Wednesday, 3 December 2008

Kur intelektuali thërret në ndihmë shtetin


Nga Ridvan Peshkëpia

Në emisionin televiziv “Studio e Hapur” të mbrëmjes së 28 Nëntorit, i pyetur rreth përpjekjeve për të çmitizuar Skënderbeun, Ismail Kadare, pasi hodhi një lumë akuzash kundër atyre që mbajnë këtë pozicion dhe, në një kontekst më të gjerë që lidhet me debatin për identitetin e shqiptarëve, i bëri thirrje shtetit të ndërhyjë, “aq sa mund të ketë rol në këtë gjë, me mekanizmat e tij, se nuk ka shtet në botë që nuk ka një ndërhyrje në kulturë, kur duhet për të mbrojtur gjërat madhore të një kombi, natyrisht, i shoqërisë në radhë të parë, i kulturës, i medias dhe i shtetit në fund” - pjesë kjo e lënë jashtë intervistës në të paktën dy prej gazetave të një dite më pas, “Shekulli” dhe “Panorama”, por i përfshirë në gazetën “TemA”. I ndodhur në dyzim deri në atë çast rreth nevojës së prekjes së mitit të Skënderbeut, arrita menjëherë në përfundimin se çmitizimi i Skënderbeut është një nevojë urgjente e shoqërisë shqiptare dhe se i pari që duhet të shpëtojë nga ky mit është vetë Ismail Kadare. Ndoshta kjo do ta shpëtonte atë dhe shumë shqiptarë të tjerë nga marrëdhëniet e tyre të kompleksuara me shtetin dhe pushtetin.
Dy gjëra është e mira të ndahen, megjithatë: Skënderbeu dhe miti i tij si qartësim i bazave epistemologjike dhe ontologjike, mbi të cilat vendoset diskutimi. Skënderbeu vetë është individi i lirë dhe racional, udhëheqësi me synime shumë të qarta, të lexueshme dhe të llogaritshme drejt pushtetit. Ky është ai që secili nga ne duhet të jetë në jetën e përditshme: një individ i lirë dhe racional që synon të maksimalizojë përfitimet e veta. Skënderbeu është individi me vullnet të hekurt, ambicien e të cilit nuk e frenon dot as një perandori gjigante e as humbjet masive që vuan popullsia e tij. Në teorinë e zgjedhjes racionale, jo të gjitha veprimet racionale çojnë në përfundimet e pritshme; e rëndësishme është që ato veprime janë individuale - pra të marra në pavarësi të plotë nga individët e tjerë - dhe që motivohen nga synimi për të maksimalizuar përfitimet individuale. Nga kjo pikëpamje, Skënderbeu nuk është kalorës i Krishtërimit, por pararendës i Iluminizmit dhe universalitetit të tij përqendruar tek arsyeja, jo si një kompleks emocionesh, por si një prirje për të arritur në përfundime bazuar mbi përvojë.
Nga ana tjetër, miti i Skënderbeut është ajo çka të tjerët i kanë veshur atij, jo vetëm vepra, por edhe qëllime. Ky është në fakt miti i shtetit, i udhëheqësit legjendar, i heroit romantik deri në tragjedi, i motiveve irracionale, emocionale, të palexueshme, të patestueshme dhe të pallogaritshme. Miti i Skënderbeut është ajo që ne duam që ai të ketë qenë, ajo që ne duam që ai të jetë, një udhëheqës që na ruan nga marrëzitë tona, nga sulmet e të huajve, madje edhe nga dembelia intelektuale në një studio televizive, kur nuk gjejmë argumente të tjera kundër heretikëve dhe thërrasim shtetin të policojë kulturën dhe debatin historik. Miti i Skënderbeut është dorëzimi ynë përpara përgjegjësisë që kërkon fitimi dhe mirëpërdorimi i lirisë individuale; është justifikimi për dhurimin e kësaj lirie tek udhëheqësi, njëlloj si në teorinë e Hobbes-it. I nxjerrë në nxitim e sipër nga kujtesa e deformuar popullore aty rreth mesit të shekullit të nëntëmbëdhjetë prej Rilindjes Kombëtare shqiptare - një zgjatim i Rilindjes ballkanike dhe një fotokopje e Romantizmit gjerman të Herder-it dhe Fichte-s - miti i Skënderbeut u ndërtua në mënyrë të tillë që t’i përshtatej sa më mirë shoqërive ngurtësisht dhe kokëfortësisht të strukturuara shqiptare. Te ky mit shqiptarët gjenin nocionin e prijësit që aq shumë e adhuronin në konceptin e tyre shoqëriformues. Por prijësit vetë, nga ana e tyre, në mitin e Skënderbeut gjetën modelin që duhet të ndiqnin apo më mirë, çka duhej të bëheshin: udhëheqës legjendarë dhe jo shërbyes të popullit të tyre. Përderisa Skënderbeu nuk ra kurrë nga kali, përse duhej të binte Ahmet Zogu, Enver Hoxha apo këta të tjerët sot? Përderisa Skënderbeu paska luftuar kundër perandorive të mëdha, përse të mos luftonin edhe ata?
Shqipërisë i duhet Skënderbeu, jo miti i tij. Shqipërisë i duhet modeli i individit të lirë dhe racional, jo miti i heroit legjendar dhe tragjik. I pari është i lexueshëm dhe i parashikueshëm, si kur është mes nesh, ashtu edhe kur është në pushtet. I dyti është mitologjik, irracional, emocional, i pakuptueshëm, i palexueshëm dhe i pakontrollueshëm. Shqipëria ka nevojë për Skënderbeun historik dhe jo atë mitologjik, për udhëheqësin e gabueshëm, ndonjëherë dinak, ndonjëherë i prirur drejt kompromiseve të vështira, por gjithmonë i gabueshëm. Këtë prirje për gabueshmëri e dimë të gjithë; këtë e di edhe vetë Skënderbeu i radhës në pushtet. Sa për Skënderbejtë imagjinarë të studiove televizive, le t’i lemë ata në dembelizmin e tyre intelektual, në thirrje të shtetit, të mitit të tyre, për t’i shpëtuar nga armiqtë, realë apo të imagjinuar, kundër të cilëve argumentet nuk mjaftojnë. Me përkufizim, kur një intelektual thërret shtetin për ndihmë në mbrojtje të tezave të veta, ai është vetëshndërruar në ideolog.

No comments: