Nga;
Nuri PLAKU
Drejtor
i Muzeut Historik Fier
LIDHJET E
ALI PASHE TEPELENES ME MYZEQENE
Lidhjet e
krahinës së Myzeqesë me ngjarjet më të rëndësishme historike të vendit kan qenë
aktive në të gjitha kohërat. Ato janë bërë prezente që nga rrezatimet e para
kulturore të Apolonisë, luftërat iliro - romake, e deri tek beteja e Cezarit me
Pompein, të cilat e mbyllin siparin e tyre të periudhës antike. Pastaj vjen
mesjeta me dyndjet e vrullshme të popullsive nordike me hunët, avarët,
përplasja me sllavët, anzhuinët, rruga e Kryqëzatave, kontrolli i venedikasve e
deri tek takimi i parë “miqësor” me otomanët.
Ky takim është
bërë pikërisht këtu, në luftën vëllavrasëse midis princërve Topiaj dhe
Balshajve për Durrësin e kthyer në “mollë sherri” midis të dyve. Kjo ardhje do
ta shkruante me gjak faqen historike të kësaj krahine me një akt makabër të paprecedent.
Aty, në fushën e Savrës turqit ngritën piramidën e parë me kokat e prera të
kundërshtarëve. Kjo fushë u bë “Vajkali” i ardhshëm shqiptar. Këtu ka qenë
fillesa e pushtimit 5 - shekullor dhe,
për ironi të fatit, mbas këtij pushtimi ushtritë osmane po këtu dhanë edhe
“frymën e tyre të fundit”.
Ndërsa njëri
nga ish - funksionarët shqiptarë të shtetit turk, Eqrem bej Vlora, në dimrin e
ashpër të dhjetorit të vitit 1912, do ta përshkruante trishtueshëm përcjelljen
e ushtrisë së mundur nëpërmjet fushës sonë myzeqare. Në rrethinat e Fierit
ishin dyndur 25 mijë trupa turke të shtyra nga Selaniku dhe Janina nën
presionin e ushtrive ballkanike dhe ishin përqendruar këtu për t’u larguar
sërish nëpërmjet portit të Semanit.
Duke u ngjitur
me kuaj në kodrat e përbaltura të Grizës, ku ishte ngritur kampi i dështimit,
për t’i bërë një vizitë sivëllait të tij, komandantit turk të armatës së
Vardarit, gjeneral Zeki Pashës, Qerem bej Vlora do të shkruante: ”Vështrimi im humbi tej në largësi mbi fushën
e Savrës, mbi atë fushë ku para 527 vjetësh kishin ushtuar për herë të parë në
Shqipëri thirrjet ngadhënjimtare të turqve. Krejt në të majtë, poshtë
Manastirit të Ardenicës, pra midis Kolonjës dhe Mbrostarit, ngrihet fantazmore
një piramidë resh të hirta në të zezë. Bash atje ku para 500 vjetësh turqit, si
shembull tmerrues, ngritën një piramidë me kokat e prera të armiqve të tyre.
Dukej sikur kjo lojë e natyrës kërkonte të zgjonte edhe një herë kujtimin e një
të kaluare të lavdishme për ta venë në pah edhe më shumë mjerimin e së
tashmes.”[1]
Por gjatë
këtyre 500 vjetëve, përveç princërve pronarë të saj dhe të huajve, me masakrat
e tyre, një ndër më të largëtit, që ka lënë më shumë gjurmë në trevën e kësaj
fushe, ka qenë Ali Pashë Tepelena. Aliu “notoi” në rrjedhat dramatike dhe në
pasuritë e bollshme të kësaj treve dhe nguli në enigmat e saj piketat e veta
historike. Krijoi lidhje të ndryshme me banorët e fushës, me institucionet e
religjonit, kulturën dhe, së fundi, edhe me reliktet e tij.
Historiografia shqiptare
nuk i ka pasqyruar aksionet e Aliut 21 - vjeçar në territoret rreth Shkumbinit,
kur Kurt pasha i Beratit, pasi i fali jetën, e dërgonte atë në luftërat me
pashallarët e vegjël të Elbasanit dhe Kavajës, të cilët ishin nën mbrojtjen e
Bushatlliut të Shkodrës. Pikërisht këto të dhëna na vijnë në formë kujtimesh të
mbledhura nga Rrapi Saqellari[2], një punonjës kulture i pasionuar me historinë e fshatit
të tij të lindjes, Kolkondasit. Ai ka mbledhur kujtime dhe thënie të ndryshme
të transmetuara gojë pas goje nëpër breza në të cilat flitet me aq pasion për
miqësinë dhe gjurmët e hershme të vezirit të Janinës.
Këto gjurmë
konsiderohen një privilegj i çmuar për të kaluarën e këtij fshati. Madje në çdo
përpjekje, Aliut dhe çetës së tij i bëhet mbështetje Kolkondasi me bujarinë e
njerëzve dhe pyjet e tij të dendura e të virgjra. Atëherë Kolkondasi ishte bërë
kryeqendra e Myzeqesë për një periudhë të gjatë kohe, që nga gjysma e dytë e
shek.XVIII deri në gjysmën e parë të shek. XIX, kur filloi të zëvendësohej nga
Libofsha. Aty kishte prodhime të
bollshme, ekonomi të zhvilluar dhe njerëz që ngjiteshin në majat e karrierës
kishtare. Ndërsa tregtarët e kripës përshkonin me guxim udhët e shumta
ballkanike dhe lidheshin me Janinën, Voskopojën e Selanikun.
Pikërisht këta
njerëz iu bënë mbështetje djaloshit tepelenas. Midis tij dhe pjesëtarëve të
tjerë të çetës kryheshin lidhje konspirative nëpërmjet dervishëve që jepnin e
merrnin lajme nga njëri vend në tjetrin. Kolkondasi ishte qendra e aksioneve të
pashait të ardhshëm. Më vonë, ai nuk do ta harronte kurrë kontributin dhe
mbështetjen e madhe që i dhanë vendasit e këtij fshati. Shpesh pashai thërriste
në Janinë për bisedime klerikun e dëgjuar, përgjegjësin e Manastirit të Shën
Kozmait, papa Avram Jankon, një stërgjysh të Saqellarëve dhe interesohej për
mbarëvajtjen e punëve në Myzeqe. Kur kthehej në fshat, papa Avrami i çudiste
njerëzit me rrëfimet e Janinës dhe planet e bëra nga Ali Pashai.
Veziri i
thoshte klerikut se do ngrinte aty një kala të madhe që të dukej nga deti kur
të kaloje me anije dhe të dukej deti nga dritaret e saj. “Unë do ta qeverisë Beratin nga Kolkondasi”, - kishte thënë njëherë
pashai. Papa Jankua nuk reshtte së foluri për planet dhe favoret e Aliut dhe
fjala u hap aq shumë sa të gjithë e besonin të ardhmen e lumtur të këtij
fshati. Dhe vërtetë, Aliu kishte shumë mundësi për ta bërë Kolkondasin një
“Bashtovë” të dytë në brigjet e Semanit, ashtu siç kishte bërë edhe shumë
ndërtime të tjera buzë ujërave.
Sipas këtyre të
dhënave edhe kolkondasit ndiheshin të qetë nën mbrojtjen e pashait. Jeta e tyre
në këtë periudhë mori një rimëkëmbje të ndjeshme ekonomike dhe kulturore.
Tregtia zhvillohej me ritme të shpejta, udhët ishin të qeta dhe qendra tregtare
e fshatit u bë pika nevralgjike e gjithë zonës.
Kur u vra Ali
Pashai, kolkondasit e përjetuan me dhimbje humbjen e mbrojtësit të tyre. Këtë
dhimbje papa Jankua e shprehu duke mbajtur në kishë një meshë për shpirtin e të
ndjerit.
Një lidhje tjetër e Ali pashë Tepelenës me
fushën e anëdetit kanë qenë edhe pasuritë e saj të shumta blegtorale. Nga pesë
krahinat e pashallëkut të tij që kanë përshkruar xhelepxhinjtë në vitin 1815,
Myzeqeja ishte më e pasura në bagëti. Ajo kishte 1 000 000 dhënë dhe 2 000 000
dhi, kur krahinat e tjera kishin: Maqedonia Ciskasiene 900 000 dhen e 900 000
dhi, Iliria maqedoniane 800 000 dhen e 1 500 000 dhi, Epiri 500 000 dhen e 1
200 000 dhi dhe Etolia 600 000 dhen e 1 800 000 dhi.[3] Thesalia, Akarnania dhe Focida nuk janë përshkruar nga
xhelepxhinjtë gjatë këtij viti.
Lidhja tjetër e Aliut me Myzeqenë dëshmohet me Manastirin e Shën Kozmait. Dihet
angazhimi i tij për ndërtimin e këtij objekti të kultit ortodoks dhe sidomos dy
letrat e dërguara popullit për ndihmë në të holla. Madje në këto letra
përmendet edhe Papa Jankua. Letra e parë është dërguar më 12 shtator 1813. “Tek juve rumë të Beratit, - thuhet në të, -
myzeqarë dhe vlleh grabovarë, katunde dhe çifliqe. Ju lajmëroj se ja tek vura
një epitrop që të më ndreqin manastirin e plakut Kozma dhe ndihmova dhe unë me
të holla dhe të ndihmoni dhe ju si t’ju thotë dhespoti, me qëllim që të ndreqet
ky manastir. Dhe për ata që nuk do të japin ndihmën e tyre, do të më mbetet
hatëri dhe do t’i paguajnë dyfish.
Sikundër ju
urdhëroj kështu të bëni, pas këtij vendimi.
Në Gjirokastër më
12 shtator 1813.[4]
“Hair duaxhitë e mi, mitropolit i Beratit,
Kolë Mitro dhe Haxhi Janko, - thuhet në lëtrën e dytë.- Ju salutoj dhe ju
kallëzoj se sa më shkruat i mora vesh dhe u informova me anën e igumenit dhe u
gëzova shumë që u kujdesët për Plakun Kozma. Ja tek po vjen aty tani igumeni
dhe Nikolla bashkë me kryemjeshtrin dhe të vini të ndreqni odat dhe kullan e
manastirit, që të shquhet nga të gjithë manastiret, sepse tash me ardhjen time
aty dëshëronj t’a gjenj të mbaruar. Pra, të kujdeseni të gjithë që ta ndreqni
dhe të gjithë rumët e Beratit, të mëdhenj e të vegjël, të ndihmoni. Po i
shkruaj dhe Ibrahim Arapit t’ju ndihmojë në çdo punë. Të bëni sikundër ju
shkronj. Ju përshëndes.”
Aliu ndërtoi
manastirin me dy kate me nga 60 dhoma për secilin, hapi shkollën dhe dhuroi një
bibliotekë të pasur me një numër të madh librash, e cila u transferua më vonë
së bashku me shkollën në Manastirin e Ardenicës. Dhuroi edhe një bust prej
mermeri të së shoqes, Vasiliqisë, të cilin besimtarët e vendosën në ajodhimën e
kishës. Ndërsa mbi sipërfaqen e kambanës gdhendi portretin e së ëmës, Hankos,
me një mbishkrim në gjuhën greke. Në muret e manastirit u vendosën edhe dy
ikona; në njërën ishte pikturuar Aliu me Vasiliqinë duke biseduar me
kallogjerët, ndërsa në tjetrën, Aliu me murgun Kozma.
Pas vrasjes së
mikut të tij, Pashai kishte mbajtur lidhje të vazhdueshme me të 39 kallogjerët
e murgut. Ikonat u morën gjatë Luftës së Parë Botërore nga një oficer austriak,
që fjeti disa net në manastir. Oficeri mori edhe kokën e murgut të derdhur në
ar.[6] Koka ishte vendosur mbi një pllakë bronxi mbi të cilën
ishte figuruar maketi i manastirit. Kështu thuhet në kujtimet e hershme të
burrave të këtij fshati.
Por Aliu, sipas
premtimit të bërë në letrën e dytë, nuk erdhi në ceremoninë e inagurimit të
manastirit më 14 gusht 1815. Por kush erdhi në festën e kësaj date? Këtë
përgjigje e gjejmë sërisht në shënimet e Saqellarit. Veziri dërgoi 70 kalorës
me në krye Ibrahim Arapin, i cili i dorëzoi papa Avram Jankos edhe një ferman
të firmosur nga pashai. Sipas fermanit Aliu i dhuronte manastirit toka të
begata dhe irate në Kolkondas, Bubullimë, Nartë, Korkutas e Kurjakas. 70
kalorësit me Ibrahimin kishin qendruar disa ditë në konakët e manastirit si
mysafirë të Kolkondasit dhe gjithë Myzeqesë.
Pas kësaj date,
sa herë që vinin komandantët e pashait në Myzeqe, kur ktheheshin nga luftërat
apo kalonin natën e shenjtë të 24 gushtit, bujtnin në konakët e manastirit dhe
i puthnin dorën me respekt papa Jankos. Papa Janko ishte pika lidhëse e
Kolkondasit me Janinën dhe një nga burimet historike që do ta mbante të
pashterur gurrën e vet të krenarisë fisnore të Saqellarëve. Ky burim do të
vazhdonte ta përtërinte rrjedhën e vet sidomos me studimin e mëvonshëm të
kodikut të Shën Kozmait ku “Papa Avrami nga Kolkondasi”[7], përmendet në një nga shkrimet e studiueses Llambrini
Mitrushit kur i referohet një kontrate martese të kurorëzuar në këtë manastir
në gjysmën e parë të shek. XX-të.
Një tjetër lidhje e Vezirit me Myzeqenë ka
qenë edhe Apolonia. “Ali Pashë Tepelena vuri njerëz për të gërmuar në Apoloni
dhe ky ishte i pari gërmim arkeologjik që bëhej në Apoloni (madje në
Shqipëri)”, thoshte në një intervistë arkeologu shqiptar Hasan Ceka.[8] Mos vallë edhe gdhendja e bustit të Vasiliqisë që u
vendos në Manastirin e Kolkondasit kishte lidhje me xhelozinë e tij për Livian
e Augustit? A e ka ditur pashai kultin e ngritur në antikitet për gruan e
perandorit romak, duke emërtuar me emrin e saj edhe një nga tipet e letrës së
papirusit? A kishte parë e dëgjuar ai për gdhendjet e famshme të Apolonisë që
ndërmori në mënyrë fragmentare ekspeditën e vetë kërkimore, duke u futur kështu
në historinë e arkeologjisë shqiptare si i pari që kryen zbulime në këtë fushë?
Sigurisht që
po, përderisa ky pasion shfaqet me dhuntinë e gërmimit prej tij të antikave në
Apoloni. Nëse ky do të ishte përqendruar më gjatë në këtë nismë fillestare të
tij atëhere me siguri që do kishim një “Shliman” shqiptar. Gjithsesi gërmimi i
antikave dhe punimi i bustit të së shoqes i japin atij një dimension të ri jo
shumë të njohur në rrethet e studimeve për të. Por ajo që është më e
rëndësishme qendron në faktin se ky dimension kulturor, adhurues prej një
mbreti sqimatar, shfaqet pikërisht në Myzeqe.
Myzeqeja e
pasur me antika të mermerta, me ujëra të bollshme, pyje të virgjra, pasuri
bujqësore e blegtorale, me shenjtorë e njerëz të shenjtëruar, me dhespotë,
kisha e manastire u bë edhe piedestali i karizmës së pashait të Janinës.
Pas Kolkondasit
e Apolonisë një tjetër pikëlidhjeje e
pashait me Myzeqenë ka qenë kriporja e Semanit. Historikisht punimet e saj janë
marrë në “iltizam” (sipërmarrje) nga persona të ndryshëm gjatë periudhës
osmane. Kripa ishte prodhim mjaft i rëndësishëm në mesjetë aq sa konsiderohej “nafta e mesjetës”.
Qysh nga kohët e vjetra punëtorët e saj
merreshin me detyrim nga rajatë, (bujqit) e çifliqeve mbretërore që ndodheshin
aty pranë dhe bujqit e disa çifligjeve të tjerë të kësaj nahije. Por nga puna e
rëndë në hapjen e gropave të pellgjeve, bujqit lodheshin e robëtoheshin aq
shumë sa arratiseshin nga vendbanimet e tyre. Kjo braktisje u bë shkak për
rënien e prodhimit të kripores dhe çifligjeve mbretërore, tokat e të cilëve
mbeteshin djerrë nga mungesa e krahëve të punës.
Shqetësimi për
këto pasoja u bë aq i madh sa qeveria ndërhyri dhe vendosi që, sipas vullnetit
të popullsisë së kësaj zone, punëtorët të merreshin jo vetëm nga çifligjet
mbretërore pranë kripores, por edhe nga çifligje të tjerë të Myzeqesë. Në këtë
mënyrë u sigurua ecuria normale e kripores dhe prodhimit të kulturave
bujqësore. Qeveria rregulloi në mënyrë të kënaqshme edhe praktikën e
shpërblimit të punës. Gjysma e prodhimit i jepej shtetit ndërsa gjysma tjetër u
jepej punëtorëve në formë shpërblimi.
Por këtë
ekuilibër midis punës, punëtorëve dhe shpërblimit të tyre e prishi Ali Pasha
kur e futi kriporen e Semanit në pashallëkun e tij. “Kur vuri dorë mbi kriporen Ali Pasha nuk e nderoi këtë zakon, gjysma e
prodhimit mbeti për shtetin si më parë dhe gjysmën tjetër u vuri atyre nga 20 para
për okë.”[9]
Ndryshime bëri pashai edhe në mobilizimin e punëtorëve.
Ai urdhëroi që krahu i punës të sigurohej nga një në dy persona për derë, madje
së bashku edhe me qerret dhe kafshët e punës që dispononin këto dyer. Afatin e
zgjati nga 4 deri në 5 muaj. Fitimi nuk vinte as 100 groshë për krahë. Kjo
gjendje e rëndoi shumë bujkun dhe familjen myzeqare dhe prodhimi bujqësor ra aq
shumë sa njerëzit në vend të bimëve të arave shtuan numrin e bagëtive. Ali
pasha kishte një “mospërfillje të përgjithëshme për bujqësinë”,[10] e
cila u njoh dhe është venë në dukje nga studiuesit e tij.
Në këtë mënyrë,
pra, Ali Pashai ndërtoi raporte robërie dhe shfrytëzuese me bujqit ashtu si
shfaqet kjo ndjesi edhe në kërkesën kërcënuese të dy letrave të tij për të
mbledhur taksën e re të ndërtimit të manastirit. Kjo shije e hidhur e Ali
Pashait ngelet një dëshmi e dhunshme e aktivitetit të tij sundues në popullsinë
e kësaj treve, ashtu si ka vepruar edhe në krejt pashallëkun e tij.
Kjo gjendje e
krijuar në kriporen e Semanit vazhdoi edhe 24 vjet mbas vdekjes së pashait. Në
vitin 1844 u bë ndërhyrja e parë duke u korigjuar numri i mobilizimit të
krahëve të punës nga çdo çiflig. Iniciator u bë Elmas aga, pronari i çifligut
të fshatit Metalli, i cili iu drejtua Myhdirit të Janinës me një kërkesë që
numri i punëtorëve të detyruar në kripore të zbriste nga 10 në 5, sepse shumë
fshatarë kanë ikur nga çifligu dhe janë bërë “harbi”. Mbas verifikimeve ka
rezultuar se e vërteta ishte ashtu si pretendonte ankuesi dhe gjykata e sheries
vendosi ta zbriste numrin e punëtorëve nga 10 në 5 persona.[11]
Dy vjet më pas
më 1846 vetë bujqit iu drejtuan vilajetit me një kërkesë për mënyrën e
papërshtatshme të pagesës dhe i luteshin t’ua zgjidhte problemin, duke
ndryshuar masat e ndërmara nga Aliu dhe rikthimin e pagesës së mëparshme.
Përgjigjja qe pozitive. Prodhimet e bollshme të kripores përbënin një pikë
nevralgjike për shtetin osman dhe trajtimi i saj tërhiqte vëmendjen e tij të
duhur.
Sipas një
dokumenti (bujullurdi) të vitit 1846, nëpërmjet të cilit kriporja i jepet në
sipërmarrje Selim agait e Xhaferr agait, rezulton një shifër prodhimi që
arrinte në 30 000 qase e që shitej me 7 groshë qaseja. Kjo ishte sasia që
ndodhej e rezervuar në magazina gjatë muajit korrik veç asaj që shitej. Pra
prodhimi i kripores ishte një shifër e rëndësishme.
Por krahas
këtyre gjurmëve të dokumentuara në arkivat e kohës, prania e Ali pashait në
Myzeqe dëshmohet edhe me një gjurmë
tjetër të tij, sa të bukur e të prekëshme aq edhe interesante. Është shkopi
i tij, një nga objektet personale që ndodhet aktualisht në Muzeun Historik të
qytetit.
Shkopi është
mbajtur në familjen e Faik Konicës dhe është trajtuar me fanatizëm prej tyre.
Ai është dorëzuar në Muzeun e Fierit nga dy mbesat e Faikut, vajzat e vëllait
të tij, Hysenit, Emel dhe Hanko Konica.
Të dyja motrat
kanë ardhur në Fier të internuara nga Tirana për motive politike në vitet ’60
së bashku me vëllanë e tyre. Për një kohë të gjatë ato kanë banuar në shtëpinë
e Jakov Xoxës e më pas në një apartament në lagjen “Kongresi i Përmetit”,
përballë Bar “Rinisë”. Ato tashmë kanë vdekur që në vitin 1988 dhe prehen në
varrezat e Fierit. Por pikërisht në prag të vdekjes, një vit më parë, më 1987,
njëra prej tyre, Emela, firmosi për dorëzimin e tij në Muzeun e qytetit të tyre
të internimit.
“Veliu mbetej i vetmi trashëgimtar në
Tepelenë dhe u bë një bej i rëndë, - thotë shkrimtari Sabri Godo në romanin e
tij kushtuar pashait të Janinës. - Kishte katër fëmijë kur mbeti i ve dhe u
martua me Hankon, Emihan hanëmin, bijën e Zenel beut të Konicës.”[12] Ky pohim është një dëshmi e hershme e Pukëvilit, e cila
është pohuar edhe nga shumë kronistë e studiues të tjerë të Aliut.
Lidhjet e Aliut
me Konicët janë bërë të njohura me dëshminë e Pukëvilit. “Ai, (Veliu i ati i
Aliut, sh.im) kërkoi dhe mori për grua Hankon, të bijën e një beu të Konicës
dhe ky bashkim e vuri në lidhje farefisnie me familjet kryesore të
Toskërisë...”[13]
Kjo lidhje
dëshmohet edhe nga Faiku në një letër që i dërgon më 24 janar 1896 një miku të
vetë. “Emëri im është : beg Faik – Dominik Koniza, - thotë ai, - jam diali i
beg Shahin Konizës, edhe i afërtë i Ali Tepelenës që bëri shumë të liga, por
bëri dhe të mira se hapi sytë e shqiptarëvet, edhe u tregojti që s’janë as
turq, as gerqiotarë, po djem të Shqipërisë”.
“Ata i kanë pasur shtëpitë pranë e pranë në Konicë”, - thotë një tjetër mbesë e Faikut, Alma Konica, botuesja e publicistikës së tij. Sipas Almës, edhe Emeli me Hankon kanë pasur mjaft relikte të tjera të çmuara në Fier, të cilat i kishin trashëguar nga i ati. Por fatkeqësisht ato janë zhdukur. Midis tyre ka mbetur vetëm shkopi i Ali pashës, si pronë publike e këtij institucioni, falë kulturës së lartë të dy bijave të Konicëve që e dorëzuan atë.
“Ata i kanë pasur shtëpitë pranë e pranë në Konicë”, - thotë një tjetër mbesë e Faikut, Alma Konica, botuesja e publicistikës së tij. Sipas Almës, edhe Emeli me Hankon kanë pasur mjaft relikte të tjera të çmuara në Fier, të cilat i kishin trashëguar nga i ati. Por fatkeqësisht ato janë zhdukur. Midis tyre ka mbetur vetëm shkopi i Ali pashës, si pronë publike e këtij institucioni, falë kulturës së lartë të dy bijave të Konicëve që e dorëzuan atë.
Historiku i
këtij shkopi është një enigmë e virgjër që tash për tashë nuk zbardhet ende por
dëshmia dhe lidhjet e gjakut janë një element i besueshëm i autoktonisë së tij.
Shkopi është
një “skeptër” i denjë mbretëror, një thurje me fije ari rreth trupit të tij, i
cili e bën më të besueshëm rangun e pronësisë. Ky shkop me shumë “dinjitet”
është një shprehje e lartë e nivelit të jetesës. Sigurisht shkopi duhet të jetë
ruajtur te Konicajt deri në trashëgiminë e tyre të fundit nga gjyshi dhe i ati
i Faikut si një dëshmi jo vetëm e përdorimit të lartë fisnor të të parëve të
tij, por edhe si dëshmi e lidhjeve dhe marrëdhënieve të tyre me derën e madhe
të Aliut.
Ndërkohë, është
interesant edhe fakti se njëra nga dy pasardhëset e kësaj familjeje mban emrin
e Hankos, nënës së Aliut. Ajo nuk la trashëgimtar, sepse rrethanat politike të
kohës i privuan ato nga mundësitë tilla natyrore. Por me Hanko Konicën duket
sikur vdes edhe kujtimi i fundit i nënës së Aliut. Krahas gjurmës së saj në
kambanoren e Manastirit të Shën Kozmait, shfaqet mbas gati 200 vjetësh një tjetër gjurmë paralele, një emër i
stërmbesës së saj që mban emrin dhe mbiemrin e vajzërisë “Hanko Konica”,
gdhendur në një gur të thjeshtë mermeri në vorrezat e Mbyetit. Pikërisht këtu,
në Myzeqe, jepet edhe fryma e fundit e trashëgimisë së këtij emir, si për të
thënë se gjurmët e lëna nga pashai në trevën e përbaltur të anëdetit ishin një
dëshmi jo vetëm shtetërore por edhe shpirtërore.
[1] Eqrem bej Vlora & MarieAmelie Von Godin, Ndihmesë për historinë e sundimit turk në Shqipëri, Tiranë, “55”,
2010, fq. 234.
[2] MHF, F. 24, V. 1978, D. 4. Rrapi
Saqellari. Historiku i Kolkondasit,.
[3] Burime të zgjedhura për historinë e
Shqipërisë. V. III, Tiranë, “MIHAL DURI”,
1962, fq. 287.
[5] Po aty
[6] Këtë të dhënë e gjejmë edhe tek Neshat
SH. Hamitaj, Hekali dhe Mallakastra në
thellësi të shekujve, Kavajë, ”Gutemberg”,
2001, fq. 66.
[8] Lami Koçio & Kozma Gjergji, “Apolonia në
veprën e prof. Hasan Ceka”, Myzeqeja,
Nr. 4, 1995, fq. 7.
[10] Burime të zgjedhura për historinë e
Shqipërisë, vepër e cituar, fq. 287.
[11] AQSH. F.
128. V. 29 sefer 1260 (1844), D. 48, fl. 22.
[12] Sabri Godo, Ali pashë Tepelena, Tiranë,
Artemida, 1993, fq. 7.
[13]
Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, V. III, Tiranë, “MIHAL
DURI”, 1961, fq. 229.
No comments:
Post a Comment