Sunday, 9 November 2008

Dallgë të ëmbla nën avuj



Tregim

Fatmir Terziu

Ishte kohë të korrash. Gruri ishte bërë det. Koha mbante mirë. Avuj të nxehtë dilnin nga grykat përqark dhe pastaj afshonin mbi pllajë. Arrëzat nga Kodra e Mavijosur dukeshin si një det me dallgë të ëmbla nën avuj. Ne rrëkëllenim nga një gotë raki thane, teksa një zë e prishi qetësinë. Ai zë shoqërohej me një jehonë grykash. Pastaj erdhi në veshët tona një zhurmë. Pas asaj zhurme filloi një fllad i freskët. Një puhizë. Një shi i imët.
“Eh shi, ky na duhej tani?!”- foli Rimi.
“Shi? Të keqen e shiut thuaj, po breshëri. Breshërit ç’do t’i bëjmë…”, - shtoi Lika.
Dhe prapë tek rakia. Rakia na shijonte. Rakia nisi të përshtatej më shumë me shiun. Mes atij flladi gllënkat e saj në fyt rrëshqisnin më me nge. Shihja në shishen e kristaltë prej qelqi se si rruzonte ajo. Pastaj ktheja sytë nga suleta e rezervuarit të ujit se si pikat e ujit binin e cifloheshin në stërcifla të vogla. Se si lexova për pak mes këtyre rruazimeve dhe ciflave fatin e kokrrës së grurit. Ah, thashë me vete sa ndryshe qëllon në këtë formatim. Kokrra e grurit të ngjajë me këto cifla uji, me këto rruazime rakie? Dhe prapë instiktivisht sytë më paliteshin herë mbi rruza rakie e herë mbi stërkala të cifluara shiu. Rruzat e rakisë jepnin e mernin me njëra-tjetrën. Përplasnin njëra-tjetërën. Pastaj në këtë përplasje tentonin të garonin ngjitjet në majë të poçit. Secila synonte të ishte më lart. Çdo rruzë sakrifikonte deri në zhdukje të gjendej në sipërfaqe. Dhe pikërisht aty ku binte në sy ajo pamje rruzore, si në një valle rakie. Ndërsa stërkalat e shiut binin mbi çimenton e betontë të suletës dhe transformoheshin. Humbisnin deri në identitet, teksa ngjiteshin mbi llamarinën e valët të WC-së së kantierit të Ndërmarjes së Ujësjellësit të zonës. Aty mbi atë llamarinë të ndryshkur pastaj gjeje mbetjet e këtyre stërkalave të ciflosura. Trupi i tyre i kokërzuar transformohej në llamarinë dhe deri sa avullonte nën atë vlagë Gushti, mbetej aty në forma të ndryshme. Herë pikturoheshin zhapikër, herë krijesa gjithëfarëllojesh, veç pa emër mos ti lije e herë grumbuj mizash. Ndërsa në ajër bashkë me avullin që dilte nga rakia dhe llamarina dukej sikur ato grumbuj e grumbuj mizash bënin festë në korr. Mizat e shiut pastaj zhdukeshin andej nga ku pllaja me grurë ngjante me një det befasues. Grurin, në fakt, veçse e imagjinoja. Imagjinoja se si ajo kokërr gruri do të ndjehej nën këtë pushtet laganak të stërkalave të shiut. Aq më keq nën atë ushtri të mbaruar mizash në avullim.
“Do të shkërmoqet!”,- fola me zë, një zë të cilin e kisha lëshuar padashje, se në fakt nuk doja të meresha me ato rruza rakie në poç qelqi e as me ato stërkala shiu turfullak në kohë të korrash.
“Bereqeti, bereqeti…”, - thashë pastaj.
Rimi dhe Lika vazhdonin në të tyren. Kishin ngrehur një makara me filispango në veshët e tyre dhe njëri në një anë dhe tjetra në një anë tjetër po eksperimentonin se si zhurmojnë mizat. Këtë e kishin kopjuar gjetkë në leximet popullore dhe e kishin në mendje ta bënin eksperiment për shkencë. Ky ishte në fakt sebepi i atyre rruzave në atë poç qelqi. Herë-herë ata mblidheshin nën atë poç, me ato rruza rakie që xixëllonin dhe herë-herë nga avulli i rakisë kërkonin zhurmimin e mizave. Dhe ashtu me makara në dorë provonin shumë lloje zhurmash. Pastaj mbanin shënime. Në njërin nga blloqet e tyre të shënimeve, aty ku mbanin poezi, tregime dhe shumë lloje prozash korespedence kishin edhe shënimet për mizat. Të dy ishin të vonuar në këto eksperimente. Edhe pse diku kishin kohë që trokisnin ‘miqësisht’ t’u botoheshin shënimet për zhurmat e mizave, ata ndjeheshin si të vonuar të nxituar për të eksperimentuar për zhurmën e tyre. Dhe pastaj flisnin ashtu me rruza rakie nëpër gojë. Kur panë se eksperimenti u ngeci në kodër mes makarasë së drunjtë qielli ishte pastruar. Dielli ishte sërrish si saç mbi kokat e tyre. Dhe menjëherë zhurmat që u dëgjuan andej nga Pllaja e Lirë ishin mes bereqetit. Po korrej.
“Ata filluan korrjet!”, - tha Rimi.
Lika tundi paksa balluket e saj të zeza dhe nxorri një bllok si me inat dhe në vend të fjalës lexoi një nga poezitë e saj. Por edhe Rimi nuk dëgjonte më. Ai e kishte dëgjuar aq shumë atë, sa këto poezi tashmë i ngjanin si zhurma kungujsh të tharë në veshët e tij. Ajo pastaj zhubrosi fletën e bllokut dhe iu var kodrës tëposhtë, andej nga zhurmat e korrjeve vinin si jehonë dhe zhurmat e mizave ende i kishin zënë veshët.
Rimi mbeti vetëm. Në heshtje mendonte të rinte më gjatë. Por kjo ndejtje i dukej e dyshimtë. Aq më keq që Lika ishte avulluar si stërkalat e shiut që avullonin nën atë llamarinë banjoje kantieri. Herë fuste kokën e herë e fshihte atë. Kjo e bënte më të dështuar. Qëllimi i ishte zbuluar teksa edhe andej nga e kishin thënë një fjalë, tashmë po hezitonin për shpirtngushtësinë e tij. Dhe kështu ia nisi prapë rakisë. Këtë herë një rakie tjetër. Raki që në fakt i dukej sikur e pinte, por që në fakt e imagjinonte, aq sa për të treguar se ai tashmë është ‘burrë’ mes ‘burrash’ të letrave. E kështu bëri disa herë. Disa herë… Deri sa dështoi dhe me mizat. Kjo është një mesele sa për të qeshur aq edhe për të ardhur keq për të.

***

“Dushin! Shpejt dushin!”, - urdhëroi gruan.
Gruaja brofi menjëherë. Lëvizi perden. Gjithandej ishte errësirë. Pastaj e mbuloi dhe u shtri prapë. Sytë iu mbyllën menjeherë. Ishte pak pas mesit të natës dhe deri atëherë ishte marë me të.
“Qenka bërë durduq!” “Qenka lagur!”
Dhe sa e zuri gjumi ishte sërrish zëri i tij. Kësaj rradhe nuk u mor vesh se ç’tha. Ajo fshiu sytë dhe lëvizi nga krevati. Ndezi dritën dhe pa veten në pasqyrë. Ishte mbytur në djersë. Pastaj iu afrua atij. Ai ishte i ftohtë si akulli. E shkundi. Ai sërrish foli.
“Mizat, mi…s…at”!
“E ku janë mizat, apo mos e ke fjalën për misat që të shqetësojnë?”, - tha ajo.
Ai ishte kapllosur në botën e tij. E lagura e ditës i kishte bërë efektin e tejkaluar. Kjo e natës e bënte më të akulltë shpirtësinë e tij. Kështu efekti i saj ndjehej edhe në atë natë errësirë. Ndjehej edhe në gjumin e tij të ngarkuar me avuj.
E shoqja po bënte xhiron e tretë nëpër dhomë, kur ai foli sërrish. Kësaj here foli me rrokje.
“Ku – nguj”.
Dhe prapë në të tijën.
“Llampat”.
“Ku-nguj”, “Ku-nguj”, “Ku-nguj”…
“Llampat…”
Ajo po mbyllte veshët. Eh tha, pastaj me vete, si ore ky… S’donte ta nxirrte atë fjalë. “Po llampat përse i duhen… ah, se desh harrova këto i ka nga profesioni i tij, ndaj i kujtohen edhe mes këtyre avujve në ikje.”, - foli ajo dhe mbylli veshët me pambuk.
Që nga ajo ditë atij tani avujt i janë bërë pjesë e jetës. Dhe mes avujve a nuk ka të drejtë njeriu të ngatërrojë veten me objektet që e rrethojnë?

No comments: