Thursday 5 March 2009

ATDHEU NUK VIDHET



(Bisedë me Ali Podrimjen)


Blue Sky: Zotëri Podrimja, në siglën e emisionit “Fokus Letrar”, ka vite që dëgjuesit, mund ta dëgjojnë zërin tënd: “Gjumë të thellë bënte një popull”. Në cilin popull keni aluduar? Po ashtu, në vitin 1960 të shek. XX, keni thënë vargun antologjik: “Kosova është gjaku im që nuk falet”. Ndërsa, ditë më parë ambasadori amerikan Dr. John Withers në Tiranë, korit diplomatik dhe shtetarëve shqiptarë, me rastin e përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, recitoi poezinë tënde “Kënga e Lirisë”. Si e përjetoni këtë?


Ali Podrimja: Në vitet që m’i kujtoni, vërtetë kisha shkruar vargjet e përmendura, por kurrë nuk kisha besuar se njëri do shndërrohet në betim të UÇK-së. Vargu tjetër, dëshmon për një kohë të zymtë, kur vërtetë “Gjumë të thellë bënte një popull”. Ai ishte populli im, të cilit i mungonte organizimi dhe kërkesa se ç’farë kërkonte. Poezinë “Kënga e Lirisë”, e kisha shkruar në vitin 1980, atëherë kur vrapoja nëpër Evropë për të shpëtuar Lumin dhe për të pasur ndërgjegjën e pastërt se brenda mundësive të një prindi, kisha bërë atë ç’kisha mundur, por “vdekja kishte qenë më e shpejtë se unë”. Poezia fliste edhe për lirinë, e cila na mungnte. Pra, si duket, ambasadori amerikan kishte hetuar këtë dhe kishte vërejtur se përmes figurës së Lumit, flisja në poezinë time edhe për fatin e popullit tim. DR. John L. Withers, është një erudit i rrallë. Vitin e kaluar në “Poetekën” në Durrës, e kisha dëgjuar fjalën e tij për poetin e shquar amerikan Stivenson, i cili i takon gjeneratës së poetëve të mëdhenj: Elioht dhe Paundës. Gjestin e ambasadorit të nderuar duhet parë dhe si një vërejtje: se ata persona që emërohen për ambasadorë dhe që përfaqësojnë diplomacinë e një vendi, duhet të njohin edhe shpirtin e kulturën e vendit ku emërohen. Do të thotë, se për ambasadorë nuk zgjedhen vetëm njerëz të politikës, por dhe të kulturës. Kam përshtypjen se te ne ka ekzistuar një seleksionim negativ. Ka dominuar fisi, krahina dhe interesat e ndryshme. Më se pakti kombëtarja.

Blue Sky: Në poezinë “Kënga e lirisë”, në kufinjtë e shqiptarisë?

Ali Podrimja: Besoj se vetëm kënga e lirisë vazhdon të shkruhet dhe kurrë nuk pranë. Liria është diçka e shenjtë, diçka që nuk nëpërkëmbet. Ajo vë në lëvizjë trurin njerëzor dhe kurrë nuk mbyllet. Se ç’është kjo, e dinë mjaftë mirë nënat tona, të cilat i kanë humbur fëmijët e tyre dhe ende besojnë në kthimin e tyre, sepse ekziston një forcë që njeriun e mban gjallë, në lëvizje. Si duket, ambasadori i nderuar e ka hetuar atë rrahje shpirtërore në vargun tim, e ka parë dhe është bindur se popullit tim, i ka munguar vërtetë liria, e cila vazhdon të shkruhet. Fatkeqësisht, kritika jonë këtë nuk e kishte kapur, ndoshta e kishte kuptuar si një bredhje timen ose diçkafës së humbur, por ai që e kërkon lirinë, do të zbulojë më vonë dhe të bukurën, zgjimin…

Blue Sky: Zotëri Podrimja, një javë para përvjetorit të Pavarësisë, u nderuat me çmimin “Azem Shkreli”, çmim ky që ndahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, u nderuat për vepër jetësore. Ç’do të thotë për ju?

Ali Podrimja: T’ju them të vërtetën, unë jam nderuar disa herë gjatë veprimtarisë sime, qoftë me çmime të vendit të institucioneve të Shqipërisë si dhe nga institucionet ndërkombëtare. Por çmimi “Azem Shkreli”, është i veçantë për mua, se mban emrin e mikut dhe poetit të shquar të letrave shqipe. Me të, një jetë e kam kaluar. Bëmë që fjala jonë të depërtojë dhe te veshi i shurdhët.

Blue Sky: Si njeri i letrave, jeni i kënaqur me Ministrinë e Kulturës? Aktori Enver Petrovci, ka paralajmëruar se do ta lëshojë Prishtinën dhe do të shkojë në Tiranë. Mos është kjo pasojë e mosgjetjes së vetes?

Ali Podrimja: Shumë intelektual të kalibrit të Enver Petrovcit, janë zhgënjyer sepse nuk kanë mundur ta gjejnë veten, në atë që u ofroi shteti ynë i ri. E arsyetoj atë që e ka thënë Petrovci, i cili ka mundur të jetë dhe Minstër i Kulturës, apo të jetë drejtor i ndonjë teatri kombëtar. Por në vende të tilla, vijnë ata që nuk kanë aftësi, kështuqë intelektualët nuk mund të merren me zënka, prandaj detyrohen t’ua lëshojnë udhën edhe mediokërve, të cilët i takojnë ndonjë partie apo ndonjë fisi të kamençerosëve.

Blue Sky: Keni shkruar një poezi me titull “Zerot”, e cila lufton korrupcionin. Në një bisedë tonën të hershme patët thënë se na kanë kaluar “zerot”. Pas një kohe, mos kanë ndryshuar ato?

Ali Podrimja: Korrupcioni vjen e bëhet më i tmerrshëm, nuk dorëzohet sepse nuk ka ligj ta luftojë dhe shumica e atyre që mund ta luftojnë, i mbyllin sytë para tij, se ua kënda këtë vend ta çveshin. I harrojnë njerëzit e varfër, i harrojnë profesorët, intelektualët e të tjerët, që nuk duan të përlyhen. Unë mendoj se vendi ynë nuk është aq i varfër por varfërinë po ia shtojnë “zerot”, pa të cilat nuk mund të hyjnë as në nevojtore. Kjo është ajo tragjedia jonë, e cila vazhdon të na rrënojë edhe para fëmijëve tanë. Ditë më parë takoj mësuesin e fëmijëve të mi, gati i shembur. E pyes çka të re? Vërej në sytë e tij një dritë të çuditshme. Dikur zën të bëlbëzjë: si mund të pyesësh, më thotë. Dëgjoj dënesët e tij: fëmijët kërkojnë qumësht, nuk kam qumësht t’u jap, fëmijët kërkojnë rroba, nuk kam si t’ua blej. Dikur kisha qarë edhe unë. Mësuesi mezi ishte dëgjuar. Do kalojë kjo kohë e rëndë. Kisha nxjerr ca të holla nga xhepi dhe ia kisha dhënë mësuesit, i bindur se ato ishin të pakëta për mundin e tij. Pas sa kohe, fotografinë e tij ia kisha parë në një shtyllë. Tregonin se kishte bërë vetëvrasje. Do të thotë, kriza shoqërore e kishte shpier deri te akti i fundit.

Blue Sky: Do të thotë se poetët nuk janë të verbër para realitetit?

Ali Podrimja: Krijuesit nuk bënë të pajtohen me të keqen, duhet ta luftojnë, sepse përndryshe, ne do të bëhemi viktima të krizës shoqërore. Mu për këtë, krijuesit duhet ta luftojnë të keqen se ajo na rrëmben vazhdimisht dhe nuk bën të bëhemi përkrahës të saj. Atëherë do të thotë, se i dorëzohemi të keqes. Krijuesi, mund ta mbrojë etikën dhe nuk bën t’i hap udhë. Dikur vetëvrasjet te ne nuk ekzistonin, tani ato shtohen. Grykësia e njerëzve tanë, që të kenë sa më shumë, nxori në shesh atë pangopësinë: të kesh sa më shumë dhe të mos u mundësohet të tjerëve, të kenë edhe nga një copë bukë. Pra, turpërimi brenda familjes, solli atë që nuk e kishim për traditë, vetëvrasjen. Fajtor për këtë, është parasëgjithash shoqëria, e cila ka zënë vetveten ta hajë.

Blue Sky: Ç’ju bën të ndiheni sot i lumtur?

Ali Poodrimja: Më në fund, pas 130 vjetëve, Kosova u pavarësua, doli në dritë. Por, shoqëria duhet të jetë e të gjitha shtresave intelektuale, nuk bën dikush të ketë e dikush të gugësojë. Nuk bën t’i harrojmë ekzodet dhe luftërat, nëpër të cilat kaluam. Rruga dikur na shpiente dhe deri në shkretëtirat e Arabisë. Të mirën tani, duhet ta kërkjmë brenda hapësirës sonë dhe të jemi më solidarë ndaj njëri – tjetrit, përndryshe e keqja mund të na trokas në derë.

Blue Sky: Më pesë mars udhëtoni në Bruksel, ku jeni të ftuar nga Presidenca e Shtëpisë së Poezisë, në Amay.

Ali Podrimja: Unë do të gjendem aty deri më 19 mars, ku do të kem takime me krijues belg dhe me lexues. Do shpaloj mesazhet rreth asaj që na ofron si kulturë me të tjerët, pa marrë parasysh se nga cili cep zbresin. Arti, fjala poetike, duhet t’i afrojë njerëzit, nuk bën t’i shndërrojë në përbindësha.

Blue Sky: Diçka për fund të bisedës?

Ali Podrimja: Pak më lartë përmendët “zerot”, të cilat fatkeqësisht shtohen. Por kam një poezi, nga e cila do e citoj strofën e fundit:

Atdheu nuk vidhet
As vritet luftëtari i tij.


Vera Pelaj - “Blue Sky”

No comments: