Tuesday, 16 December 2008

Prefektja Zefi, gruaja e hekurt e Korces


Karriera, puna e përditshme, përballja me problemet dhe respekti për ligjin e përfaqësueses së qeverisë


Vepror Hasani


“Jam një grua e dashuruar me ligjin, e kam shumë frikë përgjumjen, sepse kërkoj me ngulm të jem roja e tij”

“Ajo është ‘gruaja e hekurt’ e Korçës”.

Kështu kanë nisur ta etiektojnë prefekten e tyre, prof. dr. Elfrida Zefi, banorët e rajonit të Korçës. Këtë shprehje mund ta dëgjosh jo vetëm në Korçë, por edhe Pogradec, Devoll e Kolonjë, madje duke e shprehur këtë, me mjaft kënaqësi...
... Po të ishte ndryshe, prefektja e këtij qarku, do të ishte harruar në karrigen e saj.
Ndërsa, ata që e etiketojnë “gruja e hekurt”, prefekten e tyre, janë të shumtë, janë të paktë, për të mos thënë që mungojnë fare, ata që e dinë, në se vetë prof. Dr. Elfrida Zefi, ka dijeni mbi atë se si kanë nisur ta quajnë banorët e rajonit të saj.
Për këdo, që për një problem apo një tjetër, shkon në zyrën e saj, ndryshe nga parafytyrimi për një grua të ashpër, të mundshme, që mund të gjejë në zyrë, përballet me një grua të re, mjaft tërheqëse, me një ton mjaft të ngrohtë dhe miqësor, me një vështrim të kthjellët, nga ku nuk mund të mos vësh re se buron mirësi dhe besim.
Edhe pse me tituj shkencorë mbi supe, ajo grua di të prezantojë atë çka është më njerëzore, por njëherazi edhe çka është dhe më e rëndësishme, larg akademizmave që dëgjohen rëndom.

Karrierë dinjitoze


Në momentet e para të pritjes, vështrimi i kujtdo, që për herë të parë takohet me prefekten e Korçës, nuk ka se si të mos mbetet mbi këtë grua, e cila vërtet ka përshkuar me dinjitet rrugën e karrierës së saj... Ndoshta këtu nis dhe zanafilla e këtij vlerësimi prej vetë banorëve të rajonit...
Është hera e parë, që një prefekte fiton një popullaritet të tillë në një hark kohor kaq të shkurtër, por jo dhe aq tw shkurwt btashmw u bwn mw shumw se 3 vjet
Kësaj zonje, për të mbërritur te titulli shkencor “Profesor Doktor”, i është dashur një përpjekje studimore e jashtëzakonshme.
Pasi diplomohet në Universitetin e Tiranës, në fakultetin e Ekonomisë, në tetor të vitit 1994, mbron në kërkim të gradës Doktor i Shkencave dizertacionin me temë, “Politikat e Stabilizimit Makroekonomik për vendet e Evorpës Lindore Qëndrore në Tranzicion, Rasti i Shqipërisë” dhe merr kështu gradën Doktore e Shkencave Ekonomiks, në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.

Por, Elfrida Zefi, nuk do të ndalej këtu.

Në tetor të vitit 1999, fiton titullin akademik Prof.As.Dr., ndërsa në korrik të vitit 2004, vlerësohet nga Komisioni i Lartë i Kualifikimit Shkencor, me titullin më të lartë akademik “Profesor Doktor”.
Elfrida Zefi, ka patur një kompletim të vazhdueshëm, nëpërmjet programeve të Ekonomiksit të Tregut dhe Programeve ta Avancuara të Menaxhimit, realizuar dhe mbështetur nga institucionet Akademike e Kërkimore dinjitoze në Shqipëri dhe jashtë vendit, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Universiteti Boçoni në Itali, Francë, Greqi etj.

Ditët e saj për qytetarët

Në historinë e prefekturës së Korçës, është hera e parë që në krye të këtij institucioni, vjen një personalitet i përmasave të tilla. Megjithatë përpjekjet për të ecur përpara, duket qartë se, nuk kanë të rreshtur nga ana e saj.
“E rëndësishme, thotë ajo, është të fitosh mbi vetveten” dhe duket qartë se ia ka dalë mbanë kësaj filozofie.
Ndoshta këtu zë fill zanafilla e të qënit e fortë.
Meqënëse janë vetë banorët, ata që e thërrasin “Gruaja e hekurt”, këtu edhe duhej të fshihej sekreti.
Në bisedë me prof.dr. Elfrida Zefi, pas pyetjes, “se sa e lodhshme ishte për të, një ditë takimi me qytetarët, që vijnë për të qarë hallet e tyre”, ajo hodhi vështrimin “lëshoi” një pyetje të sajën.
“E lodhshme?!”.
Vështrimi pyetës që ende rri pezull, dukej sikur thotë:
“Ju vërtet doni t’a formuloni pyetjen kështu?!”.
Pa mundur të gjesh një arsye, pse duhej korrigjuar pyetja, gjithsesi, nuk mund të mos çuditesh, për atë që një ditë takimi nuk mund të konsiderohet e lehtë...
Megjithatë prefektja e kapërceu vetë këtë situatë, krejt natyrshëm dhe nis të japë përgjigjen po me atë ton miqësor, pa ndryshuar asgjë nga vështrimi i saj i kthjellët nga ku buronte mirësi dhe besim.
“Oh, thotë disi e menduar, Elfrida Zefi, po ajo nuk është një ditë vetëm për mua, është një ditë jete edhe për një banor, që vjen nga Pogradeci, Korça, Kolonja apo Devolli, nga Opari, Gora, Mokra apo Leskoviku. Mendo një çast se sa e lodhshme do të ishte për një njeri, që i është mohuar një e drejtë dhe që ka vendosur t’i drejtohet prefektes së tij, me shpresën se do ta zgjidhë hallin që ka, dhe ndërsa hyn në zyrë të gjejë një prefekte të lodhur që mundohet ta përcjellë me fjalët, ‘Do t’a shohim’. Mendo se sa zhgënjyese do të ishte për të, po të gjente një prefekte, që bën sikur e dëgjon, por që në të vërtetë përpiqet ta përcjellë sa më shpejt nga zyra. Ai që vjen këtu, vjen, sepse shpreson tek shteti i tij. E ka menduar gjatë në shtëpinë e vet, dhe ka vendosur të marrë rugën, nga kudoqoftë, për të zbritur në Korçë, ndërsa familja pret që ai të kthehet me një lajm të mirë. Nëse një qytetari im ka të drejtë dhe unë nuk e dëgjoj, unë e kam vrarë atë, shpresën e tij, kam vrarë një nga ditët, ku ai ka shpresuar. Kjo më bën të mos lodhem. Cilidoqoftë problemi i qytetarit tim, unë jam e vendosur ta ndjek deri në fund dhe kështu kam vepruar për çdo rast”.

E dashuruar me ligjin

“A ju ka ndodhur të ktheni mbrapsht vendime të njësive të qeverisjes vendore, të cilat nuk kanë patur bazueshmëri ligjore dhe a jeni tunduar ndonjëherë nga ndërhyrjet dhe miqësitë”, është pyetja tjetër e radhës, sërish për Elfrida Zefin, të cilën sa më shumë e njeh, aq më shumë të imponon respekt.
”Sigurisht, vjen përgjigjja e saj, nëse nuk do të ndodhte kështu, atëherë ai qytetari që vjen nga ana e anës, nuk kishte përse të vinte, sepse do të isha unë ajo që do t’i kisha mohuar një të drejtë. Ky do të ishte një rast flagrant i së keqes, që na ka munduar prej vitesh. Një vendim i paligjshëm cënon të drejtat e një komuniteti të tërë. U ula në këtë karrige për të sjellë ndryshim dhe besim tek banorët e rajonit tim. Jam një grua e dashuruar me ligjin, e kam shumë frikë përgjumjen, sepse kërkoj me ngulm të jem roja e tij. Jo rrallë jam përballur me xhelozi, ambicie të sëmura, që e dëmtojnë të mirën, të drejtën, të vërtetën, por jam e sigurtë se sa më shumë rrit angazhimet e mia, aq më shumë më duhet të jem e përgatitur përballë vështirësive të kësaj natyre, të cilat shkaktohen nga gjëra dytësore dhe mentalitete të veçanta, por jo nga realiteti, sado kompleks të jetë ky i fundit. Më duhet të mbështes fuqishëm ato politika që sjellin zhvillim”.
Dhe për këtë gjë, ajo nis e flet me mjaft kompetencë.
Sigurisht, nuk ka si të jetë ndryshe...
“Vetëm me profesionalizëm, mund të zbulohen vlerat e vërteta, por ndodh që të ndeshemi dhe me antivlerat, zilitë, smirat, pabesitë, xhelozitë e sëmura, paaftësinë për të arritur të bukurën dhe përpjekjet për ta plagosur atë. Gjithsesi nuk mund të them se fenomene të tilla më thyejnë. Jo, kjo nuk ka për të ndodhur”, shprehet e sigurtë për sa i përket zbatimit të ligjit prej saj, prefektja e Qarkut të Korçës.

Lexon, por edhe “gjuan” për projekte...

Librat, preferencat e fundjavave të prefektes
Në të shumtën e rasteve, nocioni “fundjavë”, për prefekten e Korçës, ka humbur atë kuptim të parë të tijin. “Nuk mund të them se kam një fundjave të vërtetë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Diçka e tillë nuk ekziston më. Por nuk mund të them se, më vjen keq, sepse këtu qëndron edhe sfida, e cila të ofron shansin për të treguar se, kush janë rezutatet e aftësisë dhe vlerave, të cilat nuk spikasin në periudha rehatie dhe qetësie. Shumë probleme pune vijojnë edhe ditën e shtunë, por edhe të dielën jetoj me ato, janë bërë pjesë e qënies time”. E në këtë kohë të mbushur prej saj, ajo gjithsesi gjen kohë edhe të lexoj libra... “Kur gjej kohë, nxitoj tek rafti i librave. Ata janë miqtë e mi më të mirë. Tek shumë autorë librash gjej një nxitje të re për të ecur përpara. Më tmerron humbja e kohës, qoftë kjo edhe në një ditë pushimi. Ambiciet e mia janë arritja e standarteve më të larta profesionale. Ato që më tërheqin janë studimet mbi problemet e mprehta të kohës, efektet e lëvizjes migratore në grupmoshat e reja, efektet pozitive dhe negative të kësaj lëvizjeje në komunitet dhe domosdoshmëria për rritjen e kapaciteteve në komunitet, për hartimin e projekteve konkrete me synimin zhvillimin rajonal”.

Por edhe ky lexim librash, ka si qëllim, gjetje mundësish për projekte zhvillimi për zonën.

“Qëllimi ynë është të krijojmë mundësi për të rinjtë, që ata të shohin me besim të ardhmen. Ky është një impenjim i imi maksimal. Në këtë këndvështrim ka qënë dhe hartimi e ribotimi i teksteve të Ekonomiksit, në ndihmë të studentëve. Po kaq e vëmendshme ndihem edhe ndaj biznesit, turizmit, kulturës dhe arsimit”. Në respekt të zhvillimit të rajonit

Idetë e saj që kanë befasuar edhe të huajt
Ajo flet për gjithçka të mirë, që ka rajoni i Korçës, madje këtë e bën me një dashuri që i ngjason të magjishmes.
Me të njëjtën mënyrë prezanton Korçën edhe përpara delegacioneve të ardhur nga vende të huja. Në këto raste i pëlqen të shprehet me mjaft ngrohtësi...
“Dua të theksoj se, ndodheni në një rajon që pa asnjë hezitim do ta quaja galeri vlerash... Ndodheni në Korçën e penës dhe të dijes... Ndodheni në një rajon që gjithmonë ka ditur të krijojë marrëdhënie mbi bazën e respektimit të interesvave reciproke me fokus progresin socialekonomik... Jeni në një rajon që di të krijojë marrdhënie të qëndrueshme...”.
Dhe ndërsa prezanton Korçën, me mjaft fisnikëri merr pozicionin e mikpritëses, që di të presë me dinjitet miqtë e saj të ardhur nga larg dhe që i bën të besojnë vërtet se, ndodhen në një rajon, që nuk kanë patur fatin t’u prezantohet kështu.
Deri këtu ka vetëm dashuri njerëzore, larg asaj që mund të konsiderohet e ashpër.


No comments: