-TREGIM NGA Vaid Hyzoti
Sa shkela tek “Atria”,mallkova veten,shkollën që kisha kryer e në çast desh u ktheva pas.Në korridor,në tërë hapësirën e katit të parë lëviznin më së shumti nëpër karroca një tufë pleqsh,që ndonëse flisnin me vete,nuk flisnin me njeri-tjetrin.Me një vështrim të shpejtë e përcaktova se më i riu i tyre duhej t’i kish kaluar të tetëdhjetat.Pyeta recepsionisten,një xhamajkane e qethur gati zero,për zyrën e drejtorit,ajo më kërkoi një tufë të dhënash,se nga vija,çfarë kërkoja këtu,në kisha lënë takim...
-Kam intervistë me drejtorin.!-sqarova paksa e nxehur.
-Ulu atje,prit pak!-më foli disi urdhëruese recepsionistja,si duket mbasi kuptoi se nuk do të sillja gjyshin apo gjyshen që të banonte(vdiste,më mirë)këtu.Një plakë e drezguar në fytyrë , iu afrua sportelit dhe pyeti në i kish ardhur ndonjë pako. Xhamajkania,u çel në surrat,duke zbuluar ca dhëmbë të bardhë e të rregullt:
-Më vjen keq,honey,akoma jo.Por mos u mundo,po erdhi,ta sjell unë në apartamentin tuaj.
Shihja sportelisten dhe më vinte turp të hapja gojën.Nuk e di në këto zezakët i kanë dhëmbët më të bardhë se të tjerët,apo na duket ne nga kontrasti me ngjyrën e lëkurës.Sportelistja , si duket kuptoi që po mendoja për dhëmbët e saj,se ende pa ulur telefonin,më dha dhe mua një buzëqeshje dhe më ftoi:
-Drejtoresha ju pret.Zyra e dytë në të djathtë...
Drejtoresha më priti mirë.Kishte studiuar të gjithë dokumentat që i kisha derguar me e-mail,diplomën time si punonjëse sociale.E vetmja pikë për të cilën folëm më gjatë ishte pagesa.Pasi mori dhe “po”-në time , më tha që mund të filloja që të nesërmen.Zyra ishte e lirë.Pastaj,si t’i kishte mësuar përmendësh,nisi shpejt prezantimin e kompanisë, shërbimet që u ofronte ajo klientëve,emërin e mirë dhe shpërndarjen në Amerikë dhe në Kanada:
-Klientët tanë janë vetëm hebrenj.Madje dhe themeluesi i kësaj kompanie ka vdekur para dy vjetësh në një shtëpi pleqsh në shtetin e Konektikatit. E theksoj këtë fakt,-vijoi ajo,-se përveçse çfarë keni mësuar në shkollë, duhen ca njohuri suplementare për historinë edhe karakterin e hebrenjve.Këtu vijnë të pasurit dhe prandaj kujdesi duhet të jetë i dyfishtë.Ah,që të mos harroj:në tavolinën tënde të punës ke listën e të gjithë banorëve të apartamentëve.Janë ca si shumë,113-të,por sa më shpejt t’i njohësh,aq më e lehtë do të jetë për ty.Këto ditë fillimisht shëtiti të 13-të katet e godinës dhe fikso çfarë të mundësh...
-Duke lëvizur nga kati më kat edhe shoh emrat në secilën hyrje dhe filloj e i fiksoj...-fola sa për t’u dukur e interesuar.
-Ah,jo ti...Si e kishe emrin...
-Sabahete,por më thirrni Sabi,- e lehtësova nga emri im i vështirë për të huajt.Babai kishte ngulur këmbë që mua të më vinin emërin e gjyshes.
-Kështu,Sabi...Ku e lamë?Ah,po,tek emrat tek dera...Ne nuk vemë emra tek dera,sepse llagapet e tyre janë të njohura këtu në Nju Jork për bisneset që kanë...Dhe ata kanë dëshirë të mos identifikohen.E kanë për sigurinë e fëmijëve , të cilët vazhdojnë bisneset,por që vijnë aq shpesh të takojnë prindërit e tyre dhe të bëjnë pagesën mujore...Ah,po...
Ndërkohë ra një telefon dhe ajo nuk vazhdoi më me atë “...ah,po” që e përsëriste vend e pa vend..Shtypi zilen anash tavolinës dhe tek dera u dha xhamajkania.
-Njihuni,sociologia e re...
Tjetra më dha një buzëqeshje të plotë me dhëmbët e bardhë,që i hapte si për inatin tim.Si duket e kishte në formën e të kërkuarit të falur,meqë në fillim më kishte pritur paksa ftohtë.
-Endi,-m’u prezantua.
I thashë emërin tim . Ajo ,duke më uruar , më priu drejt zyrës sime të ardhshme.Zyra më pëlqeu.U ula në kolltuk duke rrëmuar të gjithë sirtarët.Kishte mjaft hollësi nga puna e koleges sime të mëparshme.Si duket kishte qenë sociologe e zonja.Në regjistrin e banorëve të apartamentëve pashë mbiemra të njohur në të gjithë Nju Jorkun...
Paksa e lodhur,dola në hollin e katit të parë.Nje filipinase(si të gjitha,e shkurtër)luante në piano një melodi të Vivaldit.O zot,sa stononte!Sa mbaroi , pleqtë me duart e fishkura,duartrokitën.Nga një qendër zëri u lajmërua që për dhjetë minuta do të hapej bingoja.Në çast pati një farë gjallërimi nga pleqtë-karroca..Mora ashensorin,si dhe çelësin që hapte çdo dhomë.Do të filloja kat më kat.Sapo u hap dera e ashensorit,nje plak i shkurter,me dy fije flokë të gjata që të mbulonte lekurën e kokës,më përshendeti.I buzëqesha dhe po prisja që të dilte.
-Mund të hyni,në cilin kat do të shkoni...
Mbase e kuptoi që pata një fare trembjeje.
-Jam banori i dhomës 97,më thirrni Xhimi,mister Xhimi...
U qetësova disi.
-Po ju,mister Xhimi,në katin e 9-të do të shkoni?-e pyeta kot sa për të provuar veten në më kish ikur frika.
-Jo,jo,unë shkoj gjithmonë në katin e fundit.Shoh gruan dhe kthehem.Pastaj shkoj prapë.Kthehem.Marr ashensorin dhe vete shoh gruan përsëri...Kështu tërë ditën.
M’u duk i rrjedhur..Për moshën e tyre është e pranueshme skleroza,veçseç druhesha në mos ishte i rrezikshëm.Si s’po vinte ndonjë tjetër në ashensor,veç të më hiqte sadopak frikën.Jepi,i dhashë kurajo vetes, je punonjëse sociale,ke bërë psikologji...
-Si thua,honey,shkojmë sëbashku të takojmë zonjën tënde...
-Mos jeni sociologia e re?-më pyeti krejt papritur.
- Po unë jam,-dhe u prezantova-Si e kuptuat?
-Kështu na flasin të gjithë këtu,që nga drejtoresha deri tek sanitarët.Të gjithë,një e dy”honey”,por thua kaq mjaltë të jemi për ta.S’na zë vend kjo ëmbëlsi , kur nuk del nga shpirti.
Mbeta e shtangur.Dera e ashensorit ishte e hapur në katin e fundit dhe ne vazhdonim të flisnim.E mora për të rrjedhur,për sklerotik,por qenka më psikolog se unë që jam e zanatit.
-Çfarë bisnesi ke patur?-s’munda të rri pa e pyetur , duke shkelur me të dyja këmbët urdhërat e dhëna nga drejtoresha.
-Gjithë jetën kam punuar violinist....
Më përmendi një numër të madh filmash të vjetër , ku ai kishte interpretuar me orkestrën.Po e vlerësoja shumë për çiltërsinë e të rrëfyerit,pasionin për artin.
Sinjali i derës së ashensorit më solli në vete.Ose duhet të zbrisnim prapë,ose të qëndronim e të vizitonim katin e fundit,ku apartamentet ishin si dhoma spitali për të sëmurët , të cilëve iu është prerë shpresa për jetën.
-Ku është zonja juaj,-u kujtova unë për qëllimin pse kisha ardhur në këtë kat.
-Ja,ajo...-zgjati dorën pa guxuar të afrohej dhe tëmthat i rrihnin mbi vetull.
Në një krevat të lartë prej hekuri,mbërthyer në serume dhe tuba për mbajtjen e tensionit,qëndronte me sytë gjysmë të mbyllur një grua çehreprishur.As jepte,as merrte dhe vetëm nga një lëvizje e lehtë dallohej që ende ishte në jetë
-U bënë tre muaj kështu.As ha,as pi.Po vuan shumë ! Nuk më njeh,nuk thotë një fjalë...
Teksa më fliste e ndjeva që mezi po e përmbante veten.
-Ikim.Vijmë përsëri më vonë,-e tërhoqa nga krahu për në ashensor.
-Ja , të të përcjell ty,se unë këtë punë kam.Do të vij prapë.Druaj se po më ikën pa më parë.Ma thotë zemra se do të bëhet mirë pas pak sa të më shohë dhe të lemë pikëtakim në botën tjetër.Se edhe atje bashkë do të jemi!Ah,ta dish kam patur jetë të lumtur me të.S’ka qenë siç e pe ti,të rrëgjuar,por zonjë e madhe...
Nga xhepi i një xhupi të gëzoftë që e mbante veshur , nxori një tufë fotografish.
-Shihe kur u martuam !Kjo tjetra-në një udhëtim në Paris.Këtu kemi dalë teksa ndiqnim Koncertin e Vienës në vitin e Ri,më 1969-të.Kjo është kulla e famshme në Tokio...Shihe vetë,dikur ka qenë e bukur.Shumë e bukur!E po ta njihje , do të të hynte në shpirt! Se ishte dhe shumë e mirë.
Ashensori u ul në katin e parë.Ai nuk zbriti me mua.
- Po shkoj prapë ta shoh...
Dera u mbyll dhe u gjeta përballë Endit.
-Ishe në katin e sipërm?
Pasi pa miratimin që i dhashë me kokë,vazhdoi:
-Të lutem zonjusha Sabi,kujdes në atë kat.Vër gjithjë dy palë doreza.Unë e kam të vështirë rë shkoj,s’mund t’i shoh njerëzit në atë gradë...
S’i dhashë shpjegime Endit.Të nesërmen e fillova punën njohëse për shtëpinë e pleqve hebrenj nga kati i fundit.Si gjithnjë , mister Xhimi ishte në ashensor.
No comments:
Post a Comment