By RAIMONDA MOISIU
I nderuar stafi drejtues i "Fjala e lire"
Po ju dergoj nje interviste ekskluzive ,botuar ne sghtypin shqiptar Tirane ,qe une zhvillova mne Kryerdaktorin e saj, Z.Fatmir Terziu,
Ne posten time private ,kane ardhur disa kerkesa ku kerkojne qe intervista te botohet ,te "Fjala e Lire",per aresye se anetare te saj ,kane nje respekt e nderim te opadiskutueshem per te nderuarin Z.Terziu ,por nuk kane pasur mundesi ta lexojne ,per aresye te politikave qe ndjek shtypi shqiptar ,ne internet per te qene i rregjistruar .Duke shpresuar qe zeri i lexuesve dhe dashamireseve do te konsiderohet
Ju faleminderit!
Raimonda Moisiu
Media, pasioni i jetës sime
Intervistoi Raimonda Moisiu, Hatford USA
Fatmir Terziu është bërë një nga intelektualët me në ze të diasporës shqiptare gjatë këtyre viteve të fundit. I pranishëm në media, si publicist i talentuar, krijues , kritik letrar, editor, si dhe rregjizor i sukseshëm në kinematografinë angleze, pa dyshim qe ai ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve, duke u bërë kësisoj, një model për të gjithë te ikurit në perëndim.
Mbas studimeve për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, ai ka punuar si mësues dhe drejtues në disa shkolla, në rrethin e Dibrës dhe atë të Elbasanit. Pas viteve 90-të, ka qenë kryeredaktor i gazetës “Fjala e Lirë”, gazetar i “Rilindja Demokratike”, drejtues emisionesh, gazetar dhe drejtor i televizionit “Dardan”, korrespodent i mjaft mediave të tjera, në Shqipëri e jashtë vëndit. Në vitin 1996 është shpallur reporteri më i mirë i vitit nga gazeta “RD”. Ndërkohë, në shtypin shqiptar ka botuar analiza dhe kritika në fushën e letërsisë, duke qenë i sukseshëm për figurat e njohura të asaj periudhe, si Fatos Kongoli, Bardhyl Londo, Zija Çela, Teodor Laço, Astrit Bishqemi, Vath Koreshi, Beatriçe Balliçi, Flutura Açka, Ramiz Gjini, Visar Zhiti etj. Ndërsa si autor, është në librat “Mos Hesht”, “Ecje në Qelq”, “Djalli i Argadasit”, ku me këtë të fundit është edhe fitues i çmimit “Kadmus”. Është autor edhe i disa librave të tjerë. Një vëllim me kritika dhe analiza bashkëkohore letrare, dy vëllime me poezi e tregime, si dhe një roman, presin dritën e botimeve së shpejti.
Që nga viti 2001 jeton, studion, dhe punon në Mbretërinë e Bashkuar. Është i martuar dhe ka tre fëmijë. Eshtë nga të paktët intelektualë shqiptarë, që në kohëqëndrimin e tij si emigrant larg atdheut, ka zgjedhur të pajiset dhe të plotësoj formimin e tij në Britani, ku ka studiuar për media, komunikim, dhe më tej për film, televizion dhe kulturë, e politikë. Në fushën e kritikës dhe analizës letrare është vlerësuar si një nga më të mirët e kësaj fushe sot në krijimtarinë shqiptare. Në publicistikë e gazetari ka botuar "Trokamat në Jetën e Një Pene" dhe ka gati një sërë materialesh të tjera letrare për botim. Në gjuhën angleze ka botuar “Parametric Narration in Norman Wisdom Movies”, “Tearing Up the Past”, “Writing the Documentary ëith Student’s Experience”, “The script: Simple and Complicate” dhe dhjetra ese të ndryshme në fushën e medias të vlerësuara nga akademikët anglezë. Studimin e autorit “Parametric Narration in Norman Wisdom Movies” e ka vlerësuar edhe akademiku Richard Dacre me një artikull të publikuar në mediat profesionale britanike ku shprehet: “studim befasues i Fatmir Terziut”, ndërsa studimi tjetër “Reprezantimi i Personales për Publikun” është vlerësuar nga Dr Heather Nunn dhe nga Profesor Dr Michael Channan. Në vazhdim të edukimit të tij të mëtejshëm ka studiuar në High Melton College, South Thames College për gjuhën angleze dhe për HNC, Certificatë e Lartë Nacionale në Britaninë e Madhe për Media Production (media prodhimtari). Ka marrë nivelin e lartë (Gradën-nivel A) për Communication Media (media komunikim) pranë Universitetit London South Bank University (2004). Më tej kreu studimet në London South Bank University, pranë Faculty of Arts and Human Sciences për Digital Film dhe Video Production (2004-2007) ku dhe punoi po në këtë universitet në "Widening Participation Unit", që është pjesë e departamentit të edukimit në këtë institucion. Autori pas përfundimit të studimeve në fushën e artit, medias dhe filmit ka krijuar këto filma dhe dokumentarë me metrazh të shkurtër dhe të gjatë: “Trokamat në Jetën e një Pene” (2003), “Rivermusic” (2004), “Windy Corner” (2006), “Clouds of Smoke” (2007) etj. “Windy Corner” dhe “Clouds of Smoke” janë përzgjedhur nga Britfilms dhe janë renditur në historinë e filmave britanikë. Vlen të theksohet se filmi i tij i fundit “Clouds of Smoke” (Retë e Tymit) ka qenë filmi i parë i krijuar nga një shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar të ketë fatin të seleksionohet dhe të shfaqet më 5 Qershor 2007 në Curzon Soho, aty ku shfaqen filmat e mëdhenj Hollyvudianë. Filmi është prezantuar edhe në disa festivale (Nju Jork Film Festival), pasi është një bashkëpunim i autorit me DEFRA-n, Departamenti i Mjedisit Ushqimit dhe Aferave Bujqësore në BM, ku është edhe protagonisti kryesor z. Alex Palman, pasuar edhe nga gazetari i mirënjohur i BBC-së Mike Sergant. Shumica e filmave dhe pjesë nga krijimtaria e autorit mund të shikohen në internet në faqen e BBC-së dhe në faqen e tij: http://terziu.googlepages.com. Faqja ëëë.seguraëeb.nl ka përzgjedhur disa krijime të autorit. Krijimet e autorit janë publikuar në UK nga BBC, ku autori ka fituar dhe një kompeticion me tregimin “Hija Diamant” (Ghost Diamond), i cili mund të lexohet në faqet e BBC-së dhe nga mjaft organe të shtypit dhe medias. Pas fitimit të titullit Master në Media, Kulturë dhe Poltikë nga Universiteti i Roehamptonit, z. Terziu është duke vazhduar punën e tij kërkimore ne fushën e medias pranë Roehampton University
Që prej gjashtë vitesh, boton në internet revistën intelektuale kulturore-letrare, “Fjala e Lirë”, dhe është që nga maji i këtij viti, kryeredaktor i gazetës “Albanian Mail”, e cila botohet në Londër”.
Eshtë edhe mik e studiues i aktorit më popullor në Britani, Norman Wisdom ( Pitkini) i njohur edhe tek ne me filmat e tij komik.
Me botimin e revistes internetike “Fjala e Lirë”, ka mundur të mbledhë e të njohë më tej krijimtarinë e autorëve shqiptarë, sidomos të atyre në diasporë, ku nuk mungojne edhe analiza e kritika, të cilat vlerësohen si shumë profesionale e bashkohore. Emra si Agim Shehu, Pëllumb Kulla, Faruk Myrtaj, Iliriana Sulkuqi, Roland Gjoza, Kolec Traboini, Mëhill Velaj, Vaid Hyzoti, Sami Milloshi, Lazër Stani, Nase Jani, Aleko Likaj, Andi Meçaj, Kostaq Duka, John Hodgson (përkthyesi i parë i Kadaresë në anglisht) etj., janë bërë pjesë, jo vetëm e stafit, por edhe “bërthama” rreth së cilës janë afruar plot intelektuale dhe krijues në disa kontinente, deri në Australinë e largët.
-----------------------------------------
Fatmir Terziu është bërë tashmë tepër i njohur, jo vetëm në diasporën shqiptare, në fushën mediatike, por edhe në atë të kritikës letrare, po si mendon ai, konkretisht?
Është në fakt e rrëndësishme një gjë. Ajo lidhet me modestinë. Shpeshherë ne e flakim rëndësinë e saj dhe, disa herë e mbysim atë. Për mua njohja vjen nga puna. Kur puna vlerësohet, atëherë edhe njohja vjen në kohën dhe vendin e duhur. Në këtë kohë të zhvillimit teknologjik, në të cilën ne jetojmë, natyrshëm, edhe njohja është më e lehtë. Njihesh si për mirë, ashtu edhe për keq, në disa minuta. Interneti e përcjedh këtë mesazh gjithandej. Dhe në këtë aspekt, unë mendoj se sot shumë intelektualë, janë bërë njohje dhe model për të gjithë. Ata punojnë me ngulm që t’i ndryshojnë emrin e keq shqiptarisë nëpër botë. Në këtë mes është edhe veprimtaria ime, që unë mendoj se, është vetëm një grimë, nga ajo që bëjnë dhe promovojnë intelektualët dhe shqiptarët në botë.
Cilat kanë qenë fillimet në fushën e medias?
Një poezi dhe një tregim më kanë bërë të fluturoj, kur i kam parë në gazetë. Isha nxënës i shkollës së mesme, kur i pashë ato të botuara në shtypin lokal të asaj kohe. Ato i përkasin vitit 1978. Më pas, kam punuar e bashkëpunuar me gazeta të ndryshme si “Sporti Popullor”, “Luftëtari”, “Puna”, “Tirana”, “Shkumbini”, “Ushtima e Maleve”, “Bashkimi” etj. Më vonë pas viteve 90-të, kam bashkëpunuar me gazeta të ndryshme, dhe kam drejtuar “Fjala e Lirë” për disa vjet. Kam shkruar vazhdimisht, por dritën e botimit, e gjeti vëllimi im i parë poetik, “Mos Hesht”, botuar nga shtëpia botuese “Sejko”, ku më pas u botua “Djalli i Argadasit”, “Ecje në Qelq”, “Krokamat”, “Mot i Qashtër”. Librat e tjerë janë botuar nga “Lulu”.
Në librin «Mot i Qashtër» kemi lexuar edhe shënime, ose më saktë, e thënë, «Nga blloku i gazetarit…», cilën do të veçoje si përjetimin më të keq në detyrën e atyre viteve?
Janë shumë, por do të përmendja këtu vitin 1997, kur unë isha ngarkuar at’here nga “RD”-ja, të ndiqja Presidentin e asaj kohe në vizitat e tij. Ishte vizita në Gjirokastër, që për pak, desh më kushtoi me jetën. Pasi mbaroi mitingu në Pallatin e Sportit të qytetit, dhe më pas mes studentëve, thuajse u bë natë. Në të hyrë të Tepelenës ishin ngritur postblloqe. U detyruam të ktheheshim. Në rrugën për në Ersekë, andej nga Përmeti, një rrugë ushtarake, na i shpuan gomat e makinës. Makina ngeci. Desh Zoti, që në makinën e gazetares së Radio Tiranës, Zamira Koleci, kishte vend dhe ne shpëtuam… Të tjerët janë raste që duhen harruar, e për të mos i kujtuar kurrë.
Po ngjarja që ju ka emocionuar më shumë dhe që e keni përcjellë pastaj tek lexuesit?
Ishte koha e Luftës në Kosovë. Unë duhej të raportoja nga Kampi i Stankofcit në Maqedoni. Kur mbërrita, pashë atë skenë mizore, mes policësh dhe njerëzish në nevojë. Njërëz me e pa uniformë më rrethuan, dhe më rrëmbyen kamerën, ishin gati të më mbërthenin mirë, për fat, erdhën disa vëzhgues të huaj, dhe nuk e kuptova as vetë si më liruan. Atë ditë kam raportuar nga telefonat e Universitetit të Tetovës, për të cilin kisha realizuar pak kohë më parë një dokumentar. Ndjeva emocione, dhimbje dhe gëzim njëherësh, që arrita të jap lajmin i pari për mediat shqiptare, mbi atë kamp, që edhe sot më ngjedh mornica në trup. Njerëz të pafajshëm të përzënë nga vatrat e tyre, thaheshin për një pikë ujë, nën një rregjim policor të pakuptueshëm…
A e ka përkëdhel fati Fatmir Terziun pas largimit nga Atdheu? Jeta e emigrantit në Londër?
Askënd në emigracion, nuk e mendoj se është në një aspekt të lehtë njerëzor, në procesin e integrimit. Askënd nuk e mendoj, se është i përkëdhelur nga fati. Por edhe nëse ka ecur paksa, do të thoja se, është mundi dhe përkushtimi i tij profesional. Në Perëndim, askush nuk të thotë ‘bujrum’, dhe hajde se je njeri i mirë. I mirë është ai që punon, dhe me punë realizon ‘përkëdheljen’, që në fakt, gjithkujt në emigrim i mungon. Integrimi është i thjeshtë për t’u shqiptuar, por shumë i rëndë për t’u arritur. Gjithësesi, tani është pak më ndryshe, pas disa vitesh.
Shkelët për të parën herë, në një fushë krejt të re për ju, në botën e kinemasë. Cilat kanë qenë impresionet tuaja për të? Po krijimtaria ?
Në fakt, siç e përmenda edhe më parë, kisha tentuar të realizojë diçka vizive, por thjesht televizive. Puna ime në televizion, më ndikoi disi në këtë vendim. Por filmi sot ka emër tjetër. Filmi i shkurtër është si të thuash, një dhunti e re në rritje. Krijimi i një filmi të tillë kërkon muaj, edhe pse shikimi i tij përfundon për disa minuta. Të thuash një ide në pak minuta, do shumë talent. Këtu duhet folur shumë, por unë preferoj që t’ja lë kohës fjalët. Vlerësimi i filmave të mi të shkurtër, dhe çmimet për to, më kanë shtuar së tepërmi etjen për më tej. Planet janë gati, dhe pres vetëm financimin nga British Council. Kam një kërkesë nga filmkrijuesi anglez, Derek Smith, por le të shohim se ç’do të ndodhë pas bisedimeve.
Si keni punuar në filmat tuaj, dhe mënyra se si i keni gjetur aktorët. Raportet me sponsorët, por edhe organizuesit e filmit?
Në Britaninë e Madhe, ka ligje të shkruara dhe të pashkruara për këtë. Aktorët, mjetet, sponsorët etj., duhet ti gjesh vetë. Këtë e kam bërë me angazhim, dhe padyshim me sukses. Të përfshish Grainne Gillis në filmin tënd, duhet të jesh me fat. Ajo tashmë ka oferta të mëdha, dhe unë ndjehem krenar. Apo edhe Tara Jones. Filmi “Clouds of Smoke”, ka konkuruar në Courson, dhe ka marë çmimin “Best Mention”. Kështu raportet janë në nivel, dhe puna e rezultatet flasin qartë. Në Londër, puna me ekip flet më shumë, se sa një arritje personale. Kjo është alfa e një pune me organizuesit, ose më saktë me ekipin.
Cilat kanë qenë vlerësimet nga kritika angleze në këtë fushë?
Do të preferoja të thoja paksa, diçka për të qartësuar. Këtu nuk është thjesht kritika, por fjala e specialistit, siç është e mirënjohura Ann Ross Muir, drejtoreshë e një prej dramave tipike angleze, Eastenders, apo Dr. Charlotte Crofts, e akademikët Chris Elliott, dhe Richard Dacre etj. Fjalët e tyre nuk janë vetëm inkurajuese, por edhe shtytëse në krijimtarinë time. E tillë është edhe fjala e regjisores së BBC-së, Lucy Moore, për skenarin tim “Red Devil”.
Keni tashmë një projekt të ri në realizimin e një filmi. Cili është subjekti i tij?
Ky është një film, që ka të bëjë, me një lidhje britanike me Shqipërinë. Filmkrijuesi anglez Derek Smith, ka marë shkas nga një essè timen për filmin shqiptar, dhe tematika është disi e larmishme. Ashtu siç thashe edhe më lart, puna është në procedurat e bisedimeve, dhe këtë rradhë, nuk mund të flas më tepër.
A do të konkurojnë filmat e Terziut në festivale të mëdha ndërkombetare?
Për një krijues, festivalet nuk janë ëndërra, është një angazhim. Por sot, marja pjesë në festivale, është punë kohe. Po të dërgosh filmin, dhe të mos kesh kohë ta ndjekësh, siç ndodh puna ime, që jam i angazhuar, është paksa e vështirë. Le të shpresojmë, se e ardhmja do të flasë më qartë.
Ç’mendon sot për gjendjen dhe pozicionin e kinematografisë shqiptare e konkurimet e saj ?
Dua ta nis nga pozitivja, dhe jo nga debatet, që shpesh e përfshijnë këtë fushë të medias. Është një rast i mirë, që një film i regjizorit Milkani, ka marë dritën për në “Oscar”. Është mirë të themi, se filmi shqiptar do të marë fytyrën e tij. Disa filma që janë realizuar, si bashkëpunim me të tjerët, janë një sinjal i mirë.
Të bëjmë sikur «harrojmë» për një moment filmin, dhe ta lëmë pas atë për t’ju kthyer medias, ku ju jeni diplomuar në Universitetin e South Bank të Londrës.
London South Bank University, ku kancelar është i mirënjohuri i gazetarisë televizive, Trevor MacDonald, është tashmë një universitet me emër në Londër. Por Universiteti i Roehampton në Londër, ku unë mbarova masterin me rezultate të larta, dhe ku vazhdoj doktoraturën, më duket se po më ‘forcon’ dijet e mara, që tashmë duhet ti ndaj edhe me të tjerët.
Me kritikën letrare, ju keni patur kontakte të hershme, madje që pas vitit 90-të, ku keni bërë disa analiza për figura të njohura të letrave shqipe. Në ç’dimension ndodhet ajo sot brenda vetes suaj?
Sot është një fakt. Arkiva e Bibliotekës Kombëtare flet hapur. Dhe kur shikoj online analizat, dhe kritikat e mia letrare të viteve më parë, shpeshherë them në heshtje, diçka më shumë për atë që duhet të bëj sot. Kritika letrare dhe analiza, gjithashtu vijnë nga njohuritë për të, nga leximet e shumta, dhe nga bagazhi i fjalëve bindëse për krijuesin. Unë lexoj shumë dhe shkruaj gjithmonë. Kjo më bën të jem sot në këtë stad. Por kultura britanike e analizës dhe kritikës letrare, më ka dhënë garancinë dhe sigurinë e përzgjedhjes, dhe dhënies së inkurajimit atij që i takon. Shumë krijues të sotëm, tashmë kanë krijuar besim në fjalën time, dhe unë shpresoj të mos e shpërdoroj atë.
Cilat janë temat që përbëjnë sot gazetën «Albanian Mail» që ju drejtoni në Britani? Si trajtohen hallet dhe shqetësimet e emigrantëve, dhe si i përcjell tashmë ajo?
Gazeta botohet me dashamirësinë e një shqiptari biznesmen të sukseshëm në Londër. Nik Berisha, është një njeri që i ka afruar komunitetit shqiptar, mundësinë e një gazete. Dhe kjo mundësi tashmë është në baza profesionaliste, ku trajtohen rubrikat e komunitetit, emigracionit, arritjeve rinore, dhe më tej me problematikën e jetës.
Krijimtaria dhe planet krijuese për të ardhmen ?
Krijimtaria ime është komplekse. Si e tillë ajo lëvrohet në çdo minutë, në çdo hapësirë. Unë kam në proces, një roman me tematikë nga viti 1997-të, dy vëllime me tregime, dhe një me poezi. Dy vëllimet me analiza dhe kritika letrare, shpresoj që të shohin dritën e botimit shumë shpejt.
Njohja me Sir Norman Wisdom dhe studimi juaj?
Kur mora përsipër të realizoja studimin tim mbi Parametrat Narrativë të Filmave të Sir Norman Wisdomit, i njohur si Pitkini në Shqipëri, dy supervizorët e mi, Dr Philip Hammond dhe Dr Anna Reading ishin në dilemë. Ata nuk besonin në mundësinë për të krjijuar një vepër të tillë. Kur unë u fola se vija nga Shqipëria dhe njihja diçka nga krijimtaria e tij, ata heshtën. Më pas mbi 60 mijë fjalë për këtë temë habitën akademikun Richard Dacre, një nga biografierët e hershëm të tij. Ai pasi pa studimin tim e quajti “Punë tërheqëse e Fatmir Terziut”, dhe shkruajti në disa revista online. Kështu dhe rezultatet folën qartë. Këto rezultate më afruan mundësinë që të ftohesha nga organizatorët e festimit të 91 vjetorit të ditëlindjes së Wisdom. Dhe aty pata rastin që ta takoj për së dyti aktorin me famë në Britaninë e viteve 60-të, dhe heroin shqiptar të asaj kohe, falë roleve të tij që ne shqiptarë e konsideronim si sinonimin e komedise së ekranit të madh. Në takimin disaminutësh me të i kujtova pyetjet që i pata bërë kur ai erdhi për ndeshjen e futbollit Shqipëri – Angli. Ai vetëm bënte shaka, kërcente dhe tentonte të dëfrente të tjerët. Më tha vetëm kaq “Albania, I love you…”. U bëmë dhe mbetëm miq.
Tani ai është i sëmurë dhe sëmundja e tij Alzhemir e ka detyruar të jetë në izolim nga të tjerët. Por në mëndjen time, mbetet një kujtim i mirë dhe i ndjeshëm nëpër vite. Ai mbetet gjithmonë një shkollë më vete filmi, një art më vete në gjininë “slapstick”.
Unë e adhuroj atë.
Të vijmë tashmë tek jeta familjare e Terziut.
Shumë vetë e kanë thënë hapur: “Familja është mbi çdo gjë”. Dhe për mua, gruaja ime e përkushtuar ndaj meje dhe tre fëmijëve të mi, si dhe arritjet e saj, janë një hapësirë e madhe për të më dhënë më shumë kurajo krijuese. Familja ime është mbështetja kryesore, pastaj edhe hapësirat që të jep Britania e Madhe.
A ndjehet krenar Fatmiri për sukseset e fëmijëve të tij?
Natyrshëm po. Emocionet shtohen kur sheh djalin e madh Andin me rezultate yje në GCSE, vajzën në mesin e krijuesve të rinj britanikë, dhe binjakun e saj të shkëlqejë në shkollë. Këtu modestia flaket, dhe krenaria bëhet plotësisht publike. Edhe po të bëhesh modest, nuk të lënë gazetat e këtij vendi, se ata e gjuajnë, njësoj si të keqen dhe të mirën. Dhe kështu për fëmijët e mi kanë shkruar mjaft gazeta, sidomos “Ëandsëorth Borough Neës”, “Yorkshire Times”, etj.
Në jetën e përditshme aty në Londër, ju jeni në kontakte me personalitete të kulturës dhe të politikës angleze, sa është prezent Atdheu ynë Shqipëria në marëdhëniet me ta?
Para ca kohësh, po bisedoja me përkthyesin e parë të Kadaresë, John Hodgson. Ai më tha kështu: “a e di Fatmir, se tashmë Shqipëria ,nuk ka ndonjë ndryshim nga Perëndimi?...”
Le ta zbërthejmë këtë pyetje. Në Londër të paktën emri shqiptar tani tingëllon më ndryshe. Personalitetet e këtij vendi kanë kuptuar tashmë sensin shqiptar, dhe me këtë po ndërtohet respekti për Shqipërinë. Nga Atdheu i dytë ku jemi, ne ndjejmë krenari për Atdheun tonë, për Shqipërinë.
Si ndjehesh në komunitetin shqiptar të Londrës dhe atë mediatik? Cilat janë marëdhëniet me kolegët?
Shumica tashmë besojnë se Shqipëria do të bëhet edhe më e mirë. Dhe një pjesë mendojnë investimin në Atdhe. Ndërsa marrëdhëniet me kolegët, janë marrëdhënie pune dhe interesash në fushën mediatike.
A beson Fatmir Terziu në një të ardhme të shpejtë dhe më të mirë të vendit të tij, dhe a do të mund të kthehet për të kontribuar aty?
Edhe unë jam e mbetem optimist. Por intelektuali si i tillë, shpeshherë e shuan optimizmin për arsye të ndryshme. Kontributi është edhe ky që ne japim. Një kontribut i tillë, kurrë nuk është as larg, as afër. Të tjerat le t’ia lëmë kohës.
Fjala e Lire - Free Speech
No comments:
Post a Comment