Thursday, 6 March 2014

HEROIZMI I FAMILJES JASHARI















Kronikat e luftërave dhe dëshmitë mbi heroizmat e ndodhura gjatë zhvillimit të tyre janë të shumta dhe të ndryshme,ashtu siç ndryshojnë popujt dhe sakrificat e çlirimit të tyre kombëtar. Megjithatë, deri më tani nuk na ka rënë të lexojmë ndokund apo edhe dëgjojmë nga dikush,të ketë pasur edhe një rast të tillë apo të ngjashëm, në kronikat e kohërave nga cilado luftë qoftë, të zhvilluara për çlirime vendesh dhe liri popujsh edhe tek kombet më të mëdha,siç është rasti i veçantë i sakrificës së pashembullt dhe vetëflijimit heroik të tërë Familjes Jashari nga Prekazi i Drenicës, për lirinë e Kosovës.
Nuk ka edhe një familja tjetër e cila të ketë bërë një shembull kaq sublim heroizmi dhe një akt të tillë të papërsëritshëm vetëflijimi kolektiv, ku do të binte e tërë familja,me të rritur, pleq, gra dhe fëmijë,duke u shkrirë në zjarrin e një lufte  që të gjithë për një herë dhe në një betejë të vetme për mbrojtjen e nderit familjar, ndërgjegjes kombëtare,lirisë së vendit dhe të shqiptarëve në përgjithësi, siç ishte rasti me familjen heroike Jashari.
Flijimi i tyre është vepër e shenjtë e pashembullt dhe e papërsëritur, e cila kalon të gjitha përmasat e një vetëflijimi të rëndomtë, të njohur nga e kaluara e afërt dhe ajo e largët, jo vetëm në historinë e kombit tonë, por edhe te kombet e tjera më të mëdha, duke u kthyer në mit për të gjitha kohët si dhe në të gjithë hapësirën kombëtare shqiptare dhe më tej.
Kjo rrënjë e burimit shpirtëror të atdhetarizmit vetëflijues kombëtar, me bëmat e saj mbinjerëzore dhe kolektive familjare, ia ktheu nderin e humbur popullit të robëruar shqiptar për afro një shekull nga sllavët, duke u dëshmuar me heroizma të përmasave bibliko-historike në çastet më vendimtare me luftën e saj të paepur deri në vdekje për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Sakrificat e pashembullta familjare në luftën për liri dhe heroizmat e flijimi të këtyre përmasave të papara deri më atëherë, stimuluan një solidaritet të madh dhe të pashembullt gjithëshqiptar dhe përfituan mbështetjen e shtetit amë, Shqipërisë si dhe përkrahjen ndërkombëtare për çlirim nga Serbia. Këto sakrifica ndryshuan njëherë e përgjithmonë për të mirë kahen e historisë sonë më të re,ngase flaka e zjarrit të luftës së kësaj familje dhe bashkimi i forcave kombëtare, e vunë çështjen tonë madhore në ecje më të shpejt dhe të drejtpërdrejt në rrugën e cila çonte kah liria e shumëpritur.

Me gjithë flijimet e tilla të familjes Jashari, e cila u ringjall si Feniksi nga hiri i heroizmave të saj për liri, sakrificave të panumërta edhe të shumë familjeve të tjera shqiptare dhe rënies së shumë dëshmorëve nga të gjitha trojet tona për lirinë e vendit, Kosova edhe pas kaq vitesh nga këto ngjarje të jashtëzakonshme në historinë më të re shqiptare dhe evropiane, dhe shpalljes së Pavarësisë së saj, mjerisht, as sot nuk mund të quhet plotësisht e lirë dhe në tërësi sovrane, derisa 30 % e territorit të saj,ende sundohet nga bandat kriminale dhe policia e Serbisë.
Në Kosovë edhe sot gjenden dhe dallohen qartë gjurmët e luftës edhe pas kaq vitesh të rënies së familjes Jashari, jo vetëm te shtëpia muzeale e Adem Jasharit, ku muret dhe shumë gjëra të tjera përreth mbajnë shenjat e plumbave dhe të djegieve, njëjtë si eshtrat e të vrarëve dhe veshjet e tyre të copëtuara nga lufta, pamja e të cilave vret edhe sot, njëjtë siç vret zemrat e nënave dhe baballarëve të të pagjeturve, moskthimi politik dhe tendencioz i afro 2000 shqiptarëve të vrarë dhe të kidnapuar nga Serbia.
Edhe 16 vjet pas rënies së Adem Jasharit dhe katër vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, për të pagjeturit,ende nuk ka asnjë gjurmë, që na bën t’i kujtojmë edhe sot me shumë dhimbje të madhe, që të gjithë.
Sakrificat e pashembullta të luftës për liri,heroizmat e flijimi të familjes Jashari, ndihma gjithëshqiptare dhe përkrahja e shtetit amë, Shqipërisë, ndryshuan për të mirë,historinë tonë më të re, të cilën flaka e zjarrit të luftës dhe bashkimi i forcave kombëtare e vunë Kosovën në ecje drejt rrugës, e cila çonte edhe atë kah liria e saj e shumëpritur.
Ky nderim u përket gjithë shqiptarëve të të gjitha trojeve etnike, si shembull i arritjes së lirisë së mohuar, të cilën Kosova me sakrificat e veta dhe ndihmën e NATO-s më në fund e realizoi. Ajo arriti të çlirohet nga Serbia dhe të shpallet shtet i lirë dhe i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht,tanimë nga mbi 100 shtete anembanë botës,për të cilën në kohën kur shpresonim se më në fund do të lirohet edhe nga mbikëqyrja ndërkombëtare e përfaqësuesve të OKB-së dhe Bashkimit Evropian,mu atëherë asaj iu zu fryma edhe me fusnota, të cilat kush e di kur dhe si do të hiqen ato....
Çështjet madhore kombëtare duhet ta bashkojë politikën shqiptare sot dhe në çdo kohë, e cila kur janë në pyetje çështjet madhore të kombit,politika shqiptare kudo,nuk guxon të jetë e përçarë asnjëherë, ngase shqiptarët me gjithë Shqipërinë shtet të lirë dhe Kosovën e pavarur, ende vazhdojnë të mos jenë faktorë vendimtarë dhe as vendimmarrës në Ballkan e aq më pak në Evropë.
Kosova e pavarur nuk ishte ëndërr vetëm e shqiptarëve të Kosovës, por e të gjithë shqiptarëve kudo janë,ndaj megjithëse ajo tanimë është bërë shtet i pavarur, çështja shqiptare nuk mund të quhet e zgjidhur përfundimisht, përderisa nuk janë të çliruara të gjitha trojet shqiptare, për të cilat luftoi me aq vendosmëri edhe "Baca" Adem Jashari.
Ai nuk luftoi vetëm për Pavarësinë e Kosovës, por për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, realizimin e të cilave nuk e arriti, edhe pse s’u ndal së luftuari gjatë gjithë jetës së tij, për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare me shtetin amë, Shqipërinë që ishte edhe BETIMI i tij ushtarak,para se të nisej në çdo aksion lufte.
Por megjithatë,derisa qëndrimi i Serbisë ndaj shtetit të Kosovës, edhe më tej mbetet armiqësor, Kosova përveç trashëgimisë së hidhur nga e kaluara, ka shumë probleme edhe me pavarësinë e cunguar, ngase me flamurin e ri u zyrtarizua jo vetëm ndarja e Kosovës nga Shqipëria, por edhe ndarja "zyrtare" e kombit më "dysh",me vetë faktin se shqiptarët e Kosovës, tanimë jo vetëm se kanë një flamur tjetër të imponuar nga Bashkësia Ndërkombëtare , ndryshe nga ai kombëtar me të cilin luftoi Adem Jashari për liri, por ata me pranimin e këtij flamuri,edhe pa dashjen e tyre, gjithnjë e më rrallë quhen shqiptar dhe identifikohen me emrin kosovarë, nga të huajt.
Këtë me siguri nuk e deshën ata që kanë dhënë jetën në ditët më të vështira për vendin dhe derdhur gjakun për lirinë e shqiptarëve. Këtë nuk mund ta donte as Adem Jashari dhe nuk mund ta aprovojnë as shqiptarët, të cilët kundërshtuan gjithmonë qëndrimet e padrejta të fuqive të mëdha, për copëtimin e pa drejt të trojeve tona, dhe mospranimin e çështjes sonë kombëtare as në Kongresin e Berlinit të vitit 1878,vendimet e padrejta të të cilit bënë ndarjen e disa tokave tona nga shteti amë,kurse Konferenca e Ambasadorëve në Londër me 1913, vendosi që mbi gjysma e trojeve shqiptare, të mbeteshin jashtë Shqipërisë.
Është e ditur për të gjithë ne, se copëtimi i trojeve shqiptare për shumë bashkëkombës tanë u kthye në tragjedi kombëtare,ngase shumë pjesë të kombit nuk arritën t’i mbijetonin copëtimit, i cili u bë shkak i dhembjeve dhe vuajtjeve të mëdha afro njëshekullore për popullin shqiptar nën pushtimin e shteteve hegjemoniste fqinje si atë grek dhe sllavë.
Kjo edhe i detyroi shqiptarët të ngriheshin kundër padrejtësisë së ndarjes dhe copëtimit të dhunshëm të trojeve tona, në luftë për çlirim dhe bashkim kombëtar, e cila asnjëherë nuk pushoi deri në historinë tonë më të re.
Madje tanimë edhe ne jemi bërë dëshmitarë të tragjedive të mëdha me flijime dhe sakrifica të pa shembullta, deri në shkrirje masive të familjeve shqiptare për mbrojtjen e atdheut dhe pragut të shtëpisë, duke vdekur të pathyer në mbrojtjen e tij dhe pa ia kthyer shpinën armikut për asnjë çast, qoftë edhe me çmimin e vdekjes kolektive familjare për çlirimin e atdheut të pushtuar.
Sipas historisë kombëtare e ndërkombëtare, derisa përfaqësuesit shqiptarë në Konferencën e Londrës mungonin dhe fjala e tyre nuk dëgjohej aty ku vendosej për të ardhmen e shteteve të Ballkanit, ndarja e trojeve shqiptare me 1913 përfundoi pa kundërshtime, duke u ngushëlluar me vetëm një deklaratë të ministrit të atëhershëm të Jashtëm britanik, Eduard Grei, i cili në fund të Konferencës së Londrës, kishte deklaruar: “Sot morëm një vendim të padrejtë ndaj shqiptarëve që herë do kur, ne duhet ta rregullojmë ”!
Ndaj, është shumë e çuditshme se si ka mundësi që tani shqiptarët ta pranojnë vetë ndarjen,derisa është e njohur për të gjithë se për mbrojtjen e shtetit amë dhe forcimin e pozitës historike të popullit shqiptar në tërësi, përveç luftërave kombëtare, na u dashtë edhe ndihma e madhe e miqve tanë, e cila pati rol vendimtar për mbijetesën e kombit tonë nëpër kohë, sidomos ndihma nga SHBA, e cila pas letrës së dërguar Presidentit amerikan Woodrow Wilson nga Hasan Prishtina në vitin 1919, ai edhe do ta shpëtonte Shqipërinë nga copëtimi i mëtejmë, siç vendosi Presidenti Bush më 2007, për Pavarësinë e Kosovës dhe të njohjes ndërkombëtare të saj,ashtu siç ndihmohet edhe tani për shtimin e numrit të njohjeve që i duhen edhe më tej vendit tonë.
Përkundër terrorit që përjetonte Kosova nën pushtimin serb, në kohën kur vetëm mund të ëndërrohej për pavarësinë e trojeve të pushtuara shqiptare, me emrin e Adem Jasharit në gojë dhe bëmat e tij heroike në zemër, mijëra shqiptarë nga të gjitha anët u hodhën në luftë e demonstrata masive, duke përvetësuar ndjenjat patriotike për lirinë e dëshiruar për një shekull, të cilën na u desh ta pritnim aq gjatë për të përjetuar shijen e lirisë së arritur dhe gëzimin e realizimit të shtetit të pavarur, shije këto të cilat deri atëherë ne akoma nuk i dinim.
Vendosmëria për çlirimin dhe bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare, u vulos me historinë madhështore kombëtare të familjes Jashari, e cila u shkrua pa fjalë të mëdha, thjesht dhe pa mburrje, e cila aq bukur mbart mbi vete dëshminë e asaj historie,që ushqen me aq krenari lavdinë e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, të cilët në çastet më vendimtare, dhanë edhe jetën për lirinë e Kosovës.
Falë gjakut të Familjes Jashari, shokëve të Ademit dhe bashkëthemeluesve të UÇK-s, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu, e të tjerëve, të cilët ranë heroikisht, më 31 janar të vitit 1998 në një pritë të organizuar nga forcat e pushtuesit serb, viktimave të Reçakut dhe gjithë dëshmorëve të luftës anembanë trojeve shqiptare, të cilët janë lavdia e kombit tonë, sot Kosova është e lirë.
Por pas dëshpërimeve të njëpasnjëshme nga udhëheqjet e paafta, të cilat vendit nuk i sollën prosperitet, por varfëri, korrupsion dhe izolim total për Kosovën, duke mbytur kështu shpresat e dikurshme të popullit për begati familjare dhe lëvizje të lirë me pasaportën e shtetit tonë të pavarur, anë e kënd botës, te shqiptarët e dëshpëruar sikur ka ndryshuar çdo gjë, që nga sjelljet, humori, hareja dhe këngët tona dikur të bukura, të cilat sot,pothuajse janë bastarduar tërësisht dhe gati nuk ekzistojnë fare.
I vetmi i pandryshuar dhe i përcjellë me pietetin e merituar monumental ndër vite, mbetet kujtimi i paharruar i veprës heroike kombëtare të familjes Jashari, dhe heronjve të luftës së UÇK-së, të cilët janë kthyer në mit me vlera muzeale gjithëkombëtare,me të cilët identifikohen shqiptarët e të gjitha trojeve, që e sollën Kosovën deri këtu.

Qëndresa e Familjes Jashari

Dhjetë vjet pas shtetrrethimit të Tahir Mehës nga policia dhe ushtria serbe, ajo do të provonte edhe njëherë përsëritjen e akteve të saj makabre ndaj shqiptarëve të pa mbrojtur, por kësaj radhe kundër familjes Jashari. Dhjetë vjet pas vrasjes së Tahir Mehës, në dimrin e ftohtë të atij dhjetori të vitit 1991, nga policia dhe ushtria serbe, ishte rrethuar për herë të parë shtëpia e familjes Jashari, por në momente jo fort fatlume për shkijet, ngase në shtëpi gjendeshin të tre vëllezërit, të tre djemtë e Shaban Jasharit, të cilët do ta mbronin si çdoherë me vendosmëri bindëse, me trimëri dhe heroizëm,familjen e tyre. Zjarrit të hapur kundër shtëpisë dhe familjes Jashari nga policia dhe ushtria serbe, vëllezërit Jashari në mbrojtje iu përgjigjen flakë për flakë e me zjarr, duke i kthyer mbrapsht forcat e pushtuesit në mënyrë të turpshme.
Familja Jashari, në dhjetorin e ftohtë të atij dimri, nuk ishte vetëm, ngase në çastet më të vështira shqiptarët nga Drenica dhe e gjithë Kosova ia kishin mësyrë Prekazit, për t’iu gjendur pranë kësaj familjeje të lavdishme, duke kaluar dhjetëra kilometra këmbë, edhe pse policia serbe familjen Jashari e kishte rrethuar nga të gjitha anët me një rrethim të trefishtë, njësoj si dikur familjen e Tahir Mehës.
Por, tanimë kishin ndryshuar kohët, populli kishte filluar të vetëdijesohej dhe t’i mbronte heronjtë e vet nga pushtuesi, kështu që policia e okupatorit serb nuk pati sukses, me gjithë rrethimin e hekurt që i kishte bërë kësaj familjeje, ngase solidarizimi i popullit shqiptar me familjen heroike të Jasharëve ishte më i madh se kurrë më parë.
Policia pushtuese e Serbisë, duke vërejtur rrezikun e rrethimit të saj nga të afërmit dhe dashamirët e familjes Jashari, që ia kishin mësyrë nga të gjitha anët e Kosovës Prekazit historik të qëndresave legjendare, atëbotë kishte pranuar ndërmjetësimin e Adem Demaçit dhe me arritjen e muzgut të mbrëmjes, ishte larguar kokulur nga kishte ardhur, për të bërë kërdinë në fshatrat e tjera përreth dhe gjithandej Kosovës, por duke mos u lajmëruar më në ato anë për afro shtatë vjet me radhë.
Derisa familja Jashari kështu e kishte mbijetuar sulmin e parë nga policia serbe, në pjesët e tjera të Kosovës dhe në mënyrë të veçantë në fshatrat përreth Prekazit, vrasjet dhe keqtrajtimet nuk pushuan asnjëherë dhe më 28 nëntor të vitit 1997 në fshatin Llaushë të Skenderajt, derisa po hynte në derë të shkollës, pa asnjë shkas ishte vrarë mësuesi Halit Geci. Në varrimin e këtij mësuesi, në praninë e mijëra pjesëmarrësve, për herë të parë u bë hapur paraqitja e pjesëtarëve të UÇK-së, duke mbajtur edhe një fjalim patriotik, para pjesëmarrësve në varrim.

Rrethimi i dytë

Pas më se shtatë vjetësh të kaluara, më 22 janar të vitit 1997, duke shfrytëzuar errësirën e natës për mosvërejtjen e lëvizjeve të tyre, para agut të mëngjesit, policia serbe e kishte rrethuar për herë të dytë familjen Jashari. Derisa gratë dhe fëmijët po flinin, policia barbare pushtuese e Serbisë e kishte filluar sulmin e dytë ndaj familjes së pambrojtur, ngase asnjëri nga të tre vëllezërit, Rifati, Hamza dhe Ademi, nuk gjendej në shtëpi. Rrethimin e kishte hetuar plaku Shabani, i cili kishte dëgjuar zhurmën dhe shushuritjen e rrethimit, nga e cila tashmë kishin mjaft përvojë.
Bacë Shabani, me gjithë moshën e shtyrë, ishte ngritur menjëherë dhe me ndihmën e grave dhe të fëmijëve më të rritur, me gjithë plagosjen e dy vajzave, ia kishte arritur ta mbronte familjen me nder nga sulmet e pushtuesit, duke e thyer me turp edhe kësaj radhe sulmin e policisë pushtuese të Serbisë.

Rrethimi i tretë fatal

Por, më 5 mars të vitit 1998, tanimë për herë të tretë, bashkë me familjen Jashari dhe Prekazin, forcat okupatore të policisë dhe ushtrisë së Serbisë, me tanke dhe topa si dhe të gjitha llojet e armatimit të rëndë, kishin rrethuar edhe një pjesë të Drenicës. Derisa familja heroike Jashari po ngrihej nga gjumi për të hyrë në historinë më të re kombëtare me qëndresën e saj vendimtare dhe një heroizëm të pa njohur deri atëherë, qindra policë dhe ushtarë të pushtuesit serb marshonin drejt shtëpisë së familjes Jashari në Prekazin legjendar, për rrethimin dhe shkatërrimin e shtëpisë dhe të familjes së tyre në tërësi.
Ademi, Hamza dhe Shabani vigjilentë, të cilët ato net pothuajse fare nuk flinin, ishin njoftuar për lëvizjet e forcave të pushtuesit në drejtim të Prekazit, të cilat, për shkak të gjerësisë së operacionit dhe numrit të madh të forcave policore ushtarake që merrnin pjesë në operacion,sipas shkrimeve publike edhe nga vëzhguesit e UÇK-së nuk kishte mundur të kuptohej shpejt nëse ishte kjo mësymje për operacion ndëshkues kundër tërë rajonit të Drenicës, apo vetëm familjes Jashari dhe Prekazit.
Megjithëse luftëtarët mitikë të familjes Jashari e kishin hetuar se po rrethoheshin, përmasat e vërteta të atij rrethimi të kobshëm do ti vërenin vetëm me zbardhjen e agut të atij mëngjesi historik, kur qindra e ndoshta edhe mijëra ushtarë e policë të okupatorit tashmë e kishin rrethuar Prekazin dhe po i afroheshin familjes Jashari, të cilën heronjtë e saj kishin vendosur ta mbronin me çdo kusht deri në vdekje, me të gjithë pjesëtarët e familjes së tyre, të mëdhenj dhe të vegjël, duke hyrë në përjetësi.
Luftimet e para kishin filluar që në orët e hershme të mëngjesit për tu kthyer një beteje historike, e cila, me gjithë forcat e pabarabarta, me heroizmin e treguar nga familja Jashari që nuk u gjunjëzua deri në vetëflijimin kolektiv familjar, bëri që kjo ngjarje e pa parë deri atëherë të shkruhej me shkronja të arta në historinë më të re shqiptare. Qindra policë dhe ushtarë të okupatorit serbë sulmonin një shtëpi të vetme, në të cilën gjendeshin më shumë se 20 pjesëtarë të familjes që i takonin moshës fëmijërore, nga 7 deri në 20 vjeç, të cilët të rrethuar nga tanket dhe autoblindat e pushtuesit po sulmoheshin pa mëshirë, në mënyrën më të tmerrshme të mundshme dhe nga çdo anë, me të gjitha llojet e armatimit të rëndë ushtarak.
Ata edhe në ato kushte, të vetëm kundër të gjithëve, kishin vendosur të qëndronin deri në vdekje, duke u bërë ushtarë të mbrojtjes së atdheut të robëruar, familjes së pa mbrojtur dhe pragut të shtëpisë së tyre të cenuar. Secili pjesëtarë fëmijë, grua apo burrë që mund të mbante një armë në dorë, që nga më i vogli e deri tek më i moshuari, ishin kthyer në ushtarë të mbrojtjes së familjes dhe atdheut, për të mos kaluar armiku andej, para se të binin mbi trupat e tyre të vdekur.
Viktima e parë e kësaj lufte të pabarabartë, sipas shkrimeve dhe intervistave të pjesëtarëve të familjes në shtypin e vendit, shkrimeve të shumta në portalet shqiptare dhe dëshmive të dëgjuara për këtë ngjarje madhështore në shkallë heroizmi, e cila begatoi historinë tonë kombëtare edhe me një ngjarje dhe vepër të re, të paparë në historinë tonë të deritanishme, ajo që u vra para syve të fëmijëve të saj, të cilët ishin vënë në frontin e mbrojtjes, ishte bashkëshortja e Ademit, Adilja, derisa po i sillte municion luftarak të shoqit.
Megjithatë, do të kalonin ditë dhe net, por qëndresa heroike e Jasharëve në mbrojtjen e shtëpisë, atdheut dhe të familjes nuk do të ndalej, deri në rënien e pjesëtarit të fundit në këtë luftë të pabarabartë, ndërmjet një familje të vetme dhe një ushtrie të tërë pushtuese, siç ishte ajo e okupatorit serb.
Ditën e dytë të saj, lufta ishte përhapur edhe në shtëpitë përreth. Disa shtëpi dhe familje të lagjes digjeshin në flakë, por qëndresa e tyre kishte vazhduar e paepur edhe për të tretën ditë me radhë.
Prekazi digjej si ditën e parë të luftës, ashtu edhe ditën e dytë. Nga pullaze dhe shtëpi dilte tym dhe flakë, të cilat ndriçonin gjithë hapësirën ku zhvillohej tragjedia biblike e familjes Jashari. Kulmin e dramaticitetit të saj mitik, lufta do ta arrinte ditën e tretë, më 7 mars, kur forcat terroriste të okupatorit serb në pamundësi që ta pushtonin familjen dhe lagjen Jashari, kishin filluar me granatime nga topat e rëndë në shtëpinë e familjes Jashari, në bodrumin e të cilës ishin strehuar një numër i madh i pjesëtarëve të familjes së saj, por kryesisht fëmijë.
Pas granatimit me topa të rëndë, një predhë e kalibrit të madh kishte goditur bodrumin e shtëpisë, e cila bashkë me hedhjen në erë të pjesës ballore të bodrumit, të tavanit dhe një pjese të shtëpisë së tyre, goditja fatale e predhës, menjëherë kishte vrarë 13 pjesëtarë të familjes Jashari. Dhe, dhjetë nga ta ishin fëmijë.
Por, Ademin dhe pjesëtarët e mbijetuar të familjes, edhe pse të mbetur vetëm dhe nën rrethim pa asnjë ndihmë apo plumb të shkrepur nga jashtë,çfarëdo flijim sado i rëndë dhe i dhimbshëm të ishte, para betimit për mbrojtjen e atdheut dhe pragut të shtëpisë nuk i zmbrapste as dobësonte ata, dhe nuk kishte forcë e cila do të arrinte që të gjallë t’i thyente apo dorëzonte. Ai edhe në ato momente thoshte se nuk i morëm armët për t’u dorëzuar, por jemi betuar të luftojmë deri në frymëmarrjen tonë të fundit, deri në vdekje për liri dhe atdhe, për të mos rënë kurrë të gjallë në dorën e armikut edhe pse luftonin të vetmuar kundër një ushtrie të tërë pushtuese.
Heroizmi i përmasave të tilla mitike të pjesëtarëve të familjes Jashari ishte dëshmuar jo vetëm nga pjesëtarët e saj të rritur dhe të regjur për luftë e qëndresa të mëdha heroike, por edhe nga më të vegjlit e saj, të cilët, edhe pse ishin fëmijë dhe s’i kishin rënë akoma brisk fytyrës, siç thuhet në shprehjet popullore, as ata nuk u dorëzuan para sulmeve të vdekjes. Bile edhe pas rënies së shtyllës kryesore të kësaj qëndrese historike,kur Adem Jashari do të vritej nga një plumb snajper në derën e shtëpisë së tij, duke e mbrojtur atë me heroizëm,edhe pse tërësisht i vetëm dhe për nga mosha ende fëmijë,luftën do ta vazhdonte furishëm, Kushtrimi, djali13-vjeçar i Adem Jasharit.
Kushtrim Jasharin, trimin e paepur 13 vjeçar, nuk kishte arritur ta poshtëronte armiku dhe as ta mundonte frika. Atë e kishte kapluar urrejtja kundër okupatorit serb, i cili me të gjitha llojet e armëve po mundohej t’ia pushtonte atdheun e tij të dashur dhe shtëpinë e shkrumbuar me themel të familjes së tij heroike. Ndaj ai edhe pse për nga mosha ishte shumë i ri dhe vetëm një 13 vjeçar, tregoi trimërinë e një burri me nam, i cili si Mic Sokol i vogël, me automatik në dorë u kishte dalë hapur dhe ballë për ballë topave të okupatorit serb, duke rënë si hero mitik i legjendave me trimëri të rralla, i vrarë nga largësia me armët e kalibrave të mëdhenj nga okupatori i etur edhe për gjak fëmijësh. Por edhe pas rënies së Kushtrimit, okupatorët akoma nuk besonin t’i afroheshin shtëpisë së kësaj familjeje heroike të ngritur në histori dhe mit bashkëkohor.
Me rënien e Kushtrimit, si ushtari më i ri i asaj lufte të paharruar, në të cilën, të gjithë së bashku qëndruan të paepur deri në vdekje për mbrojtjen e shtëpisë, familjes, nderit të atdheut dhe kombit, u shua edhe mbrojtësi i fundit i kësaj beteje historike të familjes Jashari, të cilët, vërtet, e mbajtën me nder betimin e dhënë para varrit të Tahir Mehës, duke luftuar deri në frymëmarrjen e tyre të fundit, kur nga 22 pjesëtarët e pranishëm të familjes Jashari, që gjendeshin në shtëpi,20 nga ta ishin vrarë:

1.Shaban Murat Jashari,babai 74 vjeçar
2.Zahide Geci Jashari, nëna 74 vjeçare
3.Zarife Jashari,gruaja e Rifatit ,49 vjeçare
4.Hidajete Rifat Jashari,vajza 18 vjeçare
5.Valdete Rifat Jashari, vajza 15 vjeçare
6.Igball Rifat Jashari, djali 13 vjeçar
Igballe Rifat Jashari,vajza 11 vjeçare
8.Hamëz Shaban Jashari,47 vjeçar
9.Feride(Mecini)Jashari,bashkëshortja e
   Hamzait 43 vjeçare
10.Selvete Hamëz Jashari,vajza 20 vjeçare
11.Atifete Hamëz Jashari,vajza 17 vjeçare
12.Besim Hamëz Jashari,djali 16 vjeçar
13.Lirie Hamëz Jashari, vajza 15 vjeçare
14.Blerim Hamëz Jashari,djali 12 vjeçar
15.Fatime Hamëz Jashari,vajza 9 vjeçare
16.Blerina Hamëz Jashari,vajza 7 vjeçare
17.Adem Shaban Jashari,42 vjeçar
18.Adile(Rama) Jashari,bashkëshortja e   
     Ademit,40 vjeçare
19.Fitim Adem Jashari,djali 17 vjeçar
20.Kushtrim Adem Jashari, djali 13 vjeçar



Në mesin e të rënëve, nga më të rinjtë ishte vajza e Hamëz Jasharit, Blerina, 7-vjeçare, kurse dëshmori më i moshuar i kësaj lufte ishte Bacë Shaban Jashari, 74-vjeçar.


Epilogu i heroizmit të Familjes Jashari

Rifat Jashari (i lindur më 1946),për mbrojtjen e familjes,pragut të shtëpisë dhe të atdheut të tij të shtrenjtë, në këtë luftë,dhe për lirinë e këtij vendi, do të flijonte gruan dhe 4 fëmijët e tij, nga mosha 11 deri 14-vjeçare. Kurse ai me djalin e ti, Muratin, djalin e vëllait të tij, Hamzës, Bekimin dhe djalin e Adem Jasharit, Lulëzimin, gjendeshin në Gjermani.

Hamëz Jashari (1950-1998),do të vritej me 6 mars të vitit 1998 në mbrojtje të shtëpisë, familjes dhe atdheut bashkë me gruan dhe 7 fëmijët e tij, nga mosha 7 deri në moshën 20-vjeçare, derisa djali Bekimi gjendej në Gjermani, kurse vajza e vogël te dajat.

Adem Jashari (28 nëntor 1955-6 mars 1998),do të vritej i parafundit, duke rënë heroikisht në pragun e derës së shtëpisë, ndërsa gruaja e tij ishte viktima e parë e asaj lufte heroike, por të pabarabartë,me ç`rast ishin vrarë edhe dy fëmijë të tyre, nga 5 fëmijë sa ata kishin. Derisa djali Lulëzimi gjendej në Gjermani, dy vajzat e tij kishin qëlluar te farefisi i tyre. Ndërkaq, Kushtrimi, 13-vjeçar, do të vdiste i fundit në fushë të mejdanit kombëtar, duke i dalë ballë për ballë topave të armikut si një Mic Sokol i vogël, për të cilin me siguri historia jonë duhet të shkruajë më shumë si për heroizmin e tij të madh dhe burrërorë në moshën e tij fëmijërore, ashtu edhe për historinë e famshme të familjes heroike Jashari!

56 të vdekur, vëllezër e kushërinj
të afërt të Familjes Jashari

Se çfarë flijime të mëdha kërkohen për qëllime të larta, këtë më së miri e dëshmoi familja Jashari me heroizmat e saj historikë. Kjo familje, mbi dhjetë vjet, zhvilloi luftë intensive kundër terrorizmit të policisë dhe ushtrisë okupuese të Serbisë, duke u bërë shembull i qëndresës dhe i pathyeshmërisë kombëtare, për të cilën ata familjarisht u flijuan. Për ta më e shtrenjtë ishte liria jonë kombëtare sesa jeta nën robëri, megjithëse 20 anëtarë të një familjeje kaq të devotshme kombëtare dhe 36 kushërinjtë e saj patriotë nuk arritën kurrë që ta përjetonin lirinë e ëndërruar.
Kjo luftë pati vetëm një dëshmitare të shpëtuar. Dhe ajo ishte vajza e vogël e Hamëz Jasharit, Besarta, e cila në mesin e të gjithë atyre plumbave dhe granatave shkatërrimtare, e fshehur nën magjen e shtëpisë, mbi të cilën nëna e saj derisa ishte gjallë, kishte gatuar bukën për Besartën dhe heronjtë e mëdhenj dhe të vegjël (në moshë) të familjes Jashari, ajo kishte shpëtuar, kurse kushëriri i saj, Bashkimi, kishte mundur t’i shpëtonte rrethimit.
Bashkimi dhe Besarta e shpëtuar, 4 pjesëtarët e familjes që gjendeshin në Gjermani dhe dy vajzat e Ademit që kishin qëlluar tek të afërmit e tyre, ishin 8 anëtarët e mbijetuar nga 28 anëtarë sa kishte gjithsej atëbotë familja Jashari. Sot, pas kaq vitesh, kjo familja e ndritur është shtuar, rritur dhe gëzuar edhe me emrat e ripërtërirë të Bacë Shabanit, Hamëz dhe Adem Jasharit, të cilët të ripërtërirë nga hiri i heroizmave historikë të familjes, mu si Feniksi, sigurojnë rritën e jetës së re dhe garantojnë historinë e paraardhësve të tyre heroikë me shumë krenari.
Nëse rilindësit dhe heronjtë e kombit, si Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Isa Buletini, e të tjerët, sollën Pavarësinë e Shqipërisë, vetëflijimi i familjes Jashari, ishte vula e lirisë së Kosovës e cila u arrit me kaq shumë luftëra dhe sakrifica.

Gani Qarri, nxjerr nga libri "Krijuesit e Historisë"

No comments: