Sunday 28 September 2014

PËRZGJEDHJA INTELIGJENTE MIDIS TEORIVE DHE ÇËSHTJET E SIGURISË NË BALLKAN

Bujar Abedinaj

PËRZGJEDHJA INTELIGJENTE MIDIS TEORIVE DHE ÇËSHTJET E SIGURISË NË BALLKAN

Bujar Abedinaj,
Doktorant pranë Akademisë së FA

Trajtesë e shkurtuar: Punimi nis nga premisa se zgjidhjet inteligjente janë një proces përzgjedhjeje edhe në nivelin e teorive. Përzgjedhja inteligjente këtu nuk iu adresohet teorive të veçanta, duke fetishizuar, ose duke u radikalizuar pas njërës apo tjetrës, por elementëve të veçantë brenda tyre, diku më tepër dhe diku më pak, kaq nga kjo dhe aq nga ajo, ose tani këtu dhe me vonë atje. Kjo përzgjedhje është puna e elitave që mbështesin vendim-marrësit e politikë-bërësit, por që, më parë, këto elita duhet të formohen nga Universitetet. 

Qëllimi i kësaj teme është të paraqesë një teknikë të përgjithshme të përzgjedhjes inteligjente midis elementeve të teorive dhe shkollave të ndryshme në fushat e formimit të njohurive, të filozofisë, të politikës, të strategjisë, si dhe në çështjet e sigurisë. Metoda e përdorur manovron me koncepte të gjera ndërsa përfundimet synojnë të qëndrojnë sa më në përgjithësi, duke u distancuar nga pretendimi për zbatimin e tyre pa përjashtim, në çdo rast konkret. 

Në përzgjedhjen e elementëve midis teorive merret parasysh interesi pragmatik në formulimin dhe shfaqjen e njohurive dhe devijimi i të vërtetave konkrete në dobi të rezultateve të perspektivës. Këtu fokusi kryesor vendoset mbi përzgjedhjen në botime dhe konkurrueshmërinë në universitete, ku përgatiten elitat që furnizojnë stafet teknike të mbështetjes.  

Në përzgjedhjen e elementëve midis ideologjive udhëheqëse zhvillohet një përqasje në triumfin dhe pozitat e konkurrueshmërisë aktuale të filozofisë së mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në raport me rënien e materializmit dialektik dhe historik dhe zëvendësimin në vitet e fundit nga ideologjia ruse e “demokracisë sovrane”, që, gjithashtu, them se nuk duhet neglizhuar. 

Ndërsa në përzgjedhjen e elementëve midis teorive të ndryshme të sigurisë zhvillohet një përqasje evoluese në diferencat mes Konferencës së Torontos (maj 1994) lidhur me mbrojtjen ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe Shkollës së Kopenhages (një vit më pas) , si përgjigjja evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut – nga pikëpamja e mbijetesës shoqërore dhe kombëtare, ku kjo e fundit vlerësohet si më e përshtatshmja për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Fjalët kyçe: teori, universitete, ideologji udhëheqëse, studimet e sigurisë, konferenca eTorontos, shkolla e Kopenhagës.


Përzgjedhja e elementëve midis teorive e shkollavetë ndryshme lidhur me formimin e njohurive

Nuk mendoj se është e rastit, që duke respektuar parimin e pluralizmit të ideve, rrymave, shkollave a teorive, vendet demokratike nuk preferojnë të pozicionohen zyrtarisht në krah të njërës apo tjetrës teori, (megjithëse ndonjëra mund t’u pëlqejë më tepër.) Kjo ndodh sepse teoritë nuk janë përfundimtare, (1) por edhe sepse brenda teorisë më pak të besueshme, mund të ketë gjithashtu diçka të vërtetë. 

Në fakt, e vërteta nuk është përtej teorive, por diku brenda tyre. Një teori mund të jetë më pak e besueshme ose më e gabuar sesa tjetra, por jo se në të nuk ka sadopak të vërtetë. Dhe e kundërta: Një teori mund të jetë më e besueshme ose me mundësi gabimi më të vogël se tjetra, por kjo nuk do të thotëse edhe brenda saj nuk ka, aty këtu, edhe ndonjë gabim, (ndonjëherë, mbase edhe mashtrim.)

Në vendet demokratike ndodh shpesh që teoritë e ndryshme të polarizohen në dy anë të kundërta, ose, së paku, të priren drejt diferencimit. Kështu p.sh., “teoritë sociologjike shpesh karakterizohen sipas theksit që vënë më fort te agjencia apo te struktura – dhe rrjedhimisht në raport me debatin mbi agjencinë përkundrejt strukturës”, (Marshall, 2009, f. 11-12.) I njëjti fenomen mund të konstatohet në teoritë filozofike (mes materializmit dhe idealizmit në përgjithësi, apo mes racionalizmit dhe empirizmit në veçanti, (Marshall, 2009,f. 86-87)), por edhe në teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare, që diferencohen dhe polarizohen në debatet mes dy grupimeve të mëdha: realistëve dhe idealistëve, etj.

Por për të kuptuar më mirë faktorët dhe rrethanat që shoqërojnë një polarizim apo diferencim të tillë, po ndalim më gjerësisht në rastin e teorive të marrëdhënieve ndërkombëtare. Në kontekstin e këtyre teorive, sipas Dorff (2009), realistët nisen nga supozimi se shtetet-kombe janë aktorë racionalë, që vendimet e tyre i mbështesin te interesat e kombit, pavarësisht se nga kush drejtohen. Ndërsa idealistët sjellin në vëmendje se shpesh herë vendimet përcaktohen nga individët, pavarësisht nga interesat e vërteta të kombeve që përfaqësojnë. Realistët besojnë se “shteti-komb është ajo që ka vërtetë rëndësi”, ndërsa idealistët besojnë më tepër te institucionet mbi-kombëtare. 

Nisur nga ballafaqimi më sipër mes dy rrymave a shkollave të mendimit, unë mendoj se është e vështirë të besohet se nuk ka edhe realistë, që, pavarësisht mendimit të tyre dominues, të mos lenë “disa pikë” për idealistët, dhe anasjelltas. Sepse as realistët nuk mund ta përjashtojnë rolin e individit dhe as idealistët, nuk mund ta përjashtojnë rolin e një emëruesi të përbashkët (të interesit kombëtar) ndërmjet individëve. 

Mbi-theksimi ose përforcimi në njërin pol ose në polin tjetër, nga njëra anë mund të synojë qartësimin e dallimit ndërmjet dy shkollave dhe, nga ana tjetër përdorimi i kundërthënës ndërmjet teorive mund të ndihmojë që, nëpërmjet debateve mbi to në kontekstin e perspektivës, të fshihet mendimi (synimi) i vërtetë, që ka vlerë për aktualitetin. Kështu p.sh., besimi i idealistëve “më tepër te institucionet mbi-kombëtare” nuk bën gjë tjetër veçse anashkalon përplasjen me besimin e realistëve te institucionet kombëtare, kur dihet që edhe institucionet mbi-kombëtare, në një mënyrë a tjetër, përcaktohen nga fuqia dhe kontributi individual i kombeve të veçanta.

Fantazia e teorive dhe teoricienëve, qofshin këta realistë apo idealistë, mund të shkojë shumë larg dhe ata mund të kenë hipotetikisht të drejtë, në kushte e rrethana teorike, secili sipas mënyrës së vetë. Por “e drejta” e tyre është e vështirë të vërtetohet, sepse në lojë futen analistët strategjikë “të politikës aktuale”, (2) të cilët, po të shprehemi në mënyrë figurative, devijojnë trajektoren nga drejtimi që paracaktohet se ku duhet “të arrijë”, (pavarësisht nga parashikimi i teoricienëve.)Përndryshe, sot, në epokën e informacionit betejat zhvillohen në lartësi ndërsa fati i betejave të ardhshme është duke u vendosur qysh sot. 

Nga ana tjetër, edhe përzgjedhja ‘ndërmjet’ ose ‘midis’ teorive mund të udhëhiqet nga teori dhe pikëpamje divergjente, për shembull nga racionalizmi apo nga empirizmi, ose nga idealizmi apo nga pragmatizmi, etj. Por ndërsa zgjedhja racionale është relative në raport me të përgjithshmen zgjedhja pragmatike është absolute në raport me të veçantën.

Filozofia pragmatike “sugjeron një pluralitet të vërtetash të lëvizshme, të mbështetura te përvoja konkrete dhe te gjuha, ku e vërteta çmohet sipas rrjedhojave ose vlerës së përdorimit.” (Marshall, 2009, f. 314.) Përndryshe, sipas Villiam James, “Metoda pragmatike... është ajo e përpjekjes për të interpretuar çdo nocion duke shqyrtuar pasojat praktike përkatëse: çfarë dallimi do të kishte për këdo nëse ky apo ai nocion është i vërtetë?” (Marshall, 2009, f.314.)

Prej këtej mund të dalim natyrshëm te debati mbi metodën që përdorin teoritë konspirative në nxjerrjen e përfundimeve duke u nisur nga pasojat dhe rezultatet. Kundërshtarët e kësaj metode, që më së shumti presupozohet të jenë studiuesit “e ekuilibruar” dhe “me këmbë në tokë”, përdorin si argument faktin, se shpesh herë pasojat kanë ardhur ose mund të vijnë nga shkaqe krejt anësore ose rastësore, të forta ose jo, që nuk kanë lidhje me parashikimin e  rezultateve. Ndërsa mbrojtësit jo vetëm që këtë lidhje e konsiderojnë si logjike, por edhe hipotezat për të ardhmen i konsiderojnë si plane të parashikuara që janë hedhur për zbatim.  E parë në mënyrë pragmatike: e pse jo? 

Madje, edhe nëse nuk janë parashikuar deri në momentin e paraqitjes së hipotezës, përse të mos përqafohet “në rrugë e sipër” një linjë e tillë mendimi, nëse hipoteza mund të gjendet krejtësisht e dobishme? (OK, e ke mirë, jepi, vazhdo!) Kjo logjikë rrjedh nga pikëpamja pragmatike, por le të mos harrojmë se ka edhe shumë aktorë të tjerë që në vendimet e veta nuk dominohen nga pragmatizmi, por janë më tepër relativistë. Këta të fundit mund të gabojnë rëndshëm, në se nuk i kuptojnë si duhet pragmatistët, dhe anasjelltas. (Sepse pëlqimi nga pragmatisti nuk është pëlqim për ty po për të, ndërsa pëlqimi nga relativisti shpesh përfshin ose hamendëson edhe mirëkuptimin e palës tjetër.)

Por le të qëndrojmë te pikëpamja pragmatike. Me sa duket, kësaj pikëpamjeje i nënshtrohet edhe shqyrtimi i atyre pasojave, që mund të rrjedhin jo vetëm nga nocionet e veçanta, por deri edhe nga teoritë e veçanta. Nga pikëpamja e analizës strategjike të marrëdhënieve ndërkombëtare, sipas Dorff, “...ajo çfarë ne duhet të njohim, është natyra e hamendësive që bëjmë dhe pasojat që mund të kenë ato në analizën lidhur me sjelljen e shtetit– komb.” Pra duket sikur ka një farë auto-censure (pragmatike) lidhur me “natyrën e hamendësive” që bëhen, në mënyrë që ato të mos sjellin pasoja të padëshiruara në analizat lidhur mesjelljen e shtetit-komb. 

Këtu duhet pasur parasysh se ‘pasojat’ (më saktë – ‘pasojat e padëshiruara’), duhen lidhur me interesat e kombit për të cilin shërben autori i analizës ose studiuesi në fjalë, në raport me analizat ose përfundimet që mund të nxjerrin analistët në shërbim të kombeve të tjera, (mbi bazën edhe të hamendësive nga ky autor.) Ndaj, jo çfarëdolloj njohurie mund të gjendet në ‘eter’, ose të falet apo dhurohet. (Ju lutem Zotërinj, mos u gënjeni nga “bumi” informativ, sepse, sikurse pohon një autor, sot “betejat” zhvillohen në “lartësi”  (te e ardhmja e imagjinuar), por fati i këtyre betejave, domethënë – fitorja, është duke u vendosur qysh sot. Me fjalë të tjera, “lumturia” që mund të ndjejmë sot, mund të jetë shenja e sigurt e humbjes, që do mund ta kuptojmë nesër.)

Në këtë kontekst, krijimi i resurseve, burimeve dhe potencialeve për formimin e këtyre njohurive, varet nga politikat dhe vendimet që përzgjedhin udhëheqësit (e vendit të veçantë) në mbështetje të këtij synimi. Një element bazë për formimin e këtyre njohurive janë botimet. Për shembull, në se vitet e para pas shpalljes së pluralizmit në Shqipëri pati ndihma për një numër botimesh në kontekstin e një shoqërie të hapur, atëherë duhej vërejtur se fokusi i këtyre botimeve (në perceptimin tim) prirej më tepër nga difuzioni shoqëror, ndaj shteti mund të ndërhynte duke kompensuar edhe mbështetjen e botimeve të tjera, që do evokonin më tepër prirjet për kohezion. 

Një nivel superior për formimin e njohurive, përmbi botimet, janë Universitetet dhe Akademitë. Te ne, në Shqipëri, ato ende janë në fillimet e veta dhe akoma nuk janë profilizuar sipas rrymave dhe shkollave të veçanta të mendimit, ku drejtuesit ose pedagogët e tyre do parapëlqenin të pozicionoheshin. Një universitet i veçantë mund të fokusohet në mënyrë preferenciale rreth një rryme a shkolle të veçantë mendimi, me një dominancë të qëndrueshme ndjekësish edhe nga radhët e studentëve, por duke qenë të hapur dhe inkurajues edhe ndaj mendimit ndryshe brenda çdo universiteti. Ndërsa shteti mund dhe duhet të bëjë më shumë për t’i inkurajuar në këtë drejtim, jo vetëm në aspektin legjislativ por edhe në atë financiar. 

Pastaj, nëse shkollat e ndryshme të mendimit universitar do të diferencoheshin deri në pozicione ekstreme, atëherë shteti mund të ndërhyjë sërish për korrigjimet e nevojshme me sens konvergimi, sepse aty formohen kuadrot e ardhshëm prej nga udhëheqësit mund të zgjedhin stafet e tyre të mbështetjes. Në këtë kuadër, shteti mund të mbështesë, moralisht dhe financiarisht, tematikat e veçanta për diskutime dhe hulumtime të pavarura, që synojnë gjetjen e një emëruesi të përbashkët brenda çdo diversiteti. Ndërsa studentët më efektivë besoj se do të gjendeshin në radhët e atyre, që pavarësisht mendimit të vet dominues, dinë të jenë të hapur dhe pragmatikë edhe ndaj pikëpamjeve të kundërta me mendimet e tyre.  

Përfitimi nga diskutime dhe hulumtime të tilla besoj se do të ishte disa-fish, sepse nga njëra anë punohet për formimin e burimeve të reja njerëzore që pritet të punësohen në vitet pasuese, por nga ana tjetër debatet dhe publikimet nga profesorati dhe studiuesit e ndryshëm ndihmojnë drejtpërsëdrejti burimet njerëzore, që tashmë janë aktualisht në detyrë pranë institucioneve zyrtare dhe zbatojnë disa procedura e standarde për nxjerrjen e produkteve (informative) sa më me cilësi. 

Gjithashtu, këto debate dhe publikime mund të ndihmojnë edhe vetë udhëheqësit (për aq sa janë të interesuar ose mund të bien në kontakt me to),së paku për të rritur mirëkuptimin me stafet që përzgjedhin për t’i mbështetur. Por pse jo, për të mbrojtur ose mbuluar edhe atë që nuk mund apo nuk duhet të pohohet zyrtarisht, duke natyralizuar dhe mbështetur qëndrimet dhe vendimet e veta publike. 

Përzgjedhja e elementëve midis ideologjive udhëheqëse

Për të ilustruar rëndësinë që mund të ketë një ideologji sunduese në shoqëri (qoftë kjo idealiste, materialiste, komuniste, demokratike, nacionaliste, fetare, etj.)  mjaft të sjellim një shembull nga Lufta e Ftohtë. Afërsisht, në fund të viteve 1970, një autor amerikan, ish punonjës i CIA-s, në librin e tij “Operacionet Sekrete të CIA-s” (botim ky i censuruar edhe nga CIA), do ta artikulonte në këtë mënyrë shqetësimin e SHBA-ve, “të ndodhur në udhëkryq”, duke u shprehur me fjalët: 

“A mund të krijojmë ne për herë të parë në histori, një politikë të jashtme Amerikane me atë temë e vazhdimësi si ajo që ndiqet prej konkurrentëve tanë të Moskës? ...Politika jonë vetëm për t’u kundërvënë është kthyer në një politikë reaksionare... A mund të ndryshojmë ne qëllimet dhe angazhimet tona? A mund të praktikojmë një strategji, që t’u sjellë shqetësime rusëve për të na frenuar ne? Në këtë kohë çorientuese, kjo përbën çështjen kryesore të popullit Amerikan.” (3) 

Unë besoj se tematika e vazhdimësisë në politikën e jashtme të Moskës, për të cilën flet autori, ka pasur të bëjë pikërisht me ideologjinë sunduese prej nga udhëhiqej kjo e fundit, pra me marksizmin dhe leninizmin, me materializmin dialektik e historik, me socializmin shkencor, etj. Fokusimi rreth një boshti ideologjik besoj se e kanë ndihmuar Moskën për të mos i pasur qëndrimet e veta kundërshtuese si qëllime në vetvete, por si referenca rreth një synimi më të avancuar ideologjik, pa paragjykuar palët në proces, por duke kontestuar pikëpamjet e tyre “të gabuara”. 

Pikërisht te kjo periudhë “shqetësuese” për Amerikën, mund të gjejmë edhe fillesat e një lëvizjeje të re për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Megjithëse historia e të drejtave të njeriut është shumë më e vjetër, ato dalin si objekt i marrëdhënieve ndërkombëtare në vitet 1945 - 1948, dhe kjo vetëm në kuadrin e OKB-së. Pavarësisht ndërkombëtarizimit të këtyre të drejtave, zbatimi i tyre vazhdon te të mbetej një çështje thuajse kombëtare deri aty nga mesi i viteve 1960. “Por çështja e të drejtave të njeriut – si një çështje ndërkombëtare, sikurse shkruan Prof. Niazi Jaho, u arrit të bëhej në vitin 1977, pikërisht në kohën kur Xhimi Karter (4) u bë president i SHBA.” (Jaho,2000, f. 85-91.)

Arritja më kulmore e kësaj lëvizje të re besoj se është firmosja nga ish B. Sovjetik dhe vendet e tjera komuniste të Evropës Lindore të marrëveshjes së Helsnikit për respektimin e të drejtave të njeriut të vitit 1975. Procesi i firmosjes njëri-pas-tjetrit nga vendet komuniste të Lindjes mori edhe disa vjet më pas, për të mbërritur te mbledhja Lindje – Perëndim e Madridit, (1981 – 1983), e njohur ndryshe edhe si Konferenca për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë. (Shkreli, 2012.) Rezultatet e mëvonshme pastaj flasin për shembjen e bllokut komunist në fund të viteve 1980, etj.

Pra filozofia e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në një farë mënyre, triumfoi mbi materializmin dialektik dhe historik. Duke qenë se të drejtat e njeriut mbështeten në premisa më të thella në kontekstin e shoqërisë (kur materializmi dialektik dhe historik kishte, për momentin, një shtrirje më sipërfaqësore – duke u shtrirë në natyrë, shoqëri dhe mendim), rezultati nga zhvillimi i këtyre të drejtave të njeriut do të ishte më i sigurt në aspektin shoqëror, më afatgjatë, dhe mbi të gjitha – më njerëzor. Populli shqiptar ka gjithë arsyet që t’i mbesë përjetë mirënjohës këtij parimi.
Por gjatë zbatimit të teorive lindin edhe diferencat, ndërsa filozofia e të drejtave të njeriut ka evoluar më tej. Konkretisht, përmendim të ashtuquajturën“Deklarata e etikës botërore”, të aprovuar nga Parlamenti i Besimeve Botërore, në Çikago, 1993, që përfshin obligimin e shteteve (në sajë të influencës së besimeve mbi popujt dhe shtetet) lidhur me këto të drejta.

Më pas, në vitin 1998, vjen propozimi i Këshillit Ndërveprues (5) në Kombet e Bashkuara, i një Deklarate të Përgjithshme për Detyrat e Njeriut, për të shërbyer si ndihmesë dhe plotësim i Deklaratës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, të vitit 1948. (UNESKO.) Përmes kësaj deklarate fiksohet që, “çdo person, grup, organizatë, shtet, polici apo ushtri nuk është i/e lirë nga detyrat ndërsa u nënshtrohet kritereve morale”, (UNESKO),duke zyrtarizuar në një farë mënyre, nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, detyrimet e çdo pale lidhur me të drejtat e njeriut si dhe respektimin prej tyre të kritereve morale, të aprovuar më parë nga Parlamenti i Besimeve Botërore në Çikago, më 1993.

Deklarata e Përgjithshme për Detyrat e Njeriut gjithashtu ngarkon me detyra çdo person, (për t’i trajtuar njerëzisht të gjithë njerëzit); parashikon se për çfarë duhet të angazhohet çdo person, (për dinjitetin dhe vetë-kujdesin e njerëzve të tjerë dhe të nxisë në çdo rrethanë të mirën); çfarë nuk duhet të përkrahë çdo person, (sjelljet jo-njerëzore) dhe nga çfarë duhet të shmanget çdo person, (nga e keqja.) (UNESKO.) Fjalë-kyçet më interesante këtu mendoj se janë: çdo person duhet të nxisë të mirën dhe të shmanget nga e keqja. Nxitja e të mirës nënkupton detyrën që çdo person të ndikojë mbi të tjerët, duke u nisur nga kuptimi i tij i brendshëm për të mirën, ndërsa duhet ta shmangë veten nga përfshirja në veprime, që i ndikohen nga jashtë por që ai i vlerëson (apo duhet t’i vlerësojë) si të këqija. 

Por më kryesorja, Deklarata obligon që “Të gjithë njerëzit duhet të jenë solidarë dhe të marrin përgjegjësi kundrejt secilit dhe të gjithëve, familjeve dhe shoqërisë, racave, kombeve dhe feve: Atë që vetë nuk do të ta bëjnë të tjerët, mos ia bëj as ti askujt.” (UNESKO) Unë besoj se këtu argumentimi sforcohet disi, kur solidariteti dhe përgjegjësia e çdo personi fillon të përballet: nga me ‘secilin’  te me ‘të gjithë’, duke u adresuar edhe sipas strukturave: në bazë familje, shoqërie, race, kombi dhe feje. 

Këtu mendoj se nuk duhet përjashtuar edhe një lloj përthyerjeje, kur bkalohet nga njëri nivel strukturor (i hierarkisë) në nivelin tjetër. Sepse ndryshon solidariteti dhe përgjegjësia që mund dhe duhet të tregojë një individ, nga ajo që mund dhe duhet të tregojë, një komb apo shoqëri, të themi. Ajo çfarë individi mund t’i bëjë shoqërisë apo kombit, nuk mund të jetë e njëjtë apo e krahasueshme me atë që këta të fundit mund t’i bëjnë individit. P.sh., mund të thuhet se një shtet po vret shtetasit e vet por nuk mund të thuhet e kundërta, se individët po vrasin shtetin. E shumta, individët mund ta minojnë ose ta sabotojnë shtetin, apo edhe ta zhbëjnë atë. (Dhe kjo mund të funksionojë, kur individët binden se shteti po u shkel të drejtat. Por mund të funksionojë edhe e kundërta, kur shteti bindet se individët janë bashkuar me të keqen dhe po e sabotojnë.)

Me fjalë të tjera, detyrat dhe angazhimet e çdo personi për solidaritet dhe përgjegjësi ndaj secilit dhe të gjithëve, por edhe ndaj familjes, shoqërisë, racave, kombeve dhe feve, mendoj se mund t’i vendosë këta individë në krah të disa personave ose grupeve të tjerë por edhe në një marrëdhënie të re – duke i përballur me vetë kolektivat, shoqëritë, shtetet dhe kombet ku bëjnë pjesë. 

Në këto kushte, besoj se mund të ndiqen dy rrugë: ose shoqëritë dhe shtetet mund të evoluojnë (riorganizohen) duke u përshtatur ndaj kërkesave më të larta të anëtarëve të shoqërisë për të drejtat e individit, pra nga poshtë, ose shoqëritë dhe shtetet mund të ri-projektohen në të kundërt mbi popullatën, pra nga lartë, duke frenuar disa nga të drejtat dhe liritë, në një plan më afat-shkurtër, në këmbim të një premtimi më afat-gjatë. 

Rasti shqiptar i zhvillimit i përket rrugës së parë, pasi ka përfituar nga përgjegjësia ndërkombëtare për të mbrojtur popullin shqiptar të Kosovës nga genocidi serb, përveç që, më herët, ka përqafuar vlerat perëndimore për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, dhe mbi bazën e tyre investohet pa kushte për organizimin e vetë shoqërisë, për t’u bërë pjesë e familjes në BE. Ndërsa te rruga tjetër e zhvillimit mund të përfshihet opsioni rus i “demokracisë sovrane” (Sovereign democracy), (Odesskiy, 2006), alternativë kjo e lakuar edhe më herët por e formuluar teorikisht në shkurt 2006 nga Vladislav Surkov, (Okara, 2007) dhe që paraqitet si një alternativë botërore (Rode & Mohammed, 2014) ndaj rrugës së parë, të ndjekur dhe mbështetur nga vendet Perëndimore.

Nëse në të dyja këto rrugë zhvillimi synimet e ndjekësve ose frymëzuesve i marrim të sinqerta, atëherë gjithçka që ndryshon ka të bëjë me bazat e ndryshme të nisjes dhe pikë-takimet në perspektivë gjatë fazave të ndryshme të zhvillimit nuk ka pse të mungojnë. Por alternativat e njëri-tjetrit duhen njohur dhe studiuar, veçanërisht nga stafet teknike të mbështetjes, sepse elementë të veçantë te alternativa tjetër, në momente të caktuara të politikë-bërjes dhe vendim-marrjes, mund të funksionojnë shumë mirë edhe në dobi të alternativës vetjake. 

Kështu për shembull, nëse “demokracia sovrane” përshkohet nga besimi se “shtetet-kombe sovrane do ta përcaktojnë sërish të ardhmen e Evropës”,(Krastev, 2007) nuk është se parashikimet perëndimore për lindjen e shteteve të reja kombëtare e kundërshtojnë shumë këtë gjë. Madje, të paktën sot për sot, as vetë udhëheqësit tanë në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, ende nuk kanë dalë hapur kundër ndonjë prirjeje të tillë. Me fjalë të tjera, stafet teknike që mbështesin udhëheqësit tanë nuk ka pse t’i përjashtojnë rreziqet nga teprimet në disa të drejta, po qe se ato bien ndesh me interesat e sigurimit kombëtar. Sepse rreziqe të tilla mund të lindin edhe gjatë rrugës tonë të zhvillimit, që nuk mund të kuptohen pa kthyer ndonjëherë kokën pas, në kontekstin e rrugës që kemi ndjekur deri tani.

Duke parë në retrospektivë, mund të theksohet se evoluimi i filozofisë së të drejtave të njeriut ka reflektuar hap pas hapi ndaj precedentëve të shkeljes së këtyre të drejtave në arenën ndërkombëtare. (Një temë e mirë debati mes pragmatistëve dhe relativistëve mund të jetë: Precedentët kanë lindur dhe pastaj janë artikuluar, apo ka ndodhur e kundërta?) Gjatë viteve 1999 – 2000 Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara nxiti anëtarët e organizatës t’i adresoheshin çështjeve të ngritura nga incidentet më të fundit të genocidit dhe spastrimeve etnike në Somali, Ruanda, Bosnje dhe Kosovë. Ideja ishte për të menduar se çfarë duhet të bëjë komuniteti ndërkombëtar në kësi rastesh? Si kundërpërgjigje u formua Komisioni Ndërkombëtar për Ndërhyrjen dhe Sovranitetin e Shtetit, i financuar në pjesën më të madhe nga qeveria e Kanadasë. Në vitin 2001 ky komision nxori raportin e tij, të titulluar: “Përgjegjësia për tëmbrojtur”. (Mutimer, 2009, f. 86-87.)

Parimet bazë të kësaj përgjegjësie përmblidhen si vijon: Sovraniteti i shtetit nënkupton dhe mbart përgjegjësi, dhe përgjegjësia primare është ajo e mbrojtjes së njerëzve që banojnë brenda atij shteti. Aty ku një popullsi vuan ligësi serioze, si rezultat i luftës së brendshme, rebelimit, represionit ose dështimit të shtetit dhe ku shteti në fjalë nuk ka dëshirë ose është i pa aftë ta ndalë ose shmangë atë, parimi i mosndërhyrjes i lë vendin përgjegjësisë ndërkombëtare për të mbrojtur. (Mutimer, 2009, f. 86-87.)

Këtu mendoj se ka dy terma rreth të cilave mund të diskutohet. Së pari, termi i mbrojtjes së njerëzve brenda një shteti, rrjedh nga mënyra se si shikohet kjo mbrojtje jo nga brenda por nga jashtë, pra nga “faktori ndërkombëtar”. Së dyti, “përgjegjësia ndërkombëtare për të mbrojtur” është jo vetëm një çështje votash, por edhe një çështje fuqie. Për shembull, cila do të ishte “përgjegjësia ndërkombëtare për të mbrojtur” nëse do të konstatoheshin probleme të tilla në Kinë, Indi, SHBA apo Rusi, etj.? A ja vlen ta marrësh përsipër këtë përgjegjësi? Me çfarë kostosh për njerëzit e vendeve ku prezumohet se të drejta të tilla respektohen? Pastaj “faktori ndërkombëtar” ndonjëherë mund të bëhet një term tepër fluid: siç mund të vlerësojë shkeljen e të drejtave të njeriut në njërin shtet, po ashtu mund ta kujtojë këtë edhe për shtetin tjetër. 

Për rrjedhojë,  formulimi i “përgjegjësisë ndërkombëtare për të mbrojtur” ka kuptim vetëm pasi krijohet një shumicë ndërkombëtare (ndoshta e cilësuar) jo vetën në vota por edhe në fuqi. Ndërsa kontributi i vendeve të vogla mund të jetë i “barasvlershëm” në votë por jo në fuqi. Po kështu edhe përfitimet për një vend të vogël: diku mund të përfitojnë edhe njerëzit edhe vendi, diku mund të përfitojë vendi dhe të humbasin njerëzit, por diku tjetër mund të përfitojnë njerëzit dhe të humbasë vendi. Pra vendet e vogla mund ta pyesin veten, së paku dy herë: Në botën ku jetojmë, ka mundësi që të ketë vetëm përfitime dhe jo humbje? Nëse kjo është e pamundur, kujt i takon “përzgjedhja’ dhe midis çfarë?

Në kushtet e një tranzicioni shqiptar të stërzgjatur dhe tejet të mundimshëm, duke e marrë të mirëqenë përkushtimin e udhëheqësve tanë të zgjedhur nga populli (sipas emrave në listat që i janë ofruar), dilema që mund të ngrihet përballë stafeve teknike të mbështetjes është: Ka difektuar asistenca ndërkombëtare ndaj vendit dhe institucioneve (me këshillat, rekomandimet, financimet, pëlqimet, disaprovimet, pohimet, kufizimet dhe kushtëzimet) apo ka difektuar asistenca teknike e stafeve të mbështetjes për udhëheqësit, duke mos pasur ç’të ofrojnë nga vetja dhe duke mos ditur ç’të përzgjedhin nga ndërkombëtarët? 

Të dyja përgjigjet e mundshme mendoj se kanë kuptim. Prandaj, stafet teknike të mbështetjes duhet të dinë se “Përgjegjësia për të mbrojtur” nga komuniteti ndërkombëtar mund të kthehet në “bumerang” edhe në rastet kur ndiqen qorrazi rekomandimet “e hallakatura” të komunitetit ndërkombëtar, pavarësisht devotshmërisë. Sepse rekomandimet e ndërkombëtarëve shprehin, shpesh herë, interesat afatshkurtra të institucioneve dhe vendeve që përfaqësojnë (vetë mandati i shkurtër që kanë Ambasadorët e presupozon këtë), por nuk kanë as kohën dhe as përgjegjësinë e duhur për të menduar për interesat tona më afat-gjata. Devotshmëria ndaj një rekomandimi “të mirë” sot mund të kthehet në “përgjegjësi ndërkombëtare” nesër, për të mbrojtur ata, interesat e të cilëve do mund të cenoheshin si rezultat i devotshmërisë së sotshme.

Prandaj, është detyrë e stafeve të mbështetjes, që jo vetëm të mendojnë për interesat afat-gjata të vendit, në kuadrin e misionit të udhëheqësit që mbështesin, por edhe t’i ofrojnë atij argumentet e nevojshme, që e kanë fuqinë e duhur për të mos u anashkaluar nga ndërkombëtarët (së paku, etikisht.) Pikërisht, në këto kushte, lypset që stafet e mbështetjes teknike të udhëheqjes të dinë çfarë elementesh të përzgjedhin nga teoritë a ideologjitë mbizotëruesetë kohës.

Përzgjedhja e elementëve midis teorive të ndryshme të sigurisë

Si rezultat i zhvillimit të mëtejshëm të doktrinës së të drejtave të njeriut, në një stad të caktuar të këtij zhvillimi, kemi (së paku) shfaqjen e dy teorive të ndryshme të sigurisë, në kontekstin e mbrojtjes së këtyre të drejtave. Detyra e stafeve mbështetës është pikërisht të përzgjedhin elementë te dobishëm midis këtyre teorive, për t’i përdorur në analizat e veta dhe të sigurojnë përfundime sa më të pavarura, në mënyrë që t’i ofrojnë udhëheqjes rekomandimet e përshtatshme, që mund të përzgjidhen dhe prioritizohen me lehtësi.  

Konkretisht, vetëm një vit pas të ashtuquajturës “Deklarata e etikës botërore”, (6) në maj të vitit 1994, në universitetin Jork në Toronto, u mbajt një konferencë e vogël me titull: “Strategjitë në konflikt: Qasje kritike ndaj studimeve të sigurisë”, ku autorët Keith Krause dhe Michael C. Williams  do të vinin në pikëpyetje objektin referues të studimeve të sigurisë: nga studimi i sigurisë së shtetit, si objekti kryesor që duhej ruajtur, te studimi i sigurisë së njerëzve brenda shtetit, madje në planin ndërkombëtar, te siguria e njerëzve edhe brenda shteteve të tjera...Sepse edhe kur shteti është i sigurt, mund të mos jenë të sigurt njerëzit brenda tij... (Mutimer, 2009, f. 80-107.)

Kjo qasje besoj se është korrekte nga pikëpamja e parimeve të humanizmit, vpor niveli individual i analizës mund të krijojë ‘hapësira të zbrazëta’, në momentin kur çështjet e sigurisë ngrihen në sistem. Sepse siguria individuale funksionon në sistem dhe siguria individuale varet edhe nga siguria e kolektivit, shoqërisë, shtetit dhe kombit ku bën pjesë. Si argument mund të sjellim shfaqjen pas Konferencës së Torontos, të Shkollës së Kopenhages, një lloj paraleleje evropiane në përgjigje të studimeve kritike të sigurisë. Me emërtimin ‘Shkolla e Kopenhagës’ është njohur qasja e autorëve Barry Buzan, OleWeaver dhe Jaap de Wilde në librin e tyre me titull: “Siguria: një kuadër i ri analize”. Libri synon të ofrojë një qasje të dallueshme nga studimet kritike tësigurisë, që u paraqit në konferencën e Torontos. (Emmers, 2009, f. 152.)

Në ndryshim nga studimet kritike të sigurisë, ku objekt i studimeve të sigurisë është individi brenda shtetit, ose edhe individi brenda shteteve të tjera, sipas shkollës së Kopenhagës objektet referues mund të jenë shteti (siguria ushtarake); sovraniteti kombëtar ose një ideologji (siguria politike); ekonomitë kombëtare (siguria ekonomike); identitetet kolektive (siguria shoqërore); speciet ose habitatet (siguria mjedisore)....Katër prej pesë komponentëve të kësaj shkolle i përkasin kërcënimeve jo-ushtarake ndaj sigurisë.  (Emmers, 2009, f. 151.)

Sipas Emmers, shkolla e Kopenhagës thekson se ka të bëjë me mbijetesën, ku një shqetësim sigurie duhet të artikulohet si një kërcënim ekzistencial. Pra shkolla mbështet logjikën siguri-mbijetesë që gjendet në një konceptim tradicional të sigurisë. (Emmers, 2009, f. 152.) Ky fakt, sipas mendimit tim, provon se, kur siguria personale i nënshtrohet sigurisë kolektive, atëherë çështja e mbijetesës personale i transferohet kolektivit; por nëse siguria personale i nënshtrohet disa të drejtave themelore të gjithë-pranuara botërisht, atëherë siguria kolektive (në varësi me pozicionin që zë si nën-sistem) mund të vihet në diskutim. Pra siguria e kolektivit mund te ekzistojë, por edhe jo, varësisht nga fuqia e tij në raportet me jashtë, që vendosin prioritetet –nëse në plan të parë do vihej mbrojtja e sigurisë së individit apo mbrojtja e sigurisë së kolektivit – me gjendjen e vet ekzistuese.

Megjithatë, në epiqendër të Shkollës së Kopenhagës qëndron nocioni i sigurisë shoqërore, pasi e vendos theksin më shumë te shoqëria sesa tek shteti si objekt kryesor referues. Ky nocion ka prejardhje të fortë nga një eksperiencë evropiane, pasi u referohet shoqërive me kufij të hapur, që supozohet se ekzistojnë në Evropë, si rezultat i integrimit ekonomik dhe politik. Sipas Ralf Emmers, “Siguria shoqërore... lidhet me ndërtimin e një identiteti kolektiv evropian dhe duhet veçuar nga siguria shtetërore, e cila lidhet me mbrojtjen e sovranitetit kombëtar dhe integritetin territorial.” (Emmers, 2009, f. 152.)

Pra duket se dalja e shkollës së Kopenhagës vetëm një vit pas Platformës së Torontos nuk është rastësi. Nëse platforma e Torontos fokusohet te çështjet e sigurisë individuale në raport me shtetet ku bëjnë pjesë, shkolla e Kopenhagës fokusohet te çështjet e sigurisë së mbijetesës të pesë sektorëve kryesorë, duke reflektuar në këtë mënyrë një lloj instinkti vetë-mbrojtjeje, në kuadrin e idesë së një BE-je të unifikuar. (Pikërisht ky lloj instinkti besoj se do ishte i shëndetshëm edhe për çdo vend aspirant në BE.)

Në ndryshim nga studimet kritike të sigurisë, ku siguria personale vendoset në raport me shtetin, i cili ka për detyrë t’i mbrojë këto të drejta dhe kur nuk i mbron – ka përgjegjësi (dhe shtrëngime), siguria shoqërore funksionon si një koncept përgjithësues për shoqëritë e çdo vendi anëtar të BE, duke nënkuptuar që edhe vendet aspirantë të shkojnë drejt këtij ‘përgjithësimi’ të sigurisë shoqërore, (natyrisht, shpresojmë, duke mos mohuar vetveten, si shtet dhe si komb.) (7)

Në këtë kontekst, nëse shqiptarët (veçanërisht ata të Kosovës) kanë përfituar nga praktika ndërkombëtare e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, kjo nuk përjashton të drejtat e tyre për të përfituar edhe si shtet (apo shtete), edhe si komb; mjafton që shoqëria dhe ‘siguria shoqërore’ (sipas shkollës së Kopenhagës) të supervizohet duke i mbivendosur synimin e shtetit dhe të kombit. Madje, te ‘siguria shoqërore’, pavarësisht se nuk i referohet shtetit, ‘shoqëria’ mund të funksionojë si një element i njëtrajtshëm homogjen, që mund të ‘kapërcejë’ përtej shtetit, duke bërë lidhjen midis kombit dhe shtetit. 

Pra unë besoj se Shkolla e Kopenhagës ka avantazhe në kontekstin shqiptar, pasi ajo nuk i përjashton siguritë në katër nivelet e tjera, pavarësisht mbi-theksimit të sigurisë shoqërore. Pesë fushat e sigurisë që përfshin shkollae Kopenhagës, praktikisht janë pesë fushat kryesore që do t’i korrespondonin çfarëdolloj sistemi të sigurimit kombëtar. 

Me fjalë të tjera, shkolla e Kopenhagës e shikon objektin e studimeve të sigurisë nga pikëpamja e shtetit dhe jo nga pikëpamja e individit, (ose, përndryshe, siguria e individit ka kuptim brenda sigurisë së kolektivit, por edhe brenda sigurisë së shtetit dhe kombit.) Kjo nuk përjashton që stafet e ndryshme të mbështetjes, në analizat dhe rekomandimet e veta, të shfrytëzojnë edhe elementë të tjerë nga platforma e Torontos, ose studimet kritike të sigurisë, për aq sa shkojnë në harmoni me interesat e vendit.

Disa përfundime

Në kuadrin e këtij studimi mund të nxiren disa përfundime:

Së pari, në demokracitë e përparuara shmangen qëndrimet zyrtare pro ose kundër teorive dhe shkollave të ndryshme të mendimit, sepse asgjë nuk mund të jete plotësisht e saktë ose plotësisht e gabuar. Por edhe sepse respektohet parimi Ilirisë, që buron se brendshmi, duke respektuar interesin  pragmatik në formulimin dhe shfaqjen e njohurive, në mënyrë që të vërtetat konkrete të jenë funksionale në dobi të rezultateve të perspektivës, nga pikëpamja e një personi, bashkësie, shteti apo kombi, ku përgjegjësia mbetet kurdoherë te aspekti i brendshëm, në nivelin vetjak.

Së dyti, toleranca në përzgjedhjen midis elementëve të njohurive nënkupton lirinë e botimit në mënyrë komplementare duke mbushur gjithë hapësirën nga 'pro' në 'kundër', si dhe lirinë e konkurrimit midis ideve, teorive, rrymave, shkollave dhe universiteteve ku formohen elitat, që furnizojnë stafet teknike të mbështetjes,  në mënyrë që këto të fundit të kenë gjithë hyrjet (in-putet) informative të furnizuara nga një mjedis plotësisht i pasuruar dhe të zotërojnë të gjitha kapacitetet për të mbështetur synimet dhe interesat e perspektivës.

Së treti, sikurse çdo gjë tjetër në këtë botë, edhe teoritë filozofike apo ideologjitë udhëheqëse kanë pikën e vet të ngjizjes, kulmin e zhvillimit, por edhe fazën pasuese të degradimit dhe transformimit. Në këtë kontekst, avantazhi në një periudhë të caktuar i filozofisë së mbrojtjes së të drejtave të njeriut mund të vendoset, si rezultat i evoluimit, në një kontekst dhe raport të ri, që, në një fazë tjetër zhvillimi, mund të përkthehet në disavantazh në raport me filozofinë dhe ideologjitë e tjera konkurruese. Ndaj nuk duhet neglizhuar edhe studimi në detaje i këtyre të fundit, në mënyrë që stafet teknike të mbështetjes të kenë premisat për të zgjedhur elementë të veçantë njohurish brenda tyre dhe të sigurojnë mbështetjen e duhur, pa paragjykuar njërën ose tjetrën teori.

Së katërti, ngjashmërisht asaj që ndodh me ideologjitë udhëheqëse, si dhe me teoritë apo shkollat e tjera të mendimit, i njëjti cikël zhvillimi besoj se shoqëron edhe teoritë dhe shkollat e ndryshme në fushën e studimeve të sigurisë. Në këtë kontekst, nëse nën influencën e studimeve kritike të sigurisë, të shpalosur në Konferencën e Torontos (maj 1994), u sigurua mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave të njeriut në  Shqipëri (1997) dhe në Kosovë (1999), gjendja e stërzgjatur tranzitore në Shqipëri dhe Kosovë, po provon se mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut nuk mund të jetë edhe më tej efektive, pa siguruar tashmë edhe një nivel të caktuar të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të bashkësisë, ku bën pjesë ky individ.

Së fundi, mbase e tillë është edhe radha e gjërave. Në vitet e para pas shembjes së sistemit Komunist, sipas Carlo Jean (1996) (8), studiues italian i gjeopolitikës, perspektiva e të ardhmes në rajonin e Ballkanit Perëndimor përcaktohej si një fushë veprimi në zbrazëtirë, pa përmendur fare emra shtetesh në të (Jean, 1998.). Afro 15 vjet më pas, sipas disa referencave nga sociologu shqiptar nga Kosova, Fadil Maloku, (2012) Ballkani Perëndimor mund të trajtohet si një “sallë e madhe operacioni”, apo një punishte “socio-politike” për prodhimin e modeleve të atilla, “që do të ishin të zhveshura shumë nga fuqia e sovranitetit shtetëror”, duke formësuar “entitete rajonale politike pa kufij dhe me një sovranitet të kushtëzuar, ku të gjitha vendet do të mund të ushtrojnë qasje të përafërt me identitetet e tjera përreth”, në sinkron me interesat e kompanive të mëdha trans-nacionale për “ri-konfigurimin e Ballkanit në formën e një tërësie unike.” (Maloku, 2012.) (A thua se po përgatitet një koktej “spermatozoidesh” me serbë, shqiptarë, boshnjakë, maqedonas e malazezë! B.A.) 

Si Ballkanas, nuk na mbetet tjetër veçse të shpresojmë se, ndoshta tani, kemi mbërritur në fazën kur Bashkimi Evropian e ka kristalizuar ngjizjen e këtij bashkimi “sui-generis”, në formën e bashkësisë së shteteve a kombeve sovrane, me të drejta e detyrime të përbashkëta, sipas peshës specifike që zënë popujt dhe vendet tona në këtë bashkësi. Në këtë kontekst, ka shumë kuptim që mbrojtja ndërkombëtare e të drejtave të njeriut sipas vizionit të Konferencës së Torontos, të lëshojë gradualisht terren, duke funksionuar përherë e më tepër në sinkron me mbrojtjen e këtyre të drejtave nga pikëpamja e mbijetesës shoqërore dhe kombëtare, sipas vizionit të Shkollës së Kopenhagës.

Le të rikujtojmë se, sipas Shkollës së Kopenhagës, objektet referues në studimet e sigurisë mund të jenë shteti (siguria ushtarake); sovraniteti kombëtar ose një ideologji (siguria politike); ekonomitë kombëtare (siguria ekonomike); identitetet kolektive (siguria shoqërore); speciet ose habitatet (siguria mjedisore)...” (Emmers, 2009.) Praktikisht, të pesta këto nivele janë fushat kryesore që do t’i korrespondonin çfarëdolloj sistemi të sigurimit kombëtar, ndaj unë besoj se Shkolla e Kopenhagës ka avantazhe në kontekstin shqiptar dhe më gjerë, përveç që është edhe përgjigjja evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Tiranë, më 28.09.2014
 

Bibliografia:
1.       Dorf, Robert “Robin”, H. Disa metoda ekoncepte bazë për studimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në “Guidë përpolitikën dhe strategjinë e sigurisë kombëtare.” Vëll. II. Akademia e Mbrojtjessë FA, 2009, Tiranë, f. 239 – 256.
2.       Emmers, Ralf. Sigurizimi. Studimebashkëkohore të sigurisë. Nga Alan Collins. UET/Press, 2009. F. 151, 152. ISBN:978-99956-39-14-3.
3.       Jaho, Nazi. Disa çështje lidhur me liritëdhe të drejtat e njeriut në frymën e dokumenteve ndërkombëtare dhe kushtetutëstonë. Pak histori. Workshopi i Parë Rajonal: “Trauma, faktorët, pasojat dhepërballimi”. Tiranë, 2000, f. 85-91.
4.       Jean, Karlo. Gjeopolitika, Shtëpia Botuesee Ushtrisë, Tiranë, 1998.
5.       Krastev, I. “Russia Vs Europe: theSovereignty Ëars” (Open Democracy, 11 Sept 2007,http://www.opendemocracy.net/article/globalisation/institutions_government/russia_europe.)[Perifrazuar sipas Okara, A. 2007]
6.       Maloku, Fadil. Vizioni për Ballkaninperëndimor në proceset e globalizimit. 08.06.2012.http://www.telegrafi.com/lajme/vizioni-per-ballkanin-perendimor-ne-proceset-e-globalizimit-26-5112.html
7.       Marshall, Gordon. Fjalor Sociologjik iOksfordit. Përkthyer nga Bashkim Shehu. Tiranw, 2009. ISBN: 978-99956-668-2-8.
8.       Mutimer, David. Studime kritike tësigurisë: një histori skizmatike. Libri: Studime bashkëkohore të sigurisë. NgaAlan Collins. UET/Press, 2009. F. 86-87. ISBN: 978-99956-39-14-3.
9.       Odesskiy, Mikhail. The idea of “SovereignDemocracy”: Experience of interpretation. PECOP – Conferences – “Sovereign Democracy”.(PECOB – Portal on Central Eastern and Balkan Europe.) 2006.
10.    Okara, Andrei. Doctor of Laë. SovereignDemocracy: A neë Russian Idea or a PR Project? Russia in Global Affairs, Vol.5, Nr. 3. July – September, 2007.
11.    Operacionet Secrete të CIA-s. Tiranë,1982. Botim i MPB. Përktheu nga Anglishtja – Ilia Zhulati. Redaktor – NeshatTozaj.
12.    Rode, David. and Mohammed, Arshad. SpecialReport - Hoë the U.S. made its Putin problem ëorse. April, 18. 2014.http://uk.mobile.reuters.com/article/topNews/idUKBREA3H0OS20140418?i=3
13.   Shkreli, Frank. Shuarja e mbështetësit të fuqishëm tëndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Në “Bota sot”. 24.02.2012. http://botasot.info/opinione/212518/shuarja-e-mbeshtetesit-te-fuqishem-te-nderhyrjes-se-nato-s-ne-kosove/
14.   UNESKO. Materialepër mësimdhënie në fushën e edukimit politik . Të drejtat e njeriut/Detyrat e njeriut.http://www.dadalos.org/alb/Menschenrechte/grundkurs_mr2/Menschenpflichten/pflichten.htm
15.   UNESKO. Materialepër mësimdhënie në fushën e edukimit politik . Të drejtat e njeriut/Etika botërore.http://www.dadalos.org/alb/Menschenrechte/grundkurs_mr2/Weltethos/dokum_2.htm
17.    Wikipedia, Jimmy Carter. https://en.wikipedia.org/wiki/Jimmy_Carter

Shënime:
(1) Tashmë pranohet gjerësisht në filozofinë e shkencës, se “…ligjet e teoritë shkencoremë të qëndrueshme nuk janë të konfirmuara plotësisht nga të dhënat faktike nëtë cilat mbështeten.” Shih“Konvencionalizmi (conventionalism)”, (Marshall, 2009, f. 195-196.) Se “…krejtdija shkencore duhet vështruar si e përkohshme (nuk ekziston asnjë provë oseantiprovë përfundimtare)…”, shif “falsifikimi, të falsifikuarit”, (Marshall,2009, f. 97-98.)
(2) Vinire: “analistë strategjikë” të “politikës aktuale”; domethënë, strategjitë janëe ardhmja që përvijohet qysh sot.
(3) Operacionet Secrete të CIA-s. Botim i MPB, Tiranë, 1982. Përktheu nga Anglishtja – IliaZhulati. Redaktor – Neshat Tozaj.
(4) Pas largimit nga Presidenca, Karter dhe bashkëshortja në vitin 1982 krijuan Qendrën Karter përavancimin e mëtejshëm të të drejtave të njeriut në mbarë globin, ndërsa nëvitin 2002 fitoi çmimin Nobel për paqen, për kontributin e tij në këtë drejtim.https://en.wikipedia.org/wiki/Jimmy_Carter
(5) Bashkimii ish-kryetarëve dhe kryeministrave të shteteve të ndryshme të botës.
(6) Aprovuar nga Parlamenti i Besimeve Botërore, në Çikago, 1993.
(7) Këtu ka një problem, se referencate siguria shoqërore duke anashkaluar sigurinë shtetërore për vendet eprapambetura që synojnë integrimin në BE, mund të humbasin më tepër sovranitetse vëndet e tjera të BE, që këtë sovranitet e kanë më të stabiluzuar.)
(8) Botimipër herë të parë, në Italisht, i “Gjeopolitikës” së Karlo Jean.

No comments: