Saturday 21 March 2009

Intervistë me Sokol Demakun- kryeredaktor i revistës Dituria ne Boras të Suedisë




Intervistoi Arsim Halili

Një prezantim të shkurtër z Demaku?

Sokol Demaku, poet kosovar me banim në Suedi, prozator, pedagog, publicist, redaktor. Studjon Pedagogjinë në Universitetin e Gethenborgut, ushtron profesionin e mësuesit dhe drejton revistën e përmuajshme "Dituria" dhe një radio lokale me emrin "Radio Dituria". Njëherit punon si gazetar i lirë i programeve në gjuhën shqipe „Jehona” të Radio Suedisë. Që në moshë të njomë e kultivon poezinë.

Ju jetoni në Suedi a mund të na thoni sa është i organizuar komuniteti shqiptar atje?

Në Suedi jetojnë diku rreth 50 000 shqiptar në të gjithë teritorin e shtetit suedez nga jugu deri ne veri. Një numër më të vogël shqiptarësh gjen pothuajse në çdo vend evropian, por tani më nuk ka cep të Botës që nuk gjejmë shqiptarë.
Po pra shqiptaret vete jane nje histori dhe deshmi kohe edhe këtu ne Suedi.
Unë jetoj në qytetin e Boråsit të Suedisë nja 40 km afër qytetit të dytë me radhë për nga madhesia në Suedi Gethenborg, por Boråsi është një qytet me traditë për prodhimin e textilit apo më mirë të themi qyteti i textilit në Europë qytet me mbi 100.000 banor, e ku në të jetojnë dhe veprojnë mbi 2 500 shqiptar të ardhur që nga vitet 90 nga dhuna dhe represioni serb i kohës kanë gjetur vetën dhe zhvillojnë jetën e tyre me baticat dhe zbaticat e kohës.
Qëllim primar ishte ruajtja e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtarë të bashkatdhetarëve me banim në Borås me rrethinë. Që nga fillimi i punës, Qendres Kulturore Shqiptare ”Migjeni” kishte veprimtari kulturore, informative, sportive dhe humanitare. Nga themelimi e deri më sot në organizim të QKSH ”MIgjeni” u bë shënimi dhe manifestimi i të gjitha datave historike dhe fetare, u organizuan mbrëmje shoqërore. Duhet theksuar se në tërë këtë veprimtari rol të veçantë pati grupi themelues i cili ishte edhe bartës kryesor i jetës kulturore. Këtu duhet theksuar edhe aktivitetin dhe kontributin e madh të nxënësve shqiptarë.
Detyre primare per fillim, Shoqata kishte tubimin e bashkatdhetarëve, kontaktet me ta, shqyrtimin e mundesive per nje organizim me të mirë, shtimin e bashkëpunimit me Shoqatat tjera shqiptare si ne Suedi, ashtu edhe jashta saj.
Por, mbi te gjitha, detyrë e te gjitha detyrave, para Shoqates u shtrua çështja e ruajtjes se gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar tek shqiptaret me banim në Borås, e sidomos kjo çështje madhore, kishte te bënte me gjeneratat e reja dhe fëmijët qe kishin lindur ne Suedi.
Bashkatdhetarët nga ky vend aktivisht moren pjesë në të gjitha protestat që u mbajten në përkrahje vendlindjes.
Fillimi ishte i vështirë, por me entuziazmin dhe angazhimin e pashoq të aktivisteve te QKSH u arrit nje kontinuitet i jetës kulturore dhe shoqërore te shqiptareve ne Borås me rrethinë.

Jeni kryeredaktor i revistës “Dituria” një opinion më të gjerë rreth kësaj reviste?

Në prill të vitit 2007 respektivisht me 10 prill doli edhe numri i parë i revistës ”Dituria” organ i Qendrës Kulturore Shqiptare ”Migjeni” në Borås e cila do të dali një herë në muaj në gjuhën shqipe e me dy ose katër faqe në gjuhën suedeze. Revista ”Dituria” është një revistë për fëmije, të rinjë dhe prindër shqiptar që jetojnë dhe veprojnë ne Suedi
Revista ”Dituria” del çdo 15 të muajit me një tirazh 250 ekzemplar dhe me 20 faqe.
Temat të cilat trajtohe në revistë janë nga jeta e fëmijëve, të rinjëve, shkollës, familjes, prindërve, bashkëkombasve që jetojnë në mërgim si dhe tema nga vendlindja dhe trojet shqiptare.
Revista ka krijuar një rrjetë të gjërë bashkëpunëtorësh në Suedi, Kosovë e Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Siri, USA, Rumani po ashtu edhe në mesin e mërgimtarëve shqiptar në vende të ndryshme të botës.
Revista shpërndahet tek bashkekombasit gratis ne qytetin e Boråsit me rrethinë, por edhe në internet. Gjithashtu dërgohet një numër i caktuar egzemplarësh edhe ne Kosove, Shqipëri, Lugine te Preshevës, Maqedoni, Greqi, Finlandë, Rumani, Zvicë, Gjermani si dhe Angli e SHBA ku ka shoqata të shqipëtareve e me të cilat QKSH ka një bashkëpunim.
Ne i falënderojmë të gjithë ata poet, shkrimtarë, gazetar të cilët na ndihmuan me punimet e tyre në begatimin e revistës sonë.
Në vitin e parë të botimit revista ka arritur të dalë në 7 numra gjatë vitit 2007 sepse me nxjerrjen e revistës është filluar nga prilli e ne dy muajt e veres është pushuar kështu që ne vitin e parë të punës së sajë revista ka dalë me shtatë numra. Botimi i revistës tani ishte më i lehtë në vazhdim të vitit 2008, ku me mjaft sukses filloj botimi i saj e deri në fund te kerij viti jane botuar dhjetë numra të revistës “Dituria” e do të vazhdohet ne këtë vit dhe viteve tjera që për cdo vit revista të dal me dhjetë numra në vit.
Me rëndësi të veçantë do të jetë e dhëna se në këtë revistë do të botohen përmbajtje të cilat do të ndikojnë pozitivisht në integrimin më të mirë të shqiptarëve në shoqërinë suedeze . Është fakt i njohur se reputacioni i komunitetit shqiptar në Suedi është shumë pozitiv, andaj një punë e tillë në këtë drejtim do të ishte me dobi të shumëfishtë. Për tu arritur një raport edhe më i mirë mes komunitetit shqiptar dhe popullatës vendase do të punohet në drejtim që të trajtohen edhe tema me të cilat ballafaqohet personeli arsimor suedez e të tjerë në raport me fëmijët, prindërit dhe arsimtarët shqiptarë. Do të krijohen mundësi që në faqet e kësaj reviste të botohen edhe përmbajtje nga pala suedeze dhe të tjera, duke filluar nga fëmijët e deri tek mësuesit dhe profesionistët e fushave të ndryshme që kanë të bëjnë me fushën e arsimit.

Përmes kësaj reviste ne synojmë të kultivojmë tek fëmijët shqiptarë në Borås dhe më gjerë kulturën e të lexuarit e cila është njëra prej komponentave kryesore për suksese në shkollë, synojmë të sjellim të arriturat më të mira në fushën e letërsisë për fëmijë nga të gjitha trojet shqiptare dhe mërgata jonë, që është shtylla kryesore për krijimin e një identiteti të shëndoshë e modern. Përmes përmbajtjeve të përshtatshme për moshën e fëmijëve dhe për rrethanat e tyre jetësore , revista do të jetë një lidhje e natyrshme e botës fëmijërore me atdheun dhe me vendin mikpritës Suedin.
Do të bëhen kontakte të përhershme me krijues për fëmijë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës, të cilët do ta ushqejnë revistën me përmbajtje të përshtatshme për botën fëmijërore.
Në faqet e kësaj reviste një vend i veçantë do t’i kushtohet edhe botës prindërore.
Prindërit shqiptarë kanë nevojë imediate për tu informuar mbi shumë çështje që kanë të bëjnë me shkollimin e fëmijëve të tyre, duke filluar me informacionet mbi sistemin shkollor aty ku ata jetojnë e deri tek temat e veçanta mbi vështirësitë konkrete që ata i mundojnë.
Punime të ndryshme shkencore nga fusha e mësimdhënies do të zënë një vend të
veçantë në faqet e kësaj reviste, si nga ekspertë shqiptarë ashtu dhe të huaj. Do të
botohen punime të shkruara nga mësimdhënës dhe do të bëhen shkëmbime të përvojave në fushën e mësimdhënies.
Me rëndësi të veçantë do të jetë e dhëna se në këtë revistë do të botohen përmbajtje të cilat do të ndikojnë pozitivisht në integrimin më të mirë të shqiptarëve në shoqërinë suedeze .

Krahas nxjerrjes së revistës “Dituria” punoni edhe ne një radiostacion po me të njëjtin emër sa përmbushet boshllëku informativ te ky komunitet dhe cili është efekti i këtyre mediave?

Në janar të vitit 2008 redaksia e revistës ”Dituria” merr edhe një hap guximplotë dhe mjaft të rendëshishëm për gjuhën dhe kulturën shqipe, ajo vendos që të filloj me emetimin e një programi shqip në radio lokale në Borås.
Pasi i bëhet kërkesa Entit për Radio të Suedisë, marrim përgjegje pozitive se na janë lejuar frekuencat për emitim atehere tani ne fillojmë me një radio program në shqip në qytetin e Boråsit.
Për nderë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe në kuadër të manifestimit të kësaj Kremteje të madhe për popullin e Kosovës me 27 shkurt 2008 filloj nga puna Radioja lokale ”Radio Dituria” në gjuhën shqipe në qytetin e Boråsit. Pra me 27 shkurt 2008 në mënyrë solemne u fillua puna në radion lokale shqipe “Radio dituria”. Pra edhe një zë i embël në shqip mbi qiellin e Boråsit, i cili për cdo të mërkurë në mbrëmje troket në dyert e shqiptareve.
Programin e vet kjo radio lokale e emiton çdo të mërkure nga ora 18,00 deri në ora 19,00 e kjo do jetë një ndihmë e madhe për QKSH ”Migjeni”.
“Radio Dituria” është organ i Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Borås.
Qëllimi me këtë radio është që shqiptarët të lidhen sa më afër me njeri tjetrin, që të prezentohet kultura, tradita dhe gjuha e tyre shqipe ne keto troje ku jetojnë dhe veprojnë.
Ne kemi dëgjues nga mosha të ndryshme, duke filluar nga fëmijet deri tek te moshuarit.
Ne jemi për ate që të bëjmë hapa përpara që të krijojm dhe ruajm identitetin tonë kulturor këtu ne Suedi.
Kjo është një urë lidhëse për botën e fëmijëve me vendlindje.
Një fakt është prezent se komunitetit shqiptar në Suedi ka një përkrahje të madhe dhe kjo është ana pozitive e punës sonë dhe se kjo ka jehonë shumë pozitive në jetën e shqiptarëve në Borås.
Kjo radio në gjirinë e saj ka edhe redaksinë e programit për fëmijë ku vet fëmijët janë sajues dhe kreator të programit të tyre. Redaksia e programit për fëmijë nga qyteti i Boråsit këtë program ka pagëzuar”Fëmijët e radios”.
“Radio Dituria” është e vetmja radio lokale me program në Gjuhën Shqipe në Suedi është një pishtar i transmetimit të vlerave kulturore, shpirtërore dhe gjuhësore tek shqiptarët në Skandinavi.

Megjithëse jetoni me një shtet demokratik, a ka ndonjë gjë që e preokupon komunitetin tuaj e posaçërisht juve si intelektual?

Po si çdo kund edhe këtu ka probleme por edhe perparime në lami të ndryshme të jetës. Një gjë është brengosëse dhe sa edhe e dhimbshme, çështja e lënies pas dore të gjuhë amtare pra Gjuha shqipe eshte duke mbetur gjuhe e dorës së dytë edhe pse shteti këtu jep shumë në këtë drejtim dhe mundëson që fëmijët ta kenë edhe gjuhën amatare në shkollë.
Kjo është një brengë e madhe jo vetëm e imja, por edhe e shumë bashkëkombësve të mi në mërgim e që të gjithë duhet angazhuar dhe bërë edhe me qe kjoi tendencë të zhduket dhe çdo gjë rreth gjuhës të vihet në binar pozitiv.
Problem tjetër ne vete për mërgimtarët është edhe ruajtja e kulturës dhe traditës.
Shumë figura të çmuara letrare shqipe në perendim nuk e kanë mundësinë për të komunikuar me lexues, me kritikë dhe me dashamirë të artit dhe gjuhës, sepse mungon publiku, mungon kritika, kryesisht mungon publiku shqiptar sepse ata vendas janë admirues dhe adhurues të artit dhe letersisë, por ne nuk jemi?
Mungojnë përkrahjet për evenimente të tilla, pra letërsia shqipe ka probleme edhe në diaspor si edhe në shtëpi. Së këndejmi, thuajse gjithë kombet pajtohen se letërsia është abc e kulturës, është ajo që lidhë kohën me histori, është një fushë që pasqyron psikologjinë njerëzore dhe brendin shpirtërore te njeriut. Ajo i jep bazën dhe fizionomin një kombi të moderuar dhe të kulturuar.
Por duhet të them se këtu kushtet dhe mundësit janë që të bëhet më shumë edhe kur është fjala për gjuhën, kulturën, traditen e shumë e shumë gjëra tjera, por duhte angazhim dhe punë në këtë drejtim.

Ju me disa shkrime e keni ngritur një problem mjaft serioz komunikimin jo të mjaftueshëm në gjuhën shqipe tek rinia shqiptare në këtë vend, ju lutem mund të na tregoni sa është serioze kjo brengë e juaj dhe cilat janë masat për parandalimin e këtij shqetësimi?

Në ditët bashkokohore ne jemi dëshmitarë të asaj se tek shumë fëmijë, të rinjë dhe të reja shqiptare në vendet perendimore gjuha amtare ka kaluar në gjuhë të dorës së dytë. Këtë nuk është fare vështirë njeriu ta kuptojë, apo edhe ta përjetoj. Këtë mund ta kuptojmë më së miri nga vet angazhimi i ynë dhe i të rinjëve në diasporë, angazhimi i familjes në këtë drejtim si dhe enteve dhe institucioneve mësimore në diasporë.
Pra këto janë disa nga dukurit më të shpeshta të cilat kanë ndikim negativ vendimtar pse fëmijët tanë nuk janë të interesuar dhe nuk i japin kurfar rëndësie gjuhës amtare.
Por edhe shumë e shumë probleme tjera të cilat kanë efekt negativ në zhvillimin dhe kultivimin e gjuhës së nënës tek fëmijët tanë.
Ky fenomen që është mjaft aktual është duke u përhapur ditë e më shumë jo vetëm tek fëmijet tanë që kanë lindurë ne diasporë por edhe tek ata të cilët kanë lindur në vendlindje e më vonë kanë migruar.
Ne si prindër dhe si të rritur duhet të kuptojmë se kjo dukuri është shumë e dhimbshme dhe është mjaftë shqetsuse për ne. Duhet të kuptojmë se fëmijët dhe të rinjët tanë janë atje ku janë pa fajin e tyre, pra shkaktar kryesor i kësaj dukurie shume të ndieshme dhe negative janë të rriturit, pra vet prindërit e ketyre fëmijëve.

Ju punoni në një nga shkollat atje në Suedi mund të na flisni më shumë për këtë gjë?

Po, unë jam arsimtar i diplomuar i Gjuhës shqipe, por punoj si mësues ndihmës në lëndë të tjera mësimore në shkollë suedeze.
Arsimi në këtë vend skandinavik ka arritur shumë, pra është bërë shumë për shkollën dhe shkollimin që nga entet parashkollore, kopshtet e fëmijëve, shkollat fillore deri te gjimnazet. Këtu përdoret metodologjia bashkëkohore në mësim, kompjuterët çka fëmijëve ua bënë të lehtë nxënjen.
Fëmija ndihet i freskët dhe nuk ndjenë kurfarë ngarkese në kohën sa ai qëndron në shkollë. Qëndrimi në shkollë i fëmijës është gjatë tërë ditës, por ai i ka të siguruara të gjitha duke filluar nga libri, fletoret, materiali shpenzues dhe ushqimi, këto të gjitha janë gratisë për fëmijet që nga entet parashkollore deri në gjimnaz. Këtu shkollimi fillore eshte i obligueshëm. Është kënaqësi të jesh pedagog në një shkolle suedeze dhe të punosh me fëmijë e aq më shumë kur të jepet mundësia që të ndihmosh fëmijët e bashkëkombësve tu.

Si qëndron puna me organizimin e mësimit shqip te komuniteti shqiptar?

Në shkollën suedeze egzistonë kjo moto:”NE MUND TË MËSOJMË SHUMË GJUHË”
Tani në Suedi ne flasim shumë gjuhë. Shumë fëmijë rriten në një familje që
përdorë disa gjuhë. Në institucione parashkollore dhe shkolla fëmijët dhe të rriturit ndeshen me shumë gjuhë. Si institucioni parashkollor ashtu edhe shkollat mbrojnë shumë gjuhësin e fëmijëve dhe të rinjëve dhe kjo ka një domethënie vendimtare për identitetin dhe zhvillimin e njohurive të tyre.
Pra shteti suedez investon mjete të mëdha materiale për kultivimin e gjuhës amtare te të gjithë të ardhurit në këtë vend pa marrë parasysh se çfarë gjuhe flasine ata.
Pra shteti u kriojn kushtet dhe mundesit për ruajtjen dhe kultivimine gjuhës amtare, por sa ne si ardhacak e realizojmë këtë në jetë ajo është nje kapitull në vete.
Qëllimi pra është të ndihmohen nxënësit kurbetçarë që të mos e harrojnë gjuhën e tyre amëtare, shkrimleximin, historinë, kulturën, doket dhe zakonet tona më të bukura kombëtare, e jo për t’iu vë në konkurencë konceptit mësimor suedez, të cilët, pra, organet suedeze u dolën në ndihmë fëmijëve tanë, duke u siguruar nxënësve dhe arsimatrë tanë lokale dhe duke i furnizuar me mjete mësimore, mjete materiale dhe të gjitha çka ata kanë nevojë. Këtu nuk ka asgjë private, pra shteti është ai i cili kujdeset për të gjitha respektivisht komuna ka mbikqyrjen e shkollës. Prindërit nuk aderojnë me asgjë në këtë çështje, çdo gjë është e siguruar nga komuna, por duhet vetëm angazhimi ynë për rezultat dhe punë me të suksesshme.

Përveç këtyre segmenteve që i përmendëm brenda komunitetit shqiptar a ka ndonjë organizim kulturor që sa do pak fëmijët tanë të krijojnë një vizion për kulturën shqiptare?

Jeta kulturore brenda komunitetit shqiptar edhe pse kushtet dhe mundësit egzistojne nuk është e nivelit të kënaqshëm, e këtë e them kur kushtet dhe mundësit janë e punë bëhet shume pak në këtë drejtim.
Ka manifestime të llojeve të ndryshme në shumë qytete ku ka shqiptar, festohet Dita e Flamurit, Pavaresisë së Kosovës, ditë tjera të rëndesishme nga historia e lavdishme popullit tonë.

-Duke filluar nga semestri vjeshtor 2008, për herë të parë në Suedi, fillon studimi i gjuhës shqipe në nivel universitar në Universitetin e Uppsalës. Studimet në gjuhën shqipe do të zhvillohen në kuadër të Institutit për gjuhët moderne në Fakultetin e shkencave filologjike. Në këtë semester është startuar me kursine e parë - Albanska A1 për të vazhduar në semestrin e pranverës me kursin Albanska A2.

-Programet në gjuhën shqipe në Sveriges Radio datojnë që nga 4 janari i 1994. Emisioni i lajmeve ”Ditari” vazhdoi deri më 13 janar 2006. Ndërkaq nga 16 janari 2006 programi në gjuhën shqipe transformohet në format të magazinës dhe merr emrin e ri ”Jehona”.
Herë pas here redaksia organizon edhe takime publike me dëgjuesit e vet me qëllim të mbajtjes gjallë dhe të thellimit të kontakteve me dëgjuesit por edhe për të avancuar informimin për ta në gjuhën shqipe.

-Në Landskronë të Suedisë, mbahet Konferenca e mësuesve të gjuhës amtare shqipe në Suedi. Kjo konferencë, e organizuar nga Enti për zhvillim të arsimit i Suedisë,
në bashkëpunim me grupin e punës nga Landskrona që administron faqen e gjuhës amtare shqipe "Temaplats Albanska".

-Në Borås të Suedisë mbahet ”Java e bibliotekës Nordike” ku edhe revista ne shqip ”Dituria” është bashkorganizatore e ketij manifestimi i cili që nga ky vit do jetë tradicional edhe për ne shqiptaret e ne te do marrin pjese shkirmtar dhe poet shqiptar ku do bejnë promovimin e veprave te tyre. Vitin e kaluar ishin prezent poeti Ibrahim Abedini dhe shkrimtari Hamit Gurguri, të cilit Lidhja e shkirmtareve të Suedise i ndau kete vit nje stipendi prej 4000 euro për punën dhe kontributin në letersi.
E këtë vit besojmë se ne këtë mnaifestim do kemi poet dhe shkrimtar edhe nga Kosova, Shqipëria, Lugina e Maqedonia ku do bejnë promovimin e veprave te tyre.
Këtu punon me sukses radioja lokale Radio dituria si dhe botohet revista shqipe ”Dituria”.

Sa dini ju për Luginën e Preshevës dhe a ka ndonjë qytetar të kësaj ane që jeton në rrethin ku jetoni dhe veproni?

Po sinqerisht me u thënë ne jemi vazhdimisht me shqiptaret e Luginës dhe me problemet e përditshme të tyre. Ne jemi në Lugin me mendje edhe pse fizikisht jemi larg. Ne kemi përjetuar ate çka ju po perjetoni sot nga shteti serb dhe sistemi i atij shteti ku ju jetoni.
Ne përmes revistës sonë Dituria edhe fëmijeve, të rinjëve tanë por edhe atyre të cilët kan migruar me herët ua përkujtojmë vendet tona e ne kete mes bëjnë pjesë edhe Lugina e Preshevës, pra shqiptaret kanë mundësi më për së afërmi të njihen me realiten atje.

Në Luginë funksion revista “Perspektiva”opinion i juaj për këtë revistë?

Po unë e marë çdo numër të “Perspektivës” në internet.
Jam i entuziasmuar me punën që ju bëni atje. Është një punë për çdo lëvdatë e ju të gjithëve të cilët jepni kontributin tuaj në “Perspektiva”.
Ajo është një pasqyrë, një dritare për shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në ato treva dhe troje.
Ne përmes kesaj reviste jemi me afër me ju.
Une kisha pasë dëshirë që në të ardhmen të kemi një bashkëpunim të mirëfillt mes dy revistave tona “Perspetiva” dhe “Dituria”.

Mesazhi i juaj drejtuar lexuesve të revistës sonë?

Ti kthehemi të mbarës, traditës e kulturës sonë kombëtare, ta duam njëri tjetrin, të jemi si një.
Shqiptari di të bëjë vepra të mira.
E me këtë mendoj se do ia arrijmë të jemi një, të jemi së bashku, të jemi të gjithë aty ku duhet të jemi në vendin tonë, të jemi shqiptar të Shqipes.

Perspektiva nr. 130. 23 shkurt 2009

No comments: