Rrëfehet Shkrimtari
dhe Publicisti i njohur në ekzil, Pierre Pandeli Simsia: Jeta ime mes SHBA-së,
Shqipërisë dhe letërsisë.
“Sot, është
tepruar shumë me fjalën e artë, poezi”
Bisedoi
Raimonda MOISIU
Në mesin e
shkrimtarëve në ekzil, anëtar i hershëm i SHSHSHA-së është shkrimtari dhe
publicisti Pierre Pandeli Simsia. I lindur në qytetin antik të Beratit, në
familje autoktone, intelektuale e qytetare beratase, e njohur në fushën e
farmaceutikës. I diplomuar për ekonomi-financë, ai u dashurua me muzikën e letërsinë
në adoleshencën e hershme. Autor i disa librave në prozë e publicistikë,
romancier, shkrimtar profilik, shtjellon tema të ndryshme si; fëmijëria nën
diktaturë, dramat sociale, zakonet e tradita, emigrimi, shtjellimi i dukurisë
së gjakmarrjes, etj, janë pjesë e rrëfimeve të autorit. Prej vitit 1997-ë
jeton, punon e krijon në Neë York. Në vitin 2005 doli para lexuesit me vëllimin
me tregime "Le të jem unë Zamira", promovimi i të cilit u bë në
Sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në Tiranë. Në
muajin korrik, 2005 Revista KULT nga Çelësi, këtë libër e ka renditur të parin
në klasifikim. Një vit më vonë botoi romanin "Një dashuri e vrarë” dale
nga Shtëpia Botuese ARBËRIA, roman që është mirëpritur nga lexuesi dhe kritika
letrare. Sukses të madh pati në Vlorë libri monografik "Dr. Selahedin
Velaj, Legjenda vlonjate në Amerikë" i cili u promovua po në Vlorë në
sallën e Bibliotekës "Shefqet Musaraj" Në vitin 2013 doli para
lexuesit me romanin "Nuse në derën e hasmit" botuar nga Shtëpia
Botuese TOENA. Promovimi i këtij romani u bë në sallën Tefta Tashko Koço në
Ministrinë e Kulturës në Tiranë. Deri tani ka botuar gjashtë libra: 1) "Le
të jem unë Zamira" (Tregime) 2) "Një dashuri e vrarë" (Roman) i
cili edhe u ribotua. 3) "Kafeja" (Tregime) 4) “Faleminderit, shënime
nëpër vite" (përmbledhje publicistikë, esse...) 5) Dr. Selahedin Velaj,
Legjenda vlonjate në Amerikë", 6) "Nuse në derën e hasmit"
(Roman). Është aktiv në artin e kulturën shqiptaro-amerikane, prodhimtar në
letërsi e publicistikë, boton në median shqiptare e Diasporë. Për krijimtarinë
e tij është nderuar me disa çmime, në SHBA, si: “Pena e artë”, “Petro Marko”,
Cmimin e Parë në gjininë e romanit nga Revista FotjonArt dhe Cmimin e Parë në
gjininë e tregimit.Nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është
vlerësuar me çmimin "Pena e Artë" në gjininë e romanit: "Një
dashuri e vrarë”. Për këto merita, ai është zgjedhur sekretar i SHSHSHA-së, në
dy mandate.
Bisedoi:Raimonda
MOISIU
-Disa vëllime me prozë;romane dhe tregime, që
dëshmojnë gjithnjë e më shumë se jeni ndër autorët e mirënjohur, në dy dekadat e demokracisë në atdhe dhe
Diasporë. A ka dicka të tillë në fëmijërinë tuaj që ju hapi rrugën për t’u bërë
shkrimtar?
Dëshira për
të shkruar, apo për të interpretuar diçka, mendoj se është e lindur, por edhe
një shtysë nga familja.Unë jam lindur dhe rritur në një familje që e kanë
dashur librin dhe muzikën.
Prindërit
tanë lexonin. Ata na kanë nxitur ne katër fëmijët e tyre për të lexuar që në
fëmijërinë tonë të hershme.Kemi patur në shtëpi një bibliotekë të pasur me
librat e ndryshme të kohës.
Them nxitje,
sepse kur shikonim babin tonë që lexonte shumë libra dhe çdo libër i ri që
dilte në atë kohë ai e blinte, e sillte në shtëpi dhe e lexonte, na nxiste edhe
neve për të lexuar.
Mbaj mend nga
fëmijëria ime, libri i shumëlexuar dhe i suksesshëm: "Bubi dhe çufoja
kaçurrel" i shkrimtarit të mirënjohur Gaqo Bushaka, por edhe librin
"Bonjakët" më ka tërhequr aq shumë, sa duke e lexuar, unë i jetoja
ato ngjarje shumë të ndjeshme. Më kujtohen disa nga titujt e tregimeve nga ai libër: "Një kuti e
rrezikshme", "Në mbretërinë e merimagave"
-Çfarë ju ka pëlqyer në adoleshencë për të lexuar,
cilët nga autorët tanë pëlqeje më shumë?
Në adoleshencën tonë, ne kemi patur praktikën
mësimore në shkollë që shpesh mësuesit e letërsisë na jepnin një libër, ( na
"detyronin") zakonisht roman për ta lexuar dhe më pas për ta
reçensuar, që në gjuhën e nxënësve njihej me emrin, referat.
Ajo ishte një praktikë e mirë se doje apo nuk
doje, ishe i detyruar, jo vetëm për të
lexuar një roman, por edhe ta analizoje; të nxirje temën, idenë, personazhet
kryesore, qellimi, mesazhi që na jep autori i librit. Dihej që në atë kohë
ishin emrat e disa shkrimtarëve të njohur që ne na rekomandonin për ti lexuar.Më
kujtohet kur doli libri "Trëndafili në gotë" i shkrimtarit Dritëro
Agolli, që për vetë titullin e tij të tërhiqte për ta lexuar.
Nuk prita që të na e sillte babi në shtëpi, por
kam shkuar vetë në librari dhe e kam blerë me mendimin se mund të shitej shpejt
dhe nuk mund ta gjejë në dyqan. Atë libër e kam lexuar në kohë rekord.Gjithashtu
kam lexuar librat e Ismail Kadaresë, tregimet e Naum Priftit...
Poezia më ka pëlqyer shumë gjithashtu për ta
lexuar dhe pastaj edhe për ta recituar. Hyja në botën e magjishme në vargjet e
poetëve tanë: Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Agim Shehu, Zhuliana Jorganxhi...
-Cilat janë temat më të pëlqyeshme në krijimtarinë
tuaj, sa janë motivet vetiake? Cila ka qenë poezia apo tregimi i parë që keni
shkruar?
Po e filloj nga pyetja e dytë. Unë e kam përmendur edhe herë të
tjera, madje edhe ish mësueset e mija të nderuara të letërsisë, Parashqevi
Sahatçiu, Lira Zaka... e kanë përmendur
në komentet e tyre, unë kam qenë nxënës që më ka tërhequr shumë letërsia që në
bankat e shkollës dhe jam vlerësuar me notë maksimale. Hartimet e asaj kohe që
ne bënim në shkollë, ishin edhe ndër krijimet e mija të para letrare që unë të
shkruaja prozë. Si çdo shkollë edhe ne kishim
këndin e letrarit të ri, ku krijimtaria ime letrare bashkë me
krijimtarinë e nxënësve të tjerë përzgjidhej për t'u vendosur atje. Gjithashtu,
meqenëse kam qenë shumë i dashuruar me këngët e bukura shqiptare të festivaleve
në radiotelevizion, dëshiroja në ato vite me hovin dhe pasionin rinor të vetë
moshës që të shkruaja edhe vjersha. E ripërsëris: ato që hodhën themelet e para
të letërsisë tek unë kanë qenë Mësuesja e vlerësuar, e mira Parashqevi Sahatçi,
që unë dua ta quaj "Nderi i Beratit", Elpiniqi Papa. Ndërsa në vitet
e ardhshëm kam patur përsëri fat, sepse kam patur dy mësuese të tjera të
përgatitura në lëndën e letërsisë: e nderuara Lira Zaka dhe Zyma Berisha nga
Kosova. Madje ato kanë qenë udhëzueset dhe "redaktoret" e mija të
para kur unë fillova të shkruaj vjersha. Në vitet e shkollës së mesme, disa nga
vjeshat e mija u morën nga kompozitorët Teki Luari, Asqeri Kadëna, Fatmir
Agalliu dhe u bënë këngë. Me Fatmir Agalliun kemi fituar edhe çmimin e dytë. Një
peng që më ka mbetur nga vitet e mija të rinisë dhe që e përsëris shpesh,
është, kur unë shkruajta një reportazh nga Kalaja e Beratit në fillimvitet
80-të, sepse në ato vite, Kisha e Shën Gjergjit ishte kthyer në pikë turistike
ku qytetarët beratas ngjiteshin në fundjavë mes gjelbërimit të pishave dhe
ajrit të pastër, bukurisë që të ofron ai vend dhe nga ku qyteti duket si në pëllëmbë
të dorës; dhe një vjershë për gjyshen time që kishte pak vite që kishte ndëruar
jetë. M'i refuzuan, nuk m'i botuan në gazetën e asaj kohe DRITA ( Nuk e di pse
ia dërgova asaj gazete, kur ne në qytetin tonë kishim gazetën lokale).Dhimbjen
më të madhe e ndjeva më vonë, kur i pash pas disa javësh të botuara në gazetë
me autor tjetër...
U ndjeva shumë shumë keq shpirtërisht dhe
pesimist, por falë ndihmës së madhe të familjes sime, u mundova ta përballoja.Temat
më të pëlqyera për mua janë temat nga realiteti i jetës sonë. Tema, që mbajnë
peng dhe janë shqetësuese, të dhimbshme për jetën, shoqërinë, familjen e sotme shqiptare, por pa haruar
edhe dhimbjen e madhe që kemi kaluar. Përshembull, në vëllimin me tregime
"Le të jem unë Zamira..." midis temave të ndryshme, unë kam shkruar
edhe për jetën shqiptare në kohën e komunizmit, duke trajtuar problemin e
empancipimit social e psiqik të shoqërisë shqiptare. Zamira, personazhi kryesor
në tregimin me të njëjtin titull paguan haraçin e njohjeve të moshës, por një
flirt i rastit, një gabim i zakonshëm, iu kthyen në një rrugë të mbyllur për të
ardhmen e martesës dhe krijimit të një familjeje normale.Motivet vetiake në
krijimtarinë time, mund të ketë një përqindje shumë të vogël, sepse nuk më
pëlqen që një ngjarje e jetuar apo e dëgjuar të ulem e ta shkruaj. Unë dëshiroj
të shkruaj thjesht me imagjinatën time, por, ajo që mendoj të shkruaj ka lidhje
me jetën tonë reale.I vetmi motiv vetiak, madje 100% vetiak, është tregimi
"KAFEJA" i përmbledhur në vëllimin me tregime me të njëjtin titull.
-Në tërësi ju jeni një autor i shëndetshëm,
profilik, me besimin solid për jetën; megjithatë herë herë vihen re doza
melankolie të ndjeshme, Si bashkëjetojnë optimizmi me pesimizmin te ju?
Krijuesit letrarë kanë ndjenjë, imagjinatë,
fantazi... për atë që ata mendojnë për të shkruar.
Në veprën e tij, krijuesi letrar shpreh ndjenjat
që burojnë nga shpirti i tij për t'ia dhënë lexuesit dhe këto zakonisht krijojnë
atë, melankolinë e ndjeshme.Melankolia, mendoj unë, është dhe duhet të jetë
pjesë e krijimtarisë letrare sipas ngjarjes, personazheve që krijuesi ka
menduar për të shkruar.Duke qenë edhe tip
i ndjeshëm për ngjarje të ndryshme, sigurisht që edhe doza e melankolisë
të del vetvetiu sipas asaj që shkruaj, zakonisht në monolog apo në dialog.
Unë kam shumë vite larguar nga atdheu dhe këtu ku
ne jetojmë bashkë nuk mund të ndjehesh pesimist, por, meqenëse unë gjatë këtyre
viteve kam shkruar për jetën shqiptare, i kam trajtuar ato elementë që kanë
mbjellë pesimizën në popull. Edhe pse kanë kaluar shumë vite nga ndryshimi i
sistemeve politike, pjesa më e madhe e shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri,
vazhdojnë akoma të ndihen pesimistë. Është ai pesimizëm që ka mbërthyer pjesën
më të madhe të shqiptarëve që, duke mos patur një të ardhme në vendin e vet,
dëshirojnë të largohen nga atdheu...
- Unë
vecanërisht, do të përmendja romanin
më të fundit tuaj, “ Nuse në derën e hasmit”- që pati jehonë në letrat
shqipe, por dhe mjaft i vlerësuar nga
kritika e kohës, e i promovuar në pjesën më të madhe të trojeve
shqiptare. Cfarë ju tërhoqi për të shkruar këtë roman? Përse ky titull? Si kini
arritur ta realizoni botimin e tij?
Romani "Nuse në derën e hasmit" është
libri im i fundit, botuar në vitin 2013 nga Shtëpia Botuese TOENA, promovimi i
të cilit u bë po vjet në sallën Tefta Tashko Koço, në Ministrinë e Kulturës në
Tiranë. Siç po e përmendni edhe ju, romani është mirëpritur nga lexuesi dhe nga
kritika letrare ashtu si edhe romani tjetër "Një dashuri e vrarë".Ajo
që më tërhoqi për të shkruar atë roman me temë gjakmarrjen dhe që ngjarjet unë
i kam vendosur në Nju Jork dhe në Shqipëri, ishte pengu im që unë të shkruaja
për atë plagë tepër të dhimbshme që vazhdon edhe sot e kësaj dite të kullojë
dhimbje.Gjakmarrja, femonemi i përhapur në Shqipëri, është një çështje e
dhimbshme që kanë shkruar edhe autorë të tjerë. Por çdo krijues letrar ka
mënyrën dhe metodën e tij për ta shkruar. Menjëherë pas viteve 90-të shoqëria
shqiptare, midis të tjerash po përballet me dy "plagë" të mëdha
infektuese që kanë mbjellë dhe vazhdojnë të pikojnë dhimbje të mëdha në
familjet shqiptare: prostitucioni dhe gjakmarrja.Këto dy plagë të dhimbshme,
ishin si një peng që unë mbaja në veten time për të shkruar. Ishin një
gërvishtje në shpirtin, një goditje në ndërgjegjen time që trokisnin shpesh
herë në mendjen time që unë duhet të
shkruaja për këto dy plagë të dhimbshme. Dhe pas një pune këmbëngulëse,
ia arrita dhe jam çliruar nga ai peng.
Për të parën, prostitucionin, shkruajta romanin
"Një dashuri e vrarë" dhe tjetra, romani që përmendët ju. Titulli
"Nuse në derën e hasmit", është përzgjedhja më e mirë që ka marrë
libri, madje është një frazë e shkëputur nga libri, kur mamaja Evelinë, pasi
mësoi lidhjen e vajzës së saj me hasmin e familjes së tyre, midis të tjerash,
kur flet me veten e saj thotë: "Çna bëre moj bijë, po hyn nuse në derën e
hasmit...". Botimi i atij romani, siç e kam përmendur edhe më sipër, u
arrit të botohej nga Shtëpia Botuese prestigjoze TOENA në Tiranë. Libri si
fillim u dërgua për botim, por, pasi kaloi në "filtrin" e këshillit
botues dhe u pëlqye, u vendos që edhe të botohej, madje, redaktor u përzgjodh
po nga TOENA, i miri Prof. i respektuar Bardhyl Xhamo.
-A kanë diçka nga jeta reale në librat tuaj? Cfarë
lloj kërkimi keni bërë për to?A keni pasur materiale apo ngjarje që ju kanë
ndihmuar në shkrimin e tyre?
Unë e kam përmendur edhe më sipër, që më pëlqen të
shkruaj vetëm me fantazinë dhe imagjinatën time, por që ngjarjet që mendoj të
shkruaj kanë lidhje me jetën reale, kudoqoftë ajo, në Shqipëri a diku
tjetër.Unë nuk kam bërë asnjë kërkim dhe asnjë material nuk kam shfletuar për
të më ndihmuar për të shkruar. Jetën e sotme në Shqipëri për të cilën unë edhe
kam shkruar librat e njoh vetëm nëpërmjet shtypit të përditshëm që lexojmë në
internet. Por, kur sheh në televizor apo në gazetë një fëmijë shqiptar të
pafajshëm, i ngujuar nga gjakmarrja, me sy të përlotur kërkon pafajësinë e
fëmijërisë së tij, ai lot, të bëhet plumb; të godet dhimbshëm në shpirtin tënd.
Dhe shpirti ynë, nuk e ka atë forcë magjike sa ta shpëtojë atë fëmi, ata qindra
fëmijë të tjerë të pafajshëm të ngujuar nga kthetrat e kuçedrës së mallkuar me
emrin e dhimbshëm dhe të frikshëm: GJAKMARRJE.Shpirti ynë, nuk e ka forcën të
ndalojë dorën vrastare, të fshijë ata lot të rrjedhshëm fëmije, të rënduar nga
pesha e madhe e dhimbjes...
Dhe, meqenëse nuk i kemi këto forca ndalese,
mendojmë, imagjinojmë dhimbshëm se si mund të nxjerrim një vepër letrare për ti
dhënë fund këtyre plagëve. Unë kam zgjedhur mënyrën time në roman duke i dhënë
një zgjidhje, nëpërmjet gjakfaljes, e cila nuk ishte e lehtë, madje shumë e
vështirë për një besimtar të thekur tek Zoti. Kjo është edhe ironia e fatit, që
nga njëra anë kemi besimtarë në Zot dhe nga ana tjetër po ata besimtarë
dëshirojnë të shkrepin armën vrastare me të njëjtën dorë me të cilën i luten
Zotit në kultet e shenjta fetare.
-A keni shkruar ndonjë poezi? Po qe se po, cfarë shërben si frymëzim për të shkruar poezi,
dhe për të dhënë një poezi cila është pjesa më e vështirë?
Poezi! Mendoj, se sot, është tepruar shumë me
fjalën e artë, poezi.
Të shkruash poezi është shumë vështirë; e kam
fjalën për poezi të mirëfilltë, jo vargëzime të rimuara siç lexojmë shpesh.Po harrohen
fjalët, bejte, vjersha... dhe këto, nga autorët janë zëvendësuar me fjalën
poezi.Krijues letrarë sot ka shumë dhe, çdo varg që ata shkruajnë e titullojnë,
poezi, pavarësisht se mund të jetë bejte, vargje të lira, rimim vargjesh...
apo edhe vjershë e thjeshtë.Poezia është
një zhanër sa i bukur, po kaq edhe i vështirë për t'u shkruar. Jo çdokush
shkruan poezi.Unë më sipër kam përmendur se, që në rininë time të hershme kam
shkruar vjersha, disa prej të cilave u bënë këngë. Por, për të shkruar edhe
poezi, siç po e përmend edhe ti, patjetër që duhet edhe frymëzimi, ndjeshmëria.
Unë kam shkruar vargje poetike që ia kam kushtuar prindërve të mi të ndjerë
dhe, sigurisht, jam frymëzuar nga mungesa, malli, dashuria që kam ende për ata
dhe do të kem sa të kem frymë në jetën time. Unë kam shkruar edhe vargje
poetike, kushtuar qytetit ku unë jam lindur dhe ritur, Beratit tonë të ndritur
dhe, sigurisht, dashuria që ndjej për të, largësia, mungesa... më kanë
frymëzuar të shkruaj.Pjesa më e vështirë është, si mund ta vargëzosh, ta
shprehësh atë ndjenjë, mall... që të
frymëzon, në mënyrë figurative. Nëse një krijues letrar, kur shkruan një poezi,
sikur edhe katër rreshta të jenë dhe në ato katër rreshta ka arritur të
shkruajë atë, që një shkrimtari do ti duhej një prozë e tërë për ta pasqyruar
në libër, mendoj se, e ke arritur kulmin e krijimtarisë poetike... Kjo është
edhe pjesa më e vështirë, sigurisht edhe më e suksesshmja për një poet.
-A keni ndonjë ndjesi të veçantë kur ju shkruani
një poezi të bukur, të ndjeshme e të mirë, me ton qytetar e intelektual?
Ndjesi të veçantë! Nuk mund të them se kam ndonjë ndjesi të veçantë, por
vetë realiteti ku ne jetojmë ka plot ndjesira.
Ndjesia e veçantë e poetit është kur vargu i tij
poetik pëlqehet dhe vlerësohet nga lexuesi...
-Kur shkruani, cili është vendi tuaj më i
preferuar, në studio, në natyrë apo krejt
rastësisht edhe duke pirë kafe diku?
(Qesh) Të shkruarit nuk ka ndonjë vend të caktuar,
sepse edhe muzën nuk e komandon dot të të vijë e të frymëzojë për të shkruar
atje ku mund të ndodhem.Nëse e ke
menduar dhe fillon të shkruash, imagjinata të shoqëron ngado që shkon. Ka raste
që edhe në tren kur shkoj në punë, vijnë mendimet dhe i shkruaj në letër, për
ti hedhur pastaj në kompjuter kur shkoj në shtëpi. Madje ka patur raste që edhe
kur shtrihem për të fjetur, nëse më vjen
në mendje, më kujtohet diçka për të cilën kam filluar të shkruaj, çohem dhe
vazhdoj mendimet që më vijnë.Por edhe kur jam ulur përpara kompjuterit dhe
lexoj atë çfarë kam shkruar më parë, i përqendruar i tëri duke e jetuar
ngjarjen, mendimet vijnë vetë për ta vazhduar...
-Çfarë është muza për ju, është aftësi gjenetike,
sipas mendimit tuaj?
Muza është një dhunti e lindur.Lum kush e ka atë
fat të ketë muzë për të krijuar e për të shkruar.
Por unë e pranoj se muza është edhe aftësi
gjenetike. Kam rastin e babit tim të ndjerë; atij i pëlqente të shkruante,
madje në rininë e tij ka shkruar një poezi apo vjershë më mirë të them, të
gjatë me 22 strofa. Ia kishte dedikuar vetes së tij. (Meqenëse është rritur
jetim, sepse babai i tij e ka lënë shumë të vogël, gjashtë muajsh foshnjë). Ajo
vjershë e tij ka qenë e njohur ndër miqtë, shokët, gjithë të afërmit tanë. Edhe
ne kur ia kërkonim në shtëpi, e recitonte shpesh.Edhe në gëzime të ndryshme
familjare mes miqve, sajonte shpesh batuta të çastit, vargje humoristike...
Prandaj e them se është edhe gen.
- Ju keni një karrierë krijuese edhe në
publicistikë, vecmas në rubrikën, për artin dhe kulturën shqiptare, me profile
këngëtaresh jashëzakonisht të talentuar ndër dekada. Kam lexuar diku se ju kanë
cilësuar si gazetari: “Mbret i Kujtesës”, plot 1000 tekste këngësh që ju i kini
ngulitur në memorien tuaj. Ç’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e
përkushtim profesional?
Muzika! Muzika e bukur shqiptare! Këngët e
festivaleve në radiotelevizion, të anketave muzikore, Koncertet e Majit...
Këngëtarët tanë të mrekullueshëm, kanë qenë ushqimi im shpirtëror, miqtë e mi
më të afërt që më kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës sime qysh kur kam qenë
fëmijë. Dua t'ju korrigjoj pak, kur thua se di plot 1000 tekste këngësh. Janë
mbi njëmijë, sepse unë nuk i kam numëruar, por, këtu përfshi edhe këngët e
ndryshme e të bukura popullore nga krahinat shqiptare.Për kujtesën time të të
mbajturit mënd të teksteve të këngëve, unë, përveçse kam shkruar shpesh në web
site dhe gruplista të ndryshme në internet, kam dhënë edhe prova direkte në
ekranet e ndryshme të kanaleve televizive shqiptare: Vision Plus, Top Chane,
RTSH, si edhe në redaksi gazetash të ndryshme. Kam qenë i ftuar në programet e
tyre televizive drejt përsëdrejti me telespektatorin dhe çdo kënge që më
jepeshin, i jam përgjigjur menjëherë duke e vazhduar këngën.Përveç këngëtarëve
që i kanë kënduar nëpër vite të ndryshme,
në shumë këngë, mbaj mend edhe autorët e tekstit dhe muzikës.Më jepnin
të dëgjoja 4-5 sekonda hyrjen muzikore të një kënge (introduksionin) kënduar
para 10, 20, 25..., vitesh dhe e ndërprisnin, duke më lënë mua të vazhdoja
këngën ta këndoja. Përveç se e vazhdoja këngën, thoja dhe se në cilin aktivitet është kënduar dhe nga
kush këngëtarë. Madje edhe me poeten e nderuar të Kombit tonë e mirënjohura
mikja jonë Zhuliana Jorganxhi, kur u takuam në Trieste biseduam edhe për këngët
e ndryshme nëpër vite, të cilat i kujtuam dhe i kënduam bashkë me Zhulianën
tonë të mrekullueshme, që edhe ajo ka një kujtesë për fortë...Rasti më i fundit
ka qenë vitin e kaluar kur u takova me kompozitorin e suksesshëm Aleksandër
Lalo në Tiranë... dhe unë i kujtoja
këngët e ndryshme sipas radhës nëpër vite. Po kështu edhe me këngëtaren e
mirënjohur Alida Hisku, Frederik Ndoci, etj.Për vetë këtë kujtesë që kam për
këngët, unë kam shkruar shpesh për aktivitetin artistik nëpër vite për
këngëtarë të ndryshëm dhe i kam përmbledhur në librin FALEMINDERIT shënime
nëpër vite, si: Lindita Theodhori, Tonin Tërshana, Alida Hisku, Ema Qazimi,
Frederik Ndoci, Luan Zhegu, Ludmilla Baballëku, Eduard Jubani...
-Gjatë hulumtimit rreth krijimtarisë tuaj kam
hasur titullin e veprës tuaj monografike
“Legjenda vlonjate”. Pse zgjodhët Prof.
Selaudin Velaj, si fokus të librit monografik? A mund të na jepni disa mendime
rreth librit?
Në gjashtë librat e mi që më janë botuar deri
tani, është edhe libri: "Dr. Selahedin Velaj, Legjenda Vlonjate në
Amerikë". Dr. Selahedin Velaj, me origjinë nga Kanina e Vlorës, prej gati
70-të vitesh që jeton në Sh.B.A. është një figurë e ndritur në diasporën tonë.
Ky personalitet, intelektual që gëzon respektin, vlerësimin, mirënjohjen nga të
gjithë ata bashkatdhetarë që e kanë njohur, nuk ka rreshtur kurrë duke dhënë
kontributin e tij personal, madje edhe material për çështjet e ndryshme
shqiptare.Nuk dua të zgjatem shumë, sepse pak a shumë janë përmbledhur në
librin që cituat ju, por po veçoj disa prej tyre: Me iniciativën e Dr.
Selahedin Velaj-t, në bashkëpunim me disa miq e shokë të tij, në vitin 1965 u
hap shkolla shqipe në Nju Jork. Për disa muaj mësimi zhvillohej në Kishën
Ortodokse “Shën Nikolla”.në qendër të Manhattanit.
Në vitin 1972 gjatë periudhës së satrapit serb,
Dr. Selahedin Velaj mori kontakte me Kryetarin e Partisë Republikane të Shtetit
të Connecticut, Senatorit Lowell Weicker. Edhe në Departamentin e Shtetit, ku
ata shkuan, trajtuan të njëjtat shqetësime.Përsëri, në tetor të vitit 1992, Dr.
Selahedin Velaj ishte një nga iniciatorët dhe themeluesit e rihapjes së
shkollës shqipe në Nju Jork.
Ai ishte njëri nga anëtarët e Kryesisë së
Këshillit të Arsimtarëve. Dr. Velaj dhe një grup tjetër shokësh, bënë të mundur
për hapjen edhe të tri shkollave të tjera shqipe: një në Bronx, një në Staten
Island dhe një në Brooklyn.Në pranvera e zezë dhe e hidhur shqiptare të vitit
1997... Dr. Selahedin Velaj bashkë me mikun e tij, zotin Gjekë Gjonlekaj, duke
qënë se ai kishte punuar me qeverinë federale amerikane në Radion Zëri i
Amerikës për një kohë të gjatë, shkuan posaçërisht në Washington DC në zyrën e
senatorit Helmes, një konservator,
ndoshta më i madhi që ka patur Sh.B.A. në senat, një antikomunist që ishte
kryetari i komisionit të senatit për marëdhëniet me botën e jashtëme. Atje
biseduan për gjashtë orë të tëra duke u shprehur shqetësimin e tyre për
situatën tronditëse që ishte krijuar në Shqipëri.Pastaj shkuan po për të
njëjtin qellim në zyrën e kongresmenit Beniamin Gillmen në Washington.Përsëri
me zotin Gjekë Gjonlekaj, në shkurt të vitit 1999 shkuan në
Rambuje-Francë, ku po diskutohej fati i
Kosovës; marrëveshja e përkohshme për paqe dhe vetqeverisje në Kosovë.Në
Rambuje, Dr. Velaj shkoi vullnetarisht për t'iu gjendur pranë popullit të
Kosovës, për t'iu dhënë zemër, entusiazëm, ashtu si edhe zoti Gjonlekaj. Dr.
Velaj ka përkthyer në gjuhën shqipe edhe librin: Struktura Etike e Kanunit dhe
Nënkuptimet e saj Kulturore" të profesorit japonez Kazuhiko Yamomoto
Në muajin Shtator 2005 Dr. Selahedin Velaj-t i
erdhi një ftesë zyrtare nga Universiteti KVUSHO i ishullit Fuokoka, i cili e
ftonte të mbante një ligjëratë prej 90-të minutash në muajin Dhjetor.
Për dy ditë resht doktori i nderuar Selahedin
Velaj mbajti dy referate prej 90 minutash. Një në
Universitetin e KYUSU ne FUKUOKA dhe tjetra në Tokio. "The true fact about
Kosova's problem with Serbia". Flamuri Shqiptar u valëvit i bukur dhe
krenar në qiellin e Japonisë, i çuar personalisht nga Dr. Velaj. Në fund, falë
kontributitpersonal të Dr. Velaj-t u
nënshkrua një Rezolutë për Pavarësinë e Kosovës
në më tepër se 135 njerëz, intelektualë japonezë të ndryshëm.Menjëherë
pas rrënies së komunizmit në Shqipëri, Dr. Velaj bashkë me dy djemtë e tij,
ndërmorën një fushatë ndihme për popullin dhe spitalin e Vlorës, duke shkuar
vetë në Shqipëri.
Shuma e
ndihmës shkonte disa dhjetëra mijë dollarë.Të njëjtën ndihmë ata e dhanë edhe
për popullin vëlla të Kosovës gjatë kohës së luftës.Për këto e shumë raste të
tjera, duke e njohur vetë edhe nga afër, megjithëse Dr. Velaj është njeri i
heshtur, punon dhe nuk i pëlqen të ekspozojë atë që bën, unë mendova të shkruaj
një libër, ashtu siç e përmendët edhe ju duke e quajtur Legjenda Vlonjate në
Amerikë.
-Pas disa
librave shumë të sukseshëm për të
shkruar prozë të mirë, me shkrim të qartë e gramatikisht korrekt, cila është
lidhja midis veprave tuaja?
I kam
përmendur më sipër emrat e mësueseve të mija të letërsisë në shkollë.
Është merita,
puna e tyre e madhe ndaj ne ish nxënësve që na kanë mësuar me shumë përkushtim
gramatikën dhe korrektësinë në të shkruar.Tani e kuptojmë dhe e vlerësojmë
punën e tyre të shkëlqyer që kanë bërë me ne, ish nxënësit e tyre.Çdo njeri e ka
të vështirë të flasë për veten e tij, por për ta plotësuar pyetjen tuaj po ju
jap një shembull: Jam ndjerë shumë i emocionuar kur mësuesja e talentuar Lira
Zaka në orën e korrigjim hartimit, pasi foli për rezultatin e hartimit,
papritur më thërret mua të çohem në dërrasën e zezë. U emocionova shumë.
Mësuesja më lexoi disa fjali që unë ti shkruaja. Pasi mbarova, e lexoi vetë ato
çfarë kisha shkruar dhe u tha nxënësve të tjerë. Ja si shkruhet hartimi pa
gabime ortografike... Është i vetmi nxënës që ka marrë notën më të lartë...
-Si ndjeheni
pas gjithë kësaj periudhe që shkruani si
prozator apo publicist?
E kam të
vështirë të përcaktoj në krijimtarinë
time letrare. Unë kam shkruar edhe prozë edhe publicistkë. Në të dyja këto
gjini letrare kam botuar libra.Le të jetë lexuesi ai që mund të më vlerësojë edhe për atë çfarë unë kam shkruaj
dhe do vazhdoj të shkruaj...
--A ka
kritikë të mirëfilltë letrare sot?
Kritikë
letrare të mirëfilltë sot, për mendimin tim ka pak, shumë pak.
Vendin e
kritikës letrare sot, më tepër po e zënë mburrjet dhe lëvdatat e krijuesve
letrarë ndaj njëri tjetrit. Kjo, në vend që ta ndihmojë krijuesin letrar, e
dëmton, sepse, siç e kam përmendur në
shkrimet e mija të mëparshme, pa kritikë letrare, vepra s'ka vlerë.Po ju
jap një shembullin tim: Në vitin 2005, kur mua m'u botua vëllimi me tregime
"Le të jem unë Zamira" Revista KULT nga Çelësi, e kishte klasifikuar
të parin. Promovimi i librit u bë në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe
Artistëve në Tiranë. Sigurisht, pati diskutime, vlerësime për librin. Por, kur
diskutoi shkrimtari dhe përkthyesi i mirënjohur Hysen Sinani, midis të tjerash
dha mendimet e tija të vyera për çdo krijues letrarë, mendime, të cilat mua më
vlejtën shumë për t'i patur parasysh në krijimtarinë time letrare të ardhshme.
Ja pse duhet
sot kritika e mirëfilltë letrare, e cila edhe duhet vlerësuar.
- A keni
përjetuar fëmijëri të lumtur?A ka pasur në fëmijërinë tuaj se një ditë do të
bëheshit shkrimtar?
Për vetë
kohën dhe kushtet që ne jetonim ne në atë kohë, si të gjithë moshatarët e mi
edhe unë kam kaluar një fëmijëri të bukur e të gëzuar.Kemi qenë një familje e
shkëlqyer, e lumtur, e gëzuar, ku prindërit tanë të mrekullueshëm, të
pazëvendësueshëm, me aq sa kishin, mundoheshin të na i plotësonin kërkesat,
sipas kohës.
Ndërsa rinia
ime...
(Hesht!
Përqendrohet duke i hedhur sytë diku i pavëmendshëm, sikur mendohet dhe sikur
don të fshehë diçka nga ato vite...Pas një heshtjeje, vazhdon të flasë)
Rinia ime ka
qenë shumë e vështirë. Jeta, fati, më dënuan që në moshën time më të bukur të
adoleshencës, të më ikte njëherë e përgjithmonë nga kjo jetë që kurrë s'e kisha
menduar, njeriu më i shtrenjtë në botë, MAMAJA! E përjetova shumë keq, shumë
shumë dhimbshëm humbjen e mamasë sime te mrekullueshmes, të mirës mama, Athina
që, edhe pse po afrohen 35 vjetë nga vdekja e saj, kur shkoj në Shqipëri e
kujtojmë me mall, pse jo edhe përlotem kur e kujtojmë emrin e saj. Ndjehem
krenarë për ata prindërit e mi të ndjerë e të mrekullueshëm, të pafatë...
Ai fat i keq
i imi, bëri, që unë të jetoja gjithë rininë time, të vrarë, që nuk kishte
melhem të ma ndalonte dhimbjen dhe mungesën e mamasë edhe pse dashurinë e gjeta
tek babai, vëllai dhe dy motrat e mija. Për t'u bërë shkrimtar, apo krijues
letrar më pëlqen më shumë të them, edhe e ëndëroja, sepse letërsia kishte
filluar të më tërhiqte që në bankat e
shkollës siç e kam përmendur më sipër.
Por kam patur ëndër të madhe muzikën; të këndoja, të interpretoja...Meqenëse
profesioni im është ai i ekonomistit, unë kam studjuar edhe për trompë, kam interpretuar në instrumentin e trompës.
Këto kohët e fundit ju jeni bërë protagonist në
radio dhe televizionin gjerman. Mund të flisni diçka
rreth kësaj?
Po! E kam
thënë dhe është shkruar edhe herë tjetër.Vitin e kaluar jam njohur me gazetarin
gjerman Fritz që, edhe pse në largësi, njohja jonë tashmë është kthyer në
miqësi.Gazetari gjerman është i interesuar për artin dhe kulturën shqiptare dhe
kishte menduar të bënte një emision, i cili, për këtë duhet vlerësuar
shumë.Nëpërmjet skype, u mundësuan dy bashkëbisedime në formën e intervistës
midis meje dhe gazetarit ( ishte interesimi i tij për të më intervistuar mua)
transmetuar në radio televizionin
gjerman.Po vitin e kaluar, ky gazetar më nderoi, duke ardhur posaçërisht nga
Berlini në Tiranë, për të qenë pjesëmarrës në promovimin e librit tim
"Nuse në derën e hasmit" në sallën e Ministrisë së Kulturës në
Tiranë, ku edhe diskutoi.Para pak javësh, ishte një e papritur tjetër për mua;
në postën time private në shtëpi, më erdhi nga Gjermania një kartolinë urimi
bashkë me CD e përgatitur nga gazetari ku unë midis të tjerash shikoja dhe
dëgjoja veten time.
- Cfarë është
dashuria për ju?
Dashuria
është ndjenja më e shenjtë e çdo njeriu. Jeta pa dashuri nuk ka kuptim. Kur flasim për dashurinë nuk duhet të kuptojmë
vetëm atë ndjenjë të shenjtë intime që e ka çdokush nga ne. Njeriu ka shumë
dashuri; dashuri për jetën, për familjarët, të afërmit, miqtë, shokët... dhe të
gjitha këto dashuri janë të shenjta.rë është dashuria për ju?
- Kush ju mbështet shpirtërisht në krijimtarinë
tuaj të larmishme letrare?
Sigurisht, familja ime, bashkëshortja dhe dy
djemtë e mi janë mbështetësit në çdo kohë.
Me bashkëshorten shpesh herë shkëmbej mendime të
ndryshme. Ajo është
lexuesja e parë. Sa herë unë mbaroj së shkruari atë që kam menduar, ia lexoj asaj dhe, sigurisht edhe ajo jep
mendimin e saj.I falenderoj dhe i
vlerësoj që, jo vetëm janë mbështetësit e mi, por më krijojnë edhe
kushtet pa më shqetësuar sa herë mua më vjen frymëzimi dhe ulem e
shkruaj.Ndjehem një bashkëshort i nderuar dhe një baba i lumtur.
Ju faleminderit!
Faleminderit ju Monda për këtë bashkbisedim
dhe për kontributin e çmuar që ju jepni me shkrimet e tua dhe bisedimet me
personalitetet e shumtë shqiptare nga
fushat e ndryshme të jetës.
Suksese edhe juve në krijimtarinë tuaj
letrare.
Bisedoi:Raimonda
MOISIU
No comments:
Post a Comment