Wednesday, 4 March 2009

Arratisje prej tradhtisë

Ornela MUSABELLIU



Gërrrrrr….. gërrrrrr…. Gërrrrrr.
U ngjeth! Zinxhiri i valixhes gërricte mes hallkave, lotët i gërvishtnin lëkurën e bardhë të fytyrës, dhimbja i gërryente shpirtin. Zinxhir i mallkuar! Edhe ai po e torturonte. Nuk donte aspak t’ia bënte punën më të lehtë.
Vështroi përreth. Gjithçka ishte gati, vetëm ajo, jo. Shpirti i zbrazët po i ngjasonte atyre rafteve të dollapit, që tashmë dergjeshin të shpërfillur prej saj. Kishte boshatisur gjithçka. Mendimet filluan të merrnin udhën e vështirë të përballjes së realitetit dhe pranimit të tij. Mendimet. Ato ishin bërë stivë, si pirgu i rrobave që flinin mbi krevatin bashkëshortor dhe prisnin dy duar t’i gjenin një vendprehje. Këtë skenë e kishte përjetuar dikur, por ashtu përciptas, prej pamjeve që të ofronin filmat artistikë. Por, gjithmonë e kishte gjetur veten jashtë. Jashtë atij realiteti të ndyrë e pervers, që të dhemb deri në kapilarët më të hollë të gjakut. Të pret pa pikë dhembshurie, ashtu si sharra elektrike pret trungjet që dikur kishin qenë pemë, fruta, gjethe, limfë, jetë.
Tashmë ndihej e vdekur. Asgjë nuk ia kujtonte jetën. As ajo fotografi mbi komodinën e tij, ku ajgëtonin dy fytyra të qeshura, të lumtura.
Të lumtura? E ç’ishte lumturia? Ajo nuk dinte ta kishte takuar ndonjëherë. Turbull i kujtohej se dikur kishte thënë dy fjalë mbi të, ishte rrekur ti shpjegonte shoqeve kuptimin e atij nocioni, duke u ofruar vetë si kavje. Apo ndoshta kishte pasur dëshirë që këtë gjë t’ia pohonte vetes me zë të lartë dhe ti besonte gjithçkaje? E ç’rëndësi kishte kjo në ato momente gri të jetës së saj? Tani kishte nxjerrë rrobat prej sirtarëve e rafteve, të asaj shtëpie të madhe, do të mbushte valixhen dhe....
Gërrrrrr....
Gërricja e zinxhirit e përmendi. Vështroi orën. U kujtua se pas 60 minutash nisej treni. Duhet të bëhej gati shpejt dhe të mbyllte çdo dritare të jetës së saj në këtë qytet.
Dora i preku një fustan rozë, shumë seksi, që ai ia kishte dhuruar për Shën-Valentin. Apo për ditëlindje? Mendimet filluan kokolepsjen dhe me një trysni të pazakontë kërkonin të zbardhnin udhën, si përpjekja e dëshpëruar e një fluture, zënë në kurth nga rrjeta e dendur e merimangës. Më pas u kujtua se s’kishte pikë rëndësie, pasi ajo i përjetonte ato dy data në të njëjtën ditë. Kishte lindur në shkurt; më 14 shkurt.
Dhimbja iu shtua. Iu kujtuan të shtatë përvjetorët që kishin festuar bashkë, dhuratat që i ishin kushtuar, talljet e tij se si ajo shoqëronte një darkë romantike me Coca-Cola, pasi nuk e duronte dot alkoolin, sjellja e shfrenuar nëpër pab-et me muzikë të lartë sa iu shurdhoheshin veshët, lojërat e shumta që bënin rrugëve të atij qyteti të zhurmshëm, pa e vrarë mendjen për sytë e kalimtarëve, apo gjykimin që derdhej mbi ta kur këndonin me zë të lartë dhe i valëvisnin trupat se gjoja ishin dehur. Gjithçka iu fanit përpara syve. Asgjë nuk ishte më e errët në ato momente se shpirti i saj, dendësuar nga re gri, si në një ditë shtrëngate të fortë.
Kishin kaluar shumë çaste të bukura bashkë, i ishte përkushtuar me tërë qenien e saj dhe me forcën e dashurisë kishte mundur të thyente edhe shkëmbinjtë më të thepisur të ndërgjegjes. Kish shkelur me këmbë mbi çdo surprizë të keqe që i kishte servirur jeta, ishte ndeshur si një pelë në ndërzim kur i kishin kërcënuar qenien e dashur; ishte dehur pa fund nga aroma që ai sillte me praninë e tij; kishte lëpirë plagët pas çdo lufte të rrezikshme; ishte harbuar deri në përshkënditje vetëtimash. Kish qenë virgjëresha dhe prostituta e tij.
Jo, s’mundte t’ia falte.
Me tërbimin e një nëne që i është sulmuar krijesa e vet, u mundua të rifitonte dinjitetin. Hodhi dritë mbi mendimet dhe filloi t’i stivonte njësoj si veshjet në valixhe. Pas çdo fustani kishte një histori, një përjetim të thellë emocional, por sa shumë dramë tani që i kujtonte. E, ajo kurrë s’do të kishte dashur të bëhej personazhi që lypte mëshirë nga autori, në një dramë të shkruar keq.
“Më fal, e dashur, ishte një lajthitje çasti të keq. Isha i dëshpëruar. Rendja e kohës me hapa galopantë më solli në mendje cantdoën-in e jetës. E kjo alarmoi gjithë qenien time. Ndoshta, edhe ti nuk bëre aq sa duhej për të më sjellë ndër mend atë burrë të fortë e të dashur që isha dikur, kur u dashuruam dhe përjetuam jetët tona si ditët e fundit”.
E tmerrshme! Çfarë po i dëgjonin veshët! Tashmë s’e njihte më atë burrë pranë vetes, ashtu me sytë e qullur dhe kokën e varur si një qen bastard, i rrahur prej të zotit. E shihte tek lutej dhe përgjërohej, por pas çdo gjesti i shfaqej fytyra e asaj gruaje që kishte mundur t’ia rrëmbente lumturinë brenda një nate. Fytyra që e kish nxitur në ngasje drejt mëkatit të tradhtisë.
Gjithçka ishte e dhimbshme, por në të njëjtën masë e ndyrë. Nuk po e kuptonte kush e kishte vrarë më shumë: tradhtia, që e kishte vizatuar gjithmonë si një gjest të ulët, të rëndomtë, që të paketohej në shpirt vetëm nga njerëz të dobët, të vegjël, apo ato akuza të poshtra, cinike, të cilat hidhnin poshtë çdo gjë që i kishte falur nga vetja.
U struk, u mblodh, aq sa iu duk se në atë valixhe të bërë gati për udhëtim, do të hynte vetë e dora e shkujdesur e një kalimtari do ta çonte viseve të panjohura, aty ku nuk njihte dhe as do ti binte ndërmend askujt për të.
Vetëm këtë dëshironte: arratisje nga gjithkush, drejt asgjësë!

Tiranë 2008-05-01

No comments: