Binak
Alia, histori dhe drejtësi autoktone shqiptare
(1805-1895)
Malësia, kjo amë e trimërive, ngjarjeve
historike, kalitjes së heronjve dhe nxjerrjes së pleqnarëve më me nam që njohin
trojet tona, ishte dhe mbeti një trevë e veçantë e mbrujtur përjetësisht me
histori dhe legjenda të pashembullta, për pleqërim, dije dhe qëndresa të mëdha.
Krasniqja e madhe dhe Malësia me Binak
Alinë, u përjetësua edhe si kampion i dijes popullore dhe peshore precize
e ndarjes së drejtësisë me tapi autoktone, në gjithë shqiptarinë.
Binak Alia u lind në Bujan në vitin
1805, në njërën nga familjet më të njohura në veri dhe verilindje
të Shqipërisë etnike, e cila nderohej që nga Tivari, Ulqini, Plava e
Gucia, deri në Dukagjin dhe Kosovën anë e mbanë.
Ai vdiq më 1895, po atje në Malësinë e
tij heroike, pasi dha çdo gjë që mundi dhe diti, për lirinë ,paqen e brendshme,
çlirimin e atdheut dhe mirëqenien e popullit shqiptarë kudo.
Ky burrë i madh i takonte një
krahine e cila tash e sa kohë çmohet lartë si vendlindje burrash dhe heronjsh
legjendar, ndër më të mëdhenjtë që njohin shqiptarët e këtyre trojeve gjatë 210
viteve të fundit.
Binak Alia erdhi në jetë si vëllai i
katërt dhe më i vogëli nga të katër djemtë sa kishin prindërit
e tij, i cili qysh në rinin e hershme u dallua për aftësitë gjykuese, prirjet
për drejtësi popullore, dinjitetin burrëror dhe vendosmërinë njerëzore e
kombëtare prej malësori.
Biri i Krasniqes ishte çdo herë atje ku
fjala dhe vepra e tij më së tepërmi kërkohej, në të gjitha trevat ku atëbotë me
shkronja të arta do të shkruhej historia më sublime kombëtare dhe bëhej luftë e
pa kompromis e përpjekjeje mbinjerëzore për çlirimin e atdheut dhe lirinë
e popullit shqiptar.
Në kohën kur ai ishte ende i ri, në
Malësi, trevat e Shqipërisë së epërme dhe të Kosovës në përgjithësi, sipas
traditës vendore, djemtë e ri vetëm pas moshës 16 vjeçare kishin të drejtë
pjesëmarrjeje në kuvende burrash, por në rastin e Binak Alisë do të veprohej
ndryshe.
Familja e tij, më 1820,kur ai ishte
vetëm 15 vjeçar, sapo kishte përfunduar ndërtimin e kullës së famshme të
Krasniqes, ndaj duke njohur zgjuarsinë e veçantë e cila ishte e rrallë për
djemtë e asaj moshe, bashkëfamiljarët do të insistonin që Binak Alia të
pranohej një vit më herët në kuvend, dhe burrëria e tij bashkë me Kullën e
re të përuroheshin njëherazi
solemnisht, edhe pse ai ishe ende i ri.
Pas shumë përpjekjesh, paria e
Malësisë, me vështirësi kishte pranuar ta thyente "sullin" e
kuvendeve dhe vetëm nën kushtin që Binak Alia ta kalonte testin e
"pjekurisë“, duke u përgjigjur në tri pyetje të cilat do t`ia parashtronte
"komisioni i burrave të zgjedhur", me ç `rast duhej të epte edhe
arsyetimin për secilën përgjigje, në mënyrë që ato të pranoheshin si të sakta.
Pyetjet që do ti
shtroheshin ati dhe përgjigjet e Binak Alisë, ishin këto:
1.Dru është e dru nuk është- cili dhe
pse?!
"Kaqa", do të
përgjigjej Binak Alia! Dru është- dhe dru nuk është, sepse për dru nuk mund të
shitet.
2.Mish është e mish nuk është-cili dhe
pse?!
Shpretka, ishte
përgjigja e radhës! Mish është e mish nuk është, sepse për mish nuk mund
të shitet.
3.Burrë është e burrë nuk është-kush
dhe pse?!
Burri që nuk mbanë fjalën! Burrë është dhe
burrë nuk është, sepse thotë "po" por nuk rri në
"Po" , thotë "jo" por nuk rri në "Jo"! Ndaj, burrit të tillë i mungon burrëria dhe
nuk pranohet për "Burrë" në kuvende.
Kështu, Binak Alia edhe pse i ri në
moshë, do të përgjigjej aq saktë dhe bindshëm sa që do të habiste
komisionin me arsyetimet e përgjigjeve të tij, duke mos lënë asnjë shteg
për hamendje, ndaj njëzëri do të pranohej, para kohe në Kuvend Burrash.
Paria e befasuar nga përgjigjet e
djaloshit 15 vjeçar, pasi që të pranuarit në kuvend kishin të drejtë edhe të
pleqëronin raste të cilat atyre mund tu besoheshin, do ta ftonte solemnisht
Binak Alinë, të betohej para burrave në Besën dhe Traditën Shqiptare për
mbajtjen e fjalës së dhënë dhe trajtimin me drejtësi e dinjitet të
cilës do ngjarje që atij mund ti binte ta pleqëronte.
Qysh nga ajo kohë, kulla e tij do të
bëhej një nga selitë kryesore ku do mbaheshin qindra kuvende dhe merreshin po
aq vendime me rëndësi, sa që ajo të kthehej në mit kuvendesh, kurse Binak
Alia në legjendë të drejtësisë dhe pleqësisë popullore.
Dija e trimëria dhe virtytet e tij
njerëzore, bënë që ai dhe Ali Ibra, jo vetëm të ndërmjetësonin me sukses
në sa e sa raste, kudo që ata u ftuan, por edhe të dërgoheshin si përfaqësuesit
kryesor të Malësisë në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku do të
zgjidheshin që të dy anëtar të këshillit të lart të kësaj Lidhjeje Kombëtare që
nga themelimi i saj.
Si ai vet, edhe të katër djemtë e Binak
Alisë, nipërit e bashkëfamiljarët, vëllazëria dhe bashkëpunëtorët e tij, do ti
qëndronin përherë besnik të pa lëkundur kombit, nga kushdo që ai mund të
rrezikohej, disa prej të cilëve u flijuan trimërisht duke dhënë edhe jetën për
atdhe.
Familje me traditë qindravjeçare
luftërash
Binak Alia pati 4 djem; Halilin ,
Aliun, Qerimin e Shabanin dhe që të gjithë shkuan rrugës kombëtare të
babait. Në Kullën e Binak Alisë u lind dhe rrit edhe nipi i tij i njohur Zeqir
Halili, djali i djalit të madh të Binakut , i cili si prijës i Krasniqes për 30
vjet me radhë nuk do ta lëshonte pushkën nga dora duke luftuar fort dhe
trimërisht kundër forcave turke dhe atyre serbomalazeze, për lirinë e
shqiptarëve dhe mbrojtjen e tokave të tyre stërgjyshore.
Si patriot i dëshmuar dhe orator i lindur,
edhe pse në moshë të shtyrë, Binak Alia ishte ndër të parët në të gjitha
tubimet e kohës me karakter kombëtar, ku do tu fliste me arsye e njohuri, si
dhe gjuhën e argumenteve bashkëkombësve të tij kudo, qoftë në kuvende kushtrimesh
për qëndresë kombëtare apo edhe ato për pajtimin e gjaqeve si në
Kuvendin e Junikut më 1877, të
cilin ai edhe do ta kryesonte. (“BINAK ALIA DHE ELITA E TIJ HISTORIKE”.. - YouTube),
Burri i Krasniqes, do tu fliste me zjarr
shqiptarëve në të gjitha tubimet e organizuara të Lidhjes së Prizrenit,
për mbrojtjen e tokave të rrezikuara nga pushtimet malazeze; Ulqinin,
Plavën, Gucinë, Hotin ,Grudën etj, si dhe për çlirimin e atdheut në tërësi
nga Turqia.
Binak Alia ishte jo vetëm trim e
atdhetar i madh, por edhe një pleqnar i rrallë dhe mendjehollë i pa shoq në të
12 fiset që njihnin shqiptarët. Ky Burrë i Malësisë u dallua edhe si
ndërmjetësues i zoti dhe pajtues i denjë i shumë gjaqeve, plagëve dhe
ngatërresave ndërshqiptare, i cili për emrin e mirë që kishte bërë me veprat e
tij, do të shndërrohej në legjendë të drejtësisë dhe kryepleqnar i Malësisë dhe
Kosovës.
Masakrimi i shqiptarëve
Binak Alia, atëbotë ishte vetëm 17
vjeçar, mirëpo kishte kohë që
flitej e përflitej gjithandej se edhe në Malësinë e tij, kërkoheshin mercenar
nga Perandoria turke dhe njerëzit e Kara Mahmut Bushatliut, për të luftuar
kundër një Pashai tjetër të madh Shqiptar në jug të trojeve tona etnike.
Mjerisht, gjaku i shqiptarëve, derdhej
ndër vite pa reshtur në të gjitha anët, madje jo vetëm në kohën e rënies së Ali
Pashës dhe pashallëkut të tij, kur shqiptarët luftonin kundër shqiptarëve ,për
rrëzimin nga froni pas 30 vjet sundimi të këtij Luani në Janinë, për të cilin
do të dëgjonte me dhimbje mbi tradhtitë me të cilat më 24 janar
të vitit 1822,ishte mundur ai dhe disa vite më vonë, për makinacionet otomane
përmes të cilave do të eliminoheshin edhe qindra prijës të tjerë shqiptar, nga
forcat pushtuese turke.
Fatkeqësia më e madhe, ishte se Luani i
Janinës nuk u tradhtua vetëm nga organizata greke “shoqëria e miqve” që
luftonte për çlirimin e Greqisë nga Turqia, të cilës në kohët më të vështira
Ali Pasha i kishte ofruar mundësi veprimi në pashallëkun e tij, ndihmuar në
përgatitjet për çlirim dhe krijimin e shtetit grek, me të cilën që në
vitin 1818,kishte lidh edhe një marrëveshje bashkëpunimi, por ai do të
tradhtohej edhe nga shqiptarët, djemtë e tij, miqtë dhe shokët më të ngushtë,
me përjashtim të pak vetave që do të pranonin të vdisnin me të duke luftuar.
Madje, Jani Koletin,(Joanis
Koletis;1774-1847) kryeministrin e ardhshëm grek, Pashai i Janinës, për disa
vite me radhë e kishte punësuar si shef të financave të pashallëkut të tij, por
pas ardhjes në pushtet, më 1844,vet Koleti do të shpallte “Megali idenë”-greke
dhe kërkonte aneksimin e tokave të Shqipërisë.
Në Pashallëkun e Janinës, do të
stërvitej edhe Marko Boçari (1789-1823) luftëtari i njohur arvanitas i
Sulit të Çamërisë i cili fatkeqësisht do të vritej edhe ai duke
luftuar për interesat greke, kundër shqiptarëve.
Për aq më keq, sikur mos të mjaftonte
që sulmeve turke kundër Pashait të Janinës, me urdhër të Sulltan Mamutit
II- (1808-1839),iu bashkuan ushtarët e Mahmut Bushatliut, pashait të
Shkodrës, në ditët më të vështira, Ali Pashë Janina do të tradhtohej edhe
nga kryekomandanti i forcave ushtarake, Omer bej Vrioni, bashkë me
15000 trupat elite të pashallëkut të tij.
Por, para mësymjeve turke quan duart
edhe dy djemtë e Aliut, Veliu dhe Myftari të cilët megjithëse
u dorëzuan ndër të parët, do të vriteshin nga sulltan Mahmuti II, me
tradhti.
Pashain e lodhur, e
tradhtuan edhe shokët më të ngushtë të tij, si; Ago Vasjari, Tahir Abazi,
Zylyftar Poda, etj.
Ndaj, përkundër rezistencës së
pashpresë, para gjithë atyre tradhtive që iu bënë, nën rrethimin e forcave të
Hurshid Pashës, megjithëse në moshë të shtyrë, duke hetuar fermanin e
falsifikuar nga sejmenët turq, kinse sulltani i falte jetën atij, Ali Pashës
nuk i kishte mbetur tjetër përveçse edhe në pleqërinë e
thellë, para kapjes me tradhti brenda manastirit të
Shën-Pandelejmonit në ishullin e liqenit të Janinës, më 24 janar të vitit
1822,të luftonte i vetmuar si luan, duke vdekur si burrat.
Koka e prerë e Ali Pashë Janinës-pas mundjes
së tij, një muaj më vonë, më 23 shkurt të vitit 1822 do ti dërgohej Sulltanit
në Stamboll, ku pas ekspozimit publik disaditësh, prej dhembjes koka e Pashait,
do të blihej me para nga një dervish shqiptar për tu varrosur pas 30 vjet
qeverisje të pavarur mbi gjysmën e trojeve të jugut të Shqipërisë etnike, pran
bijve të tij të vrarë poashtu me tradhti nga turqit, në Stamboll.
Megjithatë, shqiptarët kishin ngelë në
kohë dhe feudalë e bejlerë, nuk morën mend as nga katrahura e ndodhur
ndaj Ali Pashë Janinës, kështu që ata vazhdonin avazin e vjetër të luftimit të
njëri tjetrit edhe atëherë kur popujt fqinj dhe ata më të largët, bashkoheshin
në luftë për çlirimin e vendeve të tyre nga pushtimi turk.
Por me gjithë kaosin ndërshqiptar që
mbretëronte pas vdekjes së Ali Pashë Janinës në jug të vendit, siç do të
dëshmohej disa vite më vonë, Perandoria osmane ende nuk kishte mbaruar
punë me prijësit shqiptar, ajo vetëm sa kishte lënë pak kohë që të ftoheshin
gjakrat e nxehura nga vrasja makabre e Pashait, për të mënjanuar eskalacionin e
ndonjë kryengritje të mundshme në jug të Shqipërisë.
Ndaj, me të përfunduar lufta ruso-turke
e vitit 1829,gjeneralë e vezir turq, kishin nxjerr mbi tavolinë planet e reja,
për veprime sipas traditës së tyre të vjetër, për përgjakjen e mëtejme të
shqiptarëve me tradhti, siç dinin ata.
Kështu që nga mesi i gushtit të
vitit 1830, veziri i madh, Mehmet Reshit Pasha(1780-1839),sipas shënimeve
në wikipedia, i lindur në Gjeorgjinë kaukaziane si djalë i një prifti grek,
konvertuar dhe shkolluar në akademitë ushtarake osmane, do të arrinte deri në
titullin vezir, për të vdekur në vitin 1839,në luftimet e organizuara kundër
kurdëve në Sivas të Anadollit, i cili njihej për masakra dhe ashpërsi, me
qëllim eliminimi, ai do ti ftonte qindra feudalë dhe bejlerëve shqiptar
nga viset jugore të vendit, të veshur me uniforma solemne, të paraqiteshin
në qytetin e Manastirit ku u kishte premtuar pritje me nderime ushtarake,
ngritje gradash dhe pagimin e rrogave të vonuara , kinse nga telashet
e luftës që Perandoria otomane kishte deri rreth një viti më parë me
Rusinë.
Dhe, më 26 gusht të vitit 1830, derisa
ata përcillnin paradën ushtarake turke, e cila zhvillohej kinse sipas sistemit
evropian, pjesëtarët e gardës, sipas porosisë së Mehmet Reshit Pashës, do të
ktheheshin nga tribunat dhe qëllonin në befasi, për të vrarë me këtë rast, mbi
500 feudalë dhe bejlerë të pranishëm shqiptarë.
Brenda pak minutave u shfarosën kështu
me tradhti më tepër se 500 feudalë e derebej, kokat e të cilëve u dërguan në
Stamboll. „Masakra e
Manastirit" Wikipedia.
Për këto krime, në librin e saj “Njëzet
vjet ngatërresa ballkanike”, do të shkruante edhe Edit Durham e cila
shprehet se si më 26 gusht të vitit 1830,Mehmet Reshit Pasha, në
masakrën e Manastirit, vrau në mënyrë të pabesë 500 krerë shqiptarë.
Megjithëse Binak Alia dhe Malësia mbarë,
nga tragjeditë e shkaktuara otomane me tradhti të dëgjuara gjithandej
trojeve tona, kishin marrë shumë mësime të hidhura dhe përpiqeshin ditë natë
për bashkimin e sa më shumë trevave shqiptare për ta luftua pushtimin osman, kontinuiteti
i eliminimit të prijësve shqiptar me metoda të tilla nga organet pushtuese
turke, nuk do të pushonte deri në ditët e fundit të tyre në Ballkan.
Një tragjedi e ngjashme me tradhti,80
vite pas Masakrës së trisht të Manastirit, do ti ndodhte edhe djalit të
Binak Alisë, trimit dhe luftëtarit të pa epur kombëtar- Shaban Binakut, i cili
bashkë me Avdullah Hoxhën e Gashit të Gurit, nga fundi i vitit 2010 do të
ftoheshin kinse për konsultime me organet e pushtetit të atëhershëm otoman
në Gjakovë, mbi të drejtat e shqiptarëve të cilët nuk i pushonin kryengritjet,
dhe në kohën kur Perandorisë pushtuese turke nuk i kishin mbet më as dy vite të
plota, para se ajo të dëbohej përgjithmonë nga trojet tona, ata do të
tradhtoheshin nga pushtetarët osman dhe vareshin që të dy, në mes të pazarit të
Gjakovës.
Binak Aliu prijës luftërash
Gjendja për shqiptarët në të gjitha
trojet e tyre, sa vinte e keqësohej, dhe tani ata nuk kishin më vetëm
perandorinë pushtuese turke si armik që priste e korrte pamëshirshëm, por edhe
shtetet hegjemoniste fqinjë që sapo kishin fituar pavarësinë nga kjo perandori,
duke filluar nga principata e vogël e Malit të Zi, Serbia dhe Greqia, të
cilat suleshin rrezikshëm për zgjerimin e kufijve të tyre në kurriz të tokave
shqiptare.
Në anën tjetër, ende pa u terur mirë
gjakrat shqiptare që vazhdonin të derdheshin ndër vite në trojet e tyre, pas
presionit të fuqive të mëdha Perandoria turke do të organizonte të
ashtuquajturat reforma të qeverisjes, apo Tanzimatin, promovimin e të cilit do
të bënte me shumë pompozitet në vitin 1839,para se të vdiste në luftë me
kryengritësit kurd- Veziri i madh Mustafa Reshit Pasha, në oborrin e
pallatit të sulltanit të njohur si "Gjylhane"-apo shtëpia e
trëndafilave, pranë bregdetit të Marmarasë.
Meqenëse u
lexua këtu, u quajt ferman i Gjylhanese. (Hatt-i sherif-i Gjylhanesë).http://sq. wikipedia.org
Por, Tanzimati, në Kosovë dhe
Shqipërinë e mesme e veriore, do të "arrinte" më 1843,i cili nuk
parashihte asgjë të mirë as për këto troje, përveç rritjes së taksave, heqjen e
armëve dhe rekrutimin e të rinjve shqiptar për shërbime shumëvjeçare ushtarake
në vende të huaja dhe të largëta arabe të perandorisë së pafund pushtuese
otomane, prej nga shumë djem të ri nuk do të ktheheshin më kurrë.
Ndaj, shpallja e Tanzimatit nxiti njërën ndër kryengritjet më të
fuqishme në Kosovë dhe trevat lindore të Shqipërisë etnike, me
ç`rast Dervish Cara me 10 mijë trimat
e tij, në periudhën nga 21 korriku i vitit 1843, deri në shkurt të
vitit 1844, do ta çlironte Shkupin, dhe afro gjysmën e trojeve
shqiptare. “Kryengritja e Dervish
Carës,1843-1844". Qëndresa kundërosmane në Shqipërinë e Veriut”
Shqipëria .com
Për fat të keq, as kjo kryengritje nuk
arriti të shtrihej në të gjitha trojet tona dhe pas një qëndrese heroike, më
1844, do të shtypej me gjak si shumë kryengritje tjera të më hershme.
Ndaj Burrit të Malësisë, të rënduar nga shumë fatkeqësi që binin pa ndërpre mbi
atdheun, i shtoheshin obligimet dhe vështirësitë e gjetjes së mënyrave adekuate
për shpëtimin e vendit kudo që mundej dhe arrinte.
Në vitin, 1844,Serbia nën përgatitjen e ministrit, atëbotë
të brendshëm të saj, Ilia Garashanin(1812-1874) do të shpallte programin e
“Serbisë së madhe” të njohur me emrin “Nacertanie” e cila rritjen e shtetit
serb e parashihte përmes zaptimit të tokave tona me shpërnguljen dhe asgjësimin
e popullit autokton shqiptar, siç do të vepronte gati njëkohësisht edhe Greqia
me paraqitjen e të ashtuquajturës "Megali ide" para mbretit Oto
Friedrich Ludwig, nga kryeministri grek dhe ish ministri i financave të
Ali Pashës, Jani Koleti, (Joanis Koletis),program analog me
“Nacertanien”-serbe, të cilat nuk do të vonin shumë dhe do tu krijonin shumë
tragjedi shqiptarëve në të gjitha anët.
Oto Friedrich
Ludwig 1815-1867, ishte princ gjerman i lindur në Salzburg si djali i dytë
i familjes mbretërore të Bajernit, i cili do të emërohej Mbret i Greqisë dhe
sundonte atje nga 27 maji i vitit 1832 deri më 23 tetor të vitit 1862.
Por ti kthehemi edhe një herë figurës
së çmuar të Binak Alisë, të cilit në këto vite të turbullta kombëtare do ti
duhej të merrej me shumë detyra dhe të gjendej me kohë në të gjitha vendet dhe
drejtimet duke vepruar me krejt mundësitë që kishte, ku mundej dhe arrinte
sipas rasteve që kërkonin angazhimin e tij, qoftë në kuvende burrash, pajtim
gjaqesh apo edhe udhëheqje luftërash, sa herë që tokat tona u mësynë nga
armiqtë e shumtë të cilët sa vinin e shtoheshin.
Tanzimati shkaktoi dy kryengritje të
mëdha, edhe në Malësi e rrethinë, me ç `rast nën udhëheqjen e Binak
Alisë së Krasniqes u bashkuan Gashi, Bytyqi ,Hasi dhe Reka, të cilat në
muajin Maj të vitit 1845,me rreth 8000 kryengritës malësor, do ta përzinin garnizonin
turk dhe çlironin përkohësisht Gjakovën.
Por, pasi që Valiu i Rumelisë, nuk
arriti ta mbronte atë qendër me ushtrinë e vet, ai rekrutoi mijëra mercenar
shqiptar nga vise të ndryshme të vendit, për rimarrjen nën kontroll të këtij
vendbanimi të dominuar nga malësorët. ( “Kryengritja e Dervish Carës (1843-1844). Qëndresa kundërosmane
në Shqipërinë e Veriut” Shqipëria .com)
Pasojat e Tanzimatit ndiheshin kudo në
trojet shqiptare, ndaj duke mos arrit të liroheshin në asnjë mënyrë nga taksat
e rënda dhe marrja nizam e të rinjve, një grup intelektualësh shkodran të
udhëhequr nga Pashko Vasa, Zef Jubani dhe abati atdhetarë i Mirditës
Gaspër Krasniqi, do të përpilonin një plan sipas të cilit në pranverën e vitit
1862,kryengritja kombëtare shqiptare e radhës, do të duhej të shpërthente në
Mirditë, prej nga mendohej të përhapej edhe në malësitë përreth.
Madje, ishte paraparë që kapedani i
Mirditës Bibë Doda, të ngrinte flamurin e kryengritjes dhe shpallte një
principate autonome ose të pavarur shqiptare, në mënyrë që ti
bashkoheshin edhe pjesët tjera të vendit.
Por pasi që Bibë
Doda, ishte pasha i Perandorisë turke dhe merrte rrogë nga Porta e lartë, jo
vetëm se u tërhoq nga plani i kryengritjes, por për të përmbushur urdhrat
e sulltanit, ai u mundua të rekrutonte edhe disa grupe vullnetaresh në Mirditë
për plotësimin e reparteve ushtarake osmane.
Ndaj nën udhëheqjen e abatit patriot,
Gaspër Krasniqi, atje shpërtheu një konflikt i ashpër dhe shumica e popullsisë
së Mirditës u rreshtua kundër kapedanit, i cili akuzohej nga banorët për
përvetësimin e rrogave të vullnetarëve dhe dërgimin e tyre në vdekje, kështu që
Bibë Doda u detyrua të ikte nga Mirdita dhe kërkonte shpëtim tek valiu turk në
Shkodër, i cili arrestoi abatin atdhetar të Mirditës për çka mirditasit e
mllefosur u vunë zjarrin shtëpive dhe pronave të Bibë Dodës në Kallmet.
...... arrestimi i abatit Gaspër Krasniqi i cili ishte bërë udhëheqës i lëvizjes në Mirditë, nuk e qetësoi, përkundrazi, e acaroi edhe me shume gjendjen. Patriotet shkodranë nuk ngurruan të akuzonin Bibë Dodë pashën si “vrasës të popullit të tij” e qeverinë e sulltanit si “shtypëse të pamëshirshme te kombit shqiptar” ...... Histori: LeVIZJA KOMBeTARE SHQIPTARE Ne VITET 30-70 Te SHEK. XIX. KREU III “Lëvizja e vitit 1862 ne Mirdite”
...... arrestimi i abatit Gaspër Krasniqi i cili ishte bërë udhëheqës i lëvizjes në Mirditë, nuk e qetësoi, përkundrazi, e acaroi edhe me shume gjendjen. Patriotet shkodranë nuk ngurruan të akuzonin Bibë Dodë pashën si “vrasës të popullit të tij” e qeverinë e sulltanit si “shtypëse të pamëshirshme te kombit shqiptar” ...... Histori: LeVIZJA KOMBeTARE SHQIPTARE Ne VITET 30-70 Te SHEK. XIX. KREU III “Lëvizja e vitit 1862 ne Mirdite”
Pas dështimit të kryengritjes në
Mirditë dhe viset përreth, duke parë se Malësia tanimë
kishte mbet edhe një herë e vetmuar në qëndresën e saj të përhershme,
Perandoria Turke në vitin 1862, do të dërgonte Maxhar Pashën me një ushtri
të madhe të armatosur me topa dhe artileri, për pushtimin e Bujanit dhe
Krasniqes së Madhe si dhe nënshtrimin e gjithë Malësisë, vjeljen e taksave
dhe rekrutimin e të rinjve me forcë edhe në atë zonë.
Edhe pse
të pa përgatitur për luftë, me mungesë të madhe armësh dhe municioni, vendosmëria
e malësorëve për të luftuar deri ne vdekje për
mbrojtjen e tokave te tyre, jo vetëm
se tregoi një qëndresë të pamposhtur por nën udhëheqjen e Binak Alisë, ata edhe
thyen keq osmanët duke vrarë dhe mbytur në lumin e Valbonës mbi 1500 zapti
osman, kurse pjesa tjetër do të merrte ikën, nga ndjekjet hap pas hapi të
malësorëve trima.
Në këto
luftime, Binak Alia u dallua si udhëheqës i madh, emri i të cilit u bë i
njohur në Malësi, Gash, Krasniqe ,Bytyç dhe Kosovën anë e mbanë, ndërsa
Mic Sokoli, nipi i Binak Alisë, edhe pse ishte i ri, tregoi një trimëri të
paparë deri atëherë. (Pjesë
nga shkrimi “Histori e patriotit të njohur të Malësisë së Gjakovës, Binak Ali
Mulosmani”) www.gazeta55.al 20 nëntor 2012.55
Kështu Malësia dëshmoi edhe një herë fort dhe
bindshëm se ajo kurrë nuk vendosi asgjë para kombit dhe lirisë së atdheut, por
në çdo kohë- jetoi dhe u sakrifikua me shpirt e zemër për tërësinë e Shqipërisë
Etnike.
Mençuria e
Binak Alisë
Binak Alia, do të bënte emër të madh
edhe si pleqnar i rrallë dhe promovues i denjë i drejtësisë tradicionale
shqiptare i cili me dijen dhe njohurit e tij, disa herë do të kalonte edhe
caqet e kufijve kanunor, duke zbatuar ide dhe zgjidhje personale, të
domosdoshme për pajtimin e zënkave dhe vendosjen e paqes në mes njerëzve
kudo, e ndonjë herë edhe brenda së njëjtës familje.
Për këtë arsye, me të drejtë për Binak
Alinë u tha gjithnjë se ai nuk la rast pa zgjidhur, i cili kudo që u
ftua për pleqërimin e çfarëdo ngjarjeje u kthye në çelës të shuarjes së çdo zënke
dhe ngatërrese.
Përvetësimi i fëmijës
Edhe sot në shumë ndeja e tubime,
citohet shpesh një rast i veçantë brenda një familje e cila kishte dy djem të
martuar në të njëjtin kohë, dhe që të dyve pas një viti, do tu lindte nga një
djalë. Por njëri nga djemtë e posa lindur ishte më shëndetlig, ndaj nëna e tij
xheloze, derisa të dytë fëmijët ishin ende të vegjël, kishte vendosur që në
njërën nga netët e errëta t`ia vidhte djalin kunatës, duke e ndërruar atë me
djalin e saj.
Por, me të dalë drita, kunata do ta
kuptonte edhe më mirë se fëmija që mbante në duar nuk ishte i veti, megjithatë
për shumë kohë, askush nuk do ti besonte fjalët e saj, ndaj sa më shumë që
rriteshin djemtë ,rritej edhe ngjashmëria me prindërit, kështu që gjendja në
familje do të përkeqësohej deri aty sa që do të fillonin të ziheshin gjithnjë e
më shpesh edhe vëllezërit me njëri tjetrin.
Askush nuk e dinte më me saktësi se sa
herë ishin bërë
be rrëfe ,nga të dy gratë, se djali i takonte secilës nga to, dhe problemi
assesi të sqarohej me gjithë përpjekjet e shumë pleqve të njohur, ndaj nuk
kishte mbet rrugëdalje tjetër përveç se të thirrej edhe Binak Alia për gjetjen
e një zgjidhje.
Binak Alia duke parë se ishin shterë të
gjitha mundësit kanunore për zgjidhjen e këtij rasti dhe të dy vëllezërit,
pas 8-9 vitesh konflikti të pareshtur, kishin vendosur që të mbyteshin me njëri
tjetrin për djalin e kontestuar, ai u tha se djali duhej vendosur në mes
të dy nuseve pretenduese dhe të vritej sepse “zgjidhje tjetër” nuk shihte.
Sado që me shumë dhembje dhe vështirësi
ata u pajtuan.
Binak Alia, vendosi djalin në mes të dy
nuseve dhe u tha t`ia epnin dorën atij secila në anën e saj
Thuhet se ai ngriti pushkën dhe në vend
se të merrte në shenj fëmijën u bërtiti nuseve; mbajeni fort djalin, se kam
vendosur ta vras!
Në atë moment, ajo që e kishte vjedhur
si fëmijë djalin i cili, në momentin kur po ndahej drejtësia thuhet të ketë qenë ,8-9 vjeçar, jo vetëm se
nuk e mbajti por ia lëshoi dorën fare dhe iku në anën tjetër, kurse nëna e
vërtetë e tij, doli përpara mbuloi djalin me trupin e saj dhe me lot në sy, do
ti thoshte Binak Alisë- më vrit mu të lutem, por jo djalin!
Binaku i lehtësuar në shpirt, duke
kuptuar se ajo ishte nëna e vërtetë e vogëlushit, uroi nusen; ia pash hairin
fisnike, se ky vërtetë qenka djali yt.
***************************** ****************************** ********************
Qëndrimet burrërore
dhe vendimet e nxjerra nëpër oda nga
Binak Aliu, për shumë kohë ishin dhe mbetën themel i ndarjes së drejtësisë
autoktone vendore, në të gjitha trojet tona, ku nuk gjenin vend ligjet
pushtuese të perandorisë otomane. Vendimet e tij edhe sot janë shembull për
pajtime, shuarjes së ngatërresave dhe pushimit të hasmërive me drejtësi dhe
mirëkuptim në mes të shqiptarëve kudo.
Martesa e "detyruar" e Binak
Alisë
Puna e gjatë dhe angazhimet e mëdha,
sado që ndihmuan shumë këndë në ditët e vështira të tyre, nuk ishin të lehta
dhe pa sakrifica personale edhe për Binak Alinë, mandej nganjëherë ato kishin
edhe konsekuenca jo të lehta në familjen e ngushtë të tij.
Ndaj, si pleqnar i njohur që ishte, jo
rrallë do ti binte që me ditë e net të tëra të mbetej larg bashkë-familjarëve,
për çka do të shkaktonte pakënaqësi edhe te gratë që kishte, thuhet se deri
atëherë pati tri, të cilat me një rast, pas një vonese disa ditëshe, kishin
vendosur që as të mos i flisnin kur ai të vinte në shtëpi.
Dhe, në një rast, pasi që kishte
zgjidhur një problem bukur të rëndë i cili kishte kërkuar disa ditë kohë, ai do
të kthehej i lumtur në shtëpi, por asnjëra nga gratë nuk shkoi ti fliste. I
lodhur nga rruga e pagjumësia, atë natë ai do të flinte në dhomën e
pritjes së mysafirëve, kurse të nesërmen herët në mëngjes, pa e prishur
shumë terezinë nga ajo sa i kishte ndodhur mbrëmë, do ti hipte kalit dhe
ngjitej në Gash për të kërkuar një nuse tjetër.
Para se të arrinte në fshatin ku ai
ishte nisur, në bjeshkët e Gashit do të takonte njeriun tek i cili ishte nisur,
dhe pasi që do të ndërronin nga një cigare kutie me të, Binaku do t’ia
shpaloste qëllimin e shkuarjes dhe kërkonte bijën e Gashjanit për nuse.
Gashjani i habitur, duke mos u besuar
veshëve për ato sa kishte dëgjuar, do të pyeste edhe një herë Binakun i cili
atëkohë thuhet se ishte 60 vjeçar, me shpresë se mund të kishte ngatërruar
fjalët dhe vajzën e tij e kërkonte për djalë, e jo për vete.
Por Binaku përsëriti edhe një herë se
vajzën e tij e kërkonte për vete, ndaj Gashjani i ngushtuar sa s`ka, ngase
atëbotë nuk ishte e lehtë ta ktheje Binak Alinë, i tha se së pari donte ta
bisedonte me Vajzën këtë punë.
Edhe Binaku ishte
pajtuar me propozimin e mikut të ardhshëm, por për çudinë e Gashjanit, vajza të
cilën e kishin kërkuar shumë djem të rinj e të njohur, dhe ajo nuk kishte
pranuar asnjërin nga ta, u përgjigj se pranonte të martohej me Binak Alinë.
Prindi i ngushtuar sa
s`ka, të cilit me gjithë respektin për Binakun, i dhimbsej shumë e bija, që ta
martonte me një njeri në moshë aq të shtyrë, do t`ia përsëriste edhe disa herë
të bijës se Binaku kishte mëse 60 vjet dhe ishte i vjetër për te.
Megjithatë e bija nguli
këmbë se përkundër moshës së shtyrë të tij dhe grave tjera që ai
kishte në shtëpi, ajo kishte vendosur të martohej me Binak Alinë.
Ndaj,
i `ati i shokuar ,do ta pyeste të bijën për herë të fundit me kureshtje se si
do ta qonte jetën me një plak si Binak Alia, kurse ajo do ti përgjigjej;
Baba,
sa herë të më shoh mua Binaku, ai do përtërihet, e sa herë ta shohë unë Binakun
do të plakem dhe kështu do të mbarojmë të dytë përnjëherë. Ndaj, ajo edhe
do të bëhej nusja e 4-tërt e tij.
Malësia ishte
dhe mbeti një trevë e veçantë e mbrujtur përjetësisht me histori dhe legjenda,
tregime mbi trimëritë e shumta dhe qëndresa të mëdha, e cila me Binak Alinë, u
përjetësua edhe si kampion i dijes popullore dhe "matës" preciz i
ndarjes së drejtësisë me tapi autoktone.
Sinqeriteti dhe
paanësia balancuese e Binak Alisë, si ndonjë peshore e magjishme precize, për
pak vite ishin bërë aq të njohura sa që nuk do të kalonte shumë kohë dhe ai do
të shndërrohej në figurë mitologjike të ndarjes së drejtësisë autoktone dhe
tradicionale shqiptare.
Dardhat e buta
Falë besimit që njerëzia
shprehnin ndaj Binak Alisë, thuhet se ishte i betuar që para cilit do
ndërmjetësim, të mos hante as pinte, në mënyrë që çdo herë dhe në çfarëdo rast
dyshimi nga cilado palë, ti kishte duart e lira për tu “larë me be” se puna e
tij ishte e pastër dhe nuk kishte pranuar ryshfet apo çfarëdo formë pagese a
shtytje, për t`ia mbajtur krahun cilësdo anë në mënyrë të pa drejtë.
Por me
kalimin e kohës ,mosha dhe largësia do ta bënin të veten dhe Binak Alia nuk
mund të arrinte çdo kund, kështu që aty këtu, sidomos te njerëzit e tij, ndonjë
herë ishte detyruar që ti dërgonte edhe të bijtë për ndërmjetësim apo
pleqërimin e ndonjë ngjarje.
Një familjeje
e njohur nga malësia, e vendosur në Rrafsh të Dukagjinit, kishte një vajzë të
mençur e punëtore, por jo të pashme e të bukur sa duhet, ndaj kishin vendosur
që ta martonin dikund larg (thuhet) në Rahovec, ku nuk i njihnin rrethi dhe
miqësia.
Por, pas pak
kohësh, djali i pakënaqur, do ta
detyronte të atin që t`ia kthente Malësorit të bijën.
Mirëpo, në ato kohë, sipas
traditës dhe kanunit, lirimi i një nuse mund të bëhej vetëm për shkaqe të
forta, si p.sh. mos-puna, hajnia, pander shmëria etj, por jo edhe për dukjen e sajë, e
për aq më tepër një mashkull që nuk mbante një grua të dobët, ai nuk
konsiderohej burrë.
Ndaj malësori kishte
ftuar Binak Alinë për ta pleqnu këtë problem, i cili nuk ndjehej mirë dhe
dërgoi njërin nga bijtë e tij.
I zoti
shtëpisë duke ditur se djali i Binak Alisë ishte merak në dardha, por edhe për
ta forcuar punën, ngase për te, ky nuk ishte problem çfarëdo, kishte mbledhur
dardhat më të mira nga kishte mundur dhe ia lëshoi përpara pleqnarit të “ri” i
cili derisa erdh miku nga Rahoveci, do ti hante pa të keq, një pjesë prej tyre.
Dhe pas ardhjes së
rahovecianit djali i Binak Alisë do ta pyeste se për cilën nga arsyet e
pranuara me kanun, djali i tij kishte vendosur ta lëshonte të bijën e malësorit.
Rahoveciani i zënë
ngushtë ngase nuk ishte asnjëra prej tyre, nuk diti se ç`të thoshte tjetër,
përveçse të sajonte një arsyetim se si nusja e paska koritur atë si
vjehërr- sepse derisa vinin rrugës, ajo kinse nuk paska mundur ta mbante ujin e
hollë dhe ishte lagur mbi kali në të cilin ishte hipur.
Djali i sprovuar me shumë
shtjellime pleqnish nga i ati, pyeti në cilin vend dhe në çfarë rrethanash
kishte ndodhur aj rast?!...
Rahoveciani duke dashur
ta bënte sa më bindës arsyetimin e tij, u tha se kjo kishte ndodhur derisa
kalonin Urën e Shenjtë.
I biri i Binak Alisë, i
lehtësuar nga përgjigja, do t`ia kthente; dëgjo mik, ajo qenka e fortë dhe
vetëm qenka lagur, se po të ishim ti apo unë mbi lartësinë e Urës së Shenjtë
dhe hipur mbi kali, ne jo vetëm se do lageshim, por ndoshta do fëlliqeshim
krejt edhe pse jemi burra.
Pra-mik, na paske koritë
neve dhe veten, pasi që në momentin kur ke ardhë te ura, nuk e ke zbrit rejën
nga kali, ndaj merre nusen e ik se fajet i paske ti e jo gruaja.
Sado që pleqnia ishte
përfunduar me sukses, thuhet se një ditë Rahoveciani kishte dëgjuar për dardhat
dhe i mllefosur që nuk kishte mundur t`ia kthente të bijën malësorit, do ti
qonte fjalë Binak Alisë e ti thoshte; Pleqninë e ndave, por i hëngre dardhat e
buta!
Me të dëgjuar Binak Alia,
që nga ai moment e deri sa ishte gjallë, do t’ia ndalonte të birit ndarjen e
pleqnisë, i bindur se aty ku më parë hahen dardhat, nuk mund të ndahet si duhet
drejtësia.
Ndaj me të drejtë
“ligjet” e Plakut të pa korruptuar të Krasniqes së Madhe, janë ruajtur
origjinale siç ishin dhe në mënyrë të merituar, duke u praktikuar me vlerësimin
më të denjë edhe pas luftës së dytë botërore, sidomos në trojet e pushtuara shqiptare
të mbetura pa dëshirën e tyre nën okupimin sllav.
Gjykimet
e Binak Alisë nga Malësia edhe sot pas gati 2010 vitesh të vdekjes së tij,
gjejnë përdorim dhe çmohen lartë, në shumë vise shqiptare si të drejta dhe të
pa kontestueshme kudo që ato ende praktikohen.
Autoriteti
i Binak Alisë
Veprat e mira që la pas
vetes, bën që autoriteti i këtij gjyqtari popullor, jo vetëm të bëhej i pa
kalueshëm për kohën, por të mbetej i pa lëkundshëm edhe pas vdekjes së tij dhe
të ruhej si relikt origjinal e i pa zëvendësueshëm në të gjitha vendimet
shqiptare, si shembulli më i mirë i ndarjes së drejtësisë autoktone, e cila u
përcoll me xhelozi nga gjenerata në gjeneratë për shekuj me radhë deri në ditët
tona ndër shqiptarët kudo.
Rrokullisja e Vorbës nga bjeshka
( Enë-apo vegësh i vogël-nga dheu i pjekur, për zierje ushqimi.)
Me gjithë diturinë e madhe që kishte
Binak Alia dhe aftësitë e tij të pafund për pleqërime nga më të vështirat, më
ka rënë disa herë të dëgjoj gjatë vizitave në familjet e Qarrit të Hasit, të
cilat edhe para viteve të veprimtarisë së Bajram
Currit, ku ai do të vendosej dhe kalonte disa kohë, mbanin lidhje të ngushta me Krasniqen e Madhe të
Malësisë dhe vizitoheshin herë pas here edhe nga Zeqir Halili, nipi i
Binak Alisë, pasi që përveç ndihmës së anasjelltë, dy palët i takojnë të
njëjtit fis, se si pati të paktën një rast kur edhe vet heroi i pleqërimit, do
zihej “ngushtë” me ndonjë pyetje, të cilës nuk e kishte të lehtë ti epte
përgjigje adekuate.
Pasi që ai ishte martuar
me nusen më të re nga Gashi i Gurit, thuhet se kishte rastisë që atij ti
shkonin disa miq të cilëve ajo u bënte kafet me xhezve në prush të oxhakut, dhe
njëri nga mysafirët duke e menduar për vajzën e Binakut apo njëra nga mbesat e
tij, për tu siguruar se e kujt ishte dhe a ishte e fejuar, të cilën
mendonte ta kërkonte për djalë, do ta pyeste në mënyrë të tërthortë dhe
metaforike Binak Alinë;
O
Binak Alia, a është kjo vorbë e shtëpisë dhe a ke gjet “kapak” për të?!
Binaku e mori vesh mirë
se për çka e pyeste miku, por u vonua të përgjigjej duke u menduar ta gjente një mënyrë të përshtatshme që t`ia
bënte me dije se ajo ishte gruaja e tij, ndaj malësorja e kuptoi gjendjen e të
shoqit dhe pa Binakun në sy, të cilës ai i bëri me shenj që ajo të fliste.
Bija e Gashit, jo vetëm
se ishte shumë e ndershme por edhe e mençur, kështu që u kthye me respekt nga
mysafiri dhe i tha:
Po,
mik i nderuar, vorba që po sheh ti, ka rënë (është rrokullisur) nga malet e
Gashit në Bujan të Krasniqes dhe ka gjetur kapakun në Kullë të Binak Alisë.
Binakut i kishte pëlqyer
aq shumë përgjigja e saj ,sa që nuk do ta largonte më
asnjëherë malësoren nga Kulla, pa marrë parasysh se kush do ti vinte
mysafir, me të cilën thuhet se kishte edhe djalin e vogël dhe më trim të tij-
Shaban Binakun e famshëm, i cili pas një lufte disa vjeçare kundër turqve, do
të varej nga otomanët bashkë me Avdullah Hoxhën, më 2010 në Pazar të Gjakovës.
Binak Alia, në çdo rast
pajtimi punoi në Emër të Zotit, bazuar në traditën dhe ligjet autoktone
shqiptare, i betuar me dorën e sinqeritetit në zemër, për paanësi dhe drejtësi
të barabartë për të gjithë, për të varfër dhe të pasur-pa dallim, ndaj
ishte e kuptueshme se pajtimet që ai realizonte “zinin vend” dhe “flinin
paqësisht përgjithmonë” gjithkund dhe në çdo kohë , duke mos lënë dyshime dhe
ngatërresa pas tyre asnjëherë.
Familje me tradita lufte
kundër armikut dhe misionare e paqes
ndërmjet shqiptarëve
Sipas një dokumentari në Youtube, edhe mbajtjen e njërit nga
kuvendet më të mëdha në Junik më 1877, një vit para formimit të Lidhjes së
Prizrenit, për pajtimin e gjaqeve në mes të shqiptarëve, do ta udhëhiqte me
shumë sukses, Pleqnari më i njohur i kohës dhe Pajtimtari më i madh që
mbajnë mend shqiptarët, Burri i Krasniqes së Madhe të Malësisë-Binak Alia. (www.youtube.com/watch?v= qriAwWXDP44)
Po ashtu, si në Prillin e
vitit 1880,kur në betejat që zhvilloi Lidhja e Prizrenit në Slivovë e Shtime
kundër forcave turke, ku përveç Mic Sokolit do të luftonin trimërisht edhe
katër djemtë e Binak Alisë, njëjtë nipërit dhe stërnipërit e tij, luftë pas
lufte e betejë pas beteje, nuk do të pushonin asnjëherë përpjekjet, deri në
çlirimin e plotë të Shqipërisë nga Perandoria turke, si dhe mbrojtjen e trojeve
etnike nga vërsuljet serbomalazeze deri në përfundimin e Luftës së Dytë
Botërore.
Qëndresa e tyre u
shoqërua shpesh herë edhe me vrasjen e kreshnikëve më me nam të këtij gjaku dhe
kësaj familjeje atdhetare nga Malësia, duke filluar me Mic Sokolin, Shaban
Binakun e Zeqir Halilin, shembujt sublim të të cilëve do të mbeten për herë të
pa harruar kudo në trojet tona kombëtare.
Binak Alia në Lidhjen e
Prizrenit
Megjithëse atëkohë
ai ishte në moshë të shtyrë dhe mëse 72 vjeçar, emri që kishte bërë me veprat e
tij në luftë kundër armiqve dhe sukseset për pajtimin e shqiptarëve kudo, Binak
Alinë e bënë të pazëvendësueshëm edhe për Këshillin Kombëtar të Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit, e cila do ta caktonte në kryesinë e këshillit të saj
drejtues që sapo krijohej.
Kjo Lidhje Kombëtare,
pati nderin që jo vetëm atë, por edhe Mic Sokolin, si dhe djemtë e Binak Alisë
ti kishte nga komandantët më trima të luftës kundër forcave pushtuese turke dhe
atyre serbo malazeze, qysh nga kushtrimi i dhënë për daljen zot Plavës e
Gucisë në vitin 1879 si dhe betejat e lavdishme të vitit 1880,për
mbrojtjen e tyre në shesh të mejdanit, nga forcat malazeze, me ç`rast në krye
të qindra luftëtarëve nga Malësia qëndronte djali i tretë i Binak Alisë,
Qerimi, krahas të cilit luftonin vëllezër dhe kushërinj të tij, në mesin e të
cilëve shkëlqente edhe legjendari Mic Sokoli.
Edhe pas mbledhjes
së mbajtur nga krerët e Plavës dhe të Gucisë, kur do të epej kushtrimit
për mbrojtjen e tyre, dera e parë ku delegacioni i kryesuar nga Jakup Ferri, do
të trokisnin për ndihmë, ishte ajo e Kullës së Binak Alisë së Krasniqes, i cili
në krye të 600 luftëtarëve nga malësia do të vendosej i pari në Plavë e Guci
për mbrojtjen e tyre nga malazezët, pas të cilit do të mbërrinte edhe Kadri
Bajri me 300 rugovas. ("PLAVA E GUCIA NE VITET E LIDHJES
SHQIPTARE TE PRIZRENIT“ Portali „Malësia e Madhe“)
Kur të mëdhenjtë
shkruajnë për emrin e nderuar të Binak Alisë
Figura e tij, jo vetëm se
do gdhendej me shije dhe në mënyrë të stërholluar nga shkrimtari më i madh që
nxori kombi shqiptar me renome ndërkombëtare, i famshmi Kadare në romanin e Prilli
i Thyer, të realizuar dy herë edhe në filma artistik, por për veprën dhe
burrërinë karakteristike të Binak Alisë, do të mbanin shënime interesante edhe
diplomat, historian e misionar të huaj, që do ta njihnin personalisht këtë
burrë të Malësisë, gjatë udhëtimeve të tyre për studime shkencore në tokat e
Shqipërisë.
Edhe botuesi famoz i
romanit të Ismail Kadaresë, “Prilli i Thyer”, francezi Erik Faye do të
shkruante me admirim për bëmat e Binak Alisë, për të cilin, si njëri nga
figurat më të shquara të rilindjes së Shqipërisë në shekullin XIX, do të
deklaronte se personazhi tij nuk ishte mit, por një emër i vërtetë i huazuar
nga realiteti i kohës, mu atëherë kur shkruhej historia e ringjalljes kombëtare
të shqiptarëve.
Për kontributin e
tij të pazëvendësueshëm në ndërtimin e një ligji të pa shkruar, por të
drejtë dhe të pranuar nga të gjithë si themel i pa lëkundshëm për paqësimin e
shumë konflikteve, vrasjeve dhe zënkave, Binak Alia do të nderohej aq shumë dhe
kujtohej me aq devotshmëri, sa që sipas historianit Jusuf Bajraktari, edhe
ngushëllimet pas vdekjes së tij do të zgjasnin hiq më pak se tri vjet, si për
asnjë figurë tjetër shqiptare.
Siç kemi dëgjuar e mësuar
disa herë nga historia, edhe ne mund të konkludojmë me krenari se në familjen
atdhetare të Binak Alisë nuk lindën vetëm ideator për pajtime gjaqesh dhe
zgjidhje të ngatërresave njerëzore ndërshqiptare, por edhe heronj e dëshmorë të
disa luftërave kombëtare për liri e pavarësi të atdheut.
Madje,
bijtë e saj, përveç kundërvënies së pushtuesve të huaj, me gjithë rrezikimin e
jetës së tyre, ata nuk hezituan ti kundërvihen edhe vet regjimit
shqiptaro-komunist, i cili la nën pushtimin sllav, trojet më kombëtare të
popullit shqiptar dhe pjesën më patriotike të bashkëkombësve nga Dardania
e vjetër të cilët bashkë me heronjtë e Krasniqes, Gashit, Bytyqit
dhe gjithë Malësisë, u ngritën kurdoherë të parët për lirinë e vendit, dhe
ruajtjen e tërësisë së atdheut, ashtu siç e kishte krijuar Zoti për shqiptarët.
2. „Masakra
e Manastirit" Wikipedia
3. Edit Durham “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”
5 .“Qëndresa kundërosmane në Shqipërinë e Veriut” Shqipëria.com.
6. ”Lëvizja Kombëtare Shqiptare në vitet 30-70 të shek.XIX. Kreu III.
7. "PLAVA E GUCIA NE VITET E LIDHJES SHQIPTARE TE
PRIZRENIT“ Portali „Malësia e Madhe“
8. “Kryengritja e Dervish Carës (1843-1844). Qëndresa kundërosmane
në Shqipërinë e Veriut” Shqipëria .com
9. “Letra/Historia e patriotit të njohur të Malësisë
së Gjakovës, Binak Ali Mulosmani” 20 nëntor 2012. www.gazeta55.al
10. Histori: LeVIZJA KOMBeTARE SHQIPTARE Ne VITET 30-70 Te SHEK.
XIX. KREU III “Lëvizja e vitit 1862 ne Mirdite”
Gani Qarri Cyrih, 6 shtator 2014
No comments:
Post a Comment