Tuesday 16 September 2014

LIDHJET E ALI PASHE TEPELENES ME MYZEQENE



Nga; Nuri PLAKU
Drejtor i Muzeut Historik Fier
         LIDHJET E ALI PASHE TEPELENES ME MYZEQENE

    Lidhjet e krahinës së Myzeqesë me ngjarjet më të rëndësishme historike të vendit kan qenë aktive në të gjitha kohërat. Ato janë bërë prezente që nga rrezatimet e para kulturore të Apolonisë, luftërat iliro - romake, e deri tek beteja e Cezarit me Pompein, të cilat e mbyllin siparin e tyre të periudhës antike. Pastaj vjen mesjeta me dyndjet e vrullshme të popullsive nordike me hunët, avarët, përplasja me sllavët, anzhuinët, rruga e Kryqëzatave, kontrolli i venedikasve e deri tek takimi i parë “miqësor” me otomanët.
  Ky takim është bërë pikërisht këtu, në luftën vëllavrasëse midis princërve Topiaj dhe Balshajve për Durrësin e kthyer në “mollë sherri” midis të dyve. Kjo ardhje do ta shkruante me gjak faqen historike të kësaj krahine me një akt makabër të paprecedent. Aty, në fushën e Savrës turqit ngritën piramidën e parë me kokat e prera të kundërshtarëve. Kjo fushë u bë “Vajkali” i ardhshëm shqiptar. Këtu ka qenë fillesa e pushtimit 5  - shekullor dhe, për ironi të fatit, mbas këtij pushtimi ushtritë osmane po këtu dhanë edhe “frymën e tyre të fundit”.
    Ndërsa njëri nga ish - funksionarët shqiptarë të shtetit turk, Eqrem bej Vlora, në dimrin e ashpër të dhjetorit të vitit 1912, do ta përshkruante trishtueshëm përcjelljen e ushtrisë së mundur nëpërmjet fushës sonë myzeqare. Në rrethinat e Fierit ishin dyndur 25 mijë trupa turke të shtyra nga Selaniku dhe Janina nën presionin e ushtrive ballkanike dhe ishin përqendruar këtu për t’u larguar sërish nëpërmjet portit të Semanit.
    Duke u ngjitur me kuaj në kodrat e përbaltura të Grizës, ku ishte ngritur kampi i dështimit, për t’i bërë një vizitë sivëllait të tij, komandantit turk të armatës së Vardarit, gjeneral Zeki Pashës, Qerem bej Vlora do të shkruante: ”Vështrimi im humbi tej në largësi mbi fushën e Savrës, mbi atë fushë ku para 527 vjetësh kishin ushtuar për herë të parë në Shqipëri thirrjet ngadhënjimtare të turqve. Krejt në të majtë, poshtë Manastirit të Ardenicës, pra midis Kolonjës dhe Mbrostarit, ngrihet fantazmore një piramidë resh të hirta në të zezë. Bash atje ku para 500 vjetësh turqit, si shembull tmerrues, ngritën një piramidë me kokat e prera të armiqve të tyre. Dukej sikur kjo lojë e natyrës kërkonte të zgjonte edhe një herë kujtimin e një të kaluare të lavdishme për ta venë në pah edhe më shumë mjerimin e së tashmes.”[1]
    Por gjatë këtyre 500 vjetëve, përveç princërve pronarë të saj dhe të huajve, me masakrat e tyre, një ndër më të largëtit, që ka lënë më shumë gjurmë në trevën e kësaj fushe, ka qenë Ali Pashë Tepelena. Aliu “notoi” në rrjedhat dramatike dhe në pasuritë e bollshme të kësaj treve dhe nguli në enigmat e saj piketat e veta historike. Krijoi lidhje të ndryshme me banorët e fushës, me institucionet e religjonit, kulturën dhe, së fundi, edhe me reliktet e tij.
    Historiografia shqiptare nuk i ka pasqyruar aksionet e Aliut 21 - vjeçar në territoret rreth Shkumbinit, kur Kurt pasha i Beratit, pasi i fali jetën, e dërgonte atë në luftërat me pashallarët e vegjël të Elbasanit dhe Kavajës, të cilët ishin nën mbrojtjen e Bushatlliut të Shkodrës. Pikërisht këto të dhëna na vijnë në formë kujtimesh të mbledhura nga Rrapi Saqellari[2], një punonjës kulture i pasionuar me historinë e fshatit të tij të lindjes, Kolkondasit. Ai ka mbledhur kujtime dhe thënie të ndryshme të transmetuara gojë pas goje nëpër breza në të cilat flitet me aq pasion për miqësinë dhe gjurmët e hershme të vezirit të Janinës.
    Këto gjurmë konsiderohen një privilegj i çmuar për të kaluarën e këtij fshati. Madje në çdo përpjekje, Aliut dhe çetës së tij i bëhet mbështetje Kolkondasi me bujarinë e njerëzve dhe pyjet e tij të dendura e të virgjra. Atëherë Kolkondasi ishte bërë kryeqendra e Myzeqesë për një periudhë të gjatë kohe, që nga gjysma e dytë e shek.XVIII deri në gjysmën e parë të shek. XIX, kur filloi të zëvendësohej nga Libofsha.  Aty kishte prodhime të bollshme, ekonomi të zhvilluar dhe njerëz që ngjiteshin në majat e karrierës kishtare. Ndërsa tregtarët e kripës përshkonin me guxim udhët e shumta ballkanike dhe lidheshin me Janinën, Voskopojën e Selanikun.
    Pikërisht këta njerëz iu bënë mbështetje djaloshit tepelenas. Midis tij dhe pjesëtarëve të tjerë të çetës kryheshin lidhje konspirative nëpërmjet dervishëve që jepnin e merrnin lajme nga njëri vend në tjetrin. Kolkondasi ishte qendra e aksioneve të pashait të ardhshëm. Më vonë, ai nuk do ta harronte kurrë kontributin dhe mbështetjen e madhe që i dhanë vendasit e këtij fshati. Shpesh pashai thërriste në Janinë për bisedime klerikun e dëgjuar, përgjegjësin e Manastirit të Shën Kozmait, papa Avram Jankon, një stërgjysh të Saqellarëve dhe interesohej për mbarëvajtjen e punëve në Myzeqe. Kur kthehej në fshat, papa Avrami i çudiste njerëzit me rrëfimet e Janinës dhe planet e bëra nga Ali Pashai.
    Veziri i thoshte klerikut se do ngrinte aty një kala të madhe që të dukej nga deti kur të kaloje me anije dhe të dukej deti nga dritaret e saj. “Unë do ta qeverisë Beratin nga Kolkondasi”, - kishte thënë njëherë pashai. Papa Jankua nuk reshtte së foluri për planet dhe favoret e Aliut dhe fjala u hap aq shumë sa të gjithë e besonin të ardhmen e lumtur të këtij fshati. Dhe vërtetë, Aliu kishte shumë mundësi për ta bërë Kolkondasin një “Bashtovë” të dytë në brigjet e Semanit, ashtu siç kishte bërë edhe shumë ndërtime të tjera buzë ujërave.
    Sipas këtyre të dhënave edhe kolkondasit ndiheshin të qetë nën mbrojtjen e pashait. Jeta e tyre në këtë periudhë mori një rimëkëmbje të ndjeshme ekonomike dhe kulturore. Tregtia zhvillohej me ritme të shpejta, udhët ishin të qeta dhe qendra tregtare e fshatit u bë pika nevralgjike e gjithë zonës.
    Kur u vra Ali Pashai, kolkondasit e përjetuan me dhimbje humbjen e mbrojtësit të tyre. Këtë dhimbje papa Jankua e shprehu duke mbajtur në kishë një meshë për shpirtin e të ndjerit.
    Një lidhje tjetër e Ali pashë Tepelenës me fushën e anëdetit kanë qenë edhe pasuritë e saj të shumta blegtorale. Nga pesë krahinat e pashallëkut të tij që kanë përshkruar xhelepxhinjtë në vitin 1815, Myzeqeja ishte më e pasura në bagëti. Ajo kishte 1 000 000 dhënë dhe 2 000 000 dhi, kur krahinat e tjera kishin: Maqedonia Ciskasiene 900 000 dhen e 900 000 dhi, Iliria maqedoniane 800 000 dhen e 1 500 000 dhi, Epiri 500 000 dhen e 1 200 000 dhi dhe Etolia 600 000 dhen e 1 800 000 dhi.[3] Thesalia, Akarnania dhe Focida nuk janë përshkruar nga xhelepxhinjtë gjatë këtij viti.
    Lidhja tjetër e Aliut me Myzeqenë dëshmohet me Manastirin e Shën Kozmait. Dihet angazhimi i tij për ndërtimin e këtij objekti të kultit ortodoks dhe sidomos dy letrat e dërguara popullit për ndihmë në të holla. Madje në këto letra përmendet edhe Papa Jankua. Letra e parë është dërguar më 12 shtator 1813. “Tek juve rumë të Beratit, - thuhet në të, - myzeqarë dhe vlleh grabovarë, katunde dhe çifliqe. Ju lajmëroj se ja tek vura një epitrop që të më ndreqin manastirin e plakut Kozma dhe ndihmova dhe unë me të holla dhe të ndihmoni dhe ju si t’ju thotë dhespoti, me qëllim që të ndreqet ky manastir. Dhe për ata që nuk do të japin ndihmën e tyre, do të më mbetet hatëri dhe do t’i paguajnë dyfish.
Sikundër ju urdhëroj kështu të bëni, pas këtij vendimi.
Në Gjirokastër më 12 shtator 1813.[4]
    Hair duaxhitë e mi, mitropolit i Beratit, Kolë Mitro dhe Haxhi Janko, - thuhet në lëtrën e dytë.- Ju salutoj dhe ju kallëzoj se sa më shkruat i mora vesh dhe u informova me anën e igumenit dhe u gëzova shumë që u kujdesët për Plakun Kozma. Ja tek po vjen aty tani igumeni dhe Nikolla bashkë me kryemjeshtrin dhe të vini të ndreqni odat dhe kullan e manastirit, që të shquhet nga të gjithë manastiret, sepse tash me ardhjen time aty dëshëronj t’a gjenj të mbaruar. Pra, të kujdeseni të gjithë që ta ndreqni dhe të gjithë rumët e Beratit, të mëdhenj e të vegjël, të ndihmoni. Po i shkruaj dhe Ibrahim Arapit t’ju ndihmojë në çdo punë. Të bëni sikundër ju shkronj. Ju përshëndes.”
    Në Janinë më 12 Shtator 1814.[5]
    Aliu ndërtoi manastirin me dy kate me nga 60 dhoma për secilin, hapi shkollën dhe dhuroi një bibliotekë të pasur me një numër të madh librash, e cila u transferua më vonë së bashku me shkollën në Manastirin e Ardenicës. Dhuroi edhe një bust prej mermeri të së shoqes, Vasiliqisë, të cilin besimtarët e vendosën në ajodhimën e kishës. Ndërsa mbi sipërfaqen e kambanës gdhendi portretin e së ëmës, Hankos, me një mbishkrim në gjuhën greke. Në muret e manastirit u vendosën edhe dy ikona; në njërën ishte pikturuar Aliu me Vasiliqinë duke biseduar me kallogjerët, ndërsa në tjetrën, Aliu me murgun Kozma.
    Pas vrasjes së mikut të tij, Pashai kishte mbajtur lidhje të vazhdueshme me të 39 kallogjerët e murgut. Ikonat u morën gjatë Luftës së Parë Botërore nga një oficer austriak, që fjeti disa net në manastir. Oficeri mori edhe kokën e murgut të derdhur në ar.[6] Koka ishte vendosur mbi një pllakë bronxi mbi të cilën ishte figuruar maketi i manastirit. Kështu thuhet në kujtimet e hershme të burrave të këtij fshati.
    Por Aliu, sipas premtimit të bërë në letrën e dytë, nuk erdhi në ceremoninë e inagurimit të manastirit më 14 gusht 1815. Por kush erdhi në festën e kësaj date? Këtë përgjigje e gjejmë sërisht në shënimet e Saqellarit. Veziri dërgoi 70 kalorës me në krye Ibrahim Arapin, i cili i dorëzoi papa Avram Jankos edhe një ferman të firmosur nga pashai. Sipas fermanit Aliu i dhuronte manastirit toka të begata dhe irate në Kolkondas, Bubullimë, Nartë, Korkutas e Kurjakas. 70 kalorësit me Ibrahimin kishin qendruar disa ditë në konakët e manastirit si mysafirë të Kolkondasit dhe gjithë Myzeqesë.
    Pas kësaj date, sa herë që vinin komandantët e pashait në Myzeqe, kur ktheheshin nga luftërat apo kalonin natën e shenjtë të 24 gushtit, bujtnin në konakët e manastirit dhe i puthnin dorën me respekt papa Jankos. Papa Janko ishte pika lidhëse e Kolkondasit me Janinën dhe një nga burimet historike që do ta mbante të pashterur gurrën e vet të krenarisë fisnore të Saqellarëve. Ky burim do të vazhdonte ta përtërinte rrjedhën e vet sidomos me studimin e mëvonshëm të kodikut të Shën Kozmait ku “Papa Avrami nga Kolkondasi”[7], përmendet në një nga shkrimet e studiueses Llambrini Mitrushit kur i referohet një kontrate martese të kurorëzuar në këtë manastir në gjysmën e parë të shek. XX-të.
    Një tjetër lidhje e Vezirit me Myzeqenë ka qenë edhe Apolonia. “Ali Pashë Tepelena vuri njerëz për të gërmuar në Apoloni dhe ky ishte i pari gërmim arkeologjik që bëhej në Apoloni (madje në Shqipëri)”, thoshte në një intervistë arkeologu shqiptar Hasan Ceka.[8] Mos vallë edhe gdhendja e bustit të Vasiliqisë që u vendos në Manastirin e Kolkondasit kishte lidhje me xhelozinë e tij për Livian e Augustit? A e ka ditur pashai kultin e ngritur në antikitet për gruan e perandorit romak, duke emërtuar me emrin e saj edhe një nga tipet e letrës së papirusit? A kishte parë e dëgjuar ai për gdhendjet e famshme të Apolonisë që ndërmori në mënyrë fragmentare ekspeditën e vetë kërkimore, duke u futur kështu në historinë e arkeologjisë shqiptare si i pari që kryen zbulime në këtë fushë?
    Sigurisht që po, përderisa ky pasion shfaqet me dhuntinë e gërmimit prej tij të antikave në Apoloni. Nëse ky do të ishte përqendruar më gjatë në këtë nismë fillestare të tij atëhere me siguri që do kishim një “Shliman” shqiptar. Gjithsesi gërmimi i antikave dhe punimi i bustit të së shoqes i japin atij një dimension të ri jo shumë të njohur në rrethet e studimeve për të. Por ajo që është më e rëndësishme qendron në faktin se ky dimension kulturor, adhurues prej një mbreti sqimatar, shfaqet pikërisht në Myzeqe.
    Myzeqeja e pasur me antika të mermerta, me ujëra të bollshme, pyje të virgjra, pasuri bujqësore e blegtorale, me shenjtorë e njerëz të shenjtëruar, me dhespotë, kisha e manastire u bë edhe piedestali i karizmës së pashait të Janinës.
    Pas Kolkondasit e Apolonisë një tjetër pikëlidhjeje e pashait me Myzeqenë ka qenë kriporja e Semanit. Historikisht punimet e saj janë marrë në “iltizam” (sipërmarrje) nga persona të ndryshëm gjatë periudhës osmane. Kripa ishte prodhim mjaft i rëndësishëm në mesjetë aq sa konsiderohej “nafta e mesjetës”.
    Qysh nga kohët e vjetra punëtorët e saj merreshin me detyrim nga rajatë, (bujqit) e çifliqeve mbretërore që ndodheshin aty pranë dhe bujqit e disa çifligjeve të tjerë të kësaj nahije. Por nga puna e rëndë në hapjen e gropave të pellgjeve, bujqit lodheshin e robëtoheshin aq shumë sa arratiseshin nga vendbanimet e tyre. Kjo braktisje u bë shkak për rënien e prodhimit të kripores dhe çifligjeve mbretërore, tokat e të cilëve mbeteshin djerrë nga mungesa e krahëve të punës. 
    Shqetësimi për këto pasoja u bë aq i madh sa qeveria ndërhyri dhe vendosi që, sipas vullnetit të popullsisë së kësaj zone, punëtorët të merreshin jo vetëm nga çifligjet mbretërore pranë kripores, por edhe nga çifligje të tjerë të Myzeqesë. Në këtë mënyrë u sigurua ecuria normale e kripores dhe prodhimit të kulturave bujqësore. Qeveria rregulloi në mënyrë të kënaqshme edhe praktikën e shpërblimit të punës. Gjysma e prodhimit i jepej shtetit ndërsa gjysma tjetër u jepej punëtorëve në formë shpërblimi.
    Por këtë ekuilibër midis punës, punëtorëve dhe shpërblimit të tyre e prishi Ali Pasha kur e futi kriporen e Semanit në pashallëkun e tij. “Kur vuri dorë mbi kriporen Ali Pasha nuk e nderoi këtë zakon, gjysma e prodhimit mbeti për shtetin si më parë dhe gjysmën tjetër u vuri atyre nga 20 para për okë.”[9]
    Ndryshime bëri pashai edhe në mobilizimin e punëtorëve. Ai urdhëroi që krahu i punës të sigurohej nga një në dy persona për derë, madje së bashku edhe me qerret dhe kafshët e punës që dispononin këto dyer. Afatin e zgjati nga 4 deri në 5 muaj. Fitimi nuk vinte as 100 groshë për krahë. Kjo gjendje e rëndoi shumë bujkun dhe familjen myzeqare dhe prodhimi bujqësor ra aq shumë sa njerëzit në vend të bimëve të arave shtuan numrin e bagëtive. Ali pasha kishte një “mospërfillje të përgjithëshme për bujqësinë”,[10] e cila u njoh dhe është venë në dukje nga studiuesit e tij.
    Në këtë mënyrë, pra, Ali Pashai ndërtoi raporte robërie dhe shfrytëzuese me bujqit ashtu si shfaqet kjo ndjesi edhe në kërkesën kërcënuese të dy letrave të tij për të mbledhur taksën e re të ndërtimit të manastirit. Kjo shije e hidhur e Ali Pashait ngelet një dëshmi e dhunshme e aktivitetit të tij sundues në popullsinë e kësaj treve, ashtu si ka vepruar edhe në krejt pashallëkun e tij.
    Kjo gjendje e krijuar në kriporen e Semanit vazhdoi edhe 24 vjet mbas vdekjes së pashait. Në vitin 1844 u bë ndërhyrja e parë duke u korigjuar numri i mobilizimit të krahëve të punës nga çdo çiflig. Iniciator u bë Elmas aga, pronari i çifligut të fshatit Metalli, i cili iu drejtua Myhdirit të Janinës me një kërkesë që numri i punëtorëve të detyruar në kripore të zbriste nga 10 në 5, sepse shumë fshatarë kanë ikur nga çifligu dhe janë bërë “harbi”. Mbas verifikimeve ka rezultuar se e vërteta ishte ashtu si pretendonte ankuesi dhe gjykata e sheries vendosi ta zbriste numrin e punëtorëve nga 10 në 5 persona.[11]
    Dy vjet më pas më 1846 vetë bujqit iu drejtuan vilajetit me një kërkesë për mënyrën e papërshtatshme të pagesës dhe i luteshin t’ua zgjidhte problemin, duke ndryshuar masat e ndërmara nga Aliu dhe rikthimin e pagesës së mëparshme. Përgjigjja qe pozitive. Prodhimet e bollshme të kripores përbënin një pikë nevralgjike për shtetin osman dhe trajtimi i saj tërhiqte vëmendjen e tij të duhur.
  Sipas një dokumenti (bujullurdi) të vitit 1846, nëpërmjet të cilit kriporja i jepet në sipërmarrje Selim agait e Xhaferr agait, rezulton një shifër prodhimi që arrinte në 30 000 qase e që shitej me 7 groshë qaseja. Kjo ishte sasia që ndodhej e rezervuar në magazina gjatë muajit korrik veç asaj që shitej. Pra prodhimi i kripores ishte një shifër e rëndësishme.
    Por krahas këtyre gjurmëve të dokumentuara në arkivat e kohës, prania e Ali pashait në Myzeqe dëshmohet edhe me një gjurmë tjetër të tij, sa të bukur e të prekëshme aq edhe interesante. Është shkopi i tij, një nga objektet personale që ndodhet aktualisht në Muzeun Historik të qytetit.
    Shkopi është mbajtur në familjen e Faik Konicës dhe është trajtuar me fanatizëm prej tyre. Ai është dorëzuar në Muzeun e Fierit nga dy mbesat e Faikut, vajzat e vëllait të tij, Hysenit, Emel dhe Hanko Konica.
    Të dyja motrat kanë ardhur në Fier të internuara nga Tirana për motive politike në vitet ’60 së bashku me vëllanë e tyre. Për një kohë të gjatë ato kanë banuar në shtëpinë e Jakov Xoxës e më pas në një apartament në lagjen “Kongresi i Përmetit”, përballë Bar “Rinisë”. Ato tashmë kanë vdekur që në vitin 1988 dhe prehen në varrezat e Fierit. Por pikërisht në prag të vdekjes, një vit më parë, më 1987, njëra prej tyre, Emela, firmosi për dorëzimin e tij në Muzeun e qytetit të tyre të internimit. 
   “Veliu mbetej i vetmi trashëgimtar në Tepelenë dhe u bë një bej i rëndë, - thotë shkrimtari Sabri Godo në romanin e tij kushtuar pashait të Janinës. - Kishte katër fëmijë kur mbeti i ve dhe u martua me Hankon, Emihan hanëmin, bijën e Zenel beut të Konicës.”[12] Ky pohim është një dëshmi e hershme e Pukëvilit, e cila është pohuar edhe nga shumë kronistë e studiues të tjerë të Aliut.   
    Lidhjet e Aliut me Konicët janë bërë të njohura me dëshminë e Pukëvilit. “Ai, (Veliu i ati i Aliut, sh.im) kërkoi dhe mori për grua Hankon, të bijën e një beu të Konicës dhe ky bashkim e vuri në lidhje farefisnie me familjet kryesore të Toskërisë...”[13]
     Kjo lidhje dëshmohet edhe nga Faiku në një letër që i dërgon më 24 janar 1896 një miku të vetë. “Emëri im është : beg Faik – Dominik Koniza, - thotë ai, - jam diali i beg Shahin Konizës, edhe i afërtë i Ali Tepelenës që bëri shumë të liga, por bëri dhe të mira se hapi sytë e shqiptarëvet, edhe u tregojti që s’janë as turq, as gerqiotarë, po djem të Shqipërisë”.
    “Ata i kanë pasur shtëpitë pranë e pranë në Konicë”, - thotë një tjetër mbesë e Faikut, Alma Konica, botuesja e publicistikës së tij. Sipas Almës, edhe Emeli me Hankon kanë pasur mjaft relikte të tjera të çmuara në Fier, të cilat i kishin trashëguar nga i ati. Por fatkeqësisht ato janë zhdukur. Midis tyre ka mbetur  vetëm shkopi i Ali pashës, si pronë publike e këtij institucioni, falë kulturës së lartë të dy bijave të Konicëve që e dorëzuan atë.
    Historiku i këtij shkopi është një enigmë e virgjër që tash për tashë nuk zbardhet ende por dëshmia dhe lidhjet e gjakut janë një element i besueshëm i autoktonisë së tij.
    Shkopi është një “skeptër” i denjë mbretëror, një thurje me fije ari rreth trupit të tij, i cili e bën më të besueshëm rangun e pronësisë. Ky shkop me shumë “dinjitet” është një shprehje e lartë e nivelit të jetesës. Sigurisht shkopi duhet të jetë ruajtur te Konicajt deri në trashëgiminë e tyre të fundit nga gjyshi dhe i ati i Faikut si një dëshmi jo vetëm e përdorimit të lartë fisnor të të parëve të tij, por edhe si dëshmi e lidhjeve dhe marrëdhënieve të tyre me derën e madhe të Aliut.
    Ndërkohë, është interesant edhe fakti se njëra nga dy pasardhëset e kësaj familjeje mban emrin e Hankos, nënës së Aliut. Ajo nuk la trashëgimtar, sepse rrethanat politike të kohës i privuan ato nga mundësitë tilla natyrore. Por me Hanko Konicën duket sikur vdes edhe kujtimi i fundit i nënës së Aliut. Krahas gjurmës së saj në kambanoren e Manastirit të Shën Kozmait, shfaqet mbas gati 200 vjetësh një tjetër gjurmë paralele, një emër i stërmbesës së saj që mban emrin dhe mbiemrin e vajzërisë “Hanko Konica”, gdhendur në një gur të thjeshtë mermeri në vorrezat e Mbyetit. Pikërisht këtu, në Myzeqe, jepet edhe fryma e fundit e trashëgimisë së këtij emir, si për të thënë se gjurmët e lëna nga pashai në trevën e përbaltur të anëdetit ishin një dëshmi jo vetëm shtetërore por edhe shpirtërore.


[1] Eqrem bej Vlora & MarieAmelie Von Godin, Ndihmesë për historinë e sundimit turk në Shqipëri, Tiranë, “55”, 2010, fq. 234.
[2] MHF, F. 24, V. 1978, D. 4. Rrapi Saqellari. Historiku i Kolkondasit,.
[3] Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë. V. III, Tiranë, “MIHAL DURI”,  1962, fq. 287.
[4] Jetëshkrimi i dëshmorit t’ri dhe isapostollit Shën Kozmajt. “Dhori Kote”, Korçë, 1931, fq. 27.
[5] Po aty
[6] Këtë të dhënë e gjejmë edhe tek Neshat SH. Hamitaj, Hekali dhe Mallakastra në thellësi të shekujve, Kavajë, ”Gutemberg”,  2001, fq. 66.
[7] Papa Avrami është gjyshi i Rrapi Saqellarit, personit që ka mbajtur këto shënime.
[8] Lami Koçio & Kozma Gjergji,  “Apolonia në veprën e prof. Hasan Ceka”, Myzeqeja, Nr. 4, 1995, fq. 7.
[9] AQSH, F. 28, D. 35 V. 1846, fq.  22.    
[10] Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, vepër e cituar, fq. 287.
[11] AQSH. F. 128. V. 29 sefer 1260 (1844), D. 48, fl. 22.
[12] Sabri Godo, Ali pashë Tepelena, Tiranë,  Artemida, 1993, fq. 7.
[13]  Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, V. III, Tiranë, “MIHAL DURI”, 1961, fq. 229.

No comments: