NJË NATË PARA VDEKJES
Siri Sulejmani
Në Hotelin “Internacional”, përbri dhomës time, banonte
një specialist radiosh. Nga profesioni i tij ndodhi që u njohëm dhe u miqësuam
shpejt. Ai lexonte shumë, ishte tip praktik në jetë, i pamartuar, megjithëqë u
ngjitej të tridhjetave. Ishte shpërfillës ndaj çdo bisede që nuk i sillte dobi.
- Puna më e mirë që mund të bëjë njeriu, - më tha një
ditë në sallën e restorantit, - është kujdesi për veten e tij. Me jetën nuk ka
kontratë vëlla, kur vjen në të, nuk të pyesin. Vjen thjesht si rrjedhoje
biologjike e rastit. Kur të piqet mendimi për botën që të rrethon, papritur
kupton se përroi i jetës nuk ka rrjedhur sipas dëshirave të tua dhe ti, si një
gur shahu në fushën e fatit, ke luajtur lojën e rastësive... Ee... ja më qesharakja;
kur ti ngjitesh në majën e mendimit dhe dëshiron të ndryshosh rrjedhën e asaj
jete nëpër të cilën u rrokullise perkunder deshires tende, vjen urdhëri suprem
i vdekjes. Të ndan nga bota e gjallë përsëri pa të pyetur. A nuk është e tëra
kjo një komedi interesante?! E vetmja gjë e mirë e saj, është fakti që si
mbreti, edhe lypësi, futen e dalin nga kjo skenë pa i pyetur njeri; kjo përbën
të vetmen barazi reale midis njerëzve. Është punë pa dobi të harxhosh kohën e
humbur në filozofinë e ngatërruar të jetës, perdor arsyen qe na ka falur Zoti
per te mos kryer veprim pa qellim; shfrytëzo rastin që të shtrihet përpara, bëje
atë sa më të bukur, shiko çastin që të gëzon e jo enigmat që të futin në
mendime të gjata, të shkatërrojnë nervat, të ndrydhin shpirtin e të shkurtojnë
kohën e dobishme, që vetë natyra na e ka kufizuar.
Kisha vënë re se, kur futeshim bashkë në sallën e
restorantit, trupi i tij i hedhur dhe tiparet e forta e harmonike të fytyrës tërhiqnin
vëmendjen e të tjerëve, veçanërisht, të femrave kureshtare. Mbrëmjeve i pëlqente
të vishej me kostum të zi, këmishë të bardhë dhe kravatë të zezë. E tërhiqte
kontrasti i ngjyrave. Kujtimet e jetës së tij i ruante si gjënë më të bukur,
madje i tregonte ato me pasion e talent të vërtetë. Një mbrëmje më mori në dhomën
e tij, nxori në tavolinë dy shishe verë, një pjatë me proshute vici dhe pasi
mbushi me qejf gotat, tha me nenqeshje ironie: “Hajde gëzuar te rrojme sa te
duam e me sa më shumë ditë të bukura!”.
U mbështet ngeshëm në një kolltuk të përdorur të modës së vjetër e nisi të më
tregonte këtë ndodhi:
- Ishte nata e katërmbëdhjetë e muajit maj. Në lokalin
më të mirë të qytetit, bashkë me shokët e mi të ngushtë, festoja pranverën e njëzetekatërt
të jetës time. E kam festuar çdo vit natëlindjen time. Po them natëlindjen, për
t’i qëndruar besnik faktit që, sipas fjalës së nënës, kam lindur aty nga mesi i
natës. Për të ndier plotësisht gëzimin e kësaj feste, e kisha bërë zakon të
merrja lejen e zakonshme e të shkoja në ndonjë qytet tjetër, mjaft që të mos
kisha shkuar më parë. Dëshira për të njohur vende e sa më shumë njerëz, tek unë
nuk do të shuhet kurrë. Udhëtimet janë bukuria e jetës, pasi edhe vetë ajo në
fund të fundit, ç’është më tepër se një udhëtim?! Madje një udhëtim i shkurtër,
jo më shumë se njëzet vjeçar.
- Pse njëzet vjeçar?! – e pyeta i habitur.
- Po ja, bëje hesapin me gishta. Merre gjatësinë e jetës
70 vjet, hiq prej tyre 18 vitet e rinisë naive, shto edhe dy vjet që i merr shërbimi
ushtarak, mbeten 50 vjet, hiq edhe 10 të pleqërisë së rënduar, mbeten 40, zbrit
edhe kohën e gjumit dhe shiko ç’të mbeti, më shumë se 20 vjet-ditë. Njerëzit e
harrojnë këtë kufi tragjik, hanë njëri-tjetrin për interesa të vogla e këtë e
quajnë lufta e jetës, megjithëqë bota ka mjaft hapësirë për të jetuar të gjithë
– tha pa e hequr ironine nga grimasa e fytyres dhe u kthye te rrjedha e
tregimit. - Kështu pra, udhëtimi i nesërm m’u kujtua aty nga ora një e natës.
Iu luta shokëve të ngriheshim, megjithëse kishim pirë e ishim në kulmin e kënaqësisë,
mirëpo solistja e lokalit na elektrizoi me melodinë ritmike të këngës së njohur
arabe “Ngaje makinën me ngadalë” të kënduar nga këngëtarja egjiptiane me famë,
Shadiha. Na u desh të prisnim edhe nja dhjetë minuta. Këtu, në këtë hotel, po në
një dhomë tjetër, banoja dhe atëhere. Pasi u ndava me tre shokët përpara
hotelit, ngjita shkallët e u futa në dhomën time. Kurdisa zilen e orës për në
shtatë të mëngjesit dhe u shtriva i kapitur. Për fat të keq, si gjysëm i dehur,
zilen e kisha kurdisur gabim, kështu që ajo, besnike e porosisë sime, më zgjoi
në orën tetë. Autobusi për Gjirokastër kishte ikur. Sidoqoftë, u ngrita shpejt
e shpejt, mora valixhen e dola me ndonjë shpresë rasti. Para agjensisë kishte
ndaluar një autobus i ri, nga ata të shërbimit turistik. Një grup vajzash dhe
djemsh, të veshur si për festë, po hipnin në të me radhë. Pasi hipën të gjithë,
u afrova dhe e pyeta shoferin, që po rrinte te porta e autobusit:
- Ku shkon ky autobus, ju lutem?
- Në Gjirokastër shok. Ku shkoni ju?
- Atje më duhet të shkoj edhe unë! - i thashë.
- Po, mirë, pa të shohim një herë, mos ka ndonjë vend
bosh, - më tha ai dhe u kthye nga “turistët”. - O rini... pa uluni një herë të
shohim ku jemi. Zini vendet,
ju lutem! U kthye nga une dhe me tha: Qenkeni me fat, do
vini me ne. Apo keni ndonjë hall dhe ju duhet të shkoni shpejt? See.. të them të
drejtën, ne... alla turizëm hesapi... do t’i bëjmë qejfin rinisë sot! Mund të
ndalojmë nga pak në çdo qytet.
- Jo, jo, nuk kam asnjë hall. Edhe unë për qejf vij.
- Epo... mos humb rastin! - më tha.
Pasi hipa, më tregoi me dorë: - Uluni atje, në
kolltukun 31!
U ula duke menduar për 31-shin si numër shansi në lojën
e letrave. Shoferi përplasi duart dhe pasi vendosi qetësinë, thirri me zë të
lartë e shakatar: - Shokë dhe shoqe, mos harroni se sot do të më keni mua
drejtor. Ju kujtoj se jam i rreptë e dua disiplinë të hekurt. - Në kabinë nisën
të qeshurat dhe duartrokitjet. - Pa uluni, ju lutem, - e ngriti zërin shoferi
gazmor, - pa uluni të gjithë të shohim a kemi më vende bosh. - Vetëm kolltuku
pranë meje ishte bosh. - A presim tjetër për të ardhur? – pyeti shoferi me
shikimin e hedhur mbi vendin e lirë pranë meje.
- Jo, jo! – iu përgjigj një mesoburrë nga kolltuku i
parë që, me sa dukej, do të ishte përgjegjësi i grupit të ekskursionistëve.
- Mirë, nisemi tani?
- Nisemi, nisemi – iu përgjigjën zëra.
Në kohën që shoferi u kthye pranë timonit, te porta e
autobusit u gjend një grua e thyer në moshë me një vajzë të re, të veshur me një
fustan blu.
- Mos keni ndonjë vend deri në Gjirokastër, shofer? –
pyeti gruaja. - Një dua, kam këtë vajzën.
- Po, hajdeni... më mirë të zihen të gjitha vendet që këtu,
- tha shoferi sikur të merrte edhe mendimin tonë.
Vajza u nda me mall me gruan që e shoqëronte, u ngjit në
autobus dhe u ul pranë meje, në kolltukun 32. Autobusi u nis me zhurmë. Dikush
kërkonte t’ia merrte një kënge, një tjetër përshëndeste nga dritarja, kurse një
djalë i ri dhe një mesoburrë me fizarmonikë, po akordonin instrumentet. Në
kolltukun pranë instrumentistëve u përgatit një vajzë bjonde me pamje
melakonlike e me sy ëndërrimtarë. Pasi pushuan thirrjet, ajo i tha diçka
fizarmonicistit. Në kabinën e pastër, ku të mbushte hundën një aromë e këndshme
parfumi, u shpërndanë tingujt e muzikes dhe pas tyre, melodia e një zëri të ëmbël:
“Nga kujtimi yt po vuaj/ ga brenda nga dashuria/ Mallkuar qoftë vendi i huaj/ Të
ndau nga krahët e mia”.
Melodia e ëmbël dhe fjalët e këngës që me sa dukej,
flisnin për historinë e një dashurie fatkeqe, vendosën në kabinën e autobusit
qetësinë e thellë. Në sytë e secilit mund të lexoje përfytyrimin, melankolinë e
ëndërrimin e ndonjë skene a kujtimi që fshihej thellë në shpirtin e tyre.
Shoferi, pasi mori ngadalë një kthesë të fortë, ktheu kokën dhe uroi pa
druajtje, ashtu sic e kanë shoferët; “Jepi, të lumtë goja! Eh, ç’është dashuria
e shkretë!”, kurse solistja vazhdonte pa e prishur terezinë, me buzë në gaz: “Me
pëllumbin krahëshkruar/Të kam dërguar një letër/Mua për të mos më harruar/Për të
mos dashur një tjetër”.
Ajo këndonte shumë bukur dhe me aq pasion, sikur ta bënte
këtë për hir të dikujt aty në autobus. E hoqa vështrimin admirues nga këngëtarja
dhe e hodha mbi vajzën pranë meje në kolltukun 32. Ajo rrinte e heshtur e si e
humbur në mendime; herë shikonte solisten si me keqardhje e herë e humbiste
shikimin nuk e di se në ç’pikë të pacaktuar. Këngën e ndiqte me aq vëmendje si
të ishte një brengë e hidhur e jetës së saj. Nisa ta shikoja vjedhurazi. Sipas
meje, duhej të ishte njëzet e tre a
kater vjeçe, kishte flokë të dendur, shumë të dendur, të zinj e të derdhur valë–valë
mbi supe. Lëkura e bardhë e fytyrës dhe mollëzat e kuqërreme të faqeve,
krijonin një kontrast të thellë me ngjyrën e flokëve. Midis hundës dhe mollëzës
së faqes së majtë, kishte një nishan të zbehtë që i ngjante një pike loti të
ngrirë. Në atë fytyrë vezake, ishte vendosur çdo gjë me shije të rrallë. Nuk di
ç’ligje të çuditshme e të panjohura ndikojnë në skalitjen e disa njerëzve. Më
erdhi inat me veten time, që nuk e vura re që në fillim bukurinë e saj. Mendova
të gjeja rastin të interesohesha për të, t’i flisja qoftë edhe një fjalë, sa për
të thyer akullin e heshtjes, por një mendim i brendshëm më këshilloi: “Jo, jo,
mos u nxito, vajzat e bukura i tërheq më tepër shpërfillja ndaj tyre, sesa
interesimi”. Bashkudhëtarja ime rrinte e menduar, e mbyllur në veten e saj,
sikur në autobus të mos kishte njeri tjetër. Duart i kishte lidhur mbi gjunjë,
kuse në prehër mbante një çantë të vogël, nga ato që mbajnë zakonisht vajzat për
vogëlsitë e tyre. “Është i kotë ky qëndrim, mendova, vajzat kanë nevojë për pëkujdesje,
fjalë të mira përkëdhelëse e jo për indiferentizëm”. Po si t’ia bëja? Nga t’ia
filloja? Pasi kaluam edhe qytetin e vogël fqinj, ajo nisi të shqetësohej. Nxori
shaminë dhe zuri buzët. Ngriti njëherë fytyrën lart, si për të thithur më tepër
ajër, pastaj e uli përsëri dhe nisi të fërkonte ballin me dorë. E preka lehtë në
sup dhe i fola me zë të ulët:
- Më falni, mos ju trondit autobusi? Kaloni në vendin
tim, jeni pranë dritares, ju hap xhamin dhe do të keni ajër të pastër.
- Ju faleminderit, ju faleminderit shumë! – m’u përgjigj
ajo duke më shikuar me mirënjohje. U ngrita dhe ndërruam vendet. Pasi u ul në
vendin tim, zgjata dorën dhe e hapa më tepër xhamin. Pasi bëmë edhe ndonjë gjysëm
ore rrugë, ajo akoma nuk ishte qetësuar. Atëhere u kujtova se në valixhe kisha
nja tre kokrra limona. Nxora një kokërr dhe pasi e preva pak, iu luta ta
merrte.
- Oh, jo... ju faleminderit, mos u shqetësoni... nuk është
nevoja...
- Merreni ju lutem, kjo do t’iu qetësojë menjëherë...
kemi shumë rrugë për të bërë, - këmbëngula unë.
Kur autobusi iu ngjit kodrës së Ardenicës, ajo u qetësua,
u kthye nga unë dhe më falenderoi për kujdesin.
- Më vjen keq, nuk ka asgjë për të më falënderuar... Më
mirë do të ishte të flisnit ndonjë fjalë, të mos rrinit kaq e menduar. Siç e
shihni, edhe unë nuk kam ndonjë të njohur këtu.
- Pse, nuk jeni me eskursionistët ju? – më pyeti.
- Jo, jo.
- Keni të drejtë, por... do të më falni për natyrën
time, - m’u përgjigj. Përsëri heshtje e mendime. Autobusi lëkundej në ovalet e
xhadesë së asfaltuar, si ndonjë barkë e ngarkuar rëndë mbi dallgët e lehta.
Bashkudhëtarja ime nisi ta ndjente veten ngushtë. Ndoshta duhet të fliste, por
nuk dinte se për çfarë ose mund të mos e kishte një dëshirë të tillë, por ja që
padashur heshtja e saj ngacmonte kureshtjen, madje shtonte dhe mërzitjen e një
njeriu që u kujdes për të, në atë çast që ajo kishte nevojë. Këto mendonte ajo,
prandaj nuk dinte ku të vinte duart, si të qëndronte e ku të hidhte shikimin. Në
Fier, autobusi ndaloi. Eskursionistët u ngritën dhe dolën jashtë me zhurmë. Në
fund, u ngrita edhe unë.
- Do dilni? – e pyeta shoqen time të udhës. - Do të
ndalojmë këtu gjysmë ore, ç’do të bëni brenda? Dilni të paktën për ajër të pastër...
- Ju faleminderit... tani jam më mirë... mos u shqetësoni!
Dola nga autobusi i menduar. Mendja më mbeti tek ajo
vajzë e çuditshme. Në shpirt ndjeja një keqardhje dhe kureshtje ndrydhëse. Nuk
e kuptoja ç’po ndodhte me mua. Nisa të ecja kuturu në bulevardin e ngushtë të
qytetit. Pas gjysmë ore, u nisëm. Të tjerët qeshnin e bisedonin mes tyre, kurse
dy vende, 31 dhe 32 rrinin të heshtur, sikur aty të mos kishte njeri fare. Ajo
heshtje m’u bë e padurueshme, prandaj e ngacmova bashkudhëtaren time pa u
menduar thellë:
- Mos i besoni gjë jetës së përtej varrit?
- Nuk ju kuptoj... pse ma bëni këtë pyetje?
- Ka njerëz që i besojnë asaj dhe e ruajnë për atje çdo
kënaqësi të kësaj bote... Mund të ketë të tillë, që ruajnë për atje dhe fjalët!
- Hëm... - bëri dhe vijëzoi një buzëqeshje të hidhur. -
Jo, nuk besoj... për fat të keq... jo! - m’u përgjigj duke më shikuar drejt në
sy. Sytë e saj të zi kishin një shikim të thellë, të dhimbshëm, të menduar. Ç’sy
e ç’shikim të rrallë kishte ajo vajzë! Një dëshirë e madhe për të folur, për
t’u futur në jetën e saj, nuk më linte të qetë. Për pak desh ia mora duart që i
kishte lëshuar mbi gjunjë e nuk e di ç’do t’i thosha e ç’marrëzi do të më
nxirrte goja... E mblodha veten, bile e qortova që rashë aq shumë nën ndikimin
e saj. Autobusi doli në rrugë të drejtë dhe shtoi shpejtësinë si i gëzuar drejt
Vlorës. Eskursionistët ishin ndarë në dy grupe dhe ngacmonin njëri-tjetrin me
një këngë satirike. Në krahun e majtë të rrugës shtriheshin ca kodrina të
vogla, që vinin duke u rritur njëra pas tjetrës, deri në horizont, ku prisnin
qiellin e kthjellët, kurse në të djathtë shtrihej një fushë moçalore, mbi të
cilën luanin një tufë pulëbardhash.
- Kam përshtypjen se juve nuk ju pëlqen asgjë e kësaj
bote! - i thashë asaj, pasi i kapa një shikim që ma hodhi vjedhurazi.
- Ju siguroj që gaboheni, - m’u përgjigj, pasi u mendua
një çast. – Por ka rrethana që ndikojnë aq shumë te njeriu, saqë nuk ka më fuqi
të kujtohet për atë që e rrethon.
- A mund të influencoj sadopak në dobësimin e atij
ndikimi?... Nuk do të ngurroja për këtë! - i thashë.
- Jo, ju faleminderit! Është e pamundur... nuk ka asnjë
vlerë! – m’u përgjigj me gjysmë zëri.
Kureshtja për të hapur shtegun e bisedës me të m’u bë
ndrydhëse, por ajo me sa duket nuk kishte ndërmend të vazhdonte më tej, kështu
që përsëri pasoi heshtja deri në Vlorë.
Eskursionistët kërkuan ta hanin dreke te Uji i Ftohtë.
Kjo më pëlqeu edhe mua, pasi kisha kohë pa shkuar në atë vend të bukurisë së
rrallë. Sapo morëm rrugën buzë Adriatikut, të gjithë vërshuan në njërën anë të
autobusit. Dukej që pjesa më e madhe e eskursionistëve kalonin për herë të parë
në atë rrugë. Ndaluam përpara se të futeshim në tunel, pikërisht aty ku
gurgullon ujë i ftohtë.
- Këtu besoj se do të zbrisni... - e pyeta vajzën e çuditshme
që këtë herë ia kishte marrë mendjen bukuria e detit.
- Po... do dalim, jam mpirë fare.
Zbritëm tre–katër
shkallina të gurta dhe ndalëm te një nga burimet e shumta buzë detit. Deti
thyente rrezet e diellit dhe lëshonte miliona rrezatime verbuese. Dallgët e
lehta lëpinin zhavorrin e hollë dhe e shkrinin shkumën e bardhë pranë burimit
ujëmbël.
- Oh... sa i ftohtë! Tha ajo, Pastaj ktheu kokën nga
deti dhe shtoi: - Ç’bukuri qenka këtu!
- Ju pëlqen deti? – e pyeta.
- Unë kam lindur pranë detit dhe kam kaluar fëmijërinë
time pranë tij. S’besoj se ka njerëz që deti nuk u sjell kënaqësi.
- Kurse mua më duhet t’i jem mirënjohës! - ia prita aty
për aty.
- Pse kështu?! – pyeti kureshtare.
- Ngaqë, me sa duket, do të shpërndajë heshtjen e rëndë
të bashkudhëtares time, që pas katër orësh udhëtimi nuk i kam mësuar akoma
emrin.
Ajo futi duart përsëri në ujin e ftohtë, uli kokën dhe
flokët e dendur ia mbuluan fytyrën.
- Keni të drejtë të ankoheni, unë nuk jam sjellë me ju,
ashtu siç u sollët ju me mua, por... – këtu e ndërpreu bisedën, nxori duart
menjëherë nga uji dhe pasi i fërkoi me njëra tjetrën, shtoi: - Isida më quajnë.
- Eshtë hera e parë që e dëgjoj këtë emër. – i thashë
duke shikuar me ëndje ata sy që e kishin marrë tani shkëlqimin e detit.
- Po ju si quheni?
- Etjen.
- Interesant!... Ju siguroj se dhe unë sot po e dëgjoj
këtë emër. – më tha e skuqur në fytyrë.
- Me sa duket, sot gjithçka do të jetë interesante. – i
thashë, po ajo nuk foli më. U ngritëm dhe morëm buzës së detit.
Qëllimisht për të parë siluetën e saj në shkëlqimin e
zhavorrit të hollë, e lashë të kalonte pak para meje. Atëhere u binda se ajo ia
kishte rrëmbyer bukurinë thesarit të natyrës apo natyra, ditën e lindjes së saj,
ishte ndodhur e pakursyer.
Pasi ndenjëm një copë herë në një gur të lëmuar buzë
detit, dolëm në rrugë. Sipër saj ishte një lulishte e vogël. Ngjitëm shkallët e
shtruara me gurë të vegjël e të lëmuar, të vendosur në formë mozaikësh dhe u ulëm
në një stol mermeri.
- Shiko ç’kontrast i hidhur!
- Ku? – iu përgjigja i çuditur, ngaqë nuk mendoja se në
atë bukuri mund të shikoje diçka të hidhur.
- Shikojeni atë zambakun, e kanë thyer, i kanë prerë
rrugët e ushqimit. Shikoni si është varur drejt tokës, i fishkur, kurse të tjerët
lulëzojnë plot jetë. Nuk duket sikur kërkon ndihmë?
- Po më çuditni Isida! Më duket se ju bie në sy më tepër
ana e keqe e gjërave, sesa e mira. Pse kështu?
- Ngaqë e keqja dhe e mira jetojnë shumë pranë njëra–tjetrës.
- E pse na duhet ta shikojmë të parën? Për të shtuar
pesimizmin?
- Jo, por që ta njohim mirë fuqinë e saj, - m’u përgjigj
ajo, pa i hequr sytë nga zambaku.
- Mos duhet ta ndihmoj zambakun? – e pyeta pa shpresë
se do të ma kapte kuptimin e vërtetë të fjalëve. Pas një heshtje të shkurtër,
ajo më hodhi një vështrim kuptimplotë e duke vijëzuar një buzëqeshje të hidhur,
më tha:
- Do të ishte e kotë... Atij i janë prerë rrugët e jetës!
Nuk dija ç’t’i thosha, mbeta i habitur, nuk e kuptoja
dot pse në atë krijesë, që të ngjallte vetëm dashuri për jetën, të mund të
jetonin aq shumë shpresa të humbura, prandaj e pyeta:
- Isida... të lutem, më tregoni ç’gjë ju ndrydh kaq
shumë?! Më thoni diçka për jetën tuaj... Ju siguroj se jam gati të bëj çdo gjë
për ju.
- Jo, jo... ju lutem, mos ma kërkoni një gjë të tillë...
Nuk ka asgjë të çuditshme. E ç’gjë interesante mund të ketë jeta ime për një
njeri të njohur në udhë? – tha ajo e tronditur e duke kafshuar buzën, si për
t’i prerë rrugën një ngashërime, u ngrit. Zbritëm nga lulishtja e vogël e morëm
rrugën pranë njëritjetrit. Kur u futëm në tunel ajo kuturisi:
- Oh... sa ftohtë qenka këtu! Sa ajër i rëndë! Paska
shumë lagështirë.
E pashë që nuk ndihej mirë, ndaj i thashë të
ktheheshim.
- Jo, jo... të kalojmë më mirë në anën tjetër. Do të
jetë më bukur, - më tha dhe nxitoi hapat.
Pasi kaluam tunelin, morëm në të majtë gjatë një
rrugice të ngushtë dhe dolëm mbi tunel. Aty u ulëm në një shesh të vogël me bar
e lule gjithëfarë ngjyrëshe. Përpara shtrihej deti i kaltër e i ndritshëem. Përtej
në horizont, Sazani i ngjante një bualli që ishte shtrirë përmbys dhe ngrohte
kurrizin në diell. Në të majtë, Karaburuni zbriste nga mali i Çikës, si për të
marrë ujë të kripur.
- Sa bukur që është këtu! – tha ajo dhe pasi ktheu kokën
nga një shtëpi që ngrihej pas nesh, shtoi: - Lum këta që banojnë këtu!
Fytyra e saj që ishte zbehur aq papritur në tunel, aty,
ndryshoi menjëherë. Mollëzat e faqeve iu skuqën më shumë. Dukej shumë e gëzuar.
Aty i ngjante një fëmije kur i japin një kukull të çuditshme apo kur i japin për
herë të parë pasqyrën ku shikon veten.
- Me sa duket, ky vend i duhej zambakut për t’u kthyer
në jetë, - e ngacmova unë, por ajo bëri sikur nuk e kishte mendjen aty.
Shikimin e hodhi tej në qoshen e një gadishulli të vogël shkëmbor, ku doli një
motoskaf i bukur i bardhë. Motoskafi ecte me ngadalë, duke lënë pas një vijë të
shkumëzuar. Në të ishin një grup turistësh të huaj. Kur kaluam para shkëmbit,
mbi të cilin ishim ulur, një grua ngriti aparatin fotografik në sy.
Të cuditshëm jemi ne shqipëtarët! – më tha.
Pse kështu? – e pyeta unë.
Kemi vende kaq të bukura e nuk i njohim fare! Vdesim pa
njohur vendin tonë, kurse këta kush e di që nga vijnë.
Si duket, na pëlqen të rrimë më shumë në kuzhinë, - i
thashë me shaka. Ajo qeshi pa i hequr sytë nga turistët.
Pas pak u ngrit,
nisi të ecte ngadalë nëpër barin e gjelbër plot lule gjithëfarëshe. Kurse unë u
mbështeta në bërryl dhe po e shikoja i menduar, herë atë e herë detin. Nuk i
ndjeva fare hapat e saj të lehtë kur m’u afrua me një tufë lulesh.
Shiko sa të bukura janë! – më tha.
Oh... nuk ju erdhi keq që i këputët? – i thashë.
Ajo shtangu një çast,
pastaj m’i afroi te fytyra si e hutuar:
Shikoni çfarë ere të fortë kanë.
Zgjata dorën dhe
i afrova te buzët jo vetëm lulet, por edhe dorën e saj të nxehtë. Ajo u hutua
një çast, mollëzat e faqeve iu skuqën aq shumë, sa mua më erdhi keq për të. Pastaj
e mblodhi veten dhe tërhoqi lehtë doren e puthur. gishtërinjtë iu hapën dhe një
pjesë e luleve u shpërndanë mbi barin e gjelbër. Për t’i dhënë arsye pauzës që
krijoi rasti, nisa të mblidhja lulet, kurse ajo u nis me hapa të ngadalshëm
drejt rrugicës nga kishim ardhur. U ngrita dhe unë. Tunelin e kaluam përsëri me
hapa të nxituar, por këtë herë, ajri i ftohtë që krijoi aty korenti i erës, lagështia
dhe era e rëndë, ndikuan aq keq tek ajo, saqë pa dalë akoma në anën tjetër, e
mbërtheu një kollë e thatë e mundishme. Iu afrova dhe pasi i mbështeta dorën në
sup, e pyeta i shqetësuar.
- Asgjë, asgjë nuk kam... Mos u shqe... – tha ajo, por
nuk e mbaroi fjalën, përsëri kolla e shtrëngoi.
Ajo kollitej me mundim, me buzët në shami, kurse unë
mendoja për tunelin. Pse ai ndikonte aq keq në frymëmarrjen e saj?! Mos vuan
nga ndonjë sëmundje, mos është e thënë që një bukuri të tillë ta ndrydhte, ta
treste sëmundja?! Ndjeja keqardhje të thellë. Ajo më shikoi me sy të përlotur,
si e zënë në faj e mua m’u duk sikur m’u këput diçka me dhimbje në zemër. Në atë
çast, kuptova se ajo vajzë nuk ishte për mua një kuriozitet udhëtimi, një shkak
zbavitjeje, një rast për të zbukuruar albumin e kujtimeve, por diçka më tepër,
shumë më tepër.
Kush ia di të nesërmen të shkretit njeri! Ndoshta atje,
në tunelin erëmyk, fati kishte përcaktuar çastin e kthesës së jetës. Ndoshta
nesër ajo vajzë mund të zinte vend në krahun tim, për të ecur së bashku në
vitet që do të vinin. Iu afrova pranë dhe e pyeta me një zë që edhe mua m’u duk
i huaj:
Isida... ç’pate? Ç’të ndodhi? Pse nuk më thua? - Sytë më
ngrinë te një njollë gjaku në shami, që ajo e fshehu me duar...
Mos u shqetësoni... asgjë e madhe... nuk di se ç’thitha
në tunel, - më tha dhe eci përpara. Ecja pranë saj në heshtje, me zemër të
dashuruar e me një barrë mendime të pleksura keq.
Çudi e madhe është puna e njeriut! Si mbret i arsyes
mbi të gjitha qeniet e gjalla, krijon e pastaj çuditet nga krijimet e tij. I
quan çudi piramidat e Egjiptit dhe nuk kujtohet të zbërthejë çudinë më të madhe
të botës, shpirtin e tij. Ky që bën mrekullira, përpara vetes mbetet naiv. E mbërthen
ndjenja e rastit, e verbon e ai nuk di ç’bëhet me shpirtin e tij, sa vetë
jetojnë ne qenien e tij. Ku e çon zilia, urrejtja apo dashuria, pse veprimet e
tij e kapërcejnë sferën e arsyes dhe të logjikës?! Këto mendoja atë ditë, që
nuk e dija se ç’bëhej me shpirtin tim, ku me çonte dashuria për atë vajzë me të
cilën po udhëtoja rastësisht, si me ndonjë hije. Ashtu, bri njëritjetrit, u
ngjitëm në një lulishte sipër rrugës. U ulëm në fund, në një tavolinë të
mbuluar nga një çadër nga ngjyra të ndezura, ngjyrat e së cilës i dhanë njëfarë
freskie fytyrës së saj të zbehur nga kolla e mundimshme. Kur kamarieria, sipas
porosisë sime, solli dy pjata me vezë peshku të skuqura e dy gota verë, ajo më
kundërshtoi:
- Pse porositët verë?... Unë nuk do ta pi dot.
- Pijeni ngadalë, qoftë edhe për hatrin tim. - E, për të
gjallëruar sadopak drekën e heshtur, shtova: - Për amvisa shtëpie, shqiptaret i
kanë shoqet e rralla, kurse për të shoqëruar në tavolinë me një gotë pije, nuk
ia thonë fare.
Ajo, me mjekrën e mbështetur mbi të dyja duart, më tha:
- Kjo dobësi, i ka ndoshta rrënjët në natyrën e lashtë
fanatike të burrave shqiptarë!
Kishte vënë buzën në gaz e më shikonte me aq ëmbëlsi,
saqë nuk besoja se mund ta rrezatonin atë shikim të tjerë sy!
Eskursionistët që kishin bashkuar tavolinat dhe hanin
drekë me zhurmë, herë pas here na kujtonin me shikimet e tyre. Aty nga ora tre,
u nisëm. Rruga në vazhdim ishte e keqe e me terren malor. Bashkudhëtarja ime i
ngjante vjeshtës së parë, që herë retë e zeza mbulojnë kaltërsinë dhe herë
zhduken në horizont e qielli ndrit. Shkëmbenim ndonjë copë bisedë rasti. Sado që
vrava mendjen, nuk e gjeta dot çelësin për të hyrë në mendjen e saj! Ndonëse
kjo nuk më pengonte për të kuptuar se ato ndjenja që më ndrydhnin mua, peshonin
rëndë dhe mbi zemrën e saj. Valët e padukshme të ndjenjave ishin në harmoni me
njëra tjetrën, por mungonin fjalët. Në rrethana të tilla, për çudi, ato
humbasin, nuk lidhen, nuk rrjedhin. Ato i përpinte boshllëku i së panjohurës, i
cili sjell pendimin për mungesën e guximit.
Dielli ra pas nesh në perëndim, kur autobusi po zbriste
një të tatëpjetë të madhe. Sipër ngrihej një mal i egër, i zhveshur, shkëmbor e
i zymtë, kurse poshtë zbrisnin kodrat njëra pas tjetrës, si për të pirë ujë në
lumin Vjosa. Përtej, kodrat ngriheshin në një mal me kokën në diell. Pa u futur
në Tepelenë, ra muzgu. Eskursionistët e lodhur ia kishin marrë me gjumë. Sipas
dëshirës së tyre, autobusi ndriçohej nga një dritë e zbehtë. Edhe shoqen time të
udhës e mundi gjumi, të mbështetur në kolltuk. Nga lëkundjet e autobusit, rrëshqiti
ngadalë, derisa u mbështet te supi im. E kisha fare afër fytyrën e saj, ashtu e
përgjumur më kujtoi një ikonë të përvuajtur, të parë diku në një kishë. I mora
dorën dhe i shtrëngova me të miat. U zgjua dhe më tha:
- Më falni... Më mbërtheu gjumi... na këputi kjo rrugë.
- Mos u shqetësoni, mbështetuni, jeni shumë e lodhur, -
i thashë. Në duart e mia ndjeva shtrëngimin e dorës së saj. E largoi dorën dhe
mbylli xhamin e dritares.
- Po shkoni me gjumë në qytetin e lindjes!
- Në qytetin e banimit, pasi i lindjes është shumë
larg.
- Pse, ku keni lindur?
- Jashtë shtetit... Në Pire të Greqisë.
- Ç’ne kaq larg?
- Atje jetonte babai.
- Po tani, në Gjirokastër është?
- Jo. Atje mbeti, në kurbet.
- Ç’bën atje pa ju?
- Oh... tretet. Është tretur me kohë.
- Më vjen keq! Po tani jetoni me nënën?
- Jo, edhe ajo ka vdekur tri vjet më parë... Jetoj me
gjyshen.
- Më falni që padashur ju ngjalla kujtime të hidhura!
- Ju lutem... kujtimet e hidhura kanë vendin e tyre në
jetën e njëriut!
- Me sa duket, juve ju paskan rënduar shumë, ju paskan
marrë shumë ditë!
- Oh... shumë... Për të mos thënë të gjitha. – tha dhe
e mbuloi fytyrën me duar, si për të më kërkuar të mos e vazhdoja bisedën më
tej.
U mbështet pas kolltukut dhe sakaq, qerpikët e bukur iu
përzien. Shikoja fytyrën e saj tërthor dhe mendimet, më bëheshin lëmsh. Kur
makina iu afrua Gjirokastrës, ajo u zgjua.
- Erdhëm më në fund! - tha me zë të lodhur. I mora dorën
dhe i thashë:
- Sa keq që do ndahemi kaq shpejt; nuk do të doja të
mbaronte kurrë ky udhëtim! Tani do mbetem vetëm në qytetin e panjohur me
kujtimin tënd.
Ajo nuk foli, dukej tepër e hutuar. Në dorën time
ndjeva përsëri shtrëngimin e dorës së saj. Sheshi ku qëndroi autobusi ndricohej
fare pak. Zbritëm. Për fat të mirë, askush nuk e priste Isidën. Ecëm ashtu në
heshtje përbri njëri tjetrit. Diku ajo
ndali.
Këtu duhet të ndahemi!... ja hoteli, kjo godina përballë,
- më tha duke më treguar me dorë një godinë më të lartë se shtëpitë e ulta prej
guri të qytetit.
Jo, nuk do ndaloj këtu. Do t’ju përcjell meqë jeni vetëm,
- i thashë. Dolëm nga asfalti dhe iu ngjitëm një rruge me kalldrëm. Në të dy anët
ngriheshin muret e shtëpive. Rrugica ishte e qetë dhe e pandricuar. Dhe nata
ishte e errët, por e kthjellët. Pasi dolëm në një rrugë të drejtëdhe morëm në të
majtë të kalasë, ajo ndali.
Deri këtu... Ju faleminderit shumë!Tani do ndahemi.– më
tha me zë të humbur. Për mua nuk qe e vështirë në atë cast të kuptoja luftën që
bëhej në shpirtin e saj. Ia mora duart dhe ia mbështolla në gjoksin tim.
Rri dhe pak, Isida... Si mund të ndahemi kaq shpejt?...
Kur do të takohemi përsëri?... Ku do t’iu gjej? – pa marrë përgjigjen e saj
nisa t’i puth duart.
Të lutem më lër... nuk jam në gjendje të qëndroj, - më
tha me zë të dridhur. Nuk iu binda lutjeve të saj, i mora kokën në duar dhe duke
mposhtur kundërshtimin e saj të dobët, ngriva mbi buzët e saj. Ajo i la duart në
qafën time, gishtërinjtë e mi u përzien në flokët e saj të dendur. Me zjarrin
tim po ndizja buzët e saj. Po sa e shkurtër ishte ajo ëndërr! Ajo u shkëput si
të zgjohej nga një ëndërr e frikshme, lëshoi një psherëtimë të thellë, shprehje
e kërdisë që bëhej në shpirtin e saj.
E mjera unë... c’bëra, c’mu desh!... Ju lutem, më
harroni, më harroni, - më tha duke u dridhur e tëra dhe u lëshua në rrugicën
gjysmë të errët. Më kot i fola dhe ju luta të ndalte.
Ju lutem, në qoftë se doni të mirën time, mos më
ndiqni, - më tha dhe pak më tej u kthye pas një muri te vjeter dhe më humbi nga
sytë.
Mbeta në vend si
i ngrirë e nuk dija c’të bëja. Hodha shikimin përreth, se mos ndonjë njeri
kishte dalë aty papritur dhe e bëri të ikte aq rrëmbimthi. Aty nuk kishte
krijesë të gjallë vec meje dhe mureve të rrënuara. U mbështeta pas një muri të
lashtë. Ndjehesha si i mpirë. Isha vetëm me qytetin e vjetër e të panjohur. Në
të djathtë, ngrihej i lartë, i zi e indiferent muri i Argjirosë. Tej në qiellin
e zbehtë, u këput një yll dhe humbi tutje pas një mali, duke lënë prapa, për një
cast, vazhdën e një loti të zjarrtë. Më dukej sikur papritur u gjenda në një
botë te huaj, të panjohur e painteres,i mbështjellë
nga lëmshi i kotësisë. Nga pas ndjeva ca hapa të rëndë, të ngadalshëm. Ktheva
koken. Ishte një i dehur, i cili këndonte një këngë të cuditshetshme me një zë
të zvarur:
Punë
e madhe që u plaka
Për
të dalë nga ka... fa..zi
Varrin
mos ma bëni thellë
Se
do pëlcas nga marazi
Ashtu me këngën
e tij, pa pyetur se kishte vec tij krijesa të tjera të gjalla, u gjend pranë
meje. Vendosi ekuilibrin, më nguli sytë sikur unë të isha një send i cuditshëm.
Ha... ha... ha. E paske pësuar edhe ti miku im? Paske
mbetur vetëm... packa, packa! Se mos vetë i dytë do ishe më mirë! Ha.. ha.. ha.
Na, hiqe një herë të uruarën, - më tha dhe më zgjati një shishe me raki gjysmë
të zbrazur.
Ju faleminderit! Nuk e pi rakinë, - i thashë.
Si?!... nuk.. e pii?! Ha.. ha.. Po c’bën në këtë botë,
kur nuk pi rakinë, si ia del tej me mendje të kthjellët?! Na, mos më ofendo. –
me tha prerë. Në atë cast që cdo gjë më dukej e kotë, nuk di pse ndjeva
keqardhje për atë njeri të mbajtur mirë, por të dehur. E mora shishen dhe e
ktheva një herë. Ai më shikonte tërë kënaqësi.
Hë më të lumtë! Ja... kështu ja... duhet të jetë i ziu
njeri. Ta djegë të shkretin shpirt!...pa kur më thonë të mos pi. Ha, ha, të
mjerët që nuk e dinë se njeriu vetëm kështu mund të shkëputet një pëllëmbë, një
copë herë nga kjo botë hileqare. Ha, ha, të shkretët miqtë e mi! – tha i kënaqur
dhe u largua, duke e mbajtur ekuilibrin me zor. Pak hapa më tej, ia mori sërish
këngës së tij: Varrin mos ma bëni të thellë/ se do pëlcas nga marazi...
U ngrita dhe
mora poshtë rrugës nga kisha ardhur. Ecja kuturu. Edhe rrugën e ngatërrova edhe
për hotelin m’u desh të pyesja. Ajo natë m’u duk më e gjata në jetë. Gjumi më
humbi dhe orët i rrokullisa duke lexuar një nga librat që kisha marrë me vete.
Si natyrë, deri atëhere, kisha qënë i përmbajtur, dija t’i ndrydhja ngjarjet e
të mos e mundoja veten. Por ajo ngjarje m’u shfaq e cuditshme. Isha gremisur papritur
në honin ë dashurisë, të cilën nuk e kisha ngritur më parë në shkallën e të
jashtëzakonshmes.
Në mëngjes u
ngrita i lodhur e me shpirt të vrarë. Një mjegull shprese më joshte se do ta
gjeja përsëri Isidën. E gjeta rrugicën dhe vendin ku u ndamë dhe murin e rrënuar,
por atë nuk e pashë. Më kot u sorollata nëpër rrugët me kaldrëm të qytetit të
vjetër. Afër dreke u ktheva në hotel. Më ndrydhte kotësia. Kurrë nuk e kisha
menduar veten aq të dobët, pas një ndjenje aq të shkurtër, pas një bisede aqe të zbehtë e pas një puthjeje, që kush e di sa
e sa herë e kisha përjetuar. Dëshira turistike më i shte shuar. Më kot u vërtita
për tre ditë nëpër rrugët e qytetit. Ditën e katërt, në drekë, kur u ktheva në
hotel me shpresa të humbura, më ndaloi sportelisti i hotelit dhe më dha një letër.
Unë letër? – e pyeta kureshtar.
Po, sipas emrit për juve është.
Kush e solli?
E solli një plakë. Më tha jepja Etjenit nga Tirana.
Ju tha gjë tjetër? – e pyeta i befasuar.
Jo, or bir, asgjë.
U ngjita menjëherë
në dhomë dhe hapa zarfin. Bashkë me nje copë letër, në zarf ishte dhe një
fotografi. Ishte një vajzë adoleshente, e ulur në një ballkon me shikimin e
tretur në hapësirë. Ishte Isida, akoma më e bukur sesa e kisha njohur. Lexova
prapa; “ Po të dërgoj këtë fotografi. Kam dalë atehere kur isha e lumtur, kur
bota më dukej e madhe, e bukur”. Hapa letrën:
I dashur Etjen!
Për herë të parë
po quaj kështu një njeri. Në një ditë e njoha forcën e dashurisë, për të cilën
kisha lexuar aq shumë nëpër libra, por kurrë nuk i kisha besuar psherëtimat dhe
lotët e saj. Sa keq që ndodhi kështu! Të lutem largohu nga qyteti. Ne nuk mund
të takohemi më. Fati im këtë e bën të pamundur. Të siguroj se dashurinë për ty,
do ta mbaj në shpirt, të shtrenjtë, të zjarrtë. Ajo e tillë është dhe pa dëshirën
time. Do ta mbaj të heshtur ashtu sic e mbajta gjatë gjithë rrugës, ku ajo
lindi. Kujtimi i saj do më japë forcë ta pres fundin me durim, ajo do më ndajë
nga jeta me një përshtypje të mirë. Të lutem edhe një herë i dashur, largohu
dhe ruaje edhe ti në shpirt kujtimin për mua. Kjo është dhurata më e mirë që
mund të më bësh.
E lexova përsëri
letrën. Cdo gjë e kisha menduar, por një kërkesë të tillë nuk e prisja. Tashti,
dëshira për ta parë qoftë edhe një cast, m’u bë e papërballueshme. Cfarë kishte
ndodhur? C’ishte ajo letër plot enigma?
U shtriva në
shtrat dhe vrisja mendjen se c’duhej të bëja. Zëri i saj i qetë, i ëmbël, i
lodhur, shikimet aq të sinqerta, fjalët e saj të druajtura, cdo veprim i saj
ishte mishëruar në qënien time. Pas një copë here të gjatë, u ngrita dhe dola përsëri
në rrugëve të kalldrëmta. U ngjita lart në kodrën e kalasë dhe u ula në një
hundishte me bar. Përreth meje ngriheshin mure të lashtë, diku të rrënuar e të
mbuluar me kulper. Aty në mes mureve të zinj shekullorë, më vërshuan shekujt
brenda vetes. “ Hej jetë, sa e cuditshme që je!” C’drama e tragjedi kanë parë këta
mure, c’gëzime, c’fatkeqësi, sa lotë e gjak kanë rrjedhur në këta mure?! Dhe
vitet ecin, rrokullisen, si të mos ketë ndodhur asgjë! M’u duk sikur nga muret
mbinë njerëz prehistorikë dhe ashtu nëpër gurë më shikonin me ironi, keqardhje
e habi, tek rrija i vetëm me duart lidhur para gjunjëve.
Nga një kamare e
errët, që kushedi se në c’odrum të kalasë të fuste, doli një mace e zezë,
rrotulloi shikimin dhe e ndali një cast mbi mua. Lëshoi një mjaullimë dhe u
kthye indiferente e humbi në kamaren nga kishte dalë. U ngrita dhe dola prapë
te rruga që isha ndarë me isidën. Shkova deri tej nëpër shtëpitë që dukeshin
sikur i kishin mbështetur gjunjët mbi njëra tjetrën. Më kot, asnjë shpresë. U
ktheva në hotel dhe u shtriva të mblidhja veten. Të nesërmen duhej të ikja.
Mbasdite vonë u
ngjita përsëri në rrugën e saj. Nuk e dija se c’ndjenjë instiktive më nxiste këmbënguljen!
U ula në murin e rrënuar, ku më kishte gjetur i dehuri. Po binte mbrëmja.
Zhurma e qytetit po fashitej. Secili po mblidhej në strehën e tij, kurse mua më
rëndonte vetmia si asnjëherë tjetër. Kthimin në hotel e kisha të vështirë, pasi
edhe gjumin, sic të kam thënë edhe herë tjetër, e kam patur të racionuar. Së
fundi, mendova të shkoja në ndonjë lokal, të pija sa të më mpiheshin mendimet.
Ndërkohë, drejt meje po vinte një plakë. Një shpresë m’u ndez në shpirt. Ajo
m’u afrua dhe më foli:
Mirëmbrëma, more bir.
Mirëmbrëma, nëno, - iu përgjigja dhe u ngrita menjëherë
në këmbë.
Ta dhanë një letër, atje në hotel?
Po nënë, ma dhanë. Ju ma kishit sjellë?
Po, unë jua solla.
Kush jeni ju? Cfarë e keni Isidën?
Mbesë, jam gjyshja e saj more bir tha me nje ze te
lodhur
I mora dorën si
të ishte nëna ime dhe ia mbështolla në të miat.
Si është Isida? Cfarë ka? Cfarë i ka ndodhur? – e
pyeta.
Nuk iua ka thënë vete rrugës?
Jo, nuk më ka folur për ndonjë rrezik... po ishte
gjithmonë e hutuar.
Ajo më dërgoi t’ju marr në shtëpi. Ju ka parë cdo ditë
nga dritarja dhe së fundi vendosi t’ju thërrasë në shtëpi. Ejani ju lutem. Zëri
i saj kishte shumë dhimbje, por fjalët e saj me ndezen ne shpirt driten e
gezimit.
U nisa pas saj
me një ndjenjë të përcudnuar. Pandehma në tunel u vërtetua; Isida vuante nga një
sëmundje e rëndë. Kjo dukej nga qëndrimi i plakës, nga fjalët e saj. Pak më tej
shtëpisë, ku Isida më kishte humbur nga sytë, u futëm në një portë të lartë e të
ngushtë. Kur u futëm në oborr, plaka e mbylli portën me një shul hekuri dhe më
priu për në shtëpi. Nga salloni i vogël i katit të parë, u ngjitëm në ca shkallë
të përdredhura prej druri që të conin në katin e dytë. Shkallët kërcisnin lehtë,
si me rënkim e unë ngjitesha pas plakës si në ëndërr. Në sallonin e katit të
dytë, të shtruara tej e mbanë me qilima, ishin dy dyer përballë njëra – tjetrës.
Futu te kjo derë, more bir, - më tha plaka.
Mbeta një cast në
mëdyshje. Plaka qëndronte para meje me një pamje fisnike. Dy sytë e ssaj më
kishin mbuluar më një shikim të përvuajtur. Pamja e saj e jashtme tregonte për
bukurinë e dikurshme, mbi të cilën hallet kishin shkelur ashpër.
Nuk do futeni ju? – e pyeta.
Do vij më vonë, tashti kam ca punë poshtë në kuzhinë.
Futuni, aty ju pret Isida. – më tha dhe nisi të zbriste shkallët. U afrova pranë
portës, por dora më dridhej. E hapa derën dhe u futa në një dhomë të bukur si
kuti,që ndricohej nga një llampadar i bukur ngjyrë rozë. Isida ishte ulur mbi
një krevat tek, të mbuluar me një kuvertë vishnje me katrore. U ngrit në këmbë
dhe me duart të zgjatura, më tha:
Eja Etjen, më fal që nuk dola dot të të prisja! I
shkova pranë, i mora të dy duart, e ula në shtrat dhe e pyeta:
Cfarë ke kështu Isida? Pse je kaq e shqetësuar? Pse nuk
më the asgjë rrugës?
Nuk jam mirë, sot gjithë ditën kam qënë keq. Pak më parë
kur kalove në rrugicë, të pashë nga dritarja dhe dërgova nënën. Sa mirë që
erdhe, Etjen! Po më zihej fryma... mendimi se nuk do të shikoja më tmerroi.
Mos fol më e dashur, mos e lodh veten. Ti nuk mund ta
marrësh me mend sesa mirënjohës të jam që më thirre në shtëpi! Letra që më dërgove
në hotel, më dërrmoi. Katër ditë më janë dukur si muaj. Pa të parë edhe një herë
nuk mund të largohesha nga qyteti. I flisja me shpirt dhe ajo më shikonte thellë
në sy, si për të gjetur aty peshën e fjalëve të mia. E ula në shtrat dhe epyeta:
Tashti a je më mirë Ida?
Oh... jam shumë mirë Etjen! O Zot... sa mirë që erdhe!
– më tha me zë të dridhur dhe m’i hodhi duart në qafë. U përqafuam, por në
castin që shkova te buzët e saj, ajo ktheu kokën mënjanë dhe më tha pranëë
veshit:
Të lutem, mos më puth në buzë. Unë nuk jam mirë... jam
e sëmurë... vuaj nga tuberkulozi! Para se të vije ti, kalova një krizë të rëndë.
Tani ditët i kam të numëruara, prandaj t’u luta në letër të largoheshe. Nuk
munda ta ndrydhja dashurinë dhe të thirra... t’i jetoja këto ditë pranë teje!
Lotët i rridhnin
në faqet e ndezura. Fjalët e saj më bënë të dridhesha i tëri. Me zor e mbajta
veten të mos qaja në sy të saj.
Ty mund të duket
e pabesueshme i dashur mik, pasi ma ke njohur disi karakterin. Kam ndeshur nëpër
jetë, në libra apo në filma burra që qajnë nën tundimin e gruas, por skena të
tilla nuk më kanë pëlqyer. Burrit i ka dhënë krijuesi forcën vetëpërmbajtëse, për
t’i dhënë kurajo botës delikate të gruas. Por ja ku po ta them, se atë natë, unë
e ndjeja veten aq të pafuqishëm përpara dramës së asaj bukurie në buzë të
varrit. Psikoza ogurzezë e tuberkulozit në atë kohë ishte tepër e frikshme, por
tek unë, në atë cast ishte pa efekt. Prandaj i fola me kurajo:
Isida, mos fol kështu, te lutem! Ti nuk ke asgjë... cdo
gjë e vogël do kalojë, do ta shikosh, këtu do jemi bashkë. E për t’i thënë se
frika e saj, për të mos e puthur në buzë, ishte e kotë, e shtrëngova në krahët
e mi duke e puthur gjatë në buzë. Ajo u qetësua, e mblodhi veten sikur fuqia i
ra nga qielli. E lamë pas frikën e së keqes dhe nisa t’i tregoja gjëra të
bukura. Më duhej të sillja shpresa e gëzim në atë dhomë, ndonëse vdekja priste
pas xhamit të dritares. Kur u fut gjyshja e saj në dhomë, Isida ishte mirë, e
qeshur, e gjallëruar. Fytyra fisnike e plakës u cel e sytë i qeshën, kur pa të
mbesën në atë gjendje të re.
Mos u mërzite bir i nënës? – më pyeti.
Jo nënë, përkundrazi, edhe Isida është mirë, ajo nuk ka
aspak rrezik!
A i ke prindërit?
Jo nënë, asnjërin. Jetuan në këtë botë, sa lanë mua dhe
tri motra të cilat janë martuar.
Eh more bir! C’të bëjmë, kështu e panjohur është jeta.
Cdo njeri ka fatin dhe historinë e tij.
Ashtu është nëno, por meqë fatet dhe ligjet e jetës,
nuk varen shpesh herë nga dëshirat tona, njeriu nuk duhet ta japë veten në asnjë
rrethanë. Duhet mbajtur te shpresa. Ajo është parashuta e jetës në qiellin e
fatkeqësive. Nuk di si me rrodhen keto fjale!
Të lumtë goja o bir! Kështu është. Kurajo dhe shpresë.
Pasi iu drejtua së mbesës, i tha:
Do hamë darkë? Shkoi vonë.
Po gjyshe, do hamë. Sonte shtëpia jonë e vetmuar ka një
mysafir. – i tha ajo e skuqur në fytyrë.
E kam menduar këtë shpirti i gjyshes. Darkën e kam
gati. Ti mos luaj fare nga krevati, do afrojmë tavolinën këtu, - tha plaka. Unë
kërkova ndjesë se më duhej të ikja, (ngaqë mos më mbyllej hoteli) por plaka ndërhyri:
Jo more bir, nuk ke ku shkon e mbase për hotelin nuk do
kesh nevojë sonte. Ti solle kaq gëzim në shtëpi!- Shikimi i ëmbël i Isidës ma
mbylli cdo përpjekje. Plaka doli plot gjallëri nga dhoma.
Paske një gjyshe të mrekuellueshme, Ida!
Ka zemër të madhe, Etjen... Në rini ka punuar mami, është
grua me kulturë. Unë kam lindur në duart e saj dhe gjithë kohës jemi dashur
shumë. Kur e gjora mama ishte gjallë, bëhej shpesh xheloze se unë i ngjitesha
pas gjyshes. Ndërkohë, plaka solli lart darkën dhe u ulëm rreth tavolinës, pranë
krevatit të Isidës. Mbi tavolinë, gjyshja vuri tri gota, një të madhe për mua
dhe dy të vogla. I mbushi me verë të kuqe, ngriti gotën dhe na uroi:
Gëzuar bir i nënës! Mirë se na erdhe, patsh mbarësi në
jetë! Gëzuar shpirti i gjyshes, Zoti na ndihmoftë! – i tha të mbesës. I ktheva
urimin dhe nisëm të hanim darkën, me ombrellën e enigmës së jetës mbi kokë...
Gjatë darkës lëvdova
gjyshen për gatimin, pastërtinë dhe rregullin që vihej re kudo. Ajo u gëzua,
ashtu sic ndodh me cdo grua, qoftë edhe për një fjalë të bukur. Pasi mbaruam së
grëni dhe plaka po zbriste enët poshtë i thashë Isidës për të ikur në hotel. Aj
me shikoi e trishtuar dhe më tha:
Rri këtu, të lutem! Kemi vend, në dhomën përballë. Kemi
ndërresa të pastra, të pa përdorura. Mos ke gjë merak? E pushtova në krahët e
mi dhe i thashë as të mos e mendonte një gjë të tillë.
Atëherë, rri këtu. Po ike, unë nuk do jem e qetë. Fliste
e ndrydhur nga turpi, por e shtyrë nga zemra ndoshta edhe nga frika e asaj që e
kërcënonte. E putha prapë në buzë dhe i thashë:
Jam gati te rri ketu ne stol prane teje gjithe natën, gjithë jetën. Ajo u gëzua si fëmijë.
Pasi rregulloi dhomën për mua, plaka erdhi dhe u ul përballë të mbesës. Afër
mesnatës plaka e mirë më bëri me shenjë dhe i tha të mbesës të flinte, se ishte
e lodhur. Ajo puthi Isidën, dhe të dy
dolëm nga dhoma.
Dhoma ku do të
flija ishte pak më e madhe se e Isidës. Tavanin e kishte prej dërrase, të lyer
me bojë vaji kafe të errët. Nëpër qoshe ishin gdhendur ca lule të përdredhura,
të cuditshme. Pranë krevatit, mbi një komodinë, lustra e së cilës kishte një
shkëlqim të zi, ishte një radoi e markës “Philips”. Në mur, përballë krevatit ishte
varur një pikturë e vjetër, por e punuar nga një dorë me talent. Në të
paraqitej një gji deti me stuhi, në mbrëmje. Pranë ca shkëmbinjve të thepisur,
të lartë, të frikshëm, lëkundej një varkë me vela të ckapërdisura. Mbi varkë,
tre njerëz jepnin e merrnin të tmerruar, për të shpëtuar jetën. Lart mbi kokën
e krevatit ishte një fotografi e madhe, e vendosur në një kornizë të hollë
metalike. Në fotografi ishte një cift, ndoshta në ditën e martesës. Burri ishte
veshur me frak të zi. Në jakën e ngritur të këmishës kishte lidhur një papijon.
Kurse gruaja kishte veshur një fustan të bardhë, që i derdhej në këmbë. Në kokë
kishte vënë një kapele të bukur me një lule anash. Cift i bukur. Shikimin
kureshtar mbi ta ma hoqi nënë Athinaja, e cila më foli nga dera pas kraheve te
mia:
Janë prindërit e Isidës.
E mora me mend. Ida ka marrë bukurinë e të dyve.
Ashtu është, - më tha plaka e menduar.
Uluni nënë... uluni të rrimë edhe një copë herë, nesë
nuk ju vjen gjumë.
Jo or bir! Ku është
gjumi im! Por duhet të flini ju, jeni i lodhur. – tha plaka dhe u ul në një
karrike prej xunkthi. Dukej që donte muhabet. Këtë gjë unë e kisha menduar t’ia
detyroja ndaj ia nisa menjëherë bisedës.
Kam menduar gjatë gjithë rrugës, kur u njoha me Isidën.
Kam menduar për fatin e saj, për njerzit që e kanë rrethuar. Tani mendoj për
ju, për këtë shtëpi, me të cilën u lidha si në ëndërr. Gjatë rrugës Isida më
tha se nuk i kishte as nënën e as babanë. Më tha se ka lindur në Greqi, por
asgjë më shumë. Jam kurioz të di më shumë, nënë Athina, nëse nuk ju lëndoj plagën.
Plaka ndenji një
cast e menduar e pasi më nguli sytë më tha:
Jo or bir. Nuk më lëndon. Fundi i fundit, sado dhimbje
të sjellë kujtimi i asaj që ka kaluar, dhimbja nuk mund të përsëritet me atë
forcë. Pastaj njerëz jemi... Grekët thonë një shprehje; Sta vuno dhen pani o
ponos (në mal nuk vete dhimbja). Njeriu i shkretë i heq dhimbjet ne kete jete
sado te renda qofshin. Punët e fatit janë habi më vete more bir! Më thotë
mendja se sikur njerzve t’u thuhej qysh në fillim të pjekurisë e ardhmja e
rende e jetës, zor se bota e tërë mund të bëhej më tepër se pak miliona.
Unë vura buzën në
gaz e ajo vazhdoi:
Më të shumtën e jetës ne e kemi kaluar jashtë, në
kurbet. Në fillim në Egjipt e pastaj në Pire. Në Egjipt kaluam nja katër a pesë
vjet me shqetësime e me mungesa. Kurse në Greqi, burri im, me ndihmën e disa
miqve, u fut në doganën e portit detar. Unë zura punë si mami. Krijuam një jetë
të qetë. Në port burri im u njoh me një libohovit. Kishte mbetur jetim. Kishte
ikur nga Libohova në moshën 16 vjec. Ishte futur në portin detar e me kalimin e
kohës ishte bërë mekanik i aftë vaporrësh. Burri e solli një ditë në shtëpi dhe
na e njohu si bashkëatdhetar. Prej asaj dite ai vinte në shtëpinë tonë, sa herë
kthehej nga udhëtimet nëpër botë. Ne kishim atëherë një vajzë, nënën e Isidës.
Ajo u miqësua me libohovitin. I rrinte pranë e dëgjonte me kureshtje tregimet e
tij nga bota e detet. Njohja nga afër i coi drejt dashurisë e më vonë u
martuan. Dhëndrrin e morëm brenda. Në shtëpinë tonë ai gjeti lumturinë, sic
thoshte vetë. Ato vite kanë qënë më të bukurat në jetën time. Pas një viti, ata
lindën vjazën, Isidën. Sa të gëzuar ishim! Unë dhe plaku cmendeshim pas Isidës.
Nja dy vjet para luftës së Dytë Botërore, burri im vdiq. Babai i Isidës e la
detin për të na qënë pranë në turbullirat që po sillte lufta. Hapi në Athinë një
oficinë riparimi makinash. Edhe unë dicka fitoja si mami në një spital privat.
Mamaja e Isidës qepte në shtëpi dhe merrej me edukimin e vajzës. Ishim të gëzuar.
Isida ishte qendra e gëzimeve tona. Mirëpo erdhi lufta. Athinën e pushtuan
gjermanët. Filluan ditët e zeza të arrestimeve e terrorit nëpër rrugë e lokale.
Një pasdite tek prisnim Polimerin, babanë e Isidës, të na vinte i qeshur si përherë,
na e sollën pranë shtëpisë të mbytur në gjak, të vdekur. Në oficinen e tij,
ishin përleshur tre patriotë grekë me gjermanët. Ky ishte hedhur në ndihmë të
grekërve dhe kishte mbetur i vrarë nga automatikët, bashkë me të tre shokët.
Ime bijë nuk e duroi dot atë pamje. Briti me ulërimë e ra në vend pa ndjenja.
Dy tre ditët e para i kaloi me asfiksi. U dërrmua shpirtërisht. Më vonë u përpoq
të helmonte veten, por fati nuk e kishtë thënë ashtu. Buza e saj nuk qeshi më!
Në atë shtëpi të gëzuar, gazi u shua. Ajo i kalonte ditët në vaj, te varri i të
shoqit. Shpesh e merrte edhe Isidën me vete. Kjo bëri që edhe shpirtin e kësaj
ta mbulonte trishtimi. Përditë e këshilloja se duhej kurajo për vete, duhej
edukuar vajza me shpresa të mira për jetën. Por këshillat e mia nuk sollën asgj
të mirë. Nuk e di o bir si të them. Unë po i ngjitem të shtatëdhjetave, kam parë
dynja, por gjëkund nuk kam njohur cift tjetër, që ta donin njëri tjetrin aq
shumë! Pas ndonjë viti, mjekët i vunë re sëmundjen e tuberkulozit dhe i këshilluan
ndërrimin e klimës. Një mjek i zoti, mik i familjes, më këshilloi ta largoja
nga varri i të shoqit. Vendosa të kthehesha në Shqipëri. Kështu hallet o bir.
pasi u larguan gjermanët nga Athina, ne gjetëm rastin dhe erdhëm këtu. Në
fillim ime bijë e mori veten, por ajo qe vetëm gjendje e përkohshme. Pas kësaj
na goditi fatkeqësia tjetër. Mjekët nxorrën të prekur nga sëmundja e s’ëmës dhe
Isidën. Eh more djalë, fatit nuk ia mbyll dot derën. Sëmundja e vajzës ia afroi
vdekjen së ëmës. Ishte e pamundur të ndryshohej gjendja e tyre, me gjithë përpjekjet
që kam bërë. Ylli i këputur nuk kthehet prapa. Ime bijë vdiq, po mbush tre
vjet. Vdekja e saj i preu shpresat për shërimin e Isidës. Mua m’u shkatërruan
nervat. Më duhet të përdor ilace për të fjetur 4 a 5 orë gjumë. Nuk di si më ka
mbajtur shpirti gjallë. Sa i fortë qenka njeriu, që, kur i vjen ora vdes dhe
nga një gjemb trëndafili.
Këtu plaka e
ndali tregimin. Psherëtiu thellë, fshiu sytë e përlotur dhe tha sikur të fliste
me vete:
Eh... tani pres goditjen më të rëndë... cdo me duhet
jeta pas ikjes së saj?! Sa herë i lutem Zotit të më marrë, por jo, ora e
vdekjes është me sa duket gjyq më vete. Njeriu as e afron e as e largon dot!
Unë e dëgjoja si
i mpirë. Ajo më nguli sytë dhe më tha me dhimbje të thellë;
Isida është rëndë, bir... i ka ditët e numëruara! Para
dy javësh shkoi në Tiranë me një kushëririn tim. Atje e kishte vizituar një
mjek i huaj dhe ia kishte prerë shpresat e shërimit. Cdo mjekim është i kotë.
Ajo edhe pak ditë jetë ka, packa që duket ashtu e shëndetshme, e bukur. Eshtë
bukuria e fundit që i jep sëmundja. Ajo sëmundje kështu e ka.
Mua më ishin
mbushur sytë me lotë. Nënë Athinaja këtë herë nuk i fshiu lotët e i la t’i rrëshqisnin
poshtë faqeve të flashkura.
Tashti nuk kam më gëzim tjetër, vetëm atë, ta ruaj deri
ditën e fundit, t’i plotësoj cdo dëshirë të sajën. Kjo është arsyeja që une
erdha dhe ju mora ne shtepi. T’ju them të drejtën, kur më foli për ju u habita.
Më cudiste kjo miqësi e lidhur në udhëtim. Kur ju po kalonit poshtë shtëpisë
sonë sot në mëngjes, ajo më foli hapur për ndjenjat e saj. Unë e kundërshtova.
U mundova t’ia ftohja, t’ia shuaja atë ndjenjë që i kishte lindur udhës. Këtë,
ngaqë e dija fundin e saj. Ajo shkroi letrën që iu solla në hotel. Pas kësaj
gjendja e saj shpirtërore u rëndua kaq shumë, sa për herë të parë më kërkoi ta
lija vetëm. Kujtuam se ju kishit ikur. Sot pasdite ajo ju pa nga dritarja e
dhomës së saj dhe më thirri. I ishte celur fytyra... më tregoi me dorë. Ju
rrinit mbi atë murin e rrënuar. Më tha prerë: “ Gjyshe, unë e dua atë! E dua
kaq shumë, sa nuk di si të ta tregoj!... le ta kem jetën e shkurtër... le të
vdes që nesër, por këtë orë dua të rri me të. Të lutem, shko dhe merre në shtëpi
“. Kështu erdha dhe ju mora. C’gjë të mirë do të sillja duke kundërshtuar
lutjen e saj?! Kjo o bir është e vërteta jonë e hidhur! Shpirtin e kam plagë për
të, tani më vjen keq dhe për ju! Ju keni jetën tuaj e do ecni si t’jua ketë
shkruar fati. Ishallah e patshi të bukur, por me këtë udhëtim i kini hapni
shpirtit një plagë.
Fjalët e plakës,
të zvarrisura, të ngadalshme e plot dhimbje, më binin si gurë në zemrën e
tronditur nga ajo dramë që m’u shpalos përpara syve. Ashtu, i mbështetur në bërryl,
i përlotur ndenja një copë herë të gjatë. Në shpirtin tim bëhej luftë dërrmuese
në mes dëshirës, shpresës, besimit dhe të vërtettës së hidhur. Kisha humbur në
honin e mendimeve, kur në dhomën e heshtur tingëlluan fjalët e plakës së
vuajtur.
Ngrihuni, bir i nënës. Shtrihuni e flini, jeni i
lodhur. Ju lodha dhe unë me hallet tona.
Nuk më vjen gjumë nënë. Ndihem vetëm fatkeq. C’tju
them? Më thoni se c’mund të bëj? Nuk do të kurseja asgjë për të shpëtuar jetën
e saj. Ajo nuk duhet të vdesë. C’mund të bëj për të? – i thashë.
Asgjë nuk mund të bëjmë, bir. Vetëm të rrini këtu pranë
saj. Në këtë gradë që ka arritur sëmundja, nuk ka c’të bëjë as Zoti! Ju siguroj
se koha e saj për të jetuar është tepër e shkurtër. Kushërira ime më njoftoi
nga Tirana mendimin e prerë të mjekëvë. Përvec kësaj, unë ia shikoj vdekjen në
sy. Ka po ato shenja që pati e ëma ditët e fundit të jetës. Duke ju patur pranë,
ajo nuk do ta mbajë mendjen te vdekja, nuk do t’ia ndjejë hapat. Kaq mund të bëni
për të. Tani qetësohuni bir, mbahuni i fortë. Ne kemi nevojë për kurajon tuaj.
Pas këtyre fjalëve,
plaka u ngrit. Kaloi koridorin me hapa të lehtë, hapi me kujdes derën e dhomës
përballë dhe pasi pa një cast, u kthye dhe më tha me zë të ulët:
Po fle e qetë e shkreta! Natën e mirë biri im!
I thashë natën e
mirë dhe e sigurova të flinte pa merak, pasi për cdo nevojë që mund të kishte
Isida, do kujdesesha unë. Ajo zbriti shkallët e drunjta, kurse unë mbeta vetëm
me një gjendje shpirtërore që vështirë ta tregosh me fjalë. Hoqa këpucët dhe
ashtu me corape shkova dhe hapa derën e Isidës. Mendimi se fantazma e vdekjes vërtitej
mbi atë fytyrë ëngjëllore, ma ndrydhi shpirtin deri në dhimbje. Ndenja nja copë
herë ashtu, i humbur në mendime të dhimbshme, përballë saj. U ktheva në dhomë.
Shikova një cast nga dritarja e vogël e dhomës. Qyteti kishte rënë në hështjen
e natës. Në atë qetësi dëgjohej vetëm kënga e cjerrë e bulkthit. Lart, në
qiellin e kthjellët, vezullonin yje të dendur. Sipër, mbi kokën e malit
Kronjar, shtrihej kashta e Kumtrit, si dëshmitare e përhershme e një udhëtimi të
panjohur, të pafund, të dyshimtë. Më dukej sikur edhe yjet dhe qielli dhe toka
rënkonin në atë cast nga pesha e një dhimbjeje të thellë. U shtriva në krevat
dhe mbylla sytë. Doja të flija, t’i mbyllja mendimet, por praninë e gjumit nuk
e ndjeja fare. I hapa sytë dhe shikimi më ra mbi pikturën në mur, ku tre njerëzit
të tmerruar nga deti i stuhishëm, bënin përpjekje për të mos e lënë jetën. Deri
nga ora tre e natës humba nëpër mendime e shpresa të mjegullta. Gjumi më zuri
pa e kuptuar.
Nuk e di sa
kisha fjetur, kur ndjeva një ngacmim në faqe dhe hapa sytë. Pranë krevatit
ishte ulur Isida dhe më kishte mbështetur mbi faqe dorën e saj të butë. Nga
dritarja, dielli kishte lëshuar në murin karshi një rreze të pjerrët. Shikimi i
qeshur e plot dashuri i saj, në atë mëngjes të bukur, më bëri të besoj se
lumturia jëton në botë. Qoftë ajo edhe e shkurtër. Në atë cast, nuk di c’ju tek
mendjes të cajë kujtimet e viteve dhe të më sillte para syve një mëngjes fëmijërie:
M’u duk vetja i përgjumur në shtrat. Pranë tij e ndjera nënë më kishte mbështetur
dorën e dashur mbi faqe dhe më thoshte me zë të ëmbël; “ Etjen, cohu bir i nënës,
cohu se vajti vonë e do të zërë qyqja në gjumë. “
Cohu i dashur... oh, sa ke fjetur! Të zuri qyqja në
gjumë, e dëgjon? Ajo ka nisur të këndojë. – më tha Isida e qeshur. Dola nga përfytyrimet
e viteve të shkuara. I hodha Isidës dorën në qafë e ajo më mbuloi me flokët e
saj të dendur.
Si fjete i dashur?
Mirë, por më ka zënë gjumi vonë. - i thashë. Erdha dy
herë e të pashë tek flije.
Oh... e pse nuk më zgjove? – më tha dhe rrudhi vetullat
si e zemëruar. E përqafova dhe flokët e saj na mbuluan të dyve.
Pasi hëngrëm mëngjes,
i thashë.
Si do të qëndroj këtu gjatë gjithë ditës?
Mos rri brenda. Dil në qytet... këtu do të mërzitesh.
Në sytë e saj
ndihej një mall e keqardhje. Dukej që pyetjen nuk ma kuptoi drejt.
Më keqkuptove ida. Unë mund të rri kështu, pranë teje tërë
jetën, por desha të them se mos vijnë njerëz ee... si do t’u thoni për një
mysafir të panjohur?
Për këtë mos ki merak. Ne nuk jemi mësuar të kërkojmë
apo të japim shpjegime të tjerëve për ngjarjet brenda shtëpisë. Vec kësaj... kjo
dhomë rrallë shikon mysafirë. Nuk vjen njeri me dëshirë në dhomën e një të sëmure
të tillë.
Ishte ora nëntë,
kur nënë Athinaja u ngjit në dhomën tonë e na tha se do të dilte në Pazar. Unë
nxorra një kartmonedhë njëmijëlekëshe dhe iu luta të blinte verë, mish dhe
kafe. Ato kundërshtuan të fyera. Unë ngula këmbë.
Në qoftë se nuk do të ma plotësoni dëshirën, atëhere
mua më quani të huaj. Si i tillë mua tani më mbaron koha e mysafirit. Do më
duhet të iki dhe të kthehem vetëm për ndonjë vizitë të shkurtër.
Përgjigjia ime i
stepi, vecanërisht Isidën.
Jo or bir, për ne nuk je aspak i huaj tani. Po s’është
nevoja! Ne nuk jemi keq për të holla, - ma ktheu plaka e mirë.
Sidoqoftë, kjo është dëshira ime. Unë kam ardhur në këtë
qytet për pushime, pra i kam marrë parasysh shpenzimet. Mos ma prishni dëshirën,
ju lutem. – u thashë dhe ia futa lekët në borsetën që mbante në dorë nënë
Athinaja. Ajo doli me mëdyshje, e zënë ngushtë.
Kot ngul këmbë, Etjen! Pse harxhohesh, kur ne nuk jemi
në hall për kaq gjë? – më tha Isida.
Ta lëmë këtë bisedë, e dashur. Por merri letrat dhe
ndaji, kam vendosur të të mund i thashe pasi kutin me letra e kishte mbi
komodine prane kokes se krevatit – ajo qeshi dhe më tha:
Mua mund të më mundësh, por do të ma marrë hakun
gjyshja. Ajo më ka mësuar të luaj qëkur isha e vogël. Sa herë që lodhem duke
lexuar, loz me gjyshen e ajo më le qëllimisht të fitoj.
Kurse mua më pëlqen që kundërshtari ta meritojë
fitoren. – i thashë.
Kështu më pëlqen dhe mua, po me gjyshen nuk matem dot,
seriozisht. Kështu që jam mësuar të kënaqem me fitoren e dhuruar.
Nisëm lojën. Unë
fillova t’ia shikoja letrat vjedhurazi. Dhe këtë e bëja për ta ngacmuar, për
shaka. Kurse ajo lozte me ciltërsi e sinqeritet. Herë pas here ia merrja letrat
që hidheshin në shesh. Ajo cuditej, por kur mësoi dredhinë time, nisi të ruhej
e të kërcënohej aq bukur, sa mua s’më mbetej vec të besoja se lumturia kishte
rene per te qendruar gjate mbi ne.
Ajo ditë e
shkurtër kaloi me shaka, me biseda e përqafime plot dashuri. Isida më tregoi
librat e saj. Biblioteka e thjeshtë kishte edhe libra në gjuhën greke.
Pothuajse të gjithë librat ishin romantike, vepra të realizmit kritik, plot
ngjarje dramatike, dashurie. Nga ato Isidës i kishte lënë mbresa romani “ Gabim
i tmerruar “. Unë e pyesja për ndonjë gjë, ajo më përgjigjej, ose më pyeste me
ciltërsi dhe intimitet të plotë. Dukej që horizontin e saj të njohjes e kishte
formuar nëpër fletët e verdha të atyre librave, që i pat lexuar e rilexuar. Pas
tyre më tregoi fotgrafitë e saj. Kur mori një album të prindërve, unë i hapa një
bisedë dhe e lamë atë album ta shikonim një herë tjetër. Gjatë gjithë ditës ajo
ishte e qetë, e gëzuar. Lëvizte nga dhoma ime në të sajën plot gjallëri. Unë e
shikoja i dehur trupin e saj të derdhur e të mbështjellë me një robdishambër mëndafshi
të kuq meca lule të mëdha te verdha. Më shqetësonte vetëm shikimi i nënë
Athinasë. Sa herë që unë duke parë gjallërinë
e Isidës, mendoja se vdekja ishte gremisur në fund të botës, ajo e mbulonte të
mbesën me një shikim plot dhimbje, që të kujtonte se vdekja ishte midis nesh. Në
mbrëmje Isida filloi të kollitej. Kollitjet pasuan njëra tjetrën dhe i sollën
një krizë. Volli gjak. Pas dhjetë minutash u qetësua. Unë rrija pranë saj i përlotur,
me shpirt të vrarë e me shpresa të humbura. Nënë Athinaja kishte të drejtë. E
mbesa jetonte ditët e fundit me nurin e vdekjes. Pas ndonjë ore, asaj iu kthye
përsëri gjallëria e ditës. Por herë pas here kollitej e lëvizte gjoksin e bukur
të shtrënguar në robdëshambër, sikur përpiqej të shpëtonte nga një gërvishtje e
padurueshme. Sytë e saj i kishte rrethuar një vijë mavi. Akrepat po kalonin orën
dhjetë të natës, kur plakë Athinaja na kujtoi të flinim pasi nuk kishim pushuar
as pasdite.
Si të duash, - i tha Isida.
Gjyshja u ngrit.
U ngrita dhe e përcolla në koridor. Në krye të shkallëve më pëshpëriti:
Sonte ki kujdes, të keqen. Ajo nuk është mirë. Po t’i
ndodhë ndonjë krizë, më lajmëro me njëherë. Qëndroi pranë sa ta zërë gjumi. Ajo
ka dëshirë të rrijë vetëm me ty. Në praninë time rri e ndrydhur, në kohën që shpirti i saj ka
nevojë për dlirësi. Prandaj po zbres poshtë. Natën e mirë!
Në shikimin e
gjyshes Athina, në zërin e saj kishte dashuri, keqardhje, por dhe një shkëndijë
xhelozie. Mbesa e saj e mirë, gëzimi i vetëm, gjatë një udhëtimi e kishte
kthyer papritur zemrën nga një njeri, i cili në atë shtëpi fatkeqe, dukej si i
rënë nga qielli, por që kishte sjellë me vete gëzimin e fundit për mbesën e
dashur, e cila po rrëshqiste në rrëpirën e vdekjes.
Natën e mirë, nënë! – nuk e di c’desha të shtoja më
tej, t’i jepja zemër asaj plake të mirë, por nuk i gjeja dot fjalët.
U ktheva në dhomë
te Isida. U ula pranë dhe ia mora duart. Ajo m’u hodh në qafë me rrëmbim, si e
trembur se mos e shkëpusnin nga krahët e mi.
Etjen... sonte mos ik... rri këtu me mua. Mos më ler
vetëm, të lutem! – më tha duke iu dridhur zëri.
Do rrish me mua? – më pyeti përsëri.
Gjithë jetën. – i thashë.
Më shtrëngoi të
dy duart në qafë aq fort, saqë u habita ku e gjeti tërë atë forcë, trupi i saj
i lodhur nga sëmundja. U futa në krevatin e saj, e mbulova me të puthura dhe
nisa t’i zbërtheja ngadalë robdëshambrin. Ajo dridhej e tëra e shtrëngohej aq
fort në gjoksin tim, sikur të besonte se do futej brenda meje, të shpëtonte nga
vdekja dhe të mbetej për jetë me mua. Po a do ta bënte të mundur fati atë mrekulli?!
Përjashta era e
veriut krihej në ullukët prej llamarine të catisë dhe lëshonte një rënkim vërshëllyes,
të dhimbshëm. Nga qoshja e dritares, hëna dërgoi në dyshemene gjysmë të errët
një blamë drite. Isida rrinte e qetë, e mefshtë e si e dehur, e mbështetur mbi
krahun tim. Kurse unë, ndonëse pak më parë, isha shkaku i ndërrimit të emërtimit
të një krijese, ndonëse kisha jetuar pasionin e një dashurie të zjarrtë, nuk
mund të dilja nga labirinthi i mundimshëm i mendimeve. Më kot kërkoja bregun e
shpresës së mirë, pasi aty, më prisnin fjalët e nënë Athinasë: “ Koha e saj për
të jetuar është tepër e shkurtër, packa që duket e bukur. Eshtë shkëlqimi i
fundit, kështu e ka kjo sëmundje e mallkuar “.
Shikoja fytyrën
e saj të bukur, lexoja në sytë e saj dashurinë për jetën dhe urreja me tërë
forcën padrejtësinë e fatit. “ Pse o Zot, natyrë a dreq, e than në lule pemën,
që për lule e mbolle?! Pse nuk vendos një rradhë, një rregull në këtë botë të
c’thurur?! “ Mendoja me vete me sytë e qepur mbi blamën e hënës mbi dysheme me
dërrasa.
Përse mendon Etjen? – më pyeti Isida.
Për ty e dashur dhe për hënën.
C’ne për hënën? – më pyeti me vetulla të mbledhura, si
të bëhej xheloze.
Ngaqë është dhe ajo e mirë, nuk e shikon që është futur
në dhomë të rrijë me ne? Ajo qeshi e m’u ngjit pas trupit. E putha lehtë në
mjekër, mbi hundë e në mes të vetullave dhe e pyeta:
Si ndihesh tani Ida?
Oh, jam shumë mirë Etjen, jam shumë e lumtur! Tani jam
dhe unë në botën e grave, drejt së cilës vajzat vrapojnë me kërshëri, pa e
menduar se c’gëzime e c’dhimbje i presin. Tani doja të më merrte ajo që më kërcënon
cdo ditë... tani në cast, jo më vonë. Nuk kam kurajo ta pres më vonë. Kam frikë
se jeta do më duket tepër e bukur dhe do më tmerrojë ndarja prej saj!
Ia mbylla buzët
me një të puthur dhe i thashë të mos fliste për gjëra që nuk do të ndodhin kurrë!
Ajo m’u tulat në gjoks, me sytë e bëlyrur. Pas një copë herë e mundi përsëri
gjumi mbi krahun tim.
Në orën pesë të
mëngjesit, u zgjova i trebur nga kolla e saj e rrëmbyer. Dola nga shtrati, e
ngrita ndenjur dhe e mbështeta mbi dy jastëkë. Kolla i kaloi në krizë. Nga një
komodinë pranë kokës së krevatit, nxora enën e porcelanit që e përdorte në
raste hemoragjie. Kriza e shtrëngoi sa që i dridhej i tërë trupi. Nuk i mbajta
më lotët e nuk dija se c’ndihmë t’i jepja. Më kapi dorën dhe duke marrë frymë
me aq zor, sa sikur botës po i shteronte ajri, më tha:
Et..jen... erdhi... erdhi ajo që kërkova... por më
erdhi me dhembje të rëndë. E mjera unë!
Ida mos fol kështu, mos u tremb... do kalojë, - i thashë
dhe e mbështolla në krahët e mi. Ajo lëshoi një rënkim të dhimbshëm. Gjoksi i
hidhej përpjetë, sikur do t’i cahej më dysh. U përkul rrëmbimthi mbi enën e
porcelanit dhe volli përsëri gjak. Një cast i pushoi kolla,por cdo shenjë gjallërie,
kurajo dhe gëzimi ishte larguar nga fytyra e saj.
Foli në.. nës.. të lutem... Etjen. – më tha me zërin që
po i shuhej. Nënë Athinaja, u ngjit lart e tronditur. U lëshua mbi të mbesën, i
rregulloi jastëkët. Ida pothuajse nuk merrte frymë. Plaka hodhi shikimin në enën
e porcelanit dhe fytyrën e mbuloi dhimbja e vdekjes.
E mjera vajzë! E zeza unë! – mëmrmëriti dhe lotët i
rrodhën në faqet e flashkura. Isida ra në agoni. Bindja se vdekja po na e
merrte nëpër duar, më tmerroi. I mora duart dhe nisa t’i lutem si i marrë: Ida,
hapi sytë... shiko ku na ke, pranë... të lutem mbaj eveten. Idaa... Pa pritur
ajo u drodh e tëra si e trembur në gjumë. Hapi fare pak sytë, na hodhi një
shikim të mekur.
Këtu je... Et... jen... Oh, sa mirë që... erdhe... po
ti gjyshe pse qan, pse...? gjyshja i mori të dy duart dhe i foli, por ajo na
hodhi shikimin e fundit. Nuk e di se cila fytyrë i mbeti ne beben e syve të
saj, imja apo e gjyshes! Ajo u tulat e këputur mbi jastëk. Më shkrehu dënesa
mbi dorën e saj, plakës i ra të fikët. Kur e pashë të rrëzuar mbi shtratin e
Isidës, mblodha veten, mora një gotë ujë dhe e solla në vete të mjerën plakë.
U ngjitem tashti
të tridhjetave. Kam jetuar ngjarje të larme. Jam takuar jo një herë me vdekjen,
por asnjëherë nuk kam ndjerë aq dhimbje në shpirt sa atë mëngjes, në atë dhomë,
ku vdekja mori nga duart e mia bukurinë, sinqeritetin dhe dashurinë e vërtetë.....
Këtu miku im i
dhomes 12 e ndali tregimin. Ktheu me fund gotën e verës dhe pasi ndezi një
cigare, vazhdoi me teje, krejt i pushtuar nga kujtimi i tij.
Nuk di c’të them
për atë ditë! Ndoshta pesha e dhimbjeve apo dhe e gëzimeve, maten me peshën e
viteve. Plaka erdhi në vete dhe e mbuloi të mbesën me një carcaf të bardhë mëndafshi.
Unë rrija me fytyrën në duar, i humbur nga dhimbja e pesimizmi. Nga humbëtira e
mendimeve, më nxori nënë athinaja:
Etjen, mblidhe veten biri i nënës. Nuk kemi c’të bëjmë.
I gjalli mbetet për të ecur. Tashti do vijnë njerëz e nuk ua kemi ngenë të
japim shpjegime. Ngrehu të keqen nëna e shko në hotel. Fundja, eja nëpër njerëz
në varrim... e di se c’dhimbje ke, por ja që kjo është bota jonë! Ec të keqen nëna,
mbase do shihemi prapë. U ngrita dhe zbulova fytyrën e Isidës. Dukej sikur
kishte rënë në një gjumë të thellë.
“ O Zot, sa të
pafuqishëm jemi përpara urdhrave të tua! Ja ku është njeriu, që pak më parë
fliste me mua, shpresonte e ëndërronte për jetën, ja ku është pranë meje me
gjithë qënien e saj. Vetëm pak ajër i duhet në mushkëri, t’i lëvizë gjoksi, t’i
punojë zemra, të hapë sytë e të më thotë; Oh, Etjen... sa mirë që erdhe! “ Këto
mendime dhe ftohtësia që më ndienë buzët mbi ballin e saj, më dhanë një rrënqethje
në gjithë trupin, sikur të më ishin futur miliona miza në gjak dhe morën vrapin
e cmendur nëpër damarë. Dola nga dhoma bashkë me plakë Athinanë. Në krye të
shkallëve e përqafova fort dhei thashë:
Të lutem, mbaje veten! Ti m’i tregove sa shumë halle ke
kaluar. Kujdesu për gjërat brenda shtëpisë, jashtë do kujdesem unë. Do porosis
arkivolin dhe do ta dërgoj me ndonjë hamall. Më ler dhe mua të lutem, të gjej
një farë ngushëllimi. U ndamë të përlotur me plakën e mirë dhe i zbrita shkallët
e asaj shtëpie, duke marrë me vete një plagë të rëndë dhe një dhimbje koke të
fortë. Sapo u futa në rrugët me kalldrëm, nga prapa u ngrit ulërima e grave.
Ecja me shpirt të vrarë nëpër udhët e qytetit. Fytyra e asaj vajze që jetoi një
natë të lumtur dashurie dhe vdiq në mëngjes, s’më ndahej nga sytë. Ngjarjet e
atyre pak ditëve të jashtëzakonshme, më përziheshin në copëza ëndrrash. U
kujtova se po ecja kuturu. Gjeta dyqanin e arkivoleve dhe bëra porosinë. Pagova
një hamall, i dërgova plakë Athinasë, kafe dhe sheqer dhe shkova në varreza.
Capitesha nëpër rreshtat e varreve dhe më dukej sikur vdekja ecte në krahun
tim. Një ndjesi e cuditshme më njësoi jetën me vdekjen! Nga nje syprinë varri e
veshur me mermer, më qeshte një vajzë. Poshtë fotografisë, lexova fjalët:
Ti i gjallë, kur kalon
Hidh një sy mbi varrin tim
Se vdekja më këputi me pikëllim
Si pemë që thahet ne lulëzim
Më tej, një
fotografi burri me moshë të pjekur, një grua, nj ëdjalë e më tej një vogëlushe.
Poshtë treteshin kockat dhe ëndrrat, lart në syprinë, qëndronin fytyrat që
dikur kishin qenë mysafirë në botën e gjallë. Kthej kokën anash dhe ndesh në
shikimin e një burri të thyer në moshë. Rrinte i mbështëtur në kokën e një varri
me dy duart, në bishtin e një lopate. Kishte një trup të gjatë, flokë të
thinjur e të krehur lëpirazi, të ndarë në mes. Pamja e tij nuk të linte përshtypjen
e njeriut që jeton me hapjen e varreve. Në syprinën e varrit ku ishte mbështetur,
lexova këtë epitaf të cuditshëm.
Mos
kalo o njeri, pranë varrit tim
Fodull
dhe krenar
Se
jeta nuk është gëzim e behar
Iu afrova burrit
të veshur me një palë rroba të gjelbërta dhe i fola:
Këtu punoni?
Po, këtu... jam kujdestar i varreve.
Ashtu? Të madh e paskeni qytetin e të vdekurve, - thashë
duke shikuar atë mori gurësh. Ai vijëzoi një buzëqeshje të akullut, si të
qeshte me vdekjen dhe tha.
Hëm... Ky është vetëm kati që duket. Dhe pasi uli
gishtin drejt tokës, shtoi; kjo mbruhet me të gjallët.
Jeni edhe varrmihës? – e pyeta për ta mbyllur bisedën që
hapa fare padashur.
Po, madje ndërtoj edhe varre e skalis gurët, - më tha
krejt i qetë, si të më thoshte “jam guzhinier dhe gatuaj mirë “.
Zanat të cuditshëm paskeni zgjedhur! – i thashë si me
inat.
Eshtë ca i vështirë, por me të kaloj mirë, - më tha
fare gjakftohtë e mua nuk e di pse fytyra e tij m’u përzie me ngjyrën e gurëve
të varreve. Kurse ai vazhdoi me të tijën.
E vetmja gjë që më ka mërzitur, është ftohtësia e
njerzve që takoj rrugëve. E kam të veshtirë t’u flas e t’u shkoj për vizitë.
Edhe kur i pyes për shëndetin, më shikojnë shtrembër, sikur i pyes enkas nesë
janë gati për të më ardhur në varrezë. Gjene, unë nuk mendoj keq për ta, kur e
di se në mos pastë c’rregullim jeta, rradha është e sigurtë. Po ju, keni ndonjë
hall? Apo keni ardhur për vizitë?
Jo, kam hall. Për vizitë në varreza nuk më ka shkuar
mendja ndo njëherë.
Mirë e keni, shumë mirë! E pse do vini, kur dihet se një
ditë do vijmë për farë? – më tha me një ton cuditërisht të qtetë e të ftohtë.
Pasi i nënqeshi fotografisë së atij, që siguronte se jeta nuk ishte gëzim e
behar, vazhdoi fjalën sikur të kisha shkuar për muhabet.
Shikoj këtu shumë njerëz që vijnë për vizitë, sjellin
lule, ndezin qirinj. Ndonjëri sjell edhe meshë, apo ka dhe më keq, vijnë dhe i
vënë te koka të vdekurit një faqore me raki! Sa të marrë që janë! Vijnë ditën e
parë dhe e varrosin atë që iku. Mirë, normal. Pastaj c’kërkojnë më këtu? Përse
vijnë e përloten? C’i duan lulet e qirinjtë? Kush ua shikon mirësinë? C’gjë
ndryshon nga jeta, që është e shkruar njëherë e mirë! Vijnë për të diela, për të
shtat e për të dyzeta! Vijnë për të bërë një zakon, që asnjëherë nuk ia shtrojnë
arsyes. Zakon lotët, zakon ulërimmat, zakon dhe vetë jeta. Zakon i gjetur e i lënë...
madje një zakon hipokrit. Kam vite që shikoj këtu mallëngjim nusesh e vjehërrash
që në jetë ia hanë shpirtin njëra – tjetrës. Kam njohur lotë dashurie, lotë
prindërish, motra e vëllezërish. Disa më cirren: c’e dua o Zot jetën pa ty?
Por, për asnjë rast nuk na ka kërkuar dikush një vend varri të zërë pozicioni,
pranë atij të dashuri, që u iku për të mos u kthyer më! Atëherë, a nuk është e
tëra kjo zhurmë, hipokrizi? Pse më përlotesh në varreza, kur në jetë të ikurit
ja ke nxirë ditët dhe netët? Kur do kulturohemi e t’i ndërtojmë veprimet tona në
emër të logjikës?
Vlerësim të
cuditshëm që i bënte jetës, por edhe mencuria e tij më bënë të dilja një cast
bga hidhërimi im dhe ta pyesja:
C’duhet të bëjnë sipas jush, njerzit? Të mos hidhërohen,
të mos derdhin lotë e të mos i kujtojnë fare ata me të cilët kanë ndarë hidhërimet
e gëzimet në jetë? Unë di që edhe kafshët në një farë mënyre e vajtojnë njëra –
tjetrën.
Ai u ngrit në këmbë
dhe pasi u tha nja dy punëtorëve të shpejtonin në hapjen e një varri pak më
tej, u ul përsëri e i hapi rrugën një krimbi të murrmë, që kërkonte të futej në
të carën e dërrasës anësore të varrit, duke i thënë; Ec i nderuar mbret i botës,
kryej detyrën tënde supreme! Pastaj ngriti shikimin nga unë dhe m’u përgjigj:
Nuk thashë këtë unë. Njeriu duhet të presë me gjakftohtësi
vdekjen. Ta ndrydhi dhimbjen në shpirt, pasi ajo është bërë tani ngjarje e
njohur, e zakonshme dhe e pandashme e jetës. Njeriu duhet të përcjellë të
ikurin e të eci krye lartë në jetë. Të merret me të gjallët, të merret me jetën
që shket nën këmbë. Lotët e britmat nuk sjellin asgjë, vec atij zakoni të lashtë
që thashë. Fundja e do njeriun që të iku? Nuk të ndahet nga kujtesa? Ruaje,
fute në shënime, shkruaj një kujtim për të, mësoje sa është gjallë të bëjë jetë
dinjitoze, të lërë një bllok fotografish. Ky është kujtimi për ty dhe për
pasardhësit. Kështu, duke derdhur tërë këtë mermer për varre të zakonshëm e
duke zënë tërë këtë tokë buke, tokë jete, me trupa që palosen për t’u kalbur,
do vijë një ditë që brezat do të qeshin me ne! Nuk janë budallenj ato popuj që
i djegin njerzit e u mbajnë hirin në një vazo. Shikoje tërë këtë cimento, tërë
këta gurë, tërë këtë mermer. Këtu ka varre që stolia e tyre kushton shumë kur të
gjallët mezi e shtyjnë jetën. A nuk do të ishte më njerzore, që me to ngrihej
një ndërtesë për invalidët? Të hiqeshin nga rrogët qorrat, sakatët, matufët, të
gjymtuarit pa ndihmë, që ia prishin bukurinë jetës e na ngjallin neveri për të?
Ndonëse njeriu, kjo qënie e ndërlikuar është një grimcë në univers, të vdekurve
nuk do t’ju mbetej hatri në qoftë se do të bëhej dicka e mirë për të gjallët.
Thuaj që s’janë zakone të cuditshme këto?! Kam arritur të mendoj këto gjëra, se
kam pesëmbëdhjetë vjet që punoj nëpër këto varre. E shoh se hyj në gjynah ndaj
tyre, duke hequr privilegjet, por jam i bindur se miqtë e mi të vdekur nuk më
zemërohen. Unë i njoh mirë këta, varret ua kam bërë të rehatshëm!
E kisha ngulur
shikimin në sytë e tij gri, të ftohtë, të akullt. Nuk e duroja dot gjakftohtësinë
e tij dhe ia thashë hapur atë që mendoja për të:
Zanati ju ka veshur natyrën e tij, ju ka bërë të ftohtë
si gur varri. Në cast u pendova se mos më zemërohej e nuk më ndihmonte për
hallin që kisha, kuse pasi vijëzoi një buzëqeshje të cuditshme më tha:
Ashtu është... keni të drejtë! Kështu jam. Jam ca i
ftohtë në mes njerzve, por varret ua kam bërë mirë, të thellë, të rehatshëm...Pastaj,
se mos i keni sjellë ndonjë ndryshim të keqes ju të tjerët me ngrohtësinë tuaj!
– ironizoni varrmihësi.
Unë u zura
ngushtë. Mendimet nuk po më kulloheshin, që t’i jepja ndonjë përgjigje.
Më thatë se kishit një hall? – më pyëti pa u interesuar
se c’mendoja për ato që tha.
Po. Më duhet një varr...
Për c’moshë?
Vajzë e re.
Kur ju duhet?
Nesër paradite duhet të jetë gati.
Mos u kini merak, për dy – tri orë cdo gjë do të jetë
gati. – më tha ai dhe u ngrit nga varri ku ishte ullur. Unë nxorrë të paguaja.
Ju lutem... unë e marr rrogën për këtë punë, - më tha.
Unë desha ta rregullonit më tej varrin... ta ftisni.
Hëm... ju do vini përsëri?
Po!
Takohemi, këtu më keni.
Kalova në hotel
natën më të rëndë të jetës. I shtyva orët që nuk mbaronin me një shishe raki përpara.
Shpirtin ma ndrydhnin ngjarjet e habitshme të gjashtë ditëve. Herë pa here më
vinte parasysh varrmihësi e kur largohej ai, më dilte i dehuri që këndonte me zë
të zvarrët e të dhimbshëm këngën e marazit.
Të nesërmen aty
nga ora dhjetë, një grup njerzish e sollën Isidën në varreza. Ishin fare pak
burra. Të shumtët ishin gra, plaka, vajza e disa djem. Pas të vdekurës ecte si
hije një prift i zi i thyer ne moshë, i shëndetshëm, por i zbehtë e me një mjekër
të rralë. Gjyshen Athina e mbanin për krahu dy gra të tjera. U futa dhe unë në
mes të njerzve, si i ndodhur rastësisht në varreza. Kujtimet e ëmbla dhe
mendimet e hidhura më përziheshin me filozofinë e akullt të varrmihësit. Prifti
zgjati duart mbi arkivolin e Isidës dhe nisi të mërmëriste me vete. Varrmihësi
e kishte mbuluar me një shikim ironik, sikur donte t’i thoshte; Mos e humb kohën
me profka, o uratë, por lëre njeriun të shkojë ku e ka nisur Zoti.
Hajde kapeni, - i tha varrmihësi dy punëtorëve të tjerë.
Ata ngritën litarët, Isida u shkëput nga toka, pastaj arkivoli rrëshqiti në buzë
të gropës duke lëshuar një gërhimë rrënqethëse dhe m’u zhduk nga sytë. Sa dëshirë
pata në atë cast ta hapja arkivolin dhe ta shikoja edhe një herë fytyrën e saj
të dashur. Në atë cast m’u duk sikur jeta e gjallë zbriti me arkivolin e Isidës
në gjirin e dheut. Varrmihësi hodhi lopatën e parë me dhe e nga gropa doli një
oshëtimë e kobshme. Mu duk sikur më ra sipër një peshë e rëndë që po më
ndrydhte deri në dhimbje. Lotët nuk i mbajta dot më. M’u desh të ruhesha nga
shikimi i njerzve. Dy punëtorët e mbuluan arkivolin. Isida u nda plotësisht nga
bota e gjallë. Varrmihësi drjetoi trupin, fshiu djersën në ballë dhe sytë e
ftohtë e të hirtë i nguli në të mitë. Në atë cast unë ndjeva një urrejtje të
thellë për të, më dukej sikur nga casti në cast do të më thoshte; Hëm... nuk e
doni jetën pa këtë? Bujrum, ka vend sa të doni pranë saj!
I ula sytë ngaqë
nuk e durova dot shikimin e tij. Ai u largua nëpër gra dhe doli mënjanë. Plakë
Athinaja me tri gra të tjera po lotonin mbi varr. Përreth tyre rrinin në
heshtje gra e vajza të përlotura. Veshi më kapi fjalët pëshpëritëse të një
djali që ia tha një vajze pranë supit te tij:
Të kam hedhur dy letra te vendi, pse nuk po më përgjigjesh?
E shikon c’na pret? Iku ajo pa parë asnjë ditë të gëzuar.
M’u kujtuan
fjalet e varrmihësit; “ Merru me jetën që shket nën këmbë “. Ktheva kokën dhe
shikova varrmihësin. Ai ishte mbështetur në bishtin e lopatës dhe kishte marrë
një pamje habie, keqardhje e ironie. Shikimi i tij dukej të thoshte: “ Bëni
tashti zakonin e gjetur, o njerëz të mjerë”
Pas një copë
here njerzit u larguan. Unë mora një tufë lule, që kisha lënë në anën e një
varri pranë dhe e vura mbi varrin e saj
ne cast lulet qe lashe mbi varr me më kujtuan “ Ujin e ftohtë “, ku asaj i
putha për herë të parë dorën. Lotet me rrodhen dhe rane mbi dheun e zi. Eh,
c’boshllëk i pafund më dukej në atë cast bota dhe jeta!
Ndërkohë m’u
afrua varrmihësi. Më vuri dorën në sup dhe më tha:
Mos u mërzitni. Njeriu duhet të eci me kokën lart mbi
hallet e kësaj bote, që ta quajë veten zot të botës së gjallë.
E shikova në sy.
Cudi! Nuk kisha besuar kurrë se në ata sy mund të kishte ngrohtësie keqardhje.
Dua të kujdeseni për këtë varr... ta ftisni... me
cimento e me një pllakë mermeri.
Nuk më keni thënë se cfarë e keni? – më pyeti me
shikimin tutje mbi varre.
Nuk ka rëndësi, ajo ka marrë me vete në varr një pjesë
të shpirtit tim, - i thashë dhe i ofrova shpërblimin.
Faleminderit! – më tha. Më shtrëngoi dorën dhe nisi të
ecte me mua nëpër varre drejt daljes.
Ju lutem, rregullojeni sa më mirë këtë varr. Do vij
kastile për ta parë.
Mos kini merak fare. Do kujdesem për të derisa deri sa
të vijë dita të gërmij varrin tim. – më tha e pasi më shikoi ngultas shtoi:
Jam i sigurtë se varrin tim do ta gërmoj vetë... madje
do i lë porosi plakës dhe një djali që kam, që mbi varrin tim të thjeshtë të
ngulin vetëm një tabelë dërrase, ku të jenë shkruar këto fjalë:
Me harxhimet që hidhni mbi varret
Hiqni me to, për të gjallët hallet
Le të mbetet njerzor kujtimi im, packa që për njerzit
kam bërë varre. Këtë porosi do t’u lë, s’mund t’u them të më djegin ë të më
mbajnë hirin, pasi jam i bindur se amaneti para vdekjes, nuk do tu japë forcë të
mbysin zakonin e gjetur e të lënë që kur.
I qëndroja përballë,
arsyetimet e tij më kishin shtuar mendimet atë ditë. “ Nga e kishte gjetur atë
botë të gjerë varrmihësi? “ Kjo pyetje nuk më ishte ndarë që kurse u njoha me të.
E këtë ia bëra atij në atë cast që rrinte i ftohtë përballë meje.
Hëm... – bëri ai dhe ndeu në fytyrë atë qeshjen
karakteristike. Shorti e solli që vitet e fundit të jetës të interesohem për të
vdekurit. Dikur jam marrë seriozisht me të gjallët.
Nuk ju kuptoj! – i thashë me kureshtje. Ai heshti një
cast si për të peshuar përgjigjen dhe më tha:
Punë jete... ajo ka ligjet e saj dhe ne duhet t’i nënshtrohemi
me urtësi. Fundja kush rrëmbeu shpatën dhe i kërkoi duel fatit, për të
papriturat që i solli? E vetmja gjë e mirë në dorën tonë, është që në cdo
rrethanë të jemi njerëz. Dhembjen për tjetrin ta provojmë mbi trupin tonë e cdo
vepër ta bëjmë pas arsyes që na ka faluar Zoti, për të na ndarë nga të gjitha
qeniet e tjera, që marrin frymë mbi këtë botë. Mua ky besim më mban gjallë,
shpirtin e kam mbajtur fort, si atëherë kur njerëzit më afroheshin me druajtje
e më kërkonin t’u zgjidhja një hall jete edhe sot që më thërrasin varrmihës dhe
me shikim të trembur më këkrojnë një vend për vdekje. Jeta e njeriut ore djalë,
është ekuacioni më i vështirë, me të gjitha të panjohura, por falë i qofshim
Zotit që na ka dhënë forcën e shpresës për t’u marrë me zgjidhjen e tij. Nëqoftëse
njeriu nuk do ta mësojë veten me gjakftohtësi, për ta pritur cdo të papritur që
i vjen, ai do të bëhet viktimë e së keqes e shkatërrimit shpirtëror.
Unë e ndiqja me
vëmendje të vecantë e prisja plot kureshtje shtjellimin e mëtejshëm të
mendimeve, por ai më shtrëngoi dorën dhe më tha:
Pac fat në jetë dhe hidhe tej brengën, për atë që le
prapa. Koha ka forcë ta mbulojë cdo dhimbje.
Më kthëu krahët
dhe u fut nëpër gurët e varreve. Biseda për të kishte marrë fund, aty ku mua më
dukej se duhej të fillonte. Dola nga varrezat dhe u futa rrugëve të qytetit të
plakur, me zemër e shpirt të dërrmuar.
Një ditë më vonë,
u ndava me plakën Athina. U ndamë me lot në sy, pasi mes nesh erdhi ajo që na
lidhi si nënë e bir. U ndava me të, duke i premtuar se do të kthehesha. E me të
vërtetë pas pesë muajsh, u ktheva përsëri udhëve të kujtimeve të hidhura. Me
zemrën gur i ngjita shkallët e drunjta të asaj shtëpie fatkeqe, që sic më pat
thënë gjyshja e Isidës më la në zemër një dhimbje që nuk harroet.
Bashkë me plakën Athina shkuam në varreza. Varrmihësi i
cuditshëm më priti si mik i vjetër. Porosinë time e kishte kryer më së miri. Në
syprinën e mermertë të varrit të Isidës, kishte skalitur me mjeshtëri një tufë
zambakësh e posjtë tyre kishte shkruar këto fjalë:
Ajo
e jetoi lumturinë që deshi
Për këtë e pyeta
varrmihësin. Ai më futi krahun e si më tërhoqi më tej përmes varresh, më tha:
historinë tuaj ma ka treguar zonja Athina. Edhe mua që
më keni quqjtur të ftohtë si gur varri, tregimi i saj më preku dhe mendova se
varrit të asaj vajze i takonin vetëm këto fjalë. Kështu mendova unë. Ju që e
keni njohur, që e deshët, që e keni ndjerë frymëmarrjen e saj, shkruani për të
një kujtim, ai mbetet i pavdekur, kurse këta gurë, do të shkulen një ditë.
C’nuk bën koha zotni, ajo mbulon cdo gjë, ajo ndryshon botën e tërë. Ja, hidhi
sytë lart te muret e Argjirosë. A nuk biem sot në habi e mendime para tyre? Kështu
do të ndodhë dhe me brezat që do të vijnë, përapara mureve tanë... oh, botë e
madhe! – tha ai me rënkim duke lëvizur dorën, si për të hedhur tutje nëpër varre
një mendim, që i ra i papritur e po i rëndonte.
Kureshtja e vjetër
për ta njohur më afër varrmihësin, më shtyu t’i lutesha të takoheshim pasdite në
ndonjë lokal, ku të donte ai. Të paktën t’i shprehja mirënjohjen për kujdesin që
ai kishte treguar për varrin e Isidës. Por ai si u mendua një copë herë me
shikimin e hedhur tutje mbi varre, më tha:
-Aa... jooo. Ju faleminderit për ftesën! Ju siguroj se
nuk kam aspak dyshim për fisnikërinë tuaj, por nuk mund të vij. Ju nuk do ti
duronit dot shikimet e njerzve që do të binin mbi ne, bile këto shikime mund
t’iu ndjekin prapa! Varrmihësin e ndjekin shumë sy... ky profesion më ka bërë
personalitet të njohur. Fjalët e fundit i theksoi me dhimbje e ironi të thellë.
Më dha dorën dhe tha prerë:
-Shkoni ju lutem! E mjera Athina ju pret. Do të
takohemi ndonje dite, e thamë; C’nuk bën koha me njerzit dhe jetën!
E ndjeva se
ishte e kotë të këmbëngulja për të vazhduar bisedën më tej. U ndava me të. Më
vonë pyeta për të, nënë Athinanë.
-E c’pyet për të... është jabanxhi, ka parë botë me sy,
ka bërë shkolla të larta. Dikur ka qënë njeri i madh, por iu rrëzua guri i jetës
dhe ra këtu te gurët e varreve. Ka qënë i dënuar politik me vdekje, por meqë
shumë vetë nga qyteti i tij, të cilët ai i pat njohur e ndihmuar, i bënë një
peticion qeverisë, iu fal jeta. Pas disa vitesh burg, e sollën këtu si të
internuar, për këtë arsye nuk afrohet lehtë me njerëz. Eh mor bir, ku i dihet
njeriut se në c’maja e ngjit e në c’hone e gremis e shkreta jetë.
Nënë Athinaja
m’u lut të kaloja atë natë në shtëpinë e saj, por unë nuk e binda dot zemrën të
flija prapë në atë dhomë. Zbrita në udhë dhe rasti më ndihmoi për ta lënë
qytetin e gurtë.
Një vit më vonë,
një banor i këtij qyteti, që bujti nja tre –katër net në hotelin “
Internacional “, më tha se plaka Athina Vasili kishte vdekur nga një hemoragji
cerebrale.
Kjo ishte miku
im historia e një rasti, kujtimi i së cilës më ka mbetur në zinxhirin ejetës,
si një hallkë e ndritshme, por edhe plagë, dhimbja e së cilës nuk harroet kurre
SIRI SULEJMANI
No comments:
Post a Comment