Tuesday, 3 March 2009

Enigma e një vizite


Kostaq Duka
Tregim

Ora 6.30 . Sapo kisha bërë gati mëngjesin kontinental aq të bollshëm në hotelin tonë me një emër prestigjioz, të njohur në Amerikë. Era e kafes së porsa përgatitur, ndihej në gjithë mjedisin e hollit. Frutat e gjithëllojshme vendosur bukur në pjatanca mbuluar me kapakë gjysmësferikë të tejdukshem, të ngacmonin që tej. Bukët e freskëta,djathërat kubikë si gurë dominoje,gjalpi, kosi i thjeshtë dhe me fruta, ëmbëlsirat dhe më tej këndi i përgatitjes së pites që mbushej me mjaltë të ftonin për një ngrënie mëngjesi me oreks….Qëndroja në pritje të klientëve. Zakonisht në këtë orë, ata nisin e zbresin nga ashensorët për të ngrënë mëngjes. Ideja e një dite të re dhe kënaqësia e fillimit të saj me një mëngjes të shijshëm i bënte të çeleshin fytyrat e tyre…
Tutje para banakut të sportelit të hotelit u trajtësua siluteta e një gruaje.Ishte shtatgjatë, me flokë të verdhë të mbledhur hijshëm.Këmbët e gjata formësoheshin të plota në xhinset e ngushta. Xhaketa e zezë prej lëkure plotësonte më së miri veshjen moderne të saj. Isha kurioz që t’i shihja fytyrën. Duhet të jetë e bukur- mendova.
Pasi komunikoi diçka me sportelistin, erdhi ngadalë në pjesën e hollit ku shtrohet mengjesi. U befasova. S’kisha të bëja jo me një vajzë të re po as me një grua në moshë mesatare. Përkundrazi ajo ishte e moshuar, edhe pse me trup atleteje. Tualeti nuk mund të mbulonte hijen e viteve mbi fytyrën e bardhë.
U drejtua nga kafja.
-Kafe e rregullt dhe pakafeine- i thashë për ta nxjerrë atë nga lëvizja e ngadaltë dhe heshtja që ishte mbizotëruese tek ajo.
Filloi të shtjerrë kafen, krejt e pangacmuar nga fjalët dhe prania ime.
-Qumështi është pak më tej….tentova përsëri, i dëshiruar për të hyrë në bisedë aq më tepër që klientët s’po dukeshin të shfaqeshin në holl.
Mori kafen e zezë, pa sheqer e qumësht dhe tek ulej më vështroi me ca sy aq të trishtuar dhe të dhimshëm blu sa më shtinë frikën.
E megjithatë unë s’doja të hiqja dorë nga dialogu me të. Bisedat me klientët më ishin bërë shprehi aq sa pronari i hotelit një ditë më thirri në zyrë e më tha. Të sillesh mirë më klintët nuk do të thotë të hysh në jetën e tyre private….
-Sot do të jetë mot i mirë- i thashë ndërsa i shkova një të fshirë tavolinës ku ajo u ul ndonse ndriste si pasqyrë.
-S’e di – më tha e rrufiti kafen ….
Ishte e kotë. Ç’të jetë kjo grua e moshuar- thashë. Kliente e re? Mos do të rrijë për një kohë të gjatë.E braktisur nga fëmijët ? E divorcuar tani në këtë moshë apo e mbetur e ve? Nga veshja duket e kamur por mund të ketë rënë eknomikisht….Hamëndjet më rrrëmbyen e përplaseshin njëra pas tjetrës. Ndërkohë gruaja pa orën dhe papritur u çua dhe u nis përsëri nga sporteli.U dëgjua zhurma karakteristike e ashensorit. Prej andej doli nje vajzë e hollë, në shtatin e së moshuarës dhe bjonde me sy të kaltër si ajo.Shikoi njeherë rreth e rrotull me një shikim të turbullt e të trembur dhe shkoi drejt e në gruaja e moshuar. E perqafoi.Flokët e verdhë u mpleksën njëra me tjetrën. Kur vajza u shkeput, lotët kishin njomur sytë e saj.
Ja kush na qënka shkaku i ardhjes së kësaj zonje të moshuar në hotelin tonë!-mendova pa ndarë shikimin nga të dyja. E moshuara¸me gishtrinjtë te deformuar nga mosha por dhe arthriti mbase, ku kercenin damaret blu i fshiu lotët. Prisja pas kësaj një lumë fjalësh, por….asgjë. Si për të dalë nga këto emocione zonja e moshuar, nxjerr portofolin nga xhepi i brëndshëm i xhaketës së lëkurtë dhe me një ton gati autoritar i thotë sportelistes : Po bëj pagesën dhe për një javë.
Pagoi, hodhi duart mbi supet e vajzës së re, tepër të brishtë e gjithnjë me një pamje të tronditur dhe e përcolli në ashensori. Përshendeti me kokë sportelisten, ma bëri me dorë edhe mua e nxitoi të shtynte derën e madhe te kristaltë të hotelit.Në tërë qënien e saj ndihej një nevozizëm i brëndshëm.
Ç’të jetë kjo vizitë? – Nisa të ushqej kuriozitetin unë. Pse duhej të bënte pagesën për këtë vajzë kjo zonjë?
U afrova më afër sportelit. Sportelistja e ndjeu që unë çoç po bluaja me veten.Nuk më la të flisja. E kam një porosi për ju nga menaxheri- më tha. Lidhet me këtë vajzën. Ajo do të rijë dhe për pak kohë tek ne. Ka një shqetësim të madh. Ajo zonja e moshuar që bëri pagesën është e gjyshja. E vure re sa e trishtuar dhe e tronditur ishte? Po vajza?! Fytyrë ëngjëllore por e vrarë nga dhimbja.
-Mos është e sëmurë?! Me kancer? Apo është në proces rehabilitimi për drogë….
-Jo, jo asgjë nga këto por edhe me rëndë…
-Më rëndë?!
-Po. Ajo vajzë është e kërcënuar për vdekje…..ka ardhur këtu nga Jugu. Njerku tentoi ta përdhunojë. Kur s’mundi u mundua ta vrasë. Vajza u fsheh. Erdhi këtej nga anët tona. E gjyshja nga e ëma është e pasur, ka vilë të madhe por mendoi ta sillte në hotelin tonë për më shumë siguri.Policia është në ndjekje të njerkut .Menaxheri na porositi që nëse pyet njeri për këtë vajzë në mënyrë të dyshimtë të vemë menjëherë në dijeni policinë. Që sot e tutje e ke për detyrë tja çosh mëngjesin në dhomë kësaj vajze.
Detyrën e kamarierit special nisa ta kryej me pasion të madh. Vajza nuk preferonte shume ushqim. Zakonisht bukë thekri të thekur me gjalpë e djathë , pite me mjaltë dhe fruta. Pas nje trokitjeje të lehtë vinte pa u ndjere, i hiqte llozin e prapëm derës dhe merrte tabakanë. Një buzëqeshje e ëmbël, në vënd të faleminderit nuk i mungoi kurrë. Kështu një ditë, dy ditë tre ditë….Veç buzëqeshjes asgjë më shumë. Prisja që ajo të bëhej kurioze, të pyeste së paku nga cili vend kisha ardhur këtu në Amerikë, siç kane filluar rëndom bisedat me klientët e tjerë por jo…Por, buzëqeshja shoqërohej kohët e fundit dhe me fjalët “faleminderit shume”. Nje ditë më vuri njëzet dollarë kur mora tabakanë bosh. E kundërshtova por ajo këmbënguli.Një kafe….Të lutem.
Si pa kuptuar iku një javë. Ishte po ai mëngjes i së djelës kur në hotel erdhi së pari zonja e moshuar…Përsëri prisja ardhjen e klienteve. Kur përpara derës parkoi nje BMW, blu e modelit te fundit nga më lluksozet. Prej andej zbret nje grua bjonde e gjatë e veshur me një kostum elegant të bardhë. Në duar mbante një çantë lluksoze që farfurinte që tej. Po kjo – thashë. Jo nuk mund t’u besoja syve. Ishte po ajo zonja e bluxhinseve. Më foli me shumë mirësjellje duke shtuar: Sot është vërtet kohë e bukur, apo jo? E shkëlqyer për fundjave. Bisedoi me sportelisten. Për dy minuta e qeshur , me nje fustan ngjyrë rozë doli nga ashensori mbesa e saj. Dukej e lumturuar. U përqafua me te gjyshen na përshendeti dhe ne te gjithëve. Të dyja të përqafuara shkuan drejt BMW-së.
xxx
Ndërkohë postieri kishte lënë mbi banak gazetat e ditës. Me një ndjenjë mërzie për largimin e vajzës hapa një nga gazetat. Kur…ç’të shoh, në faqen e parë në krah të djathtë lexoi : U kap nga policia njerku që tentoi te vriste vajzën e gjetur. Dhe me tej fotografia me pamjen e tij prej krimineli dhe fytyra ëngjëllore e vajzës.

No comments: