Saturday 11 May 2013

Lakuriqësi galaktike



Nga Fatmir Terziu

Në këtë kantier të ndarë me brazda
edhe sytë u harxhokan si lapsa!

Por një shteg i ngushtë mbetet
i zhytur brenda në Galaktikë
Homeri tek të dymbëdhjetët
e quajti ‘trup’
një bodrum me rrjet tramvaji
që pushton tërë galaktikën
të shpëtojë trutë nga faji.

Mes imazheve që shkrepëtijnë. Dielli
përshfaqet me ngut për shpëtim
mbi Tokë të vendos rregull
në këtë pikë galaktike në zgjim
gjëja e vetme që përvijohet ndezur.

Të bëra lëmsh në retinë
janë rrënjët prej mishi
një rrjetë merimange e ngrirë
peshqesh të bëra nga syri.

Në këtë ekspozitë jeta
skicohet si në një dallgë sizigjiale
retina tkurret duke bërë palë
lakuriqësinë e pëlleshme dixhitale.

Në këtë kantier të ndarë me brazda
edhe sytë u harxhokan si lapsa!

No comments: