Tuesday 28 May 2013

FËMIJTË STOLISEN ME PUPLA GJITHFARË NGJYRASH



Nga Mustafa SPAHIU, Shkup                                                                                                               Poezi

Bota është fjalë më e madhe
se çdo mejhane
dhe mezi e zen koka e fëmijës.
Kurse vaji është fjalë e palavdishme,
kaherë s’mund ta duroj.
Uuno Kailas (29.03.1901-22.03.1933) – Finlandë
AGULIÇJA BARONESHË[1]

Ç’po jehojnë prajshëm, prajshëm
- Organot e jugës së bardhë...
Dimri ia mbathi kaq përvajshëm,
Nga pranvera duke mardhë?

Stolisë qiellit-gjerdanet ylbere,
Aguliçja ndriste me pjalm e ngjyra...
Nëpër ograja plimat me dylmere,
Orioni përndezi zamare e lira...

Ta puthsha bukuroshen fytyrë,
Oj, pranverë me të ëndrrës flatra!
- Aguliçe baroneshë, ç’ke dëshirë,
E don pasqyrën e valëve të kaltërta,

Mëngjeseve sa parfume derdhe?
Trishtilat i ngazëllen te dushniki,
Zymbylat – të urojnë – mirë se erdhe!
Në gaz fluturat, në shtrojerë koliki.[2]

Dallëndyshet vijnë si princesha,
Mbi grigjet e reve, dete dhe oqeane,
Përshkojnë rrudhishtat me lauresha;[3]
Kundërmim pranvere si qumësht nëne.
GOSTIA E RADHIQES

Dielli trokthin e argjendtë,
në lirishte kërcente lartë,
sapo hapi dyert buzagaze
nxorri - pishë - syrin e artë.

Doli gjerësisht – beharore
një rè me sinjale – bardhoshe,
rritur nga flladi i erashkës –
mik’e zemrave mjaltoshe.

Galdimin dhe hijeshinë
mbi tela harfe i zbriti,
rrezet ia ngrohën gjethimet
radhiqes – kurora – i zdriti.

Virua gëzimi, s’ngrys qerpikët,
As timbrat e dyjareve – shpresë.
Bulkthi para muzgut e shtroi –
gostinë – kupat – mbushur me vesë.
BLETA E BLERTË

Mua më duan të gjitha lulet
nadjes – tha – bleta e blertë,
Shend prej zgjoi fill fluturon,
çapkëne në livadhin e sheqertë.

Në atë bukuri lulet i viziton,
nëpër to e mbledh dashurinë...
Puhiza e lehtë pushlore –
nektarit ia shton ëmbëlsinë.

Na u dynden dy turtullesha,
luleve iu rritën ngadale sytë,
E presin me buzëqeshje rend –
Tulipani mikes ia dha dylpitë

E gëzuar dhe e mahnitur,
do të pijë ujë nga burimet.
- Bleta shtigjet i kapton lehtë,
fluturat kur i tërthurin fluturimet.
FATI INXHI

Rritemi si ditët verore,
më të shpejtë se retë në qiell,
mirëpo s’kemi fare njohuri –
kush e mbanë të artin diell?

Kërcejmë tejpërtej bankave,
hovemi pas ëndrrës së kaltër,
oh, për ne ende është fshehtësi,
hëna mëngjesit hidhet si drapër.

Do t’ishim shumë mençurak
po të mësojmë qindra urti...
Me tinguj jemi duke u rritë,
me fatin tonë vogëlak – inxhi.

Pëllumbesha hidhet në erë,
syve tanë zgali mrekullia...
Sa jemi të lumtur n’këto imazhe
purpuroshe tjerret vet – poezia.
LOTËT E FËMIJËS

Lotët e fëmijës suvala kroi,
të vesuara sikur pasqyra.
Nëpër gjurmën e xhavahirtë
ylberit i duket në zemër ngjyra

Për ta shikuar koloritin
mos të cyt vetëm dëshira!
- Kujdes! Lotët e fëmijës –
mos të marrin tjera shprehira!

Paçka se fëmija me endirë,
për një lodër ngul thembër!
- Mëcuke me buzë qumështore
gurin ia shkrin thellë në zemër.
SI RRITËN GJËRAT

Brenda vezës këndon zogu,
nëpër qershia yjtë piqen...
Reve shiu ia fut gjumë
kur rigon lulet me shoqe rriten.

Tollumbacet bëhen fruljetë,
ketrat nëpër ujëvare bredhin...
Litarxhinjtë i sheh luginave –
si tërkuzë mjegullën e dredhin.

Molla është shtëpia e krimbit,
pa dritare nuk gjenë shtëpi...
- Një ati thundrat i prarohen,
pleshti te bubi është qiraxhi.

Gjërat rriten të pranishme,
pse gjuha rri pas dhëmbëve?
Koka kur ngatërron hesapet –
nënkrejca është e këmbëve.

Gjërat fluturojnë qiellit plot yje,
kthehemi ne, sa mirë ujdisur!
Si rriten gjërat mbi oleandër,
e lulëzon hëna – flokun stolisur.
SHUSHURITJE

Fëshfërin e fëshfërin,
shushurit gjethja në degëza lisi.
- Mirë do t’ishte të jem Erëmira,
lastarët e brishtë t’i gudulisi!

Pikë pas pike, me rreshekë
shiu s’ndalet – ligëron – kot shpresoj.
- Qiellit nisem në gjezdisje
mbi tri rè dua të banoj!

Zu, zu, zu, me tinguj lire
bleta këndon në livadh e fushë.
Tërë ditën bukurive të fshehta
barkun plot nektar e mbushë.

Nuk do grindje, në vetëmbrojtje,
ia mbath rrugëve kur bjen terri!
- Përvidhem si dac nëpër çati,
droj se ëndrrat do marrin – magji!

Gjethet, shiun, lulet i dua shumë,
Tha: një shushuritje kur bënte gjumë...
KUR BËN GJUMË ERA

Bredhacake, fle ku i teket,
në kurorën e një bliri,
Më marshi – thot – të keqen,
ika të fle në gji kalliri.

Era fle sipas dëshirës,
dhe në prehër të bjeshkës,
binjake ninullojnë degëzat –
zbret në rodhanin e pjeshkës.

Erës syçkat po ia shoh
rri mbi krahët e një zogu,
udhëton me rreze ekspres
pup me turrecin n’degë shtogu.

Era mbi kërmillin shalakatet,
mbi djepin e valëve të liqenit,
- Derisa nuk bie në kurthë
në rrezet e arta të gazmendit.
FSHEHTËSITË

Pëëëst..., do të them diçka...
mos e shpreh as me shikim!
- Meleroti me faqkat trëndafil,
për besë është gavroshi im...[4]

Dëgjo, ore, më dëgjo me kujdes,
ka ngjarë një mrekulli!
Më erdhi në celularin tim
më e ëndërruara porosi...

Imagjino se çfarë ka risi,
në sy shkronjat hepohen.
- Paçka se më gërget Ximja,
Luli e Zana – thot – paq dashurohen...

Oh, sa fshehtësi të tjera
në kokën time janë çerdhuar!
- Thirrja e matur me fjalë
në veshin tim është dëgjuar.

Fshehtësitë s’janë fantazi,
nëpër gjurmë kanë adresë...
Një kozmonaut më jep sinjale:
Ke fat!, mos çalo në shpresë...
LE TË DIHET...

Çdo kush nga ne në jetë
ka etje, ka lakmi për para t’thata!
Por ta fitosh ate çka dëshiron –
të ndihmon vetëm imagjinata.

Që imagjinata të jetë fatmirë
mbi çelës të shpirtit shket!
Imagjinata falënderon muzën,
me mbresë ninullash bëhesh poet.

Imagjinata i ka shtatë ndijime,
për rimat dhe vargun e matur...
Prajshëm, pa buçimë dhe i qetë –
frymëzimin fare pa e ngulfatur.

Imagjinata dëshiron gjithçka:
fshehtësitë t’i kthesh në mrekulli!
Po e marrsh at kullëndriçuese –
me gjelbërime veshet çdo poezi...
NËNKREJCAT

Oda e Lules me nënkrejca të ndryshme
të buta si pambuku, të ngrohta shumë...
Njëra e gjelbërt – tri të kaltëreme
me cicërimaa të padukshme sjellin gjumë.

Nënkrejca e kuqremt me shtatë kordele,
ia miklojnë vogëlushes balluket natën...
- Pesë me mollëkuqe – torta kremtimi –
Bëhen velanije – trëndafilojnë ëndrrat.

Në mesin e tyre – njëra e përhime,
ngjanë më e buta, ndofta të mashtron.
Çklup futet mbulesës, si ngrohtësi nëne,
Lulja kujdeset, ajo kur mjaaauuullon...
VAJTJA

Buburiska me valixhe,
u nis nga hotel “Dielli”,
në arat e lulediejve
pa faturën e gjelbërt.

Bulkthin ethet e gushtit
paksa e kanë kapluar
koncerti me valësin veror
i ngeli i papërfunduar.

Dielli sikur kotullohet
(lodhur nga rruga e gjatë!)

Fluturat si japoneze
në velanijet e mjegullës
janë mbështjellë me pelenka.

Petalet e paparunave[5]
i arnuan vedrat e shiut...

Mëndafshi i gjelbërt në drunj
e mallkon brymën nën bredh!
Përroi si indian lëkurënxirë,
gur mbi gur i harbuar po rrjedh...
KUPA E QIELLIT ME FËMIJË

Prej buzëqeshjes në buzëqeshje,
kur nuk lind asnjë përleshje.

Prej përqafimit në përqafime,
mbushet shporta me gëzime.

Prej kaltërsisë lartë në kaltërsi,
kupa e qiellit mbushet me fëmi’.

Prej mesditës – mylk – në mesditë,
kallinjtë në grunaja janë rritë...

Prej Dibrës në tjetrën Dibër,
dy thëllëza lexojnë një libër.

Prej pllajës në të blertën pllajë,
trishtilat shaleshulen në luhajë.

Prej lifqerit shoh shumë lifqere,
xhaketën e gjejë qepur me ylbere.

Prej ndërgjegjës në një ndërgjeje,
mjaltë e pres një përgjegje...

Prej gënjeshtrës s’doli gënjeshtër,
urën e dashurisë ndërton një mjeshtër.

Prej poetit te poeti i talentuar,
fëmijtë kupës së qiellit duke vallëzuar....
STINA E PESTË

Stinën e pestë me begonia
E shpikën dëshirat – pa karar...
U gëzuan kopshtet dhe parqet
E vendosa me rreze në kalendar.

Ia stolisa portikët me sixhade
Me rruazat e vesës së pa fund...
Sazexhinjtë ecnin para sejsaneve,
Stinën e re e priste çdo katund!

Nëse ju gënjej m’u martë goja!
- I thonë stina e dashurisë...
Dëgjohen livadheve të qiellit
Cicërimat e arta të poezisë.

Stina e pestë – gjerdan i shtrenjtë,
Orfeun me lira erosi e shoqëron...
Zogu i argjendtë me sqep të shenjtë –
Me të ëmbëla simfoni cimcimon.

Tabloja mbushur faunë e florë,
Ndrisin ëndrrat, derdhur në pikturë.
Vargjeve të poetit gledhen – metaforë,
Krojeve valëzat me nuanca – figurë...


Në vendlindje,
E mërkurë, 13 mars,
Në Shkup,
E hënë, 22 prill 2013


[1] Baronesh/ë, ~ a f.sh., e shoqja ose e bija e baronit.
[2] Kolik, i – tatëposhtë, tërposhtë, shpat mali, vend ku e lajnë rrezet e diellit, që zgjasin sa vijë dore.
[3] Rrudhisht/ë, ~ a f.,sh. ~ a, - at. Vend i thyer me gropa e rripa.
[4] Gavrosh, ~i m. sh. ~ë, ~ët djalë trim, guximtar.
[5] Papurun/ë, ~a f., sh. ~a. ~at., luleku, lulekuqja.

No comments: