Monday, 24 November 2008

Letërsia shqiptare është e aftë sot që të konkuroj kudo




Shkruan nga Franca; Aleko Likaj


Kur me mikun tim Vasil Qesari, mbritëm në ambjentet e jashtëme të bibliotekës së Begles, lagje periferike në jug lindje të Bordosë, për të marrë pjesë në takimin me shkrimtarët shqiptarë, mbrëmja dukej se nuk e fshihte tisin e errët që posa kishte hedhur në atë çast. Njerëzit në atë obor dukeshin tashmë fluid , si një masë që zor se i a dalloje portretin, edhe pse mund që ti kishe vetëm tre a katër metro pranë. Në një makinë që na parakaloi, sapo në kaluam portën hyrëse në ambjentet e parkut të brendshëm të institucionit, dhe që qëndroi vetëm pak metro pranë nesh, dallova që nga dyert e posa hapura të saj të zbrisnin menjëherë, pesë figura njerëzish. Vasili që po manovronte ende në timon për të parkuar diku , më tha se, « kemi mbritur në kohë. Më duket se edhe ata sapo erdhën»
Njeriun e parë që dallova në atë mugëtire ishte Fatos Kongoli. Me një pallto të zezë, të shkurtër e me një kapele beretë që e mbante në dorë, të cilës i dallohej rrumbullaksia deri tek unë, që ende nuk e kisha mbyllur derën e opelit të Vasilit, shkrimtari dukej se, ende nuk kishte vendosur që të lëvizte për t’i u bashkuar shokëve të tij, që kishin lëvizur dy a tre hapa larg mjetit që i solli
I thirra në emër, dhe ai në çast u kthye nga ne. Zgjati koken përparta, sikur kërkonte të shquante më mirë në atë gjysëm errësirë, e nxorri dorën e majtë për ta vënë si strehë mbi vetulla në ballë.
- Eshtë e pabesueshme –i thashë që andej ku isha, me të cilin më ndante një tis mbrëmje nëntori, pothuajse e padukshme. – Por , ja që edhe mund të takohemi mbi tre mijë kilometra larg Atdheut tonë të shtrejtë.
- C’farë suprize, Aleko-o-o
U gjendëm në krahët e njeri tjetrit, gjithë mall
- Eshtë miku im shqiptar. Gazetar dhe shkrimtar, që po e takoj krejt rrastësisht pas shumë vitesh këtu, në Francën tuaj.
- Quelle suprise – tha gruaja që e shoqëronte nga Parisi, dhe që ishte një përfasuese e «Les Belles Entragierées»
Pasi kishte përfunduar ai takim prekës e mbresëlënës, dhe lexuesit e shumtë që kishin marrë pjesë aty, ishin larguar tashmë, gjeta rastin që të bëj këtë bisedë posaçërisht për lexuesin e «Albania e-mail» dhe miqtë e mij krijues me të cilët komunikoj në internet.


Fatos, edhe pse duket si suprizë takimi ynë në këtë jug-perëndim të Francës, pas 7 vitesh që nga biseda jonë e fundit midis miqsh të hershëm në Tiranë, ky aktivitet i "Les Belles Etrangierées», është një befasi e këndëshme", në Bordo, në mes të lexuesit francez që të do dhe të rrespekton shumë. A kishte më shumë emocion se sa e ke menduar ndonjëhërë?


Vërtete Aleko që ndjehem i emocionuar. Franca me lexuesin e saj të mrekullueshëm është disi e veçantë. Do të thoja, ndoshta e vetme, në një farë mënyrë në llojin e vet. Eshtë bërë e behet një letërsi e madhe në këto troje, dhe s'ka se si te mos spjegohet, që ky vënd ka nxjerrë kolose në fushën e mendimit estetik por edhe në atë të letrave. Nuk mund që të mos kuptohet një letërsi pa Hygoin, Balzakun Duman, Floberin, Mopasanin, Zhyl Vernin, Zolanë, Mopasanin, Anatol Franc, Kamy e deri më të vonët, pa i hequr asnjë presje edhe shkrimtareve konteporanë. Nuk është rastësi që nobeli i letërsisë se sivjetshëm preku sërrish Francën. Me këtë do të thoja, se, letërsia e madhe bëhet atje ku ka lexues po të këtyre dimensioneve. Eshtë një popull që lexon në çdo kohë, në çdo vënd, ku të jenë. Ka një traditë të mrekullueshme. Unë kam kohë tashmë që jam i pranishëm përpara këtij lexuesi të mrekullueshëm me romanet e mija. Gjithmonë kur vij në Francë e ndjej këtë fakt, dhe e përjetoj si një detyrim të madh përpara tij.
Ndërsa takimi me ju, ka qenë një nga momentet më të veçantë të këtij udhëtimi në tokën franceze. Kjo për faktin se më ka dhënë një sadisfaksion duke patur përpara një mik, me të cilin kemi një njohje të vjetër, që nga fillimi i viteve 70 të. Kujtoj metalurgjikun dhe atë kohë kur kalonim mes kantjeresh që hidhnin shtat, pastaj kam qenë edhe botuesi yt, kur shkruaje për fëmijë. Apo jo i dashur Aleko? Kemi kohë që nuk jemi parë, sepse nuk kam patur asnjë informacion për ju, që mund të të gjëja këtu. Qënkeni mirë.Kjo mjafton. Paska edhe shqiptarë të tjerë. Ndjehem i lumtur.


Ne 20 vjetorin e "Les Belles Entragierées" ; janë zgjedhur edhe dy shkrimtarë shqiptarë për tu pronovuar në këtë përvjetor, krahas 44 autorëve nga 18 vënde të tjera, ndërkohë që gjatë kësaj peridhe në Francë ; janë botuar rreth 600 krijues nga e gjithë bota, shifra këto, qx janë publikuar në një botim special me këtë rast. Do ta konsideronit privilegj këtë përzgjedhje?


Eshtë privilegj padyshim, që unë me poetin Agron Tufa vijmë e pronovojmë letersinë shqiptarë, por edhe krijimet tona në këtë eveniment, që gjithësesi konsiderohet jubilar. "Les Belles Entagierées" ka mundur që të nxjerrë përpara lexuesit francez mbi 14 autorë shqiptare si Dritëroi, Vath Koreshi, Besnik Mustafai, Neshat Tozaj, Mimoza Ahmeti, Preç Zoga, Ilir Bezhani e të tjerë, të cilët e kanë përfaqsuar denjësisht letërsinë shqiptare në këtë vënd.. E rëndësishme është se, Franca ka mundur që të bëjë zbulimin në këtë rast, dhe e ka përcjellë tek lexuesi i saj. Me sa dij, autorët tanë janë pritur mirë. Këtu nuk egziston sindromi se, një vënd i vogël si Shqipëria, nuk mund që të ketë e të bëjë letërsi.


A mund që ta konsiderojmë se Kadareja e la portën hapur për të tjerët, kur u bë i njohur në fillim me "Gjeneralin e ushtrisë së vdekur", e pastaj me veprat e tjera të cilat e çanë terrin komunist?


Natyrisht që ka qenë një dritare, ku francezët zgjatën kokën, për të parë se ç'kishte përtej mureve të ftohta të saj. Bënë zbulimin.Këto vite realisht, letërsia jonë është ballafaquar. Unë do ta konsideroja të sukseshme, sepse ajo ka qenë përballë letërsive të vëndeve të tjera, si atë të Ballkanit, dhe më gjërë. Pa asnjë dyshim më të vogël, do të pohoja se, ka qenë dinjitoze në shumë konkurse apo në pronovime , qoftë edhe si ky i kësaj mbrëmje. Ju e patë se sa interes kishin poezitë e Agron Tufës ku u deklamuan, dhe se si i priti lexuesi francez që ishte i pranishëm në sallë. I shijoi dhe i duartrokiti.Kjo të gëzon, se para së gjithash vlerësohet letërsia e arti i vëndit tënd. Letërsia shqiptare është sot e aftë që të konkuroj kudo.


Fatos, thuhet se në këtë periudhë në Shqipëri nuk lexohet, edhe pse ka një lloj "bumi" botimesh që mund të konsiderohet rekord. Ka shumë tituj që dalin nga shtëpitë botuese, për t ‘mos folur pastaj për nivelin, pasi , kush ka para boton diçka. Në qoftëse do ta quaja artistikisht "xhungël", a mund që të themi se letërsia e vërtetë ka mbetur në një grusht autorësh, apo rreth, si mund ta quajmë?


Unë mendoj ndryshe këtu. Ky nuk është fenomeni shqiptar. Në një shoqëri të hapur ka edhe shumë botime, pavarsisht nga cilësia që ti e paske shqetësim. Diferencat i bën vetë lexuesi. Kështu ndodh përherë e kudo. Ja bie fjala, këto kohët e fundit kanë ardhur në tregun e librit edhe autorë të rrinj, në se do ti quaja kështu, si Bushi e ndonjë tjetër, që pëlqehen. Natyrisht që do të vinë të tjerë. Francezi, thotë; "c'est la vie"


Për tu shkëputur nga kjo atmosfere e letërsisë sonë, të cilen ti ke ardhur për ta promovuar së bashku me veprën tënde, le të kthehemi sërrish tek Franca. Konkretisht tek aktiviteti që u solli këtu në Francë.


Po , së bashku me mikun tim poet Agron Tufa, kemi qenë të ftuar në disa aktivitete të planifikuara në jubeleun e "Les Belles Entragierées" E filluam më Parisin dhe në dy qytete të tjera në periferi, si dhe në një burg, ku na thanë se lexohej shumë. Zbritëm në vëndin e baskëve, Bajonë, qytet shumë i bukur përballë oqeanit Atlantik. Sonte ishim këtu, dhe nesër na duhet që të udhëtojmë me tren për në veri të Francës. Jemi pritur mirë, dhe e kuptoj se letërsia jonë njihet. Ky nuk është konstatimi i parë që bëj në këtë vënd. Jemi vënë përballë interesimit të vazhdueshëm të lexuesit francez . Eshtë një aktivitet dy javor ditët e të cilit po mbarojnë, dhe do të na duhet që të kthehemi shpej në Tiranë, ku pritet që të çelë portën panairi i librit.


Kur mbrita para 7 vitesh këtu në këtë qytet, menjëherë më dërguan në një formacion gjuhe, pasi unë nuk e njihja gjuhën frënge më parë, dhe për çudi, mësuesi im i parë i kësaj gjuhe, Franku,një tridhjetepasëvjeçar, më tha në gjysëm frëngjisht dhe gjysëm shqip, se u njihte ju,. njihte veprën tuaj të botuar këtu në France.U lexonte. Unë u ndjeva mirë kur të përmëndi ty, jo vetëm pse në njiheshim e ishim miq prej shumë kohësh, por se ai si lexue,s njihte dhe lexonte letërsinë e vëndit tim. Romanin tuaj, "Lëkura e qenit " që ma sollën nga Shqipëria ja fala Frankut, të cilin ai po e shijon edhe shqip, pas variantit frëngjisht që e ka gjetur në librari, sepse ai ka mundur që të mësoj edhe gjuhën tonë, për shkak se ka qenë mesues i gjithë shqiptarëve ,për disa vite me rradhë, këtu në Bordo.


Kjo më kënaq tani, por edhe verifikon konstatimin tim që përmënda pak më parë. Faleminderit.


Kritika shqiptare sot, krijimtarinë e Kongolit e ka futur tashmë në elitën e letrave shqipe, si një nga shkrimtarët e sotëm jo vetëm më produktivë, ndër më të suksesshmit brenda dhe jashtë vendit, por njëherazi, më përfaqësuesi i periudhës së tranzicionit, duke i konsideruar romanet tuaja, si romane "që kanë përjetuar iteres të pazakontë në rradhët e lexuesve. Madje, ajo ka gjetur jehonë në disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha europiane si Le Monde, Le Figaro, La Stampa, Le Temps, Le Soir, L'Express, Magazine Littéraire, Der Tagesspiegel, etj. Jeni tri herë fitues i çmimit vjetor për librin më të mirë në prozë dhënë nga Ministria e Kulturës (1995, 2000, 2002), si dhe i çmimit Velia (2000). Fitues i çmimit ndërkombëtar "Balkanika"-2002. Jeni fitues, gjithashtu, i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri "Penda e Artë" (2004). Shoqata e Botuesve Shqiptarë u ka vlerësuar me çmimin "Shkrimtari i vitit" për 2006-ën, ndërsa romani "Lëkura e qenit", përkthyer në gjermanisht, u shpall libri i muajit qershor 2006 në Gjermani.A ndjeheni mire nga e gjithe kjo biografi letrare dhe vleresime që është për tu pasur zili nga autorë të tjerë shqiptarë?


Ju falenderoj edhe një herë që po mi përmëndni gjithë këto.Nuk më vjen mirë që të flas për veten time. Mund që të kalojmë më tej.

Fatos, vlerësoj modestinë tënde, cilat janë veprat që ka në dorë lexuesi Francez?

Do të veçoja romanet, "I humburi", "Kufoma", "Dragoi i fildishte"," Endëra e Damokleut", "Lëkura e qenit", "Jetë në kuti shkrepse" dhe "Tirana blu" që sapo e promovova edhe këtu,. përkthyer nga Edmond Tupia. Në Francë fillova që të botohem pas vitit 90 të, ndërsa kisha shkruar dhe botuar disa romane, novela dhe tregime në Shqipëri, që nga fillimi i viteve 70 të. Në atë kohë kur jemi njohur bashkë, Leko, atje në metalurgji.

Paske nostalgji për metalurgjikun.

Jo. Po kjo lidhet me një periudhë të vështirë të jetës sime, të cilën e kam përjetuar atje. Ti e di mirë, kur me dënuan babain...

Mbase kapërceva pak, le të kthehemi atje ku e lamë bisedën përgjysem. Pra, tek botimet tuaja këtu në Francë. Në ç'vënde te tjera kanë gjetur përkthime ato?.

Pas Francës, kanë qenë Italia, Zvicëra, Greqia, Gjermania, Polonia, Sllovakia, Bullgaria e Serbia.

Për lexuesin shqiptar të Londres e Britaninë e Madhe, të gazetës " Albania e-mail", kush është Fatos Kongoli?

Kam lindur në Elbasan. Kam studiuar për matematikë, pjesërisht në Pekin, pjesërisht në Tiranë, ku jam diplomuar në vitin 1967. Kam punuar për një kohë të gjatë si gazetar letrar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese "Naim Frashëri".Tani në pension. Krijoj.


Në se nuk është sekret, cili është krijimi juaj i fundit që ende nuk e ka parë dhe pret dritën e botimi,t apo është në procesin e tavolinës?


Mund që ta bëj publik; At'here, një roman që merr një temë nga periudha e tranformimit dhe tranzicionit, të cilin paraprakisht e kam quajtur, "Enigma e madhe". Eshtë një titull provizor që edhe mund të ndryshohet. Ky roman shpresoj se mund që të vejë tek lexuesi brenda vitit 2009.


Dhe së fundi, për emigrantët që do të lexojnë në këtë bisedë miqësore, në gazetën që të përmenda pak më sipër, por edhe në listat internetike, ku ka edhe krijues që i mungojnë Shqipërisë, të paktën fizikisht.


Dua që ti përshëndes dhe ti uroj përzëmërsisht që të gjithë; jetë të lumtur, dhe paçin sa më shumë fat në përballjen me një realitet krejt të ri, që është plot sakrifica dhe privacione të panumërta.


Faleminderit


No comments: