Monday 24 March 2014

KULLË E DUKAGJINIT NË GJLLOGJAN -SIMBOLI I DIELLIT QË DJEMTË AMANET NA LANË!...-



Sejdi BERISHA

Me rastin e 16-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit (24 mars 1998)

KULLA E QËNDRESËS
-Poemë (në frymën popullore) kushtuar Gllogjanit-

(Nëse dëshironi për këta trima e dëshmor
diç më shumë të mësoni, lexojeni këtë poemë
e mos përtoni!)

KULLË E DUKAGJINIT NË GJLLOGJAN
-SIMBOLI I DIELLIT QË DJEMTË
AMANET NA LANË!...-

(Një çun i vogël, krejtësisht i vogël, afrohet tek dera e oborrit të madh të Kullës dhe, shikon e shikon anë e përreth. Zemra i rrahë si lepurit. Ndoshta jo ashtu. Diqysh ndryshe, dhe fjalët e tij era i bën jehonë. Jehonë i kthehen edhe përgjigjet!
-Çka ka në këtë Kullë?!... Pse aq shumë lule në oborrin e saj!
-Kjo është Kulla e Qëndresës… aty pushojnë dëshmorët e kombit.
-Si?!... –afrohet vogëlushi me plot lecka në trup e me sy zjarr, vetëm në hyrjen e Varreve të Dëshmorëve. Shikon e shikon. Tërë atë vend flakë e bën me dritën e syve.
-A japin këtu bukë për të ngrënë?
-Bukë?! –dëgjohet një zë jehonë.
-Po po, bukë. S’e shihni çfar kulle.
Një yll i madh e shndërrit vocërrakun dhe, sikur gjerë e gjatë i shpjegoi për varret, për lulet, për kullën, për qëndresën…).
Janë do kulla në Gllogjan,
Që tregojnë për historinë,
Rezistencën dhe trimërinë,
Për çfarë tjetër pos për lirinë.
Janë do male e do shkrepa në Dukagjin,
Prore llastohen, nuk durojnë robërim
Për këtë kanë kurorë madhështore,
Që tregon për rritën e pastër
Me qumësht nënëlokeje, bukë – kore.
Nëpër shekuj edhe mote,
Rritet zemra hidhërake
Me dritën e pranverës.
Si e tërë Kosova pra,
Ka djem në Deçan, edhe në Gllogjan,…
Që fushave dhe maleve zemrën ua dhanë.
Kullave përplot histori
Ngjarje të mëdha e të përhershme
Burrërinë ua bëjnë edhe më t’përjetshme.

1.
Të shkojmë radhazi, kurorë për kurorë,
Le të flasim pakëz për dëshmorë:
Në një kodër në Gllogjan,
Pesëdhjetë trima diellin amanet na e lanë.
Është Luani me lulet e majit
Që gjithnjë i kishte në zemër si stoli.
Kur kërkohej
Shlirë t’merr frymë kjo tokë,
Luan Haradinaj bashk me shokë,
Me Fehmi e Xhevë Lladrovcin
I madhështojnë bjeshkët e larta,
Kënga dhe fryma e tyre
Ujisin tokë e gjelbërojnë bokë.
Te Qafa e Mullarit diçka është parë
Afër fshatit Larë  diçka ka ngjarë!
Po dëgjon o Deçan,
Junik, Hulaj e Prapaqan,
Le të jehojë kjo fjalë
Edhe në Irzniq,Isniq e në Gllogjan,
Po, po,… edhe në Gllogjan,
Se pikërisht me gjashtë maj të vitit ’97,
Lulet kur marrin hov e shtojnë dashuri,
Luan Haradinaj në to-
Përgjithmonë u shtri!...
Të gjithë pyesin si me habi:
Ç’është ky diell kaq i madh?
Thotë Luani duke i qeshur fytyra:
Mos u trembni o të dashurit e mi,
Se ja,… këtë tokë po e shoh n’liri!

Pak lot i shkojnë t’vëllait, Ramushit,
Edhe shokëve tjerë,
Por edhe më shumë
Zemrat forcohen e bashkohen;
Kemi forcë bjeshkët t’i bashkojmë,
Pak me lot e pak me mallë,
Për herë të fundit Luanin e përqafojnë.
Uruan, kënduan e thanë:
O Luan…!
E bëre krenar Duakgjinin e tërë Kosovën,
E të mos flasim për Gllogjan.


2.
Në mars, për farën ëndërrojnë arat,
Merr kokë gjelbërimi,
Edhe lulet janë ndër t’parat
Në këtë muaj,… në Gllogjan,
Sa bukuri, sa madhështi;
Për këtë pranverë ishte i gatshëm,
Çdo plak dhe i ri,
Kurse shkolla edhe më shumë,
Bëhet vulë për dituri.
Mu për këtë,
Agron Mehmetaj me shokë t’vet:
Gazmend Mehmetajn e Himë Haradinajn
I mbrojnë nxënësit edhe shkollën,
Jo nuk ikin, kanë zënë priten:
Jemi të lumtur për të vdekur,
Fëmijët tanë shlirë duhet t’rritën.
Sikur u dëgjohen fjalët e fundit:
Nëna të vuajtura e baballarë,
Ruajini fëmijët e kësaj toke,
Janë filiza e bëhen trung,
Kështu do të shkojmë deri në fund –
Prej epoke në epokë!

Tash më shumë,
Ushton qielli dridhet toka,
Marsi përherë është i bukur,
Sot është edhe më i dashur;
Pra, me njëzetë e tre  t’këtij muaji,
Të vitit ‘98 ranë dëshmorë,
Të përjetshëm kanë mbet
Agron Mehmetaj, Himë Haradinaj,…
Por edhe Gazmend Mehmetaj,
Ranë këta trima për atdhe t’vet.
          
3.
Do të jetë pranverë e nxehtë
Dikush këtë fjalë si dritë e ndezi,
Dëshmoi Arben Qerimi e Faruk Elezi.
Lufta e marsit edhe më tepër
Shumë të rinj i trimëroi;
Rruga Deçan-Gjakovë,
Në Prejlep e Ratavicë,
Për Arbenin ishte pritë e mirë
Sepse armikut s’i lente rrugë as rrugicë.
Në muajin maj,
Kur edhe në zemër
Dashuria e lulet gufojnë,
Ori motra, ore vëllezër mbani mend:
Predhat e as sulmet e armikut
Nga Suka e Baballoqit,
As nga Hulajt e Podi i Gështenjave
S’kanë çka m’bëjnë!


Me njëzetë e gjashtë maj ’98 në Rastavicë,
U bë e përmotshme një dritë.
Në këtë rrugë, prej Deçani në Gjakovë,
Arben Qerimaj sikur u shndërrua
Në zanë të malit, në orë mbarë,
Siç ndodhi me Faruk Elezin
E Gjurgjevikut – pesë ditë më parë…
Në Grabanicë duke luftuar
Për Kosovë, Dukagjin e Drenicë.

4.
Ah, gjithmonë kemi pasur dëshirë
Popullin tonë ta shohim të shlirë;
Kështu kanë thënë vëllezërit
Likaj nga Carrabregu,
Ka thënë Enveri, Samiu dhe Lavdimi:
Oj toka e Kosovës
Ky është i yn’  kushtrimi,
Nuk na bën mirë jeta n’kurbet,
Do të kthehemi në Dukagjin
Për të luftuar edhe ne të tret’.

Iku maji e vjen qershori ‘98
Në Kosovë bëhet nxehtë e më nxehtë…
Në Carrabreg, Prejlep e në Deçan
Vjen armiku, por çap s’ia ban,
Se janë besatuar disa djem
Dhe i tërë populli krejt
Që këtë vend për ta mbrojtur
Me gjak e jetë:
Përballë shkollës “Lidhja e Prizrenit”
Po, po në Carrabreg,
Ku kanë mësuar shkronja  e janë kalitur
Fëmijët e kësaj toke
E kanë forcuar dashurinë
Edhe historinë e ditën  për lirinë:
Bien Lavdimi më trim se trimi
Edhe një fanar lirie-
Një qershori ‘98
Do të shënohet vjet për vjet.
Aty vritet edhe Blerim Dërvishaj
nga Irzniqi,
Por trupi i tij nuk u gjet.
Kishte ikur, lart ishte ngjitur,
Tokën e Kosovës për ta bekuar,
Lirinë për t’na uruar!...

Një ditë më vonë,
Faik e Besim Haxhaj,
E mbrojnë fshatin Carrabreg;
Nuk lejojnë të merret fshati,
As popullit
Në duar t’armikut t’i mbetët fati,
Ballë për ballë me armikun:
Si Faikut si Besimit
Gjoksi u bëhet mburojë
Sa Deçani e sa Juniku.
Jemi djem të kësaj toke,
Mos u mërzitni baballarë
As ju nënëloke –
Na varrosni në livadhe plot gjelbërim
Këtu le të mbesim si dashuri e si kujtim.

Muaj qershor
Plotë dashuri e me zë kasneci
Tek po thotë Armend Kukleci,
Si shqiponjë e si rrufe:
Prejlepi, Juniku, Vokshi e Sllupi,
Edhe Pobërgja, Shapteji,
Gramoçeli e Carrabregu-
Janë këto vende
Ku gjithnjë lëvizte Armendi.

Nuk i linte vend armikut ky “Pejani”
Dhe me dritë të madhe në zemër
Bie trimërisht në Drenoc te Deçani:
Katërmbëdhjetë qershor ‘98
Armend Kukleci për tokë t’Kosovës
Mbetët i gjallë përjetë.

Në fund t’qershorit me datë tridhjetë
Jakup Agushi nga Drenoci i Klinës,
Vazhdon traditën e gjyshit,
Të babait dhe të të vëllait,
Tash jo në Lëvizjen Kaçake
Të Nue Përlleshit,
Por, për çlirimin e Kosovës
Në njësitin e komandant “Malës”,
Përherë i vërente të gjitha anët e medaljes.

Në Dranoc të Klinës
Jakupi i familjës Agushi,
Guximtar si kurrkush,
I shkaktonte humbje e tmerr armikut
Dhe me tridhjetë qershor ‘98
Jakup Agushi n’histori ka mbetë!...

5.
Pas qershorit vjen korriku;
Kudo në Dukagjin
Mposhtët armiku,
Ushton Loxha e Juniku.
Më saktësisht, me gjashtë qershor ‘98
Nga dështimet armiku ç’orientohet krejt.
Sa ligësi e në shenjë hakmarrjeje
Armiku i vranë tre të rinj në Qerhane –
Afër Loxhës, në Dardani:
Bashkim Mehmetaj, Ahmet Xhekaj
E Niman Bajraktari,
Biejnë dëshmorë
Pa u frikësuar asnjë grimë,
Se janë nisur nga fshati Rudicë,
Të rritur me frymë toke,
Që i thonë Klinë e Drenicë.

S’është asgjë paraja n’mërgim-
Thotë Rexhë Qorraj
Duke pritur me padurim
Që të kthehet në atdhe shqim;
Sepse, në Carrabreg e në Deçan,
Janë shumë nëna e motra
Që në shpirt të gjithave u dhemb,
Shumë baballarë e fëmijë
Që iu rrezikohet votra.

Vrasja e Osë Qorrajt në vitin 1912,
Gjithnjë duke u rritur,
Rexhën e shoqëron kudo në jetë.
Jemi vëllezër shumë, or… 
Nëse unë kam me vdek,
Edhe pesë kanë me mbetë!
Mos mendoni se mërgimi
Dashurinë për atdhe ta zvetënon;
Përkundrazi,
Heroizmi i këtij trimi
Më së miri na tregon:
Me trembëdhjetë ‘98
Në një luftë fyt për fyt
Ra në tokën e vendlindjes-
Aty pushon,
Dheu sipër trupit tij
Sikur këngën e lirisë
Gjithmonë e këndon!

Po këtë ditë,
Tërë Carrabregu n’mend e mbanë:
Ra edhe një i ri me emrin Artan,
Bir i Qorrajve- vjeç tetëmbëdhjetë,
E fali shkollën edhe gjakun
Të tjerët të rritën të qetë,
Të lumtur e në liri.
Dhe, sikur dëgjohet zëri i Artanit:
Por,… mos harroni o vllazni,
Vetëm bashkë ecim në ardhmëri.

Mos më mb’loni me dhe trash,
Të dëgjoj kam dëshirë
Si do të ecni të lumtur e shlirë!
Prej Deçanit,
Kalojmë pakëz në Lug t’Baranit,
Për t’i thënë vetëm dy fjalë
Për një trim e për një djalë.
Ilmi Mushkolajn e mbani mend,
Nga betejat në Gllavicë t’Vranocit
E në Qallapek…
Por Ilmiu vazhon apet:
Në Rrasë të Zogut qenka shkru’
Për t’u ndalur e për  t’luftu’.

Dhe Ilmiu,…ishte më i riu
Nga gjashtë fëmijët që i kishte Sadriu-
Bie dëshmor në këtë vend.
Rrasa e Zogut e ka t’vjetër historinë,
Dhe, sikur pikërisht për këtë,
Me nëntëmbëdhjetë korrik ’98,
Ilmiu me gjashtë shokë të tij,
E bëri edhe më të fortë përjetësinë!

6.
Më nënt gusht paskan thënë,
Çka lajmëron Sokol Sejfijaj
Nga fshati Gllogjan:
Malli për Kosovën edhe për nënën
Ma ka këputur shpirtin,
Ma ka rënduar zemrën.
Vendlindja peshë m’ka çuar,
Për t’u çliruar duhet luftuar!
Në luftimet në Baballoq,
Gramaqel e Shaptej,
Kudo si shqiponjë gjendet Sokoli…
Në Prejlep, Rastavicë e Jabllanicë,

Po po,…!
Me nëntë gusht të këtij viti,
Ra Sokoli,…lum nëna që e rriti!
Vetëm dy ditë më vonë
Çlirimi i Kosovës kështu e don:
Enver e Orhan Halilaj,
Po ashtu nga Gllogjani,
Mu tek shkolla “Hasan Prishtina”,
Ranë dy lisa, u vranë dy trima.
Po këtë ditë,
Arton Hasanaj nga Rakoci,
I shtëpisë së Zhel Hasanëve,
Pos betejave në Gllogjan,
Në Bitesh-Dobrigje-Gramaçel,
Mbahet mend trimëria e tij,
Përballë s’ka kush t’i del.
U flijua për tokën, për lirinë,
E fali jetën, e nderoi Kosovën,
E madhështoi nderin e shtëpinë.

Edhe Naim Nimanaj nga ky fshat
I bashkohet Shtabit t’Gllogjanit,
Betimit dhe besës,
Simbolit të qëndresës;
Në Gllogjan, afër blinave,
Naimi bashkë me Artanin bëjnë dritë,
Kurrë për të mos u fik’.
Në korrik – dita e trembëdhjetë,
Bëjnë luftë trimat-djem të rinj;
Arben Ahmetaj kundron qiellin,
Sepse e ka profesion dhe ëndërron diellin,
Në fshatin Irzniq u bë dritë për t’mos u fik.

Nga fshati Qyshk i Pejës,
Dikush një tragjedi ceku,
Dhe pikërisht prej këtij vendi
Na është trimi Skënder Çeku.
S’do t’ia numërojmë as vetitë
As trimëritë…,
Por, fshatin Loxhë gjithkush e di,
Edhe betejën dhe çdo shtëpi;
Me shtatëmbëdhjetë gusht ’98,
Skënder Çeku ndërroi jetë.
Për heroizëm, për trimëri,
Me gradën Gjeneralmajor
Skënder Çeku nderohet
Dhe kurrë nuk harrohet!

7.
Edhe në shtator ’98,
Vazhdon lufta për t’u çliruar
E jo për t’vdekë.
Sërish si gjer më tani,
Kemi të bëjmë me një djalë nga Gllogjani,
Është ky Xhevat Sejfijaj,
Figurë e shumë betejave,
Në Dukagjin e gjithandej,
Më së shumti në Prejlep,
Por, edhe në Shaptej:
Jemi nëntë fryte
Të Muharremit e të nënës Ajnë,
Shpresat dhe vendosja për liri na mbajnë.
Në Bogiqe – bjeshkë me nam
Vritet Xhevati, por nuk shkon dam;
Bashkë me te-djemë si begu
Shpëtim Bobi i Lybeniqit,
Dhe Sadri Vishaj nga Belegu.

Me njëmbëdhjetë shtator ’98,
Kufiri shpërthehet mal pas mali
E breg pas bregu!
Dhe, kështu me radhë,…
Gjashtëmbëdhjetë ditë më vonë
Një zë tjetër thekshëm jehon:
Është vrarë Sadri Lokaj në Netic,
Trupi i tij është shndërruar
Në frymë kosove e lule bore,
Pra, nuk është gjetur
Por,… as nuk është tretur.

Kështu radhazi,
Në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan,
Edhe trupi i Mahir Lajçit tash pushon.

8.
Te Kulla e Dukagjinit,
Shumë dëshmorë po bëjnë dritë:
Hysni Ramosaj e Agush Gjoci,
Ranë në janar – u bën fanar!
Në prill kur bari dhe lulet
Fillojnë t’gufojnë,
Djemtë e Dukagjinit edhe më rrufeshëm
Trojet e veta tek po i mbrojnë.

Nga fshati Arrën afër Kukësit,
Dëgjohet zëri i Halit Cokës:
Po më pritni o vëllezër kosovarë,
Se kjo tokë duhet çliruar,
Ah medet, sa shumë ka qenë e robëruar.
Sa krenar është ky dhe,
Në Ratishë ra Halit Coka -
Tek u shtua edhe një faqe e re,
Tani janë krenari eshtrat e tij!

Një ditë më vonë,
Poashtu, në vitin ’99,
Artan Mehmetaj bëhet fli:
Ah mor djalë sa fortë toka t’përqafon,
Kurrë Kosova s’të harron.
Nuk e njohe armikun,
Artan, zemrën kurrë nuk e ke prishë,
Përgjithmonë u bëre dritë
Në fshatin Ratishë!
Në vend se fakultetin për t’a menduar,
Nga bangat shkollore,
Në lëvizje është inkuadruar;
Është ky Sylë Bezeraj nga fshati Rashiq,
Si në trimëri ashtu edhe në vendosmëri,
Dot s’ia kaloi kush hiq!
-Mos trembi o vëllazni,
E kuptoj, edhe ju jeni të ri,
Por, na thërret Dukagjini,
Fshati, bjeshka e vrrini!

Më pesëmbëdhjetë prill ’99,
Paska qenë një moment i rëndë,
Ra Sylë Bezeraj në fshatin Maznik:
-S’është kjo asgjë o shokët e mi,
Se pa mu’  Kosova s’është fikë!
Me gjashtëmbëdhjetë prill ’99,
Disa trima siç është Shkëlzen Hima,
Nuk ka laps që shkruan
Për heroizmin dhe rezistencën,
Që ata treguan.
Nuk është Maja e Shkëlzenit,
Por është Shkëlzen Haradinaj,
E do dukagjinas tjerë-
N’vija të frontit në Ratishë e Dashinoc,
Në Pozhar e kudo mbarë,
Kanë vendosur që armikut t’i bëjnë ballë.
Ç’po ushtojnë malet e Maznikut,
Frikë e tmerr t’madh
I shkaktuan armikut.
Duke mbrojtur popullatën,
Në Duboçak të Bardhaniqit,
U shënua edhe një datë në histori;
Pas gjashtë vjet lufte për liri,
Bie Shkëlzeni me shokë të tij,
Janë këta Fatmir Nimanaj,
Hasim Halilaj e Luan Nimanaj.

Që në moshën dymbëdhjetë vjeçare,
Shefqet Mustafa i Gllogjanit,
I kishte pasur do veti e do teke:
Përjashtohet nga shkolla
Pse kishte shpërndarë pamflete…
Prej këtu atdheun
Edhe më shumë e adhuroi,
Për këtë u dasht edhe t’emigrojë.

Me njëzetë e gjashtë mars ’98,
Ai n’vendlindje kthehet apet.
Ka luftuar ky i ri për liri,
Në Baballoq, Gramaçel,
Në Prejlep e Carrabreg,
Në Rastavicë, në Loxhë e Raushiq
Pa u hamendur hiq as hiq!
Me nëntëmbëdhjetë prill ’99,
Në Rrasë t’Kosharës askush s’po qanë,
Por,… bëhet legjendë emri i një trimi-
Është ai Shefqet Mustafaj-“Dukagjini”.

9.
Fill’ në ditën e parë
Të majit ’99,
Lulet dhe gjelbërimi siç e kanë zakon,
Ngrisin emocionet-bari provokon,
Vullnetin për liri e fuqizon:
Agim Selmanaj veten e vë në sprovë,
Më së miri tregojnë aksionet
Në rrugën Pejë-Gjakovë.
Katër herë u plagos,
Por kurrë dhe hiq nuk u plandos;
Kështu ishte në Rastavicë,
Në Shaptej, Dashinoc e në Dujakë,
Zemra e tij qitte flakë.

Vritet trimi në Ratishë,
Edhe pse trupi i pushoi,
Syrin edhe tash e kishte pishë.
Gjithmonë lirisë i besoi,
Kështu veten e përjetësoi!...
Vjen armiku t’uj u ngulfat,
Këtë ia bëjnë djemtë sokola,
Siç është Skënder Gegaj
Nga fshati Turjakë.
Vepra e tij anë e kënd Dukagjinit,
Në Maznik, Buçan e në Zhebel,
Në Prigodë, Radavc e në Vrellë,
Në Ozdrim e sërish në Jabllanicë
Pa pushuar as pak as hiq!...
Me trembëdhjetë maj ’99-sa madhështi,
Po lufton Skënderi në Llugagji…
Atje bie për këtë tokë
Duke ia falur trup e kokë!

Dy ditë më vonë,
Po n’muajin maj  ’99,
Një i ri nga fshati Cërmjan,
A është shqiponjë apo asllan,
Sadri Shala luftë po bën,
Për jetë palla nuk i han:
Mortajë as armë tjetër
S’ka çka m’ban,
Thërret Sadriu si drangu si luan,
Trupi tij pushon n’Gllogjan,
Këtu pushon e vëzhgon,
Dhe për shumëçka,…
Për shokët e tij,
Edhe për vetveten prore tregon!

Po n’këtë maj të datës njëzetë e pesë,
Dy zemra përgjithmonë pushojnë
Dy trupa përherë tokën e përqafojnë:
Islam Berisha e Arsim Rama,
Është e vërtetë-kështu thonë,
Ishin djelmosha si vetëtima,
Ashtu siç ishte,…edhe
Luan Qerimaj e Sinan Morina.

11.
Po n’këtë vit-në muajin qershor,
Përjetësohen edhe tre dëshmorë:
Jeton Dedushaj i lindur në fshatin Vuthaj,
Pasuron historinë e kësaj ane;
Kësaj radhe nuk janë
As Jabllanica as Rastavica,
As Loxha as fshati Tomoc,
Por janë fshatrat Lumbardh e Dashinoc.
Është edhe Burimi i Sadik Mustafajt,
Edhe Shpend Zeqë Malaj.
Kanë traditë për liri e për atdhe-
Njësiti i “Zhelave” as nuk njeh,
Nuk i trembet asnjë force
As armëve të rënda të armikut:
Tek Penda e Radoniqit,
Në Hulaj e në Zagermë,
As të atyre të Podit të Gështenjave.

Veç kësaj,…
Duke ndjerë përgjegjësinë
Ndaj popullit dhe opinionit,
Nga Novosella e Gjakovës,
Ai e sjellë sallën e operacionit.

Dhe, me gjashtë qershor  ‘99
Në Ratishë ra Burim Mustafaj…
S’është ngushllim por nderim-
Simbol i gjallërisë mbeti  emri-Burim.
Edhe Shpendi si Burimi,
U amshua, u nderua
Për trimëri, për liri.

12.
Në korrik ‘99-data dhjetë,
Radhiten në altarin e dritës diellit:
Mustafë Abazi e Nasip Bytyçi;
Zëri i tyre arrin n’kupë të qiellit,
Për liri, për Kosovë e për njerëzi!...

13.
Çuni i vogël viziton,
Lule më lule e varr më varr,
Diç mendon e diç kërkon:
Ka dhe shumë të tjerë…
Që, në mend i mbani,
Sali Çeku, Agim Ramadani,…
Shpend Mazrekaj që la gjurmë
Në çdo vend e në çdo trevë,
Në Kosovë, në Tanushë e në Preshevë!...

-Çohuni o burra!...
Tërë Kosovën ta shëtisim,
Ta vizitojmë,
Të përqafuar e dorë për dore
E moj Kullë e Dukagjinit…
Gjeneratat vijnë e shkojnë,
Për këta trima këngë do t’këndojnë!
Dhe, shih…vogëlushit
Sa shumë lotët i pikojnë!...

*       *       *
(Vocërrakun e kishte zënë gjumi mu në mesin e kurorave dhe luleve.
-Sa bukur, sa bukur!... A bën përgjithmonë këtu të rri? –kishte thënë ai në të zgjuar. Por, nuk kishte harruar,… të drejtohet kah kulla me afshin e bukës. Dhe, tash me plot shpresë:
- Këtu,… a japin bukë?...
-Jo. Prej këtu vetëm drita përhapet anë e kënd! –dëgjohet zëri jehonë. Kulla, por edhe hapat e vogëlushit ushtonin. Toka dridhej!...).

(Marrë nga libri im, “Fjala e gjakut”, kushtuar betejave në Prekaz, Gllogjan dhe në Koshare - botuar në vitin 2006)

No comments: