Monday 17 March 2014

DHIJA DHE UJKU NË POLITIKË.

DHIJA DHE UJKU NË POLITIKË.
(Satirë politike. Vetëm për të rritur.)
Qerim Skenderaj
S’na ishte njëherë,
Një kohë, a dikur,
Por vjet në mesverë,
Vapa digjte, furr.

Një ujk e një dhi
Të “nxehur” blerimit,
Kërkonin freski
Në rrjedhë të burimit.

Ujku në një anë
Dhe në tjetrën dhia,
Fjalë e nga një fjalë,
Merr udhë historia.

I pari flet ujku
Për jetën e vetë,
Tregon pa u ndalur,
Si do bëhej “mbret”:

* * *
Unë – ia nisi ujku,
Me një ton të rëndë,
U rrita nga prindër
Pa “kokërr” në mend.

Pas tyre, mërzitur
Me jetën gjahtare,
Gjithmonë i uritur
Në pyje, livadhe.

U ika të dyve
Dhe gjeta lirinë,
U dhash dritë syve
Të mbrrij lumturinë.
Një nga miqtë e mi,
Më i ri në moshë,
Thjeshtë, me marrëzi,
Ishte bërë “boss”.

Me diplomaci
Ia lypa përvojën.
Për sa tha ai
E kuptova “lojën”.

Me emrin e tmerrshëm
Kishte kallur frikë,
Ndaj i hapnin portën,
E prisnin si “mik”.

Në fillim, thjeshtë,
Duke kërcënuar,
Një tufë me shqerra
Kishte siguruar.

Pastaj e kish rritur
Dyfish kërcënimin,
Së bashku me të
Kish rritur dhe çmimin.

Me “gjoba”, rrëmbime,
Me sulme - rrufe,
Kishte bërë të tijat
Tri - katër kopè.

* * *
Kështu e fillova
Dhe unë, i pafamë.
Së pari ndërtova
Një vathëz në stan.

Pastaj u nisa
Kullotë më kullotë,
Me dhunë e bitisa
Një grumbull me lopë.

Më tej u maskova
Me qime “të huaj”,
Rrëmbeva sa desha
Mushka dhe kuaj.

Mashtrova barinjtë
E grisur, në zhele,
U tunda florinjtë
Dhe i lash pa dele.

Kur malli i shtuar
Më njohu për “babë”,
I bleva barinjtë
Me qyrk e kërrabë.

Edhe gomerët
Dhe qentë ua bleva.
I vura në punë
Me mëza e pela.

Gjithë ç’kishin stanet
Si brenda dhe jashtë,
U bënë prona ime
Dhe pirgjet me kashtë.

Kam ndërtuar stalla,
Një komleks të tërë,
Dhe zonjë e çobanit,
E imja është bërë.

Shëtis nga të dua
Mbi kuaj me shalë,
Veç te ky burim,
Në këmbë vij, me mall.

S’më mungon asgjë,
As për dashuri,
Por jamë i fiksuar
Për një Dhi si Ti.

Ndaj tu qasa pranë,
Je shumë elegante.
Dua të kem ndrikull
Vilës me dy kate.

Dhe lëpiu buzët
Mbreti” shijehollë,
Pastaj i mbuloi
Edhe lehtë u koll.

* * *



E kuptoi dhia
Kollën e sajuar,
Por dhe u habit,
Që s’paskej mësuar.

Historinë e dhisë
Me bishtin përpjet,
Që e ul në gjunjë
Çdo pashà e mbret.

Ndaj nisi rrëfimin
Shtruar e ngadalë,
Plaçkën” të zbuluar,
E duart në shalë.

* * *
Unë, or ujk i dashur,
Nisi fjalën dhia,
Shkurt, do të rrëfej,
Për bëmat e mia.

Kur s’ia dola dot
Me “plaçkën” zbuluar,
Nisa të tund fortë
Bishtin e lakuar.

I dhashë bukuri
Zanatit të vjetër”,
Me një stil të ri,
Me një sjellje tjetër!

Nuk më solli fat,
Bishti i përdredhur,
Që s’ua prishte mendjen
As cjepve të tredhur.

Nisa ta lëkund
Si një balerinë,
Sa që sy e hundë
Mi ngjitën në vrimë.

Flaka veshi sytë
E boss-ve të rinj,
Nga “soba” e dytë
Poshtë bishtit tim.

Zjarri ndezi salla,
Zyra, diskoteka,
Flakërimë e bëra
Dhe në hipoteka.

Të gjithë sa u ngrohën
Në flakë e në zjarr,
Nën bisht më hodhën
Euro e dollarë.

Të dehur nga era
E “vrimës” së dytë,
Me para mi veshën
Fytyrën dhe sytë.

S’kisha ku ti mbaja,
Hapa llogari,
Në një bankë shteti
Ku mbahej flori.

Kështu pak e pak
U bëra pronare.
Llogari në bankë
Me para të madhe.

Nuk bleva pallate,
Lekun s'e kam hedhur.
Bleva vetëm dhi
Me bishtin përdredhur.

Bëra disa tufa
Me ftuja të njoma
Dhe i sistemova
Hotelesh, në dhoma.

I derdha në luks,
Bizhu të argjenda,
Për të pritur boss-ë
Me “bole” të rënda.

Të tjerat i çova
Nëpër semaforë,
Që të trafikojnë
Me para “në dorë”.

Ndërsa më të mirat
I ruaj rezervë,
Për të gjithë ministrat
Kur flenë në hotel.

I zgjedh nga ato
Që djegin më shumë,
E të mbajnë ndezur
Edhe kur fle gjumë.

Kështu i kam zbutur
Një nga një të gjithë,
Nuk më mbajnë taksa
Sa herë që “i zgjidh”.

Se edhe ata
Janë me halle plotë,
U vërsulet “shefi”
Kur se “zgjidhin” dot.

Sa herë që ngre zërin,
Sa herë ulërinë,
Përplasen tek unë
T’ më ngrejnë dollinë.

Dhe i ngulin sytë
Në të gjithë taborrin,
Që të zgjedhin “plaçkën”
Për të shuar eprorin.

Kështu edhe unë
Bëj lart e më lart,
Boss-e, përmbi boss-ë,
Kate, përmbi kat.

Shkoj me kë të dua,
Me kë më do qejfi.
Më lakmojnë mua
Plotë burra shteti…

Koha që më ngriti
Më dha dhe një ves.
Ndizem vetëm kur
Shoh para me thes.

Ah, se desh harrova,
Po qe për shëtitje,
Kam disa makina
Për udhë e për “qitje”.

Ja, këtu kam ardhur
Me një “fuoristradë”
E gjitha në luks,
Pasqyrë dhe mbi shtrat.

Parkova te kthesa
Dhe erdha në këmbë.
Dua të kujtoj,
Ky burim më dhëmbë.

Para disa vitesh,
Isha ftujë fshati,
Ndërsa pija ujë,
Një ftujak më kapi.

Hajde qejf që bëmë,
Zjarrë e flakë vërtetë.
Dhe uji i burimit
U bë avull krejt.

Ishte herë e parë,
U dogja në vlim.
Burimi kish larë
Dhe mëkatin tim.

Që atëhere, unë,
S’bëra punë tjetër,
Më kish bërë per vete
Ky “zanat i vjetër”.

Me sa shoh dhe ti
Je nga zona ime.
Hija dhe burimi
Të zgjojnë kujtime.

Me ndonjë ujkonjë
Drekoje nën hije?
Apo me tët zonjë
Shtruar me mish dhije?

* * *
Dhija ngriti sytë
Dhe u mbush me frymë,
Ndërsa “boss” - i ujk,
Kishte ngrirë si brymë.

E shkundi hutimin,
Dhe pamjen e trishtë,
Të dy sytë si shtiza,
Ia nguli nën bisht.

Të gjithë historinë
E shkoi nëpër mend:
Plaçka” bën kërdinë
Dhe mbetet në vend!”

Ndërsa e vështronte,
Ndërroi pozicion,
Gati ta shalonte
Si një ftujë të njomë.

Me dy-tri lëvizje
Dhe gjuhën e gjatë,
Deshi ta përpinte
Dhe ta bënte “mat”.

* * *
Dhia e kuptoi
Synimin e tij.
Mesazh i dërgoi
Truprojes, të vij.

Pastaj, me një gjest
Ujkun e ndaloi,
E bëri të hesht
Dhe sytë ia rrëzoi.

Kish ndërruar e thëna,
Erdhi kohë tjetër:
Ujku ndërron qimen
Jo zakonë e vjetër”.

Tani thuhej ndryshe:
Qimen s'e ndërron,
Mjegulla dhe hëna
Oreksin ia shton”.

Vërtetë kohë e tyre
Kishte lulëzuar,
Por ajo e dhive
Ua kishte kaluar.

Ngadalë – i tha Dhia
Mos i fry pasionit,
Më parë llogaria,
Jo forcë e zakonit.

Dhe ujku i bindur
Bëri llogarinë,
Të jepte ca mallë
E kandiste dhinë.

* * *
Në bisedë e sipër
Mbrriti avokati.
Vetëm një vështrim
Dhe ujkun e mati.

Pastaj menaxheri
Dhe truproja pas,
Sa i panë lëkurën
U shkulën në gaz.

Një ujk, “boss fshati”,
S’mund të matej dot
Me “boss”-en e dhive
Të famshme në botë.

Le, pastaj, ta bënte
Të tijën në shtrat.
E gjithë pasuria
Shkrihej për një natë.

Prandaj iu drejtua
Me buzën në gaz:
Merre shtruar boss”,
Boss fshati”, avash”.

Është e rëndë Zonja,
Ka parë botë me sy.
Nuk është si Ujkonja,
Që darkon me ty”!

* * *

Ujku i hutuar
Nuk tha asnjë fjalë,
Iku i menduar
Me bishtin në shalë.

Thellë e kish “fundosur”
Historia e dhisë,
Dikur e “zgjebosur”
Tani yll, një “miss”.

S'i shqitej nga mëndja
Truproja me shkollë.
Menaxheri i shkathët
Me mëndje të hollë.

Ç'i duheshin lopët,
Kuajt, shqerrat, dhëntë,
Apo dhe çobanët
Kur nuk kishin mend?!

Duart në turì
Uuuuuu…, ulëriti.
Zëri si borì
Më tej stanit mbrriti:

Gjithë mallin do shes,
Barinë dhe të zonjën,
Me mish e me lesh,
Në treg dhe ujkonjën.

Unë që i kam futur
Tmerrin kafshërisë,
Mos më thençin Ujk,
Po s’ia “futa” dhisë.



Sa i zinte emrin,
Plaste nga inati.
Sa e nervozonte
Nofka “Boss fshati”!

Duart në turì
Dhe prap ulëriu:
Uuuu…, u mbushën honet,
Uuuu…, në shpate mbiu…

* * *
Vrau mendjen gjatë
Si të bëhej “mbret”,
Jo si “boss” në fshat
Që nuk kish pushtet.

I shiti të gjitha
Me mish e me lesh.
Lëkurët të njoma
I bëri peshqesh.

Me lekët e kuajve
Bleu një makinë.
I futi “të parin”,
U vu në kërkim.

Në gjithë atë zonë
S’njihte ndonjë tjetër,
Përveç barinjëve
Dhe “mikut të vjetër”

Që e kish mësuar
Për hapin e parë,
Si të behej “boss”
Pa para e mall.

Me rrugë, e pa rrugë,
E gjeti në vilë.
Rrethuar si burg
Oborrin “jeshil”.

Në katin e tretë,
Mbi ballkon kish dalë.
Habitet vërtetë,
Kur e sheh pa kal.

Dhe një buzëgaz
Të verdhë i rrëzoi,
Kur me kokën jashtë
Makinën parkoi.

Rojtarin te porta
E pa rëndë-rëndë,
I dërgoi sinjal,
Ta priste nën tëndë.

Ndërsa një sorkadhe
Sa doli prej dere,
Shkoi i futi krahun
Si lule pranvere.

Parfumin e kish
Më të mirë se Dhia
Që i kish treguar
Gjithë ato “çudira”.

Pastaj duke pritur
Tek tënda nën vilë
Mendjen ia tërhoqi
Peizazhi “jeshil”.

Një bar i çuditshëm
Ndarë në parcela
Që se kishte parë
Në vënde të tjera.

Gati sa të pyeste
Shqëruesin tjetër,
Kur te dera ndriti
Miku tij i vjetër:
Si të kam, o “boss”,
Si të kam, o VIP.
I ke zbritur kalit,
Ke hipur në xhip.

Të lumtë ajo mendje
Që më ka dëgjuar.
Askush në këtë botë
Nuk vjen i mësuar.

Ta di shumë për nder,
Të më rrosh o mik.
Unë që s’kisha brekë
Ngrita një çiflig.

Por ç'e do, e shita,
Me mish, e me lesh.
Lëkurët të njoma
I bëra peshqesh.

Një dhi syargjend,
Ja, si kjo sorkadhe,
Më prishi nga mend,
Kish para të madhe.

Me shterpa e ftuja
Kish mbushur qytetet,
Rrugët, semaforët,
Parqet e hotelet.

Kish joshur ministra
Dhe parlamentarë,
Gjer dhe burra shteti
Kishte vënë në radhë.

Fama i kish shkuar
Nga shteti në shtet,
Si një dhi e zgjuar
Që s’gënjehet lehtë.

Më tha, se paratë
Që kam në kuletë,
S’dalin për një natë,
Jo ta kem për jetë!

Tani, pa më thuaj,
Si ta hedh në dorë?
Si ta bëjë për vete
E të thur kurorë?

* * *



Miku uli kokën,
E krroi me dorë
Dhe ra në mendime
Për “boss”- in e gjorë.

Të dy “boss” fshati
Bërë pa një lekë,
Por ky nga inati
Do mbetej pa brek.

Paskam qënë i marrë
I tha vetes tij.
Në të tillë arë
S’gjen farë të mbij.

Një ujk përveç dhëmbëve
S’ka pasuri tjetër.
Ndërsa shterpat, ftujat,
Kanë “plaçkën” e vjetër.

Plaçkën” që çan dallgë,
Dete, oqeane,
Që ja mbrrinë të bëjë
Jetë amerikane.

S’janë më si dikur
Skllave të çobanit.
Fati u dha udhë,
U hap derë e stanit.

* * *
Mysafiri priste
Një zgjidhje të zgjuar,
Ndërsa tjetri mëndjen
Gjetkë e kishte çuar.

Ashtu në përhumbje
Mendimi iu poq,
Me të njëjtin gur
Të vriste dy zogj.

Ta zgjidhte “rreshter”
Për skuadrën e “barit”,
Që niste shpërndarjen
Në fund të beharit:

Dëgjo këtu, or mik.
Më dëgjo, or “boss”.
Dhëmbët m'i ke brisk,
Por nga koka, bosh.

Nuk e di që dhia
Vjenë nga derë e madhe?!
Ka qënë zonjë dikur,
E fisme, sorkadhe.

Prijsat e kanë vënë
Simbol në kurorë,
Ndërsa disa mbretër
Statujë në oborr.

Njeriu e shtrëngoi
Të futej në vathë.
I duhej për mish,
Për qumësht e djath.

Tani që s’ka mbetur
Asnjë stan në fshat,
Iku të shohë botë,
Të ngrohet në shtrat.

Pastaj, si se ditke
Që është pakëz “dhelpër”!
E dredh bukur bishtin
Mbi “plaçkën” e vjetër.

Di t’ua prishë mendjen
Boss-ve pasanik,
Që nga lindje e largët,
Gjer në Amerikë.

Po ti nuk ke faj,
Ke parë vetëm fshatin.
Nuk ke parë si theren
Boss”-ët për krevatin.

S’hidhet lehtë në dorë
Një “boss”-e me lekë.
Duhet të kesh “bole”,
Bole” dhe pushtet.

Si mik që të kam
Të jap një këshillë:
Mund dhe ta hutosh
Me “barin jeshil”!…

Pa, sa për paratë
Që ke në kuletë,
As nuk ti hedh sytë,
Me nder…as ta dhjetë!…

Veç, për sa të thash,
Trete si qiriu.
Është gati Çakalli,
Gati dhe Ariu.

Ka ditë që më luten
Te dera, në Vilë:
Na merr të punojmë
Me “barin jeshil”…

* * *
U mblodh e u rrudh
Boss”-i me kuletë.
Ishte shumë e rëndë
Ofeza: “s’ta dhjetë”!

Ndërsa ajo tjetra
Ke parë vetëm fshatin”,
S'ia uli turirin,
Por ia shtoi inatin.

Se mohonte dot,
Pyjeve qe rritur,
Rrallë me barkun plot
Dhe shpesh i uritur.

Ama kur u binte
Tufave me dhi,
I gjithë pylli qelbej
Shurrë e kakërdhi.




Gjaku mbushte gropat,
Leshi fije-fije
Endur nëpër shkurre,
Shfrynte erë dhije.

Tani nga na delë
Dhia “zonjë e rëndë”?!
S’paska frikë as ujkun
Që e shqyen me dhëmbë!

Dhe ky murrua tjetër,
Tani “boss” me vilë,
Më thotë t’ia mbyll sytë
Me “barin jeshil”.

Dhia sallatë gjethesh
Ka ushqim të parë.
E “kushua” më thotë
T'a gënjej me bar.

Bar edhe tërfil
Ka plotë në lëndina,
Të ngopen gomerët,
Dhe dele mavria.

Gënjetshër me bisht
Bari, tradhëti.
Nuk mashtron dot
As ujk, as ari.

Ndaj e mblodhi mendjen,
E gjeti me vend,
Ti thotë nja dy fjalë,
Veç me ton të rëndë:

Jo kështu, mor, jo.
More ujk me vilë.
Nuk mashtrohet miku
Me bar e tërfil.

Erdha të dëgjoj
Siç më ke mësuar:
Me dhunë e me frikë
Udhën e gjën shtruar.

Tani po na del
Që shtrohet me “bar”.
Mos e ngatërrove
Dhinë, me gomar?!

Se, sa për gomarin
S’të kërkoj këshillë,
Por dhia që dua,
Nuk është thjeshtë me brirë.

Eh, me sa kuptoj
E dashke për vete,
Me lekë të mbuloj
Hotelesh ku vete.

* * *
Tjetrit iu ngrit qimja
Dhe hopa... në këmbë.
I shtrëngoi më fortë
Nofulla e dhëmbë.

Me putrën nga dera,
I bërtiti: “jashtë!”
Të fola për “bar”,
S’të fola për kashtë.

Të dy u spostuan
Nën hije të mënit
Dhe egër zbuluan
Dy dhëmbët e “qënit”.

Uuuu…në kupë të qiellit,
Uuuu…jehoi në shpella.
Ariu dhe Çakalli
Me një frymë te dera.

Boss”- i me kuletë
E kish vënë ndër këmbë
Dhe me pamëshirë
E shqyente me dhëmbë.





Çakalli i ngriti
Dy veshët përpjet,
Por ariu me putër
Ia tërhoqi lehtë.

Prit dhe pak – i tha
Të mbyten në gjakë
Dhe pastaj në sulm
Që të marrim hak.

* * *

Nga gjaku që rrodhi
Prej ujkut me vilë,
U përskuq oborri
Dhe “bari jeshil”.

Kur “boss”-i symbyllur
Po shuhej për jetë,
Iu hodhën përsipër
Ujkut më kuletë.

E shqyen të gjallë
E bënë copa-copa.
Zemrën edhe shpretkën
I hëngrën të ngrohta.

Kuletën në xhep
Ia mori Ariu,
Ndërsa numëronte
Buzët i lëpiu.

Eh, i tha Çakallit,
Si ka ardhur koha.
Kush i fryn kavallit,
Kush fiton të holla!

Pastaj dy kufomat
I mori Çakalli,
Dhe i ngjeshi fortë
Në një thes “bari”.




E hodhi në krahë
E drejt e në shpellë.
E mbuloi me dhè
Ta kishte rezervë.

* * *

Ariu e gëzon
Me makinë e vilë,
Sorkadhen në shtrat
Dhe “barin jeshil”.

Derisa një tjetër,
Dhëmbët më me maj,
Me forcën e verbër
Ta shqyej e ta haj.

* * *

Kështu vjen në fund
Edhe kjo përrallë,
Që fillin se humb
Në logjikë e fjalë.

Ujku, kafshë pylli,
Nuk bënë për karrier,
Sado që në mjegull
Të sfidon, të therë.

Dhia trashëgon
Zanatin e vjetër”,
Në shtratin e ngrohtë
Zbut çdo kafsh të egër.

Ndaj “koha moderne”
Ka bërë kompromis
Me dhëmbët e ujkut
Dhe “plaçkën” e dhisë…

Si dy personazhe
Tashmë të përfolur.
Me ndotje, mëkate,
Janë bërë të njohur.


I pranon në shtrat,
Të prijnë i ftonë,
U jep dhe mandat
Të ulen në fron.

Pastaj i rrëzon
Të mbytur në gjakë,
Dhe rrept i gjykon
Kur bien në çark.

Duke bërë kështu
Pjesë të historisë,
Si dhëmbët e ujkut
Dhe “plaçkën” e dhisë…

FUND

No comments: