Wednesday 16 April 2014

Eskiz poeti



ILIR CENOLLARI
Nga vëllimi “Dhe vjen një çast”, 2000
1.
         
          Eskiz poeti

          E popullova zbrazëtirën me fytyra të bukura,
          lundroi mes tyre mahnitja e u kthye memece.
          Rrymave të padukshme poeti u jep formë,
          ndjenjat transkripton e i bënë të flasin.

                   
2.
Duke zbritur
       
Dhe gurët e zymtë
          dergjen të nemitur,
          të mpirë, të gjymtë
          rrugës së venitur,
          që krejt papritur
          bëhet fill i ndritur.

          Është ajo duke zbritur!
3.

                   Ç'gjë e tmerrshme

          Zgjaten mendimet si gjarpërinj vraponjës,
          futen në tru, thellë e më thellë,
kafshojnë në babëzi e s'kanë të ngopur.

          Oh,  ç'gjë e tmerrshme,
          a thua të ma kthejnë kokën në një zgavër bosh?!

4.
Trishtim

Dielli po perëndon;
          në ikje e sipër natyrës i hedh mantelin e kuq
          sikur ta mbronte nga i ftohti.
         
Zgjata krahët në humbëtirë
          dhe në duar desha ta mbaja
          me trishtimin tim ta spërkasja.

          Ai ma mbushi grushtin me gjak
          e marrëzisht u rrokullis në humnerë.


       5.
                        Vetmitar
                  
          E lashë dritaren hapur dhe u shtriva në krevat,
          mbi faqe të detit hëna fshehtas fekstit.

          O hënë, a s'vjen sonte të flesh me mua në shtrat,
          s'bëhet kiameti nëse bota mbeti një natë pa dritë.


                   
6.
Dyzim

          Predikuesi me mjekërr më tha:
                   “Jeta është xhungël, vend për të mirët s'ka”.

          I thashë vetes: “Ruaju tundimit”- djall apo shenjtor?!
                   Pastaj shtova : "Prit edhe ca!"



7.      
         
Dimër

Re të rënda vithisen trazuar në peisazhin e ftohtë dimëror,
          diku qielli hapet si liqen - oaz ajror.

          Dielli katër kolona ari lëshon madhërisht,
          si të ngrinte papritur panteone lashtësish.

          Perëndesha e Dashurisë shfaqet e praruar,
          qielli prej zilisë kornizën bosh më lë në  duar.

        Era sokëllin, hapësira ngryset prej mërzisë,
          pamja e ëmbël fshihet tek përmendem prej ftohtësisë.


                          
II. Nga vëllimi “Metamorfozë”, 2002


1.

*        *        *
Male të larta, fushë e rrethuar...

diçka e pakapshme rrinte pezull
dhe ai u bë gati të klithte...

Mbase ulërim’ e tij do ta rrëzonte për tokë!


2.

Palma degëhapur hesht e vetmuar...

Gjethet si thika të gjata e shpojnë në trup
si dëshirat një vajzë tetëmbëdhjetëvjeçare.

Mars 2000


3.

Tela janë bërë këta damarë:
i prek – tinguj vajtimtarë...
Ç’qyqar!

Prill 1977


4.
          SYTË

Faqe e dallgëzuar e detit,
vela të bardha valëvitur nga era e mallit;
degëza të këputura shelgu
buzë ujrash gurgullues,
pasqyra të kthjellta liqenesh
ku notojnë male përzier me re,
thellësi të mistershme
që kokrriza të kristalta
në sipërfaqe nxjerrin.


5.
PRITJA

Unë e di:
ti sonte më pret.
të shoh se si shkon e vjen,
se si afshi i pritjes xhamat vesh
në dhomën e ftohtë.
T’i shoh firomat e frymës,
që duke ngrirë emrin tim formojnë
e shndritshëm varen si shandanë.
Unë e di: trandafili i pritjes
mbyllur fle mbi tavolinë.
Unë jam rrezja e tij
e kur ajo të mbërrijë,
mes përqafimit tonë do të çelë,
dhomën me aromë do t’kundërmojë.
Sonte s’vij dot.
Po si të lajmëroj?
Mëngë e mallit tim
a mund t’i fshijë xhamat që këtej?
zjarri i zemrës, që këtu,
vallë firomat a mund t’i shkrijë?
.................................................

6.

          ZEMËR E TRISHTË

          Largësive të trishta eci majëgishtash-
          ajër pastërtor,  frymë e kulluar, erë pranverore;
         
Botë e largët - malli im s’arriti të të zgjonte:
          kopshti me lule qe shkretuar, varrezat lulëzonin
me të vdekur, fletoret i kish mbuluar bora,
madje dhe mbi kujtimet binte borë!

Ah! Zemër e brishtë, mos u ngashëre,
mos u shkreh, zemër e trishtë.

20. 06. 2000


        7.

STATUJAT

        O zot! Si s’ja plotësove dëshirën
këtij politikani vocërrak,
          që papushim veteveten shumëfishon
diegur kushedi në ç’pasion marrrëzie
gjithëkënd kthen në statujë, kopje të së tijës…

          Njerëzimin shumëzon me njëshin
e kënaqet kur sheh veten e vet në njëmijë,
          njëmilionë, miliona pjesë,
që bëjnë të njëjtat gjeste, qeshin njëlloj,
          ecin me të njëjtin hap…

          Ngrohur në delire madhështie veten
shenjon në trupin e sfinksit mitologjik-
          tutor i plotëfuqishëm i mizërisë së statujave,
vrasës i pamëshirshëm i shumëllojshmërisë.

          Hiqmu sysh, pjellë e përçudnushme:
Me një të hedhur guri copë-copë
          do të t’i bëjë statujzat e tua të dashura,
aq jetë sa të ka mbetur s’do të mjaftojë
          të mbledhësh pluhurin e tyre…!
                                               
          01. 04. 1996



Nga vëllimi IKESIT E MEDHENJ, 2004


1.
         Qeni

Bën rojë i lidhur në zinxhirë,
natën detyra është e vështirë.

Herë-herë gjumi e mek, e kapit,
trembet në ëndrra, zgjohet nevrik,

lëshon në tym të lehura gjëmim,
hije të zeza sheh në parakalim.

Trim, i rreptë, dhëmbët kërcet,
xhindet me putra egër i godet.

Shikimi në errësirë prap i humb,
nata rrëzon copa bloze, shkrumb.

Kur vjen mëngjesi me freski,
gjumi e paqja kthehen përsëri.

         

2.

Ndjenja ime

Ndjenja ime ka diçka të ëmbël,
ka ëmbëlsinë e puhisë, puthjes, ledhatimit;
ndjenja ime ka diçka të hidhët,
ka hidhësinë e hithrës, gjembit, vrerit.

Ndjenja ime ka diçka të butë,
ka butësinë e nënës, e frutit, e barkut;
ndjenja ime ka diçka të egër,
ka egërsinë e dimrit,  e bishës, e tërmetit.

Ndjenja ime ka diçka të lehtë,
ka lehtësinë e flatrës, e erës, e resë;
ndjenja ime ka diçka të rëndë,
ka rëndesën e gurit, e dertit, e pleqërisë.

Ndjenja ime ka diçka të kthjellët,
ka kthejlltësinë e qiellit, e detit, e mëngjesit;
ndjenja ime ka diçka të turbullt,
ka turbullimin e përroit, e muzgut, e urrejtjes.

Ndjenja ime ka diçka të bukur,
ka bukurinë e lules, e vajzës, e lëndinës;
ndjenja ime ka diçka të shëmtuar,
ka shëmtinë e shtrigës, e sëmundjes, e rrënimit.

Ndjenja ime ka diçka fisnike,
ka fisnikërinë e aristokratit, e bamirësit, e shenjtorit;
ndjenja ime ka diçka të ulët,
ka përulësinë e kënetës, e moçalit, e varrit.

Ndjenja ime ka diçka të shndritshme,
ka shndritjen verbuese të rrezes, të bardhësisë;
         ndjenja ime ka diçka të errët,
ka errësirën e natës, e shekujve, e nëntokës.

Ndjenja ime ka diçka të lartë,
ka lartësinë e majave, e planeteve, e yjeve;
ndjenja ime ka diçka të thellë,
ka thellësinë e rrënjëve, e gurrave, e vullkaneve.

Ndjenja ime ka diçka heroike,
ka heroizmin e luftëtarit, e besimtarit, e martirit;
ndjenja ime ka diçka të frikshme,
ka frikën e fëmijës, e arsyes, e greminës…
………………………………………………………
Ndjenja ime ka diçka të rrallë, ekstreme,
diçka të zakonshme, të rëndomtë…

O ndjenja ime e ngrohtë, shumëngjyrëshe,
o ndjenja ime diellore veshur me tis ëndërror,
stolisur me nur vajzëror.


       
         3.

         Ikësit e mëdhenj

Miqtë më të mëdhenj - armiqtë më të mëdhenj!
Armiku më i madh - vetvetja!
…………………………………………………………
Shqiptari - krenari e plagosur,
viktimë e besës, bujarisë,
rob i nderit, sedrës, marrëzisë…
………………………………………………………..
Tokë e djegur, erë zhezhitjeje, djegësirë,
bar i përcëlluar, pyje të zhuritur,
tym, zjarr, flakë, shkrumb.
Eksode, ikje, eksode, ikje,
shkreti e shkretimit, histori e humbur,
kujtesë fragmentare, ndriçime të zbehta.
O vend i tragjedive dhe poezisë,
djep legjendash, rezervat trimërie,
farishte burrash sypatrembur,
fisesh të përmendura, që anembanë
hodhën rrënjë, lëshuan filiza,
krijuan raca, popuj, kombe…
Veç më të mirët i përzë nga vatra,
i dëbon, i shtyn drejt rrezikut,
aventurës, së panjohurës, stuhisë.
Eksode, ikje, mërgime,
Eaku, Danai, Kadmi, Hylli, Aegimi, Eneu,
Aleksandri, Pirroja, Gjergj Skënderbeu!…
Në mbretërinë e kaosit përpëlitesh,
mospërfillës ndaj vetes, fatit, vendit tënd.
Jetën dhe për të tjerë, pa një, pa dy,
fale ç’kishe më të mirë, më të çmuar,
e kurrë s’u shpërbleve, miqtë të harruan…
Përsëri rrugëtime, karvane, kob e zi!
O histori e popullit tim, histori mbijetese,
histori e madhe mbushur me vija të zeza,
me hije, me zgafella, me gremina...
O zëra të largët e të mbytur,
buçime të kohërave të panjohura,
jehonë e shpirtit mijravjeçar,
ngulçime dheu e qielli, heronjsh e martirësh.
O shfrim shekullor, zjarr hyjnish,
frymë perëndie, verbim borërash dimërore.
Si t’i zgjidh nyjat e litarit të gjatë,
ikset e ikësve të mëdhenj?!
O fat i vendit tim,
që më shtie ethe e zjarrmi,
pse më jep kaq vuajtje e dëshpërim?
……………………………………………
Shpirti i Shqipërisë - plagë e lënduar,
plagë me kore, përherë e irrituar.
Shqiptari - luftëtar i përjetshëm,
në sy i mbeti paqja e ëndërruar!
O farkëtarë dinastish: perandorë,
patriarkë, vezirë, gjeneralë,
ku jeni, ku është nderi, emri juaj, lavdia?
Nën gërmadhat e perandorive,
mes rrënojave mezi merrni frymë,
të harruar, të dëshpëruar, të penduar…
…………………………………………………
O populli im, bashkoji fuqitë, mblidhi forcat,
derdhi në një goditje vdekjeprurëse,
në një grusht tronditës, shpues,
përmbyse atë karakatinë që të zë frymën,
apatinë, aneminë, anarkinë!
…………………………………….
Unë, ndërgjegjja juaj, vetëdija e munguar.


 4.

Mërzia

Mërzia ime është mërzia jote,
mërzia e fëmijës, e nënës, e gruas, e familjes,
e lagjes, e qytetit, e vendit tim;
mërzia ime është e sotme, e djeshme,
e stërgjyshërve…
Pllenohen mërzitë,
mërzitë e vogla brenda së madhes;
mërzia ime është mërzi e botës,
rriten mërzitë e shpirti im i nxë,
lëshojnë rrënjë të thella, të zeza,
shpërhapen në vite, kokolepsen,
bëhen kërçep.
Si ta shkul nga shpirti im,
nga shpirti i botës?

Mes zezonës së mërzive,
kënaqësitë të rralla, si gurë të çmuar!


5.
                                 

Këtu s’ka sekrete


Vendi ynë s’ka sekrete.
Këtu gjithçka është e hapët, e zhveshur, lakuriq:
e vërteta, gënjeshtra, nderi, poshtërsia,
mençuria e marrëzia, gurët e pyjet,
punët e shtetit dhe arkivat…
Këtu gjithçka është e hapët,
këtu s’ka dyer e dritare për miqtë e armiqtë,
këtu hyn e del kush të dojë:
nga qielli, nga deti, nga toka.
Na dinë dhëmbë e dhëmballë,
sa peshojmë, sa ditë bukë kemi në magje.
Mbi dyzet shekuj që na grabitin,
mitet, heronjtë, gjakun, mbitokën e nëntokën.
Ende më kumbojnë në vesh rënkimet
e karrove të Pal Emilit,
që çojnë në Romë plaçkën e robërit e Toskërisë,
ari ilir ende shkëlqen pallateve mbretërore
të Venedikut, Kostandinopojës, Stambollit…
Këtu gjithçka është e hapët, e zhveshur, lakuriq:
çelësat i kemi varur në erë!


6.

         Intrigë

Mjegullën fshij nga sytë,
shoh ç’është shkruar mbi mur:

“Jam intriga tremijëvjeçare,
zonja e vjetër me zakone moderne;
rëndë-rëndë shëtis mbi këto dhera,
armët, qëllimet i fsheh mirë, i maskoj,
ndjenjat i zotëroj, kurthe ngre me lehtësi…

Jam dinakëria,
ekzistoj në emër të miqësisë,
jam hije lajkatare, afrohem sipas qejfit,
ngjitem si push e djeg si hithër,
gjumëndjellëse si bora e dimrave të egër,
të kall dehjen e vdekjes,
me ëndrra të bukura të shpie në botën tjetër…

Jam gënjeshtra e stolisur,
kam pamje përrallore, prerje të lashtë,
mbaj ngjyrat më të ndezura;
jam joshëse, turbullonjëse,
          kam helmin e nepërkës së malit,
kafshoj pa ndjerë, dhembja vjen më pas...

Jam urrejtja,
urrejtja e verbër, shtazarake, banale,
s’lodhem së urryeri pa shkak, pa arsye,
prish, shfaros, shkretoj…”.

Mjegullën fshij nga sytë,
shoh ç’është shkruar mbi mur.
Edhe kur muri shembet,
e shkruara në ajër lëkundet.
                            
7.

          Ndryshimi

Ndërrohen kohët, epokat, rendet shoqërore;
E Vjetra shqepet si triko me fije të ngrëna,
si bluzë  me model të tejkaluar,
e Reja thuret me shtiza të mëdha, të gjata.
Qepet e shqepet koha -
me miliona fije endin pëlhurën e madhe,
fije që zgjaten, tendosen, këputen, tërhiqen
në peizazhin ndryshues, në mozaikun e jetës.
E Vjetra ndien dhembje, e Reja mospërfillje.
Ndërrohen kohët, epokat, rendet shoqërore
sipas ligjeve të pashkruara.



Nga vëllimi TROKAS NE QIELL, 2010

1.
*         *        *

Së larti

këputet

një yll,

si lot

i zjarrtë

faqe qiejsh

shkrin,

tek kjo buzëmbrëmje

përndrin

nga qerpikë perëndie:

Dhembje gjithësie.

2.

KUSH ME THIRRI

Natë, terr, ende s’ka gdhirë,
ngarend, zbres nëpër një rrëpirë…
Një zë më thërret në emër: Ilir!
Kush është? Qielli s’ka hënë.
Ti nënë je, je ti nënë?

3.
BABAI

Babai flet për vdekjen si për një mik të vjetër,
e thërret në emër, e kërkon, e lut, e pyet:
Ku je? Pse rri fshehur? Pse mënon?
Dhe nis të japë këshilla pa fund:
“Bir, s’dua të rroj, e kam mbushur kupën,
s’kam pikë fuqie, ndihmomë të vdes.
Gjyshi, i ndjeri, vdiq pa vuajtje, tak-fak,
me një gotë ujë në dorë, mamaja, e gjora,
me një rrahje flatrash shkoi në parajsë...”.
Brenda tij s’ka asnjë dritë shprese,
asnjë dëshirë për të rrojtur, asnjë motiv,
ato pak fije që e mbajnë lidhur me jetën
këputen një e nga një, si penj të kalbur.
Numëron me gisht bashkëmoshatarët,
Sabriu iku, Zalua rron, po hallë Xheka?
Sikur ta takoja e njëherë, të çmallesha!
Nuk e tremb vdekja por hija e saj,
s’do ta bëjë vetëm udhën për në botën tjetër,
me dhëmbë bën jetën ta mbajë.




4.

ATDHEUN

E shoh me sytë e fëmijës,
të dëlirtë, të ujshëm, naiv, plot habi
dhe kupa drite derdh mbi të;
e shoh me sytë e plakut,
(përhumbur në fundin e tij)
që nga jeta pak ditë i kanë mbetur,
pikëluar me lotë të shndritshëm,
plot dhembshuri, plot mall të shenjtë.
E shoh me sytë e diellit,
me sytë e yllit të përjetësisë,
mes përflakje perëndimesh,
mes rilindje agimesh.




5.
KAMBANAT

Bien këmbanat me ritme  këmborësh;
dëgjoj kumbimet muzikore:
një vijëz e lakuar si kurriz mali
skicohet nëpër qiell,
fërfëllon e dridhet e zbehtë
një formë ere, reje, hije.
E plotë silueta e klithjes
botën tek shigjeton.


6.
DITE BUJARE

Kjo ditë kaq bujare,
kaq e ngrohtë, kaq diellore,
populluar me flatra engjëjsh,
me gjurmë të imëta zogjsh,
si kryqe të vegjël ngulur në ajër,
të fton në gjirin e saj,
me butësi, me ëmbëlsi,
të thotë:
pse mërzitesh o njeri?
7.

QIELLI

Qielli është sy,
guackë kristali;

kris në agim
mbyllet në muzg.

Amshim.



                   TË PABOTUARA


1.

*        *        *
Mbi maja të larta Koha vë kryqe
veç për Zotat, veç për guximtarët.

Gjoksi im është bërë për plumba,
gjoksi im – kafaz për pëllumba.

Maj 2008

2.

MOLLET E ARTA

Kaloj mespërmes Plakisë,
viseve të Ilirisë....
Në Kopshtin e Heshperisë,
thellë asaj gremine ku shkelin
perënditë mendjelarta
mbush shportën
me mollë të arta.
……………………………………
Nga qiej vjeshtorë
rrëzohen pëshpërima, gjethe të venitura,
nën këmbë bëhen shtrojë.

18. 06. 2008


3.

NE ENDERR

Gjej lirinë,
i hipi flatrave,
sulem qiejve
nëpër kapërthime,
si Shën Gjergji
ngjitem lart.
Zgjohem,
me pranga
nëpër duar.

Prill 2008


4.

*        *        *

Dhe heshtja
flet e buçet,
dhe nata jehon e pëshpërit,
me engjëjt, me perënditë,
dita brenda kafkës gumëzhin,
ziejnë dashuritë,
flakërijnë dashuritë,
si yje.

07. 02. 2008


5.

FANITJE

Në udhë, i vetëm,
përhumbur në ëndërrime;
qyteti është boshatisur
dhe heshtja e madhon zbrazëtinë;
pas më ndjekin krisma armësh,
fishkëllima plumbash,
përpara turma e madhe,
si në një stadium qiellor,
brohoret, duartroket,
dhe unë eci drejt,
drejt.

28. 02. 2008


6.

*        *        *
Buzë shtigjesh,
ngushticash, rrah brigjet e jetës
dhe mbërthehem pas gjoksit të gruas
si pas shtyllave të Herkulit,
mbahem fort mos më merr nata,
puhizë e ëndërrimit
tek rrekem
t’i gjej fundin amshimit.

31.03. 2008

7.

*        *        *
Përhumbur në udhë,
përgjërimë e drithërimë.
Kupola qiellore
më thith, më përpin,
kaltërsisë mëtoj një Beatriçe,
Trandafilin e Lumturisë.
………………………..
Mes turmës njerëzore
lyp diçka madhështore
e gjej vetëm pluhur.

13. 05. 2008


8.
*        *        *
Atdheu
humbi nëpër zyra,
u tret kolltuqeve të fryra,
fushave mbeti era,
maleve vetëtimat.
Atdheu mbeti jetimë,
ku janë burrat,
ku janë trimat?
Atdheun
e mbuloi zgjyra!

24. 04. 2008


9.

ZOTAT

Zotat e tanë vijnë nga hiçi,
hipin mbi frone e s’tunden vendit,
kapardisen, gjëmojnë, bubëllijnë,
hakërrehen, shkretojnë, shijnë,
zotat tanë të rremë,
zotat tanë zemërakë
etur për pushtet, etur për gjak,
pështyjnë, ndyjnë,
sillen qark.

02. 05. 2008

10.
KRONI

Zot mizor,
gdhendur në gur,
vetullngrysur, leshator.
Poshtë portretit hyjnor
                   fërgëllon një tjetër fytyrë:
një skulptor me daltë në dorë.

13. 05. 2008





No comments: