| |
Për herë të parë, shkrimtari i madh Ismail Kadare rrefen në emisionin “Studio e Hapur” për librin e tij më të fundit. Kadare flet për procesin e shkrimësimit të veprës së tij, marrëdhënien e tij me lexuesin, regjimet, takimin e tij me diktatorin Hoxha dhe shumë tema të tjera që shqetësojnë sot shoqërinë dhe mendimin intelektual në Shqipëri. Në panairin e librit doli libri juaj më i ri, "Darka e gabuar". Sipas informacioneve ky libër ka shënuar një rekord shitjesh, gjë që hedh poshtë edhe idenë që lexuesit shqiptarë nuk janë më lexues të mirë? - Mendoj se ky është nje mendim i gabuar. Përgjithësisht eshte nje paragjykim planetar qe lexuesi i sotem ka pësuar një degradim bashke me të edhe lexuesi shqiptar. Ky mendim bie ndesh me realitetin. Sot më shumë se kurrë ka libra që botohen, ka letërsi që botohet dhe për pasojë më shumë se kurrë ka lexues. Ka ndodhur një ndryshim në ish- boten ish-lindore, ish-komuniste, ku leximi ka qenë më i zhvilluar përpara për arsye të kufizimit të jetës, për arsye fatkeqe. Tani lexohet më pak sepse lexuesi ka mundësi për të ndjekur një zhvillim kulturor normal, jo vetëm me leximin. Por lexuesi shqiptar mbetet sic ka qenë; unë e kam thënë gjithmonë, një nga lexuesit më të mirë në Europë, me një bonsens të zhvilluar. Por pas një traumatizimi kaq të gjatë të një izolimi tragjik, leximi pësoi një humbje drejtpeshimi. Tani ai është duke u rikthyer ngadale, lexuesi eshte duke u rikthyer tek libri. Janë gjëra që nuk ndodhin menjëherësh, por varet edhe cfarë i ofrohet lexuesit. Me këtë libër pata pak a shumë lexuesin e mëparshëm, pra një lexues të konsiderueshëm. Kuptova që bonsensi vazhdon dhe lexuesit nëse i ofrohen gjëra me vlerë ai do të rikthehet, pra nuk ka kokëfortësi apo braktisje të letërsisë. “Darka e Gabuar”, si vepra më e arrirë. Keni kulminacion në mjeshtërinë e shkrimit. Ju vetë e keni ndjerë këtë në procesin e shkrimit? - Zakonisht ndodh një gjë e tillë, që shkrimtari cdo vepër të fundit kur e fillon kujton se po bën nje kulminacion, pastaj shumë shpejt e qorton këtë mendim dhe e ndjen shumë shpejt vendin. Kështu që në fillim nuk ka vlerë vlerësimi që i bën shkrimtari veprës së tij te fundit qe është e favorizuar në kokën e tij. Tani që ka kaluar një farë kohe që është botuar vepra dhe vërtetë është një nga librat e mi më të mirë. Cfarë ndodh në fillesën e shkrimit tuaj? E keni ngjarjen në kokë nga fillimi në fund? Si lindin personazhet? - Kjo është një pyetje nga ato që quhen profesionale. Zakonisht përgjigja është e ndryshme për shkrimtarë të ndryshëm sepse ashtu është e vërteta, por unë do të bëja një ndarje tjetër. Për zona të ndryshme të letërsisë përgjigja është e ndryshme sepse në zona të ndryshme të letërsisë, pra, letërsisë së rëndomtë, letërsisë serioze mbi seriozen, letrësisë së madhe, shpjegimet janë të ndryshme. Ligjet e letërsisë ndryshojnë, sipas këtyre që unë i quajta zona të saj cka është ligj për njërën zonë nuk është për tjetrën. Ligjet absolute janë të asaj që quhet letërsi e madhe. Sa më e thjeshtë të jetë letërsia, sa më e rëndomtë aq më e shpjegueshme është. Sa më e ndërlikuar të jetë letërsia, sa më vlera të mëdha, aq më pak e shpjegueshme është. Shkrimtarët që pretendojnë të kenë një letërsi serioze, jo se refuzojnë, por mundohen të mos japin shpjegime për veprën e tyre sepse e dinë që shpjegimet nuk janë të sakta. Kjo lloj letërsie ka shpjegim shumë të kufizuar dhe të mjegullt për fat të saj, dhe kështu duhet të jetë. Prandaj cdo shpjegim që do japë shkrimtari është i pasaktë, për të mos thënë që duke folur para publikut ai do të thojë me mendjen e tij "o zot cpo them, nuk po them të vërtetën”; sepse e vërteta e krijimit është shumë e vështirë për t’u shprehur, për t’u treguar. Dhe e kam përsëritur në një ese, është e patregueshme, dhe prandaj është mendimi që kam shprehur dhe unë se cështjet e laboratorit shkrimtari ska pse përpiqet t’i tregojë sepse laboratori ka lindur për të dhe do të vdesë bashkë me të. Në fakt "Darka e gabuar" ka dhe personazhe që kanë ekzistuar vërtetë… - Po është e vërtetë, po baza në letërsi nuk ka asnjë rëndësi. Nisesh nga një fakt krejtesisht i rrokshëm i jetës, nisesh nga një fakt i shpikur prej teje. Letërsia përfundon që pjesa më e bukur e saj dhe me më vlerë është ajo cka trillon shkrimtari në mendjen e vet. Edhe kur bazohet në një fakt të vërtetë. Ka qindra fakte të vërteta tronditëse në historinë e botës që nuk kanë dhënë letërsi sepse nuk janë trajtuar nga shkrimtarët. Ka fakte më të thjeshta që kanë dhënë letërsi të madhe sepse janë trajtuar. Çfarë ndodh me procesin e shkrimësisë së Kadaresë pas një kulminacioni të tillë sic e quajtëm dhe më parë, që është “Darka e gabuar”, cfarë ndodh me veprën pastaj? - Mendimi i parë është që tashmë unë duhet të shkruaj një vepër së paku si kjo, po jo më pak të mirë ose s’do shkruaj. Mendimi i pare i shumë shkrimtarëve që shkruajne është se ndoshta kjo është vepra e fundit. Ju e keni menduar këtë? - Po. Që “Darka e gabuar” mund të jetë vepra juaj e fundit? - Kam menduar dhe për shumë vepra, jo vetëm për këtë. Është normale për një shkrimtar. Deri në boshllëkun, nëse kemi… Do të kemi apo jo një vepër tjetër, cfarë ndodh? Ju prisni të keni një vepër tjetër? Nese kjo do të jetë, ku ndodhet? - Shkrimtari ka në ndërgjegjen e tij shumë vepra që ai e di fare mirë që nuk do të dalin kurre në dritë se nuk është ndonjë gjë e re për shkrimtarin të jetë i zbrazët ose i mbushur. Gjendja e tij natyrale është që ai ka një rezervë që ajo që mund të quhet një vepër negative që s’ka parë dritën e botimit e që nuk do ta shohë ndoshta asnjeherë. Gjithë puna është që shkrimtari talentin e tij ta nxjerr nga ai bodrumi i tij; atë që duhet të mos nxjerr vepra që mund të rrinë atje duke i ngrënë kohën një vepre tjetër. Kështu që unë këtë e kam quajtur disa herë në shkrimet e mia, si të thuash, një lloj apologjie negative të shkrimtarit. Madje kam thënë dhe këtë, që për të prishur një pjesë të kësaj vepre ajo ka nevojë të prishet, të mos e rëndojë ndërgjegjen e tij, mendjen e tij. Do një farë energjie; domethene shkrimtari harxhon energji kur krijon ose kur prish nje pjesë të veprës. Sigurisht energjia që harxhon për të prishur është gjithmonë shumë më e vogël se ajo për të ndërtuar, dihet. Rënimi është shumë i lehtë, por do një farë pune sidoqoftë. Prandaj ndërgjegjia e tij punon që kjo vepër dhe kjo të zbrazet prej tyre, të ndahet prej tyre dhe të thotë "lamtumirë, mos më shqetësoni më" dhe të lejë ato që duhet, qe kanë shans, që mund të dalin. Megjithatë shumë vepra ngelen pa dalë kurrë dhe kjo s’ka pse të shkaktojë ndonjë keqardhje. Keqardhje do të ishte nëse vërtetë “Darka e gabuar” do të ishte vepra e fundit, të paktën për mua personalisht, po dhe për shumë lexues do të ishte. Për juve, ndjeni keqardhje nëse kjo do të ishte e vërtetë? - Jo, derisa ajo mund të kthehej në veprën e fundit. Le të kthehet ashtu e kërkonte... Kjo botë është shumë e egër, bota e letërsisë. Bota e letërsisë është nga më të ashprat sepse seleksionimi i saj është mizor. Ajo nuk ka mëshirë. Letësia s’ka mëshirë, nuk mund të bësh tolerant me të. Ajo që nuk duhet të ekzistojë le të mos ekzistojë, ska asgjë të keqe. Është një filtër i vetvetes, një filtër që e ben vetvetja apo ... - Po filtër që e bën ndërgjegjia e shkrimtarëve një për një dhe një farë lloj ndërgjegjie nëse do ta pranojmë e letërsisë kolektivisht. Ju vazhdoni të shkruani në kafene. Është një pyetje me tepër për të shuar një kuriozitet. Është një mani, sepersticion, një komoditet? - Keni të drejtë t’i përdorni të gjitha epitetet, mani, supersticion, trill kaprico, megalomani, budallallëk, vanitet, të gjitha janë përdorur për shkrimtarët që punojnë në kafene. Në të vërtetë nuk është ashtu. Mund të ketë shkrimtarë që venë në kafene, nuk i shtyn asgjë, venë se kështu kanë shkuar të tjerët para tyre dhe kanë qenë shkrimtarë interesantë dhe kanë krijuar një farë legjende që punojnë në kafene. Kryesisht sa kanë krijuar Parisi, Vjena, kryeqytetet e para të Evropë. Tani kjo, universi i kafeneneve po përhapet dalengadalë në botë, po pushton vende që se kanë njohur, por kjo është... Ata që janë mësuar ose ata që kanë shkuar më parë në kafene të punojnë, është një nga vendet më komode për të punuar. Nuk është problemi thjesht sic thuhet, jo në shtëpi të pengon telefoni, të mungon dikush që hyn ose del. Jo! Kafeneja është një lloj posti i luftës, atje shkon si ushtari që shkon në luftë e s’ka punë tjetër, do të bëjë luftë ose jo. Atje shkrimtari shkon për të punuar, mendja e tij zhvishet më mirë se në cdo mjedis tjetër nga trysnia e kot e jetës. Atje stereotipet janë të gatshme, aroma e kafenesë ku hyn kamarieri që të njef pa të pyetur "Zotëri cfarë doni", e di fare mirë, ta sjell atje, t’i punon. Krijohet një gjendje pune që në një mjedis tjetër do të kërkonte disa dhjetra minuta që ajo që quhet e famshmja e ardhur në formë, ose në mënyrë më vulgare frymëzim, që për mua është shumë e dyshimtë si shprehje, është një tjetër gjë që quhet frymëzim, sigurisht. Është dicka po ashtu sic mendohet jo që doli hëna, iku hëna u frymëzua shkrimtari, këto janë gjëra shumë... Le të flasim për frymëzimin, cfarë është frymëzimi për Kadarenë? - Hyn në atë shpjegimin e vështirë që thashë unë. Janë një sërë faktorësh që krijon atë që quhet frymëzim. Kështu që kafeneja është vërtetë më komode dhe me një efikasitet tepër të lartë të punuari. Atje nuk rri kot njeriu kur shkon për punë. I keni shkruar të tërë librat tuaj atje? - Jo. Në Shqipëri për shembull nuk punoj dot në kafene sepse meqënëse është vendi i vogël dhe njohja është e tillë, kjo gjë bëhet e pamundur, nuk punohet. Njerëzit nuk të shqetësojnë sigurisht, po mjafton që të shikojnë në dritë të syrit dhe nuk shkruhet. Zoti Kadare a mund të ndajmë sonte së bashku mendime për dashurinë, për vdekjen, për pavdekësinë, e një shkrimtari? Ju tremb vdekja ju për shembull? - Jo, zakonisht unë mendoj se shkrimtarët nuk i tremb vdekja, zakonisht. Sigurisht si grup shoqëror, si një kastë, si t’i quajmë një shoqëri, komunitet njerëzor, shkrimtarët janë më pak të ndjeshëm, ose krijuesit përgjithësisht nga vdekja sepse punojnë me të, janë mësuar shkruajnë për të. Vetë letërsia është një art që një pjesë të trupit të saj, e ka në vdekje vetvetiu. Është shumë e lidhur me mosjetën, mos të përdorim fjalën vdekje. Kështu që derisa punon me këtë lëndë, derisa i ke futur duart në këtë lend, vetvetiu je mësuar me të, vetëvetiu. Flasim për dashurinë, po me dashurinë a mësohet shkrimtari? Sa dashuri kanë veprat e Kadaresë? - Mua disa herë më kanë bërë vrejtjen që s’para ka dashuri shumë. Nuk është e vërtetë. Unë mendoj se ka, por është shumë e vështirë për t’u përcaktuar ka a s’ka dhe të bësh një gjë jo fort te nevojshme, në kuptimin që të diskutohet një gjë e tillë. Unë mendoj se më kanë kritikuar disa herë që ka pak femra që zënë vend, ose dhe kur zënë vend janë si të thuash të pakta, disa janë me difekte, nuk e di si. Po unë nuk mendoj kështu. Mendoj se ka aq sa duhet. Une s’e kam menduar fare këtë përqindje se sa duhet të ketë sepse letërsia nuk është si të thuash filxhan kafeje, disa e duan me pak sheqer, disa me shumë. Letërsia është tjetër gjë. Por për shembull ky libri i fundit për fat të keq është pëlqyer nga lexuesi shumë. Po e mendoja një ditë. Ky nuk ka dashuri ose ka pak, ka shumë pak, për cudi kështu ka qëlluar. Në librat e tjera unë kam personazhe femërore, kam histori dashurie, nuk janë zotëruese sic ndodh, po janë përsëri zonat e letërsisë, zonat e poshtme të letërsisë kanë shumë më tepër dashuri ose kujtojnë se kanë. Zonat e larta bëhen gjithmonë e më të vështira… - Është e vërtetë ka shumë. Po të shikoni zona e larta të letërsisë, ta zëmë një kryevepër të padiskutueshne botërore, “Don Kishoti”, s’ka dashuri fare ose ka një dashuri një karikaturë të dashurisë, një tallje, e pengon këtë vepër? Jo. Po të marrim një vepër si “Hamleti” ka një dashuri të dështuar ose një moskuptim, asgjë tjetër. Nuk është e thënë që të ketë. Mund të ketë fare mire. E gjithë vepra e Dantes është e mbrojtur nga një dashuri e tërthortë, por veprat e tjera të mëdha… Kafka ka shumë pak, që të vijmë të shkrimtarët modernë, Xhojsi ka shumë pak; se janë shkrimtarët e sotëm që duhet relativisht të kishin më tepër meqënëse dashuria është një ndjenjë që në botë është shtuar. Të flasim për letërsinë. Cfarë është letërsia për ju Kadare? Është realitet i gjithëhershëm apo më tepër se kaq? Më pak se kaq? - Letërsia është për mua një lloj jete paralele. Disa herë i ngatërroj me jetën. Quhet vlerë e letërsisë sa e pasqyron ose jo jetën. Unë mendoj se është pak e kundërta. Letërsia nuk ka merak sa e pasqyron ose jo jetën. Ajo mund të jetë e fuqishme, duke e pasqyruar jetën, po dhe aq e fuqishme duke mos e pasur aspak. Me një fjalë marrëdhëniet e saj me jetën, janë shumë të ndërlikuara. Unë njeherë diku e kam shkruar, “Jeta saç është mikja më e madhe e letërsisë aq dhe armikja më e madhe e saj”, sepse ajo kur hyn në mënyrë të dhunshme në letërsi, kur e ka pjesën e vet më shumë se c’duhet ta ketë e dëmton letërsinë. Ashtu sikurse mungon e dëmton letërsinë. Letërsia është një jetë paralele, sepse po të ishte pasqyrim i jetës, njerëzit s’do kishin shumë nevojë për të. Ajo është jetë që ndryshon nga jeta dhe këtu është gjithë misteri i saj. Është një jetë që ... dhe ngjan pra, dhe nuk ngjan me jetën. Një letërsi që është ajo që është quajtur një letërsi natyraliste. Ka qenë një letërsi e dështuar, që e pasqyronte jetën me shumë besnikëri. Nuk ka nevojë lexuesi për atë jetë, s’ka nevojë t’i tregosh t’i c’bën ai nga mëngjesi në darkë. Disa herë ka pas një keqkuptim tragjik, duke thënë pse kjo është jeta kur ka vepra, mjedise ose gjendje të ndërlikuara dhe thonë se kjo sidomos në komunizëm më kujtohet, problemi numër nje i shkrimtarëve ishte se kjo është jetë e punëtorëve, fshatarëve, intelektualëve. Po cfare i duhet njeriut të lexojë në libra atë që jeton nga mëngjesi në darkë. Aspak si duhet. Mirëpo keqkuptim ka qenë tragjik. Dukej sikur kjo i duhej njeriut. Në fakt kjo ishte për ta shkatëruar letërsinë, për të dhënë një letërsi të pa vlerë që nuk i hyjnë në punë askujt. Prandaj pjesë të jetës janë interesante për letërsinë, kurse pjesë të mëdha janë të pavlera. Cilat janë këto pjesë të jetës? Këtu është pastaj talenti i shkrimtarit, projeksioni i tij ku bie, drita e tij? Për dikë ndricohet ajo pjesë e jetës që atij i duket me vlerë për letërsinë, minierë, dhe tjetrit i duket asgjë. Këtu pastaj ndahen shkrimtarët, prandaj letërsia është interesante, prandaj po theksoj është një jetë paralele, një plotësuese e jetës dhe jo një vazhdim i jetës, një pasqyrim i saj, një plotësuese e saj, nje jetë tjetër, një planet tjetër. Meqe jemi këtu, Ismail Kadare për se shkruan? Letërsia është fati juaj? - Letërsia është një vlerë në vetvete. Është e pavarur nga detyrimet misionare, nga detyrimet e tjera të shkrimtarit, etj etj. Shkrimtari do të lozi edhe një rol shoqeror në jetë. Nuk përjashtohet të ndihmojë shoqërinë, jetën e vet, popullin e vet, kombin e vet. Po në qoftë se letërsia ka vetëm këtë qëllim ajo do të jetë një letërsi tepër e kufizuar. Në historinë e popujve ekzistojnë të tilla letërsi. Ato janë letërsi të fisme nga morali i tyre, ato janë krijuar nga shkrimtarë që quhen kombetarë, që do të thotë në rradhë të parë shkrimtar i flijuar për hir të misionit që ata marrin përsipër ose që u ngarkohet. Koha ua ngarkon dashur pa dashur. Ata sakrifikojnë artin e tyre. Për shembull Naim Frashëri një pjesë e veprës së tij nga ana profesionale është me një vlerë të diksutueshme artistike. Shkrimtarë të tillë ka plot në letërsinë shqipe. Shpesh shkrimtarët kombëtare, dy shkrimtarë kombëtar ka Shqipëria, Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta, kanë sakrifikuar shumë nga arti i tyre për t’u shkrirë me peisazhin kombëtar, historic, shoqëror të vendit të tyre dhe për mua këta janë shkrimtarët e fundit kombëtar të papërsëritshëm, sepse besoj se nuk do ta kërkoj koha. Nuk do të ketë kohë të tillë të kërkojë këtë mision kaq të madh të shkrimtarit, si të thuash shkrimtar- martir, kombëtar dhe martir, ose i flijuar. Le të flasim për regjime të ndryshme dhe marrëdhëniet e shkrimtarit. Z. Kadare në regjime të ndryshme si është ky raport? Si është kjo marrëdhënie? - Këtu ka shumë diskutime. Për këtë gjë, zakonisht unë kam mendimin që letërsia nuk duhet asnjëherë ta quaje veten, ose të pranojë të quhet viktimë. Letërsia botërore ka njohur vec regjime të egra zakonisht. Letërsia ka 3 mijë vjet që ekziston, ndërsa historia moderne e njerëzimit ka 2 mijë vjecarë, letërsia ka 3, është më e vjetër. Ajo zakonisht ka njohur periudha tepër të vështira, tepër të errata, është mësuar me to. Letërsia nuk ka frikë nga regjimet, qoftë dhe diktatoriale. Është ndryshe nga c’thuhet. Qe një ide që ne do të ishim shkrimtarë të shquar, të mëdhenj, po ne na qëlloi një kohë e keqe. Zakonsiht ka qenë kohë e keqe. Për letërsinë nuk ka qenë kohë e mirë, zakonisht. Prandaj letërsia nuk ka frikë nga kjo. Letërsia nuk është viktimë. Letërsia është po aq e ashpër sa tirania dhe ky është fakti që ajo mund të luftojë me të. Ju a i keni bërë retushime veprës tuaj? Retushime politike? - Është një nga spekullimet që zakonisht bëhen ndaj shkrimtarëve. Janë disa klishe, njëra nga klishetë që bëhet së paku me mua është kjo cështja e retushimeve. Është një gjë e pavërtetë absolutisht në thelb. Parimi i parë që është absolut për të gjithë shkritmarët është që shkrimtari është zot i veprës. Bën ctë dojë me veprën e vet. Po ndërkaq ka një parim moral, që nuk është i pari po që vjen paralel me to. Ose e kur ka kalime dramatike nga një epokë në tjetrën sidomos nga një tirani në një demokraci asnjë shhkrimtar serioz nuk retushon veprën e tij me qëllime politike. Ajo veppër që ka nevojë për retushime politike ajo zakonisht është e dobët, ajo nuk ka nevojë, bie vetë. Kurse vepra e vërtetë nuk ka nevojë edhe kur ka mendime të gabuara politike. Ashtu ishin mendimet. Shkrimtari ashtu e ka shkruar veprën dhe nuk ka pse ta retushojë veprën sepse moralisht është e dënueshme. Shkrimtari veprën e ka publike. Cdo lexues mund ta krahasojë dhe asnjë shkrimtar nuk do që të thotë lexuesi këtu paska patur një mendim prodiktatorial dhe e ka bërë kundër. Asnjë nuk e bën këtë gjë. Dhe në veprën time nuk ka të tilla. Por retushe artistike shkrimtari bën gjithë jetën kur ka mundësinë cdo rast të botojë veprën e tij ose ta ribotojë. Nuk ka shkrimtar, vetëm të jetë ndonjë budall që të mos ta dijë, ka paragraf të dobët nga ana e teknikës së të shkruarit dhe të mos i shmang me rastin e ribotimit. Këtu janë dy probleme që janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Në veprën timë ka retushe artistike gjuhësore dhe nuk ka retushe politike. Keni vëllimin e pestë më duket ,është "Dimri i vetmisë së madhe". Unë nuk mund të them atje se me Hrushovin në sallë nuk hyri Enver Hoxha, por hyri Enver Prifti. Ai ishte sic ka qenë. Nuk mund të ndryshojë asgjë. As nuk mund të ndryshojë fjalën që janë këmbyer, janë historike. Pra unë kur lë personazhin e atij që quhet diktator përse do të kem frikë nga ngjyrime të tjera të kohës? Është fare pa kuptim. Është në radhë të parë një mashtrim. Cdo t’i ndryshoja unë "Prillit të thyer" që është një vepër me gjakmarrje? Do t’i ndryshoja këndin e pushkës kur qëllon ai, apo ku di unë peisazhin e malit ku ecën? Ose “Kush e solli Doruntinën”, cfarë do të ndryshoja? Cfarë mund të ketë? Ku janë ndryshimet politike?. Kur në këto vepra ka ngjyrime politike të theksuara nuk ka ndryshime si “Dimri i Vetmisë së madhe” ose romani im i famshëm për të keq “Dasma” që ka marrë namin tani si vepra ime më e dobët. Kur unë botoj veprën më të dobët, ia jap publikut, nuk i heq asnjë presje sepse e kam botuar si një model. Ja një vepër që quhet e dobët e imja dhe nuk ka asgjë të ndryshuar, as teknike dhe as gjuhësore…dhe ka disa vepra. Dhe romani im i pare, “Qyteti pa reklama” nuk ka asnjë presje te ndryshuar sepse është romani iim i parë kur unë isha student 23 vjec. Pra është gjithë problemi fiktiv, i kotë dhe i pavërtetë në thelbin e tij. Ju përmendet pak më parë Enver Hoxhën. Cila ka qenë marrëdhënia juaj me të. Ju e keni takuar atë? - Njëherë ne jetën time; midis klisheve që thuhen se Kadareja hynte dhe dilte tek shtëpia e Enver Hoxhës. Kam hyrë njëherë në jetën time, në vitin 1971, gati 40 vjet përpara. Dhe kjo ka qenë e para dhe e fundit. Mund ta kem takuar kur vinte tek Kongresi i Shkrimtarëve apo në ditelindjen e tij kur shkonin 30 shkrimtarë dhe i jepnim dorën të gjithë. Mund të na thoni dicka më shumë për këtë takim? - Takimin e kam pershkruar në një si mund ta quaj “kujtim ese”. Edhe për këtë ka paturspekullime. Enver Hoxha para se të vdiste, jo ai vetë, ndoshta ai vetë, por Instituti i Marksizmit i kërkoi njerëzve që kishin takuar Enver Hoxhen të përshkruanin takimin me të. Ishte e cuditshme se të tërë ata që do të përshkruanin takimin e dinin se ai të tëra do t’i lexonte vetë. Dhe kuptohet se si të gjithë ranë në një gjendje jo komode të shkruash, të bësh një farë portreti ose nje reportazh të asaj që ka ndodhur dhe të bësh portretin e tij si e ke parë ti duke e ditur që ai do ta lexojë. Dhe unë kam shkruar takimin me të, dhe është botuar pas vdekjes dhe këtu ka qenë pabesia se u kërkua para vdekjes dhe e botuan pa u dhënë sqarimi se kur janë shkruar. Mirëpo ky fakt është i njohur dhe mund të verifikohet plotësisht. E kam përshkruar më duket saktësisht takimin, nuk ka elozhe ka një përshkrim të saktë duke thënë kryesisht përshtypjen e mirë, mund të them se përshtypja ashtu ka qenë nuk mund të them se pata nga ky takim një përshtypje të keqe. Takimi ishte dy orë e gjysëm, ku unë kam folur disa minuta dhe ai ka folur dy orë e gjysëm. Po, është e vërtetë. Cdo të thotë kjo, se raporti është kaq shumëfish sa sigurisht duhet të ketë edhe një domethënie? - Nëse do kërkohej një domethënie, është kjo që ai kërkoi të linte një përshtypje të mire. Tregoi për mbledhjen e Moskës një sërë detajesh shumë interesante, bëri portretizime të personazheve, tregoi gjendjen e vet shpirterore, trazimet e tij. Tregoi kujtime nga Gjirokastra, domethene foli, foli vazhdimisht ,duke dashur kryesisht, jam i sigurt normale që një shef shteti, partie epoke që do të merrte emrin e tij, do të dëshironte të linte një përshtypje të mirë ndaj shkrimtarit. Tani lind pyetja, po shkrimtari ndaj tij? Fakti që unë fola shumë pak do të thotë se me sa duket përshtypjen e kisha dhënë me librat e mia dhe ndoshta nuk e kisha në dorë të flisja ose jo, se dhe nuk mund t’i prisja fjalën, por edhe mund të ndërhyja. Njëherë i thashë “jam dakord me ju shoku Enver” dhe aty për aty thashë që ky njeri nuk është mësuar të dëgjoj këtë “jam dakord”. Një gjë që ne e themi në jetën e përditshme dhe thashë më mirë ta kufizoj fare të folurin dhe e kam dëgjuar. Ka një debat shumë të madh për rishkrimin e historise, sidomos duke përfshirë periudhën e komunizmit në Shqipëri. Si mendoni se është parë kjo periudhë 18 vite pasi e kemi lënë? - Diskutimi është farë i qartë. Sigurisht që një epokë e caktuar që quhet plotësisht e gabuar në jetën e një kombi është shkruar gabim sepse është shkruar nga fitimtari. Natyrisht që historia e komunizmit do të rishihet. Të gjitha fazat e komunizmit janë shpjeguar në mënyrë të gabuar dhe e vërteta duhet rivënë në vend. Forcat shoqërore që kanë luftuar në Shqipëri, lëvizjet komuniste, antikomuniste, lëvizja balliste, ajo mbretërore të gjitha këto janë shkruar gabim dhe e vërteta kërkon që ato të rishihen. Prandaj më duket këmbëngulja që të mos rishkruhet historia. Cila histori? Kjo pjesë e historisë natyrisht që do të rishkruhet. Pjesa e mbretërisë ka disa variante. Ajo që është shkruar në kohën e mbretërisë, ndoshta dhe ajo kërkon retushim. Historia gjithmonë kërkon saktësime të mëvonshme, nuk ka asgjë të keqe. Por ajo ka më pak nevojë, e aq më pak ka nevojë historia mijëvjecare e Shqipërisë, që përgjithesisht nuk e kemi bërë vetëm më tepër e kanë bërë të huajt se ne, përgjithësisht është e saktë. Prandaj këtu është spekullimi që ngatërrohet termi rishkrim i historisë. Thuhet në mënyrë mjegullore dhe nuk kuptohet. Dikush kupton njërën faze, dikush tjetrën. Rishkrimi është i nevojshëm për një pjesë dhe i panevojshëm për një pjesë tjetër dhe rishkrimi disa herë është skandaloz, sic është debati që po bëhet tani që unë do ta quaja të turpshëm, debati për revizionimin e Skëndërbeut. Nuk kuptohet qellimi ku është. Është shumë i errët si qellim. Nuk kuptohet pse. Nuk kuptohet si dhe cili është shkaku themelor qe shtyn këtë gje në mos qoftë një shkak tepër banal, por i shëmtuar. Cili është qendrimi që sipas jush po mban shoqëria shqiptare për regjimin e kaluar? - Qendrimi duhet të jetë i qartë, ende nuk është. Është e kuptueshme. Është kërkuar nga të gjitha vendet ish komuniste të dënojnë krimet e komunizmit si një proces që do të cojë këto vende përpara. Ne jemi ndër më të fundit për të mos thënë i fundit, prandaj shoqëria shqiptare duhet ta zgjidhë këtë problem. Rikthehemi tek marrëdhënia e shkrimtarit me strukturat shtetërore. Shpesh flitet për një lloj servilizmi në këto marrëdhënie? - Zakonisht flitet për servilizmin e letërsisë në regjimet totalitare ndaj regjimit totalitar. Dhe është e drejtë sepse një pjesë e madhe e letërsisë kështu ka qenë. Ka qenë e përulur dhe kemi ende sot si në Korenë e Veriut që as nuk bëhet fjalë që letërsia të ketë më të voglën pavarësi apo dinjitet. Por mendoni si ka qenë përpara kur gati gjysma e botës ka qenë komuniste. Sepse harrohet gjithmonë se një hapësirë e madhe gjigande është shumë më shtypëse se sa diktatura të vecuara sic janë tani. Dhe prapë flitet për servilzmin e artit dhe letërsise ndaj regjimeve, por rrallëherë flitet për servilizmin e kundërt sepse servilizëm ka pas dhe të kundërt. Është i njohur servilizmi i regjimeve të ashpra diktatoriale ndaj artit. Eshtë më i pakët, po i njohur. Di t’u them një shembull kurioz, të kuptohet thjesht kjo gjë nga publiku. Në kohën e nazizmit, që nazizmi në disa gjëra dhe fashizmi kanë qenë paralele dhe jo pa arsye me komunizmin, vetëm se nazizmi është më i koncentruar e koha është më e shkurtër, ka qenë një shkrimtar i madh gjerman, Herct Hunger, shqip Ernset, ka qene shkrimtari kombetar zyrtar në kohën e nazizmit. Flitet ende pak për të sepse është në periudhën e rikthimit në jetë. Historia e tij është shumë interesante. Idetë e tij jo se krijoi ide për nazizmin, po idetë e tij u shfrytëzuan nga nazizmi dhe vetvetiu morri aureolën e shkrimtarit përfaqësues të Gjermanisë naziste, shumë i njohur kudo, sidomos ne Gjermani. Dhe ndodhi me këtë dukuria e cuditshme e servilizmin se gjer atehere quhej seJungeri qe servil i Hitlerit, dhe në një farë mënyrë u vërtetua e kundërta ku Hitleri dihet iu bë një komplot, desh e vranë, e plagosën, në 1944 më duket. Hitleri dënoi mijëra oficerë të komplotit i cili desh fitoi. Midis të dënuarve u zbulua më pas që ishte pjestar i komplotit, por nuk u dënua haptaz po fshehtasi, Romeli, marshall hero i ushtrisë. Hitleri bëri lëshimin e pare. Një nga komplotistët kryesor e detyroi të vrasë veten dhe e varrosi me nderime. Pra bëri një llogari. Ai hitler që ishte aq i marrë në krimet e tij erdhi në vete këtë moment, por një nga komplotistët e tjetëre mbeti gjatë, që ishte Herct Jugneri, shkrimtari gjerman. Atehere Hitleri mbylli sytë. Ai që nuk mbyllte sytë kollaj, të merrje pjesë në komplot për të vrarë Hitlerin edhe të faleshe. Ai e fshehu në mënyrë absolute dhe një kohë të gjatë. Gjermania nuk e dinte që Junger ishte komplotist. Pra, shikoni ky tiran që dukej që s’falte kënd e uli kokën përpara shkrimtarit. Shumë vite me pas doli e vërteta. Jungeri u tërhoq nga jeta në Gjermani. Ka vdekur para disa vjetësh, 102 vjec, por mesa duket shërbimet e fshehta perëndimore e dinin të vërtetën dhe ndaj tij u mbajt një qëndrim, që mund ta quash enigmatik. Nuk u tha kjo gjë në fillim, po dënimi i tij ishte i butë. Nuk u bë ai dënim që mund të pritej, ky rapsodi kryesor i nazizmit që u quajt ndoshta pa të drejtë ndoshta deri në fund, se nuk ishte krejt ashtu, por u shfrytëzua vepra e tij. Shikoni pra një shembull se si një diktator kaq i egër, kaq i pasprapsur përpara asgjëje e uli kokën përpara atij që deshi ta vriste, e harroi dhe vetë, u mundua ta harronte, t’i mbushte mendjen vetes që s’ishte e vërtetë kjo gjë. Më lejoni nëse jam korrekte të bëj dhe një lloj paralelizmi. Ju thatë pak më para se keni takuar Enver Hoxhën dhe raporti i bisedës suaj ka qenë 2 orë e dy minuta. A mos është pasqyrim i pak a shumë të njëjtit fenomen? - Nuk do ta përdorja fjalën servilizëm. Do të ishtë një mendjemadhësi nga ana ime, por një tolerancë e tepruar ishte dhe shpesh kjo është folur në publik përse Kadaresë i janë lejuar ca gjëra që nuk i janë lejuar të tjerëve. Kjo është e vërtetë dhe ka dalë një pëshpërimë, një mendim, që Kadare është mbrojtur nga Enver Hoxha. Unë nuk e kam mohuar një gjë të tillë. Ndoshta vite më parë kam dhënë intervistë. Më është bërë direkt pyetja në televizion dhe kam thënë "Po më ka mbrojtur". Kam shtuar dhe atë, “po nga kush më ka mbrojtur? Nga regjimi i vet, nga besnikët e vet, nga vetë Enver Hoxha, nga pjesa e ashpër e tij, nga pjesa e keqe e tij”, po kështu është fakti. Dikush shkruante një shkrim para ca kohe që si është e mundur që në "Pallatin e ëndrrave" hapur del Tirana dhe iu fal këtij shkrimtari kjo? Iu ndalua vepra sigurisht, po u fal. Për këto gjëra shkoje në pushkatim. Pyetja sot është pse ju ka mbrojtur? - Më ka mbrojtur sepse mesa duket shkrimtari e ka me vete mbrojtjen. Kjo është pak a shumë jo në atë shkallë si Hitleri me Jungerin, por në një farë mënyrë ngjan. Është një farë pasqyrimi. Domethene që një shkrimtar mund të ketë mbrojtjen me vete shumë më tepër se dikush tjetër. Jam i sigurt se koha do ta tregojë kur të hapen dokumentacionet, cfarë kishte në dokumentacion ai për mua dhe sa më ka toleruar. Mesa duket ka toleruar shumë dhe kjo thuhet tani dhe nga ithtarët e tij si një gjë që sa zemërgjerë ka qenë shoku Enver me Kadarenë dhe sa mosmirënjohës është shkrimtari. Nuk është punë mosmirënjohje këtu. Unë jam shkrimtar do e them atë që mendoj. Dhe në qoftë se jam mbrojtur prej tij më ka mbrojtur për interesin e tij dhe jo për sytë e bukur të shkritmarit. Ju thatë pak më parë nëse do të hapet dokumentacioni. Në fakt ju jeni pro apo kundër këtij debati që vjen herë pas here në Shqipëri për hapjen e dosjeve? - Absolutisht. Është barbare të thuash që të jemi kundër hapjes së të vërtetës sido që të ketë ndërlikimet ajo. Është më mirë gjithmonë ajo të hapet sesa të rrijë e mbyllur. Të propozosh mbylljen është një gjë si të propozosh jetën dhe vdekjen, dua errësirën, dua vdekjen. Le të flasim për një moment tjetër shumë të rëndësishëm për shumë shqiptarë. Se di sa e rëndësishme është për ju marrja e cmimit Nobel. Një nobel i munguar deri tani për ju. Sa e rëndësishme është për vlerësimin e veprës suaj? - Prapë duke rrezikuar të krijoj një keqkuptim për ata që e ndjekin këtë emision po ju them një gjë të sigurtë, është më shumë e rëndësishme për ju se për mua. Ju në këtë rast jeni shoqëria shqiptare dhe është e natyrshme. Popujt e vegjël, popujt që kanë vuajtur nga mosnjohja, nga izolimi, i japin një dramacitet më të madh sic duket këtij cmimi dhe gati gati e tragjedizojnë ndonjëherë dhe festa bëhet tepër e madhe në rastin pozitiv. Të them që shkrimtari vetë nuk e ka plotësisht atë që ka shoqëria, ndoshta duket e pabesueshme por është e vërtetë. Unë jam professional. Jam profesionist. Unë e di së c’është letërsia që do të rrojë, që nuk do të rojë. Sa rol lot cmimi “Nobel” në këtë gjë dhe sa rol nuk luan. Për shkrimtarin ka gëzime të tjera të mëdha që ju garantojne që janë më të mëdha se cdo cmim që mund të marri. Kush janë këto gëzime që mos të flasim në mënyrë mistike? Gëzimet më të mëdha në jetën e një shkrimtari janë gjetjet e tij, ato që quhen gjetje. Xhojsi i ka quajtur epifani një gjendje eksitante mendore, kur ai është i aftë, truri i tij me një lehtësi të habitshme bën zbulime ose struktura veprash të ardhshme. Është një mrekulli që zgjat jo shumë, po këto janë momente shumë të bukura për shkrimtarin që ai nuk i ndan me askënd, po që ai i shënon në fletoren e tij dhe i përdor për veprat e ardhshme. Se ato nuk mund të botohen kurrë, janë të pabotueshme, ashtu sic është shumë e vështirë të botohen. Pra shkrimtari ka gëzime të mëdha ne jetë. Sigurisht cmimi Nobel është një trill të them, që aq më bën mua, punë e madhe, është një kënaqësi tepër e madhe, është si të thuash kurorëzim, po dihet ndërkaq që ka shkrimtar nobelist që kanë qenë shkrimtare të mirë me fat dhe ai e ka shtuar fatin. Kane qenë shkrimtare jo shumë me fat dhe ai nuk e shton kollaj fatin. Pas ca kohe fillon njerëzimi dhe përsëri shkon në statusin e mëparshëm, po ju kujtoj ... Në fakt ka nga ata që e kanë refuzuar, ka nga ata që e kanë vlerësuar vetëm për paratë që sjell? - Refuzime ka pasur shumë shumë pak. Sartri e ka refuzuar vetëm. Pastërnaku e ka refuzuar i detyruar nga shteti sovjetik, por nuk është ajo. Është kjo me tepër që ju kujtoj; një shkrimtar kinez e morri para 4 vjetësh, ju siguroj nuk i di njeri emrin atij dhe unë e di dhe e harrova. Kina nuk e pranoi, e quajti kot, Franca e quajti shkrimtar francez pastaj doli që ai vetë tha nuk jam francez edhe ju nuk e dini besoj. E morri një kinez i cili nuk u pranua nga asnjë vend, se si e morri një zot e di, pa dyshim nuk ishte shkrimtar i keq, por humbi shkrimtari, nuk e nxorri dot në dritë nobelin. Se fundi keni deklaruar në shtyp se për mosmarrjen e cmimit Nobël ka kontribut të drejtpërdrejtë ambasadori i Shqipërisë ne Suedi asokohe. Duket e pabesueshme, porse për këtë kemi edhe dëshminë publike të shkrimtares Natasha Lako. Mund të na tregoni dicka për këtë? - Njëherë po ju them me një bindje, kështu është e vërteta; se këtë gjë nuk e kam marrë ndonjëherë seriozisht dhe fakti që kjo ka ndodhur në ‘94, 14 vjet përpara dhe unë në intervistat e panumërta që kam dhënë nuk e kam kujtuar kurrë; dhe ra rastësisht fjala në Gjirokastër, tregon se unë vërtet nuk i kam dhënë ndonjë rëndësi jo se dua të hiqem se që unë nuk caj kokën për gjëra të tilla. Akti është shumë i shëmtuar si dukuri, dukuri shqiptare ku ne nuk duam, nuk kemi dëshirë të vlerësojmë atë që duhet të vlerësojmë që është normale për cdo popull. Sa mirë shtetet, popujt cmenden për futbollin është e drejtë është normale ca thonë c’janë këta të cmendur, jo nuk ka gjë do që të fitoj vendi vet, ndjenja është e shëndetshme është njerëzore. Kur vjen puna në disa të tjera nuk duan një pjesë, aq më keq kur një pjesë e shtetit nuk do. Prandaj në rastin e një ambasadori ai nuk mund të ndikonte vështirë vecse në qoftë se Shqipëria sa kishte përmbysur regjimin dhe mund të merrej parasysh mendimi shtetëror, mendim i një të vërtete të munguar Sa keq ju ka ardhur për këte si fenomen? - Si fenomen ju vjen keq të gjithëve mendoj. Unë jo, vetëm mua. Shqiptarët preken nga kjo gjë, nuk e duan dhe prapë e pësojnë Një fenomen i ngjashëm i ka paraprirë marrjes se një cmimi prestigjioz nga ana juaj “International Booker Priser”? Ne faqen e internetit vinin për ju komente negative të vetë shqiptarëve? - Ky ka qenë shembull më i shëmtuar. Ky është cmimi më i madh që jep Britania e Madhe, i dyti pas Nobelit, pati këtë tipar: që cmimi u shpall në internet, u shpallen 18 kandidatët, tre muaj përpara dhe njerëzit jepnin mendime për ta, dryshe nga Nobeli që është sekret. Isha në listë e cila ishte shumë e zgjedhur, me shkrimtarët më të shquar nga gjithë bota dhe i vetmi shkrimtar që kishte komente negative nga vendi vet isha unë. Sulme të shëmtuara shumë dhe është fati im që ishin aq të shëmtuara sepse ishin të pabesueshme dhe unë e mora cmimin. Ndoshta ka ndikuar për të kundërtën. Ai site u ndoq nga mijëra lexues në botë dhe ajo u komentua shumë keq për popullin shqiptar. Ajo ishte një e gjysëmmilionta e popullit shqiptar, madje disa ishin po ata që e benin me emra të ndryshëm, por për një lexues që ndjek këtë garë thotë c’është ky popull i ligë që nuk do shkrimtarin e vet. Mua ndoshta më bëri mirë ose nuk më bëri aspak keq, por i bëri keq imazhit shqiptar, në mënyrë të padrejtë. Cfaj ka kombi shqiptar që dalin ca zuzarë atje, por nuk mund t’ua sqarosh të tjerëve. Nuk doli askush ta kundershtonte dhe e mori Shqipëria atë njollë. Së fundmi, pas botimit të monografisë “Skëndërbeu” të Oliver Jens Schmitt është hapur një debat pro dhe kontra figurës së Skëndërbeut. Sipas jush pse tani ky debat dhe cfarë synon? - Debati është krejtësisht i gabuar, turpërues për Shqipërinë, për kombin shqiptar, për dinjitetin e kombit shqiptar. Do të kujtohet si një gjë e neveritshme më vonë sic kujtohen barbaritë e Haxhi Qamilit ose të Esat Toptanit. Ky është një debat që përsëritet nëpër shekuj. Problemi është shumë i thjeshtë. Është një mashtrim kolosal në rradhë të parë. Skëndërbeu është një figurë që nuk ka c’ti qortohet. Ka figura kundërthënëse në botë sic është Napolon Bonaparti. Ka lavdi, ka dhe vërejtje të shumta. Megjithatë e ka zënë vendin e tij në historinë e Francës, në qytetet franceze me bustet e tij. Të kthehemi në Ballkan; i famshmi Drakula i rumunëve. Ka qenë një prijës rumun që ka luftuar në perandorinë osmane, por duke qenë tepër i egër e liga, mizoritë e tij, e errësuan figurën dhe ndërsa rumunët mundohen më kot ta mbrojnë disa natyrisht e kanë mohuar. Europa e ka hedhur poshtë me përcmim dhe ai është bërë simbol i së keqes. Pra komuniteti europian ka qenë i pamëshirshëm me figurat që ndonëse kanë kryer një rol heroik nga ana e jashtme kanë qenë të papranueshëm saqë janë mohuar. Tani cfarë ka bërë ky Skëndërbeu të keqe që ne shqiptarët duhet ta vëmë në diskutim? Dhe del një gjerman në mënyrë të papritur që ka nja njëmijë e pesëqind libra për të dhe ne duhet si servil të ulim kokën të gjithë dhe të shohim cthotë ky gjerman kur kemi qindra e qindra libra dhe vlerësim të padiskutueshëm të Skëndërbeut. Ka qenë një kohë kur ai ishte më i njohur në Europë se në Shqipëri. Figura e tij është zbërthyer nga të gjitha anët. Cfarë i qortohet Skëndërbeut? Eshtë vërtet për të vënë duart në kokë. Si është e mundur që kjo cmenduri të ndodh në Shqipëri. Ose kjo lidhet më një shëmti më të madhe që neve sot nuk e kuptojmë, por që do të dalë më vonë. Është një lloj përpjekje për destabilizim psikotik të brendshëm të vendit. Se cfarë? Ku e gjetën të keqen tek Skënderbeu? Disa e qortojnë se tradhtoi Turqinë. Del shqiptari avokat i perandorisë osmane që vetë Turqia e ka hedhur poshtë. C’është kjo Shqipëri e sotme? Disa kërkojnë heqjen e tij nga historia e Shqipërisë dhe vendosjen e Ballaban Pashës në vend të tij. Shikoni pra një kthim kokëposhtë një tallje me kombin shqiptar. Disa thonë që emri i babait është Ivan dhe jo Gjon? - Domethënë Skëndërbeu ka këto dy alternativa që i lejohen tani nga renegatët tanë ose të Kosovës se edhe këta nuk janë më pak aktivë në këtë gjë. Dhe është një turp gjithashtu për Kosovën që ka problemin themelor sot që të mbajë pavarësinë, ta ushqejë pavarësinë dhe lirinë e sapofituar dhe si për cudi disa prej gjoja intelektualëve të Kosovës i vënë një njollë kësaj aspirate për të cilën u derdh gjak, e vënë në dyshim papritur dhe duan të tregojnë që edhe nese do ta mbajmë Skëndërbeuan ose do ta hedhim si figurë negative që paska tradhtuar perandorinë osmane se njerëzve u vika keq për këtë perandori. Unë nuk e kuptoj pse? Ose nëse do ta mbajmë do ta mbajmë si serb. Kjo është shpifje monstruoze. Në fillim u gjet që babai i Skënderbeut paska pasur një grua sllave. Kjo mund të jetë e vërtetë. Tërë feudalët, tërë princat e Europës merrnin gra të huaja dhe asnjëherë gruaja e huaj nuk kthente identitetin e vendit. Tani i gjetën edhe babanë, na e paska serb . Ky është kuptimi shëmtuar i kësaj, domethene që nëse kjo figurë do të mbahet, do të mbahet si figurë me zanafillë slave, që nuk është e vërtetë fare. Domethene që Kosova do të kthehet përsëri në statusin e provincës serbe dhe normalisht kryezotin e saj, heroin e saj do ta ketë serb. Shikoni pra "harmonia" do të kthehet si më parë, Kosova ka qenë provincë e Serbisë dhe heroin tani ia gjetën e paska patur serb, dhe është normale statusi i përjetshëm i saj që duhet të kthehet përsëri aty ku ka qenë dhe është turp për Kosovën për intelektualët e saj që nuk gjejnë energji për të vënë në pozitë të vështirë ata që janë bashkuar në këtë shëmti. Në radhë të parë mendoj se përgjegjësia është këtu tek ne. Duket si një konspiracion universal po të flasim edhe për situatën në të cilën është Kosova? -Atë unë nuk e them, se po të them gjysëm fjalë do të thonë të gjithë se ne këto teori konspirative nuk besojmë më në to. Është nje alibi në këtë zonë që jetojmë ne shqiptarët se të bëhen të gjitha poshtërsitë e dheut me këtë mbrojtje që as mos dyshojnë; se nuk duhet dyshuar; se kështu dyshonte Enver Hoxha Kujt i bën mirë dhe keq ky debat? -Ky i bën keq Shqipërisë. I bën mirë të gjithë atyre që duan ta shohin mundësisht kombin shqiptar të përmbysur, edhe jashtë Europës. Është debat antishqiptar dhe antieuropian. Skënderbu nuk është vetëm njeri i shpatës, por edhe i vizioneve të mëdha proeuropiane. Është vizionari më modern, jo vetëm i Shjqipërise, por edhe i Ballkanit. C’është Ballkani? Sot po psherëtin. Mezi po pret të hyjë në Europë. Kush nga të parët prijës të Ballkanit ktheu sytë nga Europa? Nuk ka tjetër si Skëndërbeu. E kam thënë në një intervistë tjetër. Homologu i tij më i afërt ishte Gjon Huniadi i Hungarisë bashkëkohës, bashkëluftëtar, aleati i tij më i ngushtë e megjithatë Huniadi që është nga qendra e Europës nuk ka atë njohje që ka Skëndërbeu. Pra kemi gati dy binjakë dhe Skëndërbeu e ka marrë gati nje aureolë të përgjithshme në kontinent dhe ne për turpin tonë duam ta rrëzojmë. Kurse hungarezët e kanë heroin e tyre dhe me të drejtë e nderojnë. Para këtij debati dhe pothuaj në të njëjtin rrafsh, ka qenë ai me Rexhep Qosen mbi identitetin e shqiptarëve . Pse ky rikthim i herëpashershëm i debatit për identitetin tonë kombëtar. Cfarë ka të paqartë? -Nuk ka asgjë të paqartë. Paqartësinë e krijojmë vetë ne, në mënyrën më monstruoze që mund të mendohet. Problemi është shumë i thjeshtë. Problemi është i zgjidhur nga tradita e mendimit njerëzor. Popujt kanë njohur sundime. Popujt europianë të Ballkanit se kështu janë pjesë e Europës kanë patur një fat të përbashkët, jemi sunduar shumë gjatë. Asnjë popull nuk e ka modifikuar indentitetin e vet duke ju përshtatur identitetit të sunduesit. Tani do të dalë Shqipëria me tezën se ne po e bëjmë këtë novacion. Domethene ne po shpallemi më të padenjët e Europës, ctë them zuzarët e Europës, të cilët meqë na pushtoi ky pushtues, jemi të detyruar të quhemi gjysëmturq, gjysëmlindorë. Pse ne hoqëm dorë nga kontinenti ynë? Cna shtyu? Dhe kjo është tragjedia që kthehet në një spekullim të madh politik. Feja myslimane nuk ka asnjë lidhje të identifikohet me sundimin turk. Feja është tjetër gjë dhe administrata dhe sundimi turk ndonëse ishte edhe ajo që kontribuoi për hapjen gjerësisht, këto janë të ndara. Kur Serbia bëri plane dhe llogariti që po e vë poshtë Kosovën dhe Europa do të rrijë duarlidhur shpresa e saj vetme ishte që do të shfrytëzontë myslimanizmin e shqiptarëve për t’i thënë “këta luftojnë për myslimanizëm dhe jo për liri”. Shqiptarët e Kosovës luftonin në rradhë të parë absolutisht për liri dhe përpara se të ishin myslimanë ishin shqiptarë dhe pastaj ishin myslimanë dhe katolikë. Katolikët e Kosovës e dërmuan, u masakruan, një lloj si myslimanët, dhe të dy nuk luftuan për fenë, por për lirinë. Kurse Serbia donte të corientonte Europën, “të mos lejojmë krijimin e nje republike islamiste në Europë ndaj na lerni neve të lajmë duart me shqiptarët”. Europa nuk i la dhe ajo tregoi një faqe te ndritur te historisë së saj , një emancipim të jashtëzakonshëm që goditi ata të "krishterët" për të mbrojtur ata "myslimanët". Tani duke dalë kjo, kompromentimi me identitetin thua se shqiptarët duan të tregojnë se ata paskan patur të drejtë, që atje e kemi mendjen, tek identiteti i gjymtuar dhe e lidhin cuditërisht me fenë sepse Turqia është larg, e ka rrëzuar perandorinë osmane nuk ka punë me të. Prandaj bëjnë një ngatërresë të cuditshme, që nuk mund të bëhet. E kam thënë se tre grupet besimtare në Shqipëri, myslimanë, ortodoksë, katolikë janë barazisht shqiptarë , barazisht europianë. Nuk ka një portë të hapur më gjerë për katolikët, një më pak më të ngushtë por prapë e gjerë për ortodoksët dhe një portë fare të ngushtë për myslimanët. Nuk ka porta të tilla Europa. Ka vetëm një portë për kombin shqiptar që do të hyjë me tre besimet e tij, me katër komunitetet e tij. Dhe këtë ne duhet ta mbrojmë si një gjë të shenjtë. Dhe këtu janë të tëra spekullimet. Cfarë po ndodh? Shikoni pikat e famshme te Ban Ki Mun: si e quajme pika më e keqe e gjashta, “të mbrohet kisha serbe ne Kosovë”, domëthenë kjo propagandë që bëhet proosmane në Shqipëri dhe Kosovë intepretohet prej sërbëve “shikoni ajo që thamë ne, këta e kanë mendjen atje tek perandoria osmane, pra na mbroni kishën”. Kisha serbe kthehet papritur kundër lirisë së Kosovës dhe shqiptarët nuk kanë atë mencuri dhe energji të tregojnë, t’jua kujtojnë përsëri se ne luftojmë për pavarësi dhe jo për atë që thoni ju. Ne në Kosovë kemi dy fe dhe të dy palët jemi të barabartë në principin e luftës sonë për të mbrojtur lirinë. Nuk e kuptoj cfarë ka të paqartë këtu. Nuk e kuptoj c’kërkon ky identiteti i gjymtuar shqiptar, sepse nuk ka tjetër popull në Europë që të mbroj këtë turp që nga sundimi ndryshuam u bëmë përgjysëm. Pra dhe një sundim tjetër dhe bëhemi cerek. Këto debate ndihmojnë në qartësimin e ideve apo thjesht turbullojnë ujrat? -Këto debate duhet ndihmojnë, por mund të dëmtojnë kur spekullimet bëhen me dashje. Prandaj roli i medias edhe i shtetit aq sa mund të ketë rol ne këtë gjë me mekanizmat e tij, se nuk ka shtet në botë që nuk ka një ndërhyrje në culture, kur duhet për të mbrojtur gjërat madhore të një kombi. Natyrisht i shoqërisë në radhë të pare, i cultures, i medias dhe i shtetit në fund. Një popull i mobilizon të gjitha këto mekanizma kur është i bindur se keqkuptimet, devijimet e dëmtojnë rëndë. Ne jemi në një epokë ku nuk na lejohet luksi i diskutimeve të kota aq më tepër coroditëse, aq më tepër për gallatë, aq më tepër për t’u bërë personazh disa sharlatanë, e aq më tepër për personazh të errët që duan të rishfaqen në botën shqiptare. |
Monday, 15 December 2008
Kadare rrëfen në Alsat për veprën e tij të fundit, marrëdheniet me Enver Hoxhën dhe Kosovën
Intervistoi: Eni Vasili
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment