Wednesday 5 March 2014

ADEM JASHARI – QENDRESË KOMBËTARE



Ismet Hasani
 ADEM JASHARI – QENDRESË KOMBËTARE
                        P o e m ë


ADEM JASHARI – QENDRESË KOMBËTARE
                        P o e m ë
Edhe sikur populli shqiptar i Kosovës të rritet për dy herë, e të luftoj për Çështjen Kombëtare edhe 100 vjet, nuk mund t’i dal hakut Drenicës! (autori)
*Ai që vdes për Atdhé/ nuk ka vdekun, por ke lé!
* Vlera e njeriut nuk është në atë që posedon, por është në atë që ofron – Dielli posedon zjarr, mirëpo neve na ofron dritë!
*Është madhështore kur mëson që nga një vend i vogël, lind dhe rritet një njeri i cili me kohën bëhet i madh dhe i njohur dhe po ai njeri vendin dhe popullin e vet e bën të madh e të njohur!
*Në kujtesën e gjatë te një populli mbetet vetëm ai njeri të cilin populli e ka dashur.
*Njeriu më i madhe është ai i cili kur është në gradë të lartë tregohet modest, kur ka forcë në dorë fal dhe kur është i nërvozuar vepron me drejtësi.
*Rrethoje veten nga njerëz që e dinë se ti vlen, nuk ke nevojë për shumë njerëz për të qenë i lumtur, thjeshtë pak, por vërtetë që të vlerësojnë për atë që ti jé!
* Dije o njeri se: 1. Fitorja arrihet me durim,2. Suksesi arrihet me mundim, dhe
3. Pas vështirësive vjen lehtësimi!
* Koha nuk e ndryshon asnjërin, vetëm se koha shpalos realitetin e çdonjërit!
                                                                        (autori)
ADEM JASHARI – QENDRESË KOMBËTARE
                             - P O E M Ë
Lahuta ka mbet’
varun në trá
Mixha kalbet në dhé
Nipat s’dinë me i rà!
Në bjeshkë,
Në oda burrash,
Në logje e Kuvende
Prej vitesh,
Është folur:
Ai që vdes,
për Atdhé,
nuk ka vdekun,
por ka lé!
”LUM AI QË RRON PAS VDEKJËS!”                                                                               
Një i tillë është Adem Jashari
Krenaria e bjeshkëve tona, por
Edhe pararëndësi i qytetërimit të shqiptarëve
Adem Jashari ka kundruar Drenicën martire,
Kosovën kreshnike,
Kufijtë e rrudhur etnik.
Drenica!
Kjo vatër e ngrohtë e shqiptarizmës,
Kjo derë e çelur e burrërisë,
Ai Kuvend emblematik për lirinë,
Ajo strehë e sigurt e flamurit,
Ajo Çerdhe e sigurtë e shqiponjës,
Brenda palëve të mëndafshta,
Që gatitet të marrë rrugën nëpër furtuna
Drenica!
Aty dual i turpëruar Kraleviq Marku,
Që thërriste në ndihmë ”zanat” e malit,
Por ato nuk iu përgjigjen…
Ato u trembëshin çiltaz ”zanave” shqiptare,
Këto zana ishin kurdoherë në mbrojtje
Të trimave shqiptarë që luftonin:
Për të mbrojtur trojet amtare prej pushtuesve të huaj.
Drenica e Shotës dhe Azemit!
Një shpërfillje e hapur ndaj Londrës,
Asaj Londrës së 1913-tës,
Një përballje e mundimshme,
Ndaj luftës dhe gjenocidit serb
Përplasje tragjike fatesh njerëzore
Përmes kumbimit të këmbanave të ferrëparajsës.
Azemi me Shotën – një çift yllor,
Atëherë kur bashkëkombasit e tyre
I thërriste v d e k j a,
Ata iu përgjigjën vdekjës me jetën e tyre,
I përgjigjëshin të ardhmes,
Me pushkë,
Me trimëri.
Drenica e Shaban Polluzhës!
Një kështjellë gjaku dhe eshtrash,
Ato gjëmime të armëve të Polluzhës,
Me burrat që e rrethonin,
Ato do të ngarendënin
deri në dyert e kancelarive të Evropës
muzikë funebre për të ardhmen e shqiptarëve,
për të ardhmen e krejt popujve ballkanikë.
Ç’fat i madh për Drenicën,
Për ato male,
Për ato fusha,
Për ato ujëra që e rrethojnë
Ajo kumtonte Evropës:
Shpirtin e trazuar shqiptar
Që nuk mund të regëtinte
Përmes kënetës dhe baltës se regjimit totalitar,
Por që rrihte deri në çastin e mbramë
Për lirinë e amëshuar.
Tek e mbramja:
Lashtësia dhe Lavdia e Drenicës
Është një pikë – takimi
e Historisë së shqiptarëve
simbol rezistence,
i pakontestueshem në çdo kohë.
Hiç më vonë se 10 vjet pas Polluzhës (1945),
Pikërisht më 28 nëntor (1955),
Në Prekaz të Drenicës,
U ndien të qarat e një foshnje,
Në kullën e Sahban Jasharit, lindi djali i tretë.
Plaku Shaban, atë mbrëmje erdhi vonë në shtëpi,
Donte ta kremtonte fshehtaz Festën e të Parëve të vet:
29 Nëndorin!
Dhe nuk sheh fëmijën e posalindur!
Ka mbështjellë djepin me Flamurin Kuqezi,
Mbi Flamur vendosi alltinë,
Duke shpallur luftën e pafund ndaj shkieve,
Deri në agun e bardhë të Lirisë.
Adem ia ngjitën emrin.
Po çka e rriti Ademin?
Trishtimi për Kosovën, e mbuluar me tesha të zeza;
Nderimi i madh për të parët e tij,
të cilët patën mbrojtë me pushkë e me jetë
çdo pëllëmbë të Drenicës
Respekti për krejt ata breza
që provuan mbi supe makinën dhunuese të mizorive serbe,
Dhe në çastin më të rëndë, nuk e humben besimin,
në Ditën e bardhë që do të agonte,
Në rininë e vet e ndjen se e ndante një mur i madh,
Prej mitit të egër serb, i cili justifikonte:
Shfarosjen masive të shqiptarëve nga trojet e tyre autoktone!
Heret mësoi nga i ati Shaban se:
Trimnija e burrit fillon të dera e fqinjit!
Nga e ëma Zahide ( nga dera e Bajraktarëve – Gecaj të Llushës),
Dëgjoi këngët e trimave të Drenicës…
Këto e rriten trimin Adem,
Siç rrisin furtunat shtatin e lisave.
Heret e kuptoi Ademi se:
Themelet e Jugosllavisë ishin ndërtua
Mbi një keqkuptim dramatik të etnive, dhe
Aspak mbi grehinën e një demokracie autentike,
Në mënyrë të qëllimshme, për gadi katër decenie me radhë,
Një terror sistematik, një dhunë fizike dhe emocionale,
Është ushtrua nga serbet e Beogradit,
Veçanërisht mbi shqiptarët etinkë,
Një propagandë shumë aktive, do të thoja marramendëse,
Të merrte në mbrojtje këtë gjenocid therës e tragjik.
Mjerisht, jo vetëm Jasharajt, por krejt viset etnike shqiptare,
E patën kuptuar një doktrinë lehtësisht të përceptueshme.
Njeriu nuk mund të urrej askënd
Përshkak të një instikti të lindur,
Përkundrazi, ka një shkallë të urrejtjes,
Përmes së cilës ai patjetër duhet të kalojë.
Kur është fjala të urrejtja:
Urrejtja nuk largohet me urrejtje,
Vetëm mirësia e flakë urrejtjen!
Në fillim të viteve të 80-ta,
Në kullën e Jasharajve në Prekaz,
Filluan kuvendet e fshehta,
Se si mund të përballlej me makinerinë ustarake të Beogradit,
Kur mësynin për të ripushtuar serish ”djepin” serb mesjetar,
Të nëpërkëmbëta, poshtronte, e nënshtronte popullaten shqiptare,
T’i shfaroste krejt ata.
Besimet mjerane të ortodoksizmit,
Dogmat fanatike të tij:
”Popujt me fé islame, duhet të shporreshin
Nga Jugu I Ballkanit!”
Dhuna e institucionalizuar e Beogradit,
Gjente strehë të sigurtë dhe përkrahje
Të kahershme nëpër kishat plot temjan të Moskës së kuqe.
Në Prekaz: Jasharajt, Lushtakët, Kodralitë e Mehajt
Nisen të ideojnë Lëvizjen ilegale në Drenicë
Burrat e këtyre shtëpive,
Përgatitëshin të maten me stuhitë serbe.
Përveç dhunës nga Beogradi,
Përveç përkrahjes nga Kishat e Moskës,
Akademia e Shkencave serbe,
Nuk mungoi të hedh në Pazar të ideve:
Memorandumin famëkeq të së ardhmes.
Me një cinizëm, si rrallëkund në historinë e shkencës,
Këta akademikë, paten dalë asaj kohe me idenë e kobshme:
”Serbët duhet të jetojnë në një vend unik dhe të vetëm!”
Me këtë akt të paprecedent në historinë e
Marrëdhënieve midis dy etnive të ndryshme,
Ata parakuptonin faktin që:
“Kudo që ka qoftë edhe një grusht serbë,
Fqinjët e tyre duheshin të zhdukëshin nga faqja e dheut,
Me çdo mjet e me çdo mënyrë
Anipse fqinjët jetonin në trojet e tyre,
Në trojet etnike të të parëve të tyre, dhe
Se ishin edhe këta racë njerëzore.
Të ndalemi pak në historinë e Prekazit!
Ka shumë data historike,
Ajo e 30 dhjetorit 1991,
Ç’ka ngjarë me këtë datë në Prekaz?
Asgjë më tepër, sesa mundi dhe shpresa
e Beogradit për hakmarrje gjakatare ndaj shqiptarëve.
Me qindra policë me uniformë, ose edhe pa te – të fshehtë,
Me qindra armë automatike,
Me mortaja dhe topa,
I rrethuan kullat e Prekazit,
Me të vetmin qëllim:
Për t’i vrarë shqiptarët
Pêr t’i trembur të tjerët shqiptarë.
Mehajt e Kodralitë, nxjerrin armët, dhe
Qëllojnë mbi aradhen serbe,
Ndërsa vëllezërit Rifat, Hamëz e Adem,
Duke dalë prej kullave, lëshojnë piskamën:
”Po duan me na rrëmbye të sotmen,
Po duan me na rrëmbye të ardhmen, o heeeee!”
Zërat e tyre, të përzjer me krisma armësh
Janë përplasur faqe me faqe të maleve të Drenicës.
Nuk dihet me siguri se a kanë gjëmuar malet,
Apo historia e gurëve dhe drurëve,
Në asht të të cilëve është ruajtur vet klithma e lirisë!?
Kur liria klith,
më parë sesa të zgjojë sy dhe shpirtëra të fjetur,
Ajo depërton në kujtesën e Kombit.
Makineria ushtarake serbe, u largua!
U largua e mundur prej Prekazit!
Në librat e policisë serbe të Beogradit,
Do të shënohej me të mëdha:
Emri: Prekaz, dhe
Emri: Adem Jashari
Edhe një datë?
Ajo e natës se 25 nëntorit 1997:
Policia sekrete serbe
i janë vërsulë në mënyrë tinëzare
Lagjes se Binakajve në Vojnikë, dhe
Gjersa i afroheshin, gurët dhe drurët
E ruanin në memorjen e tyre:
”Masakrën e Çeklikës”
Masakren e pastër të ortodoksizmit
të egër ndaj shqiptarëve
Ruhet në eposin e Serbisë:
”Vojvoda Batriq, i raporton Peshkopit Danillo
dhe abatit Stefan:
Myslimanët e Çeklikës na ikën,
Prej tyre vramë pak, por
Dogjem vatrat e tyre,
Bëmë me te një pyrg të mallkuar,
Që të mbetët si shenjë për popullin!”
Në kullat e Lagjës Binakaj,
Dëgjoheshin krismet e pushkëve kriminale serbe,
Në luginën midis Llaushës e Rezallës se Re,
Burrat e armatosur shkojnë pas Adem Jasharit,
Si vetëtima mbërrijtën në Shpatet e Vojnikut.
Policia serbe e kuptoi se:
” Gjëmimi i armëve, i shpërndar tejendanë maleve,
Është i Adem Jasharit!
Adem Jashari është ai që:
Përkrahu studentët e UP më 1981,
Ngarendëte çdo 28 nëntor me flamur kuqezi,
Që u përball me eprorin e policies serbe, Rajkun,
Që kullën e vet
e pat kthyer
në simbol të vetëdijes nacionale
për krejt drenicarët;
Serbët, në këto anë qënë përleshur
Me Azem Galicën, ku paten humbur;
Qindra ushtarë e çetnikë iu vranë,
në prnaverën e v. 1945,
Në luftë me Shaban Polluzhen
Në Vojnikë nuk ju dual siç e kishin ”menduar”;
Policia serbe nga Beogradi,
kreu aktin më të mynxyrshem:
Vranë mësuesin Halit Gecin…
Policia serbe gjëndej në gjendje depresive,
Erërat e forta të shovinizmit dhe serbo-fobisë,
Në disa mjedise paranojake,
Favorizonin radikalizmin dhe ekstremizmin serb,
Kjo simetri mjerane,
Për shpirtin e Kombit shqiptar, duhej të flakej
Atje ku nuk ”ecën” fjala,
Atje ku mëria etnike urdhëron krime ndaj fqinjit,
Që vetëm fati të solli pranë,
Atëherë fjalën e vet e thotë:
Gryka e pushkës!
E mbajtur në dorë trimash.
Më 28 nëntor 1997:
Varri i mësuesit të vrarë – Halit Gecit,
Mbulohej me kurora lulesh,
Nga krejt Kosova martire,
Në funeralin e rastit shfaqeshin:
USHTARËT DHE PRIJËSIT E TYRE
TË USHTRISË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS.
Një simbolikë e çuditshme, lidhte me këtë date:
Ngritja e Flamurit në Krujë, prej Gjergj Kastriotit-Skënderbeut,
Ngritja e flamurit në Vlorë prej Ismail Qemajlit, dhe
Pothuaj se 85 vjet më pas,
Ky Flamur qëndronte bri dëshmorit të rënë, dhe
Të atyre burrave që mbartnin mbi supe,
Përgjegjësinë e ardhmërisë së trojeve etnike kosovare!
Në rrafshe të datave tona kulmore,
Por edhe në ditëlindje të zakonshme,
Lidhet edhe një simbolikë:
Pikërisht më 28 nëntor (1955),
Pat lindur Adem Jashari, dhe
I ati Shaban e pat mbështjell me Flamur Kombëtar.
Profecia e lënë disi, në periferi të memories familjare,
Priste tani, në fundshekullin e trazuar,
Të realizohet prej një numri shumë më të madh njerëzish, se
Kulla e Jasharajve,
Drenica i kishte çuar sytë vetëtimthi
Kah ai burrë shtatlartë,
me mustakë,
me zemrën e madhe, dhe
sytë që ndiznin zjarre dashurie.
Për këtë ndjenjë të atdhedashurisë së natyrshme, Beogradi,
Në mënyrë krejt të qëllimshme,
E konfronton me fjalën “terror”,
Duke dashur të mbuloj varganin e krimevet të veta
Me gjethen biblike të lules.
Ende sot,
Pas kaq shumë vitesh,
Shqiptarët nuk kanë harruar
Rrënqethjen që kanë ndjerë,
Pas Deklaratës së Slobodan Milosheviqit, që:
” Ata që në Jugosllavi, e mbështesin terrorin shqiptar,
I japin një goditje serioze Serbisë dhe Jugosllavisë!
”Serbët dhe malazezët,
nuk kanë mbetur vetëm këta të fundit,
Çdo vatër në Serbi,
Është gati, që
Nesër të niset për Kosovë, sepse
”Shovinistët shqiptarë”, e dinë mirë,
Siç e kanë pas ditur edhe më parë,
E duhet ta dijnë edhe në të ardhmen, që
Nuk do ta kenë dhe nuk do të pushtojnë kurrë,
Qoftë edhe një gisht të vetëm tokë serbe, dhe
Sidomos, as që do ta kenë, e as
Që do të mund të pushtojnë Kosovën dhe Metohinë!”
Totalitarizmi nacionalshovinist i urryer serb,
Çdo ditë e më shumë, nxirrte në shesh:
Etjen tragjike për gjak shqiptarësh…
Gjak në Prishtinë e Skënderaj,
Gjak në Feriza, Gjakovëj e Pejë…
kudo nëpër Kosovë…
Të vrarë e të varrosur përmes Flamurit
e Hymnit Kombëtar,
Në Drenicë, e vise tjera…
Evropa…!
Ah Evropë, moj shtrigë e vjetër,
Kqyri shqiptarët me një sy tjetër,
Në qoftë se don qetësi n’ Ballkan,
ruaj shqiptarët si trupin t’and!
Pse shqiptarët të ndarë në Votër,
Shiqoj letrat që i ke në Londër!
Evropa, që ruante ende në memorie
Krimet e fashizmit,
Po shihte, jo pa vëmendje,
Se Komunizmi në agoni,
Ai që dikur që përdorur si:
Vëllazëri e miqësi e paskajshme,
Tani, me metodat e dhunën e përdorur ndaj njerëzve,
Ia kalojka fashizmit, e socializmi u shfaqka i dekompozuar
Plot gjak e kocka, ashtu si në tragjeditë e Sofokliut,
Por kësaj radhe duke e patur për skenë Evropën e mikluar,
Prej teorive përverze të kombit të kulluar serb,
Predikimet për vrasje, sadizmin dhe terrorin psikologjik,
Si masë ndaj ”terroristëve shqiptarë”,
Ricikloi edhe njëherë shpërfilljen e saj,
Ndaj kombit më të vjetër në Ballkan,
I cili, ndonse u përgjysmua ndër shekuj,
Nuk iu nënshtrua asnjë lloji sundimi,
Përkdundrazi, ruajti, ngriti dhe lartësoi
Dinjitetin e vet kombëtar.
Adem Jashari, padyshim
Mund të merret si shëmbëlltyrë e kësaj rezistence
Në vise të Kosovës.
Ai, dhe burrat që e rrethuan për ato vite, duke thënë:
“- Ndal!” – masakrave rituale në viset shqiptare,
U thoshin, në të vërtetë,
“- Ndal!” hakmarrjës së verbër,
Cinizmit antievropian, lëvizjës tejet të rrezikshme,
Për t’u kapur rreth miteve ndjellakeqëse,
E jo pas realitetit që ofrojnë zhvillimet.
Në fillim të marsit 1998:
Soldateska serbe, kryen mizori në fshatrat: Qirez e Likoshan
Popullata e pombrojtur e këtyre viseve,
U gjet në mënyrë të beftë,
Nën rrebeshin e predhave të automatikëve
dhe topave, kalibri 75 mm
Por, kjo popullatë gjëndet e pambrojtur
Edhe ndaj opinionit Everopian, i cili,
Nuk ka kohë dhe mundësi të merret me kosovarët
Sa për Beogradin, aty me disa opozitarë të Milosheviqit,
Janë të zhytyr në këmbë e kokë
Me nacionalizmin famëkeq të “Serbisë së Madhe”
Duke u shndrruar, me dashje, apo padashje,
Në vegla të kësaj politike mjerane.
Policia e fshehtë e Beogradit
Ndjek levizjet e UÇK-së, dhe
E bindur se Adem Jashari,
Është simbol dhe shtylla kryesore
e kësaj Qëndrese shqiptare,
Ndërmerr hapin tjetër:
Kërkon të shuaj me zjarr dhe hekur,
Jo vetëm Qëndresën e burrit 42 vjeçar,
Po krejt kullat e Jasharajve,
Duke dëshmuar se:
Është, njëherazi, pjellë e krimit dhe nënë e tij.
Dita e 5 marsit e vitit 1998,
Do të vinte përmes një agu të mynxyrshem
Në vise të Drenicës,
Një arsenal i tërë metalik:
Topa,
Mortaja,
Kallashnikovë…
Në përballje me kullat e Jasharajve,
Në përballje me ata burra,
Që mbartnin mbi supe
Peshën e Kosovës së robëruar,
Elaboratet serbë, të ndjerë keq e më keq
Kundruall shpresës së shqiptarëve:
Për PAVARËSI,
Tashmë nisin falangat e mëdha kriminale
Drejt kullave paqësore në Prekaz,
Me qëllim që do të mund t’i ndërprisnin udhën LIRISË,
QË ISHTE NISUR,
Aty nuk munguan tanket,
Zhurma e tyre u parandje qysh larg Prekazit,
Intuita e çuditshme malësore,
prapa lumenjtë e gjakut,
Që kërkonin shtretërit e rinj të tyre
Nëpër gryka të Drenicës,
Burrat e Jasharajve, mblidhen saora
dhe mendojnë që:
”Pleqtë dhe fëmijët të largohen nga kulla!”
Baca Shaban, nuk pranon!
Gratë, gjithashtu nuk pranojnë të largohen,
Fëmijët kanë besim tek të parët e tyre
”NA KJOFTË E HAJRIT KJO DITË!”
Mund të thotë Shaban Jashari.
Ademi, ajo shqipja e rëndë,
Hypur në shkëmb, rregullon armët, dhe
Jep porositë e rastit…
Ka momente në jetën e njeriut,
Kur ai e sheh me sy vdekjen,
Por e shpërfill atë, nga se
Mund të vijë kjo shpërfillje
që i zbardhë fytyrën:
Burrit,
Atit,
Djalit, apo
Nipit!
Vështirë të depërtoi shkenca deri aty!
Por sigurisht që depërton ndjenja e thellë,
E mrekullueshme,
Asëkurrë e vjetruar:
E dashurisë për atdheun,
Kombin,
Të parët, dhe
Pasardhësit e tu.
Në ato kulla,
Me orë të tëra, përleshej:
JETA me VDEKJEN.
JETËN E MBRONIN pushkët e Jasharajve,
VDEKJEN e donin shpura e Milosheviqit, dhe
Të çmendurit e mbramë të Evropës.
Burrat dhe luftëtarët e Jasharajve,
Babë Shabani, me të bijtë,
Ademin, Hamzën…
Faiku, Halili, dhe Aliu,
Isa dhe Beqiri,
Sherifi dhe Nazmiu,
… të gjithë mashkujt e shpis’
Vunë gjokset e tyre,
Përballë soldateskës serbe,
Duke i rikthyer në kujtësen e
Gurëve të Drenicës,
Betejat emblematike të luftëtarëve kosovarë në vite,
Adem Jashari,
me trimërinë dhe guximin prometeik të tij,
Ishe shpresa dhe zemra e të gjithë luftëtarëve.
Policët e Beogradit, ngarendnin pas blindave dhe
Botës se hekurt të armatimeve,
Pasi patriotizmi i tyre ekstrem, ishte i përvetësuar
Nga përrallat e mitologjisë serbe,
Ndërsa, Adem Jashari dhe familja e tij,
Po i shndrronin kullat në Prekaz,
Në karakollet e parë të Qëndresës Shqiptare
Të asaj Qëndrese, e cila lidhej me mijëra fije,
Me vet ekzistencën e ardhmërinë e Kombit tonë.
Jo më pak se 38 dëshmorët e Jasharajve,
Flasin më mirë për këtë…
Janë 38 varre pranë e pranë në Prekaz,
Janë 38 monumente,
Të asaj që quhet:
QËNDRESË KOMBËTARE!
Midis tyre, duket se komandon,
Jep dashuri e shpresë – Adem Jashari,
Simboli i nderit,
I burrërisë,
I trimërisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Guximi me të cilin ky burrë
Priti aradhat e Milosheviqit,
Në kullat e tij,
Shfaq një tjetër dimension të shqiptarëve
Në kapërcyell të shekullit 20-të:
FLIJIMI FAMILJAR,
Ky kapërcim elegjiak i dhimbjës njerëzore,
I kujtonte Evropës se:
Thika serbe po shkonte në asht të shqiptarëve!
Pêrmasa e re e përftuar në këtë rast,
Të jepte mundësinë,
Të zbritjës shumë thellë,
Aty ku ndodhen ende sot
Rrënimet e tragjedisë,
Midisa dy popujve ballkanikë.
Me humbjen fizike të Adem Jasharit,
M e n d o j se:
Nacionalizmi i ndërshëm shqiptar,
Humbi, në shekullin që lamë pas,
Një ndër figurat e spikatura të identitetit të vet.
Ndërsa, LIRIA dhe PAVARËSIA E KOSOVËS,
Vlenë të shihet kurdoherë,
Si një rikthim i këtij burri,
Në krejt jetën tonë.
Prej vitesh,në bjeshkë, në oda trimash
Është artikuluar:
”LUM AI QË RRON PAS VDEKJËS!”
Padyshim, se një i tillë,
Adem Jashari, mbetët:
JO VETËM KRENARI E BJESHKËVE TONA,
POR EDHE PARARENDËSI I QYTETËRIMIT TË SHQIPTARËVE.
Legjendat kujtohen,
Nga të dyja datat,
Pafundësisht,
Gjërsa Kombi frymon,
Ato data janë edhe kur Zoti u jep jetën,
Por, edhe kur mbyllin jetën,
Gjeneratat pasardhëse,
UDHËHEQEN ME VEPRAT E TYRE.
Dhe, përderisa përmendet emri dhe vepra e tyre,
Legjendat mbesin të gjalla – të pavdekshme,
Fundi i jetës nuk është vdekja fizike,
Fundi i jetës janë v e p r a t, andaj,
Përderisa “jetojnë” veprat e tyre,
edhe legjendat janë të gjalla.
T’ua lëmë të rënëve – LAVDINË E PAVDEKSHME!
T’ua lëmë të gjallëve dashurinë e përjetshme!
Kur liria klith,
më parë sesa të zgjojë sy dhe shpirtëra të fjetur,
Ajo depërton në kujtesën e Kombit.
Vetëm LIRIA i jep gjallëri e kuptim jetës.
Me të shpërthejnë të gjitha aftësitë e forcat pozitive, dhe
e çojnë shoqërinë drejt majave të larta
të shkencës, artit dhe mendimit njerëzor.
LIRIA është përgjegjësi.
Do të thotë thjeshtë:
të jemi në gjendje
t’i përgjigjemi jetës.
LIRIA është e drejtë, që njeriu
mos të ka ndonjë urdhërues
e as sundues mbi kokë.
LIRIA është rinia e përjetshme e një Kombi.
*
Hässleholm – Suedi, më 28 nëntor 2006
Ismet Hasani
Kontakti me autorin-
e-mail: ekspertimh@hotmail.com

No comments: