Bujar Abedinaj
PËRZGJEDHJA INTELIGJENTE MIDIS TEORIVE DHE
ÇËSHTJET E SIGURISË NË BALLKAN
Bujar Abedinaj,
Doktorant pranë Akademisë së FA
Email: b_abedinaj@yahoo.com
Trajtesë e shkurtuar: Punimi
nis nga premisa se zgjidhjet inteligjente janë një proces përzgjedhjeje
edhe në nivelin e teorive. Përzgjedhja inteligjente këtu nuk iu
adresohet teorive të veçanta, duke
fetishizuar, ose duke u radikalizuar pas njërës apo tjetrës, por
elementëve të veçantë brenda tyre, diku më tepër dhe diku më pak, kaq
nga kjo dhe aq nga ajo, ose tani këtu dhe me vonë atje. Kjo përzgjedhje
është puna e elitave që mbështesin vendim-marrësit e politikë-bërësit,
por që, më parë, këto elita duhet të formohen nga Universitetet.
Qëllimi
i kësaj teme është të paraqesë një teknikë të përgjithshme të
përzgjedhjes inteligjente midis elementeve të teorive dhe shkollave të
ndryshme në fushat e formimit të njohurive, të
filozofisë, të politikës, të strategjisë, si dhe në çështjet e
sigurisë. Metoda e përdorur manovron me koncepte të gjera ndërsa
përfundimet synojnë të qëndrojnë sa më në përgjithësi, duke u distancuar
nga pretendimi për zbatimin e tyre pa përjashtim, në çdo rast konkret.
Në
përzgjedhjen e elementëve midis teorive merret parasysh interesi
pragmatik në formulimin dhe shfaqjen e njohurive dhe devijimi i të
vërtetave konkrete në dobi të rezultateve të perspektivës. Këtu fokusi
kryesor vendoset mbi përzgjedhjen në botime dhe
konkurrueshmërinë në universitete, ku përgatiten elitat që furnizojnë
stafet teknike të mbështetjes.
Në
përzgjedhjen e elementëve midis ideologjive udhëheqëse zhvillohet një
përqasje në triumfin dhe pozitat e konkurrueshmërisë aktuale të
filozofisë së mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në raport me rënien e
materializmit dialektik dhe historik dhe zëvendësimin në vitet e fundit
nga ideologjia ruse e “demokracisë sovrane”, që, gjithashtu, them se
nuk duhet neglizhuar.
Ndërsa
në përzgjedhjen e elementëve midis teorive të ndryshme të sigurisë
zhvillohet një përqasje evoluese në diferencat mes Konferencës së
Torontos (maj 1994) lidhur me mbrojtjen ndërkombëtare të të drejtave të
njeriut dhe Shkollës së Kopenhages (një vit më pas) , si përgjigjja
evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut – nga pikëpamja e
mbijetesës shoqërore dhe kombëtare, ku kjo e fundit vlerësohet si më e
përshtatshmja për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Fjalët kyçe: teori, universitete, ideologji udhëheqëse, studimet e sigurisë, konferenca eTorontos, shkolla e Kopenhagës.
Përzgjedhja e elementëve midis teorive e shkollavetë ndryshme lidhur me formimin e njohurive
Nuk
mendoj se është e rastit, që duke respektuar parimin e pluralizmit të
ideve, rrymave, shkollave a teorive, vendet demokratike nuk preferojnë
të pozicionohen zyrtarisht në krah të njërës apo tjetrës teori,
(megjithëse ndonjëra mund t’u pëlqejë më tepër.) Kjo ndodh sepse teoritë
nuk janë përfundimtare, (1) por edhe sepse brenda teorisë më pak
të besueshme, mund të ketë gjithashtu diçka të vërtetë.
Në
fakt, e vërteta nuk është përtej teorive, por diku brenda tyre. Një
teori mund të jetë më pak e besueshme ose më e gabuar sesa tjetra, por
jo se në të nuk ka sadopak të vërtetë. Dhe e kundërta: Një teori mund të
jetë më e besueshme ose me mundësi gabimi më të vogël se tjetra, por
kjo nuk do të thotëse edhe brenda saj nuk ka, aty këtu, edhe ndonjë
gabim, (ndonjëherë, mbase edhe mashtrim.)
Në
vendet demokratike ndodh shpesh që teoritë e ndryshme të polarizohen në
dy anë të kundërta, ose, së paku, të priren drejt diferencimit. Kështu
p.sh., “teoritë sociologjike shpesh karakterizohen sipas theksit që vënë
më fort te agjencia apo te struktura – dhe rrjedhimisht
në raport me debatin mbi agjencinë përkundrejt strukturës”, (Marshall,
2009, f. 11-12.) I njëjti fenomen mund të konstatohet në teoritë
filozofike (mes materializmit dhe idealizmit në përgjithësi, apo mes
racionalizmit dhe empirizmit në veçanti, (Marshall, 2009,f. 86-87)), por
edhe në teoritë e marrëdhënieve
ndërkombëtare, që diferencohen dhe polarizohen në debatet mes dy
grupimeve të mëdha: realistëve dhe idealistëve, etj.
Por
për të kuptuar më mirë faktorët dhe rrethanat që shoqërojnë një
polarizim apo diferencim të tillë, po ndalim më gjerësisht në rastin e
teorive të marrëdhënieve ndërkombëtare. Në kontekstin e këtyre teorive,
sipas Dorff (2009), realistët nisen nga supozimi se shtetet-kombe janë
aktorë racionalë, që vendimet e tyre i mbështesin te interesat e kombit,
pavarësisht se nga kush drejtohen. Ndërsa idealistët sjellin në
vëmendje se shpesh herë
vendimet përcaktohen nga individët, pavarësisht nga interesat e vërteta
të kombeve që përfaqësojnë. Realistët besojnë se “shteti-komb është ajo
që ka vërtetë rëndësi”, ndërsa idealistët besojnë më tepër te
institucionet mbi-kombëtare.
Nisur
nga ballafaqimi më sipër mes dy rrymave a shkollave të mendimit, unë
mendoj se është e vështirë të besohet se nuk ka edhe realistë, që,
pavarësisht mendimit të tyre dominues, të mos lenë “disa pikë” për
idealistët, dhe anasjelltas. Sepse as realistët nuk mund ta përjashtojnë
rolin e
individit dhe as idealistët, nuk mund ta përjashtojnë rolin e një
emëruesi të përbashkët (të interesit kombëtar) ndërmjet individëve.
Mbi-theksimi
ose përforcimi në njërin pol ose në polin tjetër, nga njëra anë mund të
synojë qartësimin e dallimit ndërmjet dy shkollave dhe, nga ana tjetër
përdorimi i kundërthënës ndërmjet teorive mund të ndihmojë që, nëpërmjet
debateve mbi to në kontekstin e perspektivës, të fshihet mendimi
(synimi) i vërtetë, që ka vlerë për aktualitetin. Kështu p.sh., besimi i
idealistëve “më tepër te
institucionet mbi-kombëtare” nuk bën gjë tjetër veçse anashkalon
përplasjen me besimin e realistëve te institucionet kombëtare, kur dihet
që edhe institucionet mbi-kombëtare, në një mënyrë a tjetër,
përcaktohen nga fuqia dhe kontributi individual i kombeve të veçanta.
