Saturday, 29 March 2014

Prelud i braktisjes ...



SOTIR ATHANASIU
Athinë
Prelud i braktisjes ...
(Triptik ... plus Një)
Makina na la në autostradë.
Ne morëm poshtë monopatin. Këtej zbrisnim përherë. Se, njëqind metra më tutje ishte shtëpia e tezes sime; një dykatësh i bollshëm, me oborr të shtruar dhe pemë frutore rreth e qark. Për ngritjen e saj një ndihmesë të madhe monetare kishin dhënë djemtë që punonin e jetonin në Itali. Dhe kjo qe derdhur pa kursim, që në themel, siç thuhet dhe që do të ishte më e saktë të nënkuptohej që në projekt. Se atë e kishte të siguruar Gentiani, i cili prej vitesh jetonte dhe studionte në Padova. Aty kishte përfunduar vitin e fundit të maturës edhe tani kishte kryer edhe arsimin e lartë universitar për inxhinieri elektrike dhe qe emëruar, diku në këtë specialitet.
Për vajtjen në Itali të Genit (kështu e thërrisnin të gjithë) unë do të shkruaja edhe një tregim interesant nën titullin kurdisës: “Sfida e një përkthyesi adoleshent”, se isha tre vjet më i madh se ai. Me maturë të mbaruar dhe një kurs për shofer, ku kisha shumë dhunti. Por ajo që  spikaste më tepër që në gjimnaz tek unë, ishte letërsia dhe hartimet. Nuk është se i qaja, siç edhe m’i cilësonin, por unë shkruaja për shokët e mi dhe kapja thelbësoren e dukurisë, duke u ngritur nga e veçanta për ta përgjithësuar atë. Dhe kjo qe e mirëpritur jo vetëm nga shoqëria por edhe nga redaksitë, ku i shpija shkrimet për botim. Që, ... gjithsesi, papunësia dhe mungesa e perspektivës më shkurajonte vijushmërisht. Për më tepër se kisha kryer dhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe ankthi ia kishte lënë vendin plogështisë.
1.
Ishte fundi i viteve tetëdhjetë të shekullit të shkuar. Vendi ynë, në një farë mënyre, po bënte kinse hapjen ndaj botës. Në qytezën ku banonte tezja ime kishte ardhur një grup turistik italian. Ata, thjeshtë kishin lënë gjumin e pasdites në hotelin Adriatik në plazh dhe me një autobus urban kërshëria i kishte sjellë në qytezë. Atë behar, thuajse çdo javë, grupet turistike pasonin njëri-tjetrin. Dëshira për të shkuar në Itali, si mua edhe Genit, na digjte gjoksin. Jo si turistë. Aq më pak, emigrantë. Kurrsesi të paligjshëm. Por me vizë të rregullt për të ndjekur studimet. Unë të lartat, kurse Geni të përfundonte maturën në Itali, e cila do t’u favorizonte pastaj për në universitet. Sepse ky e zotëronte italishten shkëlqyeshëm. Atë e kishte mësuar thjeshtë duke ndjekur kanalet italiane, frekuencat e të cilëve nuk mund të pengoheshin nga zhurmuesit për arsye strategjike.
Për rastësi atë behar u ndodha dhe unë në qytezën e vogël dhe së bashku me Genin, kishim thurur plane. Kinse hapja për ne nuk qe frëngji në kullën tonë të lartë e të pamposhtur. Ajo do të bënte që shikimi ynë të rrokte një pamje të paktën sa një baxhë a mazgollë, se që të komunikoje me turistët, kur dije gjuhën, mjaftonte që ata të kishin ardhur të paorganizuar a, si për qejf të vetë. Dhe këtë e kuptonin të gjithë po t’i shikoje se ata vinin me autobusin urban e jo me Alb-turist, luksoz të hotelit Adriatik.
Shkurt, njohja me një të huaj mund të bëhej çengel për t’u ngjitur në anijen e tyre të kthimit matanë detit. Por për këtë, veç gjuhës duhej pak guxim. Ky nuk i mungonte Genit.
Rasti qe i përkryer.
Me turistët nuk kishte as përkthyes dhe as ndonjë kalec a sigurims. Lipsej shfrytëzuar kjo mundësi.
Të huajt u futën në Pallatin e Kulturës së qytezës dhe kur vunë re se përveç kafes në sallën kryesore, që tymoste nga duhani me të dredhme dhe fytyrave të trembura, kur panë bufenë që përveç ingranazheve s’kishte asgjë tjetër, domethënë as kokakola, as raft frigoriferik, dolën menjëherë përjashta.
U drejtuan sheshit përpara kinemasë së vjetër, së cilës nuk i qe bërë asnjë makijazh për të fshehur, në një farë mënyre, origjinën e saj prej kapanoni të ushtrisë pushtuese të fashizmit.
Ata iu afruan asaj dhe shpërthyen në një gaz kolektiv, kur panë nga larg afishen e filmit që do të shfaqej atë mbrëmje dhe që titullohej:
       “Nuk ka paqe nën ullinj”
dhe përbri filmit për javën tjetër:
      “Fan-Fan Tulipan”.
Vizitorët e përtejdetit këmbenin shpenguar me njëri-tjetrin dhe gajaseshin. Geni më përkthente zë-ulur dhe ne, që atë rast prisnim të zbrazeshim për shpërfilljen e tyre në dekada karshi vendit tonë, menduam se në këtë pikë duhet t’i thumbonim, ashtu me naivitetin e adoleshencës së Genit. Së-pari t’i përgjigjej ironisë për distancën e prodhimit të filmit dhe shfaqjes së tij pas katër dekadash. Këtë Geni duhet ta bënte dhe të tregonte se ne, megjithatë, dinim më shumë për ta se sa ata për ne. Dhe duhej të nënvizohej, me takt edhe fakti që ata mund të mos dinin as historinë e Skënderbeut.
Për të gjitha këto ne kishim folur gjatë me njëri-tjetrin dhe djali i tezes sime, të cilin e kisha edhe shok, ishte thuajse i mbushur.
Kur më në fund të qeshurat e tyre u platitën dhe ra një heshtje se ata ishin zhytur në mallin që të grishnin pamjet e filmit e foto pas qelqeve të kornizës, Geni ndërhyri:
-Më falni zotërinj!
Ata kthyen kryet të befasuar dhe nuk u besohej se zëri kishte dalë nga ai djalë truppakët, por tejet tërheqës, me ata flokë rënë mbi ballin e tij, pranë vetullave që u bënin strehë syve të tij të qeshur.
-Më falni!-përsëriti ai-dëgjova të flisni për këtë film tuajin prodhuar katër dekada më parë.
-Po, pikërisht.
-Lejomëni zotërinj të shpjegoj diçka, se siç po shoh, nuk e keni marrë me vete përkthyesin.
Ata tundën kryet dhe panë me dashamirësi.
Dikush nxori nga çanta, ku mbante aparatin fotografik, një stilolaps për t’ia dhuruar, por Geni nuk e pranoi. Kjo e rriti interesin për të dëgjuar sfidën. Se për të tillë e morën ndërhyrjen. Dhe, duhet ta pranojmë se e asisoi ajo qe, megjithatë.
-Edhe dritës së yjeve, zotërinj, i duhet dekada, të bjerë mbi planetin tonë. Por ajo vjen. Dhe ne këtë e dimë nga Galileu juaj, zotërinj vizitorë. Kurse filmat tuaj të rinj dashkan dyzetë vjet të mbërrijnë tek ne edhe pse s’jemi më shumë se dyzetë kilometër, larg jush. Dhe kjo s’do ta bënte aspak për të qeshur Galileun, zotërinj të nderuar. Mbase do të ulërinte si përpara turrës së druve, ku e kishte vënë inkuizicioni.
Befasia qe e plotë dhe e menjëhershme.
Dikush nga turistët, që më vonë do të mësohej se quhej Adriano dhe se veç të tjerash, ishte edhe gazetar, pyeti:
-Përse duhej t’iu kushtonim vëmendje juve, djalosh?
-Për shumë gjëra, zotëri. Mbase edhe vetëm për atë se Papa juaj në Vatikan, heroin tonë kombëtar Skënderbeun, e ka quajtur Kalorës të Krishtërimit. Dhe se në Apolloninë tonë ka rrugëtuar Shën Pjetri përpara se të shkonte në Romë ku dhe e kishin thirrur.
-Shkuat shumë larg, vogëlush.
-Mbase, zotërinj. Por kur heroi ynë mori një emblemë të tillë, do të duheshin edhe njëqind vjet, që të lindte i madhi i qiejve Galileo Galileu. Kurse Koperniku falë këtij Kalorësi të Krishtërimit do të studionte i qetë një dekadë a dy më pas në Bolonjë e Padova... Përsëri doni të afrohem edhe ca zotërinj?
-Prego.
-A e keni pyetur veten, zotërinj, përse Bareci e ndihmoi Xhuzepe Verdin?
Pas kësaj shprehjeje, që ne e kishim rrahur me njëri-tjetrin, ata shpërthyen duartrokitjet dhe nisën ta përqafojnë Genin, por filluan edhe nga pyetjet se ku e kishte mësuar kaq mirë italishten. apo edhe në se dëshironte të vazhdonte studimet në Itali. Si dhe ç’thoshin prindrit për këtë?
Atëherë akoma s’kishin filluar largimet biblike me anije.
Këto kujtoja atë ditë, tek zbrisnim monopatin për te shtëpia e tezes. Gazetari Adriano do t’i dërgonte një garanci dhe në shtator ai do të shkonte në Padovë.
Rinisi për të një jetë e re. Pas një viti ai do të tërhiqte edhe vëllain e tij më të vogël. Ky u bë shofer profesionist, i cili e shkuli komplet familjen nga qyteza.
Të gjitha këto i përkisnin tashmë të shkuarës.
2.
Qe muaji prill. Pemët kishin çelur dhe bari ishte rritur goxha. Një grua plakë kulloste lopën këtyre djerrave. Ajo na pa nga larg tek po vareshin tatëpjetë atij shtegu dhe i tërhoqi litarin kafshës që të shkonte në anën tjetër të kësaj njomishteje joshëse. Livadhi i djerrë qe tokë mbujake. Lopa parapëlqente ajkësinë dhe s’fryhej së ngrëni deri në harbim. Prandaj me vrik, lëvizi kokën rrëmbimthi dhe e moshuara sakaq ra në ledh. Shtizat me gjithë thurjen e çorapeve, gati e shpuan dhe si dy shigjeta iu kryqëzuan në gjoks për të formuar një kryq. Plaka tha diçka të pakuptueshme që përfundonte me fjalët, o Zot. Mbase mund të ketë parë kryqin dhe ka kërkuar ndihmën e Zotit, për ta marrë në krahët e tij, se lutej për të.
Lëmshi prej leshi, që i ra nga xhepi i përparëses, u rrokullis një a dy metra dhe u gjend përpara gojës së kafshës, e cila në çast e ndali kullotjen. Ktheu kryet nga e zonja dhe, si të ishte qen, e mbërtheu lëmshin me dhëmbë dhe e bindur erdhi te njeriu i saj si fajtore. Dhe nisi ta lëpijë me gjuhë.
Se lopa s’kishte viç.
Edhe plaka s’kishte djalë.
Kafsha zgjati qafën mbi trupin e të moshuarës dhe kjo, si luftëtar i plagosur, vuri duart mbi atë zverk dhe u ngrit në këmbë. Qe një mënyrë e përsëritur se si lopa dhe e zonja i kryenin këto veprime në mënyrë të tillë, që tregonin se nuk bëhej për herë të parë  ky zakon e ky ndërveprim.
Plaka rregulloi shtizat në gjoks dhe si tërhoqi litarin u nis përpara. Lopa, si ndonjë shqerkë manare, i vajti pas e bindur. Midis tyre qe vendosur harmonia.
Ne ngadalësuam hapat dhe i lamë kohë që ajo të kalonte në anën tjetër të kullotës.
Babai ndezi një cigare. Mamaja u kujtua të heqë këpucët me taka dhe veshi një palë të sheshta. Se e dinim: plaka nuk dëshironte të takonte njeri. Nuk i pëlqente të bisedonte me kërkënd.
Gjithë ditën merrej me lopën, të cilën e milte çdo mëngjes. Qumështin ua shpërndante me shishet e tyre komshinjve. Në gardhin e çdo komshije ajo bënte nga një shenjë me bixhak, duke hequr pak lëvozhgë nga druri, që në fund të javës të numëronte shenjat e ato t’i kthente në të holla. Kjo ndodhte të dielave dhe të nesërmen shkonte te dyqani i ushqimeve të paguante veresiet.
Qe shumë e rregullt. Ashtu, kryeulur, çapitej e fliste me vete. Ndodhte rrallë, shumë rrallë, të këmbente me dikë refrenin e saj të zakonshëm si përgjigje e pyetjes:
-Ç’bën mëmë Marie?
-Ç’të bëj, ja s’po mbaroj dot këto çorape,-thoshte-vjen dimri e nipat s’kanë çfarë të veshin.
Kurrkush nuk dinte se për ç’nipa bënte fjalë. Se asnjë nuk mund të thoshte se ia njihte ata.
Për të dihej se dhjetë vjet më parë e kishin sjellë këtu në një kasolle të braktisur, e cila, dikur, kishte shërbyer për të shitur zarzavate. Dhe se të shoqin e të dy djemtë ia kishin burgosur për politikë. Thuhej se mirë burri që i vdiq në burg, por djemtë ç’iu bënë?! E zonja nuk fliste. Ajo kishte kaluar me muaj të tërë në spitalin psikiatrik dhe shtrohej shpesh pesë vitet e para. Më pas, iu bë kronike dhe nisi të gjejë karar me lopën. E kishte marrë mëshqerrë nga tufa në kohën kur po i shpinin në thertore për plan mishi. Dikush kishte thënë se është më mirë për shoqërinë t’i japim një kafshë të merret me të sesa ta ushqejë kolektivi duke i paguar raportet. Atëherë sapo kishte filluar të flitej për tufëzat dhe arëzat këtë perestrojkë alla shqiptare.
Vonë u dëgjua të thuhej se dy djemtë e plakës kishin ikur në Greqi sapo qenë liruar nga burgu me ardhjen e demokracisë. Por për mëmë Marinë, ata ishin martuar bile ishin bërë edhe me fëmijë. Prandaj ajo përgjigjej:
Ç’të bëj, s’po mbaroj dot këto çarape se vjen dimri dhe niprit s’kanë çfarë të veshin...
Dhe po t’i thoshe se presim beharin nënë Mari, ajo do të përgjigjej:
E, për ç’behar thua moj nuse, mua më therin kockat e pritet shi. Ja shikoje, është nxirë tutje. Dimri i sivjetëm e hëngri beharin. Ai më parë ikën se vjen. Po mall që u rrit bari dhe lopa më jep qumësht.
Dhe po të hidhje shikimin tutje e të vëreje lart kaltërsinë, atëherë do të bindeshe se qe nxirë shpirti i kësaj fatkeqeje, jo qielli.
Thoshin edhe se gjatë natës e shthurte atë që plekste ditën. Nuk flitej gjë për shkakun. Por nuk qe e vështirë të merrej vesh arsyeja. Qe një Penelopë e kohës sonë. Ajo e grekëve priste me durim Odisenë, i cili më në fund do të kthehej. Kjo e jona nuk besoj të kishte lidhje me Godonë e Kamysë. Thjeshtë, mëmë Marinë, e gënjente mendja në atë pritje. E, kështu shtynte tutje ata vite-vetmie e në shoqëri me lopën, me të cilën ushqenin njëra-tjetrën, në një bashkëtingëllim të përsosur zoonoz.
3.
Qëndronim të heshtur përpara portës metalike të oborrit. Nga krahu i kundërt i shtëpisë dëgjohej një magnetofon, melodia e të cilit shkëputej që të luhej nga dikush me klarinë. Siç duket muzikanti kërkonte ta mësonte këngën nga kaseta e regjistruar. Melodia qe shumë e bukur dhe në atë vegël ajo merrte një ngjyrim tejet rrëqethës. Se dhe teksti i këngës ishte i goditur dhe jetësor:
Kur në gji na mbante nëna
dhe në djepe duke tundur,
gjumin e bënte me ëndrra,
mos qante ndonjë nga çunat.
Dhe refreni vetëm me klarinë, pastaj teksti si ndriçues:
O vëllazëri e ke kuptuar vonë,
paske lindur për kusure,
si një qyqe mbeti nëna jonë,
pranë oxhakut si kërcure...

Mamasë sime i mbeti dora pezull, si copë akulli e ngrirë, te butoni i ziles në portë. Ajo ktheu kryet nga im atë dhe vështrimet e tyre thanë shumë. Se për një shkak të ngjashëm i kishte thirrur tezja por, edhe fillikat ky refren i dhimbshëm mjaftonte të të trondiste për atë çfarë do të bisedohej aty. O Zot, ç’kohë po përjetonim!
Porta u hap dhe ndërsa motra e vëllezër u takuan e u përshëndetën si në mort, me njëri-tjetrin, unë u ndala te vajza e dajës. Ajo ishte tetë vjeç dhe m’u hodh në qafë me një libër të ilustruar në dorë.
-Liza në botën e çudirave,-më tha-është i bukur, xhaxhi Shpëtim?-Kështu më thërriste ajo megjithëse unë për të isha djali i hallës.  Për shkak të moshës ajo më fliste në emër dhe kishte kujdes të shtonte përpara edhe fjalën jo kalimtare xha.
-Pse s’e ke lexuar ende?-e pyeta.
-Jo, sapo e bleva, sot.
-Shumë i bukur,-i thashë vogëlushes.
Porta e madhe qe ende e hapur e ndonëse klarina stononte këtu e atje, teksti i këngës vinte pastër e dhimbshëm në veshët e mi, në shpirtin tim. Dhe si të mos mjaftonin gjithë këto uvertura, ja tani na shfaqet dhe Liza...
Kuturisa të merrem me diçka edhe për të mos zhgënjyer njomëzaken, por edhe për ta mposhtur atë dhimbje e pështjellim që po më zinte fytin, shkul e nga një shkul, si ai i të moshuarës, mëmës Mari. Prandaj e pyeta pa qenë shumë i përqendruar:
-Ti e di si e quajnë autorin?
-Po, xhaxhi Shpëtimi, Levis Carol. Ja ku është shkruar-dhe ajo tregoi librin. 
-Bukur,-thashë me fjalën më parazitare që e përdorja sa herë zihesha gafil, deri sa të përqendrohesha te thelbi i bisedës-atëherë mua s’më mbetet veçse të të shpjegoj  se ku e ka marrë autori frymëzimin për të shkruar këtë libër kaq të veçantë.
Ajo e kuptoi se kjo nuk mund të thuhej ashtu, shpejt e shpejt e në këmbë dhe më tërhoqi me nxitim në cepin e një stoli të madh në oborr. Sytë i ndrisnin nga gëzimi. Dhe kishte të drejtë: do tumirej me diçka që nuk ishte shkruar në libër. Dhe një gjë e tillë do ta lumturonte këdo në moshën e saj. Se do të mësonte diçka që s’e dinte askush nga shoqet e shokët e shkollës. Mbase edhe mësuesja mund të mos e dinte. Pse çudi iu duket? Se, xhaxhi Shpëtimi qe vetëm i saj. Se ajo e kishte atë djalë-halle dhe se kur të shkonte në shkollë do të thoshte: djali i hallës, që edhe shkruan tregime, më tha se...
-Mirë, pra-fillova unë. Në Afrikë është një ishull që e quajnë Mauricius. Tre shekuj më parë, aty ka jetuar një zog që quhej Dronti. Anglisht: Dodo. Ky zog ishte si mjellmat. Fluturonte si ato, por me kalimin e kohës, për arsye ende të panjohura, krahët e tij nisën të zvogëlohen dhe..., kjo racë zogjsh e humbi aftësinë për të fluturuar. Prandaj detarët që zbrisnin në ishullin Mauricius, të parin gjuajtje që bënin për ushqim të freskët, pasi ata në det hanin vetëm konserva, ishte zogu i bukur Dronti. Dhe filluan t’i vrasin lehtësisht. Pa mëshirë. Një sot e një nesër. Një tani, një pastaj. Kështu, për ditë  e javë të tëra. Se, të shkretët zogj nuk mund të fluturonin e t’i shpëtonin masakrës. Kjo bëri që raca e fluturakut të bukur Dronti, më në fund, të zhduket fare.
-Dhe?
-Dhe shkencëtarët mezi kanë mundur të gjejnë e të ndërtojnë skeletin e tij. Një i tillë është në Oksford. Muzeu i këtij universiteti me famë ndodhet në Londër. Shkrimtari Levis Carol, që i donte kaq shumë zogjtë dhe pëllumbat, i prekur nga fati i tyre tragjik, shkroi librin: Liza në botën e çudirave.
Ledi kishte mbetur si e nemitur dhe sytë i mbushi me lot. Unë e lashë në ngashërimin e saj, por nuk më shkonte mendja që ajo do të shpërthente me një pyetje asgjësuese:
-Pse janë kaq të këqij të rriturit, xhaxhi Shpëtimi? Pse janë kaq pa turp?
Unë u befasova.
Nuk e di si do të reagonit ju përballë këtij sinqeriteti fëmijëror. Ajo akuzonte. Dhe e bënte këtë me pafajësinë e moshës. Se kjo vogëlushe, padashur, kishte bërë prokuroren. Mua më duhej që me vetëdije të bëja avokatin e djallit për të mbrojtur kategorinë e vërsës që përfaqësoja.
Dhe s’e kisha të lehtë. Aspak.
-Dëgjo këtu, moj xhane: Ca detarë të egër e të vrazhdë, nuk mund të themi se përfaqësojnë të rriturit. Ata, shumë-shumë, me veprimet e tyre tregojnë vetveten. Asgjë më tepër. Të ashpër si dallgët e egërsuara të detit dhe kaq. Ne s’kemi pse kërkojmë më shumë prej tyre.
-Pse? Nuk e di unë, xhaxhi Shpëtim?-tha ajo përmes lotësh.-Nuk e di?
-Çfarë?
-Atë, pse janë grumbulluar sa nga Italia e sa nga Greqia, hallat e xhajat e mia?
-Pse na qenkan grumbulluar sipas teje, përveç se të çmallen me njëri-tjetrin nga kjo ndarje emigruese?
-Për gjyshen.
-Pse?
Ajo ngriti kryet. Më pa në sy me një vështrim sikur donte të thoshte: vërtet nuk kupton arsyen?-dhe si një prokurore e vërtetë, lexoi me vëmendje akt-akuzën:
-Se asnjë nuk do ta mbajë, ja sepse.
Dhe vajza shpërtheu në të qara. Ajo nuk mund të ndalte dot lotët që i rridhnin faqeve çurg.
-Gjyshja është më keq se Dronti. Pa krahë, pa fuqi. Edhe kur ecën, i ikën trupi sa në një qoshe në një tjetër. Kurse ka nga ata (dhe vajza ktheu kryet andej nga vinin zërat, lart në verandë) që e tallnin paturpësisht gjyshen: bën vetë, thonë. Ç’mjerim për ta!
Unë instinktivisht ngrita kokën dhe pashë se mamaja ime kishte dalë në ballkon bashkë me tim atë dhe në mos për t’iu shmangur acarimeve pa bereqet, që kishin shpërthyer mes vëllezërve dhe motrave, ku kryefjala qe nëna e tyre, për të dëgjuar, ashtu si tinës, se ç’mendim kishte Ledina. Se kjo qe personazhi më i vogël që u ndodh në oborrin e asaj vile të bukur, ku s’kishte munguar, qoftë edhe modest, kontributi i kësaj gjysheje për të cilën luhej ping-pong.
Qe çasti më tronditës për këdo, kur Ledina nuk mund ta mbante dot brengën e ndryrë brenda atij gjoksi të vogël që si një duf shpërtheu në lot.
Kaq mjaftoi që prindërit e mi të futeshin brenda asaj sherrnaje. Im atë dëgjohej më shumë se ishte dhe më i papërmbajtur, në raste të tilla, ku ndjenja dhe dhembshuria triumfonin mbi arsyen dhe çdo gjë merrte drejtimin jashtë kontrollit.
Nga ana tjetër.
Domethënë këtu poshtë, Ledi më thoshte se kot e kanë. Gjyshja do të rrijë me mua. Ja këtu, në këtë cep të verandës. Dhe shkoi pranë saj.
Vetëm atëherë unë pashë se në një minder, pështjellur me shall dhe pallton e saj, fërgëllonte gjyshja, e cila ishte edhe imja. Dhe për të duhet të turpërohesha edhe unë, që hyja në kategorinë e të rriturve dhe që Ledina me siguri që në këtë thes do të më fuste.  Prandaj i vajta pranë. I putha duart me respekt dhe i thashë:
-Mos u mërzit. Ti gëzon dashurinë e gjithë fëmijëve të tu. Edhe dashurinë time, që të dua pamasë.
Kaq. Asnjë fjalë më tepër. Dhe mbeta si i shushatur.
Mbas pak u shkëputa, sepse dëgjova që babai zbriti me vrull nga shkallët dhe erdhi pranë saj. Ishte e para herë që e shihja tim at të përlotej. Ai kishte zbrazur, atje në sherrnajë, kumtin e Ledinës. Kishte humbur drejtpeshimin dhe në fytyrë ishte bërë spec i kuq. Puthi ato duar të rreshkura të gjyshes si të ishin të nënë së tij dhe u hodh në oborr.
Porta metalike e avllisë ishte gjysmë e hapur dhe dikush  e shtyu. E para hyri tezja ime. Pas saj-i shoqi.
Babai s’pati kohë ta takonte tezen se iu drejtua burrit të saj, që për tim at ishte baxhanak, por ky i fundit foli përpara tij:
-Ç’keni kështu, deri në autostradë ta dëgjova zërin sapo zbrita.
Im at mbase donte t’i thoshte: Vërtet kaq fort paskam bërtitur? Por ai e dinte se tjetri nuk e kishte zakon t’i zmadhonte gjërat, prandaj me një ton mallëngjyes, ku brenda tij dridhej jo vetëm nota e maturisë që sillte pendimi e mos-zotërimi i vetvetes, por edhe dalja idhnake prej saj dhe tha:
-Pesë minuta më parë të kishe ardhur, or baxhanak! Pesë minuta!
Dhe pas pak:
-Se dhe sherri seç ka diçka të ngjashme me këngën labe. Njëri e hedh dhe tjetri e pret. Jo që të duket i bukur, por që të ketë, mbase, më tepër kuptim. E, ti o mallakastrioti im, ndofta mund të vije në shina lokomotivën e kësaj mbrapshtie të futur si përçarës midis motrave e vëllezërve.
Pas këtyre fjalëve, im at, ishte në një zonë gri, të themi, se përsëriti shprehjen:
-Pesë minuta më parë të kishe ardhur, o baxhanak!
-Epo ti nuk e di se nga vij unë!-tha tjetri, më në fund.
-Nga, për të mirë, o miku im?
-Nga një shi me bubullima, por këtu paska rënë breshër... Shko lahu një herë se je akoma i skuqur, pa flasim!
Dhe im at, vajti në çezmën e oborrit, te pragu i avllisë. Porta, gjysmë e hapur, lejonte të dukej lopa, që sikur e tërhiqte plakën, e cila plekste me shtiza, kokulur dhe shkonte pas saj si një somnambul, ndërsa dielli qe në të perënduar.
Nga ana tjetër dëgjohej klarina e cila, tanimë, pa stonaturë, drithëronte melodinë tronditëse dhe refreni i këngës:
Si një qyqe mbeti nëna jonë,
pranë oxhakut si kërcure...
Nuk dallohej në qante klarina apo klarinetisti. Se dëgjoheshin edhe rënkime përveç veglës.
Më pas do të merrja vesh se komshiu kishte qenë një beqar i stazhonuar, por edhe një orkestrant me emër, që parapëlqehej në dasma. Ai i binte kryq e tërthor vendit, me klarinën e tij, që ndezte zjarr në zemrat e njerëzve... Por e ëma e moshuar, ndonëse me mirëqenie, s’kishte me kë të këmbente dy fjalë, pranë vatrës së saj të vetmuar... deri sa u shua...
Atë natë kishte ardhur shoqëria e orkestrantit me veglat e tyre. Luanin për të parën herë, melodi aspak të gëzuara. Madje, tejet trishtuese. Nëna e kapos së klarinës kishte të dyzetat.  
Tek bisedohej për të, dëgjova tim at të thoshte:
-Qenka një epidemi që ka përfshirë mbarë vendin.
4.
Gjithë ç’lexuat e shkrova, pas një jave si tregim dhe ia dërgova revistës së kohëpaskohshme, ku unë kisha botuar disa herë. Qe prag-pashke dhe redaktori më propozoi ta botonte në numrin e prillit, ku do të vihej dhe një kronikë rutinë pranë, mbi përcjelljen e kremtimeve të Ringjalljes së Krishtit.
-Zbusim kështu dhe shpirtin e vranët e trishtues që shoqërojnë tregimin tënd,-do të më bindte ai.
      Dy ditë pas Ringjalljes, redaktori do të më telefononte dhe do të më thoshte:
-Të vish urgjent për tregimin! Me diçka zhuritëse do të përballesh.
Zëri i tij s’tregonte aspak shqetësim. Përkundrazi. Kishte një ton ngazëllimi për të mos thënë, dalldi. Pra, si mund të qe i ngutshëm? Aq më tepër përvëlues thirrja e tij?
Gjithsesi shkova. Edhe sepse më udhëheq gjithmonë bindja se redaktorët kanë një shqisë të gjashtë. Diçka duhet të ketë pikasur-mendova.
-Numri i pashkës do të jetë shumë tërheqës, falë edhe tregimit tënd,-më tha ai sapo hyra në zyrë. Sfida e një përkthyesi adoleshent dhe..., drama e braktisjes,-tha ai si ndonjë katolik i thekur. -Do të...
Por unë s’e lashë të përfundonte fjalinë:
-Po këtë... dhe drama e braktisjes ç’e ke që ia paske shtuar si bisht tregimit tim?
Mund të jesh regjisor edhe pa pasur nevojë të kesh talentin e aktorit. Kështu është edhe me ne redaktorët, miku im. Jo detyrimisht ai ka prirjen për të shkruar. Por ai duhet të ketë domosdoshmërisht atë shqisën e gjashtë.
-Të nuhatjes atje ku s’ekziston fare atmosferë?-ndërhyra unë.
-E, jo në oqeanin ajror,-plotësoi ai. Pikërisht këtë dua të them.
-Dhe?
-Dhe..., tema juaj, miku im, vjen në një kohë kur në botën e civilizuar, ku kërkojmë të futemi, ndodhin drama si rezultat i braktisjes së prindërve nga fëmijët. Me tregimin tuaj ne jo vetëm që paralajmërojmë, por edhe i paradalim rrezikut se ..., -edhe ai më dha një fletushkë nga ato, që dikur quheshin axhanse.
Atë çast unë u ula dhe nisa ta lexoj:
Bëhej fjalë për një çift të moshuarish europianë, që jetonin vetminë ndonëse në mirëqenie. Djali i tyre i vetëm, por i martuar e me dy fëmijë, djalë e vajzë; tre dhe shtatë vjeç, u kishte telefonuar se do të vinte bashkë me vogëlushët, të kalonin familjarisht Ringjalljen e Krishtit në kishë dhe familje. Pleqtë qenë gëzuar se, më në fund, djalin i tyre me emër të mirë në avokati, do ta kishin përkrah me nuse e me me qirinj në duar e me përkujdes ndaj tyre.
Por,... ai nuk erdhi në kishë dhe zemra e të moshuarve pësoi një plasaritje se iu hoq mundësia e krenarisë përpara komshinjve, teksa do të mbanin, herë njëri e herë tjetri, nipat, aty në krah të tyre. Gjithsesi menduan se lëvizjet e shumta, me trafik të rënduar, i kanë këto. Dhe, të gjorët prindër, u kthyen pak më shpejt në shtëpinë e tyre për t’i hedhur edhe një sy trapezës së shtruar.
Ora ecte dhe ata s’guxonin t’i preknin ushqimet dhe ëmbëlsirat e vendosura me gusto enkas për djalin e tyre. Për nusen e bukur të tyre. Për ata nipër që s’erdhën e s’erdhën atë natë edhe pse u gdhinë pleqtë duke i pritur të veshur mirë e bukur si për ditën e Ringjalljes së Krishtit.
Dhe qe e disajta herë që zhgënjeheshin pas një telefonate. Dhe pleqtë nuk kishin më kurajë që të përballonin një tjetër shpresëmarrje se zemra i la dhe u thërrmua. Prandaj vendosën t’i japin fund jetës së tyre. Nuk kishte më kuptim asgjë. Çështjen: të rrosh a të mos rrosh e zgjidhi çiftja e plakut.
Fleta e axhansit më ra nga dora mbi tryezën e redaktorit:
-Dhe ti kërkon që këtë lajm tronditës t’ia vësh si medaljon në gjoksin e tregimit tim?-i thashë me zë të ulur si të shqiptoja diçka të ngjashme me dinamitin a nitroglicerinën.
Ai tundi kryet se e kuptoi që mbase ky veprim kishte, si të thuash, veti shpërthyese.
-Nuhatjen e redaktorëve me atë shqisën e gjashtë, unë do ta rendisja në aftësinë e ... djallit,-përfundova mendimin kësaj here me zë të lartë.   
Ai qeshi. Jo sepse qe i ftohtë e i pandjenjë. Por sepse efektin e këtij informacioni, ai e kishte përjetuar duke e lexuar disa herë përpara se të vija unë:
-Shoqëria jonë, vuri në dukje ai, -tha-nuk ka mbërritur ende në këtë stad.
-Po,-thashë unë-se jemi... të paktën njëqind e gjashtëdhjetë vjet më pas në krahasim me francezët.
-Pse njëqind e gjashtëdhjetë e jo dyqind vjet, të themi?
-Se po flisnim për dukurinë e kësaj etape civilizimi. Sepse më njëmijë e tetëqind e tridhjetë e pesën, Balzaku, shkroi romanin Xha Gorio në korpusin e romaneve të titulluar Komedia njerëzore. Tani jemi më njëmijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e pesën. Bëje vetë llogarinë. Pra, tani ka mbërritur tek ne stadi i Xha Gorio-ve.
Redaktori i së përjavshmes më tha:-Edhe po, edhe jo.
-Si ta kuptoj këtë pohim e mohim në të njëjtën kohë?
-Sepse ... lajmi që lexove s’ishte aspak i vërtetë. Fundi i tij ishte imagjinar.
-Më konkretisht-thashë unë.
Të dy prindërit i kishte zënë gjumi nga pritja e gjatë. Dhe plaku kishte përfytyruar fundin me çiften e tij, ndërkohë që zgjohet nga një zile e fortë. Ishte djali që telefononte se fluturimi ishte anuluar për shkak të një defekti të rëndë.
Plaku i shqetësuar kishte ngritur plakën, që gjithashtu flinte. Ajo u shqetësua:
S’prish punë, bir, edhe sikur të mos vish. Shihemi në skype, në internet.
Por jo. Të nesërmen, një taksi e solli djalin me gruan e bukur dhe dy fëmijët si yje...
***
Në shtator, im at, mori vizat për të gjithë pjesëtarët e familjes. Kështu që filluam përgatitjet e lënies së Atdheut. Në një farë mënyre do të shkëputeshim, me gjasë pa kthim edhe nga gjyshja e cila gjithashtu, diç na kishte ormisur e mbështjellë me kujdes: qebapin, mullirin e kafesë dhe një qese të veçantë me një grusht dhe nga kopshti i saj.
Qe nanuritës ky moment ndarës. Por edhe më prekëse ajo që do të na ribefasonte më pas. Se, nga nënkreja ku mbështetej, nxori një flamur që kishte moshën e viteve të saj.
-E kam sjellë në pajë kur u martova,-tha dhe na e dha të palosur me kujdes.
-Dhe isha vetëm katërmbëdhjetë vjeç. Mund të ketë qenë viti i dytë a i tretë, që ishim bërë shtet dhe krenoheshim që dasma të niste me bajrakun dhe kjo të mbetej në prikën e nuses...
Na përcolli deri te porta e jashtme dhe ne morëm monopatin. Përpara se të mbërrinim në xhade, ktheva edhe një herë kryet. Qe momenti kur ajo tundi përfundimisht shaminë e bardhë të kokës dhe u fut brenda. Vetëm atë çast vura re se porta e madhe metalike ishte lyer me të zezë. Ajo u mbyll dhe unë ndjeva se nuk do ta shihja më gjyshen. Hodha sytë tek të dy prindërit. Mamaja fshihte lotët tinëzisht. Kurse pamja e tim eti tregonte haptas hutimin e njeriut që shkon drejt një bote plotësisht të panjohur.
Epidemia e braktisjes na kishte përfshirë edhe ne si gjithë kombin. Unë tanimë uroja që të mos kishim fatin e ... Drontit...
Prill, muaji i Pashkës
Athinë, 2014

No comments: