(Mbi krijimtarinë poetike të Ndue Lazrit)
Fatmir Terziu
Poezia vazhdon të mbetet gjinia kryesore e letërsisë. Kjo shihet në faktin e lëvrimit të saj. Shpeshherë kjo varet nga cilësia dhe ndeshet në rrokadën e saj me sasinë. Në këtë mes Ndue Lazri ka ditur të fiksojë midis sasisë dhe cilësisë në krijimtarinë e tij. Gazetar i hershëm i viteve 70-të, një penë me një bagazh njohurish, filozofik në mendime, i qartë dhe komunikues në dhënien e mendimit dhe komentit të tij. Në poezi më racioanal, më poetik. E thënë me plot gojën, Lazri është një poet tipik. Përse e themi këtë? Le të shohim me rradhë e në detaj këtë veçori të tij. Poezia “Apokalips” me thjeshtësinë e fjalës së saj ka prurë vlerat e mëdha për të sfiduar rrjedhën historike e të ndryshimit të shijes letrare që nga koha kur ajo mbetet prezente si e tillë në historinë e krijimtarisë së tij. Sot poezi të tilla lexohen me lehtësi dhe quhen të arrira. Lazri gjen fjalën e duhur, gatuan kuptimin e saj filozofik, dhe trajton me një kursim prodhimtar atë që mijëra fjalë s’do ta bënin dot. Ai e quan këtë fillimshekulli të trazuar ‘e gërvisht botën si me thikë”, duke dhënë kështu një hapësirë të gjerë e të madhe, duke e kthyer dhe shndërruar atë në një poet tipik të fjalës së zgjedhur. Në këtë fjalëmesazhierë tipike janë edhe poezi të tjera të Lazrit, por poezitë e tij “Bregu dhe vala”, “Pritje”, “Dehje”, “Kolovajza”, “20 vjeçe”, “Të duash ty”, “Prehje”, “Mall”, “Në krahët e erosit”, “Në Luvër”, “Pranverë vieneze”, “Piramida”, “Kur ti je larg”, “Rastësi”, “Smeraldet”, “Lutje” etj janë të lidhura ngushtë me të veçantën e mbrusur hershëm prej tij në mendjen e tij të kthjellët e të pasur në mendime. Në këto poezi vishen elemente lirike, pra kemi një përzierje të llojeve tradicionale dhe moderne ku në mes është e fuqishme fabula.
Poezia e Lazrit ka marë nga tradicionalja mënyrën fabulative të krijimit (paraqitjen dhe lidhjen e ngjarjeve mes tyre) por të trajtuar me nota lirike, siç është poezia “Kolovajza” ose poezia “Smeraldet”. Në këto poezi elementët e saj janë shkrirë në mënyrë harmonike, kështu që ato mund të përfshihen lirshëm në kategorinë e poezive bashkëkokohore.
Poezi e plotësuar
Kur analizojmë poezinë “Apokalips”, natyrshëm shohim gjithë modulet e saj poetike. Në tërë kompozimin e saj kjo poezi është e plotësuar. Lexohet në mënyrë origjinale tek vargjet: “Ky fillim shekulli i trazuar/e gërvisht botën si me thikë,/dikush tulatet i frikësuar/dikush mbi qiejt mbjell panik./Por ja, me shfaqesh ti papritur,/dy buzë të njoma si elips,/edhe pse dukesh kaq e mitur/botës i sjell apokalips.”, pra tek dy vargjet e para dhe tek vazhdimi i saj ka një ndjesi harmonike të ndjeshme: “Globi humbet drejtpeshimin,/paralelet bëhen meridianë,/në hartë s'e gjej më orientimin,/asgjëkund tokë, veç oqeanë./Ti më afrohesh si kometë,/përmes hutimit tim kozmik,/me duart e vogla i largon retë/dhe diellin sjell me atë zë lirik:/-Jam çupkë e rritur, s'më shikon?/të vogël s'do më quash një ditë,/thjeshtë, si një fllad që ledhaton/për ty kam zbritur nga yllësitë./I çmendur je për çmendurira,/mua çmenduria me tundon,/le të fluturojmë nëpër hapësira,/ecë, vëri duart mbi timon.../...Që të na fshehë nga botë e marrë/i kërkoj diellit një eklips/dhe etjen shuaj në atë nektar/të buzëve të tua si elips.” Autori lexohet në këtë poezi origjinal dhe mund të quhet një autor mjeshtër i përdorimit të rimës së kryqëzuar, ku me të njëjtën rimë janë vargu i parë dhe i tretë, dhe më tej i dyti me të katërtin në çdo strofë të poezisë së Lazrit. Skema AB-AB e përdorur nga Lazri nuk është thjesht një tradicionalizëm i lëvruar prej tij, as edhe një mishërim ndikues nga krijimtaria paraardhëse, por një intuitë dhe logjikë poetike, që vjen në stilin e duhur, në veçorinë e saj. Duke lexuar Lazrin në këtë poezi natyrshëm gjej edhe pikëlidhjen me krijimtarinë e tij. Ai është sa i traditës, aq edhe i bashkëkohores. Poezia e tij është një modë me mjaft poezi të M. Emineskut, por edhe me krijimtarinë e vlerësuar të D. Agollit, S. Hamitit etj. E themi këtë se poezia e tij nuk është një ngjashmëri rimore, as edhe në sitën e fjalëve të përdorura, por edhe një krijimtari me sistem silabik (rrokjesor) që ka në përbërjen e saj vargje me numër të barabartë rrokjesh dhe theksash ritmikë. Në këtë mënyrë kjo poezi dhe mjaft krijime të tjera të Lazrit janë një veçori më vete për tu lexuar këndshëm. Krijimet e tjera të Lazrit mbartin larmi rrokjesh në vargun e tyre. Më i spikaturi është lëvrimi i vargut nëntërrokësh prej këtij autori, gjë të cilën e ndeshim tek Noli, Kadare, Poradeci dhe mjaft krijues të sotëm që lëvrojnë poezinë. Por nëse autori do të kishte më shumë kujdes në rrjedhën e ndërtimit të vargut, kjo poezi nuk do të ndihej disi e paplotë në vargun e saj të fundit, ku qënia e tij tetërrokësh (dikush mbi qiejt mbjell panik.) duket paksa problematike.
Tek dy poezitë e Lazrit, “Pritje” dhe “Dehje” bien në sy vargjet e matura duke mbetur në një mesudhë poetike midis vargjeve të bardha dhe atyre me rimë. Tek pritje poeti ka një ndikim më të theksuar nga gazetaria e tij e hershme dhe ideja e këtyre poezive është pikërisht e përafërt me profesionin e hershëm të poetit, por jo e palëvruar në stilin e duhur. Si e tillë ajo ka çuditërisht një aspekt tjetër tërheqës. Në këtë aspekt tjetër, poezia e Lazrit është shumë e fuqishme në mesazhdhënien e saj. Po të lexosh poezinë “Pritje” natyrshëm ndjehet qartë edhe mesazhi: “Tik-taku i ores/pret kadencën e hapave te tu/te zbresin zhurmshëm neper shkalle,/ndërsa tik-taku i zemrës/me thotë qe ti s'do bëhesh e gjallë./Dhjete, njëzet, tridhjetë.../minutat përtace/zvarriten e s'e besojnë kokëfortësinë/tek shohin kalkolatriçen e ftohtë/të verë serish në provë dashurinë./Tej dritares ti zbavitesh/tek lot rrezikshëm me veten dhe me mua./Unë makinën nis e them: "Te vejë ku të vejë"/i bindur qe s'e humbet luftën/ai qe ka humbur thjeshtë një beteje...”. Po kështu edhe tek poezia “Dehje”: “Une e ti/balleperballe ulur ne tavoline/dy gota alkooli/dhe cigarja jote thyejne monotonine./Rrathet e tymit/penetrojne lehte neper floket e tu,/ndersa avujt e alkolit/t'i mjegullojne syte e bukur blu./Une te veshtroj/e goten e çukas here pas here me ty,/format e tua/me format e gotes me nderthuren ne sy./Gjinjte e bardhe,/si dy kupa shampanje godasin trurin tim,/e zeri yt/me gurgullon thelle si nje gote me xhin./Une dehem/tek goten e perplas me tenden perseri,/s'me deh alkoli,/ajo qe ma mjegullon trurin sigurisht je ti.”
No comments:
Post a Comment