ç'është një gotë e përse sherben ? Kur nuk do të jem në gjendje të bëj asgjë , as të shkoj në banjë ? Derisa truri mos të më komandojë duart e këmbët, do të gozhdohem në një karrocë apo shtrat derisa të më hapen plagë në të ndenjura, kurriz, shpatulla... Do të më ushqejnë me shiringë, do të më lajnë, pastrojnë, ndërrojnë e do të më shohin si një krijesë të varfër pa personalitet, që ka një emër se duhet t'a ketë një ,ashtu siç duhet të ketë një numër çdo rrobë që do të vesh ... Do të jem një karikaturë e keqe e vetes sime, një qenje njerëzore e zhveshur nga çdo gjë njerzore. Fjalët do të më rrallohen, mendimet do të më shuhen ,shpirti do të më burgoset brenda një karkase e do të zgjohet një çast, kur të ndjej mbi ballë buzët e bijve të mij . Do të buzëqesh kur të më buzëqeshin ,me gëzimin e atij që i falin atë që nuk i takon, sepse ndoshta do të jem e ndërgjegjëshme se nuk do të kem vlerë për asgjë, do të jem barrë për të gjithë. E më e keqja se nuk do ta kuptoj sepse do të dua një zë e fytyrë që do t'i harroj pas disa çastesh , vetëm se më ka dhuruar një xhest mirësie,e do të doja t'i dhuroja mirësi e një fjalë të mirë , por nuk do ta dij se si ...Mirë, e kuptoj, mendimi shuhet, fjala ikën, truri digjet,jeta do të vegjetojë në gjymtyrët e mia, ashtu kot, pa kuptim, po shpirti... Po shpirti ? A mendon shpirti ? Nganjëherë del edhe ndonjë fjalë kur nuk e pret , por a ka kuptim ? Në ç'gjuhë flet shpirti kur nuk ka zë ? C'tingull ka ? Apo është gjuhë pa tinguj, pa fjalë ? Atëherë si është e mundur që i kuptoj ? Kur ndjehen mirë ata, i ndjej dhe unë. Kur jam e shqetësuar unë , më kuptojnë ata, shqetësohen më shumë se unë , e shikoj në sytë e tyre. Kur jam mire unë, gëzohen edhe ata , u shndrisin sytë. Mos vallë dhe shpirti im flet një gjuhë që unë nuk e kam mësuar akoma ? Kur duhet t'a mësoj atë gjuhë që me flet me sytë e tyre, që është aq i trishtuar pasi asnjë nuk e kupton ? Se është i etur për një fjalë të mirë,e askush nuk ja jep ? Sepse nuk e sheh që është aty, e nuk është faji i tij që ka mbetur i burgosur aty. Ai shpirt që gjen rrugë e bën të lëvizë një dorë që nuk e ka lëvizur prej muajsh , të kap dorën e veshur me dorezë e t'a puth, e mban pështetur në faqen e fishkur, don të të falenderojë për shërbimin që i bën...
Duke bluar këto mendime, Eliza po i afrohej punës. Në një vitrine pa të pasqyruar figurën e saj. Padashur mbajti hapin . Ishte e bukur ajo. Këtë kish parë gjithë jetën , dhe kështu e kishin parë. E kujt i ish bërë vonë për shpirtin ? Njerëzit ishin mësuar të komunikonin ashtu, me duar , me këmbë , me fjalë , me vështrime në të cilat vendosnin mendimin.Të gjitha këto ishin zhvilluar me atë specie të mrekullueshme që quhej njeri. Po kur nuk ishin në gjendje t'i bënin këto, kur nuk kish lindur fjala, kur mendimi ishte aq primitiv sa... Kur lind njeriu... po shpirti kur lind ? Shpirti lind me të ? Teoritë janë të ndryshme. Nga më të ndryshmet. Gjynah të abortosh thonë, pasi shtatzania është tre muajsh. Përse, vallë shpirti është tashmë aty, apo ka marrë rrugën për të ardhur e vendosur në momentin e lindjes ? Apo është gjynah sepse prish rregullin e karmës ? Apo është e vërtetë ajo teoria tjetër se çdo shpirt ndahet në dy pjesë , shumohet ? Nuk është teori e keqe, ndryshe ku gjenden ato shpirtra kur rritet popullsia ...Nuk besoj se janë në numër të kufizuar, ndryshe kur të mbarohen shpirtërat në magazinën e qiellit, çfare duhet bërë , vallë ndonjë luftë që të riciklohen ata që janë në tokë ?Le të mos flasim për shpirtin binjak... është e bukur vërtet, e kush nuk do të donte të gjente pjesën tjetër të tij ? Ajo që më intereson është të di se si mund të të njohë ajo pjesë e shpirtit, cili është kodi, gjuha , mënyra...Ah, jo tani nuk i interesonte shpirti binjak, ç'ka kish më të shtrenjtë në këtë botë ishte familja e saj, fëmijët dhe i shoqi. Sonte , padashur kish menduar me zë, nëse përgjigja është pozitive, sonte. Im shoq ka ende kohë të rregullojë jetën e vet, pas tetë ose dhjetë vjetësh do të jetë tepër vonë. Përpara nuk do t'a bëjë, do të vuajë duke më parë ashtu e do ta ushqejë veten me shpresa të kota, pastaj do të jetë vonë. Fëmijët tashmë janë të rritur, më duan shumë dhe e di se do të vuajnë për atë që do të bëj, por fundja më mirë të më marrin inat . Do të më qajnë njëherë e mirë për këtë që jam , nuk do të më shohin duke u shpërfytyruar nga dita në ditë në një gjë që as do t'u kujtojë nënën e tyre Do të vuajnë më shumë.Shpirti, e kujt i hyn në punë shpirti im, as vetë Zotit, po t'i kishte interesuar për mua dhe ata njerëz , nuk do t'a kishte shpikur këtë sëmundje. Siç duket diku në parajsë apo ferr nuk është plotësuar numri, megjithëse nuk e di se ku shkojnë këta shpirtra, këtu janë mes ferrit e purgatorit.Unë e kam vendosur, mes ferrit të shpirtit tim e ferrit të njerëzve të mij këtu në tokë që do t'ua bëj t'a vuajnë, zgjedh të parin.
Zilja e celularit. Eliza hoqi dorezat ngadalë .Ju kujtua ëndrra . .Ndoshta nuk kish nevojë t'a hapte fare atë celular, e kish vendosur. Kish qenë e veshtirë sa të vendoste, gjërat i kishin ecur mirë . Buzëqeshja i ishte kthyer atë pasdite, mendimi se po i shihte për herë të fundit...e kish bërë më njerëzore.Njerëzisht do t'i fiste edhe doktorit , le t'a mbante mend të edukuar e të njerëzishme.
- Mirëdita doktor,- buzëqeshi.
- Eliza, i pashë përgjigjet e testeve dhe analizave... e nuk kam lajme të mira .
- E di doktor , alzheimer.
- Nuk kuptoj sepse të është fiksuar ajo sëmundje , nuk është alzheimer.
- Tumorr... në tru ...- Elizës ju mbajt fryma, taku mund të kishte zbuluar... , e pastaj më mirë një tumorr , të merr brenda disa muajve...
- Dua t'a lesh atë punë , që sot nëse ke mundësi.Më fal , jo dua , por duhet.- toni i zërit të doktorit tregonte se ishte i zemëruar, pra nuk ishte as tumorr.
- Do ta lë që nesër.Më thuaj çfarë...
- Nesër në mëngjes shihemi këtu. Do të të jap fletën për të bërë analizat për tiroidet.
Vlerat jane të çmendura.
- Tiroidet ?!Gjë tjetër ?
- Sindroma e burn out.
- Burn out ?!Tallesh doktor apo si e ke hallin.
- Testi MBI ...
-Ai test me ato pyetje idiote!?
E sheh, - doktori filloi të qeshte nga ana tjetër.- Mua m'u duk i tillë dyshimi juaj. Të pres nesër në mëngjes.
Eliza hodhi në banjë pilulat e grumbulluara dhe shkarkoi ujin.Burn out, e pastaj, një sindromë që nuk i prishte punë, veçse duhet të kërkonte një punë tjetër. Do t'a kish nga depresioni e nga streset. Nuk kish kaluar pak, por tashmë të gjitha i dukeshin aq të vogla në krahasim me... Mbylli garderobën e doli pothuaj me vrap. Kish mbetur e fundit sepse donte të hiqte qafe ato ilaçe e nuk donte ta shihnin koleget e tjera. Nata ishte e bukur. Në anën tjetër të rrugës pa makinën e të shoqit,edhe ai kishte shpëtuar , një farë kohe nuk do të linte sportin në televizor, derisa Eliza të gjente një punë tjetër. Do të bënin si do të bënin ca kohë me ekonominë, por punë e madhe.I shoqi ishte jashtë makinës e po shëtiste qenin.
Ej !- thirri Eliza duke ngritur dorën para se të kalonte rrugën. Për fat nuk pa asnjë makinë që të kalonte e asaj nuk i duhej të zhvendosej ata njëzet metrat deri tek vijat e bardha. Me të shpejtë kaloi gjysmën e parë , atë të korsisë që vinte nga e majta e saj, ajo ishte e vështirë për t'u kontrolluar sepse vinte pas një kthese . Kontrolloi korsinë e djathtë , dritat e një makine dukeshin larg por kishte kohë për të kaluar. Befas qeni u shkëput nga i shoqi dhe rendi në mes të rrugës. Një makinë e shpejtë doli pas kthesës e asaj ju duk sikur u sul drejt tij . Eliza vrapoi , arriti ta kapë qenin në krahë dhe mori të kthehej drejt makinës të të shoqit. U kujtua për makinën që vinte nga ai drejtim, kur u përplas pas saj...
Ishte e mbështjellë sërish në një perde që i merrte frymën . Por kjo ishte si prej qelqi. Nuk lëvizte dot as edhe një muskul. Pra kjo kish qenë ëndrra, e kish paralajmëruar se do të vdiste, dhe ajo nuk kish ditur t'a interpretonte. Ishte fiksuar pas Alzheimerit.E tani nuk donte të vdiste e nuk mund të bënte asgjë, nuk e çirrte dot atë perde.Kish vdekur tashmë, nuk dëgjonte asgjë, veshët i ishin shurdhuar. Befas errësirë e plotë e pastaj një pikë e shndritëshme që afrohej. Drejt saj duhej të shkonte , kaq gjë e kish lexuar diku,e kish parë edhe në një film, drejt saj... Perdja po e lironte pak nga pak dhe ajo filloi të ndjehej e lirë e pa peshë ...Ndjeu veten të ngrihej në ajër , të lirë... kjo qenka ndjesia e lirisë , mendoi .Qënka kaq e bukur...
- Të pëlqen kjo liri ?
Dikush foli, jo me këto fjalë, as me tinguj. Po dikush apo diçka , kish dashur t'i thonte pikërisht këtë.
- Kush flet ?- pyeti ajo e çuditur, nuk ishin as fjale të shqiptuara dhe as tinguj ato që kish nxjerrë.
- Shpirti yt. Të pyeta nëse të pëlqen kjo liri.
- Nuk kisha përjetuar asgjë të tillë ...
- Nuk ke kohë, ajo dritë pret ... .po të thërrasin aty poshtë...
- Nuk i dëgjoj.
- Sepse përpiqesh t'i dëgjosh me veshë. Harroji veshët.
Dhe ...dëgjoi vërtet .
- A mund të kthehem, desha të them...sa shanse kam..
- Nuk e di , mund të provosh...






Ndjeu dy duar të fuqishme që e shtypnin mbi gjoks. Një, dy, tre , katër , pesë. Pastaj një palë buzë u pështetën mbi te sajat dhe frynë ajër me forcë ,por mushkërite nuk donin të bindeshin.Po bëhej sërish pa peshë.
- Jepi Eliza, mos u dorëzo !Kapu pas meje !
- Ku je ? Nuk të shoh ...
- Tek agimet, perëndimet, valët e detit, në një buzëqeshje fëmije, brishtësinë e një lule të porsaçelur, në drithërimen e një puthjeje ... në të gjitha ato ndjenja e ndjesi që e bëjnë të bukur atë që quhet jetë....
- E që nuk kapet me duar...
- Atje jam unë.





Një, dy , tre , katër, pesë, duart e shtypën përsëri dhe përsëri ato buzë mbi të sajat.Këtë herë gjoksi i saj u ngrit dhe ndjeu ajrin t'i vërshonte në mushkëri. Jeta u kthye me aq vrull sa ju duk sikur ju morën mendtë dhe volli. Ndjeu t'i kthenin kokën mënjanë që të mos mbytej nga të vjellat e saj e për herë të parë ai lëng i pështirshëm nuk e neveriti.Dëgjimi ju kthye ,dëgjoi të gjitha zhurmat e rrëmujës së ethëshme dhe sirenën e autoambulancës që e çonte në spital. Dëgjoi zërin e të shoqit që i fliste. Të mjekut që i thosh se mund t'ja hidhte . Pa dritat e gjelbërta të sallës së operacionit. Diçka shtuan në shishen e serumit e befas i erdhi gjumë. Sa gjumë që kish...
- Nuk dua të fle, ku je, përse nuk të dëgjoj më ?
- Jam këtu, të kam premtuar.
- Ç'gjuhë të çuditëshme që ke dhe ti, përse pa tinguj ?
- Sepse ti ende nuk i ke dhënë një tingull.
- Përse ? Duhet t'ja jap unë tingullin ?
- E kush tjetër ? Jam i yti, mund të më japësh edhe ngjyrë, një herë që më njeh e që më ndjen ,mund të bësh mrekullira me mua.
-Tallesh ?
- Përse, nuk është mrekulli ajo që ndjen tek njerëzit përreth ?
Përreth ... drithërima e zemrës së fëmijëve dhe e të shoqit në ngjyrën e lotit, shqetësimi i doktorit në violetë... duhet të jem rëndë, ndryshe nuk do të kishte këtë ngjyrë...
- Nuk do të vdes ?
- Nuk e di akoma
- Po sikur...ku do të ikësh?
- Do të jem gjithmonë me ty!
- Sikur the se të pëlqen jeta.
- Po, por nuk mbaron këtu, do të jemi gjitnjë bashkë , unë e ti, ti dhe unë.
- Po sikur të mbetem invalide ...desha të them pa dinjitet...
- Do të më kesh mua!
- Kudo ?
- Kudo. Në Shpirtin e Botës.
Shënim : Qëllimi i këtij tregimi, nuk e di se sa ja kam arritur, është të njoh lexuesit, ata që do të kenë durim t'a lexojnë deri në fund , me një sëmundje të pleqërisë.Edhe se nganjëherë nuk të pret të plakesh.Janë ata fatkeqë , që duan apo nuk duan , përfundojnë detyrimisht në azile.E kam shkruar që të arrijmë të kuptojmë këtë sëmundje, ata të sëmurë (që mund të jenë edhe të afërmit tanë ), dhe t'i trajtojmë ashtu siç meriton të trajtohet një qënie njerëzore : ME DASHURI.

Imperia 16 Nentor 2008

Friday, 14 November 2008

Poezia, krijuesi, njohja dhe “ngatëresë-harresa”



Fatmir Terziu

Siç e kemi thënë edhe më parë, që nga fillimet e saj e deri vonë letërsia, krijimtaria letrare, është quajtur vetëm poezi. Kuptimi i saj përcaktohej përpos njësisë poetike që ishte forma e vargut ose metri, siç e quanin grekët e vjetër. Janë rreth 46 lloje poezish, që lëvrohen sot në botë. Të gjitha lëvrohen në fushën e krijimtarisë poetike. Dhe thuajse gati të gjitha kanë lakminë krijuese shqiptare sot. Dhe shpesh vetë poetët apo krijuesit i “ngatërrojnë” ato. Më e “ngatërueshmja” i përket poezisë së quajtur “ABC poezi”. Kjo më së shumti ndodh në mesin e krijuesve të rinj të Kosovës dhe Maqedonisë, të cilët kanë mbetur prapa atyre që më herët e kanë lëvruar këtë tip poezie me sukses. Kjo lloj poezie ka një seri vargjesh që krijojnë emocion, imazh apo edhe ndjenja. Vargjet janë ndërtuar me fjalë dhe fraza. Fjala e parë e vargut të parë fillon me germën “A”, fjala e parë e vargut të dytë fillon me “B” e kështu me radhë. Kjo lloj poezie lëvrohet në krijimtarinë shqiptare kohët e fundit dhe mjaft poetë janë dashuruar me të. Poezi të tilla ka krijuar Kallupi, Zeqo, Duka, Dalipaj, Ahmeti, Krasniqi, Bala e mjaft të tjerë.
Një poezi tjetër që shpesh bëhet e vështirë në llojin e vet, por e ëmbël në lexim është poezia e quajtur “Analoge”, që në fakt është një ngjashmëri midis gjërave. Analogjia është një krahasim midis dy gjërave që kanë të njëjtën lidhje. Një nga shembujt e përdorimit me vend të kësaj lloji poezie është poet ii mirënjohur kosovar, Sabri Hamiti. Poezia e tij “Trungu Ilir” është një model që ngjiz në krahasimin midis gjërave me të njëjtën lidhje. Këtu në këtë poezi shfaqet portreti-peisazh i qytetit, ndoshta po aq mrekullueshëm sa “Mëngjes” i lasgush Poradecit. Të dy këta shembuj janë një arsye më shumë për shumë krijues që tentojnë këtë lloj poezie. Por në poezinë e Hamitit “Peisazh Urban” ajo është tipike moderne dhe një arritje që duhet parë si model:

“Reja e kuqe endet mbi qytet.
Poshtë dheu i zi si futa.
Në dritare të soliterit,
Dielli shtramon vetveten,
E mbytet mbas kodre, vdes.
Reja u vra nga zemërimi, u bë terr
E zbriti mbi rrugët, shtëpitë.
Edhe veten vështirë po e njoh.”

Por Sabri Hamiti është edhe një mjeshtër i përdorimit të Onomatopesë, ku fjalët janë vënë me mjeshtëri që të imitojnë zërin. Tek poezia e tij “Telefoni” fjalët “Alo! Alooo?” nuk janë thjesht një artificë poetike, por një fuqi potenciale e vargut. Poezia ushqehet ndjeshëm dhe lexuesi e sheh atë si një lehtësi e kuptueshme. Por një mjeshtër i kësaj poezie është dhe mbetet Ali Podrimja.

Le të lemë pak mënjanë këtë lloj të poezisë që tingëllon bukur. Një lloj tjetër që unë mendoj është më problematike është lëvrimi i një poezie uniforme, të cilën e ka lëvruar edhe Shekspiri në disa nga krijimet e veta. Kjo lloj poezie tashmë ka marë një formë të gjerë, sepse është e parimuar dhe me pesërrokësha (“pentametra”) iambike. Kjo lloj poezie lëvrohet nga shumë poetë sot që krijojnë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e jashtë trojeve ku ata janë me punë e banim. Një nga poetët më të spikatur të kësaj gjinie është poeti Abdylasis Islami.
Poezia tjetër është ajo e quajtur “Kanzone” (Këngë) dhe është një lloj poezie lirike italiane, me pesë apo gjashtë strofa dhe me një strofë përmbyllëse të shkurtër. Kjo poezi e shënuar nga poet ii famshëm Italian, Françesko Petrarka, është e mirënjohur në krijimtarinë e Sulkuqit, Jorganxhiut, Doçit, Shehut, Lleshanakut, Traboinit, Alien, Jatru, Ahmetit e mjaft të tjerëve. Poezia e Petrarkës ka sjellë një dihatje të këndshme në stimulimin krijues poetik.
Pastaj vijnë poezitë që vijnë nga kultura japoneze si Haiku, Senriu dhe Tanka. Këto lloje poezish kanë gjetur përdorim edhe në mesin e poetëve shqiptarë. Përshembull Haiku ka tashmë vendin e vet në poezinë shqiptare, por shumë nga krijuesit e tij e kanë keqkuptuar atë. Haiku ka rregulla të strikta dhe ne kemi shkruar për të edhe më parë.
Por, më kryesorja në këtë njohje të llojeve të poezisë është ajo që lidhet me krijuesin, poetin, arritjet dhe vlerësimet e tij. Shpeshherë është ‘xhelozia’ që poeti Ali Podrimja e gjen dhe e zbulon si shkak në disa çmime e vlerësime deri tek evenimenti poetik “Kurora e artë” e Strugës. Ali Podrimja kohë më parë gjatë një interviste në lidhje me “Kurorën e artë” poetike të Strugës do të shprehej: “Në këtë Pellg të Ohrit ai që e ka merituar “Kurorën e artë” para së gjithëve ishte princi i letrave shqipe, Lasgush Poradeci, por Lasgushi nuk është më. Megjithate, mendoj se Kurorën e artë ka mundur t'i takoj letërsisë shqipe që moti, por ekzistojnë edhe momente xhelozie mes kulturave dhe nuk mund të pranohet ndoshta gjeniu krijues shqiptar. Disa nga ata që e kanë marrë “Kurorën e artë” unë i kam lexuar, për asgjë nuk kanë qenë më lart me vlerat e tyre se bie fjala miku im Fatos Arapi, i ndjeri Azem Shkreli apo bardi ynë, Dritëro Agolli apo krijuesit tanë të njohur ndërkombëtarisht, Ismail Kadare dhe Xhevahir Spahiu. Pse nuk është marrë “Kurora e artë”: Lëre, ndoshta na kanë zili!” Në këtë lajtmotiv fjalësh del qartë edhe arsyeja pse disa herë ato që fitojnë bëhen të harruar, apo edhe të ngatërruar. Sipas Podrimes ata janë të tillë se ata pikësëpari krijojnë, por harrojnë të kuptojnë poezinë. Ata që krijojnë dhe e kuptojnë poezinë janë pak. Po aq pak është edhe poezia e mirëfilltë në të gjitha llojet e saj të zhvillimit sot. Duke vazhduar me Podrimen kuptojmë edhe anën tjetër: “Është e vërtetë se kam përkrahur poetët e rinj dhe atë e kam bërë që hapësira e jonë mos jetë e zbrazët, por të shtohen emra dhe dëshiroja që nga çdo cep i vendit tonë të shfaqet ndonjë yll që të bëjë dritë aty ku frymon. Nuk them se të gjithë e kanë merituar një përkujdesje të tillë, por qëllimi im ka qenë thjesht që fjala e bukur shqipe të vihet në lëvizje dhe të mos harrojmë se vlerat megjithatë do të shfaqen dhe do të nxjerrin emra në letrat shqipe. Gjithë këtë e kam bërë si redaktor i Shtëpisë botuese "Rilindja" që kishte për qëllim që në letrat shqipe të ketë emra të rinj, ndërkaq vlerat do të shfaqeshin vetvetiu e kjo varet nga potenca krijuese e poetëve.”

Thursday, 13 November 2008

Penat Korçare që heshtin


(Në kujtim të poetëve dhe shkrimtarëve korçarë që s'jetojnë mes nesh)

Nga Ylber Merdani & Agim Bacelli

Klubi i Shkrimtarëve "Bota e Re", Korçë, tetor 2008

Deri në vitet '20 të shekullit XX, qyteti i Korçës ka qënë qyteti m’i madh shqiptar, ka qënë qyteti m'i paster, ka qënë qyteti m'i kulturuar, ka qënë djep i vetëdijes dhe zhvillimit kombëtar, po ashtu ka qënë edhe vatër e zjarrte e Rilindasve Kombëtarë por edhe kazani ku valoi llava komuniste. Po thuajse çdo gjë e mirë apo e keqe për Shqipërinë ka zënë fill aty në Korçën pa bedena dhe kështjella ku korçarët kanë rrojtur të paizoluar nga njëri tjetri pasi korçarët janë zogj të lirë që s’mund të rrojnë dot në kafaze.

Sot Korça rënditet në vëndin e tetë nga popullsia si një qytet, që perveç emrit qytet, ka pak gjëra qytetare. Korça e serenatve dergjet moralisht dhe fizikisht e rënë për tokë ku çdo gjë është e tradhëtuar dhe e braktisur, ku dhe shpresa, kjo veti besnike e çdo qënie njerzore, është duku u tretur...Dikur, korçarët mburreshin me "Parisin e Vogël" sot atyre u vjen turp ta bëjnë këtë krahasim, bile, të rinjëve u vjen çudi sesi prindërit e tyre e kanë krahasur dikur Korçën me Parisin!!

Një ditë pyetëm një artist korçar, Shkëlqim Jaupin, "Pse tërë këto rrugë nuk meremetohen?" Ai qeshi hidhur dhe na u përgjigj me ironi, "Nuk e dini se ne korçarët kemi marrë vendim që Korçën ta ruajmë ashu siç ka qënë?! Çu pa puna ta bëjmë të re e të zhdukimim traditën dhe tok me të Korçën e Vjetër! Mos e dhëntë Zoti! Korça do të ruhet e gjitha si qytet muze ku ne korçarët nostaligjikë të jetojmë vetëm të kaluarën..."

Vilat më të bukura që ka sot Korça janë ato të ndërtuara në kohën kur ky qytet qe autonom (1916-1920) dhe varej nga Qeveria Franceze dhe më pas nga vetë Republika Korçare me Kryetar Th. Grëmënjin, pastaj janë edhe ato që nderoi Italia dhe disa Enver Hoxha. Në atë lulëzim dhe begati ('16-'20) ndodhi ajo që ja rriti famën dhe namin këtij qyteti si asnjë qyetet tjeter. Një ditë Qershori te vitit 1917 i ra zjarri Selanikut i cili u dogj pothuajse i gjithë. Menjëherë u vu në lëvizje e tërë Korça dhe emigrantët e saj, brenda një viti (1918) Selaniku u rindertua edhe më i bukur seç kishte qënë më përpara! Prandaj edhe sot e kësaj dite ka ngelur ajo shprehja e famëshme, "Korça e bën Seleanikun dhe Selaniku nuk e bën dot Korçën" e cila shprehje interpertohet keq nga që nuk dihet mirë ky fakt. Që të mos shkojmë larg, duamë të përmëndim një fakt kuptimplotë më të ri për ta illustruar këtë që thamë. Në vitin 1979, pas tërmetit të madh që ra në Shkodër dhe Lezhë, si tërë shqiptarët e Shqipërisë që ngritën grupe pune për ta rindërtuar Shkodrën dhe Lezhën, një grup të tillë ngritën dhe korçarët. A e dini se çfar ndodhi në Lezhë me korçarët që punonin në atë kohë? Ata braktisën punën dhe u kthyenë në Korçë, pasi punëtorët lezhianë të furnizimit me materiale ndërtimi, nuk arrinin dot ti furnizonin rregullisht duartë shumë të shkathta të punëtorëve korçarë dhe ata ngeleshin pa punë! Në shënjë proteste ata u larguanë por u desh ndërhyrja e shtetit komunist (Pali Miska u muarr me këtë çështje) që të ktheheshin mbrapsht!

Në shkrimin e sotëm nuk kemi ndërmënd të flasim shumë për Korçën por për poetët dhe shkrimtarët korçarë, penat e të cilëve sot heshtin por jo jeta dhe vepra e tyre artistike të cilat kujtohen me nderim dhe respekt të veçantë nga Klubi “Bota e RE” i shkrimtarëve dhe artistëve korçarë.

Ndoshta pak njerëz e dinë që krijuesit korçarë qenë të parët që u shkëputën nga Lidhja e Shkrimtarëve shqiptarë për degën e Korçës pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe krijuan Klubin e Shkrimtarëve korçarë "Bota e Re". Kjo ndodhi në 12 Nëntor 1991 dhe mban firmen e ministrit të kulturës së asaj kohe, të ndjerit Vath Koreshi. Nismëtari i këtij klubi qe shkrimtari punëtor Guri Miçinoti i mbështetur nga dramaturgu Skënder Demolli dhe liriku më i madh korçar, poeti Skënder Rusi.

Po ashtu duhet të kujtojmë kryetarin e parë të këtij klubi, (i cili vazhdon të jetë akoma) z. Ylber Merdani i cili ka meritën që nxiti e afroji çdo krijues korçar, pamvarsisht bindjeve politike, që të antarësohet në këtë klub. Ky poet fisnik e rebel, i persekutuar, intrenuar, burgosur si antikomunist do të shpalosë fisnikërinë e tij të faljes dhe vëllazërimit për çdo krijues dhe do të caktojë një ditë në çdo muaj Tetor për të kujtuar të gjithë ata artistë, poetë, shkrimtarë, publicistë korçarë që nuk jetojnë më mes krijuesve korçarë.

Penat që flasin që përtej amëshimit janë:

Bledi Llangozi

I ndjeri Bledi Llangozi u lind më 14 shkurt të vitit 1979 në Korçë prej dy bashkëshortëve intelektualë. Që fare i vogël Bledit iu shfaqën prirjet për poezi e pikturë. Vdiq në moshen 18 vjeçare në vitin 1997.

Bledi qe një poet dhe piktor i lindur. Ai shkruante vargje pa pushim dhe pikturonte çdo ditë. Na ka lënë një thesar në poezi dhe pikturë. Ishte një natyralist i shkëlqyer dhe natyra e fshehu në gjirin e saj.

Një nga librat e tij më të bukur është "Sinfonia e jetës sime", një libër poetik me rreth 100 faqe me poezi të përmbledhura në tre kapituj me tema të ndryshme. Adoleshenca e tij kaloi në një periudhë tepër të vështirë siç qe tranzicioni post komunist që ende ska mbaruar dhe që i krijoi atij një ndjenjë frike e pasigurie për jetën dhe për gjithëçka. Ishte njeri pesimist pasi vetë koha në të cilën ai jetonte kishte shumë probleme dhe ai me padurim nxitonte të shkruante çdo shqetësim të tij me frikën se një ditë do të ikte në ujrat e detit si bir i Poseidonit...

Libri poetik hapet me kapitullin "mall dhe lotë" ku përmbledh poezi për vëndin e vet që heq e vuan. Provoi si shumë të rinj shqiptarë që të shtegëtoi që në moshën 13 vjeçare në Greqi, në Kallamata. Atje poeti i vogel shqiptar ruante bagetitë e një pronari shpirtkeq. Tërë vuajtjet e tij i hodhi në vargje dhe i futi në një kapitull më vete që e quajti "Larg Atdheut tim" për të cilin e digjte një mall i madh. Kapitulli i tretë mbyllet me poezitë e moshës së tij që janë poezi shpirtërore të mbushura me dashuri dhe që e titullon "Lirika Dashurie".


Paçka se Bledi iku shpejt, 18- vjeçar la pas pavdekësinë e tij; vëllime të tëra me poezi dhe piktura të mrekullueshme. Me plot bindje themi se ishte një talent i mrekullueshëm, që perënditë, ndoshta e patën zili dhe e muarën pranë tyre. Shpresa e tij për t’u kthyer në atdhe, të cilit i këndoi me një dashuri e frymë ëngjëllore, humbi përgjithnjë një ditë papritur nën dallgët e detit të brigjeve të Halkidhikisë së mallkuar.

Një poezi e Bledit, e vënë nën nota muzikore nga kompozitori lezhjan Altin Volaj, në një konkurs në SHBA ka zënë vend të parë.

Altin Volaj, In Memoriam Bledi Llangozi for solo cello (2004)



Një poezi e Bledit:


Ç’ ishte?



Ç’ishte vallë ai mendim?


Nga erdhi e ku më gjeti,...


Ishte shpresë, apo besim,


Pse më dha një rrugë derti?



Ah, ti hije e varfërisë,


Pse më ngre nga vëndi im,


Nga pragu im i dashurisë,


Nga gjej prehje dhe gëzim?



Pse më hedh në shtegëtim,


Më çon atje ku s’ka mëshirë,


Ku s’ka shpresë, as besim,


Ku humbas në shkretëtirë?!...

Gëzim Medolli

Lindi ne Trestenik te Devollit me 1949. Ka qene i burgosur politik qe ne moshen 20 vjecare per 15 vjet me motivacionin "Tradheti ndaj Atdheut". Ne burg denohet edhe disa here te tjera dhe denimi vajti 135 vjet! vdes ne burg por frymezimi i tij vuri krahe dhe doli nga ferri enverian dhe sot ne kemi ne dore ditarin e tij i cili po te kishte rene ne doren e pushtetit komunist, Gezimi do te qe grire me ne makinen grirese te sillazhit sic shporehej ai.

Jane botuar pas vdekjes:

1-Globi ne Rjete

2-Tri here i pushkatuar

3-Vargje-Vargje

Guri Miçinoti

Lindi në Voskopojë më 15 Shtator 1936. Punoi shofer në parkun e mallrave "Raqi Themeli" në korçë. Tregimet e para ka filluar ti shkruajë nga viti 1959. Po në këtë vit ka fituar çmimin e dytë në 25 vjetorin e Çlirimit me novelën "Jurkani". Vdes papritur

Ka botuar:

1-Junkani, Novelë

2-Në rrugën me akull, novelë

3-Nëntë Ballë, roman

4-Brigada e Shtatë, tregime

5-Gjilpëra, roman

6-Njerzit që shpejtojnë vitet, publicistikë

Ilir Belliu

Lindi rreze malit Morava, ne Korce, dhe u zhduk ne vitin 2001 ne rrethana te panjohura ne nje rezervuar natyror ujor nen kembet e malit te Dajti. Ai u lind fukara si femije por i pasur si natyre e bukur, u rrit jetim si njeri por gur briland si shpirt qe ka per nene natyren dhe per baba Diellin. Vdiq i braktisur nga njerzit pasi ai ishte bir i natyres dhe hapsires pa kufi se cilave ju kthye ne heshtje pa bujen njerzore nen melodine e nje puhize ere qe perzihej me valza uje te cilat shkelqenin nen diellin qe ishte babai i tij i perjetshem.

Nje lume i vogel

rrjedh ne kafken time!

Oh, po s'mund te duroj

i pavarrosur ne mjegull!

Ka botuar:

1-Vetmi me njerez

2-"Nje lume i vogel rrjedh ne kafken time", ky liber u botua me shpenzimet e poetiti me te madh lirik korcar Skender Rusi...

Izet Murataj (Klosi)

Lindi ne Klos te Mallakastres ne vitin 1932. Vdiq ne Korce. Ka qene partizan dhe i persekutuar. Eshte marre me publicistike. Bashkepuntor ne gazetat "Rilindja Demokratike", "Rimekembje" dhe "Gazeta 55", "Korca Demokratike", Republika", "Ushtria dhe Koha",etj.

Ka botuar:

1-Per te drejten dhe verteten shqiptare

2-Tranzicioni ne Shqiperi

3-E dua Pranveren, poezi

Ne vitin 1990 del ne pension dhe ne vitin 1996 i njihet e drejta e grades Gjeneral Brigade.

Lulezim Progeri

Ka lindur ne Korce ne vitin 1940 dhe vdiq papritur po ne Korce.

Ka botuar:

1- Vellimin poetik, « Mos »

2- Ka shkruar shume artikuj studimore sidomos ne drejtim te pedagogjise

Petrit Avdo

Lindi ne Berat ne vitin 1931 dhe vdiq ne Korce ne vitin 2000.

Ka botuar:

1- Ne kerkim te filozofise

2- Lexime qe nga avioni

3- Dy vellime poetike

La te pabotuar romanin voluminoz "Kush jeni ju?" me subjekt nga vitet '47-'48 ne Kosove.

Riza Hyso

Nje burre i vogel dhe i heshtur qe erdhi dhe iku nga jeta pa buje.

Nje nga kritiket me te mire ne Shqiperi dhe kritiku me I mire korcar. Mesues letersie dhe mik i te gjithe letrareve korcare. Shume prej nxenesve te tij jane bere poete e shkrimtare.

Robert Grabocka

Lindi ne Korce ne 16 gusht 1932 ne nje familje qytetare qe kishte tradita ne poezi. Bir i nje emigranti ne Amerike, anetar i "Vatres" dhe admirues i Nolit dhe veprave te tij. Kete dashuri dhe frymezim i jati ja ka transmetuar te birit, Robertit i cili nuk vonoi dhe filloi te shkruaje poezi nen ndikimin e te jatit. Ne poezite e tij spikat dashuria per natyren shqiptare,per femijet, per dashurine, per Prespen Shqiptare ku ai punoi per 15 vjet si peshkatar. Idhulli i tij ishte Lasgushi i Madh te cilit i ka kushtuar disa poezi.

Ka botuar:

1-Ate emer te dashur, Adelina, poezi

2- Ka shkruar ne gazeten Korca dhe Nositi

Sotir Andoni

Lindi ne Zicisht te Devollit me 1925. Ka qene partizan dhe i burgosur politik.

Ka shkruar qysh ne radhet e partizaneve kur bashke me traktet dhe komunikatat komuniste shkruante dhe skica te vogela artistike. Ne vitin 1957 boton vellimin e tij te pare "Maleve ne Shendre", nje vit me von botoi nje liber me kujtimet e luftes partizane. Vdiq ne Korrik 2003 ne Boston ne moshen 78 vjecare. I larguar nga Shqiperia pak vite me pare, ai ishte vendosur ne Worchester te Bostonit.


Ishte nga nje familje e nje tregtari te mesem dhe patriot, ai u shkollua ne vendlindje. Shkollen teknike e nderpreu, sepse u bashkua me rezistencen antifashiste. Pas vitit 1944, ishte drejtor i shtepise se Kultures ne Korce dhe kryeredaktor i gazetes "Perpara". Ne vitin 1945, ai arrestohet dhe denohet me akuzen "veprimtari armiqesore dhe tentative arratisje". Ben burg. Libri i tij i pare me tregime eshte "Maleve ne Shendre". E pas gjysem shekulli, kur mbaroi edhe kalvarin e burgut, u be i njohur si tregimtar. Vijues i shkolles kuteliane, ai u dallua per origjinalitetin e shprehjes artistike, humanizmin, dashurine per vendin dhe njeriun e thjeshte. Ai ishte nje njeri i thjeshte , qe jetoi aktivisht edhe pas viteve '90. Nga viti 1992 deri ne vitin 1996 eshte zgjedhur anetar i Keshillit bashkiak te qytetit te Korces.

Ka botuar:

1-Maleve ne Shendre

2-Tregime nga Morava

3-Kandili i Shuar

4-Dasme e Cuditeshme

5-Kur merrnin fluturimin

6-Shenime te shkruara naten

7-Gugucja

8-I vogli mund te madhin

9-Tregime nga Voskopoja

10-Pranvera e madhe

11-Tri novela

Thoma Kosta Bezhani

Lindi në Bezhan të Kolonjës. Ka qënë partizan dhe i burgosur politik.

Ka qënë diplomuar në shkencat ekonomike. Ka marre pjese aktive ne luften antifashiste. Ne vitin 1944 eshte zgjedhur Anetar i keshillit Antifashist NCL te Prefektures se Korces dhe ne vitin 1953 eshte zgjedhur ne forumin e qarkut. Ai kurre nuk u pajtua me padrejtesite shoqerore dhe politike qe ndiqeshin nga KQ i PPSH ndaj ne qershor te vitit 1964 u distancua plotesisht nga partia. Duke filluar qe nga shtatori i vitit 1961 ka paraqitur per botim disa libra te tij me anen e te cilave ai mendonte te luftonte padrejtesite ne Shqiperine komuniste si dhe libra per organizimin finaciar te ekonomise bujqesore si dhe nje sere studimesh per riorganizimin e punes, pages dhe shperblimin ne ndermarjet e reja ekonomike.

Krijmtaria e tij letrare qe e shumte dhe e gjithellojshme por e papranueshme nga intacoret komuniste.Ka derguar ne ndermarjen e librit politik "8 Nentori" librin "Grupi Klandestin ne veprim" dhe vellimin me kujtime "Lajmetaret e Stuhise". Ka derguar ne Shtepine Botuese "Naim Frasheri", dramen "Ngjarje qe nuk duhen harruar" dhe vellimin me tregime, "21 Tregime". Po ashtu ka derguar ne "Shtepine Qendrore te Krijmtarise Popullore" dramat "Clirimtaret e Qytetit", "Vajza me koncepte te reja" dhe "Ekonomisti" por sigurisht qe censura nuk ja botoi.

Ne prill te vitit 1976 arrestohet nga DPB Korce dhe i sekuestrohen e asgjesohen te gjitha librat e tij qe u cilesuane me permbajtje teper armiqesore pasi ato libra synonin te ngrinin popullin kunder udheheqjes dhe sidomos Enver Hoxhes. Me vendim te Gjykates e Korces Nr. 233 data 11 Tetor 1976, marre ne mungese te tij, eshte deklaruar fajtor per vepren penale te agjitacion-propogandes antikomuniste.

Ka botuar:

1- Vajza e Luleve

2- Enver Hoxha, Mjeshter i prapaskenave, ne dy vellime.

3- Brenga dhe Plage

4- Proces i Zi

5 -"Shkenca, Letresia dhe arti ne pranga"

6- Nje nate e gjate dhe e rret

Po ashtu kemi dhe tre krijues qe nuk lane ndonje veper te vecante por qe krijuane krijime te vecanta artistike dhe qe u dalluane shume ne shoqerine e tyre per talentin e bukur prej poeti, kritiku, publicisti, etj.

Keta jane:

Albert Gora

Ilia Grabocka

Sami Larti

Te gjithe i kujtojme me dhimbje dhe respekt per te mos i harruar kurre. Per ata, po sjellim disa vargje biblike:

LUMTURITË


(Luka 6, 20 23)



Lum skamnorët në shpirt


sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!


Lum ata që qajnë


sepse do të ngushëllohen!


Lum ata që janë të butë


sepse do ta trashëgojnë tokën!


Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi


sepse do të ngihen!


Lum të mëshirshmit


sepse do të gjejnë mëshirë!


Lum ata që janë të pastër në zemër


sepse do ta shohin Hyjin.


Lum pajtuesit


sepse do të quhen bijtë e Hyjit.


Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon


sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.