"Dimri i vetmisë së madhe”,
romani i denoncimit të krimeve në diktaturë.
Minella Aleksi
Nё radhёn e studimeve mbi veprën letrare të shkrimtarit Kadare u
shtua edhe libri me titull “Intertekstualja dhe Disidenca te Dimri i Vetmisë së
madhe” me autor Met Dervishi. Ky studim i autorit Dervishi shërbeu si nxitje që
të shpreh opinionin e mëposhtëm. Fjala është pёr pёrshkrimin e personazhit tё
diktatorit në roman, gjë për të cilën shkrimtarin Kadare e keqkuptojnë. Do
argumentoj përse them e keqkuptojnë. Ky roman përmban një veçori themelore.
Romani u krijua si vepër artistike duke u bazuar tërësisht mbi një ngjarje të
madhe historike, shkёputjen e shtetit shqiptar nga
kampi sllavo-komunist. Temë sa e vështirë aq edhe me përgjegjësi të
jashtëzakonshme për fatin e autorit. Kjo ndodhte në 1973. Për herë të parë
lexuesi shqiptar e ai botëror i gjente të mbledhur në një sallë ata që ende e
bënin të dridhej botën Perëndimore.
Në këtë roman të gjithë
personazhet si, shtresa e intelektualëve dhe artistëve, shtresa e të rinjve
shqiptarë, shtresa e klasës punëtore, udhëheqja e partisë dhe komunistëst,
nënpunësit e sigurimi famëkeq dhe K. Xoxe, shtresa e të deklasuarve politikë,
shtresa e familjeve të dëshmorëve, fshesaxhinjtë e rrugëve, etj, janë trajtuar
artistikisht në mënyrën më realiste. D.m.th. tema e shkëputjes është bërthama e
romanit dhe sjella, reagimi i shtresave shoqërore në raport me këtë bërthamë
janë zhgualli që e bëjnё romanin një vepёr të tërë. Kaq vërtetësisht është pasqyruar ajo periudhë
në roman, kaq reale janë dialogjet e personazheve sa lexuesi e gjen veten
brenda personazheve. Nuk ka asnjë dyshim se kjo shkёputje historike nga Moska shkakun nuk e kishte te ndonjë
prirje pro perëndimore e udhëheqjes së shtetit shqiptar të asaj kohe. “Çështje
doktrine, mbrojmë doktrinën komuniste”, gjëmonte propaganda e partisë. Arsyeja
ishte tjetër, lufta e E. Hoxhës për të ruajtur mbijetesën e vet në pushtet.
Enver Hoxha ishte njё njeri shumё diabolik dhe njё politikan i klasit tё parё. Ishte gjithashtu njё njohёs i mirё i letёrsisё por edhe njё shkrimtar mediokёr. Pa dyshim edhe një vlerësues i pamohueshëm i talentit
të madh të shkrimtarit Kadare. E. Hoxha ishte njё
djall i vёrtetё nё eleminimin e rivalёve e kundёrshtarve politikё, nё zbatimin e luftёs sё klasave, nё luftёn kundёr fesё, nё manipulimin e masave, nё izolimin e vendit. Për të keqen e popullit të vet ishte
më i zi sesa vet e zeza. Njerёz tё ditur qё pёr vite tё tёra kanё qёnё afёr tij pohojnё se E. Hoxha ishte
frikacak. Në kohën e dënimit të kultit të individt në gjithë Bllokun Lindor
komunist E. Hoxha arriti tё kapte pёrmasёn historike tё situatёs kur historia e vendosi
para provës, të mbijetonte në pushtet apo të eleminohej fizikisht si disa
udhëheqës të tjerë nga vendet e Lindjes komuniste. E. Hoxhën në vitet 60-70
njerëz të kulturuar të fushave të ndryshme në Tiranë e quanin “artisti ose
aktori” mbasi gjithmonë ai dukej që luante një pjesë, një rol. Luante lojën e
udhëheqsit të dashur dhe shumë të drejtë me popullin. Ai jo pak herë përpara
njerëzve arrinte të autosugjestionohej deri në shprehjen e fytrës të përlotur,
që mallëngjehej thellësisht nga entusiazmi dhe kontaktet me njerëzit e
thjeshtë. Ai “përbënte burimin e ujit të kristaltë” që vadiste partinë dhe
jetën e popullit të tij të dashur. E. Hoxha kishte një etje të madhe për lavdi,
e cila te ai me kalimin viteve mori përmasa groteske. Ishte qartësisht me
mendësi narcizisti. Shkëlqimi dhe fama e Titos në vendin fqinj e bënte që
psikologjikisht të vuante shumë. Rivalizonte me Titon dhe reagonte shpejt duke
bërë të kundërtën e tij. Një aspekt -Titua bënte vetadministrimin, Enveri
zbatonte kolektivizimin. Nuk mund të harroet shprehja e asaj kohe të përpiluar
në zyrat e dizinformimit të KQ të partisë se, “fatkeqësia e shokut E. Hoxha
është që atij i ka rënë fati që të udhëheqë një popull fare të vogël. Si
udhëheqës largpamës kapaciteti i tij është për një popull bie fjala 20 milion e
sipër”. Në vazhdim të këtij mentaliteti narcizist, për të krijuar aureolë herë
pas here nga të njëjtat zyra dilnin pëshpëritje, alibira, se këtë udhëheqës të
madh donin ta vrisnin shërbimet e huaja inteligjente. Në popull thuhej se më në
fund shqiptarët fatlum kishin gjetur udhëheqësin legjendar. Në këto rrethana E.
Hoxhës si sekretar i parë i partisë iu imponua altrenativa më e rrezikshme kur
Hrushovi i kërkoi rregullimin e mardhënieve me Titon. D.m.th që më pas detyrimisht
nën parullën e luftës kundër kultit të individit të lëshonte pushtetin.
Lind pyetja: si ka mundësi qё ky njeri tepër i mprehtё,
diabolik dhe frikacak njёkohёsisht, vendosi qё në mes të rrezikut
maksimal tё shkonte nё Moskё dhe tё bёnte atё ndeshje historike qё tashmё njihet. Kur frika e eleminit ishte e madhe. Me sa duket
mendjet me intelekt tё zhvilluar kanё aftёsinё qё nё njё moment tё caktuar tё akumulojnё energji analizuese tё asaj shkalle sa qё arrijnë të reagojnë shumë fuqishëm psikologjikisht nё tё njёjtёn masё shpёrthyese me vlerёn historike tё ngjarjes ku janë
përfshirë.
E. Hoxha zgjodhi të bënte të
vetmen zgjidhje mbijetese, heroin, jo frikacakun e strukur brenda zyrёs sё tij nё Tiranё. Ai e sfidoi kupolën e
mafies komunste në shtëpinë e vet, brenda në Kremlin. Nuk mund të mohoet se ky
qëndrim e rriti figurën e tij në sytë e popullit të thjeshtë për një farë kohe.
E. Hoxha mund edhe ta shmangte vajtjen në Moskë në krye tȅ delegacionit. Mund
të dërgonte atje M. Shehun, apo si në Bukuresht H. Kapon. Kalkulimet që E.
Hoxha ka bërë me këtë rast, ky njeri që nuk mbahej për trim i çartur e që në
luftë nuk kish marrë pjesë në asnjë betejë duhet që të kenë mbartur brenda tyre
edhe një argument që mendoj se është kryesor. E. Hoxha rrethohej nga bashkëpunëtorë
luftëtarë që kishin qënë me vite në frontin e parë të zjarrit partizan. Ata
psikologjikisht e moralisht kishin epërsinë e të qënurit në front dhe jo si ai
në prapavijë. Kjo gjë i ishte thënë në sy në disa raste. E. Hoxha e kish
kuptuar mirë se këtë diferencë në kredite trimërie në raport me ata që e
rrethonin i duhej që domosdoshmёrisht t'a plotësonte në
një apo në një tjetër mënyrë. Në rast se E. Hoxha nuk do tё shkonte në Moskë lavdia e tij te bashkëpunëtorët e afërt
do zvogëlohej, para tyre ai do dukej akoma më frikacak. Kjo gjë do e bënte më
të lehtë për t'a rrëzuar nga pushteti. Mbrojtja e doktrinës ishte një alibi.
Mbas parashtrimit të këtyre
argumentave le të vazhdojmë arsyetimin me mëndje të ftohët.
Shtrohet pyetja: a mundet që në
roman tё pasqyrohej ndryshe e vërteta e aktit
historik të shkёputjes së Shqipërisë së
vogël nga kampi sllavo-komunist pa rolin e E. Hoxhës?. Tё atij njeriu qё luajti në mënyrën më
diabolike rolin kryesor nё konfliktin historik të
kampit komunist? Duke qënë fakt historik i pa mohueshëm që E. Hoxha në Moskë u
qёndroi rusёve dhe satelitёve tё tyre i vetëm, duke qënë
se në biografinë e tij prej udhëheqësi e arkivoi realisht si shumë pozitiv këtë
moment heroik, akt të cilin ia vlerësuan edhe politikanë të tjerë të njohur,
atëhere bëj pyetjen: po si mund t’a devijonte e t'a përshkruante shkrimtari nё roman ndryshe nga e vërteta reale e ngjarjes? Pёr njerёz me arsyetim normal kёto pyetje mendoj se kanё vetёm njё pёrgjigje, e cila nё kёtё rast shkon nё favor tё shkrimtarit Kadare.Nga
një lexim i vëmendshëm i tekstit portreti i E. Hoxhës del i favorshëm vetvetiu,
për faktin që E.Hoxha në atë ngjarje historike është i vetmuar përballë 80
liderve të tjerë komunistë, shumica e të cilëve janë vrasës gjithashtu. Pra,
momenti historik i zgjedhur është në favor absolut të tij. Aq sa është në favor
tërësisht e vërteta. Në qoftë se shkrimtari do ta përshkruante ndryshe, atëhere
do të kritikohej me të drejtë si lajkatar. Por ngjarja ka qenë e vërtetë. Dhe
fjalimi i tij ka qenë po ashtu. Ndaj autori s’mund të akuzohet për deformim të
historisë.
Nuk kemi lexuar në roman në ato
30-40 faqe përshkrim ndonjë gjë që s'na u duk e vërtetë as atëhere kur u botua
romani dhe aq më pak tani kur kanë kaluar 40 vjet. Romani u shkrua dhe u botua
në fillim të viteve 70, në kohën kur pas prishjes me B.Sovjetik dhe Kampin,
Shqipëria po prishej me Kinën. Pra, procesi i ndarjes së Shqipërisë nga kampi
komunist vazhdonte. Mendoj se kjo përbën arsyen që studjuesi Eric Faye përdori
në një studim këtë karakterizim per romanin: “Si një këngë lamtumire me kampin
komunist”. Në Shqipëri gjithashtu nga klasa e përmbysur kështu u konceptua
libri. Idea e Europës e përshkon librin nga kreu në fund.
Romani përshkohet nga pyetja: do
të shkojë Shqipëria drejt Europës tani që mbeti e vetmuar? Kjo dilemë i mundon
shqiptarët. Një nga personazhet me të cilën hapet romani është plaka Nurihan, e
cila përgjon ditë e natë tek radioja lajmin për përçarjen e komunizmit. Ajo e
quan “lajm i bekuar që na ngjalli të gjithëve”.
Nuk mund të mos bëhet një pyetje:
përse kritikuesit dhe dashakeqët e Kadaresë shkojnë nga shkojnë dhe kapen
djallëzisht te gjoja “mitizimi” i E. Hoxhës në roman?. Nuk dyshoj se këtu ka
diçka shumë më esenciale, shumë më gërryese për kritikuesit e shkrimtarit sesa
portreti i E. Hoxhës në Moskë.
Me pak vëmendje konstatohet se në
roman një nga linjat më me përgjegjësi rreziku, me shijen e saj të plumbtë
është ajo e përshkrimit të armës famëkeqe të Sigurimit të shtetit. Institucion
që ishte kopje e origjinalit në BS dhe në vendet e tjera komuniste, si në
funksionim ashtu edhe në fatin e atyre që e drejtonin.
Stalini ia veshi krimet e 10
milion viktimave ish ministrit të brendshëm të asaj kohe Genrikh Yagoda të
cilin e pushkatoi. Edhe Yezhovi që e pasoi mbasi e kreu misionin e tij të
krimeve gjakatare u pushkatua nga Stalini. Vdekja e mori Stalinin përpara sesa
të vazhdonte me eleminimin e Berias, i cili u akuzua dhe u pushkatua nga
Krushovi. Me të njëjtin stil hipokrizie kriminale Titua ia veshi të gjitha
krimet në ish Jugosllavi numrit dy të pushtetit të vet Aleksandër Rankoviçit.
Titua vet doli i larë, gjoja nuk ka ditur gjë për krimet dhe raprezaljet e
Rankoviçit. Po me Enverin si u zhvillua kjo dramë ? Krimet dhe tmerrin e viteve
të mbasluftës E. Hoxha ia ngarkoi në kurriz të gjitha K. Xoxes. Inatin dhe
xhelozinë që mbante përbrenda kundra intelektualëve E. Hoxha ia veshi natyrës
kriminale dhe injorante të K. Xoxes. Ai vet djallëzisht luajti rolin e atij që
nuk e pyesnin për ato që bënte sigurimi i K. Xoxes. Ish numri dy K. Xoxe u
pushkatua simbas të njëjtave akuza si të ngjashmit e vet në BS dhe Jugosllavi.
Ndërsa Titua e mbylli periudhën e krimeve me eleminimin e Rnkoviçit të
kundërtën bëri Enveri. Koha tregoi se në vitet e mëvonëshme E. Hoxha krimet
kundra intelektualëve i vazhdoi dhe i intensifikoi, po aq dhe akoma më
mizorisht sesa K. Xoxe.
Shkrimtari i përshkruan njerëzit e
policisë sekrete në mënyrën më të neveritëshme, i tall, i ironizon, i jep me
pelerina dhe duar të përgjakura. Personazhi i ish punonjësit të Min. së
Brendëshme Aranit Çorraj, gjaksor, i larguar dhe i punësuar si magazinjer në
një ndërmarrje tregëtare si edhe bashkëpunëtorët e tij, janë në libër simboli
makabër i Policisë sekrete të E. Hoxhës. Me nivel mediokër K. Xoxe përshkruhet
si ato hienat që gjahun e lakmuar kishte intelektualët. “Ah këta shkrimtarët”
psherëtinte. Të gjithë intelektualët e shkolluar në Perëndim i syrgjynosi nëpër
burgje ku i pushkatoi. Temat më të preferuara të K. Xoxes ishin bisedat për
Titon dhe intelektualët. Autori mban qëndrimin më ndëshkues, më demaskues ndaj
K. Xoxes e policisë sekrete, por të mos harrojmë asnjë çast se indirekt gishtin
e kishte drejtuar te E. Hoxha. K. Xoxe ishte numri dy në pushtet,
bashkëpunëtori më i afërt i E. Hoxhës. Aq afër sa në ato vite edhe familjet e
tyre jetonin në të njëjtën banesë me dy kate. Të mbajmë mirë parasysh se çdo
listë me emra për pushkatim merrte urdhër ekzekutimi vetëm mbasi firmosej nga
Sekretari i Parë E. Hoxha. Krimi natyrisht ka qenë i përbashkët. E.Hoxha
kryesori. K.Xoxe, njeriu i dytë i regjimit. Të tjerët me radhë sipas
hierarkisë. Këtu ka shumë rëndësi një konstatim që ka shënuar fatin e romanit.
Ajo që mungon në roman është mungesa e tablosë së plotë të krimit. Kjo
përligjet plotësisht në kushtet e një diktature shumë të egër. Jepen tmerret që
kryen njeriu i dytë i regjimit, por nuk thuhet askund se krimet i kanë bërë të
dy bashkë. Le të arystojmë brenda realitetit të kohës. S’mund t’i kërkohet
autorit më tepër. Edhe kaq është shumë. Merret me mend që lexuesi vetë, me një farë
kulture qoftë dhe të paktë, e kupton se krimet me përmasa të tilla s’bëhen
kurrë vetëm, pa dijeninë e liderit kryesor.
Kryesorja është se autori shkruan
fare hapur për krimet. Dhe i quan ashtu siç janë: krime politike, terror
politik në një rend komunist, në vendin e quajtur Shqipëri.
Do të mjaftonte si shembull skena
e pritjes qeveritare në Tiranë, menjëherë pas kthimit nga Moska të delegacionit
shqiptar me në krye E.Hoxhën. Pra, një kthim pas “triumfit” të tij në Moskë.
Në këtë pritje, ashtu si në tragjeditë
e Shekspirit, shfaqet një fantazmë e përgjakur. S’është fantazma e një njeriu
dosido, por e numrit dy të regjimit, Koçi Xoxes, pushkatuar disa vite më parë
prej numrit një, Enver Hoxhës.
Ai shfaqet në pritje duke kërkuar
ku e ka vendin e tij në sallën e gostisë. Dhe si të mos mjaftonte kjo, ai thotë
fjalët: “Erdhi prapë koha ime”, “Tani do të keni nevojë për mua”.
Plotësim më të përsosur për
personazhin kryesor, E.Hoxhën, nuk mund të ketë. K. Xoxe i thotë: Ti ishe në
pritje në Moskë, unë këtu në Tiranë. Ne plotësojmë së bashku një dyshe të
pandarë...
Kërkesa për ndalimin e romanit në
Shqipëri ishte e logjikëshme. I palogjikshëm do të ishte lejimi i tij.
Këtu është momenti që duhet të
pohojmë se më në fund me gjenialitet shkrimtari ka gjetur daljen nga porta e
ferrit. Ky është çasti i hedhjes në tavolinë të gurëve të fatit të tij mbasi
është momenti kur ka luajtur “bixhoz” me vdekjen.
Këto janë dy shtyllat që kanë
shënuar suksesin e romanit dhe shpëtimin, mbijetesën e shkrimtarit Kadare.
Njëra shtyllë është portreti letrar i E. Hoxhës që sfidon Moskën dhe e dyta,
krimet politike të K. Xoxes. Në këtë mënyrë E. Hoxhës i vuri maskën e “artistit
të pafajshëm”, e cila duket që i pëlqeu shumë edhe atij vet. Maska si ai lëngu
dehës ia përkëdhëli vetëdijen. Mendja e tij diabolike u mashtrua nga mendimi se
njerëzit këtej e tutje do adhurojnë, do duartrokasin dhe brohorasin për “maskën
e artistit”. Vetvetiu do harrojnë, do fshijnë nga kujtesa atë E. Hoxhë që
mishërohet te K. Xoxe me maskën e krimit. Askush nuk thotë dot se cila nga
maskat i ka pëlqyer më shumë. I pëlqente më shumë maska e krimit të K. Xoxes me
makabritetin e saj apo ajo e artistit të dashur me popullin që mbante vet. Ky
është momenti më kulmor i disidencës së qartë të shkrimtarit Ismail Kadare. Ky
trajtim ishte melhemi që i qetësoi shpirtin dhe i mashtroi arsyetimin
diktatorit. Duket që me librin në duar, mbrapa maskës E. Hoxha emocionalisht e
ka rijetuar edhe një herë të gjallë dramën e papërsëritëshme të Moskës. Dhe
sigurisht që kjo e ka bërë të ndihet shumë krenar. Ky është çasti vendimtar i
lojës me vdekjen që shënoi mbijetesën e shkrimtarit Kadare. Nga ky moment e më
pas po të binte, po të syrgjynosej apo të pushkatohej shkrimtari automatikisht
do të binte edhe romani bashkë me maskën e “artistit” të E. Hoxhës. Këtu e gjen
logjikën shpjeguese pohimi i shkrimtarit Kadare se E. Hoxha vet më ka shpëtuar
nga E. Hoxha. (Me siguri këtë moment në roman duhet të ketë kapur Princi Leka I
kur iu përgjigj një gazetari francez para rënies së bustit të E. Hoxhës: “Po
Kadare është një disident i fshehtë”. Kështu shpjegohet sesi më pas në vend që
shkrimtari Kadare të bëhej më i butë, ai u egërsua akoma më shumë me
diktaturën. Siç e thotё studjuesi australian
Peter Morgan midis shkrimtarit dhe diktatorit filloi të zhvillohet ndeshja
historike. Si dy mjeshtra shahistë ku në një moment kishte avantazh njëri dhe
në një moment tjetër kundërshtari. Jam plotësisht i bindur se nuk do tё kishte poemë “Pashallarët e kuq” dhe roman “Pallati i
Ëndrrave” nё qoftёse nuk do ishte botuar dhe lejuar tё qarkullonte romani “Dimri i Vetmisё sё Madhe”. Romani i
denoncimit me shkrim të krimeve të diktaturës. Prandaj kritika botërore e ka
quajtur “Dimrin e vetmisë së madhe” romanin unikal-total të universit komunist.
“Dimri i vetmisë së madhe” dhe
“Koncert në fund të dimrit”, sipas kritikës botërore përbëjnë diptikun që ka
ndoshta aq krime sa gjithë letërsia e botës komuniste së bashku. Peter Morgan
thotë: “Asnjë vepër tjetër në universin komunist nuk e ka përshkruar përçarjen
e kampit komunist kaq të plotë”. Në romanin “Dimri” kupola e kampit komunist
përshkruhet si një “Consil i zymtë”, si një “Sekt vrasësish”. Një pjesë e tyre,
ikona të gjalla si Dolores Ibaruri, Moris Thorez, Luigji Longo, Ulbriht,
Gomulka, Dezh, etj. Një pjesë ende në pushtet, ose që prisnin të merrnin
pushtetin. Studjuesi dhe shkrimtari francez Eric Faye, njohës ekspert i botës
komuniste shkruan: “Dimri” plus “Koncerit” janë së bashku Iliada dhe Odisea e
komunizmit.
Kur njihesh me opinionet e
kritikëve të huaj dy qëndrime të ndryshme reflektohen te ata mbi “Dimrin”.
Kritikët e majtë e kanë konsideruar një tronditje e madhe për të majtën
botërore. Prej majtistëve europianë vepra konsiderohej si reaksionare, ishte
vepër antikomuniste, sepse gjithë liderët politikë jepeshin me ngjyra
negative.E kundërta konstatohet te kritikët me frymë të djathtë europiane dhe
botërore. Vlerësim i tyre është maksimal. Në opinionet anglisht që kritikë të
ndryshëm kanë shprehur për romanin kudo ku u botua , nuk i kanë dhënë ndonjë
rëndësi frymës së E.Hoxhës. Gjithë vëmendjen e tërhiqte tabloja pesimiste, e
zymtë e botës komuniste. Për mbledhjen e Moskës u përdor disa herë shprehja
“Olimpi në zi”.
Shumë me interes është botimi i
romanit në Rusi më 1991, një vit pas rënies së bashkimit Sovjetik. Në një
parathënie të gjerë të akademikes Smirnova, jepet interpretimi rus i veprës:
vepra nuk quhej as antisovjetike, as antishqiptare. Quhej si “drama e
përbashkët e dy vendeve në komunizëm: njeri vend i madh, tjetri i vogël”.
Akoma më interesant ështe gjykimi
për dy personazhet antagonistë: Enver Hoxhën dhe Nikita Hrushovin. Ata
portretizohen të dy njëlloj negativë, “si dy vëllezër binjakë”! Historia e
dënon Hrushovin krahas të tjerave edhe si mbështetës dhe zbatues me dorë të
hekurt të spastrimeve masive dhe vrasjeve të bëra në Ukrainë gjatë viteve
1939-1940. Spastrime kriminale të nxitura nga Stalini dhe të zbatuara në
Ukrainë nga Hrushovi si Sekretar i parë në ato vite.
Mbas gjithë sa analizuam më lart
vijmë tani te përgjigjja e pyetjes: përse kritikuesit e Kadaresë shkojnë nga
shkojnë dhe kapen te “miti” i E. Hoxhës në roman. Këta ish punonjës të
sigurimit të shtetit të simbolizuar në roman në mënyrën më diskredituese janë
baballarët, janë familjarët e studjuesve dhe analistëve të sotëm që gjëllojnë në
Tiranë. Të tërheq vëmendjen fakti se në këtë fushatë denigruese ndaj
shkrimtarit u dalluan sidomos njerëz që janë pasardhës nga nomenklatura
komuniste e lidhur me sigurimin e shtetit. Logjika e pranon se sado të
qytetëruar e perëndimorë që të përpiqen të tregohen, në subkoshiencën e tyre
ata e vuajnë ngjyrën e zezë të krimit me të cilën u lyen shpirtërisht etërit e
tyre në vitet e diktaturës. Sharjen dhe përçmimin e tyre në roman nuk e durojnë
dot. Nuk ia pranojnë dot shkrimtarit këtë trajtim mizor që u bën etërve. Nuk
janë pak. Janë infiltruar me djallëzi nëpër institucionet dhe median shqiptare
nga ku me pezm të madh i sulen shkrimtarit Kadare sa herë riçfaqet sëmundja
gangrenoze e hapjes së dosjeve të sigurimit. Janë ushqyer që në fëmini me
psikologjinë e etërve dhe nuk u shqitet nga kujtesa. Kujtimet dhe shijet e
fëmijërisë janë shtrati ku formohet personaliteti i njeriut të rritur na thotë
Frojdi. Prandaj ata në mënyrën më të papërmbajtur shpërthejnë duke u munduar pa
pushim që me pa të drejtë të hedhin mbi shkrimtarin pak baltë nga ajo e etërve
të tyre. Në ditët më të mira për sigurimin e shtetit, në kulmin e forcës së tij
shkrimtari Kadare ia arrin të bëj pa mëshirë gjyqin moral të kësaj arme
gjakatare për popullin shqiptar. Për fatin e tyre të keq dhe të mirën e
popullit kjo është e vërteta historike e materializuar në mënyrë të shkëlqyer
artistikisht në romanin 'Dimri i vetmisë së madhe”. Me mprehtësinë e tij
karakteristike ish ministri i brendshëm Kadri Hazbiu këtë gjyq e vuajti thellë,
e kuptoi shumë qartësisht në faqet e romanit prandaj mbetet e paharruar
shprehja e tij: “Tridhjetë faqe lexova nga libri (faqet e sigurimit të tij
famëkeq) dhe tridhjetë herë pështyva”. Ai e ka ndjerë deri në palcë dhimbjen e
këtij përshkrimi makabër në roman. Për fat të mirë të lexuesve shkrimtari me
talentin e tij të madh dhe me guxim e zgjuarsi na e dha këtë periudheë të
historisë sonë në mënyrën më besnike. Logjikën e këtij arsyetimi mbi etërit e
fuqizon më tej edhe një shpjegim krahasues. Asaj periudhe të diktaturës i
përket edhe S. Ngjela. Në veprën e tij ai arrin të bëjë autopsinë
politiko-filozofike më të plotë deri tani të regjimit të E. Hoxhës. Pa asnjë
mëdyshje në mënyrë të veçntë demaskon qartësisht rolin famëkeq të policisë
sekrete të E. Hoxhës. Jo vetëm kaq. Me prindërit të pa implikuar në krimet e
policisë sekrete Spartak Ngjela që nuk ndjen në subkoshiencën e tij ngacmimet e
hijeve të K. Xoxes mban një qëndrim krejtësisht të kundërt, vlerësues në
maksimum të shkrimtarit Kadare.
Sikur shkrimtari të kish bërë këtë
kompromis me veten, pra të kishte reaguar me autoçensurë, atëhere romani do
ishte pa asnjë vlerë. Sipas këtyre kritikuesve përderisa personazhin e E.
Hoxhës e përshkruan me realizëm, të pa përkulur e të vendosur në aktin e
demaskimit në Kremlin atëhere romani duhet hedhur në plehra thonë ata. Këta
lloj opinionistësh më duken si ata lexues që në një libër bëjnë një sondazh të
ngjashëm me trryjelën që futet në një sharqi, po qe se është i kuq thonë pa e
shijuar se është shumë i mirë. Sipas tyre, ka lavdëruar E. Hoxhën e kuq romani
nuk bën. Romani duhet hedhur në plehra thonё kritikuesit, sipas
socrealizmit diktatori duhej të ishte përshkruar frikacak. Merita e shkrimtarit
pikërisht këtu qëndron që, nuk e autoçensuroi nivelin letrar të romanit për t'a
bërë art të masave popullore. “Arti nuk duhet asnjëherë të tentoj të jetë
popullor. Populli duhet të kërkoj të bëhet sa më artistik” përsëriste Oscar
VVilde.
Me “Dimri i vetmisë së madhe”
Kadare arriti qё të na japë një kryevepër ku
demaskimi i jetës nën diktaturë kap përmasa historike, krahasimisht i pashoq në
gjithë letërsitë e vendeve ish komuniste. Kadare e ka shprehur më shumë se një
herë se vazhdon t'i qëndroj mendimit që akti i shkëputjes së Shqipërisë nga BS
përbën të vetmen gjë që E. Hoxhës ai ia konsideron pozitive në jetën e tij prej
diktatori. Në 45 vjet diktaturë ngjarja e Moskës është i vetmi moment pozitiv
kur u krijua shkëputja fizike me sllavo komunizmin rus, përkohësisht sepse
komunizmi në Shqipëri ngeli. Janë ngjarje epokale këto raste si ai i shkëputjes
së Shqipërisë nga Blloku komunist i Lindjes dhe rasti i Kosovës nga Serbia. E
kemi të freskët para syve dramën historike tё kёsaj shkëputjeje nga Serbia. Sa gjak, sa akte çnjerëzore
pësoi populli Kosovar derisa ia arriti të shpëtonte nga kthetrat e Serbisë.
Mendoj se me ilustrimin e mёposhtёm ky opinion mbi “Dimrin”
bёhet mё i plotё.
Ka qёnё njё kohё kur studentёt shqiptarё nё BS dhe nё vendet e tjera tё Lindjes komuniste u ndjenё shumё dinjitoz dhe krenar.
Krejt ndryshe pёr sa ishin mbajtur deri nё atё kohё nga qytetarët e vendeve të Lindjes komuniste. Nё valёn e ndeshjes nё Moskё studentȅt e vendeve tȅ
tjera satelite komuniste, polakё, gjermanolindorё, çekosllovakё, hungarezё, ukrainas, etj, me ndjenjë adhurimi u thoshin studentёve shqiptarё: “Duhet tȅ jeni shumë
krenarё sepse udhёheqёsi juaj ia pёrplasi nё fytyrё Krushovit.
Ju një popull i vogël nuk pranuat
tё jeni vasalё tё Moskёs. Ju po shkёputeni nga rusёt kurse ne do vazhdojmё tё jemi nёn çizmen e rusёve. Ju shpëtuat, tani do
lidheni me perëndimin.
Tё mos
harrojmё se edhe nё ditёt e sotme çekёt e vlerёsojnё tej mase aktin e largimit botёrisht tё Shqipёrisё nga traktati i Varshavёs nё kohёn e pushtimit tё Çekosllovakisё. Tё mos harrojmё gjithashtu se kjo ndodhte nё kohёn kur BS ishte njё tmerr pёr Perёndimin. Ilustrimi mё
domethёnёs ёshtё Ukraina sot.
Përfundimisht
mendoj se ne shqiptarëve vepra e këtij gjeniu na emancipoi. Në këtë emancipim
një rol të dorës së parë ka luajtur dhe luan romani “Dimri i vetmisë së madhe”.
I shpreh mirënjohje autorit Met Dervishi që me studimin e tij u bë shkas që të
kem mundësi për të paraqitur këtë opinion në vazhdim plotësues të punës së tij
studimore.
No comments:
Post a Comment