Fantazia
e teorive dhe teoricienëve, qofshin këta realistë apo idealistë, mund
të shkojë shumë larg dhe ata mund të kenë hipotetikisht të drejtë, në
kushte e rrethana teorike, secili sipas mënyrës së vetë. Por “e drejta” e
tyre është e vështirë të vërtetohet, sepse në lojë futen analistët
strategjikë “të politikës aktuale”, (2) të cilët, po të shprehemi në
mënyrë figurative, devijojnë trajektoren nga drejtimi që paracaktohet se
ku duhet “të arrijë”, (pavarësisht nga parashikimi i
teoricienëve.)Përndryshe, sot, në epokën e informacionit betejat
zhvillohen në lartësi ndërsa fati i betejave të ardhshme është duke u
vendosur qysh sot.
Nga
ana tjetër, edhe përzgjedhja ‘ndërmjet’ ose ‘midis’ teorive mund të
udhëhiqet nga teori dhe pikëpamje divergjente, për shembull nga
racionalizmi
apo nga empirizmi, ose nga idealizmi apo nga pragmatizmi, etj. Por
ndërsa zgjedhja racionale është relative në raport me të përgjithshmen
zgjedhja pragmatike është absolute në raport me të veçantën.
Filozofia
pragmatike “sugjeron një pluralitet të vërtetash të lëvizshme, të
mbështetura te përvoja konkrete dhe te gjuha, ku e vërteta çmohet sipas
rrjedhojave ose vlerës së përdorimit.” (Marshall, 2009, f. 314.)
Përndryshe, sipas Villiam James, “Metoda pragmatike... është ajo e
përpjekjes për të interpretuar çdo nocion duke shqyrtuar pasojat
praktike përkatëse:
çfarë dallimi do të kishte për këdo nëse ky apo ai nocion është i
vërtetë?” (Marshall, 2009, f.314.)
Prej
këtej mund të dalim natyrshëm te debati mbi metodën që përdorin teoritë
konspirative në nxjerrjen e përfundimeve duke u nisur nga pasojat dhe
rezultatet. Kundërshtarët e kësaj metode, që më së shumti presupozohet
të jenë studiuesit “e ekuilibruar” dhe “me këmbë në tokë”, përdorin si
argument faktin, se shpesh herë pasojat kanë ardhur ose mund të vijnë
nga shkaqe krejt anësore ose rastësore, të forta ose jo, që nuk kanë
lidhje me parashikimin
e rezultateve. Ndërsa mbrojtësit jo vetëm që këtë lidhje e
konsiderojnë si logjike, por edhe hipotezat për të ardhmen i
konsiderojnë si plane të parashikuara që janë hedhur për zbatim. E parë
në mënyrë pragmatike: e pse jo?
Madje,
edhe nëse nuk janë parashikuar deri në momentin e paraqitjes së
hipotezës, përse të mos përqafohet “në rrugë e sipër” një linjë e tillë
mendimi, nëse hipoteza mund të gjendet krejtësisht e dobishme? (OK, e ke
mirë, jepi, vazhdo!) Kjo logjikë rrjedh nga pikëpamja pragmatike, por
le të mos
harrojmë se ka edhe shumë aktorë të tjerë që në vendimet e veta nuk
dominohen nga pragmatizmi, por janë më tepër relativistë. Këta të fundit
mund të gabojnë rëndshëm, në se nuk i kuptojnë si duhet pragmatistët,
dhe anasjelltas. (Sepse pëlqimi nga pragmatisti nuk është pëlqim për ty
po për të, ndërsa pëlqimi nga relativisti shpesh përfshin ose hamendëson
edhe mirëkuptimin e palës tjetër.)
Por
le të qëndrojmë te pikëpamja pragmatike. Me sa duket, kësaj pikëpamjeje
i nënshtrohet edhe shqyrtimi i atyre pasojave, që mund të rrjedhin jo
vetëm nga nocionet e
veçanta, por deri edhe nga teoritë e veçanta. Nga pikëpamja e analizës
strategjike të marrëdhënieve ndërkombëtare, sipas Dorff, “...ajo çfarë
ne duhet të njohim, është natyra e hamendësive që bëjmë dhe pasojat që
mund të kenë ato në analizën lidhur me sjelljen e shtetit– komb.” Pra
duket sikur ka një farë auto-censure (pragmatike) lidhur me “natyrën e
hamendësive” që bëhen, në mënyrë që ato të mos sjellin pasoja të
padëshiruara në analizat lidhur mesjelljen e shtetit-komb.
Këtu
duhet pasur parasysh se ‘pasojat’ (më
saktë – ‘pasojat e padëshiruara’), duhen lidhur me interesat e kombit
për të cilin shërben autori i analizës ose studiuesi në fjalë, në raport
me analizat ose përfundimet që mund të nxjerrin analistët në shërbim të
kombeve të tjera, (mbi bazën edhe të hamendësive nga ky autor.) Ndaj,
jo çfarëdolloj njohurie mund të gjendet në ‘eter’, ose të falet apo
dhurohet. (Ju lutem Zotërinj, mos u gënjeni nga “bumi” informativ,
sepse, sikurse pohon një autor, sot “betejat” zhvillohen në “lartësi”
(te e ardhmja e imagjinuar), por fati i këtyre betejave, domethënë –
fitorja, është duke u vendosur qysh sot. Me fjalë të tjera, “lumturia”
që mund të ndjejmë sot, mund të jetë shenja e sigurt e humbjes, që do
mund ta kuptojmë nesër.)
Në
këtë kontekst, krijimi i resurseve, burimeve dhe potencialeve për
formimin e këtyre njohurive, varet nga politikat dhe vendimet që
përzgjedhin udhëheqësit (e vendit të veçantë) në mbështetje të këtij
synimi. Një element bazë për formimin e këtyre njohurive janë botimet.
Për shembull, në se vitet e para pas shpalljes së pluralizmit në
Shqipëri pati ndihma për një numër botimesh në kontekstin e një shoqërie
të hapur, atëherë duhej vërejtur se fokusi i këtyre botimeve (në
perceptimin tim) prirej më tepër nga difuzioni shoqëror, ndaj shteti
mund të ndërhynte duke kompensuar edhe mbështetjen e botimeve të tjera,
që do evokonin më tepër prirjet për kohezion.
Një
nivel superior për formimin e njohurive, përmbi botimet, janë
Universitetet dhe Akademitë. Te ne, në Shqipëri, ato ende janë në
fillimet e veta dhe akoma nuk janë profilizuar sipas rrymave dhe
shkollave të veçanta të mendimit, ku drejtuesit ose pedagogët e tyre do
parapëlqenin të pozicionoheshin. Një universitet i veçantë mund të
fokusohet në mënyrë preferenciale rreth një rryme a shkolle të veçantë
mendimi, me një dominancë të qëndrueshme ndjekësish edhe nga radhët e
studentëve, por duke qenë të hapur dhe inkurajues edhe ndaj mendimit
ndryshe brenda çdo universiteti. Ndërsa
shteti mund dhe duhet të bëjë më shumë për t’i inkurajuar në këtë
drejtim, jo vetëm në aspektin legjislativ por edhe në atë financiar.
Pastaj,
nëse shkollat e ndryshme të mendimit universitar do të diferencoheshin
deri në pozicione ekstreme, atëherë shteti mund të ndërhyjë sërish për
korrigjimet e nevojshme me sens konvergimi, sepse aty formohen kuadrot e
ardhshëm prej nga udhëheqësit mund të zgjedhin stafet e tyre të
mbështetjes. Në këtë kuadër, shteti mund të mbështesë, moralisht dhe
financiarisht, tematikat e veçanta për diskutime
dhe hulumtime të pavarura, që synojnë gjetjen e një emëruesi të
përbashkët brenda çdo diversiteti. Ndërsa studentët më efektivë besoj se
do të gjendeshin në radhët e atyre, që pavarësisht mendimit të vet
dominues, dinë të jenë të hapur dhe pragmatikë edhe ndaj pikëpamjeve të
kundërta me mendimet e tyre.
Përfitimi
nga diskutime dhe hulumtime të tilla besoj se do të ishte disa-fish,
sepse nga njëra anë punohet për formimin e burimeve të reja njerëzore që
pritet të punësohen në vitet pasuese, por nga ana tjetër debatet dhe
publikimet nga profesorati dhe studiuesit e ndryshëm ndihmojnë
drejtpërsëdrejti burimet njerëzore, që tashmë janë aktualisht në detyrë
pranë institucioneve zyrtare dhe zbatojnë disa procedura e standarde për
nxjerrjen e produkteve (informative) sa më me cilësi.
Gjithashtu,
këto debate dhe publikime mund të ndihmojnë edhe vetë udhëheqësit (për
aq sa janë të interesuar ose mund të bien në kontakt me to),së paku për
të rritur mirëkuptimin me stafet që përzgjedhin për t’i mbështetur. Por
pse jo, për të mbrojtur ose mbuluar edhe atë që nuk
mund apo nuk duhet të pohohet zyrtarisht, duke natyralizuar dhe
mbështetur qëndrimet dhe vendimet e veta publike.
Përzgjedhja e elementëve midis ideologjive udhëheqëse
Për
të ilustruar rëndësinë që mund të ketë një ideologji sunduese në
shoqëri (qoftë kjo idealiste, materialiste, komuniste, demokratike,
nacionaliste, fetare, etj.) mjaft të sjellim një shembull nga Lufta e
Ftohtë. Afërsisht, në fund të viteve 1970, një autor amerikan, ish
punonjës i CIA-s, në librin e tij “Operacionet Sekrete të CIA-s” (botim
ky i censuruar edhe nga CIA), do ta artikulonte në këtë mënyrë
shqetësimin e SHBA-ve, “të ndodhur në udhëkryq”, duke u shprehur me
fjalët:
“A
mund
të krijojmë ne për herë të parë në histori, një politikë të jashtme
Amerikane me atë temë e vazhdimësi si ajo që ndiqet prej konkurrentëve
tanë të Moskës? ...Politika jonë vetëm për t’u kundërvënë është kthyer
në një politikë reaksionare... A mund të ndryshojmë ne qëllimet dhe
angazhimet tona? A mund të praktikojmë një strategji, që t’u sjellë
shqetësime rusëve për të na frenuar ne? Në këtë kohë çorientuese, kjo
përbën çështjen kryesore të popullit Amerikan.” (3)
Unë
besoj se tematika e vazhdimësisë në
politikën e jashtme të Moskës, për të cilën flet autori, ka pasur të
bëjë pikërisht me ideologjinë sunduese prej nga udhëhiqej kjo e fundit,
pra me marksizmin dhe leninizmin, me materializmin dialektik e historik,
me socializmin shkencor, etj. Fokusimi rreth një boshti ideologjik
besoj se e kanë ndihmuar Moskën për të mos i pasur qëndrimet e veta
kundërshtuese si qëllime në vetvete, por si referenca rreth një synimi
më të avancuar ideologjik, pa paragjykuar palët në proces, por duke
kontestuar pikëpamjet e tyre “të gabuara”.
Pikërisht
te kjo
periudhë “shqetësuese” për Amerikën, mund të gjejmë edhe fillesat e një
lëvizjeje të re për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Megjithëse
historia e të drejtave të njeriut është shumë më e vjetër, ato dalin si
objekt i marrëdhënieve ndërkombëtare në vitet 1945 - 1948, dhe kjo vetëm
në kuadrin e OKB-së. Pavarësisht ndërkombëtarizimit të këtyre të
drejtave, zbatimi i tyre vazhdon te të mbetej një çështje thuajse
kombëtare deri aty nga mesi i viteve 1960. “Por çështja e të drejtave të
njeriut – si një çështje ndërkombëtare, sikurse shkruan Prof. Niazi
Jaho, u arrit të bëhej në vitin 1977, pikërisht në kohën kur Xhimi
Karter (4) u bë president i SHBA.” (Jaho,2000, f. 85-91.)
Arritja
më kulmore e kësaj lëvizje të re besoj se është firmosja nga ish B.
Sovjetik dhe vendet e tjera komuniste të Evropës Lindore të marrëveshjes
së Helsnikit për respektimin e të drejtave të njeriut të vitit 1975.
Procesi i firmosjes njëri-pas-tjetrit nga vendet komuniste të Lindjes
mori edhe disa vjet më pas, për të mbërritur te mbledhja Lindje –
Perëndim e Madridit, (1981 – 1983), e njohur ndryshe edhe si Konferenca
për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë. (Shkreli, 2012.) Rezultatet e
mëvonshme pastaj flasin për shembjen e bllokut komunist në fund të
viteve 1980, etj.
Pra
filozofia e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në një farë mënyre,
triumfoi mbi materializmin dialektik dhe historik. Duke qenë se të
drejtat e njeriut mbështeten në premisa më të thella në kontekstin e
shoqërisë (kur materializmi dialektik dhe historik kishte, për momentin,
një shtrirje më sipërfaqësore – duke u shtrirë në natyrë, shoqëri dhe
mendim), rezultati nga zhvillimi i këtyre të drejtave të njeriut do të
ishte më i sigurt në aspektin shoqëror, më afatgjatë, dhe mbi të gjitha –
më njerëzor. Populli shqiptar ka gjithë arsyet që t’i mbesë përjetë
mirënjohës këtij parimi.
Por
gjatë zbatimit të teorive lindin edhe diferencat, ndërsa filozofia e të
drejtave të njeriut ka evoluar më tej. Konkretisht, përmendim të
ashtuquajturën“Deklarata e etikës botërore”, të aprovuar nga Parlamenti i Besimeve Botërore, në Çikago, 1993, që përfshin obligimin e shteteve (në sajë të influencës së besimeve mbi popujt dhe shtetet) lidhur me këto të drejta.
Më pas, në vitin 1998, vjen propozimi i Këshillit Ndërveprues (5) në Kombet e Bashkuara, i një Deklarate
të Përgjithshme për Detyrat e Njeriut, për të shërbyer si ndihmesë dhe
plotësim i Deklaratës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut,
të vitit 1948. (UNESKO.) Përmes kësaj deklarate fiksohet që, “çdo
person, grup, organizatë, shtet, polici apo ushtri nuk është i/e lirë
nga detyrat ndërsa u nënshtrohet kritereve morale”, (UNESKO),duke
zyrtarizuar në një farë mënyre, nga pikëpamja e të drejtës
ndërkombëtare, detyrimet e çdo pale lidhur me të drejtat e njeriut si
dhe respektimin prej tyre të kritereve morale, të aprovuar më parë nga
Parlamenti i Besimeve Botërore në Çikago, më 1993.
Deklarata
e Përgjithshme për Detyrat e Njeriut gjithashtu ngarkon me detyra çdo
person, (për t’i trajtuar njerëzisht të gjithë njerëzit); parashikon se
për çfarë duhet të angazhohet çdo person, (për dinjitetin dhe
vetë-kujdesin e njerëzve të tjerë dhe të nxisë në çdo rrethanë të
mirën); çfarë nuk duhet të përkrahë çdo person, (sjelljet jo-njerëzore)
dhe nga çfarë duhet të shmanget çdo person, (nga e keqja.) (UNESKO.)
Fjalë-kyçet më interesante këtu mendoj se janë: çdo person duhet të
nxisë të mirën dhe të shmanget nga e keqja. Nxitja e të mirës nënkupton
detyrën që çdo person të ndikojë mbi të tjerët, duke u nisur nga kuptimi
i tij i brendshëm për të mirën, ndërsa duhet ta shmangë veten nga
përfshirja në veprime, që i ndikohen nga jashtë por që ai i vlerëson
(apo duhet t’i vlerësojë) si të këqija.
Por më kryesorja, Deklarata obligon që “Të gjithë njerëzit duhet të jenë solidarë dhe të marrin përgjegjësi kundrejt secilit dhe të gjithëve, familjeve dhe shoqërisë, racave, kombeve dhe feve: Atë që vetë nuk do të ta bëjnë të tjerët, mos ia bëj as ti askujt.” (UNESKO) Unë besoj se këtu
argumentimi sforcohet disi, kur solidariteti dhe përgjegjësia e çdo
personi fillon të përballet: nga me ‘secilin’ te me ‘të gjithë’, duke u adresuar edhe sipas strukturave: në bazë familje, shoqërie, race,
kombi dhe feje.
Këtu
mendoj se nuk duhet përjashtuar edhe një lloj përthyerjeje, kur
bkalohet nga njëri nivel strukturor (i hierarkisë) në nivelin tjetër.
Sepse ndryshon solidariteti dhe përgjegjësia që mund dhe duhet të
tregojë një individ, nga ajo që mund dhe duhet të tregojë, një komb apo
shoqëri, të themi. Ajo çfarë individi mund t’i bëjë shoqërisë apo
kombit, nuk mund të jetë e njëjtë apo e krahasueshme me atë që këta të
fundit mund t’i bëjnë individit. P.sh., mund të thuhet se një shtet po
vret shtetasit e vet por nuk mund të
thuhet e kundërta, se individët po vrasin shtetin. E shumta, individët
mund ta minojnë ose ta sabotojnë shtetin, apo edhe ta zhbëjnë atë. (Dhe
kjo mund të funksionojë, kur individët binden se shteti po u shkel të
drejtat. Por mund të funksionojë edhe e kundërta, kur shteti bindet se
individët janë bashkuar me të keqen dhe po e sabotojnë.)
Me
fjalë të tjera, detyrat dhe angazhimet e çdo personi për solidaritet
dhe përgjegjësi ndaj secilit dhe të gjithëve, por edhe ndaj familjes,
shoqërisë, racave, kombeve dhe feve, mendoj se mund t’i vendosë këta
individë në krah të
disa personave ose grupeve të tjerë por edhe në një marrëdhënie të re –
duke i përballur me vetë kolektivat, shoqëritë, shtetet dhe kombet ku
bëjnë pjesë.
Në
këto kushte, besoj se mund të ndiqen dy rrugë: ose shoqëritë dhe
shtetet mund të evoluojnë (riorganizohen) duke u përshtatur ndaj
kërkesave më të larta të anëtarëve të shoqërisë për të drejtat e
individit, pra nga poshtë, ose shoqëritë dhe shtetet mund të
ri-projektohen në të kundërt mbi popullatën, pra nga lartë, duke frenuar
disa nga të drejtat dhe liritë, në një plan
më afat-shkurtër, në këmbim të një premtimi më afat-gjatë.
Rasti
shqiptar i zhvillimit i përket rrugës së parë, pasi ka përfituar nga
përgjegjësia ndërkombëtare për të mbrojtur popullin shqiptar të Kosovës
nga genocidi serb, përveç që, më herët, ka përqafuar vlerat perëndimore
për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, dhe mbi
bazën e tyre investohet pa kushte për organizimin e vetë shoqërisë, për
t’u bërë pjesë e familjes në BE. Ndërsa te rruga tjetër e zhvillimit
mund të përfshihet opsioni rus i
“demokracisë sovrane” (Sovereign democracy), (Odesskiy, 2006),
alternativë kjo e lakuar edhe më herët por e formuluar teorikisht në
shkurt 2006 nga Vladislav Surkov, (Okara, 2007) dhe që paraqitet si një
alternativë botërore (Rode & Mohammed, 2014) ndaj rrugës së parë, të
ndjekur dhe mbështetur nga vendet Perëndimore.
Nëse
në të dyja këto rrugë zhvillimi synimet e ndjekësve ose frymëzuesve i
marrim të sinqerta, atëherë gjithçka që ndryshon ka të bëjë me bazat e
ndryshme të nisjes dhe pikë-takimet në perspektivë gjatë fazave të
ndryshme të zhvillimit nuk ka
pse të mungojnë. Por alternativat e njëri-tjetrit duhen njohur dhe
studiuar, veçanërisht nga stafet teknike të mbështetjes, sepse elementë
të veçantë te alternativa tjetër, në momente të caktuara të
politikë-bërjes dhe vendim-marrjes, mund të funksionojnë shumë mirë edhe
në dobi të alternativës vetjake.
Kështu
për shembull, nëse “demokracia sovrane” përshkohet nga besimi se
“shtetet-kombe sovrane do ta përcaktojnë sërish të ardhmen e
Evropës”,(Krastev, 2007) nuk është se parashikimet perëndimore për
lindjen e shteteve të reja
kombëtare e kundërshtojnë shumë këtë gjë. Madje, të paktën sot për sot,
as vetë udhëheqësit tanë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, ende
nuk kanë dalë hapur kundër ndonjë prirjeje të tillë. Me fjalë të tjera,
stafet teknike që mbështesin udhëheqësit tanë nuk ka pse t’i
përjashtojnë rreziqet nga teprimet në disa të drejta, po qe se ato bien
ndesh me interesat e sigurimit kombëtar. Sepse rreziqe të tilla mund të
lindin edhe gjatë rrugës tonë të zhvillimit, që nuk mund të kuptohen pa
kthyer ndonjëherë kokën pas, në kontekstin e rrugës që kemi ndjekur deri
tani.
Duke
parë në retrospektivë, mund të theksohet se evoluimi i filozofisë së të
drejtave të njeriut ka reflektuar hap pas hapi ndaj precedentëve të
shkeljes së këtyre të drejtave në arenën ndërkombëtare. (Një temë e mirë
debati mes pragmatistëve dhe relativistëve mund të jetë: Precedentët
kanë lindur dhe pastaj janë artikuluar, apo ka ndodhur e kundërta?)
Gjatë viteve 1999 – 2000 Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara
nxiti anëtarët e organizatës t’i adresoheshin çështjeve të ngritura nga
incidentet më të fundit të genocidit dhe spastrimeve etnike në Somali,
Ruanda, Bosnje dhe Kosovë. Ideja ishte për të menduar se çfarë duhet të
bëjë komuniteti ndërkombëtar në kësi rastesh? Si kundërpërgjigje u
formua Komisioni Ndërkombëtar për Ndërhyrjen dhe Sovranitetin e Shtetit,
i financuar në pjesën më të madhe nga qeveria e Kanadasë. Në vitin 2001
ky komision nxori
raportin e tij, të titulluar: “Përgjegjësia për tëmbrojtur”. (Mutimer,
2009, f. 86-87.)
Parimet
bazë të kësaj përgjegjësie përmblidhen si vijon: Sovraniteti i shtetit
nënkupton dhe mbart përgjegjësi, dhe përgjegjësia primare është ajo e
mbrojtjes së njerëzve që banojnë brenda atij shteti. Aty ku një popullsi
vuan ligësi serioze, si rezultat i luftës së brendshme, rebelimit,
represionit ose dështimit të shtetit dhe ku shteti në fjalë nuk ka
dëshirë ose është i pa aftë ta ndalë ose shmangë atë, parimi i
mosndërhyrjes i lë vendin përgjegjësisë
ndërkombëtare për të mbrojtur. (Mutimer, 2009, f. 86-87.)
Këtu
mendoj se ka dy terma rreth të cilave mund të diskutohet. Së pari,
termi i mbrojtjes së njerëzve brenda një shteti, rrjedh nga mënyra se si
shikohet kjo mbrojtje jo nga brenda por nga jashtë, pra nga “faktori
ndërkombëtar”. Së dyti, “përgjegjësia ndërkombëtare për të mbrojtur”
është jo vetëm një çështje votash, por edhe një çështje fuqie. Për
shembull, cila do të ishte “përgjegjësia ndërkombëtare për të mbrojtur”
nëse do të konstatoheshin probleme të tilla në Kinë, Indi, SHBA apo
Rusi, etj.? A ja vlen ta marrësh përsipër këtë përgjegjësi? Me çfarë
kostosh për njerëzit e vendeve ku prezumohet se të drejta të tilla
respektohen? Pastaj “faktori ndërkombëtar” ndonjëherë mund të bëhet një
term tepër fluid: siç mund të vlerësojë shkeljen e të drejtave të
njeriut në njërin shtet, po ashtu mund ta kujtojë këtë edhe për shtetin
tjetër.
Për
rrjedhojë, formulimi i “përgjegjësisë ndërkombëtare për të mbrojtur”
ka kuptim vetëm pasi krijohet një shumicë ndërkombëtare (ndoshta e
cilësuar) jo vetën në
vota por edhe në fuqi. Ndërsa kontributi i vendeve të vogla mund të
jetë i “barasvlershëm” në votë por jo në fuqi. Po kështu edhe përfitimet
për një vend të vogël: diku mund të përfitojnë edhe njerëzit edhe
vendi, diku mund të përfitojë vendi dhe të humbasin njerëzit, por diku
tjetër mund të përfitojnë njerëzit dhe të humbasë vendi. Pra vendet e
vogla mund ta pyesin veten, së paku dy herë: Në botën ku jetojmë, ka
mundësi që të ketë vetëm përfitime dhe jo humbje? Nëse kjo është e
pamundur, kujt i takon “përzgjedhja’ dhe midis çfarë?
Në
kushtet e
një tranzicioni shqiptar të stërzgjatur dhe tejet të mundimshëm, duke e
marrë të mirëqenë përkushtimin e udhëheqësve tanë të zgjedhur nga
populli (sipas emrave në listat që i janë ofruar), dilema që mund të
ngrihet përballë stafeve teknike të mbështetjes është: Ka difektuar
asistenca ndërkombëtare ndaj vendit dhe institucioneve (me këshillat,
rekomandimet, financimet, pëlqimet, disaprovimet, pohimet, kufizimet dhe
kushtëzimet) apo ka difektuar asistenca teknike e stafeve të
mbështetjes për udhëheqësit, duke mos pasur ç’të ofrojnë nga vetja dhe
duke mos ditur ç’të përzgjedhin nga ndërkombëtarët?
Të
dyja përgjigjet e mundshme mendoj se kanë kuptim. Prandaj, stafet
teknike të mbështetjes duhet të dinë se “Përgjegjësia për të mbrojtur”
nga komuniteti ndërkombëtar mund të kthehet në “bumerang” edhe në rastet
kur ndiqen qorrazi rekomandimet “e hallakatura” të komunitetit
ndërkombëtar, pavarësisht devotshmërisë. Sepse rekomandimet e
ndërkombëtarëve shprehin, shpesh herë, interesat afatshkurtra të
institucioneve dhe vendeve që përfaqësojnë (vetë mandati i shkurtër që
kanë Ambasadorët e presupozon këtë), por nuk kanë as kohën dhe as
përgjegjësinë e duhur për të menduar për interesat tona më afat-gjata.
Devotshmëria ndaj një rekomandimi “të mirë” sot mund të kthehet në
“përgjegjësi ndërkombëtare” nesër, për të mbrojtur ata, interesat e të
cilëve do mund të cenoheshin si rezultat i
devotshmërisë së sotshme.
Prandaj,
është detyrë e stafeve të mbështetjes, që jo vetëm të mendojnë për
interesat afat-gjata të vendit, në kuadrin e misionit të udhëheqësit që
mbështesin, por edhe t’i ofrojnë atij argumentet e nevojshme, që e kanë
fuqinë e duhur për të mos u anashkaluar nga ndërkombëtarët (së paku,
etikisht.) Pikërisht, në këto kushte, lypset që stafet e mbështetjes
teknike të udhëheqjes të dinë çfarë elementesh të përzgjedhin nga
teoritë a ideologjitë mbizotëruesetë kohës.
Përzgjedhja e elementëve midis teorive të ndryshme të sigurisë
Si
rezultat i zhvillimit të mëtejshëm të doktrinës së të drejtave të
njeriut, në një stad të caktuar të këtij zhvillimi, kemi (së paku)
shfaqjen e dy teorive të ndryshme të
sigurisë, në kontekstin e mbrojtjes së këtyre të drejtave. Detyra e
stafeve mbështetës është pikërisht të përzgjedhin elementë te dobishëm
midis këtyre teorive, për t’i përdorur në analizat e veta dhe të
sigurojnë përfundime sa më të pavarura, në mënyrë që t’i ofrojnë
udhëheqjes rekomandimet e përshtatshme, që mund të përzgjidhen dhe
prioritizohen me lehtësi.
Konkretisht,
vetëm një vit pas të ashtuquajturës “Deklarata e etikës botërore”, (6)
në maj të vitit 1994, në universitetin Jork në Toronto, u mbajt një
konferencë e vogël me titull: “Strategjitë në konflikt: Qasje kritike
ndaj studimeve të sigurisë”, ku autorët Keith Krause dhe Michael C.
Williams do të vinin në pikëpyetje objektin referues të studimeve të
sigurisë: nga studimi i sigurisë së shtetit, si objekti kryesor që duhej
ruajtur, te studimi i sigurisë së njerëzve brenda shtetit, madje në
planin ndërkombëtar, te siguria e njerëzve edhe brenda shteteve të
tjera...Sepse edhe kur shteti është i sigurt, mund të mos jenë të sigurt
njerëzit brenda tij... (Mutimer, 2009, f. 80-107.)
Kjo
qasje besoj se është
korrekte nga pikëpamja e parimeve të humanizmit, vpor niveli individual
i analizës mund të krijojë ‘hapësira të zbrazëta’, në momentin kur
çështjet e sigurisë ngrihen në sistem. Sepse siguria individuale
funksionon në sistem dhe siguria individuale varet edhe nga siguria e
kolektivit, shoqërisë, shtetit dhe kombit ku bën pjesë. Si argument mund
të sjellim shfaqjen pas Konferencës së Torontos, të Shkollës së
Kopenhages, një lloj paraleleje evropiane në përgjigje të studimeve
kritike të sigurisë. Me emërtimin ‘Shkolla e Kopenhagës’ është njohur
qasja e autorëve Barry Buzan, OleWeaver dhe Jaap de Wilde në librin e
tyre me titull: “Siguria: një kuadër i ri analize”. Libri synon të
ofrojë një qasje të dallueshme nga studimet kritike tësigurisë, që u
paraqit në konferencën e Torontos. (Emmers, 2009, f. 152.)
Në
ndryshim nga studimet kritike të sigurisë, ku objekt i studimeve të
sigurisë është individi brenda shtetit, ose edhe individi brenda
shteteve të tjera, sipas shkollës së Kopenhagës objektet referues mund
të jenë shteti (siguria ushtarake); sovraniteti kombëtar ose një
ideologji (siguria politike); ekonomitë kombëtare (siguria ekonomike);
identitetet kolektive (siguria shoqërore); speciet ose habitatet
(siguria mjedisore)....Katër prej pesë komponentëve të kësaj shkolle i
përkasin kërcënimeve jo-ushtarake ndaj sigurisë. (Emmers, 2009, f.
151.)
Sipas
Emmers, shkolla e Kopenhagës thekson se ka të bëjë me mbijetesën, ku
një shqetësim sigurie duhet të artikulohet si një kërcënim ekzistencial.
Pra shkolla mbështet logjikën siguri-mbijetesë që gjendet në një
konceptim tradicional të sigurisë. (Emmers, 2009, f. 152.) Ky fakt,
sipas mendimit tim, provon se, kur siguria personale i nënshtrohet
sigurisë kolektive, atëherë çështja e mbijetesës personale i
transferohet kolektivit; por nëse siguria personale i nënshtrohet disa
të drejtave themelore të gjithë-pranuara botërisht, atëherë siguria
kolektive (në varësi me pozicionin që zë si nën-sistem) mund të vihet në
diskutim. Pra siguria e kolektivit mund te ekzistojë,
por edhe jo, varësisht nga fuqia e tij në raportet me jashtë, që
vendosin prioritetet –nëse në plan të parë do vihej mbrojtja e sigurisë
së individit apo mbrojtja e sigurisë së kolektivit – me gjendjen e vet
ekzistuese.
Megjithatë,
në epiqendër të Shkollës së Kopenhagës qëndron nocioni i sigurisë
shoqërore, pasi e vendos theksin më shumë te shoqëria sesa tek shteti si
objekt kryesor referues. Ky nocion ka prejardhje të fortë nga një
eksperiencë evropiane, pasi u referohet shoqërive me kufij të hapur, që
supozohet se ekzistojnë në Evropë, si rezultat i integrimit
ekonomik dhe politik. Sipas Ralf Emmers, “Siguria shoqërore... lidhet
me ndërtimin e një identiteti kolektiv evropian dhe duhet veçuar nga
siguria shtetërore, e cila lidhet me mbrojtjen e sovranitetit kombëtar
dhe integritetin territorial.” (Emmers, 2009, f. 152.)
Pra
duket se dalja e shkollës së Kopenhagës vetëm një vit pas Platformës së
Torontos nuk është rastësi. Nëse platforma e Torontos fokusohet te
çështjet e sigurisë individuale në raport me shtetet ku bëjnë pjesë,
shkolla e Kopenhagës fokusohet te çështjet e sigurisë së mbijetesës të
pesë sektorëve
kryesorë, duke reflektuar në këtë mënyrë një lloj instinkti
vetë-mbrojtjeje, në kuadrin e idesë së një BE-je të unifikuar.
(Pikërisht ky lloj instinkti besoj se do ishte i shëndetshëm edhe për
çdo vend aspirant në BE.)
Në ndryshim nga studimet kritike të sigurisë, ku siguria personale vendoset
në raport me shtetin, i cili ka për detyrë t’i mbrojë këto të drejta
dhe kur nuk i mbron – ka përgjegjësi (dhe shtrëngime), siguria shoqërore funksionon
si një koncept përgjithësues për shoqëritë e
çdo vendi anëtar të BE, duke nënkuptuar që edhe vendet aspirantë të
shkojnë drejt këtij ‘përgjithësimi’ të sigurisë shoqërore, (natyrisht,
shpresojmë, duke mos mohuar vetveten, si shtet dhe si komb.) (7)
Në
këtë kontekst, nëse shqiptarët (veçanërisht ata të Kosovës) kanë
përfituar nga praktika ndërkombëtare e mbrojtjes së të drejtave të
njeriut, kjo nuk përjashton të drejtat e tyre për të përfituar edhe si
shtet (apo shtete), edhe si komb; mjafton që shoqëria dhe ‘siguria
shoqërore’ (sipas shkollës së Kopenhagës) të supervizohet duke i
mbivendosur
synimin e shtetit dhe të kombit. Madje, te ‘siguria shoqërore’,
pavarësisht se nuk i referohet shtetit, ‘shoqëria’ mund të funksionojë
si një element i njëtrajtshëm homogjen, që mund të ‘kapërcejë’ përtej
shtetit, duke bërë lidhjen midis kombit dhe shtetit.
Pra
unë besoj se Shkolla e Kopenhagës ka avantazhe në kontekstin shqiptar,
pasi ajo nuk i përjashton siguritë në katër nivelet e tjera, pavarësisht
mbi-theksimit të sigurisë shoqërore. Pesë fushat e sigurisë që përfshin
shkollae Kopenhagës, praktikisht janë pesë fushat
kryesore që do t’i korrespondonin çfarëdolloj sistemi të sigurimit
kombëtar.
Me
fjalë të tjera, shkolla e Kopenhagës e shikon objektin e studimeve të
sigurisë nga pikëpamja e shtetit dhe jo nga pikëpamja e individit, (ose,
përndryshe, siguria e individit ka kuptim brenda sigurisë së
kolektivit, por edhe brenda sigurisë së shtetit dhe kombit.) Kjo nuk
përjashton që stafet e ndryshme të mbështetjes, në analizat dhe
rekomandimet e veta, të shfrytëzojnë edhe elementë të tjerë nga
platforma e Torontos, ose studimet kritike të sigurisë, për aq sa
shkojnë në harmoni me interesat e vendit.
Disa përfundime
Në kuadrin e këtij studimi mund të nxiren disa përfundime:
Së
pari, në demokracitë e përparuara shmangen qëndrimet zyrtare pro ose
kundër teorive dhe shkollave të ndryshme të mendimit, sepse asgjë nuk
mund të jete plotësisht e saktë ose plotësisht e gabuar. Por edhe sepse
respektohet parimi Ilirisë, që buron se brendshmi, duke respektuar
interesin pragmatik në formulimin dhe shfaqjen e njohurive, në mënyrë
që të vërtetat konkrete të jenë funksionale në dobi të rezultateve të
perspektivës, nga pikëpamja e një personi, bashkësie, shteti apo kombi,
ku përgjegjësia mbetet kurdoherë te aspekti i brendshëm, në nivelin
vetjak.
Së
dyti, toleranca në përzgjedhjen midis elementëve të njohurive nënkupton
lirinë e botimit në mënyrë komplementare duke mbushur gjithë hapësirën
nga 'pro' në 'kundër', si dhe lirinë e konkurrimit midis ideve, teorive,
rrymave, shkollave dhe universiteteve ku formohen elitat, që furnizojnë
stafet teknike të mbështetjes, në mënyrë që këto të fundit të kenë
gjithë hyrjet (in-putet) informative të furnizuara nga një mjedis
plotësisht i pasuruar dhe të zotërojnë të gjitha kapacitetet për të
mbështetur synimet dhe interesat e perspektivës.
Së
treti, sikurse çdo gjë tjetër në këtë botë, edhe teoritë filozofike apo
ideologjitë udhëheqëse kanë pikën e vet të ngjizjes, kulmin e
zhvillimit, por edhe fazën pasuese të degradimit dhe transformimit. Në
këtë kontekst, avantazhi në një periudhë të caktuar i filozofisë së
mbrojtjes së të drejtave të njeriut mund të vendoset, si rezultat i
evoluimit, në një kontekst dhe raport të ri, që, në një fazë tjetër
zhvillimi, mund të përkthehet në disavantazh në raport me filozofinë dhe
ideologjitë e tjera konkurruese. Ndaj nuk duhet neglizhuar edhe studimi
në detaje i këtyre të fundit, në mënyrë që stafet teknike të
mbështetjes të
kenë premisat për të zgjedhur elementë të veçantë njohurish brenda tyre
dhe të sigurojnë mbështetjen e duhur, pa paragjykuar njërën ose tjetrën
teori.
Së
katërti, ngjashmërisht asaj që ndodh me ideologjitë udhëheqëse, si dhe
me teoritë apo shkollat e tjera të mendimit, i njëjti cikël zhvillimi
besoj se shoqëron edhe teoritë dhe shkollat e ndryshme në fushën e
studimeve të sigurisë. Në këtë kontekst, nëse nën influencën e studimeve
kritike të sigurisë, të shpalosur në Konferencën e Torontos (maj 1994),
u sigurua mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave të
njeriut në Shqipëri (1997) dhe në Kosovë (1999), gjendja e stërzgjatur
tranzitore në Shqipëri dhe Kosovë, po provon se mbrojtja e të drejtave
dhe lirive themelore të njeriut nuk mund të jetë edhe më tej efektive,
pa siguruar tashmë edhe një nivel të caktuar të mbrojtjes së të drejtave
dhe lirive themelore të bashkësisë, ku bën pjesë ky individ.
Së
fundi, mbase e tillë është edhe radha e gjërave. Në vitet e para pas
shembjes së sistemit Komunist, sipas Carlo Jean (1996) (8), studiues
italian i gjeopolitikës, perspektiva e të ardhmes në rajonin e Ballkanit
Perëndimor përcaktohej si një fushë veprimi në zbrazëtirë, pa përmendur
fare emra shtetesh në të (Jean, 1998.). Afro 15 vjet më pas, sipas disa
referencave nga sociologu shqiptar nga Kosova, Fadil Maloku, (2012)
Ballkani Perëndimor mund të trajtohet si një “sallë e madhe operacioni”,
apo një punishte “socio-politike” për prodhimin e modeleve të atilla,
“që do të ishin të zhveshura shumë nga fuqia e sovranitetit shtetëror”,
duke formësuar “entitete rajonale politike pa kufij dhe me një
sovranitet të kushtëzuar, ku të gjitha vendet do të mund të ushtrojnë
qasje të përafërt me identitetet e tjera përreth”, në sinkron me
interesat e kompanive të mëdha trans-nacionale për “ri-konfigurimin e
Ballkanit në formën e një tërësie unike.” (Maloku, 2012.) (A thua se po
përgatitet një koktej “spermatozoidesh” me serbë, shqiptarë, boshnjakë,
maqedonas e malazezë! B.A.)
Si
Ballkanas, nuk na mbetet tjetër veçse të shpresojmë se, ndoshta tani,
kemi mbërritur në fazën kur Bashkimi Evropian e ka kristalizuar ngjizjen
e këtij bashkimi “sui-generis”, në formën e bashkësisë së shteteve a
kombeve sovrane, me të drejta e detyrime të përbashkëta, sipas peshës
specifike që zënë popujt dhe vendet tona në këtë bashkësi. Në këtë
kontekst, ka shumë kuptim që mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave të
njeriut sipas vizionit të Konferencës së Torontos, të lëshojë
gradualisht terren, duke funksionuar përherë e më tepër në sinkron
me mbrojtjen e këtyre të drejtave nga pikëpamja e mbijetesës shoqërore
dhe kombëtare, sipas vizionit të Shkollës së Kopenhagës.
Le
të rikujtojmë se, sipas Shkollës së Kopenhagës, objektet referues në
studimet e sigurisë mund të jenë shteti (siguria ushtarake); sovraniteti
kombëtar ose një ideologji (siguria politike); ekonomitë kombëtare
(siguria ekonomike); identitetet kolektive (siguria shoqërore); speciet
ose habitatet (siguria mjedisore)...” (Emmers, 2009.) Praktikisht, të
pesta këto nivele janë fushat kryesore që do t’i korrespondonin
çfarëdolloj sistemi të
sigurimit kombëtar, ndaj unë besoj se Shkolla e Kopenhagës ka avantazhe
në kontekstin shqiptar dhe më gjerë, përveç që është edhe përgjigjja
evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Tiranë, më 28.09.2014
Bibliografia:
1.
Dorf, Robert “Robin”, H. Disa metoda ekoncepte bazë për studimin e
marrëdhënieve ndërkombëtare. Në “Guidë përpolitikën dhe strategjinë e
sigurisë kombëtare.” Vëll. II. Akademia e Mbrojtjessë FA, 2009, Tiranë,
f. 239 – 256.
2.
Emmers, Ralf. Sigurizimi. Studimebashkëkohore të sigurisë. Nga Alan
Collins. UET/Press, 2009. F. 151, 152. ISBN:978-99956-39-14-3.
3.
Jaho, Nazi. Disa çështje lidhur me liritëdhe të drejtat e njeriut në
frymën e dokumenteve ndërkombëtare dhe kushtetutëstonë. Pak histori.
Workshopi i Parë Rajonal: “Trauma, faktorët, pasojat dhepërballimi”.
Tiranë, 2000, f. 85-91.
4. Jean, Karlo. Gjeopolitika, Shtëpia Botuesee Ushtrisë, Tiranë, 1998.
5. Krastev, I. “Russia Vs Europe: theSovereignty Ëars” (Open Democracy, 11 Sept 2007,http://www.opendemocracy. net/article/globalisation/ institutions_government/ russia_europe.)[Perifrazuar sipas Okara, A. 2007]
6. Maloku, Fadil. Vizioni për Ballkaninperëndimor në proceset e globalizimit. 08.06.2012.http://www. telegrafi.com/lajme/vizioni- per-ballkanin-perendimor-ne- proceset-e-globalizimit-26- 5112.html
7. Marshall, Gordon. Fjalor Sociologjik iOksfordit. Përkthyer nga Bashkim Shehu. Tiranw, 2009. ISBN: 978-99956-668-2-8.
8. Mutimer, David. Studime kritike tësigurisë: një histori skizmatike.
Libri: Studime bashkëkohore të sigurisë. NgaAlan Collins. UET/Press, 2009. F. 86-87. ISBN: 978-99956-39-14-3.
9.
Odesskiy, Mikhail. The idea of “SovereignDemocracy”: Experience of
interpretation. PECOP – Conferences – “Sovereign Democracy”.(PECOB –
Portal on Central Eastern and Balkan Europe.) 2006.
10.
Okara, Andrei. Doctor of Laë. SovereignDemocracy: A neë Russian Idea or
a PR Project? Russia in Global Affairs, Vol.5, Nr. 3. July – September,
2007.
11. Operacionet Secrete të CIA-s. Tiranë,1982. Botim i MPB. Përktheu nga Anglishtja – Ilia Zhulati. Redaktor – NeshatTozaj.
12. Rode, David. and Mohammed, Arshad. SpecialReport - Hoë the U.S. made its Putin problem ëorse. April, 18. 2014.http://uk.mobile.reuters. com/article/topNews/ idUKBREA3H0OS20140418?i=3
13. Shkreli, Frank. Shuarja e mbështetësit të fuqishëm tëndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Në “Bota sot”. 24.02.2012. http://botasot. info/opinione/212518/shuarja- e-mbeshtetesit-te-fuqishem-te- nderhyrjes-se-nato-s-ne- kosove/
14. UNESKO. Materialepër mësimdhënie në fushën e edukimit politik . Të drejtat e njeriut/Detyrat e njeriut.http://www.dadalos. org/alb/Menschenrechte/ grundkurs_mr2/ Menschenpflichten/pflichten. htm
15. UNESKO. Materialepër mësimdhënie në fushën e edukimit politik . Të drejtat e njeriut/Etika botërore.http://www.dadalos. org/alb/Menschenrechte/ grundkurs_mr2/Weltethos/dokum_ 2.htm
16. Wikipedia. https://en. wikipedia.org/wiki/Main_Page
17. Wikipedia, Jimmy Carter. https://en.wikipedia. org/wiki/Jimmy_Carter
Shënime:
(1)
Tashmë pranohet gjerësisht në filozofinë e shkencës, se “…ligjet e
teoritë shkencoremë të qëndrueshme nuk janë të konfirmuara plotësisht
nga të dhënat faktike nëtë cilat mbështeten.” Shih“Konvencionalizmi
(conventionalism)”, (Marshall, 2009, f. 195-196.) Se “…krejtdija
shkencore duhet vështruar si e përkohshme (nuk ekziston asnjë provë
oseantiprovë përfundimtare)…”, shif “falsifikimi, të falsifikuarit”,
(Marshall,2009, f. 97-98.)
(2) Vinire: “analistë strategjikë” të “politikës
aktuale”; domethënë, strategjitë janëe ardhmja që përvijohet qysh sot.
(3) Operacionet Secrete të CIA-s. Botim i MPB, Tiranë, 1982. Përktheu nga Anglishtja – IliaZhulati. Redaktor – Neshat Tozaj.
(4)
Pas largimit nga Presidenca, Karter dhe bashkëshortja në vitin 1982
krijuan Qendrën Karter përavancimin e mëtejshëm të të drejtave të
njeriut në mbarë globin, ndërsa nëvitin 2002 fitoi çmimin Nobel për
paqen, për kontributin e tij në këtë drejtim.https://en.wikipedia. org/wiki/Jimmy_Carter
(5) Bashkimii ish-kryetarëve dhe kryeministrave të shteteve të ndryshme të botës.
(6) Aprovuar nga Parlamenti i Besimeve Botërore, në Çikago, 1993.
(7)
Këtu ka një problem, se referencate siguria shoqërore duke anashkaluar
sigurinë shtetërore për vendet eprapambetura që synojnë integrimin në
BE, mund të humbasin më tepër sovranitetse vëndet e tjera të BE, që këtë
sovranitet e kanë më të stabiluzuar.)
(8) Botimipër herë të parë, në Italisht, i “Gjeopolitikës” së Karlo Jean.
No comments:
Post a Comment