Saturday, 7 March 2009

Visar Hyseni, njeriu që rilindi nga aksidenti




Fatmir Terziu


Afër “West Hamstead”, diku në veri të Londrës, një djalosh shqiptar me një beretë tipike në kokë, një xhup lëkure të lehtë dhe një ecje karakteristike nga larg vjen e të afrohet duke të respektuar ndjeshëm dhe të afron interesin për të komunikuar me të. Në komunikimin e parë e vë në dyshim pikasjen tënde për këtë shqiptar, nëse ti nuk zë e thellon bisedën me të. Ai pastaj të fton në kafe. Nga xhepi nxjerr një gazetë. Pastaj një foto. Pastaj një gazetë tjetër. Dhe më tej të tregon gazetën “Campden Journal” që shkruan shpesh për talentin e tij. Është talenti nga Kosova, Visar Hyseni…

Takimi

Visarin e takuam pikërisht aty. Pastaj kafenë e pimë po tek lokali i preferuar i tij në “Barker Street”. Që në fillim e diktuam njohjen dhe respektin për të. Të gjithë e përshëndesin. Madje edhe në gjuhë të tjera. Ai ua kthen po me të tijën e thjeshtë dhe me të qeshur. Në kafene fillojmë bisedën. Një bisedë emocionale. Një bisedë që të sjedh lotë ndër sy. Lotë që vijnë nga historia e tij e hidhur në jetë. Lotë që vijnë nga ai tmerr aksidental i vitit 1995…

Aksidenti

Ishte nata e vitit të ri 1995. Nata e ndërrimit të viteve. Nata që shënonte moshën 21 vjecare të studentit të Akademisë së Arteve në Prishtinë. Teksa ngiste makinën e tij në drejtim të rrugës për në Ushqimoren e Gërmisë, Trukbahce që ndryshe nga turqishtja në shqip kuptohet si “Bahcja e Pulave” ai gjendet në aksident dhe humbet ndjenjat. Kaq kujton ai. Pastaj të tjerët i kanë treguar histori të ndryshme. Dikush e kishte bërë të dehur. Dikush e kishte bërë me faj. Por gjithësesi një helikopter e dërgoi atë mes ajrit në spitalet e Beogradit. Atje ai për nëntë javë ndejti në koma. Një koma që i ndërroi krejt rrjedhat e jetës. Një koma që e bëri nëntëdhjetë e nëntë përqind të vdekur. Por 21 vjecari artist mbeti në jetë edhe në gjendje të drobitur. Ndërsa ai u trondit dhe vuante fizikisht, talenti i të pikturuarit e mbante gjallë. Vizatonte herë me duar e herë me tru. Por gjithmonë teksa vizatonte linte personelin me bluza të bardha me gisht në gojë…

Shtysa

Sapo la spitalin, ashtu në gjendje depresioni dhe me fraktura të shumta, goditje në kokë e në trup, Visari Hyseni, u vizitua nga shumë miq krijues kosovarë. Kur profesor Shyqyri Nimani, i pa talentin e tij, kur pa ato vizatime me të ardhme të padiskutueshme e këshilloi që të përkushtohej edhe në një profesion tjetër atë të koleografisë dhe dizajnit. Ai dëgjonte dhe harronte dhimbjet. Harronte stresin e krijuar. Pastaj ishte edhe koleografi Agim Salihu që i dha shtysën tjetër. Kështu ai kalonte ditët, muajt, vitet me peshën e shtysës duke harruar dhimbjen dhe peripecitë e jetës.

Ardhja në Britani të Madhe

Në vitet që vijuan ai udhëtoi disa herë për t’u shëruar në spitalet e Britanisë së Madhe. Udhëtoi dhe kurë nuk la mënjanë edhe shansin e shkollimit. Ai studioi për pikturë, vizatim, portrret, koliografi dhe potery e skulpturë. Tani ai të jep portretin në dorë për disa minuta. Tani ai është në syrin e anglezëve të artit dhe medias. Pas ekspozitës së tij në Kardaku të Kamdenit në Londër ai ishte figura qendrore e gazetave. Tani ai ka plane të tjera dhe kurrë s’do që të flasë për atë natë të ndërimit të viteve 1994-95. “Ajo është vetëm një shkëndijë e së shkuarës”, - thotë ai.

No comments: