Thursday 26 November 2015

70 vjet shkolla 9-vjeçare Valias

Bashkim Saliasi
                 
Përkujtohet me nderim 50-vjetori i rënies së heroit “Niko Hoxha” emrin e të cilit mban shkolla.
                                  - Reportazh nga Valiasi-
Shkolla 9-vjeçare “Niko Hoxha” Valias, në këto ditë të bukura të muajit nëntor hapi dyert për të pritur mësues e drejtues të dal në pension, por që për vite me radhë kanë dhënë kontributin e tyre pranë kësaj shkolle.
Data shënonte 20 Nëntor.
Muaji i lirisë dhe i festave të mëdha. Në këtë kuadër u përfshi edhe shkolla 9- vjeçare “Niko Hoxha” Valias. Dy festa, dy data përkujtimore që mblodhën rreth kësaj vatre të dijes jo vetëm nxënësit dhe prindërit e komunitetit të Valiasit, por edhe pilotët veteran që kishin banuar dhe jetuar në këtë komunitet në vitet ‘70, bashkudhëtarë të heroit të aviacionit shqiptar Niko Hoxha.
Edhe pse kam gati një muaji e gjysmë që jam larguar nga shkolla dhe jam transferuar në shkollën 9-vjeçare “Vëllazëria”, u ndjeva pjesëtar i saj në këtë ditë sa festive aq edhe përkujtimore. Tinguj e muzikës që përhapeshin në mjediset e zonës së Valiasit këtë mëngjes të ftonin që larg.

Në mjediset e shkollës shikoje vajza e djem të veshur me kostume popullore. Të gjithë gëzonin nën tinguj e muzikës. Nuk ka gjë më të mirë kur të përshëndesin dhe të afrojnë mirësi edhe përse je larguar. Grupe- grupe fëmijët e klasave të shtata, të teta e të nënta afroheshin dhe më përshëndesnin të emocionuar?!
 -U mësuam me ty, o mësues, ndiheshim mirë kur bënim mësim bashkë...
Emocionet ishin të forta kur kaloja nëpër mend gjeneratat e nxënësve që kishin mbaruar në këto dymbëdhjetë vite. Para shkollës më priti drejtori Mehmet Abdullai së bashku me n/drejtoreshë Nurien.
-Mirë se erdhe!- më uruan ata.
-Ju faleminderit,-i falënderova. Kisha punuar në atë shkollë 12 vjet dhe kisha shumë kujtime.
Ata më treguan se veç pemëve që kishim mbjellë kur isha edhe unë, ata kishin mbjellë edhe dy ullinj.
“Kush mbjellë një pemë, shton një jetë”, kujtova frazën e thënë në shkrimin e para disa viteve. I përgëzova për pemët e mbjella dhe me kënaqësi hodha sytë nga pemët që kisha mbjellë vet para tre vitesh.
Një pjesë kishin rrëzuar gjethet, kurse të tjerat jeshilonin dhe ia shtonin më tepër bukurinë shkollës, edhe më shumë në këtë ditë festive ku tingujt e muzikës përhapeshin si valët e detit dhe përplaseshin në faqet e pallatit, ku dikur kishte banuar heroi i aviacionit Niko Hoxha e Peço Polena me teknikët e aviacionit të Rinasit.
-Ngjitu, lartë dhe hidhi një sy vendit ku kemi vendosur muzeun e shkollës,- sugjeroj drejtori i shkollës Mehmet Abdullai.
Në katin e tretë mësues i histori- gjeografisë Agron Kurti së bashku me kolegun Fatmir Çali kishin radhitur stendat me materialin që tregonte ecurinë e shkollës Valias që nga viti 1945 dhe deri në vitin 2015.
Falënderova mësues Agronin me kolegët që kishte pasqyruar më së miri Historinë e shkollës në vite.
Në të dal të shkollës pashë që nga makina zbriti profesor Xhaferr Dobrusha. Së bashku me dy miqtë e mi, nxënës të shkollës së parë shqipe në Valias në vitin 1945, Muharrem Hasani dhe Muharrem Isufi e ftova profesorin të pinim një kafe.
Profesori u bë pjesa e jonë dhe nga goja e nxënësve të vitit 1945 dëgjoj rrëfimin e tyre se cilat kishin qenë mësuese në vitin e parë të hapjes së shkollës shqipe në zonën e Valiasit dhe arsyet e mbylljes në 1947, e rifillimin në vitin 1948.
-Historia e komunitetit të Valiasit,- i shpjegova profesor Dobrushës,- zë fill që në vitin 1430. Banorët e saj kanë zbritur nga malësitë e Krujës. Janë gjithsej 27 familje që kanë banuar në zonën e Valiasit dhe marrëdhëniet me Abdi Bej Toptanin i kanë pasur shumë të mira.
Midis të tjerash i shpjegova Profesorit se në pronat e Abdi Bej Toptani është hapur shkolla e parë shqipe. Në vitin 1912 Abdi Toptani ka shoqëruar karrocën e Ismail Bej Vlorës dhe ka qenë pjesë e qeverisë së kabinetit të tij në detyrën e Ministrit të financave. Pas rënies që qeverisë së Vlorës në kohën e mbretërimit të Princ Vidit përsëri ka kryer detyrën e Ministrit të Bujqësisë. Është dënuar me vdekje së bashku me Bajram Currin dhe i shpëtoi pushkatimit. Vdiq në pronat e tij në Valias në vitin 1942.
Ora shënoi 10. Në mjediset e shkollës erdhi drejtoresha e ZA Kamëz, zonja Ermioni Çekani. E shoqëruam drejtoreshën për në mjediset e drejtorisë së shkollë ku drejtori pasi i uroj mirëseardhjen  shpalosi platformën e organizimit të ceremonisë festive e përkujtimore në nderin e dy ngjarjeve: 70 - vjetorin e shkollës dhe 50 - vjetorin e rënies së heroit të aviacionit Kolonel Niko Hoxha, emrin e të cilit e mban shkolla e Valiasit.
-Të përgëzoi,- m`u drejtua drejtoresha znj. Emrioni,- për punën shumë të mirë që ke bërë për sa i përket hartimit të historikut të shkollës.
-Faleminderit!- i them.
Duke zbritur shkallët na lajmërojnë se mbërritën pilotët. Në një organizim rresht për një të gjithë pilotët u ngjitën në mjediset e shkollës dhe si dallëndyshet që zbresin nga ajri nuk pyetën për rregulla dhe slogane, por vizituan mjediset e shkollës dhe iu drejtuan drejtorisë, ku drejtori Mehmet Abdullai u uroj mirëseardhjen dhe i ftoi që të dilnin para shkollës për të ndjekur ceremoninë e përgatitur.


(Majtas) Valter Hoxha, kolonel, Emrioni Çekani, Aqif Pasha, Muharrem Isufi, Muharrem Hasani dhe piloti pensionist
Një atmosferë tepër festive u  këndua himni i flamurit dhe më pas të ftuarit veteran dhe drejtoresha e ZA Emrioni Çekani vendosën tufa me lule pranë bustit të heroit Niko Hoxha. Mësuese Marta në cilësinë e konferencieres propozoi që në nderin e kujtimit të heroit Niko Hoxha të mbajmë një minutë heshtje.
Një breshëri armësh u zbrazën në nderin e kujtimit të heroit Niko Hoxha.
Drejtori i shkollës Mehmet Abdullai në fjalën e tij përshëndetëse shpalosi para nxënësve, mësuesve të ftuarve si dhe pilotëve në pension ecurinë e shkollës në këto 70 vite dhe emrin e mirë që mban shkolla jonë, Niko Hoxha.
Ndër të tjera z. Mehmet shpjegoi:
“Shkolla e Valiasit për herë të parë u hap te vendi i quajtur “Hani i Beut” në vitin 1945 dhe mësuese ishin Katerina Doraci e Ksanthipi Zoraqi”.
Në vitin 1945 në zonën e Valiasit nuk kishte asnjë njeri me shkollë dhe në vitin 1946 shkolla u mbyll për arsye se banorët e zonës Valias nuk pranuan të futen në NB dhe u larguan në zonat për rreth si Laknas, Bërxull, Qerekë, Rinas. Nxënësit që mbaruan dy vite pranë kësaj shkolle vazhduan studimet në shkollat Qerekë, Laknas etj.
Në vitin 1948 shkolla u hap përsëri në mjediset e shtëpisë së vëllezërve Arif e Isuf Runga dhe Ramadan Myrto. Mësuese e parë e kësaj shkolle ishte Kadrie Kasëmi. Në vitin 1956-1957 ndërtohet godina e shkollës fillore te shtëpia e Riza Hasanit dhe mësues ishin Nazim e Hatixhe Tuxhari si dhe Viktor Zylfi.
Në vitin 1966-1967 në Valias me kërkesën e komunitetit dhe ndihmën e Niko Hoxhës ndërtohet godina dykatëshe dhe nxënësit nuk vazhduan më arsimin shtatëvjeçar në Kamëz, por vazhduan në Valias.
Drejtor i parë i shkollës u caktua Isuf Nelaj nga Kukësi, i cili u zëvendësua pas një viti nga mësuesi në pension z Aqif Pasha. Më pas shkolla u drejtua për shumë vjet nga Eli Paja, Haki Doku deri në vitin 2003.
Pas vitit 2003 shkolla drejtohet nga Halit Haliti, Laureta Lila, Shpëtim Osmani, Sherif Mustafa, Mahmudi Çera dhe tani nga Mehmet Abdullai.


(Majtas) Aqif Pasha, Eli Paja, Haki Doku, Halit Haliti, Laureta Lila, Sherif Mustafa, Mahmudie Çera dhe Mehmet Abdullai
Pranë kësaj shkolle kanë mbaruar afro 1700 nxënës nga të cilët afro 1900 kanë mbaruar arsimin e lartë dhe punojnë në sektor të ndryshëm të ekonomisë shqiptare.
Më pas e mori fjalën drejtoresha e ZA Emrioni Çekani, e cila falënderoi për arritjet e shkollës dhe përgëzoi drejtorin dhe stafin e mësuesve për kremtimin e 70 - vjetorit të shkollës dhe përkujtimin e 50- vjetorit të rënies së heroit Niko Hoxha.
I pranishëm në këtë ceremoni festive ishte dhe djali i kolonel Niko Hoxha, z Valter Hoxha.
Mësuesi i muzikës Sajmiri dhe mësuesja e gjuhës Marta kishin përgatitur një koncert mjaftë cilësor, i cili u ndoq me një kureshtje të madhe nga të gjithë të pranishmit.
Surprizat ishin njëra pas tjetrës. Në katin e tretë mësuesit e shkollës të udhëhequr nga drejtoria e shkollës kishin organizuar mjaftë bukur jo vetëm materialet që bënin fjalë për 70 - vjetorin e shkollës dhe jetën e veprën e Niko Hoxhës, por në dy rreshta tavolinash nxënësit ishin paraqitur me gatimet tradicionale të zonës.


Kolektivi mesuesve të shkollës 9- vjeçare “ Niko Hoxha” Valias në vitin shkollor 2015-2016 (Realizuar: 20 nëntor 2015)
Mësues Agroni shpjegoi ecurinë e shkollës në vite dhe foli dhe për përbërjen e trevës së Valiasit duke treguar dhe evolucionin e ndodhur pas viteve 2000.
Nga një lagje që ka qenë Valiasi para viteve 1990 sot numërohen disa lagje dhe numri i popullsisë është dhjetëfishuar.
Në pyetjet e shumta që më drejtoheshin si nga pilotët dhe mësuesit e dal në pension ishin:
-Kur do e botosh librin?
-Libri është gati,- iu përgjigja, -ka nevojë vetëm për redaktim dhe sponsor, por shtova  7 Marsi, festa e mësuesit e vitin 2016 do ishte dita më e bukur që ne së bashku të pronovonim librin “Valiasi 70 -vjet shkollë shqipe”.
Veprimtaria më pas do pasohej nga një sërë aktivitetesh sportive të drejtuara nga mësuesit e edukimit fizik.
U ndava me kolegët e shkollës Valias me të cilët pata fatin që për dymbëdhjetë vjet të punoja së bashku me ta për t`u takuar në përvjetorë të tjerë festiv.
Ju uroj suksese dhe punën e nisur mos ta lënë në mes, por ta çojnë më tej.
Shënim:
Në shkrimin e publikuar në faqet e facebookut ndër lexuesit që kanë bërë shënime, po sjellim mendimin e pilotit dhe publicistit zoti Niazi Nelaj, i cili shkruan:
“ Shkrimi i njeriut te letrave Bashkim Saliasi, është, jo vetëm cilësor nga ana e të shkruarit por përcjell mesazhe dashamirësie. Isha në një festë interesante, të kombinuar me një përkujtim heroi.
Pashë një mrekulli, dhe e them me plotë gojën këtë nga kënaqësia që ndjeva, kur pash ato vajza djem, të zgjuar,  të shkathët , artistë të vërtetë. Nxënësit dhe mësuesit e tyre, kishin derdhur shume mendje, mund e djersë, për të arritur atë mrekulli.
Padyshim, roli dhe vendi i z. Bashkim, në këtë organizim të përkryer ishte vendimtar. Këtë e pashë në shqetësimin e tij. Nuk e zinte vendi-vend. Jam tepër shpresues, se librin që po shkruan, me siguri e ka në këtë frymë. I uroj suksese në punë e në krijimtari “!


No comments: