Saturday 13 September 2014

Askush nuk e di se...



Vilhelme Vrana Haxhiraj
Askush nuk e di se...
                               triptik

             Moti, deti  dhe ne...
     Gjatë çdo lloj veprimtarie njeriu është i kushtëzuar nga moti, i cili e lehtëson apo  i sjell pengesa në aktivitetin e tij. Jo rrallë moti bëhet shkak i dhembjeve fizike që të lenë pa gjumë. Edhe pse shumë gjëra janë nën vartësinë e tij, askush nuk e parashikon dot. Dhe në se..., ju a besoni se do ta parandalonte?
    -Jo, kurrë
    Zakonisht bashkëqytetarët e mi për të mësuar se si do të jetë moti ditën pasuese, në pamundësi për të ndjekur të dhënat sinoptike për shkak të rrethanave apo vendndodhjes, zakonisht rreth mesditës i hedhin një sy shkarazi horizontit perëndimor. Sapo spikasin ndonjë shtëllungë reje gri që ka nxjerë sytë e trishtë mbi Karaburun, belbëzojnë: “U prish moti. Nesër kemi shi”- i gëlojnë në tru cilitdo.
   Eh, mendje, mendje kjo dynja... ! Edhe pse është aq laramane kjo botë e pabesë, përsëri njerëzit diçka shpresojnë. Dikush gëzohet, tjetri trishtohet; ndërkohë që njëri pasurohet, kurse një tjetër varfërohet. Një gjë e tillë ndodh edhe me keqësimin e motit. Sipas rastit, disa lumturohen, ngaqë shirat kanë munguar gjatë. Në kohë thatësire bimësia dhe gjithë gjallesat, të zhuritura prej temperaturave të larta, janë të etura për një pikë ujë, kanë nevojë për lagështi. Ndërsa të tjerët dëshpërohen sepse iu ndërpriten pushimet, të cilat janë jo vetëm të kufizuara, por edhe të shumëpritura. Gjithsesi mbështetur në parashikimin e motit, secili bënë planet e veta për të nesërmen...
   Mëngjes...
  Rrezet e diellit ende nuk e kanë përshëndetur tokën. Tej në horizont disa re tinëzare u përvidhen të trembura shpateve të gadishullit. Papritur ato rendin të hallakatura drejt jugë-perëndimit, duke i dhënë një zymtësi ngjyrës së blertë të malit. Po kështu edhe deti e ka humbur qetësinë dhe bukurinë magjike të tij. Atë mëngjes ngjyra e tij e zakonshme diku blu e diku e kaltër, sipas thellësisë, nuk ekziston më. Po kështu e blerta e veçantë dhe e tejdukshme, e cila vende-vende nxjerrë në pah bardhësinë e rërës së funddetit, është shndërruar në ngjyrën e plumbit. Papritur e pakujtuar djepi i detit nisi përkundjet e masës së ujit foshnjarak gjithë tërsëllim. Ndoshta kërkon ta vejë në gjumë atë masë të acaruar, që ngjason me një foshnjë tekanjoz që gërthet e tund këmbët që t’i plotësohen tekat. Tej çdo caku të zemëruara, dallgët turfullojnë duke shkumëzuar të bardha. Teksa zbresin nga kreshtat malore të kripura, valët e harbuara shfrehin dufin. Gjithë tërbimin e përplasin me forcë mbi shkëmbenjtë, duke lënë pas zhaurimën e tërheqjes së trishtë të ujit mbi zhavorrin apo rërën e bregut. Çuditërisht rruga e kthimit të ujit në shtratin e vet, duket idhnake, e lodhshme, e zvargur derisa përplaset me një dallgë tjetër më të fuqishme, e cila bëhet pritë duke ia ndaluar egërsinë. E kështu në përjetësi vazhdon e përsëritet loja e beftë dhe njëkohësisht rrenacake e detit, deri sa ai qetohet dhe përkohësisht bie në një gjumë të qetë. E në ato çaste qetësie të rreme e djallëzore, të duket se ka bërë paqe me gjithçka. Gjithsesi me dredhi apo me çiltërsi, djepi i njelmët që mban atë masë gjigande uji, ndalon lëkundjet duke rikthyer kaltërsinë e cila tashmë buzëqesh ëmbël.
  Eh kështu është deti! Ai që lindi pranë brigjeve të tij e dashuron edhe kur është dashamirës apo i ashpër, edhe kur ndryshon ngjyrë apo sjellje,sepse ia njeh zakonet që ai i ndërron aq shpesh, sa... Madje një gjë e tillë ndodh sa herë ndryshon pozicioni mes hënës, diellit dhe tokës. Vendosja e tyre në galaksi, ndikon në tërheqjen magnetike të tokës, ndaj dhe deti ashpërsohet. Banorët e vendeve detare i ruhen zemërimit të tij, edhe pse ngazëllehen e mrekullohen kur e shohin të tërbuar. Qëndrojnë përballë tij dhe kërkojnë të gjejnë shkakun apo arsyen e atij zemërimi të paparë, të pakufishëm që ngjason me ngërdheshjen kërcënuese të një përbindshi.  Dihet se nga kthetrat e tij nuk shpëton askush. Në të kundërt të mirësisë apo mrekullisë që sjell, deti bëhet mizor ndaj kokëfortësisë dhe pamaturisë së cilitdo që nuk ia njeh forcën, madhështinë, befasinë apo që shpërfill rrezikshmërinë e tij. Fat i keq i atyre që stuhia i zë në det. Edhe pse detari e njeh me nuhatje erën lozonjare apo të mbrapsht të stuhisë detare, përsëri i beson motit të çastit dhe... Kjo ndodh se askush nuk e di se kur e deri në ç’masë do të egërsohet ajo masë uji e pakomanduar nga askush dhe e pakontrolluar  nga asnjë mjet sado i përsosur.
 Të nesërmen sikur nuk kishte ndodhur asgjë, deti në dukje ishte i qetë. Ndryshe nga dita e shkuar, dukej më i dashur e të ftonte të hyje në të dhe ta shijoje mrekullinë e pashoqe që ta dhuron vetëm uji i tij. Njeriu gjatë notit ndjen po atë kënaqësi që i jep gota e verës kur e shijon deri në fund. As uji i rrëmbyeshëm, i ftohtë  e i kristaltë i lumit, as uji i qetë e joshës i liqenit, as gurrat akullnajore nuk të dhurojnë atë gëzim, aq kënaqësi dhe atë dëshirë për ta shijuar, atë të veçantën magjepsëse që ta jep me të tepërt vetëm deti.
       Përsëri ne..., por një ditë më pas...
      Si zakonisht mëngjesin tjetër, megjithëse qielli, i rënduar nën peshën e  reve, ishte tmerrësisht i zymtë, ne shkuam në plazh. Në orën gjashtë e tridhjetë hymë në det të dy me bashkëshortin tim, Fitim Haxhiraj, shokun e të mirave e të këqijave, të sukseseve e dështimeve, të arritjeve e mosarritjeve të jetës sonë bashkëshortore, gati gjysëmshekullore. Në të njëjtën kohë ishin edhe dy-tre çifte të tjerë që kishin nisur të notonin para nesh. Papritur retë u ulën poshtë, duke sjell me vete një turmë pulëbardhash. Kurse afmosfera e rënduar nën peshën e tyre, u errësua dhe nisën disa pikla të imta shiu. Gjithsesi ne nuk u tërhoqëm, por vazhduam. Çuditërisht uji ishte jo vetëm i qetë, por dhe i ngrohtë. Ndryshimi i vetëm i tij ishte ngjyra e errët që reflektohej nga qielli i zymtë ngjyrë gri si gushëpëllumbi. Gjithsesi ne vazhduam të shijonim bukurinë e jashtëzakonshme të të notuarit nën shi. Pa e tepëruar, por noti në shi, të dhuron një kënaqësi të paparë, të josh e të ngërthen që ti të mos dalësh më nga uji. Notuam rreth një orë dhe dolëm për të marrë ato pak rreze mëngjesi që u përvidheshin tinëzisht reve ngjyrë plumbi.
   Papritur tej në horizont nxori fytyrën e stërzgjatur e me ngjyra mahnitëse Ylberi, i cili harkoi mbi Karaburun. Ai feksi mes vranësirës pikërisht aty ku pas tij, në shpatin perëndimor ruan sekretet dhe bëmat e kohërave shpella e Haxhi Aliut,apo ku prehet dhe pret të dashuruarit,magjiku...,  Gjiri i Gramës,i cili pret turist që të shijojnë rërën e bardhë apo kaltërsinë e pafundme të Jonit. Ajo vijë virtuale, ai reflektim si zbërthim kimik i dritës, dukej si një urë natyrore në detin Mesdhe, me hamendësi bashkon ujërat e detit Adriatik brenda gjirit të Vlorës me ato të Jonit blu, përtej kurrizit malor të gadishullit Karaburun. Befasia e atij shkëlqimi të praruar ngjyrash, në atë mugëtirë të rrallë mëngjesore, u shpërfaq  si një dritë shprese, duke na zilepsur me magjinë e tij. Ishte si një shprehje a reflektim i shkrirjes në një masë të vetme të ujërave të të dy deteve. Edhe pse sipas mënyrës së vetë adhurojnë brigjet e gadishullit, të dy detet janë të dashuruar me ato brigje përrallore në jetë të jetëve.
  Me karshillëkun mashtrues të Ylberit, menduam se moti do të ndryshonte. Porse kjo zgjati vetëm gjysëm ore. Pastaj rinisi një shi i dendur me pikla të vockla fare që ngjasonin si tym site, i cili e lagu shpejt sipërfaqen e rërës. U veshëm shpejt dhe e lamë plazhin në shoqërinë e shiut që sa vinte e shtohej. Për një çast ai ndali dhe ne u bëm gati të ktheheshim, por... Gjatë rrugës shiu rinisi të bjerë litar, me pika të mëdha që na depërtonin veshjet dhe mbërrinin deri në mish. Aq shumë rrodhën qiejt, sa vetëm për dhjetë minuta rrugët u mbushën plot me ujë. Ecnim pllaq e plluq kuturu duke u pllaqaritur nëpër pellgjet e sapokrijuara. Megjithë uljen e temperaturës, porse edhe në bregdet, ku briza që flladit ndikon në freskimin e zonës, nuk pati ndonjë ndryshim të ndjeshëm. Gjithsesi askush nuk e ka sigurinë e qëndrueshmërisë si të motit, si, edhe të detit, Askush nuk e di se...

***

   * Si moti..., jo gjithçka shkon vaj...
    Rëra ishte e lagët, ndaj ne të dy vendosëm të shkonim nja dy ditë në Tiranë. Jo vetëm për të ndërruar ambient, por edhe për t’u çmallur me vajzën, dhëndrrin, me nipin e mbesën që janë mjalt i mjaltit,me  të njohurit dhe miqtë tanë. Ishte një udhëtim i planifikuar mëse dy muaj më parë për arsye shëndetësore. Madje kishte qenë kjo arsyeja që nuk kisha shkuar t’iu uroja mirëseardhjen fëmijëve.
   Askush nuk e di se si do të jetë e nesërmja nga ana fizike mendore apo shpirtërore. Jo më kot të parët kanë lënë shprehje apo thënie të mençura, si: “Ashtu siç nuk je i sigurtë për motin, po ashtu nuk e ke në dorë shëndetin! Mos iu gëzo motit të praruar dhe as shëndetit në dukje të jashtme! Sot ndjen kënaqësi ...,kurse nesër askush nuk e di se... ç’ndodh. Atë që sjell rasti nuk e sjell viti...”
   Nga pamja e jashtme tek të tjerët unë lë përshtypjen e një njeriu pa ankesa, pa asnjë sëmundje në organizëm. Kjo ide krijohet se jam energjike aq sa shpesh herë dal mbi veten..., por kam vite që vuaj nga insufiçenca kardiake. Si pasojë e saj, veç aritmisë, presionit të lartë të zemrës, kam humbje ndjenjash të herëpasherëshme dhe dhembje të jashtëzakonshme në kraharor. Në kësi rastesh lodhem shpejt, madje edhe duke ndenjur ulur, por më shqetësuese është se nuk mbushem me frymë lirisht. Është një fjalë goje, por duhet ta provosh që ta besosh, aq më keq kur shoqërohet me dhembje të forta të dërrasës së kraharorit, shqetësime që më lënë pa frymë. Ka raste jo rrallë,kur organizmi nuk funksionon si duhet e të duket sikur harron të thithësh oksigjenin e nevojshëm dhe ti ngelesh në mëshirën e çastit. Kjo vërehet sidomos gjatë ngjitjes së shkallëve. Nga vështirësia e frymëmarrjes, shpesh zgjohem natën dhe qëndroj ulur në divan duke kërkuar një pozicion të mbledhur kruspull që të mund të thith sadopak ajër. Një anomali e tillë zgjat zakonisht 2-3 orë. Shqetësimi e pagjumësia bëjnë që të nesërmen, jo vetëm ndihem tejmase e lodhur, por bënë që presioni i gjakut të jetë në nivele të larta.  Luhatjet ndihen sidomos tek tensioni i zemrës, që i kalon kuotat normale, duke shkuar nga 9 deri në 14. Shifra të tilla të presionit të zemrës, e kalojnë normalitetin e tensionit të lartë të gjakut që duhet të jetë 13-14. Edhe pse nën kontroll mjekësor dhe me mjekim të vazhdueshëm, përsëri gjendja ime shëndetësore qysh nga pranvera e në vazhdim ka qenë jo e mirë. Fal vullnetit që më karakterizon, nuk kam rënë në prangat apo kurthet e sëmundjes,për të qenë një invalide e rëndomtë që ka frikë të kalojë pragun e shtëpisë. Kam mbi pesëmbëdhjetë vite që bëj  10 km ecje sportive çdo mëngjes përgjatë bregdetit. Kurse gjatë verës plus ecjes, notoj çdo ditë për 2-3 muaj. Një regjim i tillë dhe kujdesi që kam treguar ndaj ekspozimit në diell pas orës 9 të mëngjesit, kanë penguar përparimin e sëmundjes. Gjithsesi disa herë në vit ndodhin acarime që ma rëndojnë gjendjen shëndetësore, duke e bërë shumë kritike në raste të veçanta. Shqetësime të tilla ndodhin në kohën e ndërrimit të stinëve, veçanërisht në fundvjeshtë dhe pranverë. Ishte kjo arsyeja përse mjekja kardiologe që e ndjek sëmundjen time hap pas hapi, më sugjeroi të bëja koronarografinë.
    Theksoj me dhembje se për të sëmurët e qyteteve tona periferike është luks i tepëruar një hap i tillë, përderisa aty mungon një ekzaminim i specializuar për diagnostikim. Më e bukura është se mjeku të nis nëpër laboratorë dhe klinika  private. Gjysma e së keqes kur shërbimet bëhen në qytet. Por si i bëhet kur duhet shkuar në Tiranë. Eh, sikur të ishte e lirë kripa në Durrës, hallall qiraja e rrugës, por...
      Halli..., hallit nuk i ngjan. Veçse kur të zë, do ta heqësh.
      Një i sëmurë i çdo moshe qoftë, sidomos me probleme të rënda shëndetësore, nuk mund të marrë një rrugë i vetëm, pa një shoqërues. Shpenzimet e rrugës dhe hoteli së paku për dy persona, janë shumë për një pensionist apo për dikë me të ardhura të pakta.  Megjithatë askush nuk e di se çfarë e papriture i ndodh në jetë. Me apo pa të ardhura është i detyruar t’i përballojë. Sepse jeta është një dhe të dhurohet vetëm një herë... Porse nuk më duket e udhës që mjekët i sugjerojnë të sëmurit të shkojë te“X” specialist apo spital.., gjerman, grek, amerikan..., e ku ta di unë, ndoshta një klinikë parajse. Jo...
     Si nuk u thotë goja xhanëm për të adresuar në një klinikë, laborator apo spital shtetëror? Për të bërë koronarografinë, mjekja më nisi në spitalin gjerman në Tiranë. U interesova qysh ditën që më rekomandoi ajo, pra dy muaj përpara. Më parë përmes një telefonate, u këshillova me kardiologun, Prof.dr.Spiro Qirko , i cili është një nga më të mirët e kësaj fushe në vend dhe që e njeh mirë gjendjen time.
  “-Zonjë unë nuk ua këshilloj këtë ndërhyrje. Për fat unë nesër nisem jashtë shtetit pasi jam në një konferencë shkencore ndërkombëtare që zhvillohet në Suedi. Lidhemi pas një jave, pasi të kthehem. Ndërkohë mos ndërmerrni asnjë hap, pa ju vizituar unë, pasi ky lloj rekomandimi nuk është gjë tjetër veçse bëhet për biznes. Mos lini pas dore mjekimet dhe ecjen”, -fjalët e profesorit më dhanë më tepër besim.
  Jo se unë, apo të tjerët nuk e kemi të qartë lubinë me emrin“mjekësi moderne, a bashkëkohore”,e cila gllabëron dhe qindarkën e fundit të pacientit të gjorë.  Por çdo njeri kërkon jetë, ndaj bëhet preh i nevojës për t’iu nënështruar një kujdesi mjekësor të specializuar. Për dikë që vuan, që kërkon shpëtim e do që ta largojë të keqen nga qenia e tij, fjalët e dala nga goja e një specialisti në atë fushë, janë me peshë. Ngrohtësia e fjalëve të mjekut ia rrit besimin pacientit lidhur me arritjet në mjekësi dhe i jep shpresën për një rihabilitim fizik të mundshëm. Edhe pas disa komunikimeve telefonike, mjeku ndodhej ende jashtë shtetit. Ndërkohë ai më adresoi në dy kardiologë të tjerë, nëse gjendja ime ishte serioze. Faktikisht isha qetësuar disi. Natyrisht shqetësime kisha, por jo aq të rënda, sa për t’u alarmuar dhe të vrapoja për të kërkuar ndihmë të menjëhershme.
    Nga biseda me profesorin, kishin kaluar dy muaj. Porse unë jam paksa e vendosur për të bërë a realizuar gjithçka. Në cilëndo fushë qoftë, më pëlqen të bashkëpunoj me atë njeri, që më ka bindur se është i duhuri. Nuk kam shumë besim kur hallakatem sa nga një specialist mjekësor te tjetri, nga një redaktor apo kritik letrar tek tjetri. Kur i besoj dikujt, e kam vendosur  dhe jam e bindur se do të bashkëpunoj apo do të këshillohem me të dhe nuk e vë më në diskutim...E tillë është natyra ime. Nuk ke ç’i bën!
 
***
 
   *  Pushimet lidhen me motin..., shëndeti me mjekësinë.
     Ashtu si gjendja e motit dhe e detit që janë të lidhur ngushtë me fatin e pushuesit, edhe jeta e njeriut me organizëm të dobët, është e lidhur ngushtë me mjekësinë. Gjithsesi siç e thashë pak më sipër u nisëm për në Tiranë, në vartësi të uljes së temperaturave, por jo për qëllime mjekësore. Vranësirat dhe shirat e pjesëshme gjatë ditës apo natës ishin fat për ne, sidomos për moshat tona. Moti i freskët për disa ditë me radhë na dha mundësinë që të dilnim.
  Vlorën nuk e ndërroj me asnjë vend, me asnjë mrekulli të botës, por nuk di pse më pëlqen shumë edhe Tirana. Ndoshta më kujton rininë, jetën studentore, kohën e dashurisë sonë që i përvidheshim syrit ziliqar gojëçorapëve, që tjerrin thashetheme, të cilat i kanë mjet për të kaluar kotësinë e të mbushin boshëllëkun e kohës që nuk dinin se si ta shfrytëzojnë për paaftësinë e tyre... Sot shumë gjëra nga ato të dikurshmet i mungojnë jo vetëm Tiranës por çdo qyteti, për shkak të prishjeve dhe ndërtimeve të reja.
   Gjithsesi shumë vende apo ndodhi i sjell ndërmend të freskëta. Më kujtohen mëngjesoret në rrugën e Dibrës që sa zbardhte dita, oxhakët e karrocave ambulante tymosnin dhe shpërndanin aromën oreksndjellëse të qofteve të zgarës. Perëndimet apo muzgjet  çojnë “Bar Sahati”, ku  ne të dy të dashuruar si askush, kalonim mbrëmjet me një meze të thjeshtë, një birrë dhe gjatë gjithë kohës vetëm kërcenim.  Me sytë e asaj kohe shoh ngjitur me mensën studenti, pagëzuar me emrin“Odesa”nga studentët e sapokthyer nga Bashkimi Sovjetik për shkak të prishjes së marrëdhënieve dypalëshe, një dyqan akulloresh. Kurse përballë tyre shoh pastiçeri“Flora”, vende këto që ne të dy i frekuentonim. Qendra e Tiranës atë kohë ngjante si një oaz i gjelbëruar, që shërbente si pikë referimi për gjithë tiranasit apo qytetarët nga çdo cep i vendit. Ndërsa shëtisnim përgjatë bulevardit të gjelbëruar dhe plot bimë dekorative, të zilepsur shijonim muzikën e lehtë apo muzikë dhome që vinte nga hotel “Dajti”, i cili ishte plot me të huaj.
  Para sysh kam Akademinë e Arteve, që atë kohë ishte pallati i Operës dhe baletit, ku kemi shijuar opera të luajtura nga trupa ruse.  Aty në atë sallë kemi shijuar baletet klasik të vëna në skenë nga baletmaestri Panajot Kanaçi, si “Halili dhe Hajria” apo baleti “Lola”, ku unë jam mrekulluar me kërcimin e pakrahasueshëm të çiftit solist Zoica Haxho dhe Agron Aliaj. Nuk flas për Fitimin se ai ishte në kontakt të përditshëm me artistët dhe gjithë trupën e baletit, pasi vazhdonte kursin e koreografisë. Atë kohë unë krahas studimeve me korrrespodencë, vazhdoja edhe një kurs specializimi për ekonomi shtëpiake, pranë Ministrisë së Arsimit, prej të cilit fitova shumë, por fatkeqësisht nuk e ushtrova asnjëherë sepse...më mohuan profesionin.
 Pas leksioneve, ndërsa isha nëë ankth  që të arratiseshim në ëndrrat tona rinore, prisja Fitimin të përfundonte provat në Akademinë e arteve. Aty pata rastin të njoh shumë nga balerinët e baletmaestër, jo vetëm të sipërpërmendurit por edhe mjeshtrin Gëzim Kaceli, Bujar Aliaj, Ganimet Vendresha, Sakine Sharofi etje... Atëherë isha shumë e re, 17-18 vjeçe dhe më dukej sikur artistët jetonin një realitet tjetër, që e kisha zili. Kurse sot që njoh nga afër dhe e kam mike ikonën e skenës dhe ekranit, znj. Margarita Xhepa “Nderi i Kombit”, e di mirë se artistët janë të tillë vetëm në skenë. Jashtë saj janë si të gjithë ne...me të njëjtat halle dhe probleme.
  Ato ditë të qëndrimit tonë në Tiranë, ku nuk na shëtiti dhëndrri me vajzën, si nga liqeni apo në malin e Dajtit.
  U takuam me shumë miq e të njohur. Mes tyre u çmallëm me shokun tim të shkollës pedagogjike”Jani Minga”, Akademik Xhevahir Spahiun. Sa më dhemb për atë njeri e mik të mirë, atë poet brilant, atë studiues të përkushtuar, të cilin sëmundja ia la planet krijuese dhe ëndrrat në mes. Më kujtohet si sot Xhevo kur u transferua nga Shkolla Pedagogjike e Beratit dhe erdhi në atë të Vlorës.  Mbaj mend mirë qysh atëherë kur u njohëm, djalë i ri, esmer, i hollë, i gjatë, ekspresiv, me kaçurelat e dendura, të zeza dhe të pabindura, me vetullën pak të ngritur si një shpërfillje ndaj padrejtësisë, në dukje ai të linte përshtypjen e një djali rebel. Por tek e dëgjoje kur fliste ngadalë, apo gjithë pasion me zërin epik pak të ngjirur, menjëherë ndryshoje mendim për të. Ai ishte shpirt njeriu dhe i tillë ngeli për gjithë ata që e kanë njohur apo e njohin. Ndoshta shpirti i tij rebel ndaj së keqes, ashpërsia e natyrës së Skraparit që e lindi, butësia detare  e Vlorës dhe mbi të gjitha talenti, e bënë Xhevahirin atë që është sot, një prej poetëvebrilant e më të dashur për lexuesin. Kohët e fundit te "Fjala e Lirë" kisha lexuar dy shkrime për të. Në mos gabohem një bashkëbisedim dhe një intervistë, të cilat më gëzuan, sepse sipas të dy autorëve, u binda se gjendja e tij ishte përmirësuar  ndjeshëm, gjë që më gëzoi. Por kur u takova me të tek Bar "Evropa", ku ai shkon përditë, u zhgënjeva. Ato dy shkrime m'u dukën si ironi e fatit të tij. Për Xhevon e mirë ka se ç'shkruan cilido,mjafton të marrë në analizë veprat e tij dhe vlerat që ato mbartin. Kjo do të ishte dashamirësia ndaj tij, që ai të ngelet në ato nivele, në ato maja që është ngjitur me punë e me vullnet... Ashtu siç është Xhevahiri dashamirës ndaj krijuesëve, duhet të jetë bujar secili nga ata që japin vlera letrare ndaj tij.
    Po atë ditë u takuam me kritikë, gazetarë, shkrimtarë. Mes tyre unë do të veçoja mikun e ardhur nga Santa Barbara,shqiptarin e mirë, atdhetarin Prof.dr Eshref Ymeri, i cili na la takim edhe në mbrëmje, ku erdhi bashkë me zonjën e tij, Hava. Të dy çiftet kaluam një mbrëmje shumë të bukur, me shaka e biseda rreth letërsisë dhe publicistikës. Ngadoqë e vërtisnim bisedën, goja shkonte në problemet që shqetësojnë çdo atdhetar, në ato tema të nxehta e të mprehta kombëtare, sidomos në marrëdhëniet me fqinjët tanë.
   Ditën e dytë të qëndrimit tonë në Tiranë, mësuam se profesori i kardiologjisë, dr. Qirko ishte kthyer nga jashtë shtetit dhe më la takim  vizite në mesditë. Meqë e prisja prej dy muajsh, mjeku thirri emrin tim të parin. Çdo vizitë zakonisht e tij zgjaste gjysmë ore , në raste të veçanta edhe më shumë. Për shkak të mungesës së gjatë të profesorit prej dy muajsh, radha e të interesuarëve ishte e tillë që nëse do të vizitohesha e fundit, duhej të prisja orën pesëmbëdhjetë. Në një farë mënyre doktori  u shfajësua për vonesën, se kishte pasur probleme familjare. Kishte qenë në Paris, ku kishte operuar të motrën me tumorr në gji. Natyrisht, ne, pacientët e tij kishim hall, por...
   Nuk duhet të harrojmë se kumbimi i këmborëve të tij, nuk lejonte të dëgjoheshin zilet tona, sado më të forta. Kjo është mëse e natyrshme. Dhembja vetiake nuk të lë që tek ty të ndikojë dhembja e dikujt tjetër. Pas një kontrolli të kujdesshëm mjekësor, elektrokardiogramës, rezultatit të ekografisë dhe pasi vërejti me kujdes analizat laboratorike që nuk ishin shumë të kënaqshme, ai arriti në po atë përfundim me mjeken që më kishte rekomanduar.
   -Duhet të bësh patjetër koronarografinë sepse shoh një anomali të rrjedhjes së gjakut që del, një pjesë e të cilit kthehet përsëri në zemër. Sipas përvojës sime, ky gjak shkakton vështirësi në frymëmarrje dhe aritmi, apo rritjen e tensionit të zemrës. Këtë do ta vërtetojë diagnostikimi që do të bëni. Mund ta bëni këtu ose jashtë shtetit.
   -Doktor,unë besoj tek ju dhe do të shkoj në atë spital që do të më rekomandoni.
   -Atëherë jam i mendimit të shtrohesh në spitalin “Hygea” ,- dhe ndërkohë ai i telefonoi shefit të kardiologjisë Dr. Rezartit, i cili e la për të nesërmen në mëngjes.
   -Doktor Qirko, kam një kërkesë...
   -Po ju dëgjoj...
   -Dëshiroj të më ndiqni gjatë kësaj kohe.
   -Unë do të jem në korrent me mjekët aty...Pastaj vetëm 24 orë punë ke dhe do të shkosh në shtëpi,- gjë që më qetësoi. 
    Nga natyra nuk kam frikë. Gjithçka ia lë rastësisë, të ndodhë ç’të ndodhë, sepse asgjë nuk varet nga unë. Për mua kishte rëndësi të isha e qetë, por meqë kam kaluar hemorragji cerebrale dhe disa herë jam shtruar me melenë( hemoragji stomaku) , kisha merak për ndonjë pasojë të mundshme.

     Unë dhe mjekësia ...
     Një shprehje popullore thotë: “Vajtja dihet, kurse ardhja kurrë  nuk dihet...”  Në të vërtetë do të bëhej një ndërhyrje me sondë në trupin tim deri në zemër përmes enëve të gjakut. Natyrisht isha në duar të mjekëve, por se çfarë mund të ndodhte më pas, si rasti i ndonjë ndërlikimi, kjo do të ishte fati im.  Ndaj askush nuk e di qysh më parë se si do të shkojë ndërhyrja...Madje as jetës nuk i dihet, sepse ka ndodhur që... Shpesh herë shprehemi me habi kur dëgjojmë për ndonjë vdekje të papritur: “Unë dje u takova me të. Ishte i shhëndosh si molla. Sot paska vdekur i gjori...!Kjo tregon se nuk jemi asgjë,”  Pra jeta nuk ka siguri. I sëmuri jo e jo, por as mjekësia nuk e di fundin. 
   Qysh kur mjekja e qytetit tonë rekomandoi për bërjen e koronarografisë,  im bir, Ladi, studjoi me imtësi dhe me kujdes simptomat që kisha unë dhe bëri krahasimin me ato të rasteve me insufiçencë kardiake. Mësoi se si kryhej  koronarografia, rezultatet apo rreziqet dhe pasojat e saj. Ai ishte i mendimit që të mos e bëja, për shkak të hemorragjisë cerebrale dhe të disa rasteve me hemorragji stomaku që kisha kaluar.
  -Gjithsesi do të kshillohemi me Profesor Qirkon. Do të veprojmë si të na thotë ai. Si specialist  natyrisht që njeh edhe rrezikshmërinë që paraqet një e tillë tek një  e sëmurë si ti, mama.
  E kisha të qartë se  fjala e fundit për të vendosur nëse do ta bëja ndërhyrjen apo jo, ishte ajo e Profesorit, i cili e aprovoi menjëherë pas kontrollit mjekësor.
   Të nesërmen në orën tetë të mëngjesit u paraqitëm në spital. Veç bashkëshortit më shoqëroi edhe vajza me dhëndrrin, që ndodhen në Tiranë. Para portës së spitalit na priste djali që sapo kishte ardhur nga Vlora.
    -Pse u mundove , zemra e nënës? Rezi(nusja) është në punë dhe ke lënë vogëlushin Rainhard vetëm...
    -Nëse nuk shqetësohem për ty, për kë duhet ta vë ujin në zjarr? Djali ka nënën. Rezi e pa të arsyeshme të merrte ndonjë ditë nga leja e zakonshme. Mos ki merak se nuk është vetëm.
    -Nuk është ndonjë ndërhyrje e vështirë. Nesër do të kthehem në shtëpi. Një ditë e një natë jam këtu. Njëlloj sikur shkova mysafire diku.
    -Po ti mendon se do të isha i qetë po të rrija pa ardhur?
    Eh s’ka lumturi më të madhe për një nënë, kur fëmijët janë të mbarë e dinë të ta shpërblejnë mundin... Fal Zotit, sot të dy i kam pranë, edhe pse nuk jam në gjendje të rëndë. Është gjë e madhe kur të vlerësojnë fëmijët, ”- mendoja dhe sa nuk fluturoja gjithë krenari për ta.
    Atë çast infermierja e recepsionit lajmëroi se po më priste shefi i kardiologjisë, Doktor Rezart Deveja, me të cilin kishim biseduar një ditë më parë.
   Te mjeku shkova me Fitimin. Biseda me shefin e kardiologjisë u bë për simptomat, shqetësimet, periudhat më të acaruara, sa  kohë kisha që vuaja dhe si pa mirë e mirë analizat bashkë me ekografinë e fundit, atë të një dite më parë, bërë nga Doktor Qirko, thirri një mjek, i cili nuk vonoi të paraqitej. Si më njohu me radiologun Gert Knuti , më adresoi tek sekretarja e spitalit për kartelën e shtrimit. Ndërkohë që bashkë me bashkëshortin dhe djalin po përshkonim korridorin, dikush më lajmëroi se më kërkonte drejtori i spitalit, z.Leonard Solis.Unë dhe im shoq, Fitimi u drejtuam për në zyrën e tij. Kurse djali, Ladi, shkoi në anën e kundërt të korridorit për të plotësuar formalitetet, si  dhe për shlyerjen financiare të spitalit. 
   Me drejtorin isha njohur qysh në fillimet e demokracisë, të dy si anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD.  Kujtuam ato vite të arta e të papërsëritshme, ku çdo shqiptar që kërkonte ndryshimin e që donte të ishim si Evropa, nuk kursehej për të dhënë maksimumin.Madje kujtuam një detaj të rëndësishëm, një nga kërkesat e mia për integrimin e femrës. Veç javës së punës pesëditshe, një nga pikat e peticionit tim drejtuar Parlamentit pluralist, ishte heqja e turnit të tretë për  gratë. Nëse në pamundësi zëvendësimi si specialiste, do të shpërbleheshin dyfish jo vetëm në turnin e tretë por dhe për ditën e pushimit. Drejtori i spitalit qeshi me të madhe kur kujtoi përgjigjen e tij: ”Zonjë, mos ua qaj hallin infermjereve se i mbushin xhepat!”
Më pas mësova se drejtori ishte njohur me gjendjen time përmes  doktor Qirkos, i cili kishte folur me të.
    -Ndërhyrjen do ta bëjnë qysh sot që të mos shpenzosh për qëndrimin e një nate tjetër. Mos ki merak, sepse fola me specialistin. Kemi mjek shumë të zotët, që kanë përvojë njëzetëvjeçare në spitalin e Athinës
   Më uroi sukses dhe u përshëndetëm. E falenderova për interesimin dhe si shenjë mirënjohjeje, i dhurova dy botimet e mia të fundit.
    Gjatë mungesës sonë, fëmijët kishin përfunduar me kartelën e shtrimit dhe shlyerjen financiare, që ishte baraz me një pension tetëmujor. Kjo vetëm për ndërhyrjen dhe një natë në spital. Nëse do të dilnin probleme si zëvendësimi i koronave apo valvulave ato ishin të tjera vlera...Më çuan  në një dhomë dyshe ku ishte një e operuar nga zemra që kishte zëvendësuar dy valvula. Ishte në gjendje të rëndë dhe shpirti i lënguar e bënte të rënkonte papushim.  Veç ankesave prej dhembjeve të padurueshme, zhurmonte për shkak të nxjerrjes së sekrecioneve të mushkrive që e mbysnin të gjorën grua. Kollitej e kollitej deri sa mbytej e s’kishte më fuqi. Kishte një javë e operuar dhe atë pasdite fizioterapisti nisi t’i bënte ecje nëpër dhomë e më pas jashtë në korridor. Përballë shumës marramendëse që kishte shpenzuar dhe gjendjes së rëndë, asaj zonje i duheshin plotësuar kushte të mira, ku të mbretëronte qetësia dhe higjiena.
   Njeriu kërkon më të mirën nga jeta. Cilido kur niset me pushime dhe kërkon që ato të jenë të përkryera, nuk pyet se sa vlen shërbimi si hoteli apo ushqimi. Për kushte të tilla kërkon hotel me katër apo me pesë yje. E njëjta gjë ndodh edhe me të sëmurin. Kur zgjedh mes spitalit shtetëror dhe atij privat, të dytin, këtë e bënë se kërkon më të mirën për jetën e tij, pra dëshiron një shërbim të veçantë.
   Ndaj për çdo të sëmurë në spitale private nevojitet një dhomë më vete, që as të shqetësohet dhe as të mos shqetësojë askënd. Kurrë nuk duhen vendosur në një ambient dy të sëmurë me diagnoza të ndryshme. Pastaj në kushtet e sëmundjeve kardiologjike, nuk duhet të  lejohen vizitat me kohë e pa kohë. Aq më keq natën, apo të  bëhen bashkë 5-6 vizitorë e t’ia nisin diskutimeve të zjarrta për shtatë palë qejfe, sikur është mejhane. 
     Gjithsesi, u shtrova në kthinën e sajuar me një ndarje perdesh me pacienten, me të cilën do të ndaja hapësirën, ajrin dhe hallin e përbashkët që na kishte sjell aty.Kjo gjë nuk më pëlqeu, më dukej sikur po mbytesha, por... “ Se mos jam vetëm unë në këto kushte? Më vjen keq për këtë të gjorën që vuan, kurse unë...jam mirë. Nuk bëhet hataja dhe as përmbyset bota  vetëm për 24 orë që do të  qëndroj këtu. Megjithatë mendoj gabim sepse kjo kohë, jo e mjaftueshme, por është e gjatë për të ndodhur çdo lloj mrekullie apo dhe apokalipsi. Një çast ka mjaftuar e ka treguar se kanë ndodhur shkatërrime fatale, si: tërmete, shpërthim vullkani, stuhi shkatërrimtare, ka shpërthyer bomba atomike, ose vetëm një sekondë ka treguar se kanë nisur luftrat botërore, është një sekondë që ndanë jetën e ia ka  dorëzuar vdekjes dhe a nuk ka qenë një sekondë  e vetme për të nisur një jetë e re etje...Veçse kjo perde që qarkon shtratin, më shkakton një shije të hidhur. Po më kthen pas në kohë, në vitet e para të martesës, ku shtëpia jonë përbëhej nga një dhomë e vogël rreth dhjetë metra katrore, dritarja e së cilës shihte nga veriu. Na ishte mohuar dielli, se asnjë herë nuk hyri qoftë edhe një rreze  e tij brenda asaj që quhej shtëpi. Më kujtohet si tani. E kishim ndarë me perde shtratin e dollapin që luante rolin e dhomës së gjumit. Pjesa tjetër  ishte jo vetëm dhoma e fëmijëve,por edhe kuzhinë, dhomë ngrënieje, sallon pritjeje, dhomë pune dhe aneks për larje rrobash. Në atë gjysmë dhome kishim makinën qepëse, edhe makinën larëse të rrobave, pasi në atë apartament jetonim  me një familje tjetër. Ata kishin dhomën e madhe, kuzhinën e një ballkon. Kurse një korridor i vogël dhe një banjë i kishim të përbashkëta.Vetëm tani e mendoj se si kemi mundur të jetojmë në kushte antinejrëzore për 17 vite, në një dhomë me fëmijët dhe shumë herë edhe me vjehrrën.Nuk di si ia kemi dalë aq vite që  thithnim të njëjtin ajër me një familje që nuk na lidhte asgjë. Veç halleve të tjera, por tek mendoj kushtet, 11 persona në një banjë dhe unë të ngelesha e shëndoshë mendërisht, fizikisht e shpirtërisht...? Jo, është e pamundur dhe e pabesueshme që sot të mos ankohesha nga asgjë...”- një hije trishtimi më kaploi të tërën, gjë që e vunë re të dy fëmijët.
    -Mami, nuk është proces i vështirë... Do ta kalosh shpejt e shpejt...- kërkonin të më qetësonin të dy,  duke më përqafuar apo ledhatuar ballin ose flokët, me mendimin se isha në ankth...
  -Ju e dini që nuk kam frikë.
   -Po nuk e di se si dukesh, e trishtë, si e merakosur...-pasoi ime bijë, Linda. Tek bisedonim erdhi një mjeke.          
 
  Ta blesh belanë me para

   Ndërkohë personeli i spitalit filloi proçedurat përgatitore. Së pari më hoqën nga trupi gjithë sendet e arta dhe metalike. Vajza ime më pastroi manykyrin e pedikyrin. Pastaj nisën me marrjen e gjakut për analiza,për t[ cilin më shpuan katër herë se nuk më gjenin dot venat. Pastaj më matën tensionin e gjakut. Më bënë elektrokardiogramën.
   -Nëpërmjet EKG, marrim imazhin e indeve të zemrës pa përdorur metodat ndërhyrëse. Përmes saregjistrimit të saj krijojmë një ide për funksionimin e dhomave të zemrës dhe valvulave, qarkullimin e gjakut, acarimin e membranës në çdo rast,si dhe funksionimin e muskujve  të zemrës,- sqaroi mjekja.
    Më pas sollën aparatin që bënte Ekodoppler ose ecocolordoppler.
   -Nëse EKG merr vetëm imazhe të aktivitetit të zemrës,ndërsa  ekodoppler ose shprehur  ndryshe Ultratinguj arterial Doppler është një test jo-ndërhyrës në zemër apo në enët e gjakut, porna lejon të shohim enët e mëdha të gjakut dhe për të studiuar rrjedhjen e gjakut në to. Ultratinguj Doppler( me lëvizje të dyfishtë) vlejnë për vëzhgimin e diagnostikimin arterial e venoz, nëse ke stenozë ose aneurizëm (zgjerim), trombozë dhe pamjaftueshmëri të dejeve të zemrës. Kjo arrihet nëpërmjet lidhjes së një imazhi dy-dimensional ultrazërit nga njëra anë dhe me një sinjal pulsi Doppler (të dyfishtë). Në këtë mënyrë çdo mjek sheh në dhomat e zemrës, mat madhësinë e tyre, kontrollon funksionin e pompimit të zemrës dhe gjendjen e valvulave të saj. Nëpërmjet Ekodoppler mund të identifikohen thuajse të gjitha sëmundjet e zemrës dhe ecuria e tyre mund të ndiqet në kohë. Kjo ka rëndësi edhe për pacientët që vuajnë nga aritmia kardiake. Ekodoppler ka vlera për mosfunksionimin e valvulave, madhësinë  e dhomave apo trashësinë e mureve të zemrës, përcakton pacientët e lindur me sëmundje zemre, si dhe ndjek e vlerëson rezultatin e kirurgjisë kardiake,- sqaroi mjeku radiolog Artan Leli.- Kur më thanë se do t’i bësh Eko një pacienteje nga Vlora, erdha me kënaqësi dhe kërkova që të mos e regjistrojnë . Nuk ju njoh gjithsesi po ua bëj falas, sepse edhe unë jam djalë Vlore.
  -Doktor, EKG dhe Ekodoppler i kam bërë sa herë kam pasur shqetësime serioze, sidomos kur gjendja ime shëndetësore  është rënduar. Atëherë pse duhet bërë Koronarografia?
   -Kjo që do të bësh është ndërhyrje drejt në zemër, ku kalohet përmes arterit kryesor deri në arterin aortë me anë të një sonde. Ky është diagnostikimi më i saktë. Mos harro se me këtë ndërhyrje koronat hapen mirë nëse ka ndonjë pengesë të vogël. Siç quhet në fjalorin  mjekësor Angiografia koronare është një test që lejon shikimin radiologjik të arterieve që furnizojnë me gjak, arteriet koronare të zemrës. Pikërisht pse ke shqetësime dhe ankesa, duhet bërë koronarografia.Uroj të mos keni probleme me koronat, se...
   -Faleminderit doktor!
   -Edhe juve të shkuara dhe uroj të  dalësh me sukses!
    Atë çast erdhën më morën me gjithë shtrat dhe përmes ashensorit zbritëm në katin e nëndheshëm, ku ishin aparaturat e radiologjisë. Veç doktor Gert Knutit dhe ekipit të radiologjisë, i pranishëm ishte shefi i Kardiologjisë, dr. Rezarti. Pas një anestezie të lehtë me ftohje, ata filluan punë.Ndjeva vetëm një pickim të vogël në rrëzë të kofshës së djathtë, aty ku kalon arteri kryesor. Meqë kisha mungesë frymëmarrjeje, gjatë gjithë procedurës më vunë pak oksigjen. Ndërkohë që sonda rrugëtonte përmes arterit drejt zemrës sime, organit motorik që ushqen trupin dhe trurin me gjak, nuk ndjeva asgjë. Pas gjysmë ore doktor Knuti më uroi:
   - Zonjë, urime! Koronaret janë të pastra. Me ndërhyrjen që u bë ato u hapën plotësisht dhe ju garantoj që për pesë vjet nuk rrezikoni nga ndonjë atak kardiak. Ke të dëmtur membranën mitrale të një valvule, e cila një pjesë të gjakut që del nga zemra e rikthen pas dhe zë vend aty. Për këtë do të konsultoheni me shefin. Pasi mbaroi doktor Knuti, një ndihmësmjeke më shtypte me gishtin e madh të dorës vendin e shpuar ku hyri sonda, megjithë forcën e saj. Prej tyre mësova se në të gjithë botën nuk përdoret asnjë metodë tjetër mekanike për mbylljen e arterit. Normalisht duhet të mbyllet vetë. Pasi e shtypën për rreth dy orë, më fashosën fortë pjesën fundore të barkut dhe të dy anësoret e legenit dhe në atë vend ku hyri sonda, më vendosën një qeskë rëre me peshë 3 kg. Më pas më çuan në dhomë. Isha e lumtur që nuk do të zëvendësoja ndonjë koronare. Por u gëzova para kohe.
   Ndaj thuhet:” Mos u gëzo, o i gëzuar!” E keqja e padukshme sapo kishte nisur dhe askush nuk e dinte se... Fitimi, Linda, Ladi dhe Leka(dhëndëri), nipi ynë, Ivo me të cilin mburremi se jemi bërë gjysha, dhe e ëmbla jonë Bianka, po prisnin gjithë ankth në korridor. Sa më panë që dola ng ashensori, rrethuan shtratin tim të shqetësuar . a
    -Mos kini merak, jam shumë mirë, - i qetësova.
    Fitimi e Ladi shkuan te drejtori i spitalit, ku gjetën edhe doktor Rezartin me doktor Knutin, ku morën rezultatin e diagnostikimit
    -Jemi të kënaqur që zonja e përballoi për bukuri.
    -Pse ka rrezikshmëri?!- pyetën njëherësh  bashkëshorti dhe djali.
    -Raste të veçanta ndodhin që nuk ia dalin...tek ne jo, por gjetkë ka ndodhur që u ka ngelur pacienti në dorë. Na gëzon fakti që koronat janë të pastra, ka një membranë mitrale të dëmtuar që kthen gjakun në zemër. Aty akumulohen pjesë të atij gjaku që rrezikojnë trombozë e cila bëhet shkak i një inskiemie cerebrale. Nuk ka rrezik të infarktit të miokardit, por përherë ekziston  rreziku i një hemorragjie cerebrale. Ndaj duhet të operohet për zëvendësimin e një valvule. Këtë do ta vendosë pacientja edhe ju si kohë dhe ku do ta bëjë. Analizat, fotografimet e Ekove, filmimet në disketë do t’jua japim nesër që do të dalë dhe ju mund t’i çoni ku të doni, madje edhe në klinikat më në zë, më moderne perëndimore për të nxjerrë merakun.
    Duke nisur nga shefi i kardiologjisë, dr.Rezarti, dr. Knuti e deri tek ekipi i radiologjisë, vinin e më vizitonin,pyesnin dhe nuk harronin të më porositnin: “Të duhet vetëm durim. Orët kalojnë shpejt dhe...”
 Ky kujdes më çudiste dhe pyesja veten:”Po këta ç’kanë? Unë ndihem mirë. Më lodh pak pesha mbi trup dhe shtrëngimi i fashos prej llastiku,se... Nuk duhej të lëvizja për 24 orë rresht. Madje dhe më vonë lëvizjet duhej t’i bëja të matura e të ngadalta.
     Orët e para janë të pranueshme, kurse më pas kalonin me vështirësi. Koha kishte ngelur në vend. Trupi m’u mpi i tëri. Ndieja lodhje të jashtëzakonshme. Filluan të më dhembnin shtylla kurrizore, legeni dhe brinjët. Prej dhembjes së padurueshme merrja frymë shpejt dhe shkurt, që të mos lejoja hapjen e bronkeve dhe kafazit të kraharorit nga frymëmarrja e thellë. Në mbrëmje në orën 22 më hoqën peshat . Edhe pse këmba e djathtë më dukej si e paralizuar, megjithatë sikur u lehtësova pak. Në atë gjendje, pa lëvizur as gishtat e këmbës,  duhet të rrija edhe dymbëdhjetë orë të tjera. Kisha dhembje koke të padurueshme, për shkak të hipertensionit. Që çarja e arterit të mbyllej natyrshëm, duhej që tensioni të binte  në 10 me 7. Por me gjithë medikamentet që më injektuan, ishte e pamundur të binte nën 16 me 11-12. Më shumë më vinte keq për Fitimin i cili ishte bërë sa një grusht dhe nuk më jepte dot asnjë ndihmë, për të më lehtësuar sadopak dhembjet që tashmë ishin bërë të padurueshme. Gjatë ditës më qëndruan pranë të dy fëmijët. Ladi vonë në mbrëmje u  nis për në Vlorë. Gjithë natën më qëndroi bashkëshorti,Fitimi tek koka. Në mëngjes ai shkoi të pinte një kafe e të hante diçka. Ndërkohë në portë hyri im bir, i cili iku natën dhe u kthye ende pa gdhirë mirë. Ndenji pak dhe doli për të pirë kafenë me të Atin.
 Atë kohë erdhi infermierja që sapo nisi turnin e parë e më hoqi fashat. Menjëherë ajo klithi: -Po kjo hematomë?!- unë as që e kisha idenë se si duhej të ishte pamja apo gjendja  e këmbës sime.
       -Unë s’mundem ta shoh, por ndoshta juve ju duket shqetësuese.
       -Janë raste të rralla që ndodh diçka e tillë.  Po ti nuk ke asnjë lloj shqetësimi?
       - Më djeg e më dhemb  pak rreth vendit të ndërhyrjes, gjë që më duket e natyrshme...
     Kishte kaluar rreth një orë dhe erdhi për kontroll kryeinfermjerja, e cila më pyeti se si ndihesha.
      -T’i hoqën fashat?
      -Po...
      -Ke lëvizur?
      -Jo, kam frikë se mos i prish punë vetes... dhe ndgelem këtu.
      -Tani lëviz sa për shërbimet personale,sepse para dreke do të nisesh për në shtëpi.
     Kur më tha që do të dilja nga spitali, u gëzova tej mase, pasi më dukej sikur kisha një jetë në atë spital.
      Gjithsesi u ngrita. Shkova të laja dhëmbët e të freskohesha. “Oh sa e drobitur jam!  Janë vetëm 3-4 metra rrugë e u lodha kaq shumë sa më duket sikur po ngjitem në të përpjetën e thepisur të një mali. Ndoshta e kam nga pagjumësia. Veç shqetësimit tim, zonja e operuar kaloi një natë plot rënkime dhe ankesa, gjë që ma rriti shqetësimin e pagjumësinë. Plus vizitorëve të shumtë që nuk kanë reshtur deri pas mesnate, madje edhe 5-6 persona njëherësh, si dhe bisedat me njëtri-tjetrin apo me të sëmurën, nuk më lanë të mbyll sy.”
     Isha vetëm. Im shoq dhe vajza nuk kishin ardhur ende. Edhe djali s’ishte kthyer nga kafja. Nuk kisha dalë nga banja, kur ndjeva një djegie prej furrnalte në anën e brendshme të kofshës së djathtë. E në sekondë pesha e saj, rëndesa u katërfishua në krahasim me këmbën e majtë.
   -  Ua, po unë ç’pësova kështu? Nuk ecja dot. Ngela në vend. Më ndihmoi djali i të sëmurës tjetër  që të shkoja deri te shtrati e të shtrihesha. Sa i rashë ziles së alarmit, erdhën infermjerja, e cila lajmëroi mjekët.Vura re se këlmba ishte enjtur sa të dy kofshët bashkë. I pari dhe shumë i shqetësuar erdhi Dr.Rezarti. Sa pa hematomën, lajmëroi repartin e radiologjisë, të cilët erdhën me aparaturat. Si më matën tensionin, u rrudhën në fytyrë. Meqënë se i kam të vështira venat, më vendosën një intranyl për çdo rast. Ishin tre radiologë, Dr. Ermal Tako, Artan Leli dhe një tjetër që e shihja për të parën herë. Dëgjoja që bisedonin nën zë me njëri-tjetrin. Ishin të shqetësuar...Dr. Ermali njoftoi Doktor Gerti Knutin që bëri ndërhyrjen. Të pestë bashkë me dr.Rezartin po e studionin gjendjen me kujdes.
    - Gjaku shkon deri këtu, më tej nuk vazhdon të rrjedhë,- sqaroi dr.Ermali. – Pritni pak...shikoni këtu: pak më tej kemi dhe një venë të hapur. Pra kemi dy rrjedhje. Duhet shkrirë kjo hematoma që të mos rrezikojmë jetën e  pacientes.
       -Më vjen keq që të ndodhi ty. Kur tregon më tepër kujdes ,atëherë ndodh e keqja, atëherë kur nuk e do ...-u shfajësua shefi i kardiologjisë.
       -Pse si është puna?- pyetën të shqetësuar Fitimi dhe fëmijët.
    -Veç arterit kryesor i është hapur edhe një venë tjetër. Kemi frikën e ndonjë tromboze. Jemi të qetë që nuk ka ndodhur asgjë e tillë.Theksoj se një rast si ky ndodh një në njëqind të sëmurë.
    -Rasti i vetëm nënën tonë gjeti...?!
    -Ka problem tensionin që nuk i bije...Tani do t’i vendosim serum me përzierje medikamentesh për rënien e tensionit. Ndërkohë do të vendosim edhe Holterin kardiak, i cili regjistron asktivitetin e zemrës aritmin, oksigjenin në gjak.  Do t’i bëjmë një analizë tjetër të gjakut komplet sepse përqindjen e limfociteve e ka pak të ulët. Norma shkon nga 19% në 49%, kurseVilhelmja i ka 16%. Mos ka gjë diabet?
    -Jo doktor, nuk vuaj nga diabeti. Boll i kam tërë këto sëmundje...
    -Të siguroj që pasdite do të dalësh nga spitali. Ne do të bëjmë të pamundurën për ta mbyllur rrjedhjen e gjakut. Që zonja të jetë më e qetë, po e transferojmë në dhomën tjetër. Do të jetë vetëm. Atje ka edhe një shtrat për atë që do t’i shërbejë.
   Pasi u sigurua se kërkesat e tij u plotësuan , kërkoi ndjesë që po largohej, se kishte dy operacione zemre.
     Shpresoja se pasdite pas një shtypjeje të venave me gishtin e madh për katër orë nga infermjeret e radiologjisë, fashosies dhe rivendosjes së peshave, do të merrte fund vuajtja trupore dhe shpirtërore. Por jo...Si më hoqën peshat dhe më pas fashion shkoi ora 19 ...Më bën Ekodoppler përsëri sa u hoq fasha, Arteri kryesor nuk ishte mbyllur plotësisht.  Filluan përsëri shtypje dhe vendosje peshash. Doktor Artani atë ditë ishte pushim. Kushëriri i tim shoqi,” Mjeshtri i Sportit”,Mexhid Haxhiu, meqë kishte lidhje krushqie me të, e solli urgjent, duke e shkëputur nga një drekë ndoshta jo e zakonshme. Doktor Tan Leli pas ekos, komstatoi të njëjtën gjë me kolegët.
   -Pa u mbyllur të gjitha enët e gjakut, nuk do të lëvizësh se rrezikon jetën. Të zuri, do ta heqësh,- porositi dhe u largua. E falenderova sepse prishi kënaqësinë e tij, e kishte pushim atë ditë dhe...
   Kjo gjendje vazhdoi edhe katër ditë të tjera. Nuk besoj se ka pasur rast që ndonjë pacient të ketë bërë gjatë pesë ditëve 15 apo 16 ekografi si unë.Kisha ngelur si e paralizuar në një dorë kisha aparatin Holter që lidhej me trupin tim me 5-6 elektroda të vendosura në kraharor rreth zemrës dhe në dorën tjetër serumin me injeksionete duhura për normalizimin e tensionit.
  Dita e tretë dhe e katërt ishin të tmerrshme. Pasi më bënë Ekon, më udhëzuan të bëja një ecje në korridor. Më vinte të pështjellë, nuk mbaja dot ekujlibrin dhe mezi ecja duke më mbajtur fëmijët nga krahët.Isha si një foshnjë që fillon të mësojë se si hidhen hapat e parë. Pasi kthehesha në shtrat më bënin ekografi.Trupin nuk e ndieja më timin. Këmba e djathtë më ishte bërë si një trung  që nuk ndjente më. Me gjithë qetësuesit që më jepnin, dhembjet  e legenit, të shtyllës vertebrale, kokës dhe brinjëve ishin të padurueshme. Prej dhembjeve nuk kisha oreks. Pesë ditë thuajse nuk futa gjë në gojë. Nga dhembjet isha shfytyruar. Muskujt më digjnin ndoshta nga sikleti. Tërë kohën isha  me buzë të zhuritura e fyt të tharë që i zbutja me lëng limoni. Ishte dita e tretë kur pas ecjes, ekografinë ma bëri dr. Ermal Tako. Veç arterit që nuk është mbyllur plotësisht, shoh një gjë të çuditshme, është krijuar një spirale e koklavitur që nuk më pëlqen dhe menjëherë thirri kolegët.
    -Ta shohim nga ana e majtë se mos e ka gjenetike?- pyeti doktor Knuti. Pasi e bënë Ekon edhe nga këmba tjetër, vunë re se ajo ishte normale.
    -Ka nisur një rrjedhje e re, forca e gjakut ka deformuar dhe devijuar rrugën e arterit. Nëse kjo nuk mbyllet, do të sjellë Trombozë. Çudi, kjo e fundit ndodh tek një njeri mes 1000 personave. Zakonisht shkakton Emboli pulmonare ose  Emboli cerebrale të origjinës  kardiake, formon  një trombozë 3-4 mm e shkaktuar nga hipertensioni, nga reumatizma në zemër, apo aritmia e lartë, ku zakonsht  rrezikojnë moshat e kaluara. Ndaj duhet t’i stabilizojmë tensionin.
  Prej orës 9 të mëngjesit deri në orën 19 e tridhjetë, kishin bërë një listë të gjatë që çdo ndihmësmjek ta shtypte arterin për 1 orë pasi edhe atyre u mpihej dora. Por tmerrin që do t’ia tregoj vetëm varrit, e kalova unë. Thonë se kur nëna lind fëmijën, kalon dhembjen më të madhe në jetë, por ajo zgjat vetëm pak. Kur nëna merr  në duar fëmijën , gjakun e gjakut, mishin e mishit të saj, harron gjithçksa. Ajo dhembje e madhe shndërrohet në dashurinë e pakufijshme të nënës për foshnjën e saj. Kurse të jesh mbi dhjetë orë e gjysmë, shtrirë pa lëvizur asnjë ind, e të të ushtrojnë peshë mbi trupin tënd, është e tmerrshme. Rënkoja i lutesha Zotit se ç’të keqe i kisha bërë që po vuaja kaq shumë. Në këtë gjendje më gjeti Prof.Dr. Eshref Ymeri ,kur erdhi të më vizitojë, të cilit i jam shumë mirënjohëse. Më fashosën përsëri dhe më vendosën peshat deri në mëngjes. Por edhe të nesërmen pas provës së ecjes u hap përsëri një tjetër enë gjaku. Shërbimi mjekësor riniste përherë nga fillimi. Mbasddite vonë pasi vunë re se të gjitha venat dhe arteret ishin mbyllur, më nxorën nga spitali.
 Hyra shend e verë, e qeshur dhe me këmbët e mia dhe dola me barrelë. Kjo është ta gjesh nga mos e pandefsh. Ndaj askush nuk e di se si do të jetë e nesërmja e tij...Madje askush nuk di nëse do të ketë apo jo të nesërme  për të...
Kanë kaluar dy muaj. Edhe dy javë të tjera qëndrova në shtëpi me regjim shtrati e fashosur dhe me pesha. Fal kujdesit mjekësor, shërbimit të familjes dhe vullnetit tim, që pas 15 ditësh fillova të ecë nga pak e duke shtuar gjatësinë e rrugës, si dhe shpejtësinë, sot i ndiej këmbët të barabarta. Nëse nuk do të filloja ecjen, kishte rrezik të ndërhyhej në këmbë kirurgjikisht, sepse më ishte mavijosur e tëra dhe veç rëndesës nuk kishte ndjesinë si këmba tjetër... Atë mrekulli ma solli i miri nipi im , Rainhardi, i cili ishte vetëm 20 muajsh dhe nuk ma lëndonte këmbën e sëmurë . Ai me atë gjuhën e parakohëshme thoshte :”Nëna është në spital, në Tiranë, është e sëmurë...” Me fjalët e tij gjysmake, kur i thosha :”Ti je Universi i nënës, je mjalti i nënës, je gëzim i nënës..”, ai përgjigjej: “Jam Çumështi i nënës”, zëri i tij i ëmbël fëmijëno, më bëri me krah e më ngriti në këmbë. Tani jam mirë.   
  Dua të shpreh falenderimet e mia për specialistët e spitalit Hygea, për shefin e kardiologjisë Dr. Rezart Deveja. Dua të veçoj profesionalizmin mjekësor si dhe përkushtimin e ekipit mjekësor të repartit të radiologjisë, si doktor Gerti Knuti, doktor Artan Leli, Aurel Tako, si dhe asistentët e tyre si Dionisi, Nesti Miranda, Mira etje...Kam të drejtë të them se ashtu siç nuk dimë se si do të jetë moti  në ditët që vijnë, po ashtu askush nuk e di se çfarë e pret nesër... Kur del me mjaltë, vuajtja harrohet...

No comments: