Sunday, 22 March 2009

BLLOKU I SHËNIMEVE

AZIS NESIN
--------------------

--------------------------------------
-tregim satirik-

(PËRKTHEU: ILIAZ BOBAJ)

Në shtëpinë time,nën tryezë,gjeta një blok shënimesh.Pyeta njerzit e shtëpisë,se mos ishte i tyre.
Nuk ishte i askujt.Ishte një bllok i bukur dhe fin,me ballinë blu dhe shkronja të arta.Fillova ta shfletoja, për të marrë vesh se i kujt ishte.Por u befasova që në faqen e parë.Ishte shkruar emri i një personaliteti të lartë,adresa e shtëpisë së tij dhe numri i telefonit.Hapa faqen e dytë dhe aty,njeri nën tjetrin,ishin emrat e tre personaliteteve,me adresën e shtëpisë dhe numrat e telefonëve të tyre.
Sa më tej shfletoja faqet,aq më tepër befasohesha.Blloku i shënimeve ishte mbushur me adresat e nëpunësve të njohur të lartë shtetërorë,ekonomistë,etj.Detyra me e ulët e hierarkisë shtetërore,aty midis tyre,ishte ajo e Sekretarit të Përgjithshëm...
Vura re edhe diçka tjetër: në bllok ishin të ndarë emrat e politikanëve më të fuqishëm të vendit tonë. Kushdo që të ishte në vendin tim,do të ndjente të njëjtin shpërqëndrim.Ky bllok shënimesh,me adresat e personaliteteve të rëndësishëm,i ngjante një bombe,e cila është gati të pëlcasë.Padyshim,do ta ketë lënë fshehur në shtëpinë time ndonjë nga miqtë e mi.Më pushtoi një frikë e pashpiegueshme.Mund të trokasin befas në derë,të turren brenda hafijet dhe të më thonë:
-Nxirr bllokun e shënimeve !
Unë,duke u dridhur,do të pyesja:
-Cilin bllok kërkoni ?
Do kërkojnë në dhomën time.Do gjejnë bllokun nën tryezë,sikur ta kenë vënë aty me dorën e tyre.
E di shumë mirë se çfarë do të ndodhë.Njeriu i lig,i cili e la enkas bllokun e shënimeve në shtëpinë time,do të njoftonte ndërkohë edhe policinë.Është e qartë si drita e diellit,që rashë në një grackë të rrezikshme...Kur ta gjejnë bllokun e shënimeve,policët do thonë:
-Pa na i shpiego ! Mbake regjistër dhe ke shkruar në bllok emrat e kaq personaliteteve të lartë.Për
t'u bërë presion,ë ? Apo edhe për ndonjë vrasje ?
-Aman,jarabi !...Çfarë t'u them ? Mos vallë do më besojnë ? Duhet ta djeg menjëherë bllokun dhe hirin e tij ta shpërndaj në të katër anët.Cili ishte ai i pacipë,që ma bëri këtë punë ? Në mbrëmje kishin ardhur tre miq në shtëpinë time.Është e pamundur ta kenë bërë ata këtë gjë.Njeri është docent në Universitet,tjetri është bibliotekar,kurse i treti filolog...
Në çastin që isha gati ta digjja bllokun në banjë,trokiti dera.Ishte miku im,Haliti,bibliotekari i Universitetit, i cili kishte ardhur edhe mbrëmë në darkë.Edhe ai ishte i shqetësuar,ashtu si unë.
-Çfarë ke ?-më pyeti,-të shoh shumë të zbehtë.
E pyes:
-Ç'është kjo pamje,përse je në këtë gjendje ?
-Aman,mos më ra gjë mbrëmë ndonjë bllok shënimesh ?
Ia tregova.
Ma rrëmbeu nga dora.
-Aman,ky është...Nuk mund të ta them me gojë se sa u shqetësova,mendova se e humba...
E mora për krahu dhe e shpura në dhomën ku kam zyrën time.
-Për pak vdiqa nga frika,-i thashë.-Dhe tani më thuaj të vërtetën,përse të duhen adresat e kaq personaliteteve ?
Këtë herë ishte ai që u habit.
-Ti nuk ke bllok të tillë me adresa ?
-Jooo !...
-Të lutem,bëj çmos ta keshë një të tillë dhe mbaje në xhep ! Ulu të të sqaroj,se përse i kam shkruar në bllok ato adresa.
Më hipi mania të mblidhja stilografë.Disa i bleva,disa m'i dhuruan.Arrita të kem dhjetë të tillë në xhep,pastaj pesëmbëdhjetë.Kisha shkuar në hotel për të takuar një mikun tim gjerman,që është poet,i cili kishte ardhur nga Gjermania.Kur mori vesh se bëja koleksion me stilografë,më dhuroi edhe ai një të tillë.Sapo dola nga hoteli,nuk i bëra dot ballë kureshtjes dhe,kur mora një kthesë,thashë t'i hidhja një sy stilografit.Duhet të dishë se përherë mbaj me vete lente.Pashë me lente majën e stilografit.M'u duk se maja ishte ca e trashë. Shkrova dy fjalë dosido në bllok.Dy fjalë,të cilat më erdhën ndërmend atë çast:'' e hollë dhe fine''.Për të fërkuar majat e stilografëve,përherë mbaj me vete një letër zmerili shumë të hollë,si ajo që kanë argjendarët. Mora lenten në dorë dhe,ndërsa po këqyrja edhe një herë majën e stilografit,dy duar më mbërthyen nga pas shpatullave:
-Çfarë bën aty ?
-Unë ? Asgjë...Po shikoj stilografin.
-Hi,hi,hi...Stilografin,ë ? Çfarë punë bën ?
-Unë,në Universitet...
Nuk arrita ta mbaroja fjalën:
-Domethënë profesor,ë ? I shkreti profesor !...
Njeri prej tyre më shtyu me bërryl në krahun tim të majtë,duke më thënë:
-Pa ec të shohim !
-Aman,bej !...Me siguri gaboni !...
-Ec,ore !...
Sapo fillova të ecja,më dhanë një të shtyrë nga ana e djathtë.Në ta mban, mos ec...Shkuam tek roja.Më përplasën në një birucë.Prita,as zë e as këmbë njeriu...Pas disa orësh ia behu njeri:
-Bjer në gjunjë !-më tha.
-Nuk bie në gjunjë !...
-A,kështu,ë ? I shkreti profesor !...Hajde,nxirr ç'ke me vete !...
I nxorra të gjitha ç'kisha dhe i vura mbi tryezë.Katërmbëdhjetë stilografë,dy libra,një bllok shënimesh,një lente
dhe dy fletë letër zmerili...
Më tregoi stilografët:
-Ç'janë këta ?
-Stilografë.
-Hi,hi,hi...Stilografë,ë ? I shkreti profesor !...
Nuk isha në gjendje t'u thoshja se nuk jam profesor,por bibliotekar në Universitet.Mori në dorë lenten:
-Çfarë është kjo ?
-Lente...
-Lente,ë ? I shkreti profesor !...
Erdhën edhe tre të tjerë.Filluan të më hetonin të tre së bashku.
-Çfarë është kjo ?
-Letër zmerili.
-Bre,çfarë letër zmerili është kjo ! Nuk ka asnjë shenjë zmerili.Kujt ia shet këto ?
-Është letër zmerili e hollë,nga ato që përdorin argjendarët...
-Hi,hi,hi...Letër zmerili e hollë,ë ? I shkreti profesor !...
Më dha edhe një të shtyrë me sup.E pashë që isha ngatërruar keq.
-Bej,-iu thashë,-me siguri është bërë ndonjë gabim...Nuk e di se për çfarë arsye më sollët këtu,por mua më njohin të gjithë gazetarët dhe universitarët.Unë nuk jam nga ata tipa,për të më bërë një hetim të tillë.
Ai që këqyrte bllokun e shënimeve,më qortoi,duke ia bërë ''shshsht !''.
Mandej në çast i shkëlqyen sytë.Më tregoi fjalët që kisha shënuar para pak çastesh,për të provuar stilografin.
-Çfarë shkruan këtu ?
-E hollë dhe fine...
-E hollë dhe fine,ë ?
-Po,e hollë dhe fine...
-Dhe ç'domethënë kjo ?
-Asgjë...
-Atëhere përse e shkrove ?
-Për të provuar majën e stilografit dhe...
-A,meqë është kështu...Po mirë,nuk gjete ndonjë gjë tjetër për të shkruar dhe shkrove këtë ?
E vërteta është se nuk e kisha menduar aspak...
-Nuk e di,ajo më erdhi ndër mend,atë shkrova...
-Hi,hi,hi...E hollë dhe fine,ë ? Tani do të ta tregojmë ne...Atë kujtove,ë ? Përse nuk të erdhi ndërmend diçka tjetër ?
Njeri prej tyre shkoi pranë makinës së shkrimit.Filloi të lexonte procesverbalet.Më zuri frika...Mos vallë ajo që kisha shkrur rastësisht '' e hollë dhe fine'',ishte kodi i ndonjë rjeti spiunazhi ? Katërmbëdhjetë stilografët,blloku i shënimeve, lentja,dy librat,letra e zmerilit të argjendarit,'' e hollë dhe fine''.Kushdoqoftë,do të dyshojë.Nuk dija ç'të bëja.Të gjitha këto i shënoi njeri prej tyre,kurse një tjetër këqyrte përherë e më me vëmendje bllokun e shënimeve.Për të gjitha këto sende,që më ishin gjetur,mund të gjeja një justifikim.Por atë ''e hollë dhe fine'',si mund ta justifikoja ?
Ku në dreq erdhën ato dy fjalë në majën e penës sime ? Nuk qe e thënë të shkruaja diçka tjetër ?
Ai që këqyrte bllokun,papritur ndaloi në një faqe.Pastaj jua tregoi atë faqe të tjerëve.Diçka pëshpëritën midis tyre.
Befas ndërruan qëndrim ndaj meje.Ai që këqyrte bllokun,më tregoi adresën që ishte shënuar aty.
-Më falni,bej efendi,-më tha,-çfarë e kini këtë këtu ?
-Shok të vjetër shkolle.U takuam pardje.Më ftoi edhe të hanim.Më dha adresën e tij dhe e shkrova në bllok.
Ato që thashë ishin krejt të vërteta.Takova një shok,të cilin kisha vite pa e parë.As që e dija që ishte Drejtor i Përgjithshëm.Ai që mbante bllokun në dorë,më foli me një buzëqeshje të ndrojtur.
-A,meqë qenka kështu...Zoti Drejtor i Përgjithshëm qenka mik i ngushtë i madhërisë suaj...
-Natyrisht.Bile në shkollë e thërrisnim Tirtik Riza'...
-U gëzova shumë,bej efendi...Përse nuk uleni...Urdhëroni,ju lutem ! Pastaj u kthye nga kolegu i tij.
-Xhanëm,përse e sollët këtu bej efendinë ?
Duke u kthyer nga unë:
-Bujrum,bej efendi...
Unë përpara dhe ata pas,hymë në një dhomë të mobiluar.Më vunë të rrija në një kolltuk.Thotë njeri prej tyre:
-Bëka nxehtë sot.Do urdhëroni të na sjellin ndonjë gazozë të ftohtë ?
-Ooo,ju lutem !...
Erdhën gazozat.Mbetëm ne të dy,të tjerët u larguan.Më pyeti:
-Bej efendi,cila është arsyeja e vizitës suaj ? Mos dëshironi gjësend ?
-Allah,Allah !...Ç'të dëshiroj ? Nuk më prutë ju forcërisht ?
T'i thoshja që më sollën me të shtyra dhe me grushte,më vinte turp,meqë tani po më shfaqnin një sjellje plot delikatesë.I them:
-Bej efendi,erdha ashtu kot,për t'ju bërë një vizitë,për të pyetur si e kini qejfin.
-Aman,efendi,falminderit shumë ! Qofshi mirë !...Më falët një gëzim të madh.Aman,çfarë nderi që na bëtë !...
Mendova të ngrihesha pa u vrrejtur prapë koha,e cila u kthjellua pak më parë,duke thënë:
-Do më falni,ju lutem,bej efendi...
U ngrit në këmbë dhe më shoqëroi deri tek hyrja.Për të shpëtuar nga thonjtë e tyre,shpejtova hapin.Do ishte turp t'ju kërkoja stilolapsët,bllokun,lenten.Do të ishte njëlloj sikur t'u rikujtoja gabimin e tyre....Dikush vrapoi pas meje.
-Bej efendi...Bej efendi...Zoti profesor !... Efendi,harruat sendet tuaja.
Më kishte sjellë sendet e mi.
-Vërtet jini mik i Drejtorit të Përgjithshëm ?
-Po.Përse pyesni ?
-Ja ashtu,tani është bërë e modës...Secili shkruan në bllokun e shënimeve emrat dhe adresat e personaliteteve të lartë.Më kuptoni ? Në këtë mënyrë shpëtojnë,duke thënë se janë miqtë e tyre.Ku ta dimë ne nëse janë apo nuk janë miqtë e tyre.Përderisa ju jini vërtet miku i tij...
-Po.
-Bej efendi,në këtë letër kam shënuar të dhënat e mia.Nuk dihet ç'ndodh e ç'nuk ndodh ndonjëherë...Nëse e
takoni përsëri zotin Drejtor...
* * *
Pasi Haliti m'i shpiegoi të gjitha ato që hoqi,shtoi:
-E pra,që nga ajo ditë e në vazhdim,kudo që gjej adresa të personaliteteve të lartë,të njohur e të panjohur, i shënoj menjëherë në bllok.Mik vëllai,më plasi tëmbli,duke kujtuar se e humba.Këto adresa janë diçka si sigurimi i jetës....Aman,bëje edhe ti ! Veç bëj kujdes në diçka.Nëse rastis të japë dorëheqjen ndonjeri prej tyre, të lerë shërbimin për shkak të shëndetit ose të dalë në pension për shkak të moshës,shuaje menjëherë prej bllokut.Në të kundërt do futësh veten në telashe...Pasi ty nuk ta pret mendja për gjëra të tilla...
-Nuk kam patur të tillë bllok.
-Është për të mirën tënde...Vëllaçko,tani secili mban në xhepin e vet nga një bllok të tillë,për t'u mbrojtur nga fatkeqësitë dhe telashet.E di se ç'të pret kur të dalësh nga kjo derë ? Të kujtohet,dikur njerzit mbanin duva me të yshtura të ndryshme,për t'u mbrojtur nga sëmundjet dhe nga ora e ligë...Tani,në vend të yshtjeve, janë adresat e shkruara.Dhe janë qind për qind të suksesshme.
PËRKTHEU: ILIAZ BOBAJ

No comments: