Sunday, 15 March 2009

MITINGJET "KALADIBRANÇE" NË TIRANË



-Shqipëria del vend me më shumë mitingje për frymë në Europë, mbase në botë-

SHEFQET MEKO
Minneapolis,SHBA


"Ejani në miting..." Bashkohuni me ne..." "Ne jemi e ardhmja..." "Qeveri e krimit..." Këto ishin lejtmotive të 15 marsit në Tiranë. Politikanët opozitarë udhëheqin turmat. Njerëzit protestojnë, ndërsa politikanët shpresojne se zenë "karriket" që mund të lenë pushtetarët e sotëm. Thjesht, përgatitet një mundësi ku sipas një shprehje të vjetër mund të themi "Ik o prift, të ulet hoxha...". Dhe kjo ndondh në një ditë kaq të veshtirë për sa e sa familje të ndëshkuara nga një fatkeqsi që secili mund të ishte viktimë. Sërish turma ngelet turmë...Në krye të saj duhen "figurat", kundërshtarët e qeverisë, ata që bërtasin më shumë kundër saj dhe kreut të vet Berisha...

Sot protestës i mungon një element njerëzor: ndihma ndaj atyre që u ndëshkuan nga kjo fatkeqsi. Realisht, çdo politikan që udhëdrejton protestën e sotme, më tepër se gjithshka ëndërron që të kalojë nga "pa karrike" tek pushteti karrige...Madje kjo është ëndërr e stërmundimshme për çdo politikan. Këtë bëri Berisha kur ra në opozitë, këtë bën Rama që kërkon durim "edhe 6 muaj a më pak", këtë bëjnë gjithë ata që qeveria aktuale u ka dhënë "një hiç" nga kolltuket e veta... Ndërsa në mënyrë fallco duket se "dridhen" zemrat dhe derdhen "lotët" për viktimat .Çdo gjë ka një qëllim: rimarrjen e pushtetit dhe "filmi fillon nga e para..."

Pse protestat e këtij përvjetori nuk kanë asnjë element njerëzor? Sepse kjo protestë nuk ka motivet e atyre që u kthyen në fatkeqë, por gjithsesi ka vetëm motivet e atyre që kërkojnë sebepe. Nëse e sotmja do të ishte një protestë për ata dhe nga ata që u viktimizuan ajo duhej të mbahej në Gërdec. Atje duhet bërë një "aksion popullor" që duke pastruar atë rrënojë që ka ngelur, t'i tregohet qeverisë se ne protesojmë duke bërë diçka , nuk protestojmë se "kështu thotë partia".

Një vit më parë, jam shprehur kundër asaj hiperbole të medias që e quante Gërdecin "një Hiroshimë shqiptare", për faktin e thjeshtë se siç thotë populli "e keqja nuk ka fund".Në fatkeqsi të tilla duhen kurajo të mëdha për tu bërballuar jo vetëm "fjalë të mëdha". Në Amerikë ndodhin shumë fatkeqsi, që kanë përmasa tragjike, por ka një ekuilibër në pasqyrimin e tyre. Kështu pak kohë më parë në Kaliforni një familjar vrau familjen e vet përballë depresionit financiar, por ngjarja u përcoll përmes deklarimeve të policisë dhe investiguesve dhe asnjë politikan nuk bëri deklarata si psh "Shtëpia e Bardhë e Obamës po vret një familje...". Jo, në këë rast secili bëri punën e vet, dhe politikanët në vend që të përdorin "shkrepset" e protestave u fokusuan në debatin për paketën ekonomike duke ballafaquar mendimet dhe diferencat në senat dhe kongres. Më tej akoma, në shtatorin e vitit të kaluar në St.Paul, u protestua kundër republikanëve që bënë konventën, pati përleshje me policinë, u arrestuan rreth 700 vetë dhe më shumë, por nuk doli asnjë politikan të përzihen në punët e policisë. Ata që ishin të pakënaqur shkuan dhe firmosën petecione dhe bënë padi ndaj policisë në gjykatë...Pra secili bën punën e vet.

Edhe një rast: Në shtetin e Minnesotës prej më shumë se 4 muajsh vijon beteja për vendin e senatorit të dytë të këtij shteti, por politikanët nuk kanë thirrur kund ndonjë protestë për "vjedhje votash" apo acarime te tjera...Është vërtet rasti i paprecedentë që dy kandidatë për senat të jenë kaq ngushtë në vota, saqë njëri është "në krye" me rreth 250 vota dhe menesotasit ende nuk dinë se cili është senatori i tyre Koleman apo Alfrenk. Sidoqoftë gjithë kjo "përleshje" e palëve ka ndjekur rrugët ligjore për t'u zgjedhur dhe në fund do të vendoset në gjykatë dhe procesi mund të shkojë nga gjykata në gjykatë jo "nga Partia tek Partia"...

Kujtoj këto raste në vendin e demorakcisë funksionale siç është Amerika, dhe pyes: pse nuk ka elementë të thjeshtë të saj në Shqipëri? Pse politikanët tanë thurin titirambe për demorkacinë amerikane, por nuk dinë të marrin asnjë leksion praktik prej saj? Arsyeja është e thjeshtë: Lufta politike në Tiranë është luftë ndaj individëve dhe grupimeve, jo ndaj programeve dhe interesave të votuesve. Të gjitha partitë aty thonë "Do shkojmë në Europë" ose siç ishte motua e hershmë e demokratëve "E duam Shqipërinë si gjithë Europa", por në fund të fundit ne shohim një luftë shpatash fringulluese dhe të frikëshme si në media, ashtu edhe në parlament. Sulme ndaj emrave, etiketime, akuza barbare dhe askund nuk shihet një vijë e kristalizuar ku votuesit mund dhe dueht të besojnë votën e tyre...

Sot, është një tjetër spektakël i radhës në Tiranë ku motivi është si në përralla: Ikni ju të vimë ne...Ik o prift, të ulet hoxha... Ndërkohë, pozita në vend që të tregohet e qetë dhe të vijojë qeverisjen, bën po të njëjtën lojë të "lojtarëve pa top": sulme, insuniata, etiketime...O zot, kur do mbarojnë këto për një popull që ka vojtur kaq shumë? Kur u bashkuam me studentët gati 20 vjet më parë, kurrë nuk menduam se ky do ishte një "marshim" pa fund. Atëherë ishim idealistë të gjithë nga Berisha që mori votat historike të përmbysjes insitucionale të komunizimit, dhe tek secili nga ne përfshi edhe mua që e lashë vendin 10 vjet më parë. Pse? Sepse u ndieva i dhunuar dhe pa shpresë nga vetë qeveria dhe politikanët që pata votuar. Këtë shije të hidhur e ka provuar secili nga "qytetarët e lirë" që përmend kryeministri Berisha në fjalimet e veta. Unë pata nëj fat dhe ika. Sa të tjerë kërkojnë një fat dhe nuk ikin dot? Shumë. Ndaj, kjo shumicë që don të ikë por nuk ikën dot, mblidhet sot në mitingjet alla-kaladibrançe në Tiranë, ku politikanët që gjuajnë pushtetin duan të shohin sa më shumë njerëz, ndërkohë që ata që kanë pushtetin synojnë të kundërtën, duan të shohin në mitingje sa më pak për tu thënë "armiqve" poltikë: "E shihni, nuk ju ndjek kush.Populli na do ne, jo juve..."

O politikanë që i shtuat thinjë këtij populli, pse nuk kërkoni të dilni në pension? Ju do të shihni se pas "pensionllëkut" tuaj, njerëzit do të marrin frymë lirshëm dhe do të mund të zgjedhin drejtues të rinj që vijnë me një mision: ta bëjnë Shqipërinë jo "tja bëjnë" si puna juaj deri më sot. Sot është një përvjetor fatkeqsie. Sot është mirë ose të heshtet, ose të mos hidhen "thumba" politikë, se pse ne të gjithë e dimë: Shqipëria është vështirë të bëhet, por ajo do të bëhett përmes spontaneitetit, dhe gjëja e vetme që duhet nga çdo qytetar dhe politikan: nderoni ligjin që e bëni vet...Në Amerikë tregohet një anekdotë kur një nipi të Rockfelerëve iu bë një pyetje nëse ai kishte ndonjë ide nëse gjyshi i tij kishte shkelur ndonjë ligj dhe sa kishte paguar për këtë shkelje.Ai iu përgjigj në mënyrë lakonike: Unë nuk e di të ketë shkelur ndonjë ligj, por di për siguri se shpenzoi shumë dollarë për të bërë ligje...

Sot, ju marshoni në Tiranë. S'ka asgjë të keqe.Protesta është frymëmarrje në një shoqëri të lirë, por mos harroni se nuk ka paqe dhe prosperitet në një shoqëri ku nuk e merr vesh i pari të dytin.Dhe mitigjet tona janë të tilla. Flasim, bërtasim, kërcejmë mbi njëri tjetrin alla kaladibrançe dhe ikim në shtëpi duke thënë "Uah çfarë mitingu"...Dhe unë pyes nga larg: Çfarë solli ky miting në xhepin tuaj? Mos harroni, mitingjet në Tiranë jane "kredit karta" në xhepat e politikanëve që prej dy dekadash janë po ata, mbeten po ata dhe nuk kanë për të ndryshuar edhe për një dekadë tjetër...

Njerëz, filloni të besoni veten tuaj. Të gjithë politikanët gënjejnë...Filloni dhe "filtroni" njerëzit e zgjedhur nga lagja dhe bashkia dhe pastaj prisni "fela" nga qeveria e madhe.Qeveritë bëjnë ligje dhe dekalrata, njerëzit punojnë. Dhe unë dëshiroj të shoh gjithë Shqipërinë në punë dhe "vrap"për punë. Cila qeveria mund ta bëjë këtë?
Asnjë. Zgjidhjet e vogla fillojnë nga individi. Ndaj, let t'u themi "adio" kafeneve dhe të bëjmë një punë...Secili e di ku i "pikon" çatia...Në kapitalizëm dhe tregun e lirë zoti dhe ligji njësoj poër të gjithë, hallet e individit në kurriz të secilit...

Pra, ti i dashur mik je zgjidhje e halleve të tua...Politikanët kurrë nuk do vijnë të mbyllin "pikat" tek çatia jote. Çdua të them me këtë? Duhet një "revolucion" në mentalitetin shqiptar që të çlirohen ide dhe energji nga individi dhe presioni i vetëm duhet që qeveria të tregoje kujdes që ligji dhe "Maliqi" nuk takohen kurrë me njëri tjetrin...Ky është
"sekreti" i vetëm në SHBA edhe pse këtu gjen "maliqë"me shumicë, por në fund ligji ndëshkon rreptë dhe "i vogli" ndihet disi i sigurt, edhe pse jo rrallë bie viktimë e kësaj demokracie...

Shpresë...Por edhe veprim. Kjo na duhet. Urretjet dhe dashuritë e mëdha duhet vetëm në kohë lufte. Shyqyr nuk jemi në luftë dhe mos qofshim kurrë.

Dhe tani që jeni kthyer "të lumtur" nga një miting, cili është plani juaj për nesër?



SHEFQET MEKO

Minneapolis, SHBA

15 Mars 2009

No comments: